Kuotat e studimeve te Doktoraturës për Universitetin e Tiranës
22 Tet, 2009 at 12:54 PM
Vendim Qeverie për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në Fakultetin e Shkencave Natyrore, të Universitetit të Tiranës, si dhe për përcaktimin e kuotave të pranimit dhe të tarifës së shkollimit për këto programe studimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, pika 1.3.1, 34, 42 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të Universitetit të Tiranës, të programeve të studimeve, të ciklit të tretë, të doktoratës, si më poshtë vijon:
a) Doktoratë në “Shkenca gjuhësore”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr), në Shkenca Gjuhësore”;
b) Doktoratë në “Letërsi botërore”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Letërsi Botërore”.
2. Hapjen, në Fakultetin e Shkencave Natyrore, të Universitetit të Tiranës, të programeve të studimeve, të ciklit të tretë, të doktoratës, si më poshtë vijon:
a) Doktoratë në “Fizikë”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr), në Fizikë”;
b) Doktoratë në “Analiza kimike e lëndës dhe mjedisit”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Analiza Kimike të Lëndës dhe Mjedisit”.
c) Doktoratë në “Elektrokimi e zbatuar dhe dukuritë sipërfaqësore”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr), në Elektrokimi të Zbatuar dhe Dukuritë Sipërfaqësore”.
ç) Doktoratë në “Teknologjia dhe mikrobiologjia e ushqimeve & vlerësimi i sigurisë dhe cilësisë”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Teknologjia dhe Mikrobiologjia e Ushqimeve & Vlerësimi i Sigurisë dhe Cilësisë”.
D) Doktoratë në “Proceset e trajtimit kimik të lëndëve të para natyrore dhe të mbeturinave industriale e urbane”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Proceset e Trajtimit Kimik të Lëndëve të Para Natyrore dhe të Mbeturinave Industriale e Urbane”.
dh) Doktoratë në “Biologji Molekulare”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Biologji Molekulare”.
e) Doktoratë në “Biologji e Ruajtjes”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Biologji e Ruajtjes”.
ë) Doktoratë në Bioteknologji Bimore, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Bioteknologji Bimore”.
3. Kohëzgjatja e programeve të studimeve të doktoratës është, të paktën, 3 vite dhe përfshin edhe 60 kredite për studime të organizuara.
4. Kuota e pranimit në këto programe studimi, për vitin 2009, është 137 dhe ndahet sipas fakulteteve dhe programeve të studimit, si më poshtë vijon:
A. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja:
a) Doktoratë në “Shkenca gjuhësore”, 25 kuota;
b) Doktoratë në “Letërsi botërore”, 40 kuota.
B. Fakulteti i Shkencave Natyrore:
a) Doktoratë në “Fizikë” 10 kuota;
b) Doktoratë në “Analiza kimike e lëndës dhe mjedisit”, 10 kuota;
c) Doktoratë në “Elektrokimi e zbatuar dhe dukuritë sipërfaqësore”, 10 kuota;
ç) Doktoratë në “Teknologji dhe mikrobiologjia e ushqimeve & vlerësimi
i sigurisë dhe cilësisë”, 6 kuota;
D) Doktoratë në “Proceset e trajtimit kimik të lëndëve
të para natyrore dhe të mbeturinave industriale e urbane”, 10 kuota;
dh) Doktoratë në “Biologji molekulare”, 10 kuota;
e) Doktoratë në “Biologji e ruajtjes”, 10 kuota;
ë) Doktoratë në “Bioteknologji bimore”, 6 kuota.
5. Për çdo program studimi, 10 % (dhjetë për qind) e kuotave të mësipërme, caktohet për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve përkatëse zyrtare të këtyre trojeve.
6. Tarifa e shkollimit është 200 000 (dyqind mijë) lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga fakulteti përkatës.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti vjetor i Universitetit të Tiranës.
8. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti i Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA