0 0
2
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për njësitë e matjes dhe kontrollin e mjeteve matëse (Metrologjinë).
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 7625
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 20.10.1992
Data e aprovimit te Aktit: 04.11.1992
Numri i neneve: 27
Numri i fletores zyrtare: 6
Data e fletores zyrtare: 02.12.1992
Aktiviteti: Metrologji,Komisioni Shendetit e Mbrojtjes Mjedisit
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Për njësitë e matjes dhe kontrollin e mjeteve matëse (Metrologjinë). Përmbajtja e ligjit është si më poshtë: -Njesitë ligjore të matjes -Organi shtetëror i kontrollit për meterologjinë -Kontrolli i mjeteve matëse -Sanksionet -Dispozita të fundit
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: LIGJ

Nr.7625, datë 20.10.1992

PER NJESITE E MATJES DHE KONTROLLIN E
MJETEVE MATESE (METROLOGJINE)

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr. 7491, datë 29.4.1991
"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit
të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

KREU I

NJESITE LIGJORE TE MATJES

Neni 1

1. Njësitë ligjore të matjes në Republikën e Shqipërisë
janë:
a) Njësitë bazë të Sistemit Ndërkombëtar të Njësive (SI),
të dhëna në nenin 2;
b) njësitë e rrjedhura SI;
c) njësitë e pavarura nga SI;
ç) shumëfishat e nënfishat dhjetore të njësive SI.
2. Këshilli i Ministrave nxjerr dispozita të veçanta për
njësitë ligjore të matjes.

Neni 2

Njësitë bazë të Sistemit Ndërkombëtar të Njësive janë:


Madhësia Emërtimi Simboli

Gjatësia metër m
Masa kilogram kg
Koha sekondë s
Intensiteti i rrymës
elektrike amper A
Temperatura
termodinamike kelvin K
Sasia e lëndës mol mol
Intensiteti i dritës kandele cd

Neni 3

1. Përcaktimi i njësive ligjore është i detyrueshëm:
a) Për shkallëzimin dhe tregimet plotësuese për mjetet
matëse që përdoren në tregëti, shpërndarje, shërbime, shëndetësi,
higjienë, sigurimin teknik dhe mbrojtjen e mjedisit nga ndotjet;
b) Në tregti, në shpërndarje dhe në shërbime;
c) Në aktet ligjore e nënligjore, kontratat, njoftimet,
informacionet, në të gjitha aktet e tjera zyrtare, si dhe në
tekstet shkollore që përdoren brenda territorit të Republikës së
Shqipërisë.
2. Përdorimi i njësive ligjore nuk është i detyrueshëm:
a) Për kontratat, që kanë për objekt pasuritë e patundshme
që ndodhen jashtë shtetit, si dhe për mallrat ose shërbimet e
përcaktuara për jashtë shtetit;
b) Për aktet dhe mallrat, për të cilat marrëveshjet
ndërkombëtare përcaktojnë përdorimin e njësive të tjera;
c) Për blerjen dhe përdorimin e materialeve ushtarake;
ç) për tregimin e kohës sipas kalendarit.

KREU II

ORGANI SHTETEROR I KONTROLLIT PER METROLOGJINE

Neni 4

Krijohet Drejtoria Kombëtare e Metrologjisë dhe e
Kalibrimit, si organ i specializuar i kontrollit për metrologjinë
në vartësi të Këshillit të Ministrave.

Neni 5

Drejtoria Kombëtare e Metrologjisë dhe e Kalibrimit është
person juridik dhe e ka qendrën e saj në kryeqytet. Ajo ka në
vartësi të saj degët e kontrollit e të kalibrimit të mjeteve
matëse në rrethe.

Neni 6

Drejtoria Kombëtare e Metrologjisë dhe e Kalibrimit ka këto
detyra e të drejta:
a) përgatit legjislacionin për metrologjinë;
b) kontrollon dhe përgjigjet për zbatimin e ligjshmërisë për
metrologjinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
c) nxjerr dhe miraton udhëzime metodike për përkufizimin,
vlerësimin dhe transmetimin e njësive të matjes të madhësive
fizike, si dhe përcakton afatet e detyrueshme për verifikimin
periodik të mjeteve matëse që përdoren sipas pikave "a" dhe "b"
të nenit 11 të këtij ligji;
ç) përcakton saktësinë e mjaftueshme për njësitë e matjes,
organizon transmetimin e tyre dhe kryen studime tekniko-
shkencore;
d) kontrollon mjetet matëse dhe vendos në lidhje me
miratimin, verifikimin dhe kalibrimin e tyre;
dh) udhëzon, kontrollon dhe kualifikon personelin e
kontrollit të mjeteve matëse të sistemit të saj dhe verifikon e
kalibron bazën e tyre etalonuese;
e) kryen brenda mundësive të saj verifikime dhe kalibrime
për të tretë;
ë) në laboratorët e saj siguron dhe ruan në kushte të
përshtatshme bazën etalonuese kombëtare të njësive të matjes në
përputhje me nevojat e vendit; garanton saktësinë e tyre, duke
i krahasuar periodikisht me etalonet ndërkombëtare në
institucionet përkatëse jashtë shtetit;
f) përfaqëson Republikën e Shqipërisë në Organizatën
Ndërkombëtare të Metrologjisë Ligjore, si dhe në vende dhe në
organizata të tjera ndërkombëtare për problemet e metrologjisë
e të kalibrimit.
Mban lidhje të drejtpërdrejta me organizatat ndërkombëtare
ose organizma të vendeve të tjera, si dhe nënshkruan marrëveshje
bashkëpunimi dypalëshe a shumëpalëshe për probleme të
metrologjisë e të kalibrimit;
g) ushtron kontrolle teknike për saktësi matjeje në sektorë
të ndryshëm të ekonomisë;
gj) autorizon me shkrim laboratorët e tjerë të ushtrojnë
detyrën e verifikimit e të kalibrimit të mjeteve matëse ose të
etaloneve të njësive të matjes;
h) jep ndihmë teknike dhe merr pjesë në ekspertiza
shtetërore ose private për probleme të metrologjisë;
i) cakton tarifat e pagesave për të gjitha llojet e
shërbimeve që kryen vetë ose degët e saj në rrethe;
j) cakton vulat teknike të degëve të kontrollit e të
kalibrimit të mjeteve matëse të rretheve dhe merr masa për t'i
pajisur me to;
k) krijon këshillin e saj të metrologjisë.

Neni 7

Juridiksioni i ushtrimit të veprimtarisë për Drejtorinë
Kombëtare të Metrologjisë dhe Kalibrimit është i gjithë teritori
i Republikës së Shqipërisë; për degët e kontrollit e të
kalibrimit të mjeteve matëse të rretheve është teritori i rrethit
përkatës; ndërsa për punonjësit e degëve përcaktohet nga vetë
dega.

Neni 8

1) Kompletimi me mjedise, makineri, pajisje, fond page etj.
i Drejtorisë Kombëtare të Metrologjisë dhe Kalibrimit bëhet në
përputhje me mundësitë që ka shteti. Shpenzimet mbulohen nga të
ardhurat që krijon vetë kjo drejtori e degët e saj në rrethe dhe
nga buxheti i shtetit.
2) Këshilli i Ministrave me propozimin e Drejtorisë
Kombëtare të Metrologjisë dhe Kalibrimit, për verifikimet dhe
kalibrimet që nuk i kryen dot vetë kjo drejtori, përcakton
laboratorë të tjerë kontrolli ose institute.

Neni 9

Punonjësit e Drejtorisë Kombëtare të Metrologjisë dhe
Kalibrimit dhe të degëve të kontrollit e të kalibrimit të mjeteve
matëse në rrethe, brenda juridksionit të tyre, kanë të drejtë për
t'u informuar dhe për të hyrë lirisht e pa pagesë në objektet që
do t'i nënshtrohen kontrollit.

KREU III

KONTROLLI I MJETEVE MATESE

Neni 10

Mjete matëse quhen aparatet, instrumentet e pajisjet matëse
e ndihmëse të çdo lloji, që shërbejnë për përcaktimin e vlerave
të madhësive fizike.

Neni 11

1. Këshilli i Ministrave miraton karakteristikat
metrologjike të mjeteve matëse, kryesisht të atyre që përdoren:
a) në tregti, në shpërndarje dhe në shërbime;
b) në sektorët e shëndetësisë, të higjenës, të sigurimit
teknik dhe të mbrojtjes së ambientit nga ndotjet.
2. Mjetet matëse, që përdoren sipas shkronjave "a" dhe "b"
të pikës 1 të këtij neni, i nënshtrohen verifikimit para vënies
së tyre në përdorim, si dhe miratimit para prodhimit të tyre.
3. Mjetet matëse që përdoren sipas shkronjave "a" dhe "b"
të pikës 1 të këtij neni, vulosen pas çdo verifikimi e kalibrimi.
4. Personat fizikë a juridikë, që përdorin mjetet matëse të
përcaktuara në shkronjat "a" dhe "b" të pikës 1 të këtij neni,
duhet të sigurohen që është dhënë miratimi për prodhimin e tyre
dhe që është kryer verifikimi brenda afateve të caktuara.

Neni 12

1. Kampionët e rinj të mjeteve matëse që prodhohen brenda
vendit, si dhe kërkesat metrologjike të tyre, miratohen nga
Drejtoria Kombëtare e Metrologjisë dhe e Kalibrimit.
2. Drejtoria Kombëtare e Metrologjisë dhe e Kalibrimit bën
njohjen e miratimeve, të verifikimeve e të kalibrimeve të kryera
jashtë shtetit, si dhe lejon përdorimin e mjeteve matëse të
importuara që përdoren në sektorët që përfshihen në shkronjat "a"
dhe "b" të pikës 1 të nenit 11 të këtij ligji.

Neni 13

1. Regjistrimin, veerifikimin dhe kalibrimin e mjeteve
matëse, si dhe kontrollin e tregimit të sasisë në sektorët që
përfshihen në shkronjat "a" dhe "b" të pikës 1 të nenit 11 të
këtij ligji, e kryejnë degët e kontrollit e të kalibrimit të
mjeteve matëse në rrethe.
2. Degët e kontrollit e të kalibrimit të mjeteve matëse në
rrethe ushtrojnë kontrolle çdo vit, për të verifikuar nëse
gjendja e mjeteve matëse në përdorim është në pëputhje me ato të
regjistruarat dhe për çdo rast marrin masat përkatëse.
3. Kur u kërkohet, degët e kontrollit e të kalibrimit të
mjeteve matëse në rrethe, kryejnë asistencë teknike ose marrin
pjesë në ekspertiza të metrologjisë.

Neni 14

Personat fizikë a juridikë që vënë në përdorim mjete matëse
për qëllime tregtimi, shpërndarjeje, shërbimi (komunal,
shëndetësi, etj.), sigurimi teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit
nga ndotjet, detyrohen të bëjnë regjistrimin, verifikimin dhe
kalibrimin e tyre në degët e kontrollit të kalibrimit të mjeteve
matëse të juridiksionit që i përfshin. Gjithashtu këta detyrohen
të bëjnë edhe verifikimin ose kalibrimin periodik të mjeteve
matëse sipas afateve që caktohen nga Drejtoria Kombëtare e
Metrologjisë dhe e Kalibrimit.

Neni 15

Personat fizikë a juridikë, që kanë në përdorim mjete
matëse, janë të detyruar t'i kontrollojnë ato nëse janë të
rregullta dhe, në rast të kundërt, marrin masa për rregullimin
e tyre. Pas çdo riparimi këta detyrohen të njoftojnë menjëherë
në degën e kontrollit e të kalibrimit të mjeteve matëse ku është
bërë regjistrimi, për të bërë riverifikimin dhe rikalibrimin e
tyre.

Neni 16

Mjetet matëse i nënshtrohen një tarife regjistrimi, si dhe
pagesës së verifikimit a kalibrimit fillestar ose periodik.
Gjithashtu kryhet pagesa për çdo riverifikim ose rikalibrim.
Tarifat për shërbimet e mësipërme miratohen nga Këshilli i
Ministrave.

Neni 17

1. Personat fizikë a juridikë që ushtrojnë veprimtari në
tregti dhe në shpërndarje mallrash, ose në shërbimet e matshme,
janë të detyruar të tregojnë sasinë e ofruar në njësi ligjore.
Në rastin e furnizimeve të mallrave të matshme si dhe të punimeve
e shërbimeve të matshme masa e tyre duhet të tregohet në çdo
pako, ambalazh ose shërebim.
2. Personat fizikë a juridikë, që shesin për konsumatorët
mallra rinfuzo ose të paraambalazhuara dhe që kryejnë shërbime
të matshme, detyrohen të tregojnë sasinë. Me konsumator do të
kuptohet cilido person fizik a juridik që blen mallra për t'i
punuar, transformuar a për t'ua rishitur të tretëve.
3. Pakot ose ambalazhet të kenë mbishkrime të qarta për
sasinë dhe të jenë të tilla që të mos lejojnë gabime në lidhje
me sasinë që përmbajnë.

Neni 18

Ndalohet prodhimi i mjeteve matëse pa miratimin nga
Drejtoria Kombëtare e Metrologjisë dhe e Kalibrimit.

Neni 19

Mjetet matëse, të cilat gjatë kontrollit nuk rezultojnë në
rregull, hiqen menjëherë nga përdorimi, duke iu prishur vulosja.

Neni 20

Pakot ose ambalazhet, përmbajtja në sasi e të cilave gjatë
kontrollit nuk përputhet me mbishkrimet, bllokohen menjëherë dhe
ndalohet shpërndarja e tyre.

KREU IV

SANKSIONET

Neni 21

Janë kundërvajtje administrative, kur nuk përbëjnë vepra
penale:
a) përdorimi i njësive joligjore të matjes;
b) prodhimi oe përdorimi i mjeteve matëse të pamiratuara;
c) shpërndarja e mjeteve matëse të pasakta nga prodhimi dhe
nga riparimi;
ç) moskryerja e kontrollit dhe e verifikimit të mjeteve
matëse dhe të etaloneve të njësive matëse;
d) mosregjistrimi i mjeteve matëse në degët e kontrollit e
të kalibrimit të mjeteve matës në rrethe;
dh) përdorimi i mjeteve matëse nën kufirin minimal dhe mbi
kufirin maksimal të lejuar;
e) përdorimi i mjeteve matëse të pasakta që kalojnë kufijtë
e shmangieve të lejuara me akte ligjore e nënligjore;
ë) përdorimi i mjeteve matëse që u mungon dokumenti dhe vula
e kontrollit mbi mjetin matës;
f) përdorimi i mjeteve matëse që u ka kaluar afati i
kontrollit;
g) dhënia mangët në tregti, ose në shpërndarje a shërbime;
gj) ndërhyrja ose falsifikimi në mjetin matës të verifikuar
ose të kalibruar;
h) mosvënia e mbishkrimit të sasisë, sipas kërkesave të
nenit 17 të këtij ligji;
i) tregtimi i mallrave të ambalazhuara ose të
paraambalazhuara, sasia e të cilëve nuk është në përputhje me
mbishkrimet.

Neni 22

1. Personat fizikë a juridikë që kryejnë kundërvajtje
administrative, në rastin e parë, dënohen me gjobë nga 500 deri
në 10.000 nga punonjësit e Drejtorisë Kombëtare të Metrologjisë
dhe Kalibrimit dhe të degëve të saj në rrethe. Në rast
përsëritjeje të së njëjtës kundërvajtje dënohen me dyfishin e
kësaj gjobe.

Neni 23

Organet e tjera që caktohen me ligj për të ushtruar kontroll
për zbatimin e neneve të veçanta të këtij ligji, mund të japin
dënime në bazë të kompetencave që u janë dhënë me ligj, vetëm për
kundërvajtjet e nenit 21, shkronjat "ë", "g", "h" dhe "i" të
këtij ligji.

Neni 24

1. Kundër vendimit të dënimit të dhënë nga punonjësit e
Drejtorisë Kombëtare të Metrologjisë dhe të Kalibrimit, si dhe
nga kryetarët e degëve të kontrollit e të kalibrimit të mjeteve
matëse në rrethe, mund të bëhet ankim te drejtori i Drejtorisë
Kombëtare të Metrologjisë dhe të Kalibrimit, akti i të cilit
është i formës së prerë.
2. Kundër vendimit të dhënë nga punonjësit e degëve të
kontrollit e të kalibrimit të mjeteve matëse në rrethe mund të
bëhet ankim te kryetari i degës së kontrollit e të kalibrimit të
mjeteve matëse të rrethit përkatës, akti i të cilit është i
formës së prerë.
3. Ankimi mund të bëhet brenda 15 ditëve nga data e
shpalljes ose e njoftimit të vendimit të dënimit.

Neni 25

Gjoba përbën titull ekzekutiv.

KREU V

DISPOZITA TE FUNDIT

Neni 26

Dekreti nr. 6856, datë 24.1.1984, dekreti nr.7268, datë
12.12.1988, si dhe dispozitat e tjera ligjore që bien në
kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 27

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.

Shpallur me dekretin nr.342, datë 4.11.1992 të Presidentit të
Republkës së Shqipërisë, Sali Berisha.


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 2  1.477 210200002





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.
elisabeta filaj
Para 7 muajsh  
  
duhet me shume informacion per kete faqe
     
elisabeta filaj
Para 7 muajsh  
  
duhet me shume informacion
     


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme




spitaliamerikan