marketkonekt
1 0
1
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 8872
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 29.03.2002
Data e aprovimit te Aktit: 29.03.2002
Numri i neneve: 30
Numri i fletores zyrtare: 11
Data e fletores zyrtare: 18.04.2002
Aktiviteti: Arsim
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Arsimi dhe formimi profesional është publik dhe jopublik dhe garantohet nga shteti.
Amendamente
1 Për detyrim shkollor
2 Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 938, datë 11.10.1994 "Për detyrimin shkollor"
3 Për sistemin arsimor parauniversitar
4 PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8872, DATË 29.3.2002 "PËR ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË"
Akte te ngjashem
1 Për nxitjen e punësimit
2 Për sistemin arsimor parauniversitar
3 PËR MIRATIMIN E LISTËS KOMBËTARE TË PROFESIONEVE
4 PËR PROCEDURAT E LICENCIMIT TË SUBJEKTEVE QË KRYEJNË VEPRIMTARI TË FORMIMIT PROFESIONAL
5 PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, BURSAT E SHTETIT DHE PAGESAT E NXËNËSVE DHE TË STUDENTËVE, NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2008-2009
6 PËR PROCEDURËn E SHQYRTIMIT TË KËRKESAVE PËR LICENcIM, TË SUBJEKTEVE QË KRYEJNË VEPRIMTARI TË FORMIMIT PROFESIONAL
7 Për një ndryshim në vendimin nr.998, datë 30.9.2009 të Këshillit të Ministrave “Për kuotat financiare të ushqimit në meNsa e konvikte, bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve dhe të studentëvE, në institucionet arsimore publike, për vitin shkollor 2
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI

L I G J

Nr.8872, datë 29.03.2002

PËR ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi i ligjit

1. Qëllimi i këtij ligji është të mbështesë zhvillimin e një sistemi të përbashkët të
arsimit dhe formimit profesional në Republikën e Shqipërisë, i cili mund t'u përshtatet
ndryshimeve shoqërore, ekonomike e teknologjike, nevojave të tregut të punës, si dhe të
mundësojë një shfrytëzim optimal të burimeve financiare, njerëzore dhe infrastrukturore.
2. Ky ligj vendos parimet themelore, strukturën, organizimin dhe administrimin e
arsimit dhe formimit profesional në Republikën e Shqipërisë, mbështetur në bashkëpunimin e
institucioneve shtetërore, qeveritare me partnerë socialë dhe aktorë të tjerë në fushën e
arsimit dhe formimit profesional.
3. Ky ligj garanton të drejtën e shprehur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë
për arsimim dhe formim profesional gjatë gjithë jetës, mundësinë e kryerjes së arsimimit
fillestar profesional, si dhe të fitimit të njohurive profesionale të nevojshme për punësim,
duke krijuar shanse të barabarta për të gjithë.

Neni 2

Objektivat e arsimit dhe formimit profesional

Ky ligj përcakton objektivat kryesorë të sistemit të arsimit dhe formimit profesional,
të cilat janë:
a) të zhvillojë karakteristikat personale kryesore të individit, të nevojshme për
veprimtarinë e tij të ardhshme profesionale dhe ekzistencën e pavarur brenda një shoqërie
të bazuar në parimet e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut;
b) të përshtatë arsimin dhe formimin profesional në tregun e sotëm dhe të ardhshëm
të punës;
c) të ofrojë dhënien e një kulture profesionale të përgjithshme dhe të një formimi
profesional të specializuar, në përputhje me zhvillimin e shkencës dhe të teknologjisë, si
dhe me kulturën dhe traditën kombëtare;
ç) të krijojë kushte për arsimim dhe formim profesional, me qëllim aftësimin e
individit për t'iu përshtatur ndryshimeve dhe kërkesave të tregut të punës;
d) të rrisë frytshmërinë e përdorimit të infrastrukturës së sistemit të arsimit dhe
formimit profesional.

Neni 3

Arsimi dhe formimi profesional është publik dhe jopublik dhe garantohet nga shteti.

Neni 4

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm nënkuptojnë:
a) "Sistemi i arsimit dhe formimit profesional" është sistemi që përfshin të gjitha masat dhe veprimtaritë e arsimimit profesional e teknik dhe ato të formimit, të riformimit dhe të riaftësimit profesional në tregun e punës, si dhe në institucionet përgjegjëse dhe zbatuese të tyre.
b) "Arsimi profesional" është element i sistemit të arsimit dhe formimit profesional, i cili u jep nxënësve, që kanë përfunduar arsimin e detyruar, arsimimin bazë profesional, si dhe
njohuritë e shprehitë e domosdoshme për një veprimtari të kualifikuar profesionale në nivelin e punëtorit të kualifikuar për një specialitet të dhënë. Arsimi profesional kryhet në shkollat
profesionale, në përputhje me planet dhe programet e miratuara nga Ministria e Arsimit dhe
Shkencës.
c) "Arsimi teknik" është element i sistemit të arsimit dhe formimit profesional, i cili u jep nxënësve, që kanë përfunduar arsimin e detyruar, një arsimim bazë, të gjerë
profesional, si dhe njohuritë dhe shprehitë e domosdoshme për një veprimtari të kualifikuar
profesionale në nivelin e teknikut të kualifikuar, për një specialitet të dhënë. Arsimi teknik
kryhet në shkollat e mesme teknike, në përputhje me planet dhe programet e miratuara nga
Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
ç) "Formimi profesional" është element i sistemit të arsimit dhe formimit profesional, i cili përfshin formimin, riformimin dhe riaftësimin profesional, për fitimin e aftësive të nevojshme profesionale, për t'iu përshtatur kërkesave të tregut të punës.
d) "Institucionet e arsimit dhe formimit profesional" janë ato institucione publike dhe jopublike, të cilat ofrojnë ose mbështesin arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri.
dh) "Ndërmarrja" është çdo subjekt fizik dhe juridik, në të cilën, sipas kushteve të saj, realizohen kurse formimi, formimi nëpërmjet punës dhe ku kryhen praktika profesionale të nxënësve si elementë të procesit të arsimit dhe formimit profesional.
e) "Nxënës" është ai person, që merr arsimim profesional e teknik në një nga shkollat e sistemit të arsimit dhe formimit profesional.
ë) "Kursant" është ai person, që merr pjesë në një program ose kurs të formimit profesional.
f) "Mësues" është ai person, i angazhuar me dhënien e mësimit teorik dhe praktik në institucionet e akredituara të arsimit dhe formimit profesional.
g) "Instruktor" është ai person, i angazhuar me dhënien e mësimit teorik dhe praktik në qendra formimi dhe ndërmarrje të akredituara në arsimin dhe formimin profesional.
gj) "Partnerë socialë" janë organizatat që përfaqësojnë interesat e punëdhënësve dhe
të punëmarrësve, të cilat marrin pjesë në sistemin e arsimit dhe formimit profesional dhe së
bashku me institucionet administrative shtetërore punojnë për zbatimin e këtij ligji.
h) "Partnerë të tjerë" janë dhomat e tregtisë dhe të industrisë, organizatat jofitimprurëse, komunitetet e ndryshme, që marrin pjesë në sistemin e arsimit dhe formimit
profesional dhe së bashku me institucionet administrative shtetërore punojnë për zbatimin
e këtij ligji.
i) "Dëftesa, dëftesa e pjekurisë, certifikata e aftësisë profesionale, dëshmia dhe certifikata e kualifikimit të njohura nga shteti" janë dokumente që vërtetojnë përmbushjen, nga ana e nxënësve dhe e kursantëve, e programeve të miratuara të arsimit dhe formimit profesional.
j) "Qendra e formimit profesional" është enti publik dhe jopublik, në të cilin zhvillohen programe formimi profesional dhe praktika profesionale për nxënësit dhe kursantët, pa qëllim fitimi.

Neni 5

Përfituesit nga ky ligj

Nga ky ligj përfitojnë:
a) të gjithë nxënësit që kanë përfunduar arsimin e detyruar;
b) personat që kanë mbushur moshën 18 vjeç, që janë kërkues pune dhe/ose dëshirojnë të formohen profesionalisht;
c) grupe të veçanta, që dëshirojnë riaftësim profesional, si personat me aftësi të kufizuar, nënat me shumë fëmijë, personat nën 18 vjeç, të papunët afatgjatë, personat nga familje nën nivelin e varfërisë dhe çdo kategori tjetër që do të përcaktohet si e tillë me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 6

Tipat e arsimit dhe formimit profesional

Arsimi dhe formimi profesional përbëhet nga:
a) arsimi profesional;
b) arsimi i mesëm teknik;
c) formimi profesional;
ç) forma të tjera të arsimit dhe formimit profesional që përcaktohen me ligj.
Format e organizimit të tipave të mësipërm të arsimit dhe formimit profesional përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


KREU II

KRITERE TË PËRGJITHSHME

Neni 7

Institucionet e arsimit dhe formimit profesional

Institucionet e arsimit dhe formimit profesional janë:
a) Shkollat profesionale publike dhe jopublike, të nivelit të parë dhe të dytë, të cilat ofrojnë arsimimin teknik të nxënësve pas arsimit të detyruar. Këto shkolla realizojnë përgatitjen profesionale me karakter të theksuar praktik dhe u japin nxënësve arsimimin bazë profesional, si dhe njohuritë dhe shprehitë e domosdoshme për një veprimtari të kualifikuar profesionale në nivelin e punëtorit të kualifikuar për një specialitet të dhënë.
b) Shkollat teknike publike dhe jopublike, të cilat ofrojnë arsimimin teknik të nxënësve pas arsimit të detyruar. Këto shkolla u japin nxënësve një arsimim bazë të gjerë profesional, si dhe njohuritë dhe shprehitë e domosdoshme për një veprimtari të kualifikuar profesionale në nivelin e teknikut të kualifikuar për një specialitet të dhënë.
c) Qendrat dhe kurset e formimit profesional, të cilat organizojnë formim, riformim dhe riaftësim profesional, për fitimin e aftësive të nevojshme profesionale për t'iu përshtatur kërkesave të tregut të punës.
ç) Institucionet e specializuara të arsimit dhe formimit profesional për grupe të veçanta.
d) Ndërmarrjet.
dh) Institucionet e tjera publike dhe jopublike, veprimtaria e të cilave rregullohet me akte të veçanta nënligjore.

Neni 8

Regjistrimi i institucioneve të arsimit dhe formimit profesional

Të gjitha institucionet që ofrojnë arsimin dhe formimin profesional duhet të regjistrohen në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Kriteret dhe rregullat përcaktohen me udhëzim të përbashkët të dy ministrave.

Neni 9

Akreditimi i institucioneve të arsimit dhe formimit profesional

Akreditimi i institucioneve të arsimit dhe formimit profesional bëhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale në përputhje me aftësitë e këtyre institucioneve për të ofruar arsimin dhe formimin profesional. Kushtet dhe kriteret e akreditimit përcaktohen me akte të veçanta nënligjore të Këshillit të Ministrave.

Neni 10

Pranimi në arsimin dhe formimin profesional

1. Në shkollat profesionale dhe në ato të mesme teknike publike dhe jopublike pranohen të gjithë individët që kanë përfunduar arsimin e detyruar dhe kanë marrë dëftesën e lirimit. Kriteret e pranimeve dhe procedurat e regjistrimit vendosen me udhëzim të veçantë të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
2. Në kurset e ndryshme të formimit, të riformimit dhe të riaftësimit profesional publik dhe jopublik, të akredituar, marrin pjesë të rinjtë dhe të rriturit, të cilët pranojnë programet përkatëse të miratuara nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. Procedurat e regjistrimit në formimin publik vendosen me udhëzim të Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale.

Neni 11

Kohëzgjatja në arsimin dhe formimin profesional

1. Arsimi dhe formimi profesional ka kohëzgjatje të ndryshme në varësi të tipit të tij.
2. Arsimi profesional publik dhe jopublik fillon pas mbarimit të arsimit të detyruar dhe sipas niveleve ka këtë kohëzgjatje: niveli i parë vazhdon deri në tre vjet dhe niveli i dytë vazhdon edhe dy vjet të tjerë pas nivelit të parë. Me mbarimin e nivelit të parë, krahas dëftesës së përfundimit të saj, nxënësit pajisen edhe me një certifikatë të aftësimit profesional. Në përfundim të nivelit të dytë, nxënësit marrin dëftesën e pjekurisë, certifikatën e aftësimit profesional dhe u njihet mbarimi i shkollës së mesme dhe mundësia e vazhdimit të shkollës së lartë.
3. Arsimi i mesëm teknik publik dhe jopublik fillon pas mbarimit të arsimit të detyruar dhe vazhdon pesë vjet. Nxënësit që mbarojnë shkollat teknike publike dhe jopublike, krahas dëftesës së pjekurisë marrin edhe certifikatën e aftësimit tekniko-profesional dhe mund të vazhdojnë shkollën e lartë.
4. Formimi profesional publik dhe jopublik zhvillohet nëpërmjet kurseve të formimit, të riformimit dhe të riaftësimit profesional me kohëzgjatje nën tre vjet.
5. Kohëzgjatja në tipa të tjerë të arsimit dhe formimit profesional rregullohet me udhëzim të ministrit që ka në kompetencë tipin e arsimit dhe formimit profesional.

Neni 12

Kalimi nga një tip i arsimit dhe formimit profesional në një tjetër

Ndërrimi i profilit dhe kalimi nga një tip i arsimit dhe formimit profesional në një tjetër bëhet me udhëzim të përbashkët të ministrave përkatës.

Neni 13

Vlerësimi përfundimtar në arsimin dhe formimin profesional

Vlerësimi përfundimtar i nxënësve dhe i kursantëve në arsimin dhe formimin profesional publik dhe jopublik, të akredituar, bëhet në bazë të provimeve, me pjesëmarrjen edhe të partnerëve socialë. Kriteret dhe rregullat e provimeve dhe të testimeve përcaktohen me udhëzim të ministrit përkatës.

Neni 14

Certifikimi

1. Sistemi i certifikimit të njohur nga shteti përfshin:
a) dëftesë, dëftesë përfundimi, dëftesë pjekurie, certifikatë e arsimit profesional, certifikatë e aftësimit tekniko-profesional për nxënësit;
b) dëshmi dhe certifikatë për kursantët.
2. Përmbajtja, forma dhe procedurat e lëshimit të dëftesave dhe të certifikatave për nxënësit përcaktohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, kurse përmbajtja, forma dhe procedurat e lëshimit të dëshmive dhe të certifikatave për kursantët përcaktohen nga ministri përkatës.

Neni 15

Këshillimi dhe orientimi në arsimin dhe formimin profesional

Me këshillimin dhe orientimin në arsimin dhe formimin profesional synohet që të ndihmohen të gjithë shtetasit në zgjedhjen e arsimimit, të profesionit, të formimit, të riformimit dhe të riaftësimit profesional më të përshtatshëm për interesat dhe mundësitë fizike e mendore të tyre. Ministritë përkatëse nxjerrin aktet nënligjore për zbatimin e këtij neni.

Neni 16

Dokumentimi, informacioni dhe statistikat

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale janë përgjegjëse për dokumentimin, për dhënien e informacionit dhe për mbajtjen e statistikave të arsimit dhe formimit profesional, sipas fushave përkatëse që ato mbulojnë. Të gjitha ministritë e tjera, si dhe pushteti vendor janë të detyruar të japin informacion te këto dy ministri për veprimtarinë e arsimit dhe formimit profesional.

Neni 17

Personeli në arsimin dhe formimin profesional

1. Në institucionet e arsimit dhe formimit profesional angazhohet personel mësimdhënës teorik e praktik, personel drejtues dhe personel ndihmës.
2. Personeli i mësimdhënies përbëhet nga:
a) mësuesit e kulturës së përgjithshme;
b) mësuesit e kulturës profesionale;
c) mësuesit e praktikave profesionale;
ç) instruktorët.
3. Kërkesat bazë për përgatitjen fillestare dhe kualifikimin e mësuesve (shkronjat a, b dhe c të pikës 2 të këtij neni) përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kurse për instruktorët nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale.

Neni 18

Ndërmarrja

Ndërmarrja shërben si vend i organizimit të kurseve të formimit nëpërmjet punës dhe si vend i realizimit të praktikave profesionale të nxënësve dhe të kursantëve. Shteti mbështet ndërmarrjet që përfshihen në sistemin e arsimit dhe formimit profesional.

Neni 19

Vlerësimi i sistemit

Mekanizmat e zhvillimit dhe të vlerësimit të sistemit të arsimit dhe formimit profesional përpunohen nga Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional. Vlerësimi bëhet çdo vit dhe rezultatet e tij publikohen në raportin vjetor kombëtar të arsimit dhe formimit profesional, i cili i paraqitet Këshillit të Ministrave.

KREU III

BASHKËRENDIMI I SISTEMIT TË ARSIMIT DHE FORMIMIT PROFESIONAL

Neni 20

Kriteret e përgjithshme të bashkërendimit

1. Bashkërendimi i përgjithshëm i sistemit të arsimit dhe formimit profesional publik dhe jopublik bëhet nga shteti.
2. Organizmat përgjegjës të arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri janë:
a) Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për arsimimin profesional dhe të mesëm teknik;
b) Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, për formimin profesional;
c) Ministritë dhe institucionet e tjera publike dhe jopublike, të cilat duhet të bashkërendojnë punën me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për arsimimin profesional dhe të mesëm teknik dhe me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale për formimin profesional;
ç) Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional.

Neni 21

Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional

1. Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional është organizëm këshillimor. Ai i sugjeron Këshillit të Ministrave politika për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe formimit profesional.
2. Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional bashkëkryesohet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale.
3. Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional përbëhet nga 14 anëtarë:
a) 2 anëtarë, përfshi ministrin, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës;
b) 2 anëtarë, përfshi ministrin, nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale;
c) 1 anëtar nga Ministria e Financave;
ç) 1 anëtar nga Ministria e Ekonomisë;
d) 1 anëtar nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit;
dh) 1 anëtar nga Ministria e Shëndetësisë;
e) 1 anëtar nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit;
ë) 1 anëtar nga organizatat jofitimprurëse që zhvillojnë veprimtari në fushën e arsimit dhe formimit profesional;
f) 2 anëtarë nga organizatat e punëdhënësve;
g) 2 anëtarë nga organizatat e punëmarrësve.
4. Organizimi dhe veprimtaria e Këshillit Kombëtar të Arsimit dhe Formimit Profesional rregullohet me udhëzim të përbashkët të dy ministrave përkatës.

Neni 22

Kompetencat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në fushën e arsimit
dhe formimit profesional

Ministria e Arsimit dhe Shkencës:
a) krijon, riorganizon dhe mbyll institucionet e arsimit profesional e teknik publik, që varen nga ajo, në përputhje me procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) miraton krijimin ose riorganizimin e institucioneve jopublike, që realizojnë arsimin profesional e teknik, si dhe propozon tek organet përgjegjëse për mbylljen e tyre, kur provohet që veprimtaria e tyre nuk përputhet me aktet përkatëse nënligjore;
c) jep licencat për arsimin profesional e teknik, si dhe për kurset e formimit profesional në shkollat teknike e profesionale, për specialitetet që ato kanë, në përputhje me procedurat e vendosura nga Këshilli i Ministrave;
ç) përcakton kriteret e përgjithshme për marrjen në punë, për kualifikimin dhe për certifikimin e mësuesve në arsimin profesional e teknik;
d) përcakton kriteret e përgjithshme të funksionimit të institucioneve të arsimit profesional;
dh) merr pjesë (ose bën) në testimin dhe në certifikimin e nxënësve dhe të kursantëve në institucionet e arsimit dhe formimit profesional, që varen prej saj;
e) mbikëqyr veprimtarinë e institucioneve të arsimit teknik e profesional që varen nga ajo;
ë) jep leje për ushtrimin e profesionit të personave fizikë në arsimin profesional.

Neni 23

Kompetencat e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale në fushën e arsimit dhe formimit profesional

Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale:
a) krijon, riorganizon dhe mbyll institucionet e formimit profesional në varësi të saj, në përputhje me procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) jep licencat për kryerjen e veprimtarive të formimit profesional;
c) mbikëqyr veprimtarinë e licencuar të formimit profesional dhe e mbyll këtë veprimtari, kur nuk është në përputhje me aktet përkatëse ligjore dhe nënligjore;
ç) siguron vazhdimësinë e formimit profesional në përputhje me perspektivën e zhvillimit ekonomik, kombëtar dhe rajonal, dhe me kërkesat e tregut të punës;
d) garanton të drejtën e individit për formimin profesional, duke lehtësuar pengesat ekonomike dhe shoqërore për vazhdimin e këtij formimi;
dh) organizon kualifikimin e vazhdueshëm të instruktorëve të formimit profesional në sektorin shtetëror;
e) përcakton kriteret e përgjithshme të funksionimit të institucioneve të formimit profesional;
ë) mbikëqyr veprimtarinë e institucioneve të formimit profesional që varen nga ajo;
f) merr pjesë (ose bën) në testimin dhe në certifikimin e kursantëve në institucionet e arsimit dhe formimit profesional që varen prej saj.
g) jep lejet për ushtrimin e profesionit të personave fizikë në formimin profesional.

Neni 24

Kompetencat e ministrive të tjera dhe të institucioneve shtetërore të arsimit
dhe formimit profesional

Ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore të arsimit dhe formimit profesional:
a) krijojnë, organizojnë dhe mbyllin institucionet e arsimit dhe formimit profesional që varen prej tyre, në përputhje me procedurat ligjore;
b) përgatisin programet e formimit dhe paraqesin kurrikulat e formimit profesional në organin përgjegjës të përcaktuar me akte nënligjore;
c) organizojnë formimin nëpërmjet punës të punonjësve të tyre dhe rikualifikimin e mësuesve dhe të instruktorëve në institucionet përkatëse;
ç) marrin pjesë (ose bëjnë) në testimin dhe në certifikimin e nxënësve dhe të kursantëve në institucionet e arsimit dhe formimit profesional që varen prej tyre;
d) marrin pjesë në procesin e hartimit të standardeve shtetërore të kualifikimit profesional;
dh) marrin pjesë në studime të arsimit dhe formimit profesional.

Neni 25

Kompetencat e pushtetit vendor në fushën e arsimit dhe formimit profesional

Pushteti vendor:
a) propozon hapjen dhe mbylljen e specialiteteve, të kurseve dhe të shkollave, në përputhje me nevojat e zhvillimit rajonal;
b) kujdeset dhe mirëmban institucionet e arsimit dhe formimit profesional, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
c) hap kurse të formimit profesional me fondet e veta, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 26

Kompetencat e partnerëve socialë

Partnerët socialë:
a) propozojnë hapjen dhe mbylljen e specialiteteve, të kurseve dhe të shkollave të reja, në përputhje me nevojat e zhvillimit ekonomik të vendit;
b) marrin pjesë në procesin e hartimit të standardeve kombëtare të formimit profesional;
c) organizojnë kurse kualifikimi sipas nevojave specifike të fushave që ata mbulojnë. Certifikimi i këtyre kurseve bëhet në përputhje me procedurat e vendosura nga Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional;
ç) marrin pjesë në komisionet e provimeve në përputhje me normat dhe procedurat e vendosura me akte nënligjore të ministrive përkatëse;
d) ndihmojnë në zhvillimin e praktikave profesionale të nxënësve dhe të kursantëve.

KREU IV

STANDARDET DHE KURRIKULAT

Neni 27

Lista dhe standardet e profesioneve

1. Këshilli i Ministrave, në bashkëpunim me partnerët socialë, vendos një sistem të klasifikimit të profesioneve dhe të standardeve të aftësive profesionale, mbështetur në analizën e vendit të punës së popullsisë të punësuar.
2. Standardet e aftësive profesionale do të klasifikohen në nivele që të përfshijnë standardet kombëtare, industriale dhe të ndërmarrjes.
3. Lista e profesioneve dhe e standardeve të aftësive profesionale, kombëtare, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Standardet industriale dhe të ndërmarrjes do të formulohen dhe do të publikohen nga partnerët socialë.

Neni 28

Hartimi i kurrikulave

1. Këshilli i Ministrave vendos standardet për zhvillimin e kurrikulave të arsimit dhe formimit profesional në nivele të përshtatshme, mbështetur në rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Arsimit dhe Formimit Profesional.
2. Këshilli i Ministrave, në bashkëpunim me partnerët socialë rishikon kurrikulat e arsimit dhe formimit profesional në vazhdimësi dhe në përputhje me zhvillimet ekonomike të vendit.


KREU V

FINANCIMI I SISTEMIT TË ARSIMIT DHE FORMIMIT PROFESIONAL

Neni 29

Burimet e financimit

Arsimi dhe formimi profesional publik financohet nga Buxheti i Shtetit, buxheti i pushtetit vendor, programet kombëtare dhe ndërkombëtare për arsimin dhe formimin profesional, kontributet e shoqatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, kontributet e dhuruesve, sponsorizimet dhe burime të tjera të lejuara nga ligji.

Neni 30

Vetëfinancimi

1. Institucionet publike të arsimit dhe formimit profesional mund të kryejnë edhe veprimtari ekonomike me përfitime financiare në fushat që kanë lidhje me zbatimin e programeve mësimore, në përputhje me dispozitat ligjore.
2. Institucionet e arsimit dhe formimit profesional së bashku me qendrat e përgatitjes praktike veprojnë si njësi ekonomike për realizimin e veprimtarive prodhuese dhe të shërbimeve, duke kontraktuar me persona fizikë dhe juridikë.
3. Krahas arsimimit dhe kualifikimit profesional të nxënësve, në shkollat profesionale e teknike publike dhe jopublike kryhen edhe kurse formimi profesional, si shërbime për llogari të të tretëve.
4. Përdorimi i të ardhurave të përftuara nga këto veprimtari bëhet në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore.


KREU VI

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 31

Shfuqizime

1. Kreu I "Parime të përgjithshme" i ligjit nr.7952, datë 21.6.1995 "Për sistemin arsimor parauniversitar", si dhe nenet e ligjit në fjalë, ku trajtohet arsimi profesional në kuadër të arsimit të mesëm të sistemit arsimor parauniversitar, mbeten në fuqi. Nenet 33, 34, 35, 36, 37, 38, 55 pika 4 dhe 57 pika 2 të ligjit nr.7952, datë 21.6.1995 "Për sistemin arsimor parauniversitar", si dhe dispozitat e tjera ligjore dhe aktet nënligjore për arsimin profesional e që janë në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
2. Neni 5 paragrafi i dytë, neni 10 dhe neni 13 shkronjat b dhe c të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995 "Për nxitjen e punësimit", si dhe dispozitat e tjera ligjore dhe aktet nënligjore, që lidhen me formimin profesional që janë në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 32

Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që të nxjerrë aktet nënligjore brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ndërsa ministrat përkatës brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Neni 33

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr. 3288, datë 11.04.2002 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani


K R Y E T A R I
Namik Dokle


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 1
ARSIMI
203290005





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.
tomori61
Para 24 muajsh  
  
Jam i interesuar per nje kurs profesinal si berber.
A ka kurse te tilla institucionale qe njihen nga Ministria e punes, ku mund ti gjej, etj info. nese mundet te mi jepni..ose faqet ku une mund te klikoj e ti gjej
Faleminderit
     


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

as
spitaliamerikan