ebuy.al
Alexa Alexa
0 0
2
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Lokal.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 7572
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 10.06.1992
Data e aprovimit te Aktit: 10.06.1992
Numri i neneve: 61
Numri i fletores zyrtare: 3
Data e fletores zyrtare: 14.07.1992
Aktiviteti: Pushteti Lokal,Administratë
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Në çdo komunë, bashki dhe rreth organizohet dhe funksionon pushteti lokal. Organizimi dhe funksionimi i pushtetit lokal bazohet në parimet e vetëqeverisjes, autonomisë lokale, të ligjshmërisë dhe të zgjedhshmërisë.
Amendamente
1 Për disa ndryshime në ligjin nr. 7572, datë 10.06.1992 "Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal".
2 Për një plotësim në ligjin nr. 8068, datë 15.02.1996 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 7572, datë 10.06.1992 "Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal".
Akte te ngjashem
1 Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore.
2 Për prefekturat.
3 Për disa ndryshime në ligjin nr. 7572, datë 10.06.1992 "Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal".
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: LIGJ

PER ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E PUSHTETIT LOKAL


Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë
29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e
Këshillit të Ministrave,


KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I :

KREU I

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1

Në çdo komunë, bashki dhe rreth organizohet dhe funksionon
pushteti lokal. Organizimi dhe funksionimi i pushtetit lokal
bazohet në parimet e vetëqeverisjes, autonomisë lokale, të
ligjshmërisë dhe të zgjedhshmërisë.

Neni 2

Ndarja administrative-tokësore e Republikës së Shqipërisë
bëhet nga Këshilli i Ministrave.
Rrethet e reja mund të krijohen nga bashkimi i komunave dhe
bashkive, të lidhura midis tyre nga faktorë historikë, socialë
dhe ekonomikë, me popullsi jo më pak se 25 mijë banorë dhe me
pasuri të mjaftueshme për vetëqeverisje.

Neni 3

Organet e pushtetit lokal veprojnë si organe të pavarura dhe
drejtojnë punët publike në njësitë territoriale përkatëse.
Marrëdhëniet ndërmjet organeve të rrethit me ato të njësive
të tjera administrative-tokësore bazohen në parimin e autonomisë
dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.
Ndërmjet tyre nuk ekzistojnë marrëdhënie vartësie.


Neni 4

Problemet e një rëndësie të veçantë të njësisë
administrativetokësore mund të zgjidhen nëpërmjet referendumit
popullor, në të cilin marrin pjesë banorët e njësisë që gëzojnë
të drejtën e votës.
Rregullat dhe rastet e referendumit caktohen me ligj.


Neni 5

Organet e pushtetit lokal mund të shpërndahen me vendim të
organit kompetent, në këto raste:
1. Kur këshilli kryen veprime që vijnë në kundërshtim me
dispozitat kushtetuese ose përbëjnë shkelje të rënda të ligjit.
2. Kur këshilli i rrethit nuk i pergjigjet kërkesës së
Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit ekzekutiv ose të
kryetarit apo të anëtarëve të veçantë të tij, që kanë kryer
veprime si ato të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
3. Kur këshilli nuk është në gjendje të ushtrojë funksionet
e tij për shkak se nuk mund të formojë shumicën në marrjen e
vendimeve.
4. Kur e kërkojnë interesat e sigurimit kombëtar.
5. Kur bëhen ndryshime në ndarjen administrative-tokësore.
Në vendimin e shpërndarjes caktohet komisioni që do të
përgatisë zgjedhjet e reja, të cilat bëhen brenda 45 ditëve nga
dita e shpërndarjes. Ky komision ushtron përkohësisht funksionet
e organit të shpërndarë.


KREU II

KESHILLAT E KOMUNAVE DHE TE BASHKIVE,
PERBERJA DHE KRIJIMI I TYRE


Neni 6

Këshillat e komunave dhe të bashkive përbëhen nga
këshilltarë të zgjedhur sipas rregullave të caktuara në ligjin
për zgjedhjet e organeve të pushtetit lokal.


Neni 7

Numri i anëtarëve të çdo këshilli caktohet sipas ligjit të
zgjedhjeve, në raport me numrin e popullsisë.


Neni 8

Funksioni i këshilltarit është i papajtueshëm me :
a) funksionet e anëtarit të këshillit të rrethit, si dhe
me detyrën e funksionarit në ministri e në institucione qendrore;
b) funksionin e kryetarit të komunës dhe të bashkisë.
Një person nuk mund të zgjidhet në të njëjtën kohë në dy
këshilla të komunave ose të bashkive.
Nuk mund të jenë anëtarë të të njëjtit këshill personat që
janë me njeri-tjetrin; bashkëshort, prindër e fëmijë ose vëllezër
e motra, si dhe vjerri, vjehrra, dhëndri e nusja.


Neni 9

Këshillat e komunave dhe të bashkive krijohen brenda 20
ditëve nga dita e zgjedhjeve. Thirrja e këshillit në mbledhjen e
parë bëhet nga kryetari i komunës ose i bashkisë.
Mbledhja e parë e këshillit është e vlefshme kur në të merr
pjesë të paktën 2/3 e numrit të këshilltarëve. Kur nuk arrihet
shumica e kërkuar, mbledhja zhvillohet 3 ditë më vonë.
Mbledhja e parë e këshillit drejtohet nga këshilltari më i
vjetër në moshë, i ndihmuar nga dy këshilltarë të tjerë.


Neni 10

Këshillat zgjedhin nga radhët e anëtarëve të tyre një
komision për verifikimin e mandatit të këshilltarëve. Komisioni
përbëhet nga 3 deri në 5 këshilltarë dhe qëndron i zgjedhur gjatë
gjithë kohës në të cilën vazhdon mandati i këshillit.
Komisioni i mandateve verifikon kushtet ligjore për
zgjedhjen e çdo këshilltari dhe i propozon këshillit vërtetimin
ose anullimin e mandatit të këshilltarëve.
Komisioni i mandateve mund të propozojë anullimin e mandatit
të një këshilltari vetëm në rastet kur:
a) Konstaton ekzistencën e e papajtueshmërisë së
funksioneve ose shkeljen e kushteve ligjore të zgjedhshmërisë;
b) Konstaton se zgjedhja e këshilltarit është bërë me
mashtrim, falsifikim ose mënyra të tjera të kundërligjshme.
Vërtetimi ose anullimi i mandateve bëhet me shumicën absolu-
lute të votave të numrit të përgjithshëm të këshilltarëve .
Këshilltari nuk mund të votojë për mandatin e tij.
Ankimi kundër vendimit të këshillit për anullimin e mandatit
bëhet në gjykatë nga personi i interesuar. Vendimi i gjykatës
është i formës së prerë.
Këshilli kushtetuohet pas vërtetimit të madateve të jo me
pak se 2/3 e anëtarëve të tij.

Neni 11

Pas vërtetimit të madateve këshilltarët betohen përpara
këshillit me këtë formulë:
"Betohem në emër të zgjedhësve që përfaqësoj, të mbroj
Kushtetutën e ligjet dhe në të gjithë veprimtarinë time të
udhëhiqem nga interesat e shtetasve të komunës ose të bashkisë
dhe të punoj për rritjen e mirëqenies së tyre".
Këshilltari që refuzon të bëjë betimin, konsiderohet se
tërhiqet nga funksioni i tij.


Neni 12

Mandati i këshilltarit pushon para afatit për të cilin është
zgjedhur në rastet e dorëheqjes, të papajtueshmërisë së
funksioneve kur shpërndahet këshilli, kur dënohet me vendim
gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, kur
shkarkohet nga organi kompetent, kur ndryshon vendbanimin dhe
shkon në një njësi tjetër administrative-tokësore.


Neni 13

Këshilli i komunes ose i bashkisë zgjedh nga rradhët e tij
komisione për fusha të veçanta, veprimtaria e të cilave caktohet
me rregulloren e këshillit. Anëtarët e kryesisë së këshillave
nuk mund të marrin pjesë në këto komisione.


KOMPETENCAT E KESHILLAVE TE KOMUNAVE DHE TE BASHKIVE


Neni 14

Këshilli i komunës ose i bashkisë ka iniciativë dhe vendos
për problemet që hyjnë në juridiksionin e tij, me përjashtim të
atyre që me ligj janë lënë në kompetencën e organeve të tjera.
Këshilli ka këto kompetenca kryesore :
1. Zgjedh zëvendëskryetarin e komunës ose të bashkisë.
2. Miraton statutin dhe rregulloren e këshillit.
3. Miraton studimet prognozë dhe programet e zhvillimit
ekonomiko-shoqëror.
4. Me propozimin e kryetarit të komunës ose të bashkisë
cakton strukturën dhe organikën e personelit.
5. Miraton buxhetin dhe ndjek administrimin dhe zbatimin
e tij.
6. Vendos taksat dhe detyrimet e tjera të caktuara me
ligj.
7. Administron pasuritë e komunës ose të bashkisë.
8. Siguron ruajtjen e rendit publik dhe respektimin e të
drejtave e lirive themelore të shtetasve.
9. Krijon institucione dhe njësi ekonomike sipas mënyrës
së përcaktuar me ligj.
10. Emëron dhe shkarkon anëtarët e këshillave drejtues të
ndërmarrjeve me kapital shtetëror me karakter lokal dhe anëtarët
e këshillave të përfaqësuesve të shtetit në shoqëritë tregtare me
karakter lokal në të cilat shteti merr pjesë me kapital.
11. Siguron një funksionim të mirë të shërbimeve komunale
të transportit lokal, rrjetit rrugor dhe shërbimit postar.
12. Siguron zbatimin e programeve të zhvillimit urbanistik.
13. Siguron kushtet e nevojshme për funksionimin e mirë të
institucioneve lokale të arsimit, të shëndetësisë, të kulturës
dhe të rinisë, që janë nën drejtimin e tij.
14. Merr masa për punësimin dhe strehimin e shtetasve, si
dhe siguron kushtet e favorshme për veprimtari shkencore, kultur-
ore, artistike, sportive dhe shlodhjeje.
15. Merr masa për të mbrojtur e ripërtërirë mjedisin, ndi-
hmon për ruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve me vlera historike
dhe kulturore, si dhe të parqeve e pasurive natyrore.
16. Siguron tregëtinë e lirë dhe konkurencën, duke
stimuluar iniciativën e lirë private sipas ligjit.
17. Krijon institucione bamirësie me karakter lokal.
18. Organizon panaire dhe tregje.
19. U jep titullin e qytetarit të nderit të komunës ose të
bashkisë shtetasve shqiptarë ose të huaj për merita të shquara.
20. Vendos, sipas ligjit, për krijimin e shoqërive të për-
bashkëta me komunat e bashkitë e tjera, si dhe me firmat e brend-
shme e të jashtme për kryerjen e veprimtarive me interes
reciprok.
21. Vendos për përfundimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit
me organet e ngjashme jashtë shtetit.
Për realizimin e kompetencave të tij këshilli nxjerr
urdhëresa e vendime.
Këshilli ushtron gjithashtu kompetenca të tjera të caktuara
me ligj ose me statutin e komunës apo të bashkisë.


FUNKSIONIMI I KESHILLAVE TE KOMUNAVE DHE TE BASHKIVE


Neni 15

Këshilli i komunës ose i bashkisë qëndron i zgjedhur për 4
vjet.
Mandati i këshilltarit është i vlefshëm që nga koha e
betimit deri në kushtetuimin e këshillit të ri.
Këshilli zgjedh kryetarin dhe zëvendëskryetarin e tij, me
shumicë të thjeshtë votash.

Neni 16

Keshilli i komunës ose i bashkisë thirret në mbledhje të
zakonshme mujore nga kryetari i komunës ose i bashkisë.
Këshilli mund të thirret në mbledhje të jashtëzakonshme me
kërkesën e kryetarit të komunës ose të bashkisë ose të së paku
1/3 së anëtarëve të këshillit.
Thirrja e këshillit bëhet së paku 5 ditë përpara mbledhjes
së zakonshme.
Thirrja bëhet me shkrim dhe shënohet në aktet e mbledhjes.
Në thirrje specifikohet rendi i ditës, data ora dhe vendi i
mbledhjes.
Rendi i ditës u njoftohet banorëve të komunës ose të
bashkisë me anë të shtypit lokal ose mjeteve të tjera të
informimit publik.

Neni 17

Mbledhja e këshillit të komunës ose të bashkisë quhet e
vlefshme kur marrin pjesë shumica e anëtarëve të këshillit.
Kur një këshilltar mungondy herë radhazi pa arësye të përli-
gjura, ndaj tij mund të merren masa sipas rregullores së
këshillit.
Kur këshilli nuk mund të veprojë për shkak të mungesës së
papërligjur të anëtarëve pas 3 thirrjeve radhazi, ai quhet i
vetëshpërndarë.
Vetëshpërndarja e këshillit i njoftohet Këshillit të Minis-
trave dhe pasohet nga organizimi i zgjedhjeve të reja.


Neni 18

Mbledhjet e këshillit të komunës ose të bashkisë janë
publike me përjashtim të rasteve kur vetë këshilli, me shumicë
votash, vendos që ato të bëhen të mbyllura.
Problemet e buxhetit diskutohen kurdoherë në mbledhje
publike.

Neni 19

Mbledhjet e këshillit fiksohen në proçesverbalin e firmosur
nga kryetari, sekretari dhe së paku nga 3 këshilltarë.
Këshilltarët kanë të drejtë të kërkojnë që t'u vihen në dis-
pozicion proçesverbalet e mbajtura në mbledhjet e këshillit dhe
të bëjnë vërejtje.

Neni 20

Rendi i ditës miratohet nga këshilli, me propozimin e atij
që ka kërkuar thirrjen e mbledhjes sipas nenit 16 të këtij ligji.
Ndryshimet në rendin e ditës mund të bëhen vetëm për
probleme të ngutshme.

Neni 21

Këshilli i komunës ose i bashkisë aktet i nxjerr me shumicën
absolute të votave të anëtarëve që janë të pranishëm, me
përjashtim të rasteve kur ligji apo rregullorja e këshillit
kërkon një shumicë tjetër. Në rast barazimi votash vendimi nuk
miratohet.
Aktet që kanë të bëjnë me buxhetin, vendosjen e detyrimeve
dhe të taksave lokale, administrimin e pasurisë së komunës ose të
bashkisë, me organizimin e zhvillimin urbanistik dhe për
shoqëritë e përbashkëta me këshillat e tjera ose firma të
brendshme apo të jashtme, merren me jo më pak se 2/3 e votave të
të gjithë anëtarëve të këshillit.
Këshilli mund të vendosë që akte të caktuara të merren me
votim të fshehtë. Aktet që lidhen me persona fizikë merren
kurdoherë me votim të fshehtë.
Projektet e akteve mund të propozohen nga këshilltarët ose
nga kryetari i komunës apo i bashkisë.


Neni 22

Aktet e këshillit të komunës ose të bashkisë nënshkruhen nga
kryetari i këshillit.
Aktet normative bëhen të detyrueshme nga data e shpalljes
kurse ato individuale nga data e njoftimit të tyre.


Neni 23

Këshilltari nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin dhe
miratimin e aktit të këshillit kur :
a) vetë ai, bashkëshorti, prindërit, fëmijët, vëllezërit,
motrat, vjehrri, vjehrra, dhëndri e nusja e tij ka interes
pasuror ose interes tjetër me çështjen që diskutohet në këshill;
b) është anëtar i këshillit drejtues të një shoqërie,
interesat e së cilës lidhen me çështjen që diskutohet në këshill.
Shkelja e rregullave të mësipërme sjell si pasojë
pavlefshmërinë e aktit.

Neni 24

Këshilltarët janë bashkërisht përgjegjës për veprimtarinë e
këshillit në të cilin marrin pjesë dhe për aktet e marra.
Çdo këshilltar përgjigjet për veprimtarinë e tij gjatë peri-
udhës së mandatit.


Neni 25

Gjatë kryerjes së detyrës dhe për shkak të saj këshilltari
mbrohet me ligj.
Kur një anëtar i këshillit kryen veprime që vijnë në kundër-
shtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjet ose dëmton interesat e
komunës apo të bashkisë, ai mund të shkarkohet nga funksioni me
vendim të këshillit të rrethit mbi bazën e propozimit të
kryetarit të komunës ose të rrethit.


Neni 26

Në mbledhjet e këshillit mund të marrin pjesë, pa të drejtë
vote, deputetë, kryetari i këshillit të rrethit ose përfaqësuesit
e tij, si dhe persona të tjerë të ftuar, prania e të cilëve
çmohet e nevojshme.


Neni 27

Organet ekzekutive dhe administrata publike të njësisë
administrative përkatëse janë të detyruara që t'u japin të dhëna
këshilltarëve, me kërkesën e këtyre të fundit, jo më vonë se 15
ditë.



KREU III

KRYETARI I KOMUNES OSE I BASHKISE


Neni 28

Çdo komunë ose bashki ka kryetarin të zgjedhur me votim të
përgjithshëm për çdo 4 vjet.
Ai ndihmohet nga një ose disa zëvendëskryetarë.
Numri i zëvendëskryetarëve caktohet nga këshilli i
Ministrave.
Kryetari dhe zëvendëskryetarët gjatë kohës që janë të z
zgjedhur nuk mund të punojnë në ndërmarrjet ose shoqëritë me
kapital shtetëror, në institucionet buxhetore ose për llogari të
tyre.


Neni 29

Vërtetimi i vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të komunës
ose të bashkisë bëhet brenda 20 ditëve nga dita e zgjedhjes, prej
një gjyqtari të caktuar nga kryetari i gjykatës në juridiksionin
e së cilës përfshihet komuna ose bashkia.
Deklarimi i pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit bëhet në
rastet e parashikuara nga neni 10 i këtij ligji.
Vërtetimi i vlefshmërisë së mandatit shpallet në mbledhjen
që kushtetuohet këshilli i komunës ose i bashkisë apo, siç mund
të paraqitet rasti, në një mbledhje të jashtëzakonshme.
Në rast të vërtetimit të pavlefshmërisë së mandatit të
kryetarit të komunës ose të bashkisë organizohen zgjedhje të reja
brenda 45 ditëve nga data e vërtetimit të pavlefshmërisë.


Neni 30

Kryetari bën betimin përpara këshillit të komunës ose të
bashkisë.
Kur kryetari refuzon të bëjë betimin konsiderohet se ka
dhënë dorëheqjen.


Neni 31

Mandati i kryetarit të komunës ose të bashkisë mbaron në
datën kur bën betimin kryetari i ri.
Mandati i kryetarit mund të mbarojë përpara afatit kur jep
dorëheqjen, kur dënohet penalisht, në rastet e papajtueshmërisë
së funksionit të tij me funksione të tjera të parashikuara nga ky
ligj, si dhe në rast shkarkimi.


Neni 32

Kryetari i komunës ose bashkisë mund të shkarkohet me dekret
të Presidentit të Republikës mbi propozimin e motivuar të
kryetarit të Këshillit të Ministrave, kur kryen akte në
kundërshtim me Kushtetutën ose shkelje të rënda të ligjit apo të
rendit publik.


Neni 33

Kryetari i komunës ose i bashkisë merr pjesë në mbledhjet e
këshillit, drejton administratën lokale publike dhe është përgje-
gjës përpara këshillit për funksionimin e saj të mirë.
Kryetari përfaqëson komunën ose bashkinë në organet
shtetërore dhe në marrëdhëniet e saj me personat fizikë ose
juridikë të vendit dhe të huaj.
Simboli dallues i kryetarit të komunës ose bashkisë është
një shirit me ngjyrat e flamurit shtetëror. Kryetari duhet ta
mbajë detyrimisht këtë shirit në mbledhjet solemne, pritjet
zyrtare, ceremonitë publike dhe në ceremonitë e lidhjes së
martesave.
Modeli i këtij shiriti caktohet me vendim të Këshillit të
Ministrave.

Neni 34

Kryetari i komunës ose bashkisë ka këto kompetenca e detyra
kryesore :
1. Siguron respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të
shtetasve, të dispozitave kushtetuese, të ligjeve dhe akteve të
tjera të nxjerra në zbatim të tyre.
2. Siguron rendin dhe qetësinë publike me mbështetjen e
organeve të ruajtjes së rendit.
3. Siguron zbatimin e vendimeve të këshillit të komunës ose
të bashkisë. Kur çmon se një vendim është i kundërligjshëm, ai
njofton brenda 7 ditëve Kryesinë e Këshillit të Rrethit.
4. I raporton këshillit çdo 6 muaj ose kurdoherë që kërkohet
për gjendjen ekonomike dhe sociale të komunës ose të bashkisë.
5. Përgatit projektbuxhetin lokal e mbylljen e llogarisë fin-
anciare të vitit buxhetor dhe ia parashtron ato për miratim
këshillit.
. Ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha dety-
rimeve që i janë ngarkuar komunës ose bashkisë si person juridik.
7. Verifikon me iniciativë ose sipas kërkesës të ardhurat e
shpenzimet e buxhetit lokal dhe rezultatin ja njofton këshillit.
8. Së bashku me organet e specializuara merr masa për
parandalimin dhe pakësimin e pasojave të fatkeqësive natyrore,
katastrofave, zjarreve, epidemive, rreziqeve nga kafshët. Për
këtë qëllim ai mund të mobilizojë edhe popullsinë.
9. Organizon dhe mbikqyr veprimtarinë e rojave publike.
10. Merr masa për ndalimin ose pezullimin e shfaqeve apo mani-
festimeve të tjera publike, kur vijnë në kundërshtim me rendin
ligjor ose cënojnë moralin shoqëror, rendin publik dhe qetësinë.
11. Kontrollon sigurimin e kushteve higjenike e shëndetësore
të lokaleve publike dhe të produkteve ushqimore në qarkullim.
12. Siguron përgatitjen e programit të zhvillimit urbanistik
lokal e dokumentacionin e planeve rregulluese.
13. Siguron ruajtjen në kushte të mira të rrugëve publike në
komunë ose bashki, vendosjen e shenjave rrugore, si dhe trafikun
rrugor normal.
14. Kontrollon panairet, tregjet, mirëmbajtjen e vendeve të
dëfrimit dhe të parqeve e merr masa të shpejta për funksionimin e
mirë të tyre.
15. Drejton shërbimet publike lokale.
16. Urdhëron shpalljen e njoftimeve publike.
17. Përgatit strukturën dhe cakton numrin e punonjësve të kom-
unës ose bashkisë e pagat e tyre dhe ia paraqet për miratim
këshillit të komunës ose bashkisë.
18. Emëron dhe shkarkon personelin e administratës së komunës
ose bashkisë.
19. Organizon inventarizimin e pasurisë që i përket komunës
ose bashkisë dhe kontrollon administrimin e saj.
20. Merr masa për zbatimin e ligjit për shërbimin veterinar e
fitosanitar.
21. Siguron mbrojtjen e mjedisit në komunë ose bashki.
Kryetari i komunës ose bashkisë ushtron kompetenca të tjera
të parashikuara me ligj.


Neni 35

Kryetari i komunës ose bashkisë mund t'ia delegojë disa nga
kompetencat e tij zëvëndëskryetarit të komunës ose bashkisë, ose
sekretarit të këshillit.


Neni 36

Gjatë ushtrimit të kompetencave të tij kryetari i komunës
ose bashkisë nxjerr vendime dhe urdhra. Këto hyjnë në fuqi, sipas
rastit, me shpalljen e tyre ose pasi u njoftohen personave të
interesuar.


Neni 37

Kryetari i komunës ose bashkisë, gjatë kryerjes së detyrës
ose për shkak të saj, mbrohet me ligj.



KREU IV

SEKRETARI I KESHILLIT TE KOMUNES OSE BASHKISE


Neni 38

Çdo këshill komune ose bashkie ka sekretarin e tij, i cili
është funksionar.


Neni 39

Sekretari i këshillit të komunës ose bashkisë emërohet dhe
shkarkohet nga Këshilli i Ministrave. Emërimi bëhet me konkurs.


Neni 40

Sekretari ka këto kompetenca kryesore :

1. Merr masa për mbledhjen e këshillit.
2. Kujdeset për përgatitjen e materialeve që do t'i
nënshtrohen diskutimeve në këshill.
3. U komunikon dhe parashtron autoriteteve e personave të
interesuar aktet e nxjerra nga këshilli ose kryetari i komunës
apo i bashkisë brenda 10 ditëve.
4. Merr masa që opinioni publik të njoftohet për vendimet
dhe rregullat me interes të përgjithshëm.
5. Shpërndan ekstrate ose kopje të akteve të arkivuara të kë-
shillit, me përjashtim të atyre që me ligj nuk lejohet të
shpërndahen.
6. Verifikon nënshkrimet dhe konfirmon autenticitetin e
kopjeve të akteve me origjinalin, me përjashim të atyre që janë
nxjerrë nga organet qendrore.
7. Merr dhe shpërndan korrespondencën.
8. Kujdeset për kryerjen e punëve të sekretarisë.
Sekretari kryen gjithashtu edhe detyra të tjera të caktuara
me ligj ose që i caktohen atij nga këshilli apo kryetari i
komunës ose bashkisë.

KREU V

KESHILLI I RRETHIT
PERBERJA DHE KRIJIMI I KESHILLIT TE RRETHIT


Neni 41

Këshilli i rrethit përbëhet nga këshilltarët e zgjedhur
sipas ligjit për zgjedhjet.


Neni 42
Numri i këshilltarëve për çdo rreth caktohet në raport me
numrin e popullsisë së saj të regjistruar më 1 janar, sipas
kritereve të caktuara në ligjin për zgjedhjet.


Neni 43

Keshilli i rrethit duhet të krijohet brenda 20 ditëve nga
dita e zgjedhjes së tij. Mbledhjen e parë të këshillit e thërret
Këshilli i Ministrave.

Neni 44

Për krijimin e këshillit veprojnë rregullat e parashikuara
nga nenet 9-13 të këtij ligji.



KOMPETENCAT E KESHILLIT TE RRETHIT


Neni 45

Këshilli i rrethit ka këto kompetenca kryesore :
1. Zgjedh ndërmjet këshilltarëve kryetarin, zëvendëskryetarin
dhe kryesinë e këshillit të rrethit.
2. Koordinon veprimtarinë e këshillave të komunave ose
bashkisë.
3. Organizon e kontrollon administratën e këshillit të
rrethit dhe miraton rregulloren e saj; cakton strukturën dhe
numrin e personelit.
4. Analizon propozimet e bëra nga komunat dhe bashkitë në
lidhje me përpunimin e programeve ekonomike dhe për ripërtëritjen
e ruajtjen e mjedisit.
5. Miraton programet e prognozat e zhvillimit social ekonomik
të rrethit dhe mbikqyr zbatimin e tyre.
6. Miraton buxhetin e rrethit dhe mbylljen e llogarisë
financiare të vitit.
7. Vendos drejtimet e rregullimit dhe zhvillimit urbanistik
të rrethit.
8. Drejton sektorin publik dhe mbështet veprimtarinë private
në rreth, sipas kompetencave të caktuara me ligj.
9. Kontrollon zbatimin e ligjeve dhe të vendimeve të
pushtetit lokal nga organet e ruajtjes së rendit.
10. Siguron ndërtimin, mirëmbajtjen dhe modernizimin e rrugëve
në shkallë rrethi, si dhe rrugët lidhëse me rrethet fqinjë.
11. Miraton rregulloren e këshillit të rrethit.
12. Vendos taksat dhe tatimet lokale në shkallë rrethi, si dhe
ato të veçanta për periudha të caktuara kohe, në bazë të
kompetencave të njohura me ligj.
13. Pezullon aktet e paligjshme të komunave e të bashkive dhe
u kërkon atyre që t'i rishqyrtojnë. Kur organi që ka nxjerrë
aktin nuk e anullon atë, atëhere këshilli i rrethit ia dërgon atë
gjykatës, vendimi i së cilës është i formës së prerë.
14. Krijon institucione dhe njësi ekonomike për nevoja të
rrethit sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
15. Krijon institucione socialkulturore dhe shëndetësore për
nevojat e rrethit dhe siguron funksionimin e mirë të tyre.
16. Siguron kushtet për organizimin e veprimtarive shkencore,
kulturore, artistike, sportive dhe të rinisë.
17. Emërton rrugët, sheshet dhe vendet e tjera publike sipas
rregullave të caktuara me ligj.


Neni 46

Këshilli i rrethit ushtron edhe kompetenca të tjera të
caktuara me ligj.



FUNKSIONIMI I KESHILLIT TE RRETHIT


Neni 47

Keshilli i rrethit zgjidhet për një periudhë prej 4 vjetësh.
Këshilltarët ushtrojnë mandatin e tyre që nga dita e betimit,
deri në mbledhjen e parë të këshillit të ri.


Neni 48

Këshilli i rrethit thirret në mbledhje të zakonshme një herë
në 3 muaj.

Këshilli mund të thirret edhe në mbledhje të jashtëzakonshme
me kërkesën e kryetarit të këshillit, të jo më pak se 1/3 së
numrit të anëtarëve të këshillit apo me kërkesën e kryesisë.
Kryetari i këshillit thërret mbledhjen e zakonshme të
këshillit të paktën 10 ditë përpara.
Për funksionimin e këshillit të rrethit zbatohen nenet 17-27
të këtij ligji.

Neni 49

Këshilli i rrethit nxjerr urdhëresa e vendime për ushtrimin e
kompetencave të tij.


KREU VI

KRYESIA DHE KRYETARI I KESHILLIT TE RRETHIT


Neni 50

Keshilli i rrethit zgjedh kryesinë e përbërë nga 5-7
këshilltarë, kryetarin dhe zëvendëskryetarin e saj.
Kryetari dhe zëvendëskryetari i këshillit të rrethit zgjidhen
ndërmjet këshilltarëve të rrethit, me shumicë votash.
Kryetari dhe zëvendëskryetari i këshillit të rrethit janë në
të njëjtën kohë kryetar dhe zëvendëskryetar të kryesisë.

Neni 51

Kryesia e këshillit të rrethit koordinon punën operative të
administratës publike të këshillit, zbaton vendimet e këshillit
të thit dhe ushtron kompetencat e tij, gjatë kohës që nuk është i
mbledhur me përjashtim të atyre që parashikohen në nenin 45,
pikat 1,5,6,7,11,12,14, dhe 15 të këtij ligji.
Për ushtrimin e kompetencave të saj kryesia nxjerr vendime,
të cilat bëhen të zbatueshme pasi të shpallen ose t'u njoftohen
organeve apo personave që u drejtohen.
Rregullat e parashikuara në nenin 21, paragrafi i tretë,
zbatohen edhe për kryesinë e këshillit të rrethit.


Neni 52

Kryetari i këshillit të rrethit ka këto kompetenca kryesore :

1. Kryeson mbledhjet e këshillit të rrethit dhe të kryesisë
së tij.

2. Drejton administratën publike të rrethit dhe përgjigjet
për funksionimin e mirë të saj.

3. Siguron zbatimin e vendimeve të këshillit të rrethit dhe
të kryesisë së tij.

4. Mbikqyr veprimtarinë e institucioneve dhe të shoqërive
ekonomike prodhuese të rrethit.

5. Ushtron kompetencat që i janë ngarkuar rrethit si person
ju
ridik.

6. Përgatit projektbuxhetin e rrethit dhe mbylljen e
llogarisë financiare të vitit dhe ia paraqet ato për miratim
këshillit të rrethit.

7. Emëron dhe shkarkon personelin e administratës së
këshillit të rrethit.

8. Paraqet në këshill raporte vjetore ose edhe më të
shpeshta, kur e quan të nevojshme, lidhur me veprimtarinë
administrative të këshillit të rrethit, si dhe për gjendjen
sociale e ekonomike të tij.
Kryetari i këshillit të rrethit ushtron edhe kompetenca të
tjera që i janë ngarkuar me ligj ose nga këshilli i rrethit.


Neni 53


Kryetari i këshillit të rrethit nxjerr urdhra me karakter
individual. Këto bëhen të zbatueshme pasi u njoftohen personave
të interesuar.


Neni 54

Këshilli i rrethit ka një sekretar të emëruar nga Këshilli i
Ministrave mbi bazën e një konkursi.
Sekretari është nëpunës shtetëror dhe duhet të ketë mbaruar,
si rregull, arsimin e lartë juridik.


Neni 55

Rregullat e parshikuara në këtë ligj lidhur me organizimin e
funksionimin e këshillave të komunave dhe bashkive e të
kryetarëve të tyre, me përjashtim të kompetencave, zbatohen edhe
për këshillin e rrethit dhe kryetarin e tij.
Rregullat e parashikuara në këtë ligj për sekretarin e
këshillit të komunës ose bashkive zbatohen edhe për sekretarin e
këshillit të rrethit.



KREU VII

DISPOZITA TRANZITORE DHE TE FUNDIT


Neni 56

Kryetarët e komunave e të bashkive, kryetarët e këshillave të
rretheve, këshilltarët dhe funksionarët e tjerë të administratës
lokale i nënshtrohen, sipas rastit, përgjegjësisë materiale,
civile, administrative dhe penale, për veprimet e paligjshme të
kryera gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.


Neni 57

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të caktojë kompetencat dhe
detyrat e administratës së komunës, të bashkisë dhe të rrethit.


Neni 58

Këshilltarët e komunës, të bashkisë e të rrethit nuk janë
funksionarë. Masa e shpërblimit të tyre për kryerjen e detyrave
të këshillit përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.

Neni 59

Komitete ekzekutive pluraliste të përkohshme të vazhdojnë
veprimtarinë e tyre deri në krijimin e organeve të reja të
pushtetit lokal.


Neni 60

Ligji nr.6068, datë 24.12.1979 "Për këshillat popullorë", si
dhe çdo dispozitë tjetërlidhur me organizimin, kompetencat e fun-
ksionimin e pushtetit lokal, që vjen në kundërshtim me këtë ligj,
shfuqizohet.


Neni 61

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.


Tiranë, më 10.6.1992
Nr. i ligjit: 7572

Shpallur me dekretin nr.226, datë 20.6.1992 të Presidentit të Republikës së
Shqipërisë, Sali Berisha.


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 2  3.220 206100001





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.
gerti
Para 11 muajsh  
  
SHUM E THJESHTE
     
gerti
Para 11 muajsh  
  
shurbjbkFc KD\BV
     


Kerkoni Gjeni Prona









| Shto tek te Preferuarat




Spitali Amerikan