marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 8677
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 02.11.2000
Data e aprovimit te Aktit: 21.11.2000
Numri i neneve: 19
Numri i fletores zyrtare: 37
Data e fletores zyrtare: 24.11.2000
Aktiviteti: Policia Gjyqesore
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Ky ligj përcakton rregullat e atribuimit të funksioneve të policisë gjyqësore, të funksionimit të shërbimeve dhe seksioneve të policisë gjyqësore.
Amendamente
1 ËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 8677, DATË 2.11.2000 “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E POLICISË GJYQËSORE”, TË NDRYSHUAR
Akte te ngjashem
1 Per nje ndryshim ne ligjin nr. 8677, date 02.11.2000 "Per organizimin dhe funksionimin e policise gjyqesore".
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:L I G J

Nr. 8677, datë 2.11.2000

PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN
E POLICISË GJYQËSORE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i ligjit

Ky ligj përcakton rregullat e atribuimit të funksioneve të policisë gjyqësore, të funksionimit të shërbimeve dhe seksioneve të policisë gjyqësore.

Neni 2

Bazat juridike të organizimit dhe funksionimit të
policisë gjyqësore

Organizimi dhe funksionimi i policisë gjyqësore mbështetet në dispozitat e Kushtetutës, të Kodit të Procedurës Penale, të Kodit Penal, të ligjit "Për Policinë e Shtetit", në dispozitat e këtij ligji dhe në ato të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e policisë gjyqësore.

Neni 3

Detyrat e policisë gjyqësore

Policia gjyqësore është subjekt i procedimit penal që ka për detyrë kryesore të marrë dijeni për veprat penale, të parandalojë pasojat e mëtejshme për shkak të tyre, të kryejë veprime hetimore të plota e të gjithanshme, kryesisht ose me urdhërim a delegim, për zbulimin e autorëve dhe për sigurimin e provave për veprimtarinë e tyre kriminale, si dhe detyra të tjera të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe në dispozita të tjera ligjore, me qëllim zbatimin e ligjit penal.

Neni 4

Varësia e policisë gjyqësore

1. Në ushtrimin e detyrave dhe të funksioneve të saj, policia gjyqësore është në varësi dhe drejtohet e kontrollohet nga prokurori.
2. Gjykata ngarkon dhe urdhëron policinë gjyqësore për kryerjen e detyrave procedurale nëpërmjet prokurorit.
3. Oficeri dhe agjenti i policisë gjyqësore është i detyruar të përmbushë në çdo rast detyrimet që lidhen me funksionin e policisë gjyqësore edhe në rastet si vijon:
a) kur nuk shërben në një shërbim të policisë gjyqësore;
pavarësisht nga territori dhe rrethana ku ndodhet;
gjendet jashtë kohës së kryerjes së shërbimit.

Neni 5

Ushtrimi i funksionit të policisë gjyqësore

1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, në rolin e lartë ose të mesëm, ushtron funksionin e oficerit të policisë gjyqësore, ndërsa ai i rolit bazë ushtron funksionin e agjentit të policisë gjyqësore. Punonjësi i Policisë së Shtetit i rolit madhor nuk ushtron funksione të policisë gjyqësore.
2. Oficeri dhe agjenti i forcave të tjera policore dhe i institucioneve publike ushtron përkatësisht funksionin e oficerit ose agjentit të policisë gjyqësore nëse ligji u njeh një funksion të tillë dhe mënyrën e parashikuar prej tij.










KREU II

SHËRBIMET E POLICISË GJYQËSORE

Neni 6

Shërbimet e Policisë Gjyqësore

1. Në kuptim të nenit 31 të Kodit të Procedurës Penale, janë shërbime të policisë gjyqësore të gjitha njësitë e Policisë së Shtetit, të policive dhe institucioneve të tjera publike, të cilave, sipas ligjit, organi kompetent u ngarkon detyrën parësore dhe të vazhdueshme të kryerjes së funksioneve të parashikuara në nenin 30 të këtij Kodi.
2. Oficeri që drejton shërbimet e policisë gjyqësore përgjigjet përpara prokurorit që drejton hetimin për zbatimin e detyrave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe në dispozita të tjera ligjore nga oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore që varen prej tij.
3. Në rastet kur shërbimi i policisë gjyqësore është organizuar dhe ushtron funksionet e tij në shtrirje territoriale kombëtare ose në kompetencën territoriale të më shumë se një gjykate, oficeri drejtues i këtij shërbimi përgjigjet për çështjet e hetimit përpara prokurorit të prokurorisë, që drejton hetimin sipas kompetencës tokësore a lëndore të përcaktuar për këtë të fundit në bazë të Kodit të Procedurës Penale.
4. Në të gjitha rastet e tjera, oficeri drejtues përgjigjet përpara prokurorit të prokurorisë ku ndodhet qendra e shërbimit të policisë gjyqësore.
5. Oficerët drejtues të shërbimeve të policisë gjyqësore, sipas kritereve dhe afateve të paragrafit të mësipërm, duhet t'i paraqesin prokurorit të prokurorisë kompetente listën e emrave, rolin dhe gradën përkatëse të oficerëve që bëjnë pjesë në shërbimet e policisë gjyqësore. Në rastin e transferimeve në detyrë tjetër dhe të zëvendësimeve përkatëse, ky njoftim duhet të bëhet jo më vonë se dhjetë ditë përpara kryerjes së këtyre veprimeve.
6. Transferimi në një detyrë tjetër ose ngritja në detyrë e drejtuesve të shërbimeve të policisë gjyqësore bëhet nga titullari përkatës i policisë, pasi të ketë marrë pëlqimin paraprak të Prokurorit të Përgjithshëm a të prokurorit që i është deleguar kjo e drejtë prej tij. Kundërshtimi i Prokurorit të Përgjithshëm duhet të jetë i motivuar dhe nuk mund të bëhet në rastet e gradimit të drejtuesve të shërbimeve të policisë gjyqësore.
7. Kërkimi i pëlqimit praprak të Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me ngritjen në detyrë, rol ose gradë, duhet të kërkohet deri në në dy vjet nga data kur drejtuesi i shërbimit të policisë gjyqësore është transferuar ose nuk ushtron më funksione të tilla.



Neni 7

Organizimi i shërbimeve të policisë gjyqësore

1. Organi kompetent i policisë, në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore organike, është përgjegjës dhe kujdeset për ngritjen e shërbimit të policisë gjyqësore pranë çdo vendndodhje, ku kanë qendrën zyrat përkatëse të prokurorisë, si dhe për plotësimin me përbërjen dhe numrin organik të nevojshëm për përmbushjen e funksioneve të tyre.
2. Organi kompetent, në rastet dhe mënyrat e parashikuara me ligj, si dhe në varësi të organizimit të pushtetit gjyqësor dhe të prokurorisë për ndjekjen e formave të veçanta të kriminalitetit, përgjigjet dhe kujdeset për ngritjen dhe funksionimin e shërbimeve të posaçme të policisë gjyqësore.

KREU III

SEKSIONET E POLICISË GJYQËSORE

Neni 8

Seksionet e policisë gjyqësore

1. Seksionet e policisë gjyqësore krijohen në prokuroritë pranë gjykatës së shkallës së parë. Në përputhje me ligjin, krijohen seksione të posaçme të policisë gjyqësore edhe në prokuroritë pranë gjykatave të tjera të sistemit gjyqësor.
2. Seksionet e policisë gjyqësore pranë prokurorive përbëhen nga oficerë dhe agjentë të policisë gjyqësore të caktuar nga titullarët kompetentë të policive dhe institucioneve të tjera publike, si dhe nga juristë.
3. Në përbërjen e seksionit të policisë gjyqësore, jo më pak se gjysma e numrit organik të tyre, janë oficerë të policisë gjyqësore. juristët, me cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, mund të përbëjnë jo më shumë se një të katërtën e numrit organik të seksionit të policisë gjyqësore.
4. Sipas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm, për kryerjen e hetimeve në çështje të posaçme që kërkojnë specializim të veçantë, titullarët e policisë a të institucionit publik përkatës vënë në dispozicioin të prokurorit kompetent për hetimin, për gjithë periudhën e nevojshme të hetimit të posaçëm, oficerë ose agjentë të policisë gjyqësore që janë specialistë të fushave përkatëse. Personat e caktuar sipas kësaj pike nuk përfshihen në organikën e seksionit të policisë gjyqësore.
5. Organika e seksioneve të policisë gjyqësore përcaktohet në përputhje me nevojat dhe kërkesat për luftën kundër kriminalitetit, duke mbajtur parasysh numrin e prokurorëve, si dhe të personelit të policëve në shërbim pranë çdo njësie territoriale, ku ushtron kompetencën prokuroria përkatëse.
6. Prokurori i Përgjithshëm, në bashkërendim me Ministrin e Rendit Publik, Ministrin e Drejtësisë dhe ministrat që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore, çdo dy vjet caktojnë organikën për çdo seksion të policisë gjyqësore, përbërjen policore, si dhe numrin përkatës të personelit që duhet të caktohet nga secila forcë policore.
7. Ministrat kompetentë, brenda gjashtëdhjetë ditëve nga përcaktimi i organikës së seksioneve të policisë gjyqësore, janë të detyruar të bëjnë plotësimin e numrit organik përkatës të oficerëve dhe agjentëve, të parashikuar për seksionet e policisë gjyqësore.




Neni 9

Drejtimi i seksioneve të policisë gjyqësore

1. Në ushtrimin e funksioneve të policisë gjyqësore, seksionet e policisë gjyqësore janë në varësi të titullarit të prokurorisë pranë së cilës janë ngritur. Ky i fundit, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e prokurorëve dhe gjykatës, drejton dhe bashkërendon veprimtarinë e seksionit të policisë gjyqësore.
2. Prokurori i një shkalle më të lartë ka në dispozicion të gjitha seksionet e policisë gjyqësore, që veprojnë në territorin përkatës në kompetencë të tyre.
3. Në seksionet e policisë gjyqësore, oficeri me gradë a kualifikim më të lartë, si rregull, është përgjegjës për oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore, që i përkasin policisë a institucionit ku ata bëjnë pjesë.

Neni 10

Kushte për caktimin si oficer dhe agjent në seksionet e policisë gjyqësore

1. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore nuk mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në seksione të policisë gjyqësore në rastet kur:
në ngarkim të tyre ka të dhëna ose procedime penale ose policore;
b) kanë zhvilluar veprimtari të policisë gjyqësore duke mos respektuar rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe kërkesat e ligjshme të prokurorit kompetent;
c) kanë pasur procedime disiplinore në zbatim të dispozitave që rregullojnë veprimtarinë e policisë përkatëse;
ç) kanë manifestuar qëndrime dhe marrëdhënie jokorrekte me pjesëtarë të personelit policor, si dhe jashtë detyrës së tyre.
2. Oficerët e policisë gjyqësore të efektivave të Policisë së Shtetit, duhet të kenë arsimin e lartë policor, ndërsa ata të organeve të tjera duhet të kenë arsimin e lartë juridik ose profesional të posaçëm në fusha të tjera të veçanta që lidhen me hetimin e veprave penale.
3. Agjentët e policisë gjyqësore duhet të jenë të paktën me arsim të mesëm.

Neni 11

Caktimi, transferimi dhe largimi nga seksionet
e policisë gjyqësore

1. Ministri që ka në kompentecë forcën policore, menjëherë pas përcaktimit të organikës për çdo seksion të policisë gjyqësore ose të njoftimit për vende vakante në to, shpall konkurrimin për plotësimin e tyre, në të cilin mund të marrin pjesë oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore, që përmbushin kushtet e parashikuara në nenin 9 të këtij ligji.
2. Brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së konkurrimit, oficeri dhe agjenti policor i interesuar për të punuar në seksionet e policisë gjyqësore, paraqet kërkesën përkatëse në shërbimin a komandën ku bëjnë pjesë, duke bashkëlidhur dokumentacionin që provon plotësimin e kushteve të pranimit.
3. Në çdo rast, kërkesa duhet të ketë të bashkëlidhur të dhënat vetjake të kandidatit dhe të dokumentit që vërteton se ai ka ushtruar veprimtari të policisë gjyqësore për një periudhë së paku dy vjeçare në pesë vitet e fundit të punës.
4. Në rastet kur numri i kërkesave të paraqitura nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar vendet vakante, të shpallura ose për të mundësuar miratimin nga Prokurori i Përgjithshëm, ministrat që kanë në kompetencë forcat policore, i dërgojnë këtij të fundit, për miratim dhe caktim përfundimtar një listë me kandidatë prej jo më pak se tre personash për çdo vend të paplotësuar, të përzgjedhur prej tyre ndërmjet oficerëve dhe agjentëve që përmbushin kushtet e pranimit në seksione të policisë gjyqësore.
5. Ministri që ka në kompetencë forcën policore, brenda 60 ditëve nga shpallja e konkurrimit, bën një vlerësim paraprak të kandidaturave të paraqitura dhe i paraqet Prokurorit të Përgjithshëm një renditje nominative të tyre, sipas kushteve dhe aftësive që zotërojnë, si dhe të nevojave të forcës policore.
Vlerësimi paraprak i kandidaturave bëhet nga një komision i përbashkët i Ministrisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Përbërja e komisionit dhe procedurat e seleksionimit, caktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
6. Lista e kandidaturave të paraqitura duhet të ketë bashkëlidhur kërkesën dhe dokumentacionin vetjak të të interesuarve.
7. Brenda 30 ditëve nga miratimi i Prokurorit të Përgjithshëm dhe dërgimi i kërkesës së tij nominale, Ministri, që ka në kompetencë forcën e policisë ku bën pjesë kandidati, e cakton në seksionin përkatës të policisë gjyqësore.
8. Juristët, në përbërje të seksioneve të policisë gjyqësore, caktohen në detyrë nga Prokurori i Përgjithshëm.
9. Largimi i oficerëve dhe agjentëve të seksioneve të Policisë Gjyqësore bëhet nga organi kompetent i forcës përkatëse policore sipas kërkesës së motivuar të prokurorit që drejton seksionin, pasi të ketë informuar Prokurorin e Përgjithshëm.
10. Transferimi, qoftë edhe i përkohshëm, i oficerëve dhe agjentëve të seksioneve të Policisë Gjyqësore bëhet sipas kërkesës së motivuar të organit kompetent të forcës policore, pasi të ketë marrë mendimin paraprak dhe pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm a të prokurorit që i është deleguar kjo e drejtë prej tij. Kundërshtimi i Prokurorit të Përgjithshëm duhet të jetë i motivuar dhe nuk mund të bëhet në rastet e ngritjes në detyrë, rol ose të gradimi të oficerëve dhe agjentëve të Policisë Gjyqësore.
11. Kërkimi i pëlqimit paraprak të Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me ngritjen në detyrë, rol ose gradë, duhet të kërkohet deri në dy vjet nga data kur oficeri a agjenti i Policisë Gjyqësore është transferuar ose nuk ushtron më funksione të tilla.






Neni 12

Pozita juridike dhe karriera e oficerëve dhe agjentëve
të seksioneve të policisë gjyqësore

1. Pozita juridiko-administrative dhe karriera e oficerëve dhe agjentëve të seksioneve të policisë gjyqësore, përveç kur është parashikuar ndryshe në këtë ligj, rregullohen nga legjislacioni përkatës për policinë ku ata bëjnë pjesë.
2. Oficerët dhe agjentët e seksioneve të policisë gjyqësore, me kërkesë a miratim të drejtuesit të seksionit, mund të përjashtohen nga përdorimi i uniformës dhe, në çdo rast, duhet të jenë të pajisur me një distinktiv të numërtuar, që mbahet me vete dhe vendoset përmbi uniformë.
3. Oficerët dhe agjentët e seksioneve të policisë gjyqësore nuk mund të ngarkohen me detyra që nuk kanë lidhje me veprimtari të policisë gjyqësore, që i janë caktuar ose deleguar nga prokurori kompetent, përveç rasteve të urgjencës ose për nevoja të stërvitjes, për të cilat është njoftuar dhe marrë pëlqimi i drejtuesit të prokurorisë pranë së cilës funksionon seksioni i policisë gjyqësore.

KREU IV

PËRGJEGJËSIA E OFICERËVE DHE AGJENTËVE TË POLICISË GJYQËSORE

Neni 13

Drejtimi dhe kontrolli

1. Ushtrimi i veprimtarisë së policisë gjyqësore nga oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori, sipas rregullave të caktuara në Kodin e Procedurës Penale.
2. Drejtuesit dhe strukturat përgjegjëse të policive, të ngarkuara me ushtrimin e funksioneve të policisë gjyqësore, kanë për detyrë të përmbushin dhe mbështetin realizimin e këtyre funksioneve dhe mbajnë përgjegjësi, sipas ligjit për çdo pengim të saj.
3. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore, lidhur me të dhënat dhe ecurinë e hetimit, duhet të përgjigjen dhe të raportojnë vetëm te prokurori kompetent.

Neni 14

Përgjegjësia e oficerëve dhe agjentëve të policisë gjyqësore

1. Përveç kur përbëjnë vepër penale, janë shkelje e disiplinës në ushtrimin e detyrës nga oficerët dhe agjentët e shërbimeve dhe të seksioneve të policisë gjyqësore veprimet dhe mosveprimet si vijon:
a) raportimi i të dhënave mbi hetimin jashtë zyrës së prokurorit;
b) fshehja e të dhënave ose mosnjoftimi në gjykatë ose prokurori për kryerjen e një vepre penale, në përpuhje me afatet dhe mënyrën e parashikuar në Kodin e Procedurës Penale;
c) moskryerja, kryerja me vonesë ose ekzekutimi i pjesshëm i një urdhri të ligjshëm të gjykatës a prokurorit, që lidhet me ushtrimin e funksioneve të policisë gjyqësore;
ç) kryerja e veprimeve dhe mosveprimeve të tjera në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
2. Procedimi disiplinor kundër oficerit a agjentit të policisë gjyqësore që akuzohet për shkelje të rëndë të disiplinës në ushtrimin e këtyre funksioneve, fillon nga prokurori i prokurorisë, që drejton seksionin e policisë gjyqësore ku ai bën pjesë ose ku ndodhet qendra e shërbimit të policisë gjyqësore.
3. Për fillimin e procedimit disiplinor, prokurori kompetent njofton menjëherë Ministrin që ka në kompetencë forcën policore dhe drejtuesin e shërbimit të policisë gjyqësore ose të njësisë a repartit të forcës policore, ku bënte pjesë oficeri dhe agjenti i policisë gjyqësore.
4. Për shkelje të tjera disiplinore, të ndryshme nga ato të treguara në pikën 1 të këtij neni, prokurori kompetent njofton menjëherë Ministrin që ka në kompetencë forcën policore dhe drejtuesin përkatës të shërbimit të policisë gjyqësore, ku bën pjesë oficeri dhe agjenti i policisë gjyqësore, të cilët procedojnë sipas dispozitave ligjore përkatëse.

Neni 15

Procedimi disiplinor

1. Oficeri ose agjenti i policisë gjyqësore që akuzohet për shkelje të rëndë të disiplinës në ushtrimin e funksioneve të policisë gjyqësore, njoftohet me shkrim për shkaqet, faktet dhe dispozitat e shkelura për të cilat procedohet me masë disiplinore, për të drejtën e tij për të përgatitur mbrojtjen, si dhe për datën e zhvillimit të gjykimit disiplinor.
2. Oficeri ose agjenti i policisë gjyqësore, që i nënshtrohet procedimit disiplinor, brenda 10 ditëve nga ajo e zhvillimit të gjykimit disiplinor, mund të paraqesë mbrojtjen e tij me shkrim, dokumente, si dhe të kërkojë thirrjen dhe dëgjimin e dëshmitarëve.
3. Gjykimi disiplinor përbëhet nga një komision që kryesohet nga një prokuror i prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë kompetente për territorin dhe nga dy oficerë të policisë gjyqësore. Anëtarët e komisionit caktohen për një afat njëvjeçar, përkatësisht nga drejtuesi i prokurorisë pranë gjykatës kompetente dhe nga drejtuesi rajonal i forcave policore ku bën pjesë oficeri ose agjenti, që kërkohet t'i nënshtrohet procedimit disiplinor.
4. Akuza kundër oficerit ose agjentit të policisë gjyqësore bëhet nga prokurori që ka kërkuar procedimin disiplinor ose një zëvendësues i caktuar prej tij.
5. Oficeri ose agjenti, që i nënshtrohet procedimit disiplinor, ka të drejtën e mbrojtjes me një mbrojtës të zgjedhur ndërmjet pjesëtarëve të forcës së tij policore ose avokatëve.
6. Vendimi i komisionit jepet në përfundim të procedimit disiplinor, gjatë së cilës prokurori që bën akuzën dhe personi që kërkohet të ndëshkohet paraqesin provat e tyre. Në rast të mendimeve të ndryshme, komisioni vendos me shumicë votash.
7. Kundër vendimit të komisionit disiplinor, lidhur me masat disiplinore të parashikuara në shkronjat "b" e "c" të pikës 10 të këtij neni, prokurori ose personi i ndëshkuar kanë të drejtën e ankimit në gjykatë.
8. Komisioni disiplinor ose gjykata, gjatë gjykimit të çështjes, mund të vendosin pezullimin nga ushtrimi i funksioneve të policisë gjyqësore të oficerit dhe agjentit të akuzuar.
9. Vendimi përfundimtar i ndëshkimit disiplinor dhe ai i pezullimit në ushtrimin e funksioneve të policisë gjyqësore ekzekutohen menjëherë nga drejtuesi kompetent i forcës policore, ku bën pjesë oficeri ose agjenti i proceduar.
10. Masat disiplinore kundër oficerit ose agjentit fajtor të policisë gjyqësore, sipas rëndësisë së shkeljes disiplinore, janë si vijon:
vërejtje me paralajmërim;
b) pezullim nga marrëdhëniet e punës për një periudhë deri në gjashtë muaj;
c) largim nga detyra.
11. Me ndëshkimin disiplinor, oficerët dhe agjentët e seksioneve të policisë gjyqësore largohen nga seksioni i policisë gjyqësore, ndërsa për ata të shërbimeve të policisë gjyqësore zbatohen dispozitat ligjore që rregullojnë veprimtarinë e forcës policore ku bëjnë pjesë.

KREU V

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 16

Riorganizimi i policisë gjyqësore

1. Brenda muajit dhjetor të vitit 2000 të përfundojë riorganizimi dhe funksionimi i shërbimeve dhe seksioneve të policisë gjyqësore pranë prokurorive, në përputhje me rregullat e caktuara në këtë ligj.
2. Titullarët e forcave policore dhe të institucioneve të tjera publike, që ushtrojnë atribute të policisë gjyqësore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet t'i paraqesin Prokurorit të Përgjithshëm listën e emrave, rolin dhe gradën përkatëse të oficerëve që drejtojnë shërbimet e policisë gjyqësore.

Neni 17

Dispozita zbatuese

Prokurori i Përgjithshëm, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Rendit Publik, si dhe ministrat që kanë në kompetencë forca policore që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore, bashkërisht ose veçmas, nxjerrin urdhra dhe udhëzime në zbatim të neneve 5, 6, 7, 10, 11, 14 dhe 15 të këtij ligji, si dhe lidhur me çështjet si vijon:
a) Shkëmbimi i informacioneve ndërmjet seksioneve dhe shërbimeve të policisë gjyqësore për çështje që lidhen me bashkërendimin e luftës dhe gjendjen e kriminalitetit.
b) Planifikimi, bashkëredimi dhe organizimi e veprimtarive stërvitore, edukuese dhe trajnuese për oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore.
c) Bashkërendimi dhe organizimi i veprimtarisë së shërbimeve dhe të seksioneve të policisë gjyqësore për zbatimin e detyrave procedurale nga ana e oficerëve dhe agjentëve të tyre.

Neni 18

Shfuqizimi i akteve

Dekreti nr.1188, datë 10.8.1995 "Për policinë gjyqësore" shfuqizohet.

Neni 19

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Shpallur me dekretin nr.2798, date 20.11.2000 te Presidentit te Republikes se Shqiperise Rexhep Meidani





Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0  2.314 11020001





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

GlobeAlbania

digitalb