Hyr  |  Regjistrohu
Njoftime  |   Biznese.al   |   Time.al   |   Ligje
 
 
 
“Rojat e Taxhit”, dy ushtarë të shkëlqyer si Gaz Gjoka e Lul Zeqja
 
Shperndaje
ikub#: 1712190159
Taxh Mahali është një nga 7 mrekullitë e botës, po ç’rëndësi ka kjo! Në përgjithësi mrekullitë, veprat e mëdha, ngujojnë brenda vetes jetë njerëzish, gjeniume, frymë, shpirtra e mendje të përgjakura, ëndrra dhe pushtete të frikshme, tmerre dhe bukuri që të lënë pa gojë. Madhështia dhe arkitektura e Taxh Mahalit, këtij pallati mbretëror pa të dytë në botë, i është kushtuar një femre.
Një mbretëreshe. Dashurisë së një mbreti për të. Emrit të saj. Lavdisë dhe përjetësisë. Teksti “Rojat e Taxhit” i shkruar nga Rajiv Joseph, ngacmuar prej kësaj historie, sjell raportin e brishtë, më fort të nënkuptuar, por aty-aty edhe të deklaruar nga personazhet; se bukuria është mbi pushtetin, mbi shpatat, mbi fuqinë imperiale që rivalizon Zotin.Bukuria është vetë pushtet.
Pushteti më i madh i fuqisë së krijimit njerëzor. Kur bukuria vritet, ose gjymtohet, vetë madhështia e pushtetit dhe e një vepre të pacak, humbet dimensionin e saj moral, human.
Pushteti ka vullnetin që ta “burgosë” bukurinë, ta pamundësojë atë, më saktë frymën e saj ndër njerëzit, por tmerri që ai bart në vetë aktin e tij si krim krijon asi traumash, ankthesh, ëndrrash të çartura, jerm e makth, saqë një vepër të bukur e të jashtëzakonshme ku është vënë vula e madhështisë dhe e memories humane fisnike, siç është dhe Taxh Mahali, e bën pis, e çukërmon, ndërsa fuqinë a urdhrin që e ngre këtë vepër, e demonizon.
Në këto ide ecejake mendja ime, teksa ndiqja diadramën “Rojat e Mjegullës”, produksion i Bash-Art, regjisor Altin Basha. Unë po i largohem paksa Altin Bashës si regjisor me shumë krijime domethënëse, sepse në ato çka do të them më poshtë, ai është aty, diku i fshehur, diku “i shkrirë” dhe i nënkuptuar.
Dua të flas për aktorët e kësaj shfaqjeje: Gazmend Gjokën, pedagogun skrupuloz dhe pasional të aktrimit në Universitetin e Arteve dhe Lulzim Zeqen, një aktor që gjithnjë e më shumë e zbukuron me ngjyra palitrën e krijimtarisë së tij të fundme.
Është fryma, energjia, vrulli, fjala, dinamika, pështjellimi psikik, ritmi i brendshëm, loja me gjestin dhe plastika, vibrimet ndjesore dhe valëzimet temporitmike në një koreografi lëvizjesh përplotësuese njëri përkundër tjetrit, dhe të tjerë elementë të përjetimit aktorial dhe të psikoteknikës, që më bënë në fund të harroj mërzitjen e fillimit dhe të këndellem në atë që më afruan aktorët.
Sapo thashë “mërzitjen e fillimit”, sepse m’u krijua mbresa e një zgjatjeje, një hyrje mbi hyrje, me përdorimin e elementeve të tjetërsimit kur aktori nuk luan personazhin, por vetveten në një “çast prove”, diçka që për mua mund të hiqej fare lehtësisht dhe të vijohej me çka u tha thellësisht dhe vrullshëm më pas.
…Të dy aktorët janë në vrap, nuk ka ndonjë diferencë të madhe mes tyre, qoftë në fashën emocionale, në përcjelljen e tronditjes shpirtërore të gjithsecilit, panikun dhe frikën, ngurrimin dhe ethen e gjakut, humbjen e vetvetes dhe krizën e identitetit, gjer në mbresën e verbimit dhe çartjes me tërësej. Por nëse Lulzim Zeqja ka një zë më të brendësuar, Gazmend Gjoka ka një zë më metalik, por më të fuqishëm dhe imponues. Kur them “zë” s’kam parasysh thjesht timbrin, volumin, forcën, ritmin, luhatjet intonative gjegjësisht logjikës së rolit, dialogut, frazës, përshtatjes në situatë, gjer dhe fjalës së vetmuar a të përsëritur si ritual. Jo!
E kam fjalën mirëfilli për ashtën emocionale dhe traumën psikike që ky zë bart dhe shpreh te të dy aktorët. Dhe dua ta them fort se pesha psikike e kësaj traume që atyre u rëndon mbi shpinë është tejet e madhe, e papërballueshme, prandaj dhe prore e spikamave dramatike e tragjike. Këtu ka mëshuar dhe Altin Basha. Po këtu kanë rrëmuar e gjetur edhe të dy aktorët “mademin” e minierës së personazheve të tyre.
Gazmend Gjoka vuan stoicizmin dhe gati verbërinë prej ushtari të plumbtë të Humaxhunit të tij, i cili do të mbetet, mesa duket, një cung prej hekuri, së jashtmi, që vuan përgjegjësinë prej besniku ndaj pushtetit, ndërsa së brendshmi do të strapacohet e klith si i çmendur nga dhimbja, çartja, makthi, hijet e krimit që e ndjekin pas, nga zbatimi që duhet t’i bëjë urdhrit për t’i prerë duart shokut më të ngushtë dhe pastaj nga pamundësia e mbërritjes së paqes dhe koherencës.
Ashtu do të mbetet ky i gjorë, i shkatërruar me tërësej, rob i krimit që buron nga urdhri perandorak, një mekanizëm syverbër, e prapë se prapë, me mendjen e arratisur tek pylli, xhungla, zogjtë, kafshët, që janë më të mirë, më të butë e ndoshta më të “arsyeshëm” se njerëzit.
Lulzim Zeqja i dha frymë, lëng e jetë një shpirti të penduar dhe herë- herë ëndërrimtar, rojes së pallatit, Baburit, që veprën e tmerrshme e kryen si në jerm e sipër për t’i bishtnuar gjithsesi përndjekjes së hijeve të trurit, prandaj dhe dëshiron të hakmerret ndaj perandorit të pamëshirshëm Shah Xhahani, i cili, i detyron ata që t’u presin duart 20 mijë punëtorëve ndërtues të pallatit-monument.
Dhe kështu dhimbja e këtij perandori ndaj vdekjes së të shoqes dhe madhështia e bukuria e veprës që ndërton në kujtim të saj – Taxh Mahalin – kriminalizohet nga akti i përbindshëm që urdhëron. Egoja dhe dhembja e tij tejkalojnë cakun e së drejtës dhe humanes.
…Dy aktorë qenë në skenë, por një histori ngjethëse erdhi ndër ne. Një histori parakrimi, krimi dhe paskrimi. Dëshira për t’i ikur atij, gjithsesi. Për t’u arratisur. Për të fluturuar në një pyll me zogj. Në një tjetër bukuri, sublime fund e majë. Jo e bërë prej njeriut, por prej natyrës. Jo një Taxh Mahal, por një vrapim kuajsh dhe flatrim zogjsh në një xhungël. Por nuk ishte kjo parësorja e kësaj shfaqjeje në përshtypjen time.
Sipas meje (dhe përjetimit tim), parësore qe loja plot gjallëri dhe energji e G. Gjokës dhe L. Zeqes. Pati çaste kur kjo lojë lëshonte vetmevet rrjedha përvëluese të një shpirti dhe mendjeje në vlim e në jerm, ku dëshira për të arsyetuar na humbet e diku nëpër ankthe e humbella psikike njerëzish të mjerë t’i gjendesh befas.
Dhe tek ai beftë hipnotik i dy aktorëve si personazhe ti ke dëshirë të shkosh e të rrish, atje ku nga gjithë qenia e tyre buron ose dhembja, ose fiksacioni (ngulitja mendore), ose frika e shpalosur si pashmangësi, ose pastaj riti mistik i vdekjes dhe krimit në tërë nekrofilinë që e traumatizon njeriun dhe e kthen, padashur, në përbindëshin e vetvetes. Pra, aktorët më dhanë kënaqësinë e një arti që kërkon të të mbajë pa frymë. Por, doemos, duke qenë një jetë të tërë në këtë profesion, syri dhe veshi im janë stërvitur të dallojnë edhe shumëçka që teprohet, qoftë dhe një gjësend i vockël. Unë do doja paksa më shumë “thyerje”, pa pasur frikë se bie ritmi.
Kjo përplotësohet me “hile” të tjera regjisoriale e aktoriale. Them se kësisoj do krijoheshin ca qoshka të ngrohta psikike, ku, siç ëndërrojnë vetë personazhet, do të fluturonin zogjtë, do të qeshte xhungla, pylli, do të harlisej gjethi e blerimi (i shpirtit, sigurisht!), e cepave të syrit, në heshtje, do të rigonte, ndoshta, vijëza përvëluese e lotit. S’them shumë, por ca… Kjo do të bashkonte edhe më mirë të fortën me të butën, të lartën me të ulëtën, të shtrirën me të vrullshmen… Nga vlerat e çmuara të kësaj shfaqjeje qe trajtimi skenografik i Iliriana Bashës.
Dy kafaze rojash që pikëllueshëm në fund bëhen NJË, ku hipën sipër G. Gjoka si Humaxhun, ashtu i strapacuar nga dëshpërimi, humbja e bukurisë, me çartjen onirike të zogjve që fluturojnë në qiell dhe të pyllit që frymon, ndërsa ai i mjerë lëngon vetminë e tij, humbjen e shokut, tmerrin e krimit, stërpeshën e urdhrit perandorak, përçudjen e shpatës dhe ligjit. Ky kafaq të sjell gjithëpo në mendje edhe fronin perandorak si një burg.
Dhe gjetja më e bukur, ngjethëse dhe domethënëse, ishte pikërisht skena e “kasaphanës” të mijëra duarve të prera, ato që patën ndërtuar kryeveprën e Taxh Mahalit, si për t’i thënë “stop” përsëritjes dhe rikrijimit të bukurisë, asaj që i jep frymë njerëzimit. Vaska e ujit që ftoh kokat e nxehura të rojave kthehet vetiu në një vaskë gjaku por jo vetëm.
Është dhe një vaskë ku ata shtrëngohen të bëjnë katarsisin e tyre përmes “përndjekjes” së gjakut, ankthit, si të qenë Orestët e vonshëm në vrapin çmendurak pyjeve për të fashitur përvëlimin e krimit të kryer. Dhe ato kosha mbushur përplot duar si në një thertore: vepra e madhe e bukurisë, talentit dhe mendjes njerëzore, Taxh Mahali, ngrihet mbi një krim të përzishëm. Është një apel ngjethës i kohës, kujtesë historike, thuajse sakramentale, por ku flijimi shpërndërrohet nga blatim në krim dhe ego të pastër.
 
JOSIF PAPAGJONI:
loading...




Marre nga Panorama
Shfleto artikuj te tjere per: GAZ GJOKA LUL ZEQJA TAXH MAHALI

Loading...


 
 
 
   
*Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.
 
Loading...




Copyright © 2006 - ikub.al shpk, All Rights Reserved