Hyr  |  Regjistrohu
Njoftime  |   Biznese.al   |   Time.al   |   Ligje
 
 
 
Afërdita, piktorja e portreteve të ngrohta
 
Shperndaje
ikub#: 1712030019
Afërdita Meçe Shijaku ishte një nga nxënëset që kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” gjatë viteve 1958-1962, në degën e qeramikës. Konstruktimi i formës së portretit, zbulimi i psikologjisë me mjete realiste si dhe parimi i ndërtimit të figurës apo grupit figural, me realizimin rigoroz të detajeve, përbënte në bazën e programit mësimor të Liceut Artistik në ato vite dhe e trupës pedagogjike të saj.
Serioze, këmbëngulëse dhe e pasionuar ndaj artit të skulpturës, nxënësja Afërdita Meçe dallohej nga bashkëmoshatarët e saj të klasës. Afërdita ishte ushtruar fillimisht në kursin e vizatimit të Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”, Tiranë.
Pas studimeve të mesme Afërdita vazhdoi studimet në Institutin e Arteve, që sapo ishte çelur në Tiranë nën drejtimin e skulptorëve Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe në mënyrë të veçantë të skulptorit dhe pedagogut Shaban Hadëri, i cili ishte dhe pedagogu i saj ku dhe e ka ndjekur gjatë pesë viteve të studimeve. Në vitin e tretë si studente, ajo bashkëpunoi si piktore-ilustratore me revistën “Pionieri” dhe gazetën “Rinia”.
Nga pedagogu i saj Hadëri, Afërdita, fitoi mënyrën e realizimit të një plastike të ngrohtë, në konstruktimin e figurës njerëzore gjatë punës me modelet akademike. Nga arti botëror më pëlqente dhe admiroja artin e Rilindjes Italiane si dhe arti i realizmit rus”Edhe pse programet akademike të Institutit të Arteve, Tiranë (të atyre viteve), ishin të ndikuara dhe ndiqnin platformën e artit të realizmit socialist sovjetik, studimi i portretit, figurës njerëzore dhe grup figurash njerëzore përbënin bazën e programeve gjatë katër viteve studentore.
Afërdita pas skulptores Kristina Koljaka (Hoshi) e diplomuar në Itali (Romë) së bashku me Valentina Ballin ishin skulptoret e para të diplomuara në shkollën e parë të lartë të arteve figurative shqiptare në vitet 1960-1970. Diploma e saj “Aksionistja”, pati vlerësimet më pozitive dhe evidentoi tek skulptorja e re aftësitë e saj për të ndërtuar figura me prirje monumentale dhe me dimensione mbi natyrale.
Ajo që në fillimin e jetës artistike pas studimeve u prezantua në ekspozitën kombëtare të kohës (1969) me një portret të kompozuar zboristeje të titulluar “Gjithmonë gati”. Në vitet 1970-1990, politizimi i skajshëm i jetës artistike në Shqipëri ishte mjaft i dukshëm veçanërisht në manifestimet kombëtare (konkurse dhe ekspozita).
Impenjimi politik i artistëve si ”ndihmës të partisë në edukimin komunist të masave”, “partishmërisë në art”, “frymës popullore”, ishte një detyrim dhe prirje e pashmangshme në të gjitha ekspozitat e kohës. Skulptura si dhe gjinitë e tjera të artit edhe pse në ndonjë rast disa artistë u munduan të paraqiteshin me shprehje të reja figurative, mbetën në kufijtë e figurës realiste, shpesh tregimtare dhe ilustrative. Vetëm në pak vepra “u dukën” dhe “u shuan” ndikimet e një plastike impresioniste, kubiste, moderne.
Pas vitit 1973, forcimi i kalimit drejt izolimit politik dhe forcimi i censurës mbi artit dhe kulturën, varësia e plotë e arteve nga partia-shtet, krijuan atmosferën e një autocensure të fuqishme tek artistët e të gjitha fushave. Brezi artistëve figurative të atyre viteve ishin të detyruar të krijonin “pa kushte” sipas metodës së realizmit socialist, duke u vënë në shërbim të shtetit që ishte dhe porositësi, financuesi dhe blerësi i vetëm i prodhimtarisë së tyre artistike.
Krijuesit duhet të pasqyronin në veprat e tyre “njeriun e ri”, realitetin e ri dhe subjektet apo ngjarjet historike sipas rregullave dhe filozofisë marksiste dhe mësimeve të PPSH. Të këtyre viteve janë dhe punimet e skulptores Afërdita Meçe Shijaku të paraqitura dhe të ekspozuara në manifestimet kombëtare të arteve pamore.
Ndër to mund të kujtojmë Portreti i dëshmorit “Qamil Gjuzi” (1969), relievi “Dëshmorët Margarita dhe Kristaq Tutulani para pushkatimit”(1970 ), relievi “Fryrësat e qelqit” (1971), grupi skulpturor “Ta shkrep pak” (1972), kompozimi “Nëna dhe bija” (1973), kompozimi ‘Gëzimi i parë” (1976), kompozimi “E reja në çetë” (1978), kompozimi “Një këngë për Partinë” (1981), “Punëtorja” (1983), “Lulet e jetës” (1984), “Portreti i Junës” (1985), ”Pushimet verore” (1988) etj.
 
Në këtë cikël punimesh të artistes Shijaku vërejmë qartë ndikimin e tematikës socialiste të shprehur prej artistes me një gjuhë realiste dhe vërtetësi jetësore. Kontakti me modelet direkt nga jeta në veprat e ndryshme të artistes Shijaku, i kanë dhënë veprave të saj natyrshmëri dhe plastikë të ngrohtë.
Ajo asnjëherë nuk u largua nga kontakti me jetën (modelin) dhe ky element në veprat e saj ka lënë gjurmë dhe e ka evidentuar artisten si një zë i veçantë, modest dhe serioz në artin e skulpturës shqiptare. Ndër veprat e skulptores Afërdita me mjaft interes është grupi skulpturor “Lulet e jetës” (1984, GKA, Tiranë) dhe ai me të njëjtin titull me dimensione më të mëdha (bronx) të realizuar për një mjedis publik, lulishten e ish Pallatit të Pionierëve, Tiranë (1987).
Tërheqja e artistes ndaj botës dhe jetës së fëmijëve, i ka dhënë veprës një veçanti-lirizmin dhe natyrshmërinë. Vepra në fakt bën pjesë në ciklin e veprave shqiptare kushtuar botës fëminore në skulpturë, duke filluar me veprën e parë të artistes Kristina Koljaka në vitin 1951, me titull”Mbjellja e pemëve” (GKA, Tiranë).
Në artin shqiptar kjo temë (tema kushtuar fëmijëve) është trajtuar kryesisht nga artiste femra (piktore dhe skulptore) si Liljana Çefa, Liljana Çika, Suzana V. Kuka, Ikbale Beli, Eleni Laperi. Krijimtaria e artistes arrin në 60 vepra arti në skulpturë.
Nga krijimtaria e skulptores Afërdita në Galerinë kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen katër vepra të një periudhe 11 vjeçare (1973 -1984). Vepra e parë “Nëna dhe bija”, 1973, ishte ekspozuar në ekspozitën Kombëtare në Tiranë, të çelur me rastin e 30 vjetorit të Ushtrisë Popullore, kompozimi “E reja në çetë”, 1978, u ekspozua për herë të parë në ekspozitën kombëtare e çelur në GKA Tiranë, me rastin e 35 vjetorit të Ushtrisë Popullore-Shqiptare.
Këto vepra u vlerësuan edhe me çmime si pjesë e konkursve të shpallura për ato manifestime arti. Portreti “Punëtorja”, 1983 dhe grupi figural “Lulet e jetës”, 1984, i përkasin krijimtarisë së artistes në mesin e viteve ’90 të shek. XX. Pas viteve 1990 skulptorja Shijaku ka realizuar portretet e tri fëmijëve të saj (Edrinit, Armirit dhe Sokolit) dhe një cikël prej mëse njëzet portretesh me imazhin e kompozitorit gjerman Beethoven, të realizuar në gips dhe terakotë.
Realizimi i këtyre portreteve ka lidhje me dashurinë që Afërdita ka me muzikën klasike, Portreti i parë për Beethovenin u realizua në vitin 2001, me porosi fqinjës së saj, zonjës Violeta (Filaj) Gambeta, muzikante (e shoqja e gazetarit të njohur Vangjush Gambetës).
Në jetën dhe krijimtarinë e Afërdita (Meçe) Shijakut me mjaft rëndësi është dhe periudha kur ajo ishte pedagoge e skulptures dhe e vizatimit në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë. Afërdita e vlerësonte shumë vizatimin duke quajtur atë një nga shtyllat e forta të skulptorit që do të ndërtojë figurën, imazhin.
 
loading...




Marre nga Shqip
Shfleto artikuj te tjere per: AFERRDITA MECE SHIJAKU PIKTORE

Loading...


 
 
 
   
*Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.
 
Loading...


Më të lexuarat




Copyright © 2006 - ikub.al shpk, All Rights Reserved