marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 8789
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 07.05.2001
Data e aprovimit te Aktit: 07.05.2001
Numri i neneve: 41
Numri i fletores zyrtare: 28
Data e fletores zyrtare: 07.06.2001
Aktiviteti: Fondacione
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Ky ligj përcakton procedurat e regjistrimit të organizatave jofitimprurëse, si dhe rregullat për mbajtjen e regjistrit të tyre.
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:L I G J

Nr. 8789, datë 7.5.2001

PËR REGJISTRIMIN E ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i ligjit

Ky ligj përcakton procedurat e regjistrimit të organizatave jofitimprurëse, si dhe rregullat për mbajtjen e regjistrit të tyre.

Neni 2

Baza ligjore

Rregullat për formën e organizimit, të themelimit, të veprimtarisë dhe të funksionimit të organizatave jofitimprurëse përcaktohen me ligj.

Neni 3

Regjistrimi

Shoqatat, fondacionet dhe format e tjera të organizatave jofitimprurëse, që mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe fitojnë cilësinë e personit juridik vetëm pas regjistrimit në gjykatë, caktohen shprehimisht me ligj.

KREU II

MBAJTJA E REGJISTRIT

Neni 4

Gjykata kompetente

Regjistri i Organizatave Jofitimprurëse, në vazhdim i quajtur "Regjistër", mbahet nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.

Neni 5

Gjyqtari i vetëm

1. Vendimi për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse, si dhe çdo vendim tjetër, lidhur me veprimet që lidhen me regjistrimin e tyre, kryhen nga një gjyqtar i seksionit tregtar të gjykatës.
2. Gjyqtari ka të gjitha kompetencat për kryerjen e veprimeve që kanë të bëjnë me Regjistrin, me përjashtim të atyre, që sipas ligjit kryhen nga Sekretari i Regjistrit.

Neni 6

Sekretari i Regjistrit

1. Sekretari i Regjistrit të organizatave jofitimprurëse kryen këto veprime:
a)Kujdeset për mbajtjen dhe administrimin e Regjistrit.
b)Regjistron dhe mban vendimet e gjyqtarit dhe dokumentacionin që i bashkëlidhet.
c)Lëshon vërtetimin e regjistrimit dhe të depozitimit të akteve në Regjistër, si dhe vërtetime të tjera në rastet e parashikuara me ligj.
ç)Lëshon kopje të regjistrimit dhe të dokumenteve të depozituara në shtojcat e Regjistrit. Në rastin kur kërkohet një kopje e shkurtuar e tyre, përmbajtja që i lëshohet kërkuesit, vendoset nga gjyqtari.
2. Në rastet kur Sekretari i Regjistrit kundërshton të lëshojë një dokument me përmbajtje të ndryshuar nga dokumenti i mëparshëm, kërkesa për lëshimin e tij shqyrtohet nga një gjyqtar i Regjistrit. Kundër vendimit të gjyqtarit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
3. Veprimet për regjistrimin, depozitimin, lëshimin e vërtetimeve, të kopjeve të tyre dhe të akteve që mbahen në Regjistër kryhen nga Sekretaria e Regjistrit, kundrejt pagesës së tarifave të shërbimit. Tarifat e shërbimit caktohen me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.

Neni 7

Njohja e Regjistrit

Regjistri dhe dokumentet e depozituara në shtojcën e Regjistrit janë të hapura për publikun. Çdo person i interesuar ka të drejtë të marrë kopje të dokumentacionit të Regjistrit kundrejt pagesës së tarifës të shërbimit.

Neni 8

Publikimi i njoftimeve ligjore

Këshilli i Ministrave, brenda muajit nëntor të çdo viti, cakton mjetet e publikimit të njoftimeve ligjore, lidhur me Regjistrin për vitin e ardhshëm kalendarik.


KREU III

FORMA DHE PËRMBAJTJA E REGJISTRIT

Neni 9

Skedarët e Regjistrit

Regjistri mbahet në skedarë. Forma e Regjistrit, përmbajtja, si dhe rregullat teknike për mbajtjen e tij caktohen nga Ministri i Drejtësisë.

Neni 10

Shtojca dhe dosjet e Regjistrit

1. Vendimi i gjyqtarit, veprimet e Sekretarit të Regjistrit, si dhe dokumentacioni i bashkëlidhur për çdo skedë të Regjistrit mbahen në një dosje të veçantë. Tërësia e dosjeve të Regjistrit përbën shtojcën e tij.
2. Dokumentacioni që mbahet në shtojcën e Regjistrit duhet të jetë origjinal. Gjyqtari, me kërkesë të palës së interesuar, mund të vendosë që asaj t'i kthehet dokumenti origjinal, pasi të jetë zëvendësuar me kopje të vërtetuara nga noteri publik.

Neni 11

Rregullshmëria

Veprimet në Regjistër duhet të bëhen në mënyrë të qartë dhe, si rregull, pa shkurtime. Nuk lejohet asnjë veprim që asgjëson, fshin ose që i bën të palexueshme veprimet në Regjistër.

Neni 12

Skeda e Regjistrit

1. Çdo organizatë jofitimprurëse regjistrohet me një numër të veçantë regjistrimi, që përmban një a më shumë skeda në Regjistër.
2. Ndryshimi i emrit të organizatës jofitimprurëse regjistrohet në të njëjtën skedë të Regjistrit. Për të dalluar më qartë subjektin, emri i ri mund të regjistrohet së bashku me të gjitha regjistrimet e mëparshme që janë ende të vlefshme, me një numër të ri regjistrimi dhe në një skedë të re të Regjistrit. Në këtë rast, në çdo skedë jepet referenca me skedën tjetër.


Neni 13

1.Çdo regjistrim bëhet në një numër të ri rendor dhe të ndarë nga regjistrimi pasardhës me një vijë horizontale që kalon në të gjitha kolonat e Regjistrit.
2.Në rastin e disa regjistrimeve të njëkohshme, ato bëhen në një numër rendor të vetëm.

Neni 14

Data e regjistrimeve

Për çdo regjistrim shënohet data e regjistrimit. Data e regjistrimit dhe vendi i saj në Regjistër tregohen në vendimin e gjyqtarit që urdhëron regjistrimin dhe hapjen e dosjes përkatëse të Regjistrit.

Neni 15

Ndryshimi i regjistrimeve

Ndryshimet e përmbajtjes së një regjistrimi dhe prishjet me nënvizim duhet të regjistrohen me një numër rendor të ri. Gjyqtari vendos për nënvizimin e një regjistrimi që ka humbur rëndësinë e tij për shkak të një regjistrimi të ri.
Njëkohësisht me regjistrimin nënvizohet edhe shënimi që lidhet me prishjen me nënvizim.


Neni 16

Korrigjimet e gabimeve të shtypit

1. Gabimet e shtypit dhe gabimet e dukshme materiale të kryera gjatë regjistrimit dhe depozitimit, korrigjohen me vendim të gjyqtarit dhe pasqyrohen në kolonën 5 me titullin "Shënime". Shënimi që përmban korrigjimin nënshkruhet nga Sekretari i Regjistrit, duke treguar edhe datën e korrigjimit.
2. Korrigjimi në Regjistër duhet t'u njoftohet të interesuarve.
3. Nënvizimi i bërë gabimisht mënjanohet duke prishur nënvizimin me kryqe të vogla.

Neni 17

Regjistrimi mbi bazën e një vendimi gjyqësor

Në Regjistër duhet të tregohet qartë rasti kur regjistrimi i një subjekti bëhet me vendim të formës së prerë të gjykatës. Në të njëjtën kolonë të Regjistrit regjistrohet edhe numri, data dhe gjykata që ka dhënë vendimin.

Neni 18

Prishja me nënvizim e regjistrimeve të paligjshme

Në rastin kur, për shkak të shkeljes së ligjit, vërehet ose shpallet pavlefshmëria e një regjistrimi të bërë në Regjistër, ky regjistrim duhet të prishet me nënvizim, me kërkesën e të interesuarit ose kryesisht nga gjykata. Vendimi i gjyqtarit për të prishur me nënvizim një regjistrim u njoftohet palëve të interesuara. Kundër vendimit të gjyqtarit, pala e interesuar mund të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Neni 19

Prishja me nënvizim ose regjistrimi kryesisht nga gjykata

1. Nëse një regjistrim duhet të prishet me nënvizim nga gjykata në zbatim të nenit 18 të këtij ligji, prishja bëhet duke regjistruar shënimin "Prishur me iniciativë dhe kompetencë".
2. Në rastet kur duhet të bëhet një regjistrim me iniciativë dhe kompetencë, ai duhet të pasqyrojë bazën ligjore dhe shënimin "Regjistruar me iniciativë dhe kompetencë", me përjashtim të rastit të fillimit të procedurës së shlyerjes të dëmit ose të likuidimit në rrugë gjyqësore.

Neni 20

Krijimi i një skede të re të Regjistrit

Kur një skedë e Regjistrit nuk është e qartë, regjistrimet që mbeten të vlefshme mund të kopjohen në një skedë të tij të re, me një numër të ri regjistrimi, pasi të jetë marrë pëlqimi i subjektit të interesuar. Në këtë rast, në çdo skedë të Regjistrit jepet referenca me skedën tjetër.

Neni 21

Skeda të Regjistrit të mbetura pa objekt

Në faqet e skedës së Regjistrit bëhet shënimi me kryq në rastet kur të gjitha regjistrimet që përmbahen në to kanë mbetur pa objekt.

KREU IV

PROCEDURA E REGJISTRIMIT DHE E PUBLIKIMIT

Neni 22

Kërkesa për regjistrim dhe depozitim

1. Regjistrimi i organizatave jofitimprurëse, si dhe depozitimi i akteve të tjera të tyre në Regjistër bëhet me kërkesë të subjektit të interesuar.
2. Kërkesa duhet të përmbajë shpjegime lidhur me formën dhe qëllimin e organizatës jofitimprurëse, me objektin e veprimtarisë së saj, me identitetin e themeluesve dhe drejtuesve të saj, me strukturën e organeve drejtuese, me vendndodhjen e selisë, si dhe me identitetin e personave përfaqësues ligjorë të saj.
3. Kërkesës për regjistrim ose depozitim të akteve në Regjistër i bashkëlidhet dokumentacioni përkatës në origjinal ose i vërtetuar nga noteri.

Neni 23

Përjashtimi i një gjyqtari

Gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga shqyrtimi i kërkesës për regjistrim ose depozitim në rastet e parashikuara në nenin 72 të Kodit të Procedurës Civile.
Për heqjen dorë dhe përjashtimin e gjyqtarit nga shqyrtimi i kërkesës zbatohen nenet 73 dhe 74 të Kodit të Procedurës Civile.

Neni 24

Vendimi i gjyqtarit

1. Gjyqtari vendos për kërkesat e regjistrimit ose të depozitimit, brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës në gjykatë.
2. Në rastin kur gjatë shqyrtimit të kërkesës dhe të dokumentacionit të bashkëlidhur, gjyqtari vëren se përmbajtja e tyre nuk është e plotë, pasi thërret dhe dëgjon kërkuesin, vendos për çështjet që duhen plotësuar, duke caktuar edhe një afat të arsyeshëm për plotësimin e tyre.
3. Vendimi për regjistrimin jepet nga gjyqtari edhe në rastin kur një gjykatë tjetër ka marrë vendim për kryerjen e këtij veprimi.

Neni 25

Mospranimi i kërkesës për regjistrim

1. Mospranimi i kërkesës për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse në Regjistër bëhet me vendim të gjyqtarit kompetent për Regjistrin.
2. Kundër vendimit të gjyqtarit për mospranimin e kërkesës për regjistrim mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Neni 26

Përmbajtja e vendimit të regjistrimit

Vendimi i gjyqtarit për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse, përveç elementeve të tjera të vendimit të gjyqtarit, duhet të përmbajë në mënyrë të plotë çështjet që duhet të pasqyrohen në Regjistër.

Neni 27

Ekzekutimi i vendimit të regjistrimit

1. Vendimi i gjyqtarit për regjistrim ose depozitim në Regjistër ekzekutohet nga Sekretari i Regjistrit jo më vonë se tri ditë pune nga data që vendimi ka marrë formë të prerë.
2. Në përfundim të ekzekutimit të vendimit, Sekretari i Regjistrit nënshkruan procedurat e ndjekura, si dhe vërtetimin e regjistrimit ose të depozitimit.

Neni 28

Kopjet e Regjistrit

1. Kopjet bëhen duke kopjuar skedën e Regjistrit ose dokumente të depozituara në shtojcën e Regjistrit. Kopjet e thjeshta nuk nënshkruhen dhe pajisen me shënimin "Kopje e bërë në datën¿".
2. Vërtetimi i njësimit me origjinalin për dokumentet bëhet me një shënim të vendosur poshtë regjistrimit të fundit të kopjes, me tekstin: "Vërtetohet njësimi i kopjes me regjistrimet origjinale në Regjistrin e Shoqatave, Fondacioneve dhe Enteve të tjera me karakter privat jofitimprurës".
3. Shënimi duhet të tregojë vendin dhe datën e bërjes së veprimit, nënshkruhet nga Sekretari i Regjistrit dhe mban vulën e gjykatës.
4. Kur kërkohen kopje të vërtetuara me origjinalin e dokumenteve të depozituara në shtojcën e Regjistrit, shënimi i Sekretarit të Regjistrit duhet të tregojë nëse dokumenti kryesor është origjinal ose kopje e vërtetuar me origjinalin.

Neni 29

Vërtetime dhe dëshmi

Vërtetimet e regjistrimit dhe depozitimit nënshkruhen nga Sekretari i Regjistrit, duke treguar vendin e datën e lëshimit, si dhe mbajnë vulën e gjykatës.

Neni 30

Njoftimi i shkakut të prishjes me nënvizim

Në rast prishjeje me nënvizim të regjistrimit, shkaku i prishjes me nënvizim mund të publikohet me kërkesën e të interesuarit dhe miratimin e gjyqtarit.

KREU V

REGJISTRIMET NË SKEDËN E REGJISTRIT

Neni 31

Regjistrimet në kolona të ndryshme

Regjistrimet në kolona të ndryshme të skedës së Regjistrit bëhen si më poshtë:
1. Në kolonën 1: numri rendor i regjistrimit përkatës.
2. Në kolonën 2:
në shkronjën (a): emri;
në shkronjën (b): vendndodhja e qendrës; për degët dhe përfaqësitë, vendndodhja e qendrës kryesore në Shqipëri, duke vendosur shënimin "degë e¿", ose "përfaqësi e¿", me emrin e personit juridik dhe vendndodhjen e qendrës së saj;
në shkronjën (c): objekti dhe qëllimi i veprimtarisë dhe ndryshimet përkatëse;
në shkronjën (ç): në rastin e fondacionit: përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues.
3. Në kolonën 3: anëtarët e organeve drejtuese dhe likuiduesit, duke dhënë në çdo rst emrin, mbiemrin, vendlindjen dhe datëlindjen e tyre.
4. Në kolonën 4: regjistrime të tjera si:
a) data e nënshkrimit dhe e miratimit të statutit;
b) dispozitat e statutit që lidhen me kohëzgjatjen e organizatës;
c) kompetencat e përfaqësimit të organeve drejtuese ose të likuiduesve;
ç) ndryshimet në përbërjen e anëtarëve të organeve drejtuese ose likuiduesve, si dhe çdo ndryshim në kompetencat e përfaqësimit të njërit prej këtyre personave;
d) emrat, mbiemrat, vendlindjet dhe datëlindjet e themeluesve, të anëtarëve të organizatës, si dhe ndryshimet e tyre;
dh) emrat, mbiemrat, datëlindjet dhe vlera e kontributeve pasurore të fondit themelues (nëse ka të tilla);
e) çdo ndryshim i statutit. Përsa i përket regjistrimit, mjafton të tregohet në mënyrë të përgjithshme objekti i ndryshimit; në këtë rast duhet të jepet referencë në kolonën 5 me titullin: "Shënime, të dokumentit të depozituar në shtojcën e Regjistrit dhe të faqes së skedës ku ndodhen dokumentet";
ë) fillimi i veprimtarisë së subjektit, mbyllja e saj ose hapja e një procedure për shlyerjen e dëmit ose për likuidimin në rrugë gjyqësore;
f) shpërndarja dhe mënyra e realizimit të saj;
g) bashkimi ose ndarja, si dhe prishja me nënvizim e shënimeve në Regjistër.
5. Në kolonën 5:
në shkronjën (a): data e regjistrimit dhe nënshkrimi i Sekretarit të Regjistrit;
në shkronjën (b): regjistrimi i referencave për regjistrimet e mëvonshme, tregimi i numrit të regjistrimit të një personi juridik, i cili është anëtar themelues ose themelues i një organizate, si dhe shënime të tjera.

Neni 32

Vendimi i deklaruar si i pavlefshëm

Vendimi i formës së prerë të një gjykate, nëpërmjet të cilit një vendim i organeve drejtuese të organizatës është deklaruar si i pavlefshëm, duhet të regjistrohet me një shënim që tregon vendimin e pavlefshëm në kolonën e skedës së Regjistrit, ku ka qenë regjistruar ai vendim.

Neni 33

Bashkimi

1. Në rastet e bashkimit, regjistrimet që u përkasin organizatave të përthithura, prishen me nënvizime gjatë regjistrimit të bashkimit. Për organizatën përthithëse jepet referenca në kolonën 5 me titullin "Shënime", në skedën e Regjistrit që i përket organizatave të përthithura dhe anasjelltas.
2. Në rastet e ndarjes, regjistrimet që i përkasin organizatës së ndarë, prishen me nënvizime gjatë regjistrimit të ndarjes. Për organizatat që përfitojnë kontributet, jepet referenca në kolonën 5 me titullin "Shënime", në skedën e Regjistrit që i përket organizatës së ndarë dhe anasjelltas.




KREU VI

PROCEDURA QË LIDHET ME REGJISTRIN

Neni 34

Pezullimi i procedurës për një vendim që i përket Regjistrit

Gjykata mund të pezullojë vazhdimin e procedurës për zbatimin e një vendimi për Regjistrin, kur kjo varet nga vlerësimi i një situate ligjore që është objekt i një procedure gjyqësore. Përsa kohë që kjo procedurë nuk ka filluar, gjykata mund t'i caktojë një afat njërit prej të interesuarve, për të nisur instancën gjyqësore.

Neni 35

Vendim për përmbushjen e një detyrimi ligjor

Gjykata mund të urdhërojë personin e interesuar që të përmbushë, brenda një afati të caktuar prej saj, detyrimin për të depozituar në shtojcën e Regjistrit nënshkrimin ose një dokumentacion tjetër të kërkuar sipas ligjit.

KREU VII

FORMALITETE TË VEÇANTA PËR T'U RESPEKTUAR NGA ORGANIZATAT JOFITIMPRURËSE

Neni 36

Projekti i bashkimit ose i ndarjes

1. Projekti i bashkimit ose i ndarjes së organizatave jofitimprurëse përgatitet bashkërisht nga organet drejtuese të tyre.
2. Projekti duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:
a) Formën, emrin dhe qendrën e organizatave pjesëmarrëse në projekt.
b) Motivet, qëllime dhe kushtet e bashkimit ose të ndarjes.
c) Caktimin dhe vlerësimin e aktivit dhe të pasivit, që është parashikuar t'u kalojnë organizatave të reja ose asaj që përthith ato ekzistuese.
ç) Datën, pas së cilës veprimtaritë e organizatave ekzistuese do të konsiderohen në aspektin e kontabilitetit si të kryera nga organizata përthithëse ose ato të reja.
d) Datat në të cilat janë hartuar llogaritë e organizatave të interesuara, që përdoren për të formuluar kushtet e operacionit.
dh) Raportin e këmbimit të të drejtave ndërmjet organizatave dhe mënyrën e kompensimit të këtyre të drejtave të këmbyera.


Neni 37

Shpallja e projektit të bashkimit ose të ndarjes

1. Projekti i bashkimit ose i ndarjes publikohet në formën e një shpalljeje në një mjet të autorizuar për publikimin e njoftimeve ligjore, nga secila prej organizatave që marrin pjesë në projekt.
2. Kjo shpallje përmban të dhënat e mëposhtme:
a) Emrin e organizatës, adresën e qendrës dhe numrat e regjistrimit në Regjistër të çdo organizate që merr pjesë në projekt.
b) Emrin e organizatës dhe adresën e qendrës së organizatave të reja që do të dalin nga operacioni.
c) Raportin e këmbimit të të drejtave në organizata.
ç) Datën e projektit dhe datën e vendin e depozitimeve.
3. Depozitimi i kërkesës dhe i dokumentacionit në Regjistër dhe publikimi i parashikuar në pikat e përmendura më lart, duhet të bëhen të paktën 15 ditë përpara datës së mbledhjes të organit drejtues për marrjen e vendimit për projektin.

Neni 38

Emërimi i likuiduesve

Emërimi i likuiduesve duhet të regjistrohet në Regjistër. Akti i emërimit dhe shënimi i adresave të likuiduesve depozitohen në shtojcën e Regjistrit. Regjistrimi dhe adresat e likuiduesve publikohen sipas dispozitave të këtij ligji.

Neni 39

Shpallja e mbylljes së likuidimit

1. Shpallja e mbylljes së likuidimit, e firmosur nga likuiduesi dhe nën kujdesin e tij, publikohet në një gazetë të autorizuar për publikimin e njoftimeve ligjore.
2. Në shpallje jepen emërtimi i subjektit, adresa e qendrës së tij, numri i regjistrimit në Regjistër, si dhe:
a) emrat, mbiemrat dhe adresat e banimit të likuiduesve;
b) datat dhe vendi i mbledhjes së organit drejtues kompetent për mbylljen, në qoftë se llogaritë e likuiduesve janë miratuar prej saj;
c) referenca e Regjistrit ku janë depozituar llogaritë e likuiduesve.


KREU VIII

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 40

Riregjistrimi i shoqatave dhe i fondacioneve të regjistruara më parë

1. Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, gjykatat e rretheve gjyqësore janë të detyruara të transferojnë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës aktet e regjistrimit të shoqatave dhe të fondacioneve, si dhe dokumentacionin shoqërues të regjistrimit.
2. Forma dhe përmbajtja e Regjistrit, si dhe rregullat e hollësishme, lidhur me transferimin e akteve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, caktohen nga Ministri i Drejtësisë.

Neni 41

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.



Shpallur me dekretin nr.3017, date 18.5.2001 te Presidentit te Republikës se Shqipërisë Rexhep Meidani




Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0  1.689 105070001





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

GlobeAlbania

digitalb