marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 8750
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 26.03.2001
Data e aprovimit te Aktit: 26.03.2001
Numri i neneve: 32
Numri i fletores zyrtare: 14
Data e fletores zyrtare: 13.04.2001
Aktiviteti: Lendet Psikotrope
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Ky ligj përcakton normat për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope, si dhe të përdorimit të paligjshëm të substancave kimike bazë e të prekursorëve, që përdoren për prodhimin e substancave të sipërpërmendura.
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:L I G J

Nr.8750, datë 26.3.2001

PËR PARANDALIMIN DHE LUFTËN NDAJ TRAFIKUT TË SUBSTANCAVE NARKOTIKE OSE PSIKOTROPE


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K UV E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1

Ky ligj përcakton normat për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope, si dhe të përdorimit të paligjshëm të substancave kimike bazë e të prekursorëve, që përdoren për prodhimin e substancave të sipërpërmendura.

Neni 2

Përkufizime

Në zbatim të këtij ligji termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Blerje e stimuluar" kuptohet rasti kur oficeri ose agjenti i Policisë Gjyqësore, i zyrës së luftës kundër drogës ose një personi i autorizuar prej tyre blen substanca narkotike ose psikotrope, substanca kimike bazë, prekursorë, duke fshehur bashkëpunimin me policinë ose cilësinë e tij si punonjës policie.
2. "Dorëzim i kontrolluar" kuptohet veprimtaria e karakterizuar nga përdorimi i metodave gjurmuese-hetimore, për të lejuar kalimin në territorin e një ose më shumë shteteve të substancave narkotike ose psikotrope, të prekursorëve ose substancave të tjera zëvendësuese të tyre, të dërguara në mënyrë të paligjshme, të cilat mbahen nën kontrollin e autoriteteve policore të vendeve të sipërpërmendura për të identifikuar personat e përfshirë në kryerjen e veprave penale, të parashikuara në paragrafin e parë të nenit 3 të Konventës së Vjenës të vitit 1988, si dhe në ligjin shqiptar.
3."Kultivim" kuptohet veprimtaria e kryer për prodhimin e bimëve që përmbajnë substanca narkotike ose psikotrope, ose që mund të përdoren për nxjerrjen e substancave narkotike ose psikotrope.
4. "Prekursor" kuptohet substanca e nevojshme, që përdoret për prodhimin e substancave narkotike ose psikotrope; ajo vetë bëhet pjesë e molekulës së prodhimit përfundimtar. Prokursorë janë ata që përcaktohen nga tabelat A dhe B, që i bashkëlidhen këtij ligji. Tabelat integrohen, modifikohen dhe azhurnohen nga Ministria e Shëndetësisë.
5. "Punonjës i policisë i infiltruar" kuptohet oficeri ose agjenti i Policisë Gjyqësore, i shërbimit të luftës kundër drogës ose një person i autorizuar prej tyre, i cili, për një hetim të Policisë Gjyqësore, futet në brendësi të një organizate kriminale, për të individualizuar pjesëtarët e organizatës dhe për të mbledhur prova në ngarkim të tyre, duke fshehur bashkëpunimin me policinë ose cilësinë si punonjës policie.
6. "Punonjës i policisë nën mbulim" kuptohet oficeri ose agjenti i Policisë Gjyqësore, pjesëtar i shërbimit të luftës kundër drogës ose personi i autorizuar prej tyre, që merr pjesë në përdorimin e metodave të "blerjes së stimuluar" e "dorëzimit të kontrolluar", duke fshehur bashkëpunimin me policinë ose cilësinë e tij si punonjës policie.
7. "Substancë narkotike ose psikotrope" kuptohet çdo substancë, qoftë me origjinë natyrore ose sintetike, që figuron në tabelat I, II, III të ligjit nr. 7975, datë 26.7.1995 "Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope". Tabelat modifikohen, integrohen dhe azhurnohen nga Ministria e Shëndetësisë.
8. "Tabelë" kuptohet lista e hartuar për substancat për të cilat bëhet fjalë në nenin 1.
9. "Trafik i paligjshëm" kuptohet tërësia e veprimeve dhe e mosveprimeve të përcaktuara në pjesën e Kodit Penal që trajton veprimtaritë e paligjshme në fushën e drogës.

Neni 3

Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit


Krijohet Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës, nën drejtimin e Kryeministrit.
Në përbërje të këtij Komiteti janë: Ministri i Rendit Publik, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Financave, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Shëndetësisë, Ministri i Punëve dhe Çështjeve Sociale, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Pushtetit Vendor, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror.
Komiteti mblidhet të paktën 2 herë në vit dhe ka për detyrë të përcaktojë drejtimet e politikës së përgjithshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të parandalimit dhe të luftës kundër prodhimit e përhapjes së paligjshme të substancave të sipërpërmendura, të promovojë fushata për të bërë të njohura efektet negative të drogës, masat e parandalimit, asistencën shëndetësore dhe të dhënat epidemiologjike dhe statistikore, rehabilitimin dhe integrimin e toksikodipendentëve. Komiteti administron sistemin e mbledhjes së të dhënave kombëtare, që lidhen me aspekte të luftës ndaj drogës, të cilat jepen çdo vit nga secila ministri.
Në mbledhjet e këtij Komiteti mund të thirren për të marrë pjesë edhe ministra të tjerë, si dhe specialistë të fushave të ndryshme.
Për realizimin e veprimtarisë së tij, Komitetit Kombëtar i Bashkërendimit ka një sekretari, drejtuesi i së cilës emërohet nga Kryeministri, i cili merr pjesë në mbledhjet e Komitetit.
Sekretaria përbëhet nga një staf i përhershëm specialistësh, që përcaktohen nga ministritë, anëtare të këtij Komiteti.



Neni 4

Pranë Këshillit të Ministrave krijohet Zyra e Sistemit Kombëtar të të Dhënave për Drogën, e cila është në varësi të drejtuesit të Sekretarisë së Komitetit Ndërministror të Bashkërendimit.
Zyra kryen përpunime dhe analiza për:
a) përbërjen e popullsisë që përdor drogën me referim tipologjinë e substancave të përdorura;
b) zonat e kultivimit, burimet dhe rrugët e trafikut të brendshëm e ndërkombëtar të substancave narkotike ose psikotrope dhe të prekursorëve;
c) veprimtaritë e kryera dhe rezultatet e arritura nga forcat e policisë në luftën kundër kultivimit, trafikut dhe parandalimit;
ç) numrin dhe përfundimet e proceseve penale për krimet në fushën e drogës;
d) numrin e personave të denoncuar për krime në fushën e drogës të kryera në Shqipëri dhe jashtë nga shtetas shqiptarë;
dh) vendndodhjen dhe funksionimin e shërbimeve publike e private, që veprojnë në sektorin e parandalimit, të kurimit dhe të rehabilitimit të personave përdorues të drogës, numrin e subjekteve të rehabilituara dhe që janë përfshirë në veprimtari pune, si dhe tipin e trajtimit të përdorur;
e) numrin e subjekteve juridike e fizike, të autorizuara për prodhimin, shitjen, eksportimin dhe importimin e substancave narkotike ose psikotrope dhe të prekursorëve;
ë) nismat e ndërmarra nga nivele të ndryshme institucionale në fushën e të dhënave, të planifikimit të programeve për parandalimin dhe luftën ndaj drogave;
Zyra ia paraqet rezultatet e punës së vet Komitetit Kombëtar të Bashkërendimit.
Zyra shfrytëzon të dhënat statistikore që i jepen nga qendrat e regjistrimit të këtyre të dhënave pranë çdo ministrie.


Neni 5

Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit, nëpërmjet Kryeministrit, brenda datës 30 mars të çdo viti i paraqet Kuvendit një relacion me të dhënat që kanë të bëjnë me paraqitjen e dukurisë së drogës në Shqipëri, me strategjitë e përshtatura, me objektivat e arritura dhe orientimet e ardhshme të Qeverisë për detyrimet ndërkombëtare.
Kryeministri çdo 3 vjet thërret një konferencë kombëtare për problemet e drogës dhe për parandalimin e luftën ndaj kultivimit e trafikut të paligjshëm.
Në të ftohen të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve publike dhe të organizatave joqeveritare, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre parandalimin dhe riaftësimin e përdoruesve të drogës.

Neni 6

Shërbimi i luftës kundër drogës

Shërbimi i luftës kundër drogës përbëhet nga Shërbimi Qendror në Drejtorinë e Policisë Kriminale dhe zyrat rajonale të luftës kundër drogës në përbërje të drejtorive të policisë në qarqe.
Shërbimi Qendror i Luftës Kundër Drogës (SHQLKD) është organi qendror përgjegjës për trajtimin në mënyrë të unifikuar të veprimtarisë së policisë, që ka të bëjë me parandalimin dhe luftën kundër veprave penale në fushën e drogës.

Neni 7

Për përmbushjen e detyrave të saj SHQLKD-ja informohet me të gjitha të dhënat që kanë të bëjmë me veprimtarinë e policisë në fushën e drogës, si dhe bashkërendon me Policinë Gjyqësore në këtë fushë.
Bashkërendimi i punës me Policinë Gjyqësore rregullohet me akte nënligjore të përbashkëta të Ministrit të Rendit Publik dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Neni 8

Punonjësit e SHQLKD-së kanë përkatësisht atributet e oficerit dhe të agjentit të Policisë Gjyqësore në të gjithë vendin.
Punonjësit e zyrave rajonale të luftës kundër drogës kanë atributet e oficerit ose agjentit të Policisë Gjyqësore në territorin administrativ të qarkut.

Neni 9

SHQLKD-ja, për parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e drogës në nivel ndërkombëtar, mban lidhje të drejtpërdrejtë me shërbime simotra të policive të vendeve të tjera dhe me zyrën e Interpolit.

Neni 10

Ministria e Rendit Publik, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, dy ose shumëpalëshe, mund të dërgojë jashtë territorit të vendit punonjës të SHQLKD-së.
Funksionet, detyrat, përbërja dhe numri i tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


Neni 11

SHQLKD-ja vihet në dijeni për çdo licencë, leje ose autorizim të veçantë, të lëshuar për prodhim, eksportim, importim, përdorim, ruajtje e tregtim të substancave ose të përgatitjeve, sipas nenit 97 të ligjit nr. 7975, datë 26.7.1995 "Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope". Po kështu veprohet për çdo licencë dhe leje, të pezulluar ose të anuluar, sipas neneve 27 dhe 38 të po këtij ligji.


Neni 12

Në rastet e mbërritjeve të ngarkesave me substanca narkotike ose psikotrope që eksportohen, importohen ose tranzitohen në mënyrë të ligjshme, Policia Kufitare dhe doganat duhet të njoftojnë menjëherë Ministrinë e Shëndetësisë dhe SHQLKD-në.

Neni 13

Shërbimi i luftës kundër drogës përdor metodën e "blerjes së stimuluar" me qëllim grumbullimin e provave, identifikimin e arrestimin e personave të përfshirë në trafikun e drogave. Kjo realizohet drejtpërdrejt nga punonjësit e këtij shërbimi ose nëpërmjet personave të tjerë, që veprojnë sipas udhëzimeve të tyre.
Në të gjitha rastet "blerja e stimuluar" bëhet me autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, të prokurorit që ka filluar procedimin penal ose të prokurorit që kanë në juridiksion territorin ku do të zhvillohet ky veprim.
Shpenzimet e blerjes përballohen nga fondi i veçantë që shfrytëzon Policia Kriminale me miratimin e SHQLKD-së.

Neni 14

Shërbimi i luftës kundër drogës përdor metodën e "dorëzimit të kontrolluar" për të grumbulluar prova dhe për të identifikuar autorët e veprave penale në këtë fushë, shkallën e përfshirjes së tyre dhe rolin që ka çdo pjesëmarrës në këtë veprimtari kriminale.
"Dorëzimi i kontrolluar" bëhet me autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, të prokurorit që ka filluar procedimin penal ose të prokurorit që ka në juridiksion territorin ku është zbuluar prania e substancave narkotike e psikotrope ose të prekursorëve.
"Dorëzimi i kontrolluar" mund të jetë i brendshëm, në hyrje, në dalje ose transit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në rastet kur "dorëzimi i kontrolluar" është transit në territorin e Republikës së Shqipërisë, SHQLKD-së i jepet autorizim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe SHQLKD-ja ia komunikon këtë fakt shërbimeve simotra të shteteve të interesuara.
Në rastet e urgjencës së veçantë, SHQLKD-ja dhe zyrat rajonale të luftës kundër drogës mund të fillojnë me nismën e tyre përdorimin e metodës së "dorëzimit të kontrolluar", por pasi të kenë njoftuar prokurorin, i cili mund të vendosë edhe ndryshe.
Në rastet e "dorëzimit të kontrolluar" të brendshëm, bashkërendimi ndërmjet zyrave rajonale të luftës kundër drogës sigurohet nga SHQLKD-ja.
Kur "dorëzimi i kontrolluar" është në dalje të territorit shqiptar, SHQLKD-ja duhet të sigurojë, paraprakisht, miratimin e zyrës së shtetit, ku duhet të mbërrijnë substancat. Kur vendet e interesuara janë më shumë se një, duhet miratimi i të gjithëve këtyre akteve.
Shpenzimet për realizimin e dorëzimit të kontrolluar mbulohen nga Drejtoria e Policisë Kriminale.

Neni 15

Shërbimi i luftës kundër drogës përdor metodën e "punonjësit të policisë nën mbulim" dhe "të infiltruar".
Punonjësit e Shërbimit të luftës kundër drogës ose persona të autorizuar prej tyre, të cilët marrin pjesë në veprimet e "blerjes së stimuluar" dhe "të dorëzimit të kontrolluar" ose në veprimtari të tjera, pajisjen me dokumente identifikimi, të cilat përmbajnë gjeneralitete të pavërteta.
Në rast, kur si pasojë e kësaj veprimtarie, iu kërcënohet jeta, familja ose prona, për këta punonjës zbatohen masa të mbrojtjes së veçantë, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 16

Për të siguruar të dhëna, si dhe për identifikimin e autorëve në trafiqet e drogës, punonjësit e SHQLKD-së, në cilësinë e oficerit e agjentit të Policisë Gjyqësore, kanë të drejtë të bëjnë interceptime të bisedave dhe të komunikimeve me mjete teknike e shkencore, të bëjnë vëzhgime, fotografime e filmime sekrete, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

Neni 17

Në përputhje në nenin 40 të ligjit nr.8553, datë 25.11.1999 "Për Policinë e Shtetit", SHQLKD-ja për parandalimin dhe luftën e trafikut të paligjshëm të substancave narkotike ose psikotrope mund të vendosë të kryhen inspektime dhe kontrolle mbi mjetet e transportit, mbi persona dhe bagazhet e tyre, mbi mallrat në mjediset publike dhe tregtare, në lokalet e lojërave të fatit dhe në ndërtesa ku ka dyshime të bazuara se kryhet ose është duke u kryer veprimtari kriminale në fushën e drogës.

Neni 18

Kur ka dyshime të bazuara se një person në hyrje ose tranzitim në kufirin shqiptar fsheh në trup substanca narkotike ose psikotrope, oficerët e Policisë Gjyqësore procedojnë pa autorizim paraprak, duke bërë kontrollin fizik, në përputhje me nenin 40 të ligjit nr.8553, datë 25.11.1999 "Për Policinë e Shtetit".
Kur kontrolli fizik nuk është i mjaftueshëm, oficerët e Policisë Gjyqësore urdhërojnë kryerjen e ekzaminimeve mjekësore mbi atë person, pasi të kenë marrë pëlqimin me shkrim të tij.
Në rast mospranimi, oficerët e Policisë Gjyqësore i bëjnë kërkesë me shkrim organit të prokurorisë, i cili mund të autorizojë kryerjen forcërisht të ekzaminimeve mjekësore.

Neni 19

Drejtimi i automjeteve ose mjeteve të tjera të transportit, nën veprimin e përdorimit të substancave narkotike ose psikotrope, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Testet dhe ekzaminimet, për të zbuluar nëse një drejtues i mjeteve të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni është nën ndikimin e këtyre substancave, kryhen sipas mënyrës së parashikuar në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 18 të këtij ligji.


Neni 20

Veprimet e parashikuara në nenin 16 të këtij ligji, kur kryhen gjatë përdorimit të metodave të "blerjes së stimuluar", "dorëzimit të kontrolluar" dhe "infiltrimit" ose kur janë të autorizuara nga organi përkatës gjyqësor, në kuadër të një procedimi penal të filluar, vlerësohen prova dhe paraqiten në gjykatë.

Neni 21

SHQLKD-ja kur ka të dhëna të vërtetuara se pasuria e një personi është me prejardhje nga kryerja e veprave penale në fushën e drogës, me autorizim të prokurorisë heton mbi këto të ardhura dhe pasuri të çdo lloji.



Neni 22

Pasuritë e sekuestruara gjatë veprimeve antidrogë të policisë, pas konfiskimit i jepen në pronësi Policisë së Shtetit, me kërkesën e saj.

Neni 23

Personi përdorues i substancave narkotike ose psikotrope që hetohet në gjendje arresti në burg ose që vuan dënimin në burg, trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 24

Personat që bashkëpunojnë në mënyrë të fshehtë ose të hapur me SHQLKD-në janë nën mbrojtjen e veçantë të shtetit. Kur për shkak të këtij bashkëpunimi u kërcënohet jeta, familja e prona merren në mbrojtje të veçantë.
Mënyra e realizimit të kësaj mbrojtjeje përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 25

Në rast se personi që bashkëpunon me SHQLKD-në vritet për shkak të këtij bashkëpunimi, shteti i siguron familjes ndihmë financiare të menjëhershme.
Masa e ndihmës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kur për shkak të këtij bashkëpunimi bëhet i paaftë për të punuar, trajtohet sipas kritereve të përcaktuara në ligj.

Neni 26

Të dhënat, që lidhen me identitetin ose punën që ka bërë personi, i cili bashkëpunon ose ka bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me SHQLKD-në, përbëjnë sekret.

Neni 27

Personat që ndihmojnë me të dhëna ose në mënyra të tjera për zbulimin e krimeve me objekt drogën, si dhe për zbulimin dhe kapjen e autorëve, shpërblehen sipas kritereve të përcaktuara me akte nënligjore.
Dhënia e shpërblimit nuk u jepet personave që i kanë kryer vetë këto krime ose kanë bashkëpunuar për kryerjen e tyre.

Neni 28

Asgjësimi i substancave narkotike ose psikotrope të sekuestruara

Në të gjitha rastet kur substancat narkotike ose psikotrope nuk shërbejnë më për shqyrtimin e çështjes në gjykatë, gjykata urdhëron asgjësimin e tyre.
Asgjësimi i tyre bëhet në prani të prokurorit, të oficerit të Policisë Gjyqësore dhe të personit të autorizuar nga gjykata. Për dokumentimin e këtij veprimi mbahet procesverbal në tri kopje.
Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Rendit Publik dhe Prokuroria e Përgjithshme hartojnë rregulloren e përbashkët për ruajtjen, administrimin dhe teknikat e asgjësimit të substancave narkotike ose psikotrope të sekuestruara.
Në të gjitha rastet e sekuestrimit të bimëve narkotike të kultivuara, asgjësimi i tyre bëhet me procesverbal në vendin ku janë zbuluar, duke mbajtur mostra të bimëve narkotike për ekspertim.
Kur substancat narkotike ose psikotrope janë barna të përdorshme (me konfeksion të rregullt dhe të paskaduara), ato nuk asgjësohen, por i kalojnë në administrim Ministrisë së Shëndetësisë.

Neni 29

SHQLKD-ja i kërkon gjykatës marrjen e mostrave të substancave narkotike ose psikotrope të nevojshme për kryerjen e veprimeve policore dhe për stërvitjen e qenve të drogës, duke motivuar arsyen e kësaj kërkese.
Ministria e Shëndetësisë i kërkon gjykatës nëpërmjet SHQLKD-së mostrat e nevojshme të substancave narkotike ose psikotrope për arsye studimore e shkencore.
Mënyra e asgjësimit të mostrave përcaktohet në rregulloren e përbashkët, sipas paragrafit të tretë të nenit 28.

Neni 30

Ngarkohen Këshilli i Ministrave, Ministri i Rendit Publik, Ministri i Shëndetësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm të nxjerrin akte nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 31

Të gjitha aktet ligjore e nënligjore, që bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 32

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Shpallur me dekretin nr.2963, date 9.4.2001 te Presidentit te Republikës se Shqipërisë Rexhep Meidani







TABELAT E PREKURSORËVE


Tabela A Tabela B


Acid N-acetilantranilik Anhidrid acetik
Efedrinë Aceton
Ergometrinë Acid antranilik
Ergotaminë Eter etil
Izosofrole Acid hidroklorik
Acid lisergjik Metil etil ketonë
3,4-metilenedioksifenil-2-propanonë Acid fenilacetik
1-fenil-2-propanonë Piperidinë
Piperonal Permagant potasi
Pseudoefedrinë Acid sulfurik
Safrole Toluenë

Kripërat e lëndëve të renditura në këtë Kripërat e lëndëve të renditura në këtë
Tabelë kudo që ekzistenca e këtyre tabelë kudo që ekzistenca e këtyre
kripërave është e mundur. kripërave është e mundur (kripërat e
acidit hidroklorik dhe të acidit
sulfurik janë përjashtuar në mënyrë
të veçantë).
















Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 0 103260008





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

as
spitaliamerikan