Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta fillon sot një vizitë dyditore “historike” në Serbi, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbise, Vuk Jeremiç. Kjo është hera e parë pas 7 vitesh që Meta në cilësinë e shefit të diplomacisë shqiptare viziton sërish Beogradin.
Për herë të fundit ai ka qenë në Serbi në datën 27 nëntor 2002, ku zhvilloi takime me nënkryetarin e qeverisë federale të aso kohe, Miroljub Labus si edhe presidentin e Jugosllavisë, e cila ende nuk ishte shpërbërë, Vojisllav Koshtunica. Ndërkohë sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, gjatë vizitës së tanishme dy ditore, veç bisedimeve zyrtare me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, Meta do të zhvilloje takime të veçanta edhe me Presidentin e Republikës së Serbise, Boris Tadiç, zv/kryeministrin per Integrimin Evropian, Bozhidar Gjeliç, zv/kryeministrin dhe ministrin e Brendshem, Ivica Daçiç si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi. Në axhendën e vizitës do të jenë çështje të marrëdhënieve dypalëshe, si edhe të bashkëpunimit rajonal dhe nderkombetar. “Vizita zyrtare e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme Meta në Beograd, është një tregues i qartë i prioritetit që politika e jashtme e Shqipërisë i jep zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit në kuadër të përshpejtimit të perspektivës evropiane për vendet tona”, thuhet në njoftim.