marketkonekt
0 0
0
 

Rama: Do përgjigjemi për zotimet një për një. Godasim të korruptuarit, respektojmë meritat

01 Tet 13

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama zhvilloi sot konferencën e tij të parë online si kryetar i qeverisë, ku iu përgjigj një nga një të gjitha pyetjeve që i drejtuan qytetarët në rrjetin social “Twitter” dhe “Facebook”.

Burimi: BalkanWeb

Kryeministri Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij për të luftuar korrupsionin, duke u shprehur i vendosur për të “goditur” të gjithë të korruptuarit në institucione. Në morinë e pyetjeve, qytetarët kërkuan të dinë nëse do të ketë kallëzim penal për ndonjë nga ish-pushtetarët, në rast se do të verifikohen afera korruptive të kryera prej tij. Për këtë çështje Rama u përgjigj: “Padyshim qe po”.

I pyetur nëse do të realizohet premtimi për heqjen e TVSH-së për produktet e shportës, kryeministri Rama theksoi se maxhoranca do të përgjigjet një më një për të gjitha zotimet e saj, në fund të mandatit 4-vjeçar.

Në lidhje me shkarkimet në administratë, kryeministri nënvizon se çdokush që është në detyrë falë meritës nuk duhet të trembet për largimin nga puna. Rama foli edhe për shtyrjen e ligjit për nëpunësin civil, duke theksuar se ligji ishte i pazbatueshëm, pasi i mungonin aktet nënligjore. Ndërkaq, Rama theksoi se gjithkujt do t'i jepet mundësia të konkurrojë për poste të ndryshme në administratën shtetërore dhe për këtë do të ketë vazhdimisht njoftime publike sipas ligjit.

Ndër të tjera, Rama vlerësoi punën e deritanishme të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. “10 ditët e para në detyrë të Ministrit të Brendshëm premtojnë shumë, jam i bindur se ne do ta kthejmë Policinë e Shtetit në detyrë”,- shkruan Rama.

Kryeministri Rama iu përgjigj edhe pyetjes së një oficeri të Gardës së Republikës, në lidhje me shkrirjen e Gardës, duke theksuar se ky vendim ishte nevojë strukturore e shtetit.

Në përfundim të konferencës online Rama shkroi: “Faleminderit. Në opozitë kishte më shumë kohë për të folur...Kaq për sot të dashur miq, me lejen tuaj po kthehem në punë. Bashkë do ia dalim”.

RAMA U PERGJIGJET PYETJEVE
Po flitet për një projekt të Serbisë së madhe ku qeveria e Saliut ka marrë pjesë me konsensus në të. Pse nuk reagoni?
Nuk ka asnjë projekt të tillë, qeveria e mëparshme ka plot faje po jo këtë.
A do të ketë kallëzim penal për ish-pushtetarët "në qoftë se" do të perceptohen afera korruptive?
Padyshim që po.
A do të shohim siç nuk i kishim parë dhe institucionet në nivel lokal si shkollat, universitetin?
Programi ynë dhe plani i veprimit i ministres sonë të arsimit janë shumë inkurajues.
Universitetet publike janë kthyer në vatra korrupsioni, si do veproni me "sekserët" e provimeve?
Do të jemi gati për të monitoruar me thellësi e transparencë vërtetësinë e provimeve.
Z. Kryeministër, si do të veproni kundër korrupsionit, duke filluar nga institucionet e larta deri te ato të vogla?
Do të reformojmë strukturat dhe do të godasim të korruptuarit.
Kur do i vijë fundi kaosit në Tirane? Ngado parregullsi, kaos dhe plot me policë. Kaq vështirë të jetë rregulli?
10 ditët e para në detyrë të Ministrit të Brendshëm premtojnë shumë, jam i bindur se ne do ta kthejmë Policinë e Shtetit në detyrë.
Z. KM, matura shtetërore sivjet= 5 provime + mesatarja= 6.100/6=16.6% vlen mesatarja në fund të 4 viteve. Priten ndryshime?
Matura shtetërore do të reformohet në funksion të konkurrencës dhe meritës.
Z. Rama, a do të hiqet TVSH për produktet e shportës, si të importuara apo të vendit në fillim te vitit 2014?
Ne do mbajmë zotimet tona dhe do të përgjigjemi për to një për një në fund të mandatit. Si fillim duhet të ndalim rënien e madhe!
Z. Kryeministër kur do ndërrohet drejtori i përgjithshëm i AKU-se? Do mbahen në punë njerëzit që vërtet vlejnë?
Çdo shërbëtor i këtij shteti që është në detyrë falë meritës do të qëndrojë në detyre dhe do respektohet shumë më tepër se deri sot.
Zoti Rama, si prind fëmije kërkoj të na ktheni dyqanet nëpër shkolla si shërbim shumë i domosdoshëm për fëmijët tanë.
Nëpër shkolla nuk do të ketë aktivitete tregtare. Kanë rezultuar shumë problematike dhe në dëm të cilësisë së shkollës.
Zoti Rama, pas një kontibuti 20-vjeçar për PS, me urdhër të ministrit të Arsimit për heqjen e dyqaneve në shkolla mbetëm të papunë!
Dyqanet në shkolla janë një fenomen i papranueshëm për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe edukativ të nxënësve.
Si do të veprohet me vendimet e marra nga qeveria e larguar, në mbledhjen e saj të fundit me dt.05/09/2013.
Kemi nisur shfuqizimet sikundër jemi zotuar publikisht dhe do të vazhdojmë.
Jam një qytetar nga Vlora, të cilit me është zaptuar prona private me forcë. Çfarë do bëhet me ndërtimet pa leje?
Qeveria ka bërë gati bazën ligjore për një ndërhyrje të fortë kundër ndërtimeve pa leje.
Çdo bëhet me protestën e studentëve të juridikut? Po me të shkarkuarit e policisë dhe shkrirjen e Gardës?
Po ndjekim me vëmendje edhe të parën edhe të dytën.
Z.Rama Unaza se Re është në varësinë e Njësisë Nr 6 dhe të komunës Kashar. A do të kalohet në varësi të Bashkisë Tiranë?
Eshtë një anomali e kudondodhur dhe do ta shërojmë përmes reformës tërësore të administrimit të territorit.
Cili është plani juaj në lidhje me bulevardin e ri .Çfarë do bëhet me qytetarët që po grabiten nga Basha, na ndihmoni...
Po e shohim me kujdes.
Për mungesë fondesh, vizioni dhe keqmenaxhimi, filmi shqiptar po kalon ditë të errëta. Çfarë politika kini ju ?
Kriza e ekonomisë dhe financave të vendit është e thellë. Po përgatitemi për një ndërhyrje radikale. Do ta kapërcejmë së bashku.
Cilat janë hapat që keni menduar për "çlirimin e Shqipërisë" nga KLD e mafia ekzistuese gjyqësore? Apo 4 vjet pritje?
Shume shpejt nis punën një grup ekspertësh për të çuar më tej reformën në drejtësi.
Kur do kemi një stadium europian zoti kryeministër se gjithë Europa qesh me ne ! Dhe çfarë do bëni për sportin ?
Do ta nisim nga sporti për të gjithë. Të premtosh stadiume në kohë krize ekonomike është një sport i të shkuarës:-)
Jam një banor i Vlorës në lagjen time nuk ka ujë të pijshëm dhe asnjë rrugë të shtruar...
Do të punojmë së bashku për t'i shëruar plagët e vjetra të Vlorës e të gjithë Shqipërisë.
Çfarë vendimi do merrni me institucione si TVSH,ATSH..etj?
Do t'ia kthejmë publikut.
Do të shtyni ligjin e nëpunësit civil, një precedent i rrezikshëm, çfarë ju shtyu të merrni këtë risk?
I rrezikshëm është vakuumi që krijon ligji në fjalë si i pazbatueshëm për mungesë aktesh nënligjore.
A do të ketë një akt të posaçëm për ata nëpunës me 20 vite në profesion që u hoqën nga puna me një letër?
Gjithkujt do t'i jepet mundësia të konkurrojë.
Keni deklaruar se do të zhvillohen konkurse për punësimet në administratë. Ku konsistojnë këto konkurse?
Do të ketë vazhdimisht njoftime publike sipas ligjit.
Kur do lirohen hapësirat publike ku lulishtet e Laprakës që bërë ti sot Luli i ka mbush me tavolina e karrige?
Kjo është pyetje për Bashkinë.
Keni deklaruar para zgjedhjeve që në shumë shkolla të vendit matematikën e jep një militant i partisë? Çdo bëhet?
Çdo vajzë e djalë që ka mbaruar mësuesi dhe çdokush që dëshiron të bëhet mësues do ketë shansin të konkurrojë.
A do mund të konkurrojmë ne që humbëm punën, pasi kandiduam për PS, sepse znj Nikolla tha asnjë mësues s’do largohet?
Mësuesit s'janë të partisë, po të fëmijëve e nxënësve të Shqipërisë! Koha e ngjyrimit politik të mësuesve ka mbaruar.
I dashur Edi, sot mora vesh që është emëruar drejtoreshë Tatimesh një person që s’ka fare njohuri për fushën ! Mbi ç'kritere zgjedhja ?
Keni informacion të gabuar, shumë shpejt rezultatet do të tregojnë vlerën e përzgjedhjes së bërë.
A mundet të ketë rilindje me 2 bashkëkryetar? Çfarë do të bëhet për sportin, kam parë programin dhe s’kishte shumë për sportin...
Me siguri do keni parë programin e PD dhe keni parasysh PD në shumëbashkëkryetarësi:-)
Konkurrenca e paligjshme në biznesin privat. Ç'masa do merren nga qeveria juaj për këtë problem?
Formalizimi i ekonomisë do të jetë objekt i palëvizshëm i përpjekjes sonë.
Si do zgjidhet problemi i plehrave dhe ndotjes së mjedisit. Po për ato që djegin gëlqere me plastikë e goma çdo bëhet?
Thamë do ndalim importin e plehrave dhe e bëmë që ditën e parë të qeverisjes. Një Shqipëri e pastër është ambicia jonë!
Pse po shkatërrohen hekurudhat? Në çdo shtet ku ka demokraci ka hekurudha ka 23 vjet që Shqipërinë po shkatërrojnë...
Sepse shteti ka ikur në drejtim të paditur dhe ne përditë do të punojmë pa u lodhur ta kthejmë në krye të detyrës.
Jam oficer i nivelit të lartë në Gardën e Republikës. Ndalojeni ristrukturimin e tipit "hiq tropojanë dhe vendos tepelenas"...
Garda e Republikës është strukturë që s'e ka shoqen në botën bashkëkohore. Shkrirja e saj nevojë strukturore e shtetit.
Do përfitojnë nga këto legalizime edhe shfrytëzuesit e hapësirave të përbashkëta tek pallatet e Tiranës?
Hapësirat e përbashkëta të zaptuara për qëllime fitimi do çlirohen.
Çfarë do bësh me fëmijët që kanë probleme në pasaporta në Greqi?
Po punojmë për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi të trashëguar nga pakujdesia e qeverisë së mëparshme.
Si shpjegohet mospërfshirja e Taulant Ballës në kabinetin qeveritar kur Librazhdi doli rrethi më i votuar pro PS?
Taulant Balla është nënkryetar i grupit tonë parlamentar dhe drejtues i delegacionit tonë në Parlamentin Europian.
Deri kur do të vazhdojë vjedhja që çdo muaj na bën KESH dhe ujësjellës në faturat?
Normalizimi i sistemit të energjisë është prioritet shumë i rëndësishëm.
A keni ndonjë program për emigrantët shqiptarë?
Do të jemi më pranë emigrantëve se qeveritë paraardhëse.
A do ta mendoni seriozisht pastrimin me themel të administratës aktuale të Shqipërisë?
Ne nuk do të pastrojmë administratën nga njerëzit po shtetin nga korrupsioni.
Ndërtimet pa leje në zonën e Golemit kur do t’i hiqni? Sepse ato po ndotin shumë plazhin.
Bregdeti do të jetë në fokusin e vëmendjes sonë.
Mund ta dimë çfarë do bëhet për punësimin e të rinjve dhe si do veprohet për punësimin?
Do të krijojmë hapësira të reja punësimi për të rinjtë përmes arsimit profesional, investimeve prodhuese, konkurseve reale.
A mendoni se duhet ndërhyrë në sistemin e arsimit në lidhje me librat që ju shpërndahen nxënësve?
Jam absolutisht dakord.
Mbaj premtimin për punësim këtej nga Selenica e Vlorës po vdes populli për bukë, po han akoma ata njerëzit e Salës.
Qeveria s'ka mbushur ende pesëmbëdhjetë ditëshin dhe nuk ka asnjë shkop magjik për t'i ndryshuar gjërat sa hap e mbyll sytë!
Jam një 21-vjeçar qe kam kontribuar sado pak në PS dhe po kërkoj një takim me kryeministrin Edi Rama...
Rrjetet sociale janë një hapësirë takimi dhe ja ku po komunikojmë. Por mund edhe të më shkruani e-mail direkt.
Në reformim e Policisë së Shtetit do të largohen punonjësit e policisë me diploma fallco?
Kam besim të plotë se në një kohë të shkurtër do të shohim një polici tjetër dhe do të kemi një polici me të tjerë parametra.
Do shkojë ndonjë nga ish-ministrat që ju akuzoni para drejtësisë, apo do i falim dhe kësaj here?
Qeveria as shpall dënime as jep falje. Lufta jonë me të korruptuarit do jetë frontale.
Mbas sa kohësh, nën qeverisjen tuaj, do fillojmë të shohim ndryshim përsa i përket papunësise, krimit dhe rendit ?
Siguria do të vijë më shpejt se sa punësimi, por pas katër vitesh do ballafaqohemi me çdo zotim.
LSI i keni dhënë Pogradecin (emërtimin e drejtorëve: Posta, OSSH, Spital). Ku janë konkurset/meritat? Në vend të ministrive, LSI-së i keni dhënë qytetet (Pogradecin). Ku është ndryshimi nga PD-ja këtu? Po vihen drejtora të paaftë...
Me LSI s'kemi ndarë qytete po përgjegjësi.
A do ta kontrolloni edhe bujqësinë, farërat, plehrat kimike helmet e ndryshme?
Eshtë zotim i yni. Do të bëjmë për fshatin shumëçka fshatit i është mohuar në këto vite.
Infermierët që punojnë në Fier nëpër spitale fillojnë punë në nënte dhe e lënë në 12:00...
Nuk do vazhdojë gjatë kjo gjendje, shpejt do të shihni përmirësimet.
Meqë e vendose të shkrish Gardën ku u bazove?
Në praktikat më të mira ndërkombëtare.
A do ndërmerrni ndonjë iniciativë që ti bëni "të zbatueshme" marrëveshjet e shqiptarëve në Maqedoni?
Jemi në mbështetje të plotë të vëllezërve tanë në Maqedoni e mbetemi të shqetësuar për moszbatimin e marrëveshjeve.
Sot isha në spitalin onkologjik Tiranë Nënë Tereza. Doktorët janë kasape. Të shohin nga duart...
Spitali Nënë Tereza po ndryshon dhe do ndryshojë përditë pa ndalim, deri sa të bëhet një spital normal.

Edi Rama: Faleminderit. Në opozitë kishte më shumë kohë për të folur...Kaq për sot të dashur miq, me lejen tuaj po kthehem në punë. Bashkë do ia dalim.

Rama shtyn konferencën online për në orën 18:00: Ka shumë pyetje
Ora 11:30 - Konferenca online, e para e Ramës si kryeministër, e planifikuar të mbahej sot rreth orës 12.00 është shtyrë për në oren 18.00.

Lajmin e ka dhënë vetë Rama përmes postimit në profilin e tij në "Twitter" e "Facebook", duke e argumentuar këtë me numrin e shumtë të pyetjeve dhe me kërkesat për ta shtyrë pasdite.

“Duke qenë se ka shumë pyetje po edhe disa kërkesa, mbase me të drejtë, që konferenca të bëhet mbas dite, atëherë po lemë orën 18.00, sot”,- shkruan Rama.

Një ditë më parë me një shënim në profilin e tij në "Twitter", Rama ftoi gjithë të interesuarit të jenë pjesë e kësaj konference online, me pyetjet e tyre. Kryeministri sqaroi se të gjitha pyetjet që i drejtohen atij duhet të shoqërohen në fund me "PyetEdiRamën".
 


Shtypi i dites

Analize



mk




vassi studio




Sondazh
Qeveria Rama ka shpallur shumë reforma që synojnë rivendosjen e ligjit
(Si i vlerësoni ato?)





Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: k.s
ikub #:
 0 1310010127





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme




digitalb
spitaliamerikan

as