Hyr  |  Regjistrohu
Njoftime  |   Biznese.al   |   Time.al   |   Ligje
 
 
 
Laurette de Paname sjell për pesë ditë “Moulin Rouge” në Shqipëri
 
Shperndaje
ikub#: 1712040178
“Zotërinj fatlumë, ju do të zbuloni sensualitetin e ndërrimit të kostumeve live në skenë! Zonja, ju do të dëgjoni me zë të lartë atë çka mendoni me zë të ulët!”.
“Laurette de Paname dhe miqtë e saj të Montmartre” pretendojnë t’i kënaqin të gjithë në net shpërthyese kabaresh, që nisin nesër në Shkodër e përfundojnë në datën 11 dhjetor në Tiranë. Për të dytën herë, artistja Laure Bontaz sjell në Shqipëri, një spektakël të vërtetë me muzikë, këngë, kërcim, humor dhe një performancë të jashtëzakonshme shumëngjyrëshe veshjesh.
Organizuar nga rrjeti i Aleancave Franceze në Shqipëri në partneritet me Ambasadën e Francës dhe bashkitë e qyteteve, ky spektakël do ta përfshijë publikun shqiptar në universin e kabareve parisiane, femrave, muzikës, dekorit, të cilët kanë frymëzuar breza shkrimtarësh dhe kineastësh. Përmes këtij udhëtimi zbulohet personazhi i Laurette-ës, shembulli ideal i femrës parisiane me gjithçka ajo ka të ndërlikuar, misterioze, të shpenguar.
SPEKTAKLI
Për Laurette de Paname nuk është hera e parë që vjen në Shqipëri. Ajo testoi publikun shqiptar së pari në Tiranë dhe në Korçë, në vitin 2016, për të luajtur e vetme mbi skenë spektaklin e saj të vjetër, i cili bëri jehonë dhe pati shumë sukses.
Ndërsa këtë herë ajo rikthehet me një spektakël-premierë, e shoqëruar nga dy kërcimtarë të tjerë dhe një muzikant. Është një “Music-Hall Show”, i cili ende nuk është prezantuar në Francë dhe jashtë saj. Leoni në fizarmonikë (Christophe Le Fur) ofron ca arie nga Parisi, përpara se të nisë lojën me Laurette-ën, duke e shoqëruar atë gjatë të gjithë spektaklit.
Atmosferën do ta ndezin kërcimet e Eddy Thebault-it, ish-solist i cancan-it në Moulin Rouge dhe Aurelie Prandini-t, kërcimtare dhe akrobate kabareje. Të gjithë së bashku do të ndërtojnë një spektakël që do ta rrëmbejë publikun në një udhëtim në kohë dhe nëpër rrugët e Parisit. Përveç lojës së artistëve, tërheqëse do të jenë pa dyshim edhe kostumet origjinale të Moulin Rouge.
Për organizatorët, arsyeja pse po rikthejnë në Shqipëri, brenda një kohe të shkurtër, artisten franceze, është e thjeshtë: të ripërsërisin atmosferën dhe suksesin e një viti më parë.
“Dalluam se publiku në të dyja shfaqjet e prezantuara në Tiranë dhe Korçë jo vetëm që e mikpriti konceptin kabare, në atë kohë një risi në Shqipëri në formatin origjinal siç luhet në Paris, por u bë pjesë aktive e lojës së artistes Laure Bontaz, shfaqi interes gjatë shfaqjes, qeshi dhe reagoi pas batutave të saj dhe e duartrokiti atë gjatë”, thonë organizatorët e Aleancës Franceze.
 
Ndërsa Laure Bontaz, teksa sjell pak atmosferë franceze duke kënduar një strofë nga “Padam, padam” e Edith Piaf, duke përshëndetur publikun shqiptar, shprehet se me padurim po pret të ritakojë publikun shqiptar. “Laurette de Paname dhe miqtë e saj të Montmartre” do të japë shfaqje në Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Tiranë.
Ideja, regjia dhe vënia në skenë nga Laure Bontaz
Drejtor artistik: Stéphane Neville Kostumografia: Alexandre Bodin Kabare me tre kërcimtarë të shoqëruar nga një fizarmonicist: Christophe Le Fur, Eddy Thebault dhe Aurelie Prandini
Datat 5 dhjetor 2017 në teatrin “Migjeni” të Shkodrës – 19:00
6 dhjetor 2017 në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit – 19:00
8 dhjetor 2017 në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës – 19:00
9 dhjetor 2017 në teatrin “Skampa” të Elbasanit – 19:00
11 dhjetor 2017 në Teatrin Kombëtar Tiranë – 20:00
 
loading...




Marre nga Panorama
Shfleto artikuj te tjere per: LAURETTE DE PANAME MOULIN ROUGE SHQIPERI

Loading...


 
 
 
   
*Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.
 
Loading...


Më të lexuarat




Copyright © 2006 - ikub.al shpk, All Rights Reserved