marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Tipi i Aktit: Vendim i GJK
Numri i Aktit: 42
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 19.07.2012
Data e aprovimit te Aktit: 19.07.2012
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 95
Data e fletores zyrtare: 07.08.2012
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Gjykata Kushtetuese
Pershkrimi i Aktit: Pranimin e kërkesës. - Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor si rezultat i mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 23, datë 1.3.2011 të Gjykatës së Apelit
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

VENDIM
Nr. 42, datë 19.7.2012
NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga:
Bashkim Dedja Kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Vladimir Kristo Anëtar i “ “
Vitore Tusha Anëtare e “ “
Sokol Berberi Anëtar i “ “
Altina Xhoxhaj Anëtare e “ “
Fatmir Hoxha Anëtar i “ “
Admir Thanza Anëtar i “ “
me sekretare Edmira Babaj, në datë 22.5.2012, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen nr. 15 Akti që i përket:
KËRKUESE: Valbona Paluka
SUBJEKT I INTERESUAR: Zyra e Përmbarimit Tiranë në mungesë; Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, përfaqësuar nga Kristaq Profkola, me autorizim.
OBJEKTI: Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë.
BAZA LIGJORE: Nenet 42, 131/f, 134/g të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; Nenet 6 dhe 41 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut; Nenet 27 e 28, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.


GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes Admir Thanza, kërkuesen që kërkoi pranimin e kërkesës, përfaqësuesin e subjektit të interesuar, Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit që kërkoi rrëzimin e kërkesës, dhe pasi shqyrtoi çështjen në tërësi,


VËREN:
I
Rrethanat e çështjes
1. Kërkuesja Valbona Paluka ka qenë në marrëdhënie pune pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në detyrën e drejtores së përgjithshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
2. Mbështetur në materialet e dosjes dhe në vendimet gjyqësore bashkëngjitur kërkesës rezulton se kërkueses, mbi bazën e aktit nr. l, datë 16.02.2010 të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit i është dhënë masa disiplinore “largim nga shërbimi civil”.
3. Mbi bazën e ankesës së kërkueses, Komisioni i Shërbimit Civil, me vendimin nr. 127, datë 25.11.2010, ka vendosur pranimin e pjesshëm të ankesës së kërkueses duke ndryshuar masën disiplinore nga “largim nga shërbimi civil” në masën disiplinore “vërejtje me shkrim”, kthimin e kërkueses në pozicionin e mëparshëm të punës, si dhe pagimin e pagës për të gjithë kohën, duke filluar nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare, deri në zbatimin e këtij vendimi.
4. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 23 datë 1.3.2011, vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 127, datë 25.11.2011 të Komisionit të Shërbimit Civil.
5. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (në Dhomë Këshillimi), me vendimin nr. 00-2011-986, datë 23.6.2011, vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur nga pala paditëse Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ndaj vendimit nr. 23, datë 1.3.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
6. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 28 datë 24.3.2011, ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit për vendimin nr. 23, datë 1.3.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
7. Zyra e Shërbimit Përmbarimor pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë, me shkresë nr. 4386 datë
11.4.2011, ka lajmëruar Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për ekzekutim vullnetar, ndërsa me shkresat nr. 6552, datë 13.6.2011 dhe nr. 8314, datë 28.7.2011 e ka lajmëruar atë për ekzekutim të detyruar. Po kështu, kjo zyrë, me shkresën nr. 8314, datë 28.7.2011, i është drejtuar po kësaj Ministrie me kërkesë për ekzekutimin e titullit ekzekutiv.
8. Në përgjigje të këtyre shkresave Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me shkresën nr. 3923/1, datë 6.9.2011, i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit dhe Zyrës së Përmbarimit Tiranë, se bazuar në pikën 49 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 474, datë 16.6.2011 “Për përcaktimin e standardeve e të procedurës që duhet të ndiqet gjatë hartimit dhe miratimit të strukturave organizative të institucioneve të administratës publike” ai ka detyrimin ligjor të rishikimit të strukturës organizative të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe, në këto kushte, ekzekutimi i vendimit të kërkueses nuk mund të bëhet, ndërsa, për sa i përket detyrimit për pagimin e pagës, është i detyruar të zbatojë vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 472, datë 2.7.2011”Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore”.
9. Kërkuesja, nëpërmjet një ankese ndaj përgjigjes së Sekretarit të Përgjithshëm, i është drejtuar Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për dijeni Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Kryetares së Kuvendit, Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit, Departamentit të Administratës Publike.
10. Nga Zyra e Përmbarimit Tiranë është vazhduar ekzekutimi i detyrueshëm, duke kryer një sërë aktesh dhe veprimesh përmbarimore. Konkretisht, me shkresat nr. 9224 prot., datë 8.9.2011 dhe nr. l0335 prot., datë 30.9.2011, Zyra e Përmbarimit Tiranë i ka ripërsëritur kërkesën Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për ekzekutimin e titullit ekzekutiv; me shkresën nr. 13096 prot., datë 7.12.2011 ka urdhëruar Degën e Thesarit Tiranë për vendosjen e masës së sekuestros
konservative; me shkresën nr. 2645 prot., datë 16.3.2012 i ka kërkuar kësaj Ministrie që të bëjë ekzekutimin e menjëhershëm të titullit ekzekutiv duke informuar shkresërisht për masat që do të merrnin për ekzekutimin e titullit ekzekutiv; me shkresën nr. 3686 prot., datë 8.4.20l2 i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Degës së Thesarit Tiranë që të informonin për masat e marra prej tyre për ekzekutimin e vendimit të dhënë në favor të kërkueses.
11. Në përgjigje të këtyre shkresave Dega e Thesarit Tiranë, me shkresat nr. 3020 prot., datë
8.11.2011 dhe 3440/ 2, datë 18.1.2012, ka informuar Zyrën e Përmbarimit Tiranë se kjo degë, me urdhër të brendshëm, ka vendosur bllokimin e fondeve buxhetore në artikullin 602 të institucionit debitor, Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
12. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me shkresën nr. 125 datë 6.3.2012, ka vënë në dijeni Degën e Thesarit Tiranë mbi grafikun e likuidimeve gjyqësore, duke u shprehur se mbështetur në shkresën nr. 10 355, datë 30.9.2011, të Zyrës së Përmbarimit Tiranë, për kërkuesen do të likuidohet çdo muaj vlera 10.000 lekë, likuidim që ka filluar të ekzekutohet.
13. Kërkuesja, nëpërmjet kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pretendon cenimin e së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë, për arsye se:
a) Detyrimi që buron nga vendimi gjyqësor i formës së prerë i dhënë në favor të saj për “kthimin në pozicionin e punës si drejtore e përgjithshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit” në mënyrë të paarsyeshme dhe të pajustifikuar është vonuar dhe nuk është zbatuar prej subjektit të interesuar, Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. VKM nr. 474, datë 16.6.2011 dhe VKM nr. 472, datë 2.7.2011 nuk përbënin pengesë për ekzekutimin e këtij vendimi gjyqësor.
Funksioni i saj në administratën publike në kohën e hyrjes në fuqi të këtyre akteve normative nënligjore nuk rezultonte i paplotësuar.
Kërkueses ende nuk i është ofruar nga subjekti i interesuar asnjë funksion tjetër administrativ në përputhje me strukturën e re të miratuar.
b) Vonesa e ekzekutimit të detyrimit “të pagimit të pagës për të gjithë kohën, nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare, deri në zbatimin e këtij vendimi” prej subjektit të interesuar, Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ka qenë arbitrare, e paarsyeshme dhe e pajustifikuar, pasi gjatë gjithë vitit financiar 2011, vit në të cilin ka lindur ky detyrim, fondi i pagës së funksionit të kërkueses ka qenë i planifikuar në buxhetin e Ministrisë dhe pagesa ka qenë e mundur të
paguhej deri në fund të këtij viti, pasi ka pasur fond të mjaftueshëm për këtë pagesë. Mënyra dhe masa e ekzekutimit të këtij detyrimi, e caktuar në mënyrë diskrecionale prej këtij subjekti, është jo proporcionale, e paarsyeshme dhe e pajustifikuar në raport me vetë masën e plotë të vlerës.
14. Subjekti i interesuar Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, kërkoi rrëzimin e kërkesës duke parashtruar këto prapësime:
a) Çdo vonesë eventuale në ekzekutimin e vendimit gjyqësor nuk ka ardhur si pasojë e pengesave të qëllimshme, të paarsyeshme dhe të pajustifikuara, por për shkak të rrethanave të veçanta objektive që nuk kanë dëmtuar thelbin e të drejtës së kërkueses, pasi vendimi gjyqësor është duke u ekzekutuar. Si rrjedhim, nuk jemi përpara cenimit të së drejtës themelore për një proces të rregull ligjor si pasojë e mosekzekutimit të një vendimi gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm. Pamundësia e përkohshme dhe ngadalësia e ekzekutimit ishin si pasojë e nxjerrjes dhe e zbatimit të VKM-së nr. 474, datë 16.6.2011 “Për përcaktimin e standardeve e të procedurës që duhet të ndiqet gjatë hartimit dhe miratimit të strukturave organizative të institucioneve të administratës publike”, VKMsë nr. 472, datë 2.7.2011 “Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore”, dhe VKM-së nr. 355, datë 2.6.1998 “Për procedurat për zbatimin e vendimeve gjyqësore për detyrimet që prekin buxhetin e shtetit”. Këto akte normative nënligjore vendosnin detyrimin mbi këtë subjekt të interesuar për të rishikuar menjëherë strukturën e brendshme të tij në bazë të përcaktimeve të reja.
Miratimi zyrtar i strukturës së këtij subjekti u bë me VKM-në nr. 32, datë 7.3.2012, për pasojë, në momentin e paraqitjes pranë Gjykatës Kushtetuese të kërkesës nga ana e kërkueses, ky subjekt ishte ende në procesin fillestar të zbatimit të kësaj strukture.
Gjithashtu, në kushtet kur në bazë të akteve nënligjore të Këshillit të Ministrave struktura e brendshme e këtij subjekti është ndryshuar, dhe funksioni i kërkueses është suprimuar, pritej të vlerësohej përshtatshmëria e funksioneve të kryera prej kërkueses sipas strukturës së vjetër ku është bazuar vendimi gjyqësor, me funksionet aktuale të strukturave të reja të Ministrisë, të krijuara me vendim të Këshillit të Ministrave gjatë mungesës së saj.
b) Procedura e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të dhënë në favor të kërkueses ka filluar gjatë vitin buxhetor 2011, vit në të cilin fondet nga buxheti i shtetit për llogari të këtij subjekti ishin përcaktuar për zëra dhe detyrime të lindura më parë.
Gjatë vitit 2011 ishte e pamundur të likuidoheshin detyrime të lindura në mënyrë të paparashikuar, pasi një gjë e tillë pengohej prej VKM-së nr. 472, datë 2.7.2011. Likuidimi i këtij detyrimi financiar është përfshirë në zërat buxhetorë përkatës, në llogari të këtij subjekti, të përcaktuar në buxhetin e vitit 2012, me anë të së cilës parashikohen likuidimet e detyrimeve të lindura nga proceset
gjyqësore gjatë vitit 2011. Subjekti i interesuar ka filluar likuidimin e detyrimit financiar që buron prej vendimit gjyqësor të
formës së prerë, sipas grafikut të likuidimeve gjyqësore të përcaktuar në shkresën nr. 125, datë 6.3.2012 të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit drejtuar Degës së Thesarit Tiranë.
Sa më sipër, në vlerësimin e këtij subjekti, afati kohor i nevojshëm për ekzekutimin e këtij vendimi gjyqësor, parë në kompleksitetin e çështjes dhe të sjelljes së tij si autoritet publik, është proporcional, i arsyeshëm dhe i justifikuar dhe që nuk cenon thelbin e së drejtës së kërkueses.

II
Mbi cenimin e së drejtës themelore për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë
15. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata) rithekson se shteti i së drejtës, si një nga parimet themelore të një shoqërie demokratike, përmban në vetvete detyrimin e autoriteteve publike për të vënë në zbatim urdhërimet e vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
16. Në praktikën e saj të vazhdueshme kjo Gjykatë ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke pranuar se: “… parimet kushtetuese lidhur me procesin e rregullt ligjor, për të cilin bën fjalë neni 42/2 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së, si dhe detyrimi për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të parashikuara në nenin 142/3 të Kushtetutës, nënvizojnë faktin se çdo qytetar, i cili i drejtohet një gjykate kompetente për realizimin e një të drejte, nuk mund të presë pa kufi për realizimin e saj ... ekzekutimi i vendimit përbën një element thelbësor të shtetit të së drejtës e të vetë nocionit të gjykimit të drejtë”.
17. Asnjë organ shtetëror nuk mund të vërë në diskutim drejtësinë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Çdo organ shtetëror detyrohet të marrë masat përkatëse për zbatimin e tyre” (vendime nr. 43/2007; nr. 1/2009; nr. 6/2009 të Gjykatës Kushtetuese). Autoritetet shtetërore nuk mund të përmendin mungesën e fondeve si justifikim për të mos respektuar një detyrim financiar që vjen nga një vendim gjyqësor (shih vendimet nr. 1, datë 19.1.2009; nr. 6, datë 6.3.2009, të Gjykatës Kushtetuese). Një vonesë në ekzekutim mund të justifikohet në rrethana të veçanta, por vonesa nuk mund të jetë deri në atë shkallë sa të dëmtojë thelbin e së drejtës (shih vendimin nr. 43, datë 19.12.2007, të Gjykatës Kushtetuese).
18. Gjykata vëren se në rastin në shqyrtim subjektet pjesëmarrëse në këtë gjykim kushtetues, edhe pse pranojnë faktin e vonesës së ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë të dhënë në favor të kërkueses, kanë kundërshti lidhur me efektet juridike që rrjedhin nga aktet nënligjore të Këshillit të Ministrave. Për palën kërkuese, këto akte nuk përbënin pengesë për ekzekutimin e vendimit, përkundrazi, për subjektin e interesuar, vonesa eventuale e ekzekutimit të këtij vendimi gjyqësor është kushtëzuar nga dalja dhe hyrja në fuqi e këtyre akteve.
19. Gjykata në lidhje me këtë çështje çmon të theksojë se, bazuar në nenet 4 dhe 116 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë dhe se dispozitat e saj zbatohen drejtpërdrejt, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Gjithashtu, bazuar në nenin 142/3 të Kushtetutës, organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore.
20. Në vijim të këtyre referimeve, Gjykata vlerëson se prej parashikimeve dhe urdhërimeve të këtyre dispozitave kushtetuese rezulton se, detyrimi i organeve të shtetit për të ekzekutuar vendimet gjyqësore të formës së prerë, buron drejtpërdrejt jo vetëm nga Kushtetuta, por edhe se dispozita kushtetuese (neni 142/3 i saj) në këtë aspekt është e vetëzbatueshme nga organet e shtetit.
21. Si rrjedhim, organet e shtetit nuk mund t’i shmangen përmbushjes së këtij detyrimi të drejtpërdrejtë kushtetues me pretendimin se ekzekutimi i vendimit gjyqësor është bërë i pamundur ose/dhe është vonuar thjesht dhe vetëm për shkak të akteve të tjerave normative që në hierarkinë e akteve, të sanksionuar në nenin 116 të Kushtetutës, vijnë pas Kushtetutës sepse një gjë e tillë do të çonte në cenimin e parimit kushtetues të shtetit të së drejtës, të ndarjes dhe balancimit të pushtetit dhe të së drejtës kushtetuese për një gjykim të drejtë. Për pasojë, asnjë organ i administratës publike nuk mundet që duke ushtruar autoritetin e tij publik, qoftë edhe për realizimin e një qëllimi të ligjshëm publik, të pengojë apo vonojë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë, të dhënë në një gjykim në të cilin ai ka qenë palë. Përkundrazi, këto organe, si çdo subjekt tjetër palë e një gjykimi, kanë të drejtë që
të kundërshtojnë në gjykatë ekzekutimin e detyrueshëm të një vendimi gjyqësor nëpërmjet ushtrimit të mjeteve mbrojtëse të parashikuara nga legjislacioni kombëtar në fuqi, e drejtë kjo që në rastin konkret nuk rezulton që të jetë ushtruar prej subjektit të interesuar Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
22. Gjykata, bazuar në sa më sipër, arrin në konkluzionin se VKM-ja nr. 474, datë 16.06.2011 dhe VKM-ja nr. 472, datë 2.7.2011 nuk përbënin pengesë për ekzekutimin e detyrimit kryesor që buron nga vendimi gjyqësor i formës së prerë, i dhënë në favor të kërkueses për “kthimin e saj në pozicionin e punës”, sepse këto akte normative nënligjore janë nxjerrë pasi kishte lindur detyrimi kushtetues i këtij subjekti të interesuar për të ekzekutuar vendimin gjyqësor. Si rrjedhim, subjekti i interesuar, Ministria e
Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit nuk mund të përdorte autoritetin e tij publik, qoftë edhe për realizimin e një qëllimi të ligjshëm publik, për të penguar apo vonuar ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë të dhënë në një gjykim në të cilin ai kishte qenë palë. Për pasojë, funksioni i kërkueses në administratën publike, në kohën e hyrjes në fuqi të këtyre akteve normative nënligjore, nuk mund dhe nuk duhej të konsiderohej i paplotësuar, dhe çdo vonesë në ekzekutimin e këtij urdhërimi të
vendimit gjyqësor ka ardhur si pasojë e pengesave të paarsyeshme dhe të pajustifikuara të shkaktuara nga subjekti i interesuar, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
23. Gjithashtu, çdo pasojë që mund të lindte nga ristrukturimi eventual që mund të prekte funksionin e kërkueses, për shkak të zbatimit të këtyre akteve nënligjore, gjen rregullimin e saj në nenin 23 të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil” (i ndryshuar) dhe në VKM-në nr. 360, datë 14.7.2000 “Për lirimin nga shërbimi civil”.
24. Përveç sa më sipër, Gjykata vëren se edhe pse afati për përshtatjen e strukturave organizative, sipas standardeve të përcaktuara në këtë akt nënligjor, ka përfunduar, kërkueses ende nuk i është ofruar nga subjekti i interesuar asnjë funksion tjetër administrativ në përputhje me strukturën e re të miratuar.
25. Po kështu, Gjykata, bazuar në faktin që rezultoi në gjykimin kushtetues se gjatë gjithë vitit financiar 2011, vit në të cilin ka lindur detyrimi i ekzekutimit të vendimit gjyqësor, fondi i pagës së funksionit të kërkueses ka qenë i planifikuar dhe i paprekur në buxhetin e Ministrisë, çmon se edhe çdo vonesë e ekzekutimit të detyrimit dytësor të pagimit të pagës në favor të kërkueses prej subjektit të
interesuar, Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ka qenë e paarsyeshme dhe
e pajustifikuar.
26. Pavarësisht se ky detyrim ka filluar të ekzekutohet prej subjektit të interesuar, në vlerësimin e kësaj Gjykate mënyra dhe masa e ekzekutimit të këtij detyrimi për vitin 2012 e në vazhdim, i caktuar
në mënyrë të njëanshme prej këtij organi të pushtetit publik, është jo proporcionale, e paarsyeshme dhe e pajustifikuar në raport me vetë masën e plotë të vlerës së detyrimit në favor të kërkueses, gjë e cila cenon në vetvete thelbin e kësaj të drejte.
27. Si përfundim, Gjykata sa më sipër konstaton se subjekti i interesuar Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, nëpërmjet sjelljes së tij, ka cenuar të drejtën e kërkueses për një proces të rregullt ligjor, të sanksionuar në nenin 42 të Kushtetutës dhe në nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mosekzekutimit, brenda një afati të arsyeshëm, të vendimit gjyqësor të formës së prerë.


PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 131/f të Kushtetutës dhe nenit 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” njëzëri,


VENDOSI:
- Pranimin e kërkesës.
- Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor si rezultat i mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 23, datë 1.3.2011 të Gjykatës së Apelit
Tiranë brenda një afati të arsyeshëm.


- Ky vendim hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Anëtarë: Bashkim Dedja (kryetar), Vitore Tusha, Vladimir Kristo, Altina Xhoxhaj, Sokol
Berberi, Admir Thanza, Fatmir Hoxha.



Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: khoxha
Lexuar: ikub #:
 0  436 1208220124





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


acdurres

spitaliamerikan

dga