“Dama me kamelie”, një dashuri e pamundur në Teatrin Kombëtar
 
Shperndaje
ikub#: 1712040179
“Dama me kamelie”, një dashuri e pamundur në Teatrin Kombëtar Kur ajo vendoste mbi gjoks një kamelie të bardhë, të gjithë më- tonjësit e saj i binin ndër këmbë.
Ndër sallonet e Parisit të shekullit XIX ajo ishte një nga kurtizanet më të famshme. E bukur, e zgjuar, por me një fat tmerrësisht tragjik. Një histori që vazhdon të trondisë adhuruesit e letërsisë dhe të operistikes.
Kur e shkroi “La Dame aux Camélias”, Alexandre Dumas, i Riu, nuk e dinte se do të arrinte famën e të atit, Alexandre Dumas, Plakut, autorit të “Tre muskëterëve” dhe “Kondit të Monte Kristos”. Por pikërisht historia e Marguerite Gautier, në teatër e më pas Violetta Valéry në opera, do të bëhej, ndoshta më e njohura dhe më mallëngjyesja në botë.
Nën titullin “Dama me kamelie”, kjo vepër do të ngjitet premierë absolute në Teatrin Kombëtar në datën 8 dhjetor. Vepra vjen nën regjinë e Luli Hoxhës dhe nën interpretimin e aktorëve Viktor Zhusti, Raimonda Bulku, Laert Vasili, Luli Hoxha, Gjergj Mena, Xhino Musollari, Karafil Shena dhe Josif Sina. Një projekt me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Teatrit Kombëtar.
TRAGJEDIA E PËRJETSHME
Romani “La Dame aux Camélias” u publikua për herë të parë në vitin 1848 dhe u përshtat nga Dyma për në skenë. “La Dame aux Camélias” pati premierën në Théâtre du Vaudeville në Paris, më 2 shkurt 1852. Vepra pati një sukses të menjëhershëm dhe pa humbur kohë, kompozitori italian Giuseppe Verdi kompozoi muzikën e operës së famshme “la traviata”, e cila u ngjit në skenë në vitin 1853.
Thuhet se heroina e kësaj vepre Marguerite Gautier apo Violetta Valéry është frymëzuar nga personazhi i Mari Du Plessis (1824-1847), një kurtizane e famshme në Paris.
Kjo vepër gjysmë autobiografike rrëfen historinë e dashurisë së Marguerite Gautier, kurtizanes së bukur që vuante nga tuberkulozi dhe Armand Duval, një borgjezi të ri e të pashëm.
Dy të rinjtë dashurohen dhe Marguerite u tregua e gatshme të largohet nga jeta e saj e mëparshme e salloneve dhe e partnerëve të shumtë, për hir të dashurisë së Armandit, duke u tërhequr në një jetë vetmitare, në një shtëpi fshati. Por idili i dy të rinjve nuk mund të zgjasë për shumë. Ajo është një dashuri skandaloze në sytë e shoqërisë së kohës.
Do të jetë i ati i Armandit që do ta bindë Margueriten të largohet prej Armandit, për të mos i prishur atij të ardhmen. Dhe ajo e largon të dashurin e saj prej vetes, pikërisht për hir të dashurisë, duke i lënë të kuptojë se ajo po e lë për dikë tjetër. Kushdo e kujton momentin kur Armandi (Alfredo në opera) i përplas asaj në fytyrë një grusht kartëmonedhash, si dhe momentin tragjik të vdekjes së saj.
Një agoni e gjatë në vetmi, pa njeriun që dashuron, në gojën e gjithë thashethemnajës së botës… Dhe kur ai e mëson të vërtetën, është shumë vonë për të dy. Alexandre Dumas i Riu arriti të fitojë zemrat e lexuesve përmes shekujve, përmes një historie dashurie të pamundur, por edhe vizatimit të jetës së Parisit në shekullin XIX.
 
Loading...


Shfleto artikuj te tjere per: TEATER TEATRI KOMBETAR

Marre nga Panorama


 
 
 
   
*Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.
 
Loading...


Më të lexuarat




Copyright © 2006 - ikub.al shpk, All Rights Reserved