ATEM
0 0
0
 

Moda e papermbajtshme e të bukurave drejtoresha!


19 Jan

Nga Armina Mevlani te Aurela Hoxha, ja vajzat qe kane zgjedhur poste drejtuese ne revista mode

Burimi:

Mapo

Ndoshta herën e parë kur të kanë pyetur, ose ke pyetur veten, se çfarë janë, çfarë bëjnë në jetë vajza si Armina Mevlani, apo Aurela Hoxha, nuk ke ditur të japësh një përgjigje të saktë, aq të saktë sa do thoshe për gruan me bluzë të bardhë në ambulancën e lagjes që është mjeke dhe atë me fill mes buzësh matanë dyqanit me xhama, që është rrobaqepëse (këtyre nga ana tjetër mund të mos ua dish emrat dhe pse u ke besuar sekretet e trupit dhe gardërobës, por kjo është çështje tjetër). Për Arminën dhe Aurelën dije dhe di, shumë mirë madje, që ato janë vajza shumë të bukura, sexy, që janë fashioniste dhe bien në sy edhe për zgjedhjen e veshjeve po aq sa për karakteristikat fizike, që kanë përvojën e tyre në TV etj. etj., por nuk gjeje (dhe ndoshta ende nuk e ke gjetur) dot diçka më të saktë, një profesion apo pozicion të shprehur me një fjalë a dy. Dhe nëse zakonisht humbet prezantimet e fillimit të emisioneve, ku i ke parë të ftuara, pyetja për to bëhet gjithmonë e më vështirë. Ndërkohë, këto vajza nuk i sheh vetëm në ekran, sepse siç duket qartë, dhe pse fare të reja në moshë, ato marrin të njëjtat ftesa me deputetët, ish-kryeministrat e ish-presidentët, këngëtarët e aktorët e njohur, për eventet e rëndësishme të Tiranës dhe after-show që krijohet mbi veshjen dhe aksesorët e njërës apo tjetrës nëpër gazeta apo rrjete sociale i ka protagoniste (varësja ishte vërtet ‘Van Cleef & Arpels’??? Kostumi ‘Prada’ i sezonit të fundit ishte origjinal????? Ajo çanta qe vërtet ‘Hermes’????) Kjo as Arminës, as Aurelës nuk i prish punë. Përkundrazi (enkas me P të madhe)! Ato janë, në një mënyrë apo tjetër, brenda fushës së modës dhe të tilla komente çojnë ujë në burimin e duhur. Por jo vetëm kaq. Duhet thënë, që të dalim më në fund në temë, se në të vërtetë ato kur marrin ftesa për të tilla evente, poshtë emrit kanë të shënuar një status, pikërisht atë status që disa nga ne e kanë humbur kur i kanë kapur nga mesi emisionet televizive dhe prandaj nuk e dinë saktë se “me çfarë merren konkretisht këto vajzat e bukura?”, një status që, nga ana tjetër, kujtdo që e ka dëgjuar për herë të parë i ka bërë shumë përshtypje. Drejtojnë revista mode, për të qenë të saktë (meqë dhe u morëm gjatë me këtë fjalë): Armina Mevlani është “Creative Director” (Drejtore e Kreativitetit, përkthyer copë) në revistën “Harmony”, dhe Aurela Hoxha është presidente e revistës “Aurela Style” dhe agjencisë së modeleve “AS agency”.

Pra, dhe pse ideja për ato ka qenë (ose dhe është) më shumë e shpërndarë sesa e shprehur me dy fjalë, ato kanë edhe pozicione një apo dyfjalëshe, nga ato që u mbushin mendjen dhe gojën disave, si “creative director” apo “presidente”. Dhe këtu nis ajo habia tjetër, jo më si, çfarë, pse këto vajza janë bërë të njohura e të komentuara më shpejt se personazhe të tjerë të spektaklit, artit dhe televizionit, të cilët dhe pse mund t’i kesh parë shumë shpesh, nuk i ke aq të fiksuar sa të parat (pa provo të thuash emrat e plotë të të gjithë balerinëve të trupës së Top Channel, apo TV Klan, për shembull), por si ka mundësi që në moshë kaq të re ato kanë një pozicion drejtues në një agjenci apo revistë?  Ja që është e vërtetë! Për çudinë e kujtdo, këto vajza me shumë pasion për punën që bëjnë dhe me një pamje që nuk kish si t’i linte të pavëna re gjatë rrugës për të arritur aty ku janë, dhe pse rruga ka qenë në të vërtetë pakhapëshe (të suksesshëm ama!), janë më të njohura se shumë bashkëmoshatare të tjera që gëlojnë në botën e televizionit apo modës dhe si pakkush tjetër në atë moshë kanë një staf njerëzish nën vete (hierarkisht të paktën sepse ato këmbëngulin që kanë marrëdhënie miqësore me anëtarët e stafit). Janë në këto pozicione dhe pse nuk kanë studiuar as për modë, as për menaxhim (mos t’ju vejë mendja se CV-ja e tyre akademike vuan, ajo e Aurelës të lë pa frymë madje: është diplomuar për Mjekësi dhe Juridik, ndërsa Armina studion për Filozofi) as për diçka të ngjashme e megjithatë (jo çdo njohuri merret në shkollë, po, po, dihet) është zëri i tyre që dëgjohet në fund të një pune mujore të një stafi profesionistësh, është “po”-ja dhe “jo”-ja e tyre që vendosin shumëçka, është kjo fusha, ku, më mirë se për çdo gjë tjetër, ato flasin me kompetencë dhe kanë njohuritë e një specialisti, që i kalon ku e ku ato të njerëzve që dinë që ajo dizenjoja me kuadrate në sfond bezhë është e “Burberry” dhe ato këpucët e zeza me shuall të kuq janë patentë e “Christian Louboutin”. Sepse, me gjithë moshën e re, me gjithë pamjen më shumë si prej modeleje revistash (kjo ndonjëherë duket se prish punë, por në fakt gjithmonë rregullon) se sa si drejtuese të tyre (janë edhe modele e miss-e realisht), me gjithë vendosjen në këto pozicione pa ndjekur një rrugë klasike formimi (në fakt në Shqipëri nuk ka si këto shkolla), kjo është fusha ku investojnë tërë përkushtimin dhe nuk e shtypin asnjëherë butonin “pause” në marrjen e vazhdueshme të informacionit, është rruga e tyre e zgjedhur me shumë qejf, e pasion, por dhe me zgjuarsi… (ju me siguri nuk jua keni gjetur emrat balerinave, apo jo?), është puna, që nuk kalohet nga asnjë tjetër në listën e gjërave që do bënin me shumë kënaqësi…

Aurela Hoxha: Në emër të pasionit

Presidentja e revistës “Aurela Style” dhe e agjencisë “AS Agency”, 27-vjeçarja me përmasa dhe karrierë modeleje, e pranon pa ndjerë nevojën për të bërë ndryshe përparësinë e padiskutueshme që ka kjo punë. Ajo është pikërisht vajza me atë CV-në e rëndë plumb prej diplomave në Mjekësi dhe Drejtësi, që ka zgjedhur modën, por dhe televizionin, si fushat e jetës së saj. “Për fatin tim të mirë, pas përqendrimit në studime munda të ndjek një pasion të hershëm timin. Dhe mënyra më e mirë tek ne për ta bërë këtë ishte themelimi i të parës revistë ekskluzivisht mode dhe të parës agjenci modelingu në Shqipëri”. Ishte katër vjet më parë, kur Aurela dhe stafi që punon me të, sollën në treg revistën AS (akronim i zgjatur tashmë i Aurela Style), për të cilën ajo ka argumentet e saj, për ta quajtur të parën revistë mode, (“në të nuk kishte personazhe të njohur, nuk kishte shkrime për ta, në të kishte vetëm modelë dhe shkrime për modën”), që ishte edhe një dritare mediatike për agjencinë e modelingut “AS”. Ishte koha e lulëzimit të revistave dhe pse koha, në tregun e tyre, nuk ka mbajtur aq mirë pas kësaj. Megjithatë, revista “AS” vazhdon të jetë në tregun e periodikëve me faqet me lustër, ka zënë vend në të duke ftuar në kopertinë, dikur hapësirë vetëm e modeleve, edhe personazhe të njohura dhe ndërkohë edhe vetë Aurela nga një vajzë thjesht e bukur dhe sexy, por e panjohur, është bërë personazh i njohur, që e ftojnë në studio televizive dhe evente të rëndësishme. Por rruga e saj drejt njohjes këto katër vjet nuk ka kaluar vetëm mes copave të buta dhe bliceve fotografikë, ajo ka ecur edhe para kamerave të televizionit. Bashkëprezantoi një sezon të së “Dielës Shqiptare” me Ardit Gjebrean dhe pastaj mori në dorë prezantimin, e vetme, të emisionit “Albanians Next Top Model”, një mundësi dhe një ogur i mirë njëherësh sepse jo vetëm që ky ishte një program i njohur botëror, që vinte për herë të parë në Shqipëri një reality show me modele nga gjithë Shqipëria, por dhe se një spektakël si ky, tradicionalisht, prezantohet nga figura femërore shumë të bukura dhe sexy: Tyra Banks në SHBA dhe Haidi Klum, në Gjermani. Pas “Albanian’s Next Top Model”, Aurela Hoxha është shfaqur  në ekran me një tjetër projekt televiziv, F.B.I (Fashion Beauty Inside), një program me personazhe nga fusha e grimit, modës, fotografisë, ku personazhe të njohur pranojnë të shndërrojnë pamjen e tyre të jashtme. Televizion apo revistë, moda është kryefjala për Aurelën. Një pasion që e çoi këtu dhe pas të cilit rri e mbërthyer, ndjek çdo hap të ri të saj, megjithëse kjo s’është gjë e lehtë se moda nuk rri asnjëherë në vend. “I kushtoj shumë rëndësi ndjekjes së të rejave nga moda, për të qenë gjithmonë në brendësi edhe pse përgjithësisht dita ime është shumë e ngjeshur me takime dhe biseda. Megjithatë, veç kohës që mund t’i dedikoj vetë të rejave, kam edhe një staf fantastik që më ndihmon”. Ata, teorikisht janë vartësit e Aurelës, por praktikisht janë miqtë e saj, përtej klishesë së përgjigjeve që disa drejtues japin në intervista. Endrit Mërtiri, fotograf fare i ri në moshë, por me disa vite përvojë tashmë, është një nga “miqtë më të ngushtë”, që e shoqëron që nga eventet gala (partneri i Aurelës, me të cilin ka një lidhje mbi 10-vjeçare ka qëndruar gjithmonë larg medias), në këto shfaqje gjysmë-zyrtare, deri në jetën e përditshme në seancat pothuaj të përditshme të palestrës (“Kultura e të jetuarit shëndetshëm dhe e të qenit në formë është shumë e rëndësishme për mua”, thotë ajo, por shton se roli i drejtueses së një agjencie dhe reviste mode nuk është krejt i parëndësishëm për të kërkuar dhe më shumë te vetja formë perfekte). Edhe anëtarët e tjerë të stafit për të cilin po flisnim, janë të rinj, një ekip njerëzish të mbledhur për të ngritur në këmbë një ëndërr të saj, por që plotësojnë njëkohësisht edhe ëndrrën e tyre, ashtu si nga ana tjetër edhe agjencia në fillim ishte pasioni i Aurelës, por tani është “jo vetëm pasioni im, por edhe hapësirë për qindra vajza e djem të rinj që ndajnë të njëjtin pasion me mua”. Për sa i përket marrëdhënieve që një vajzë, në atë kohë vetëm 23 vjeç, ndërtoi dhe vazhdon të ketë me stafin e saj, ndoshta edhe menaxherë më me përvojë mund t’i mbanin shënim. “Janë të gjithë në moshë të re. Njerëz që kanë pasur nevojë për një mundësi për të provuar veten dhe që e kanë gjetur në “AS”. Marrëdhëniet i kemi shumë të mira, më shumë si familje sesa si kolegë”. Por në fund ama, është ajo që vë qershinë mbi tortë. “Me gjithë stafin e mrekullueshëm me të cilin mburrem gjithmonë, kryesuar nga një nga miqtë e mi më të ngushtë dhe njëkohësisht një nga fotografët më të mirë që kemi në Shqipëri, Endrit Mërtiri, ‘Aurela Style’ në fund ka gjithnjë firmën time. Le të themi, frymën që unë dua t’i jap”. Kjo nuk do të thotë se ajo nuk e ka idenë se çfarë shije ka torta me shumë shtresa letre që ata përgatisin. “Një ditë e zakonshme e imja është e ngarkuar, por asnjëherë njësoj me një ditë më parë dhe me një më pas”. Shumë gjëra për t’u vënë në vijë, “asnjë sipërmarrje nuk është e lehtë”, shumë shërbime fotografike për t’u ngritur në këmbë, shumë takime e biseda dhe pak kohë e lirë (një drejtuese reviste edhe shfletimin e revistave nuk mund ta bëjë e relaksuar pasi gjithmonë duhet të ketë një sy hapur për konkurrencën), të cilën ajo kur mundet e kalon në udhëtime, sepse i pëlqen të eksplorojë “kultura dhe mënyra të tjera të të konceptuarit të jetës, në vende të ndryshme”.  Edhe në jetën e saj ka eksploruar si pak kush: dy fakultete, dy sipërmarrje, emisione televizive, por jo në kërkim të vetes: ajo vetë gjithmonë ka ditur çfarë ka dashur dhe është aty, në vendin e dëshirave, madje edhe njerëzit e tjerë kanë arritur ta fiksojnë tashmë, vajzën me pamje dhe forma kukulle, si presidenten e revistës “Aurela Style”.

 Armina Mevlani: Moda, (jo) lojë me kukulla

Armina Mevlani, me vite, nuk është dhe kushedi sa larg moshës së lojës me kukulla (aq të bukura sa janë sot modelet dhe rrobat e tyre, mosha e vajzave që luajnë me siguri sa vjen e rritet) dhe është pikërisht me to që ka “mësuar dorën” kur i lindi pasioni për modën, por prej dy vjetësh, në vend të kukullave, kombinon veshjet  e modeleve, të personazheve (bashkë me stafin sigurisht) që pozojnë për revistën “Harmony” ku ajo është “Creative Director”. Kështu e kanë emërtuar pozicionin drejtues ekzekutiv në këtë revistë të re, por që më dallueshme ka moshën e re të drejtueses. Armina ishte vetëm 19 vjeç kur lindi “Harmony”. Dhe këtë vend ia propozuan pikërisht asaj, në vitin e parë të fakultetit ( studion Filozofi), por që nuk mund ta shihje kurrsesi si një “vajzë të vogël”, jo në fushën e modës dhe të revistave të paktën, ku ajo ishte shfaqur disa herë, prej atij stili të spikatur dhe fizikut sexy e portretit të bukur, që bënë që Arminën, revistat ta “mbërthenin” menjëherë si një “pin up girl” të ditëve tona. Po si ia kishte dalë të bëhej personazh revistash? Nëse Malcolm Gladwell, autori i librit “Sekreti i suksesit” botuar në shqip nga “Pegi”, do vendoste të mblidhte raste të reja për të mbështetur teoritë e tij sociale, Armina Mevlani do ishte një rast perfekt i “rrethanave të duhura”: vajzë e gazetarit Arben Mevlani dhe koreografes dhe instruktores Mimoza Mevlani, ajo kishte rast të qëndronte më afër se të tjerët me njerëzit e medias dhe të binte në sy…Por mos të harrojmë as teoritë e gjenetistëve, në bazë të të cilave nuk habitemi as se ku e gjeti prirjen për të qëndruar para kamerave e bija e gazetarit, as nga Iu shfaq pasioni për modën, vajzës së një fashionisteje të vërtetë. “Mami im ka patur një pasion për modën dhe unë sa herë më shoqëronte për shkollë e shihja se çfarë kishte veshur. Me kalimin e kohës fillova ta bëja këtë pasion duke kombinuar kukullat, por edhe veten time sa herë shkoja në shkollë. Nuk është se ka nisur nga diçka e caktuar, thjesht kam patur gjithmonë një lidhje të fortë me modën”. Kjo, në kohën e lojërave me kukulla, ndërsa më pas (po, gjërat kanë ecur vërtet shpejt) krijohen “rrethanat perfekte” për të cilat flasin studiuesit  si Malcolm Gladwell, që shohin edhe rreth e rrotull, jo vetëm brenda kromozomeve. Ajo prezanton një spektakël gjimnazesh, bie në sy (s’kishte si të mos), pastaj disa spote televizive, pastaj në revistë, pastaj spot komercial dhe fytyra e saj pushton billboard-et gjigante, pastaj përsëri nëpër revista dhe pastaj i vjen propozimi (I kishte rënë në sy dhe Vera Grabockës) për të prezantuar Shqipërinë në “Miss World” (ky është një pikë takimi dhe ndarjeje me rëndësi në karrierën e dy protagonisteve të shkrimit, që vërteton dhe njëherë ngjashmërinë e fateve të tyre: në fillim i ishte propozuar Aurelës të prezantonte Shqipërinë, por ajo u përjashtua sepse është ligjërisht e martuar me partnerin e saj) dhe kur kthehet që andej (ndërkohë që gardëroba e saj sa vjen e zgjerohet me veshje stili dhe markash të njohura), del se një tjetër person e kishte spikatur. “Në fillim nisi shumë thjesht, me një takim me zonjën Olimbi Ibrahimi e cila është edhe presidente e Ferano Group ku bën pjesë edhe revista. Ne u takuam, kur unë sapo kisha ardhur nga ‘Miss World’, ku kisha patur dhe një eksperiencë mbi modën dhe botën e medias. Fillova të shkruaj për modën artikuj në revista apo gazeta të ndryshme, derisa zonja Olimbi më propozoi të bëja një plan pune për një revistë mode, të cilën ajo e kish menduar më parë por nuk e kishte bërë akoma realitet. Kot nuk thonë vendi i duhur në momentin e duhur”, pranon dhe Armina rëndësinë e fatit në këto punë. Fakti që ishte vetëm 19 vjeç nuk është se e trembi, fundja ajo me siguri ishte më e zonja dhe e mësuar me modën dhe revistat se shumë vajza të tjera më të rritura se ajo. Por njerëzit ama (si gjithmonë do ndodhë me personazhet publikë) që nuk e kanë të vështirë të shpikin probleme, nuk kishin si të mos merreshin me moshën e re të Arminës, kur kjo gjë as nuk duhej shpikur…dhe pse ajo nuk e quan problem: “Në fillim të gjithë u habitën dhe mendonin se nuk do ia dilja, por sot ‘Harmony’ është një ndër revistat më të mira në treg. Nuk duhet të tregohemi paragjykues sepse gjithmonë një i ri është në maksimumin e kreativitetit, pasionit,energjisë dhe dëshirës së madhe”. Ajo thotë se është rritur dhe vetë me revistën dhe se kjo është përvoja më e bukur që ka pasur. “Tashmë po bëhen fiks dy vjet që jam në punën time tek ‘Harmony’, e cila është puna e përditshme që e bëj me pasion. Gjatë një dite pune në revistë ka disa gjëra për të bërë dhe varet nga ditët. Zakonisht dita nis në zyrë me stafin ku të gjithë ndajmë punët dhe bashkëpunojmë, ka edhe nga ato ditë ku nis me editoriale fotografike dhe më shkon dita duke vrapuar nga njëri vend në tjetrin”. Kjo nuk do të thotë se i ka hequr vizën shkollës, përkundrazi dhe as se miqtë e saj janë nga fusha e modës. Ajo vazhdon të shoqërohet me miqtë e vjetër, studentë pa angazhime si të sajat dhe në shkollë përpiqet të bëjë maksimumin, vërtet i kanë ngelur disa provime pa dhënë, por këtë vit do i mbyllë të gjitha, siç ka bërë me të tjerët, madje edhe me disa nota shumë të mira. Nuk do ishte më Armina “ambicioze” dhe e “shkathët”, siç e quan ajo veten, nëse do cedonte në këtë pikë, ndërkohë që ato cilësi i vijnë në ndihmë për punën e drejtueses në revistë, bashkë me cilësinë tjetër, ndër të parat që vihet re te ajo: të një vajze “me shije”, diçka e lindur dhe e kultivuar pastaj, që ushqehet me “modën, pasionin për artin, revistat e fundit të fashionit, televizionin, filmat, imagjinatën dhe ëndrrat”. Por përveç këtyre cilësive, ajo duhet të dijë të drejtojë punën në revistë, të drejtojë persona të tjerë, marrëdhënie që është gjithmonë delikate dhe me siguri bëhet edhe më shumë kur drejtoresha është më e re se anëtarët e stafit. “Me vartësit e mi, do pëlqeja t’i quaja kolegë, kuptohemi shumë mirë dhe unë në radhë të parë i kam miq sepse nëse diçka nuk më pëlqen gjej mënyrën më të butë dhe të kuptueshme për t’ua thënë.”

Së fundmi, në CV-në e Arminës është shtuar dhe një rresht me rëndësi që mban emrin “Kënga Magjike” (edhe për këtë festival, Aurela Hoxha para disa vitesh ka marrë një ftesë nga Ardit Gjebrea) të cilin e prezantoi fundvitin e shkuar  me Olta Gixharin krah Ardit Gjebreas. “Gjithçka nisi nga një propozim prej Arditit, i cili ishte bërë edhe një vit më parë, por kam qenë në një periudhë shumë impenjative me revistën. E prita shumë mirë sepse Arditin dhe Oltën i njihja dhe më parë dhe isha e sigurt që do na çonte në një sukses. Dua të shtoj që kjo eksperiencë ishte e mrekullueshme dhe përfundoi shumë mirë dhe qetësisht. Normal që në karrierë mua më ndikoi shumë si një eksperiencë plus dhe shumë e bukur. Ishte një marrëdhënie tjetër me publikun që unë nuk e kisha provuar më parë”. Jo vetëm një mundësi për karrierën televizive, por, pas gjithë pjesës së përmbajtjes, ishte një rast i rrallë për t’i kushtuar rëndësi të madhe dhe formës. Me gjithë kujdesin e “Geraldina Sposa” për fustanet prej princeshash gjatë netëve të para, natën e fundit vendosi të vishte një fustan të sajin pa i rezistuar shtysës për të qenë autore e veshjes së saj. S’mund të mos e impenjonte maksimalisht ky festival, atë që dhe për daljet më të zakonta në ekran, në studio televizive, i kushton look-ut rëndësi maksimale. “Sipas temës në emision apo eventit gjithmonë kam përshtatur edhe veshjen. Imazhi ka shumë rëndësi përderisa jam përfaqësuese e një reviste mode dhe unë e kuroj me kujdes. Look-u është parësor, por akoma më i rëndësishëm është prezantimi dhe mënyra sesi flet apo bisedon. Për mua look-u nuk ka më asnjë rëndësi nëse do jesh një kukull që nuk di të flasësh”. Ajo e refuzon këtë rol dhe pse pamjes prej kukulle ia di rëndësinë, dhe pse, kur e kujton, me kukullat ka nisur e gjitha. Megjithatë sot ajo është rritur, më shumë profesionalisht se sa me vite dhe Arminën duhet ta mbani mend (nëse asnjëherë nuk e kapni fillimin e emisionit ku është e ftuar ajo) jo vetëm si një vajzë të bukur të ekranit, por edhe si drejtoreshën e një reviste.

Bora Kokëdhima, për një javë në industrinë e modës

Të njëjtën të shkuar ka pasur edhe Bora Kokëdhima, vajza e botuesit Koço Kokëdhima, e cila ka qenë drejtoreshë e revistës së familjes “Spektër”, që në moshë fare të re. Më pas është larguar për studime në Vjenë, ku jeton aktualisht, por u kthye në personazh vitin e shkuar gjatë ‘Albania Fashion Week’, një projekt i Dhomës Kombëtare të Modës, me në krye Diana Cekodhimën, por që u realizua nga fillimi në fund nga Bora. E kthyer në Tiranë për pushime, janarin e shkuar, ajo dëgjoi për këtë projekt dhe punoi për muaj të tërë për realizimin e tij.  “Moda ka qenë gjithmonë dashuria ime, ndaj pa ditur as mbiemrin e znj. Cekodhima dhe as ajo timin, unë përfundova studente dhe ajo pedagogia ime. Ajo më ofroi organizimin e AFW 2012-2013. Harxhova kohë pafund në takime me persona me influencë në tregun shqiptar e më gjerë, në PR “face to face” që më vonë e përktheva në formulimin e një projekti të mirëfillte showbizi. Kështu e themelova tek pullë, me mbështetjen e askujt, përveç babit tim, i cili besoi në projektin tim moralisht sepse theksoj është një projekt me vetëfinancim” është shprehur Bora në një intervistë. Eventi i drejtuar prej saj mblodhi 35 stilistë, 60 modele vajza dhe 20 djem për të përzgjedhur më pas më të mirët dhe që nga fillimi në fund në drejtim të çdo procesi ishte studentja e re, fashioniste me mbiemrin e njohur, e cila ka qenë e para vajzë e vogël, me pamje tërheqëse në drejtim të një reviste dhe pjesë e grupit të këtyre vajzave që e kanë seriozisht sipërmarrjen dhe pse mund të mjaftoheshin pa të!





time
ventus


Cilat nga këngëtaret e mëposhtme
(Do të vlerësoni si më të mirën?)

















Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: mbalena
ikub #:
 0
MODA
1301190044





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

as
spitaliamerikan