Hyr  |  Regjistrohu
Njoftime  |   Biznese.al   |   Time.al   |   Ligje
 
 
 
“Nëse do jetoja Luftën e Dytë Botërore, do rreshtohesha me partizanët”
 
Shperndaje
ikub#: 1712010195
Debati, me dashje i pashteruar, për datën 29 Nëntor nuk e ndryshon dot Historinë. Pasi i lodhi mediatikisht historianët (fatkeqësisht edhe këta shpesh të ndarë në llogore politike), ai veçse vijon të mbushë tashmë portalet duke mos ndarë, sërish me dashje, 29 Nëntorin si simbol të përfundimit të Luftës Antifashiste, të rreshtimit të Shqipërisë krahas Forcave Aleate dhe të Çlirimit të vendit nga nazistët, nga fillimi i një periudhe të errët e të rëndë për historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, atë të diktaturës më të egër e më të gjatë që ka njohur Europa.
Me profesion nuk jam historiane prandaj nuk marr përsipër të bëj asnjë gjykim historiografik. Por jam edhe e angazhuar politikisht, e prandaj akoma më pak do e bëja një gjë të tillë, sepse historinë nuk e shkruajnë politikanët por historianët. Por, jam shqiptare dhe bash si e tillë, sikur 100 herë të më pyesin se nëse do të kisha jetuar Luftën e Dytë Botërore nga cila anë do të rreshtohesha, 100 herë do të përgjigjem “me partizanët”. Siç bëri tezja ime që doli partizane në moshën 17 vjeç, siç bëri ati i saj e gjyshi im që i mbështeti me sa mundi financiarisht e materialisht, siç bëri familja e tim et që numëron partizanë e dëshmorë.
Por, po ashtu 100 herë e më shumë, nuk do të reshtja së thëni se regjimi i Hoxhës që u vendos më pas ishte një fatkeqësi kombëtare dhe aspak një përkthim i idealit për të cilën luftuan partizanët; përndryshe tezja ime s’mund të kishte dalë partizane që vetëm pak vite më vonë të dy prindërit (gjyshërit e mi) t’ia burgosnin me cilësimin “armik të popullit”; përndryshe familja e tim eti s’do të ishte radhitur me shumicë me partizanët që tim atë e jo vetëm, ta ndëshkonin në vitet 70 për “ide liberale” dhe “shkelje të vijës së partisë”, ndonëse punoi ndershmërisht e besoi verbërisht te një ideal irreal. Asgjë e jashtëzakonshme në këto episode, përveçse një “déjà vu” e të gjitha familjeve shqiptare. Siç është pjesë e jetës së të gjithë brezit tim që jetoi fundin e viteve 80, padurimi, dëshira, përpjekja dhe veprimi, gjithkush sa mundi, – por padyshim i të gjithëve bashkë, – për të rrezuar diktaturën. Kaq. Historinë do ta shkruajnë historianët e brezit tjetër, që do të jenë të shkarkuar nga vrandergjegjet e profesionit të ushtruar nën diktaturë. Deri atëhere shoqëria do të evoluojë më mirë. Sot dua të them: Gëzuar 29 Nëntorin që na kujton aleancën e Shqipërisë me forcat antifashiste dhe kur përkujtojmë me përulje ata të rinj që dhanë vitet e rinisë dhe jetën për një dashuri të madhe fare, te e cila besuan fort, dashuria për Atdheun!
 
 
 
Mirela Kumbaro:
loading...




Marre nga Shqip
Shfleto artikuj te tjere per: LUFTA E DYTE BOTERORE MIRELA KUMBARO PARTIZANET

Loading...


 
 
 
   
*Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.
 
Loading...


Më të lexuarat




Copyright © 2006 - ikub.al shpk, All Rights Reserved