ebuy.al
Alexa Alexa
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, BURSAT E SHTETIT DHE PAGESAT E NXËNËSVE E TË STUDENTËVE NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR
Tipi i Aktit: Vendim i KM
Numri i Aktit: 545
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 16.08.2012
Data e aprovimit te Aktit: 16.08.2012
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 121
Data e fletores zyrtare: 18.09.2012
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

VENDIM
Nr. 545, datë 16.8.2012
PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, BURSAT E SHTETIT DHE PAGESAT E NXËNËSVE E TË STUDENTËVE NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2012 -2013


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 57 të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 1 e 5 të ligjit nr. 10 289, datë 17.6.2010 “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 29 të ligjit nr. 8872, datë 29.3.2002 “Për arsimim dhe formim profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 7889, datë 14.12.1994 “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8153, datë 31.10.1996 “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 10 487, datë 5.12.2011 “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave


VENDOSI:
1. Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
2. Përfitojnë bursë nxënësit dhe studentët, brenda kuotave dhe kritereve të përcaktuara në këtë vendim:
2.1 Sipas kriterit ekonomik (nxënës/studentë):
a) nxënësit/studentët që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km e që vendosen në konvikt publik;
c) nxënësit/studentët që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik;
ç) nxënësit/studentët të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik;
d) secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që vendoset në konvikt publik;
dh) fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
2.2 Sipas rezultateve të arritura (nxënës/studentë):
a) nxënësit e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta);
b) nxënësit, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë);
c) studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që kanë mbaruar shkollën e mesme me medalje ari;
ç) studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për vitin akademik 2012-2013, numri i tyre do të jetë 25 (njëzet e pesë) studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për vitin akademik 2012-2013;
d) studentët që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta);
dh) studentët që vazhdojnë studimet në programin e studimit “Matematikë” dhe në programin e studimit “Fizikë”, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë).
2.3 Jashtë kriterit ekonomik (nxënës/studentë):
- Nxënës apo studentë, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
Në fillim të çdo viti akademik, Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Mbrojtjes dërgojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës listën për këtë kategori nxënësish/studentësh.
2.4 Sipas degëve prioritare për zhvillimin e ekonomisë (nxënës):
- Nxënësit që regjistrohen në shkollat e mesme profesionale në degët bujqësore, veterinare, pyjore, ndërtim dhe teknologji informacioni.
Nxënësit me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit: Tropoja, Hasi, Puka, Kukësi, Dibra, Bulqiza, Mati, Mirdita, Malësia e Madhe, Librazhdi, Gramshi, Kolonja, Përmeti, Pogradeci, Skrapari dhe rrethi Tepelenë, kanë përparësi në trajtimin me bursë.
3. Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive të mësipërme, nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur:
a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;
ç) shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
4. Ministria e Arsimit dhe Shkencës harton planin e shpërndarjes së bursave, për drejtoritë arsimore rajonale (DAR) dhe zyrat arsimore (ZA), për vitet e para, sipas kuotave të miratuara (për nxënës/studentë). DAR/ZA-të, pas këshillimit me njësitë e pushtetit vendor, hartojnë planin e shpërndarjes së bursave dhe e dërgojnë në njësitë e pushtetit vendor (bashki/komunë), në përshtatje me kërkesat e paraqitura paraprakisht prej tyre për kategoritë, sipas pikës 2.1.
5. Bashkitë dhe komunat, bazuar në planin e përcaktuar për to nga DAR/ZA-të, vendosin, me këshillat e tyre, për dhënien e bursave, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4 të këtij vendimi, duke u dhënë përparësi nxënësve dhe studentëve nga shtresat sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë ose, në pamundësi, trajtimin me gjysmë burse.
5.1 Bashkitë dhe komunat, detyrimisht, duhet t’u dërgojnë, në rrugë zyrtare, drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore përkatëse vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.
5.2 Drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore duhet të dërgojnë pranë institucioneve të arsimit të lartë, si dhe bashkive/komunave që menaxhojnë konviktet, listën emërore të studentëve dhe të nxënësve bursistë, së bashku me vendimet origjinale të këshillave të bashkive dhe të këshillave të komunave. Një kopje e listës emërore të studentëve dhe nxënësve të trajtuar me bursë dërgohet edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
5.3 Plani i bursave për nxënësit që regjistrohen dhe vazhdojnë studimet në vitin e parë shkollor 2012-2013, në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore, ndërtim dhe teknologji informacioni, jepet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), për bashkinë dhe komunën përkatëse, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit, sipas numrit të nxënësve të regjistruar në këto degë, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin shkollor 2012-2013. Drejtoria arsimore rajonale dhe zyra arsimore, menjëherë, me mbarimin e regjistrimit në këto degë, dërgojnë informacion në MASH për numrin e nxënësve të regjistruar.
6. Bursat e nxënësve për vitin e dytë e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga këshilli i bashkisë dhe i komunës, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Drejtoritë arsimore rajonale paraqesin/dërgojnë zyrtarisht në njësitë vendore kërkesat për miratim burse për nxënësit që përfitojnë bursë sipas shkronjave “a”, “b”e “c” të pikës 2.2 të këtij vendimi Nxënësit që vitin e parë kanë përfituar bursë me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.
6.1 Gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale, nxënësve që kanë përfituar bursë u paguhet bursa paradhënie nga njësia e qeverisjes vendore, me fillimin e praktikës mësimore, në llogarinë bankare të nxënësit/prindit përfitues, pranë bankave të nivelit të dytë apo në zyrat e Postës Shqiptare. Drejtorët e shkollave profesionale e social-kulturore dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive të qeverisjes vendore, informacion për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale për nxënësit që përfitojnë bursë.
6.2 Nxënësit e klasës së 12-të të shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”, Dibër, dhe nxënësit e klasës së 12-të të shkollës së mesme “Havzi Nela”, Kukës, të cilët transferojnë programet e nivelit të dytë në shkollat e mesme profesionale, Shkodër, pra nga njësitë vendore bashkia Peshkopi dhe bashkia Kukës në njësinë vendore bashkia Shkodër, njëkohësisht transferojnë, zyrtarisht, në bashkinë Shkodër, numrin e bursave (listën e nxënësve), që kanë përfituar bursë për vitin shkollor 2011-2012.
6.3 Për nxënësit e tjerë të klasës së 12-të të shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”, Dibër, dhe nxënësit e klasës së 12-të të shkollës së mesme “Havzi Nela”, Kukës, që plotësojnë kriteret ekonomike dhe kriterin e largësisë nga vendbanimi sipas pikës 2.1 “Sipas kriterit ekonomik”, kërkesat e tyre shqyrtohen dhe trajtohen me bursë nga njësia e qeverisjes vendore, bashkia Shkodër.
7. Bursat e studentëve, për vitin e dytë e lart, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët e vitit të dytë e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund të përfitojnë bursë brenda numrit të planit të bursave, të përcaktuara sipas këtij vendimi.
7.1 Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët që përfitojnë bursë, sipas pikës 2.2, është deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2012-2013. Institucionet publike të arsimit të lartë paraqesin në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kërkesat për studentët që përfitojnë bursë sipas shkronjave “ç”, “d” e “dh” të pikës 2.2 të këtij vendimi.
7.2 Ministria e Arsimit dhe Shkencës harton planin e shpërndarjes dhe e dërgon për ekzekutim në institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët që vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.
8. Nga plani i bursave të miratuara për vitin akademik 2012 -2013, bashkisë së Tiranës i jepen deri 15 (pesëmbëdhjetë) bursa për studentët të cilët, pavarësisht nga kriteri i vendbanimit apo kriteret ekonomike, kanë statusin ligjor të jetimit, si dhe statusin e invalidit paraplegjik apo tetraplegjik, ndërsa bashkive të tjera, të cilat në vendndodhjen e tyre territoriale kanë institucione të arsimit të lartë publik, për këtë kategori studentësh, u jepen deri në 5 (pesë) bursa.
9. Nxënësit dhe studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përfitojnë falas veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr. 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë shkollat.
9.1 Nxënësve dhe studentëve që kanë përfituar statusin e jetimit, u sigurohen falas, nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet pas paraqitjes së librezës e të kartës shëndetësore, si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.
9.2 Nxënësit jetimë që vazhdojnë shkollat e mesme a të larta, për periudhën e pushimeve verore, trajtohen me pagesë suplementare që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese, nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.
9.3 Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti me një vakt ushqim (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë.
10. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat dhe numri i bursave për studentët administrohen nga institucionet publike të arsimit të lartë. Bursat përllogariten shpenzime mesatare në ditë dhe paguhen çdo muaj me kalim në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Drejtuesit e fakulteteve dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive/departamentit të financës, të dhëna për frekuentimin e shkollës për studentët që përfitojnë bursë.
10.1 Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga bashkia e komuna, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.
10.2 Nxënësve, të cilët për mungesë kapacitetesh nuk janë vendosur/akomoduar në konvikt, bursa u paguhet çdo muaj nga bashkia/komuna, në llogarinë bankare të nxënësit/prindit përfitues, pranë bankave të nivelit të dytë apo në zyrat e Postës Shqiptare. Drejtorët e shkollave profesionale e social-kulturore dërgojnë zyrtarisht çdo muaj pranë njësive të qeverisjes vendore, informacion për frekuentimin e shkollës për nxënësit që përfitojnë bursë.
11. Niveli/masa e bursës, për nxënësit dhe studentët, jepet sipas pasqyrave nr. 2 e nr. 3 dhe kuota financiare ushqimore ditore jepet sipas pasqyrave nr. 4 e nr. 5, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
12. Ministria e Arsimit dhe Shkencës për vitin e ri akademik 2012-2013, të japë 1650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) bursa për nxënësit dhe 1900 (një mijë e nëntëqind) bursa për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2 të këtij vendimi.
13. Efektet financiare për vitin akademik 2012-2013 të përballohen nga fondet e Buxhetit të Shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për vitin 2012, për pjesën e vitit 2012, si dhe nga fondet e Buxhetit të Shtetit që do të miratohet për vitin 2013, për pjesën e vitit 2013.
14. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para, është data 15 dhjetor 2012, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitin e dytë e lart është data 15 nëntor 2012.
15. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, për raste të veçanta, kur vendimet e këshillave të njësive të qeverisjes vendore dërgohen jashtë afatit të përcaktuar në këtë vendim, ka të drejtë të shqyrtojë dhe të rivendosë në afat përfitimin e bursës për nxënësin/studentin.
16. Vendimet e njësive të qeverisjes vendore dhe ato të institucioneve publike të arsimit të lartë publikohen për komunitetin, median dhe institucionet e tjera vendore apo qendrore.
17. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, DAR/ZA-të, institucionet publike të arsimit të lartë dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.


Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha



Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: khoxha
Lexuar: ikub #:
 0
KUOTA
 814 1209260167





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


Kerkoni Gjeni Prona









| Shto tek te Preferuarat




Spitali Amerikan