Tane Koleci, gruaja më e vjetër në Shqipëri

23 Mar 10

Lindur në 1896, më 10 korrik feston përvjetorin e 114. Nuk ka punuar asnjë ditë dhe nuk ka pasur fëmijë

Burimi: Shqip

 
1
0

tane-koleciiRreth një muaj më parë u sëmur. Me sytë me lot, e kapur pas jetës kërkonte ndihmë. Donte të jetonte. Ndonëse ditët e saj i kalon në një dhomë të vogël e të zhveshur, jeta është e dhimbsur dhe ajo më shumë se kushdo ia di vlerën jetës, pavarësisht se ka marrë shumë pak prej saj. Zoti e ka shpërblyer në jetëgjatësi. Ka parë të ikin nga kjo botë njerëz të afërm, miq e shokë. Dyzet vite të shkuara dhe burri i saj, por ajo vetë vazhdon të jetojë e të kapet me thonj mbas jetës. Tre shekuj të prekur e të jetuar prej saj e të mbushur me mohime. Ka provuar internimin, të qenët në mëshirë të të tjerëve, ka provuar dhunën e gjithçka tjetër që sjell jeta. Nuk ka mundur të provojë dhe as shijojë mëmësinë, prindërimin, por ama pranon se ka jetuar dhe do të jetojë akoma. Jo për të thyer rekorde. Ato nuk i interesojnë, po sepse e do jetën, i do njerëzit që e rrethojnë dhe urren vetminë, ndonëse është mësuar me të. Dieta, veset? Bulmet, mish, duhan dhe kafe. Asnjë pikë alkool. Të jetë ky sekreti i jetëgjatësisë? Nënë Taneja nuk di ta thotë, ndërsa përlotet teksa të shtrëngon dorën dhe do të ndajë atë që e mundon: “Më lan rrugjave”. Pak ditë më parë Bashkia e Durrësit kishte vendosur t’i dhuronte 2 milionë lekë të vjetra nënë Tanes, një prej njerëzve më të moshuar në vend, në mos qoftë më e moshuara. U njoftua dhe një dorëzim me ceremoni, por asgjë nuk ndodhi. Bashkia dhe drejtuesit e saj vendosën ta shtyjnë, kur gruaja e moshuar të festonte ditëlindjen e saj të 114, më 10 korrik të këtij viti. Një kujdes i tepruar për datën, ndërsa ajo ka nevojë për gjithçka dhe mbi të gjitha për kujdes e dashuri njerëzore. Shumë që nuk i mjafton as për kafe e duhan. Ajo është rreth një muaj më e madhe në moshë se gruaja nga Luzi i Vogël i Kavajës, që bëri bujë në opinionin italian dhe më gjerë duke nxjerrë në pah një problem teknik të sistemit të regjistrimit në këtë shtet europian e përtej kësaj jetëgjatësinë e shumëdëshiruar, po të pamundur.Nënë Taneja jeton në parcelën numër 4 të zonës ende informale të ish-kënetës në Durrës. Për të shkuar deri atje duhet të kalosh nëpër një rrugë të pashtruar e gjithë gropa e baltë, të krijuar nga vetë banorët që kanë ardhur këtu nga zona të ndryshme të vendit gjatë viteve ‘90 e në vazhdim, në kuadrin e lëvizjes së lirë demografike që përfshiu vendin pas ndryshimit të regjimit. Dhe po të jetë për ndryshim regjimesh, ajo ka përjetuar disa. Ndonëse kujtesa dhe dëgjimi e kanë lënë dhe të komunikosh me të është shumë e vështirë. Herë pas here ajo “shpërthen” në të rrëfyer të çasteve nga jeta e saj dhe gjithnjë të shoqëron me urimet e bekimet më të përzemërta që kanë të bëjnë me jetën, si për të të dhënë një leksion lakonik mbi të. Ajo ngrihet mbi të gjitha, pavarësisht se sa vuan, pavarësisht se çfarë heq. Jeta është jetë dhe ia vlen.Gruaja që me të drejtë mund të merrte titullin “Missis Age” nuk merr pension. Ajo nuk ka punuar asnjëherë në jetën e saj, madje as në kooperativë. Merr vetëm një përkrahje sociale prej 2600 lekësh të reja, të cilat nuk mjaftojnë. Janë pak për të përballuar nevojat mujore të një individi. Ato 200 mijë lekë të reja që bashkia do t’i akordonte, padyshim që do t’i kishin bërë punë çiftit të 73-vjeçarëve Mexhid e Zahide Koleci që e mbajnë prej disa vjetësh në shtëpi. Ata e morën pasi ajo mbeti pa përkujdesje për shkak të emigrimit të njerëzve të afërm që kujdeseshin për të më parë. Tane Koleci është nusja e xhaxhait të tij, që këtë mars mbushi plot katër dekada që është ndarë nga jeta. Mexhidi ka një shtëpi të madhe, por nënë Taneja jeton në një dhomë të vogël që të ngjall ndjesinë e të ftohtit, e mbështjellë me një jorgan të kuq. Në dhomë është dhe një tualet ku ajo kryen nevojat e saj. Kur koha është e mirë, ajo del jashtë në oborr dhe ulet në një karrige për të shijuar rrezet e diellit dhe aromat që natyra fal.
Sekreti i jetegjatesise, pi çdo ditë tetë
filxhan kafe dhe tymos dhjetë llulla


Një çibuk i vjetër e i djegur nga përdorimi i gjatë i bën shoqëri të vazhdueshme në ditët e jetës së saj që dalëngadalë po shënon 114 vjet. Çdo mëngjes esëll konsumon katër filxhanë me kafe turke dhe katër të tjerë i pi gjatë pasdites e mbrëmjes. Ndërsa me duhanin ka një lidhje shumë të hershme. E ka shijuar fshehurazi që kur ka qenë vajzë e re. Madje njëherë i shoqi e kishte pikasur teksa e pinte dhe e kishte rrahur paq, duke i thënë që ta ndërpriste menjëherë, po kur e kishte parë se çfarë bënte e shoqja për të marrë nikotinën që i mungonte ia kishte blerë vetë kutinë e duhanit duke i thënë: “Pije e mos u fshih më”. Dhuna dhe kufizimi që i pati bërë burri në atë kohë e çonte të moshuarën, atëherë nuse e re në fshat, drejt duhanishtes për të përtypur fshehurazi gjethet e duhanit. Me to në gojë e gjeti i shoqi dhe që atëherë Taneja mori lejen për ta pirë pa frikë. Ajo tymos rreth dhjetë llulla në ditë. Një llullë mban duhanin e pesë cigareve normale. Në muaj konsumon më shumë se 1 kg duhan. Në jetë ka konsumuar vazhdimisht produkte bulmeti dhe mish e fasule. Të gjitha këto përbëjnë bazën ushqimore të saj dhe askush nuk di të thotë nëse duhani e kafja vrasin shëndetin. Nënë Taneja është aty si dëshmi e gjallë e njeriut që nuk ka asnjë sëmundje në trup e që herë pas here konsumon ndonjë aspirinë kur i dhemb koka. Ata që e mbajnë ndërkohë vuajnë sëmundjet e moshës, por jo ajo. Përveç dëgjimit dhe kujtesës, sëmundjet e kanë harruar dhe 114- vjeçarja kërkon njerëz, dashuri e vëmendje për të mos u ndjerë barrë dhe e pasigurt.





 


Lajme, kronike, kulture dhe jo vetem, nga Shqiperia dhe rajoni.  Shkarko My ikub - aplikacioni qe i duhet cdo Shqiptari


   
 
 
*Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.








Shtypi i dites






Sondazh


Shfleto artikuj te tjere per: GRUA VJETER
Postuar nga: molgen
ikub #:
1003230095