marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 8671
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 26.10.2000
Data e aprovimit te Aktit: 17.11.2000
Numri i neneve: 44
Numri i fletores zyrtare: 37
Data e fletores zyrtare: 24.11.2000
Aktiviteti: Forcat e Armatosura
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: "Pushtet" është zotërimi i së drejtës të komandimit dhe të drejtimit mbi të tjerët, sipas ligjit. Pushteti nënkupton edhe institucionin ose personin, që e gëzon këtë të drejtë. "Autoritet" është e drejta e ushtrimit të pushtetit, të dhënë me ligj ose të deleguar. Autoriteti nënkupton edhe institucionin ose individin që e gëzon këtë të drejtë. "Komandim" nënkupton autoritetin që i jepet me ligj një individi të Forcave të Armatosura për udhëheqjen, komandimin dhe drejtimin e forcës ushtarake.
Amendamente
1 Për kompetencat e Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe të Këshillit të Sigurimit Kombëtar.
2 Per disa shtesa e ndryshime ne ligjin nr. 8671, date 26.10.2000 "Per pushtetet dhe autoritetet e komandimit e te drejtimit strategjik te Forcave te Armatosura te Republikes se Shqiperise"
Akte te ngjashem
1 Për kompetencat e Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe të Këshillit të Sigurimit Kombëtar.
2 Per disa shtesa e ndryshime ne ligjin nr. 8671, date 26.10.2000 "Per pushtetet dhe autoritetet e komandimit e te drejtimit strategjik te Forcave te Armatosura te Republikes se Shqiperise"
3 Për dhënie grade madhore
4 Për dhënie grade madhore
5 Për emërimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë
6 Për dhënie grade madhore
7 PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.17, DATË 13.1.2006 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E AFATEVE TË PËRDORIMIT TË ARMËVE, TË TEKNIKËS E TË PAJISJEVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA DHE TË RREGULLAVE PËR TRAJTIMIN E TYRE, PAS HEQJES NGA ARMATIMI DHE P
8 Për DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.305, DATË 12.3.2008 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË ATASHEVE USHTARAKë, TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, QË SHËRBEJNË NË SHTABET E NATO-S E NË PËRFAQËSITË USHTARAKE TË REPUBLIKËS S
9 Për dhënie grade madhore
10 Dekret për shkarkimin nga detyra të shefit të shtabit të përgjithshëm
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:L I G J

Nr.8671, datë 26.10.2000

PËR PUSHTETET DHE AUTORITETET E KOMANDIMIT E TË DREJTIMIT STRATEGJIK TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 169 pika 4 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I :

Neni 1

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i pushteteve dhe i autoriteteve të komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Neni 2

Përkufizime

Për qëllimet e kuptimit të këtij ligji:
"Pushtet" është zotërimi i së drejtës të komandimit dhe të drejtimit mbi të tjerët, sipas ligjit. Pushteti nënkupton edhe institucionin ose personin, që e gëzon këtë të drejtë.
"Autoritet" është e drejta e ushtrimit të pushtetit, të dhënë me ligj ose të deleguar. Autoriteti nënkupton edhe institucionin ose individin që e gëzon këtë të drejtë.
"Komandim" nënkupton autoritetin që i jepet me ligj një individi të Forcave të Armatosura për udhëheqjen, komandimin dhe drejtimin e forcës ushtarake.
"Komandim i plotë" nënkupton autoritetin ushtarak dhe përgjegjësinë e eprorit për t'u dhënë urdhra vartësve. Ky përfshin të gjitha aspektet ushtarake dhe administrative.
"Komandim operacional" nënkupton autoritetin që i jepet komandantit për t'u dhënë detyra e për t'u caktuar misione komandantëve vartës, për të shpërndarë forcat dhe për të dhënë ose për të deleguar drejtimin operacional, sipas nevojës. Nuk përfshin përgjegjësinë administrative dhe logjistike.
"Drejtim" nënkupton autoritetin që ushtrohet mbi një pjesë të veprimtarive të organizmave në vartësi ose të dhëna në vartësi. I gjithë ose pjesë e këtij autoriteti mund të transferohet ose të delegohet, në përputhje me këtë ligj dhe me akte të tjera ligjore e nënligjore.
"Drejtim operacional" nënkupton autoritetin që i jepet një komandanti për të drejtuar forcat e dhëna, për të plotësuar një mision a detyrë të veçantë, të kufizuar në detyra, kohë e vend. Ky nuk përfshin autoritetin për ta përdorur të ndarë forcën e dhënë dhe as drejtimin administrativ e logjistik.
"Veprimi (operacioni)" është kryerja e një misioni ushtarak strategjik, operativ, taktik, përgatitor, mbështetjeje, shërbimi, administrativ dhe njerëzor.
"Plani i veprimeve" është plani për një ose disa veprime, të lidhura me njëri-tjetrin, që zbatohen njëherësh apo njëri pas tjetrit. Përgatitet sipas një parashikimi dhe ka formën e një udhëzimi, që autoriteti më i lartë e lëshon për komandantët vartës, në mënyrë që këta të fundit të përgatisin planet mbështetëse dhe urdhrat. Nëse plani zbatohet në një kohë të caktuar, atëherë ai kthehet në urdhër luftimi.
"Urdhri" është një kumtim i shkruar, i dhënë me gojë ose edhe me sinjal, i cili përmban detyrat dhe udhëzimet e eprorit për vartësin.
"Delegim autoriteti" nënkupton aktin nëpërmjet të cilit personi i njohur me ligj si autoritet i ngarkon një pjesë të autoritetit (përgjegjësive) të vet një vartësi, në raport të drejtë me detyrën që ai ka. Shtrirja e autoritetit të deleguar duhet të shprehet qartë dhe pa dykuptime ose keqkuptime.
"Shërbim" nënkupton njërin nga përbërësit e Forcave të Armatosura (forca tokësore, detare dhe ajrore).
"Shef shërbimi" është autoriteti përgjegjës për doktrinën, zhvillimin, planet, programet dhe menaxhimin e personelit në shërbimin e vet. Është i njësuar me komandant force (tokësore, detare dhe ajrore).
"Forcë ushtarake" nënkupton :
një shërbim të Forcave të Armatosura;
b) një njësi ushtarake, të pajisur, të përgatitur e të gatshme të përdorë forcën.
"Burimet" nënkuptojnë njerëzit, financat dhe të gjitha mjetet e tjera materiale, që u jepen forcave për t'u përgatitur dhe për të luftuar.

KREU I

PUSHTETET DHE AUTORITETET E KOMANDIMIT DHE TË DREJTIMIT STRATEGJIK

Neni 3

Pushtetet dhe autoritetet e komandimit dhe të drejtimit strategjik për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë :
Kuvendi
Presidenti i Republikës
Këshilli i Ministrave
Kryeministri
Ministri i Mbrojtjes
Shtabi i Përgjithshëm
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm
Komandantët e forcave (tokësore, detare dhe ajrore).





Neni 4

Kuvendi

1. Miraton me ligj dokumentin e strategjisë së sigurimit dhe dokumentin e politikës së mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e tjera në fushën e mbrojtjes e të Forcave të Armatosura.
2. Miraton buxhetin e mbrojtjes.
3. Miraton numrin limit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe misionin e tyre.
4. Ushtron kontroll parlamentar mbi veprimtaritë që kanë lidhje me Forcat e Armatosura.
5. Vendos për dërgimin dhe përdorimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
6. Lejon, me ligj, vendosjen e forcave të huaja ushtarake në territorin e Republikës së Shqipërisë ose kalimin e tyre nëpër territorin shqiptar, duke përcaktuar dhe statusin e tyre.
7. Ratifikon dhe denoncon, me ligj, traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike e ushtarake, si dhe me anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare.
8. Kuvendi, në rast kërcënimesh të jashtme ose kur detyrimi për mbrojtje të përbashkët buron nga një marrëveshje ndërkombëtare, me propozimin e Presidentit të Republikës, shpall gjendjen e luftës, vendos gjendjen e mobilizimit dhe të çmobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm të vendit dhe të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
9. Kuvendi deklaron përfundimin e luftës dhe shpall paqen.
10. Shpall, me kërkesën e Këshillit të Ministrave, gjendjen e jashtëzakonshme në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, si dhe në raste fatkeqësish natyrore, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ose në pjesë të veçanta të tij, si dhe përcakton detyrimet dhe kufizimet gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
11. Vendos, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për përdorimin e Forcave të Armatosura në rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë.
12. Përcakton pushtetet dhe autoritetin e komandimit e të drejtimit të Forcave të Armatosura për kohë paqeje, gjendje të jashtëzakonshme dhe kohë lufte.

KREU II

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

Neni 5

Presidenti i Republikës është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës, në kohë paqeje e ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa në kohë lufte i drejton Forcat e Armatosura drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura.




Neni 6

Në rast të një sulmi të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, me kërkesën e Këshillit të Ministrave, shpall gjendjen e luftës.
Dekretin për vendosjen e gjendjes së luftës, Presidenti ia paraqet Kuvendit brenda 48 orë nga nënshkrimi, duke përcaktuar qartë të drejtat që kufizohen.

Neni 7

Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gëzon autoritetin e plotë të komandimit e të drejtimit të Forcave të Armatosura dhe ka këto detyra e përgjegjësi:
1. Miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, strukturën organizative të Forcave të Armatosura.
2. Miraton planin e veprimeve të Forcave të Armatosura në kohë paqeje dhe në rastet e vendosjes së masave të jashtëzakonshme.
3. Miraton shpërndarjen e Forcave të Armatosura në kohë paqeje dhe vendos për mobilizimin dhe për provat e gatishmërisë së njësive ushtarake rezervë, brigadë e lart.
4. Në kohë lufte, emëron e shkarkon, me propozimin e Kryeministrit, Komandantin e Forcave të Armatosura.
5. Emëron e shkarkon, me propozimin e Kryeministrit, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
6. Emëron e shkarkon, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore.
7. Jep gradën e gjeneralit dhe dekoron ushtarakët e Forcave të Armatosura.
8. Emëron, shkarkon dhe nxjerr në rezervë ose në lirim, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore.
9. Urdhëron fillimin e veprimeve luftarake, kur shkelet integriteti i hapësirave tokësore, ajrore e detare të Republikës së Shqipërisë.
10. Miraton vendimet e Komandantit të Forcave të Armatosura për përdorimin në veprimet ushtarake në kohë lufte të Forcave të Armatosura.
11. I propozon Kuvendit përfundimin e gjendjes së luftës dhe ndërkohë përcakton mënyrën e zhvillimit të bisedimeve për paqe.
12. Urdhëron vendosjen e shkallëve të ndryshme të gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme.
13. Urdhëron lëvizjen, rivendosjen dhe përdorimin e Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme.
14. Delegon autoritetin e komandimit operacional të njësive ushtarake, të madhësisë ushtar-skuadër-togë-kompani-batalion të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë te komandat aleate, me të cilat forcat tona kryejnë misione e veprime të përbashkëta, sipas marrëveshjeve dhe traktateve të ratifikuara nga Kuvendi.
15. Miraton regjimin, rregullat e gatishmërisë luftarake dhe ngritjen në kushtrim të Forcave të Armatosura.
16. U jep njësive ushtarake, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, flamujt luftarakë.

Neni 8

Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nxjerr urdhra dhe udhëzime në ushtrimin e detyrave dhe të përgjegjësive që ka.

Neni 9

Presidenti i Republikës i rekomandon Këshillit të Ministrave ndryshime në buxhetin për mbrojtjen, në varësi të nevojave për:
përballimin e rreziqeve, që i kanosen Republikës së Shqipërisë ose përballimin e gjendjes së luftës;
përballimin e gjendjeve që mund të krijohen në Forcat e Armatosura;
krijimin e njësive të reja ushtarake në Forcat e Armatosura;
programe të veçanta për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.

Neni 10

Për marrjen e vendimeve të rëndësishme që ka në përgjegjësi, Presidenti këshillohet me Këshillin e Sigurimit Kombëtar.

Neni 11

Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor pranë Presidentit të Republikës.

Neni 12

Këshilli i Sigurimit Kombëtar ushtron veprimtarinë në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi.

Neni 13

1. Këshilli i Sigurimit Kombëtar thirret nga Presidenti i Republikës, sipas një rendditeje të përcaktuar.
2. Këshilli i Sigurimit Kombëtar ndihmon Presidentin e Republikës në çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes së vendit, si dhe të drejtimit, organizimit dhe mobilizimit të burimeve njerëzore dhe materiale, në dobi të sigurisë e të mbrojtjes së vendit.
3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar diskuton dhe jep mendime për çështje të politikës së sigurimit, të politikës së mbrojtjes, të armëkontrollit dhe për të gjitha çështjet e sigurisë e të mbrojtjes.
4. Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime. Mbledhjet e tij, si rregull, zhvillohen të mbyllura.
5. Anëtarë të Këshillit të Sigurimit Kombëtar janë: Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Rendit Publik, Ministri i Pushtetit Lokal, Ministri i Financave, Ministri i Transportit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror.
Presidenti, sipas çështjeve që diskutohen, mund të ftojë në mbledhje edhe persona të tjerë si kryetarë të komisioneve të përhershme parlamentare, ministra, drejtues të institucioneve qendrore shtetërore etj.

KREU III

KËSHILLI I MINISTRAVE

Neni 14

Këshilli i Ministrave ka këto detyra dhe përgjegjësi:
1. Përgatit dhe i paraqet për miratim Kuvendit projektligjet për mbrojtjen dhe dokumentin e strategjisë së sigurimit dhe dokumentin e politikës së mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, si dhe zbatimin e tyre në kohë paqeje.
2. I propozon Kuvendit ndryshime në numrin limit të personelit të Forcave të Armatosura.
3. Miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, planin e mobilizimit të përgjithshëm për kohë lufte të burimeve njerëzore dhe atyre materialofinanciare të vendit.
4. Paraqet në Kuvend buxhetin e mbrojtjes dhe programet e veçanta financiare për Forcat e Armatosura për kohë paqeje dhe lufte.
5. Drejton veprimtarinë e organeve të pushtetit qendror e të qarqeve, si dhe bashkërendon punën me organet e tjera të qeverisjes vendore për mobilizimin e pjesshëm dhe të përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe të burimeve për luftë.
6. Përcakton pagat dhe trajtimin ekonomik të personelit ushtarak (të oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve me pagesë) dhe të personelit civil, që shërben në Forcat e Armatosura.
7. Përcakton afatet e shërbimit dhe të përdorimit të armëve, të teknikës dhe të pajisjeve të Forcave të Armatosura, rregullat për trajtimin e tyre pas heqjes nga armatimi dhe përdorimi. Procedurat dhe përgjegjësitë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
8. Drejton dhe bashkëpunon me organet e qeverisjes vendore për rekrutimin e shtetasve, për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, aktiv dhe në rezervë.
9. Organizon dhe drejton mbrojtjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe vendos krijimin dhe funksionimin e shtabeve të mbrojtjes pranë qarqeve, në të gjithë territorin e vendit.
Organizon shërbimin e kërkim-shpëtimit në shkallë vendi.
11. Nxjerr akte nënligjore për mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
12. I kërkon Kuvendit të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike.
13. I kërkon Kuvendit, me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërhyrjen e Forcave të Armatosura për rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë.
14. Vendos për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit, duke përcaktuar edhe masat që duhen marrë.
15. Miraton programe të veçanta për pajisjen dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
16. Miraton uniformën ushtarake, gradat dhe shenjat që mbahen në uniformën ushtarake.

KREU IV

KRYEMINISTRI

Neni 15

Kryeministri është përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e Forcave të Armatosura në kohë paqeje.

Neni 16

Kryeministri ka këto detyra dhe përgjegjësi:
1. I propozon Presidentit të Republikës emërimin dhe shkarkimin e komandatit të Forcave të Armatosura në kohë lufte.
2. I propozon Presidentit të Republikës emërimin dhe shkarkimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
3. I propozon Presidentit të Republikës gradimin, uljen në gradë, si dhe nxjerrjen, në rezervë a në lirim, të ushtarakëve me gradë madhore në Forcat e Armatosura, të përmendur në pikat 1 dhe 2 të këtij neni.
4. Urdhëron përdorimin e Forcave të Armatosura për parandalimin, mënjanimin ose zhdukjen e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose njerëzore.
5. Emëron dhe shkarkon, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, drejtorët e drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm, me përjashtim të atyre që mbajnë gradën e gjeneralit.
6. Miraton strukturën organizative të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm.
7. Miraton listën e aerodromeve ushtarake, që mund të caktohen si aeroporte rezervë të aviacionit civil.
8. Bashkërendon dhe kontrollon veprimtarinë e institucioneve që kanë detyrime në zbatim të ligjit "Për miratimin e dokumentit të strategjisë së sigurimit të Republikës së Shqipërisë".
9. Bashkërendon punën ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Transportit për kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë.
10. Bashkërendon punën ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal për lajmërimin e popullsisë për rreziqet e fatkeqësisë natyrore, të aksidentit teknologjik dhe për rreziqet e luftës.
Drejton sistemin e mbrojtjes civile dhe të kërkimshpëtimit.

KREU V

MINISTRI I MBROJTJES

Neni 17

Ministri i Mbrojtjes përgjigjet para Kuvendit, Presidentit dhe Kryeministrit për zbatimin e politikës së mbrojtjes.

Neni 18

Ministri i Mbrojtjes është person civil.

Neni 19

Ministri i Mbrojtjes ka këto detyra e përgjegjësi:
1. I paraqet Këshillit të Ministrave projektin e dokumentit të politikës së mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe projektet që kanë të bëjnë me numrin, strukturën dhe organizimin e Forcave të Armatosura.
2. Nxjerr urdhra, rregullore e udhëzime për Forcat e Armatosura, brenda detyrave dhe përgjegjësive që ka.
3. Përfaqëson shtetin në organizmat ndërkombëtarë për çështjet e mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura.
4. Paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave buxhetin vjetor të mbrojtjes, planet afatgjata të zhvillimit dhe modernizmit të Forcave të Armatosura dhe programet e veçanta në fushën e mbrojtjes, që kërkojnë mbështetje financiare.
Miraton shpërndarjen e buxhetit të mbrojtjes.
6. Miraton organikën analitike të Ministrisë së Mbrojtjes, të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Forcave të Armatosura, brenda numrit limit të përcaktuar. Miraton tabelat e organizimit dhe të pajisjeve të njësive ushtarake.
7. Emëron dhe thërret atashetë ushtarakë pranë përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë.
8. Gradon dhe ul në gradë, vetëm një shkallë, ushtarakët deri në "kolonel" dhe "kapiten i rangut të parë".
9. Propozon dhënien e gradave madhore, emërimin dhe lirimin nga detyra të oficerëve madhorë të Forcave të Armatosura.
10. Emëron dhe shkarkon oficerët që shërbejnë në institucionet shtetërore civile, duke marrë edhe pëlqimin e titullarit të institucionit.
11. Paraqet në Këshillin e Ministrave modelin e uniformës ushtarake, të gradave dhe të shenjave që vendosen në uniformë.
12. I paraqet Presidentit të Republikës njësitë e Forcave të Armatosura, të cilat do të mbajnë flamuj luftarakë.
13. Jep titullin e parë - oficer në Forcat e Armatosura. Emëron e shkarkon nga detyra, nxjerr në rezervë dhe liron nga shërbimi ushtarak oficerët e Forcave të Armatosura me përjashtim të ushtarakëve që janë të emërtesave të tjera.
14. Komandon oficerët e Forcave të Armatosura në një detyrë tjetër për një periudhë kohe jo më shumë se 6 muaj.
15. Lidh marrëveshje ndërkombëtare, me karakter shkencor, kulturor, arsimor, teknik etj., brenda kuadrit të fushës dhe të juridiksionit të tij, si dhe nënshkruan marrëveshje me karakter ushtarak në kohë paqeje, kur plotëfuqia për nënshkrim i lëshohet nga autoritetet përgjegjëse.
16. I propozon Presidentit të Republikës dhënien e medaljeve, të urdhrave dhe të titujve të nderit për personelin ushtarak e civil të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes.
17. Shfuqizon ose ndryshon aktet e nxjerra nga titullarët e njësive, të institucioneve dhe të ndërmarrjeve ushtarake, që varen prej tij.
18. Delegon autoritetin e drejtimit operacional të njësive ushtarake, ushtar-skuadër-togë-kompani-batalion, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë te komandat aleate, me të cilat forcat tona kryejnë misione të përbashkëta, sipas marrëveshjeve dhe traktateve të miratuara me ligj nga Kuvendi.
19. Organizon sistemin e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
20. Jep stimujt, medalionet, simbolet a shenjat, që mbajnë njësitë ushtarake dhe ushtarakët, si dhe përcakton rregullat e dhënies së tyre.
Ministri i Mbrojtjes, përveç përgjegjësive të përcaktuara në këtë ligj, ushtron dhe përgjegjësi të tjera të përcaktuara me ligje të veçanta.

Neni 20

Pranë Ministrit të Mbrojtjes krijohet këshilli i politikës së mbrojtjes si organ këshillimor. Anëtarë të këtij këshilli janë: Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore, Komandanti i Stërvitjes dhe Doktrinave, Komandanti i Mbështetjes Logjistike, Drejtori i Drejtorisë Juridike, si dhe persona të tjerë të ftuar nga Ministri.




Neni 21

Në kohë paqeje Ministri i Mbrojtjes është eprori më i lartë i të gjithë personelit ushtarak e civil të Forcave të Armatosura.

Neni 22

Zëvendësministri i Mbrojtjes është ndihmësi i drejtpërdrejtë i Ministrit të Mbrojtjes. Në mungesë dhe me porosi të Ministrit ai vepron sipas përgjegjësive që i delegohen.

KREU VI

SHTABI I PËRGJITHSHËM

Neni 23

Shtabi i Përgjithshëm përbën strukturën organizative më të lartë ushtarake në Forcat e Armatosura dhe kryen komandën unike në Forcat e Armatosura. Ai është përgjegjës për krijimin e një force luftarake të përbashkët e të njësuar, me forcat tokësore, detare dhe ajrore, të aftë për të plotësuar misionin e vet kushtetues.

Neni 24

Shtabi i Përgjithshëm vepron si shtab i bashkuar i forcave tokësore, detare dhe ajrore dhe përgjigjet për:
- përgatitjen dhe stërvitjen e përbashkët të të tria shërbimeve për tërë detyrat e tyre, për të përballuar kërcënimet a rreziqet që kërcënojnë sigurinë në vend;
- planifikimin dhe programimin e mbrojtjes; vlerësimin strategjik të kërcënimeve a të rreziqeve dhe marrjen e masave për përballimin e tyre;
- përgatitjen dhe drejtimin e veprimeve ushtarake dhe drejtimin e Forcave të Armatosura në këto veprime;
- mbështetjen logjistike;
- planifikimin dhe rekrutimin e personelit ushtarak;
- hartimin e kërkesave për zhvillimin dhe pajisjen e tri shërbimeve të Forcave të Armatosura;
- përdorimin e frytshëm të burimeve të mbrojtjes dhe menaxhimin e burimeve financiare;
- planifikimin, përgatitjen, stërvitjen e pajisjen e forcave, për t'i bërë të ndërveprueshme dhe të afta për veprime ndërkombëtare;
- zhvillimin e sistemeve të komandimit, të drejtimit, të komunikimit e të njoftimit të të dhënave në Forcat e Armatosura dhe të infrastrukturave ushtarake.

Neni 25

Shtabi i Përgjithshëm plotësohet me oficerë të forcave tokësore, detare dhe ajrore, në përputhje me përqindjen që zë secila forcë në numrin e përgjithshme të Forcave të Armatosura.


Neni 26

Në kohë lufte, Shtabi i Përgjithshëm vepron si komandë e Forcave të Armatosura. Përgjegjësitë e Shtabit si komandë e Forcave të Armatosura dhe të komandantit të Forcave të Armatosura për kohë lufte caktohen me ligj të veçantë.

KREU VII

SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM

Neni 27

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është përgjegjës përpara Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes për përgatitjen dhe gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura, për plotësimin me personel, si dhe për drejtimin dhe organizimin e veprimeve ushtarake dhe joushtarake.

Neni 28

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është këshilltari më i lartë ushtarak i Presidentit të Republikës, i Kryeministrit dhe i Ministrit të Mbrojtjes.

Neni 29

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është ushtaraku më i lartë, në gradë e detyrë, në Republikën e Shqipërisë dhe eprori më i lartë ushtarak i të gjithë personelit të Forcave të Armatosura.

Neni 30

1. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm emërohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit. Ai zgjidhet nga radhët e oficerëve me grada madhore të Forcave të Armatosura, në bazë të aftësive profesionale dhe të përvojës.
2. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm bën betimin para Presidentit të Republikës. Formula e betimit është: "Betohem se do t'i bindem Kushtetutës e ligjeve, do t'i shërbej me ndershmëri vendit tim dhe do të mbroj interesat e Republikës së Shqipërisë.".
3. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm caktohet në këtë detyrë për një afat 3vjeçar me të drejtë riemërimi.
Ai mund të lirohet nga detyra vetëm në rastet kur:
plotëson afatin e qëndrimit në detyrë;
b) jep dorëheqjen;
c) shkel Kushtetutën ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës;
ç) është i paaftë nga ana shëndetësore për një periudhë kohe mbi 6 muaj;
mbush moshën për pension pleqërie;
dh) kryen akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
4. Në rastet e lirimit nga detyra, sipas shkronjave "a", "b", "ç" të pikës 3 të këtij neni, ai përfiton trajtim të veçantë. Kriteret dhe masa e këtij përfitimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Për rastet e shkronjave "c" dhe "dh" të pikës 3 të këtij neni, ai nuk përfiton trajtim sipas pikës 4 të këtij neni.

Neni 31

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm drejton Shtabin e Përgjithshëm dhe ka këto detyra dhe përgjegjësi:
Miraton doktrinat ushtarake të forcave tokësore, detare dhe ajrore.
Miraton planet e veprimeve të njësive ushtarake të të tria shërbimeve: tokësore, detare dhe ajrore, për kohë paqeje.
Paraqet te Ministri i Mbrojtjes projektin për strukturën, numrin dhe organizimin e Forcave të Armatosura.
I propozon Ministri të Mbrojtjes:
planet afatgjata të zhvillimit dhe të modernizimit të Forcave të Armatosura dhe programet e veçanta në fushën e mbrojtjes, që kërkojnë mbështetje financiare;
shpërndarjen e buxhetit të Forcave të Armatosura;
tabelat e organizimit e të pajisjeve të njësive ushtarake;
listën e njësive ushtarake që do të mbajnë flamuj luftarakë;
modelin e uniformës ushtarake, të gradave dhe të shenjave në uniformën ushtarake.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm përfaqëson Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në organizmat ushtarakë ndërkombëtarë.
Jep stimuj, medalione e shenja sipas përgjegjësive që i janë caktuar nga Ministri i Mbrojtjes.

Neni 32

Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm është ndihmësi i drejtpërdrejtë i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Ai zgjidhet nga radhët e ushtarakëve me gradë madhore.

Neni 33

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm jep urdhra dhe udhëzime të karakterit ushtarako-administrativ brenda kompetencave të tij.

KREU VIII

KOMANDANTI I FORCËS

Neni 34

Komandimi dhe drejtimi i drejtpërdrejtë i forcave tokësore, detare e ajrore realizohet nga komandanti i secilës forcë.

Neni 35

1. Komandanti i forcës përgjigjet për gjendjen, përgatitjen, mobilizimin, gatishmërinë luftarake, drejtimin operacional për zhvillimin e doktrinës , të parimeve të operacioneve, të planifikimit e të programimit dhe të pajisjes e të modernizimit të forcës.



2. Komandanti i forcës jep urdhra dhe udhëzime të karakterit ushtarako-administrativ brenda kompetencave të tij.

Neni 36

Komandanti i forcës (shefi i shërbimit) është këshilltari më i lartë kryesor ushtarak i Ministrit të Mbrojtjes dhe i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm për forcën që drejton. Komandanti i forcës raporton edhe drejtpërdrejt te Ministri i Mbrojtjes.

Neni 37

Komandanti i forcës (shefi i shërbimit) ka këto detyra dhe përgjegjësi:
- Paraqet te Shefi i Shtabit të Përgjithshëm doktrinën e forcës që drejton.
- Miraton manualet e luftimit dhe të teknikës për forcën që drejton.
- Paraqet planet afatgjata dhe programet vjetore për forcën që drejton.
- Paraqet planin e veprimeve të forcave nën komandë për kohë paqeje, gjendje të jashtëzakonshme dhe për gjendje lufte.
- Paraqet projektet për strukturën e forcës që drejton dhe propozon ndryshimet e mundshme.
- Paraqet projektbuxhetin vjetor të forcës.
- Paraqet projektprogramet e përgatitjes dhe për kualifikimin e personelit brenda dhe jashtë vendit.
- Paraqet propozime për dekorime.
- Jep stimuj, medalione e shenja për vartësit, sipas rregulloreve të përcaktuara.
- Propozon dekorimin dhe gradimin jashtë radhe të personelit vartës.

Neni 38

Detyrat dhe përgjegjësitë e komandantëve, në nivel brigade deri në nivel toge, përcaktohen me rregullore të veçanta.

KREU IX

PREFEKTI

Neni 39

Prefekti, me cilësinë e tij si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark, përgjigjet për organizimin e mbrojtjes së popullsisë dhe të pronës nga fatkeqësitë natyrore, ekologjike dhe nga dëmtimet e luftës.

Neni 40

Prefekti përgjigjet për organizimin dhe realizon mobilizimin e përgjithshëm të burimeve për luftë dhe për përballimin e gjendjeve të fatkeqësive, si dhe rekrutimin e shtetasve për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe lajmërimin e rezervistëve në rast kushtrimi luftarak dhe stërvitjeje.





Neni 41

Prefekti bashkëpunon me Forcat e Armatosura që veprojnë në qarkun e tij për mbrojtjen e popullsisë, për evakuimin, për shërbimin shëndetësor, për mbrojtjen nga zjarri, si dhe për përballimin e gjendjes në raste fatkeqësish të ndryshme.

Neni 42

Prefekti i propozon këshillit të qarkut nxjerrjen e urdhëresave e të vendimeve me fuqi detyruese për qarkun, për çështjet e organizimit të mbrojtjes së popullsisë dhe të plotësimit të detyrimeve të tjera ndaj nevojave të luftës dhe të përballimit të gjendjes së shkaktuar nga fatkeqësitë.

Neni 43

Ligji nr.8467, datë 31.3.1999 "Për kompetencat e Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe i Këshillit të Sigurimit Kombëtar" dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 44

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.



Shpallur me dekretin nr.2793, date 17.11.2000 te Presidentit te Republikes se Shqiperise Rexhep Meidani






























Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 0 10260007





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme




digitalb
spitaliamerikan

as