marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për kundërvajtjet administrative.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 7697
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 07.04.1993
Data e aprovimit te Aktit: 16.04.1993
Numri i neneve: 27
Numri i fletores zyrtare: 5
Data e fletores zyrtare: 18.05.1993
Aktiviteti: Kundravajtje
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Për kundërvajtjet administrative. Përmbajtja e ligjit është si më poshtë: -Dispozita të përgjithshme -Konstatimi e shqyrtimi i kundërvajtjes administrative
Amendamente
1 Për një ndryshim në ligjin nr. 7697, datë 07.04.1993 "Për kundërvajtjet administrative"
Akte te ngjashem
1 Per nje shtese ne ligjin nr. 7697, date 07.04.1993 "Per kundervajtjet administrative", i ndryshuar.
2 Për një ndryshim në ligjin nr. 7697, datë 07.04.1993 "Për kundërvajtjet administrative"
3 Për disa ndryshime në ligjin nr. 7697, datë 07.04.1993 "Për kundravajtjet administrative", ndryshuar me ligjin nr. 7813, datë 14.04.1995 dhe ligjin nr. 8016, datë 25.10.1995
4 Për një ndryshim në ligjin nr. 7697, datë 07.04.1993 "Për kundravajtjet administrative"
5 Per disa ndryshime ne ligjin nr. 7697, date 7.4.1993 "Per kundervajtjet administrative", ndryshuar me ligjin nr.7813, date 14.4.1994, ligjin nr.7927, date 24.4.1995 dhe ligjin nr. 8343, date 6.5.1998.
6 Për një ndryshim në ligjin nr. 7697, datë 07.04.1993 "Për kundërvajtjet administrative"
7 Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 7697, datë 07.04.1993 "Për kundërvajtjet administrative"
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: LIGJ

Nr.7697, datë 7.4.1993

PER KUNDERVAJTJET ADMINISTRATIVE

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozim të Këshillit të Ministrave,


KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE


V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1

Kundërvajtja administrative quhet shkelja me faj e dispozitave ligjore ose nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore kompetente e kryer me veprim ose mosveprim dhe për të
cilën parashikohet një dënim administrativ.


Neni 2

Kanë përgjegjësi për kundravajtjet administrative personat e përgjegjshëm që kanë mbushur moshën 14 vjeç.


Neni 3

Shkeljet që përbëjnë kundravajtje administrative parashikohen me ligj.
Kanë të drejtë të nxjerrin akte që parashikojnë kundravajtje administrative edhe këshillat e bashkive e të komunave për shkelje që kanë lidhje me drejtimin e punëve publike në njësitë
territoriale përkatëse dhe që nuk janë parashikuar si të tilla në ligje të veçanta.

Neni 4

Për kundravajtjet administrative jepen këto dënime:
a) gjobë;
b) heqje lirie deri në 30 ditë.
Dënimi me heqje lirie jepet vetëm kur ligji ngarkon gjykatën si organ për shqyrtimin e kundërvajtjes.
Këto dënime administrative, në vartësi nga lloji i kundërvajtjes, shoqërohen edhe me masa administrative parandaluese të parashikuara në ligj.
Gjykata, në raste të veçanta, me kërkesën e kundërvajtësit, mund të bëjë zëvendësimin e dënimit me heqje lirie në dënim me gjobë, duke llogaritur një ditë heqje lirie me pagën e të
dënuarit për dy ditë pune. Nga kjo e drejtë nuk përfitojnë përsëritësit.


Neni 5

Dënimi me gjobë për kundërvajtjet e parashikuara në akte të pushtetit lokal nuk mund të jetë më i madh se 10000 lekë.


Neni 6

Për shkelje të një rëndësie të vogël mund të parashikohet gjobitja e kundërvajtësit në vend me një shumë deri në 1000 lekë.


Neni 7

Sendet që kanë shërbyer ose ishin caktuar si mjet për kryerjen e kundërvajtjes administrative, kalojnë në dobi të shtetit, përveç rasteve kur vërtetohet se ato janë të personave që nuk kanë marrë pjesë në kryerjen e kundërvajtjes administrative.

Neni 8

Sendet, të hollat dhe çdo përfitim tjetër pasuror të vëna në dorë nëpërmjet kundërvajtjes administrative, merren dhe kalojnë në dobi të shtetit. Kur marrja e sendit ose e përfitimit tjetër pasuror është e pamundur, kundërvajtësi paguan kundërvleftën e tyre në të holla.

MASA ADMINISTRATIVE

Neni 9

Organi që shqyrton kundërvajtjen administrative, në raste të veçanta, kur vëren se personi që e ka kryer atë, mban qëndrim të mirë, tregohet i penduar dhe çmon se dhënia e dënimit
adminstrativ nuk është e nevojshme, ka të drejtë ta pushojë çështjen dhe, kur është rasti, të vendosë vetëm për shpërblimin e dëmit.
Kur i mituri nën moshën 14 vjeç dhe i mitur në moshën nga 14 deri në 18 vjeç, që është i pazënë në punë, kryen për herë të dytë një kundërvajtje, përgjigjet administrativisht prindi ose kujdestari i tij.

KREU II

KONSTATIMI E SHQYRTIMI I KUNDERVAJTJES ADMINISTRATIVE

Neni 10

Për konstatimin e kundërvajtjes administrative, përveç rasteve kur parashikohet marrja e gjobës në vend, mbahet proçesverbal nga personat e ngarkuar me ligj ose me akte të
organeve të pushtetit lokal.
Procesverbali mbahet në vendin e kryerjes së kundërvajtjes dhe në kohën e konstatimit të saj, si rregull në prani të kundërvajtësit dhe të dëshmitarëve të pranishëm. Në procesverbal
shënohen identiteti i kundërvajtësit dhe lloji i kundërvajtjes që nënshkruhet nga përpiluesi, kundërvajtësi dhe dëshmitarët e pranishëm, në rast se ka. Procesverbali i dërgohet menjëherë
organit që është kompetent për shqyrtimin e kundërvajtjeve.


Neni 11

Kundërvajtjet administrative shqyrtohen sipas rastit nga organi përkatës i administratës shtetërore, ose nga gjykata në territorin e të cilëve është kryer kundërvajtja.
Organi që shqyrton kundërvajtjen, kur çmon se shqyrtimi i kundërvajtjes mund të bëhet më me lehtësi, ka të drejtë t'ia dërgojë procesverbalin organit të vendbanimit të kundërvajtësit.


Neni 12

Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative bëhet në prani të kundërvajtësit. Kur vërtetohet se ai ka marrë dijeni dhe nuk ka shkaqe justifikuese për mosparaqitje, shqyrtimi mund të bëhet
edhe në mungesë.

Neni 13

Përbërja e organit administrativ që shqyrton kundërvajtjen, caktohet në dispozitat që e parashikojnë atë.

Neni 14

Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative bëhet brenda 15 ditëve nga data e konstatimit të saj, por jo më vonë se 2 muaj pas kryerjes.

Neni 15

Në zgjidhjen e llojit të dënimit dhe në caktimin e masës së tij organi që shqyrton kundërvajtjen administrative, duhet të marrë parasysh rrethanat, rëndësinë e shhkeljes, sjelljen e kundërvajtësit dhe kushtet familjare të tij.

Neni 16

Së bashku me kundërvajtjen administrative, kur është rasti shqyrtohet edhe shpërblimi i dëmit të shkaktuar nga kundërvajtësi.

Neni 17

Në vendimin e dënimit përmendet identiteti i kundërvajtësit, shkelja e kryer, dënimi i dhënë, masat administrative, sendet e marra dhe, kur është rasti, edhe detyrimi për shpërblimin e demit.

Neni 18

Kundër vendimit të dënimit nga organi administrativ mund të bëhet ankim ose protestë brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes ose njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja, vendimi i të cilës është i formës së prerë.
Gjykata që shqyrton ankim ose protestën vendos lënien në fuqi të vendimit, ndryshimin e tij, pushimin e çështjes ose e prish dhe e gjykon vetë çështjen.
Kur dënimi jepet nga gjykata e rrethit, ankimi bëhet në gjykatën e apelit.


EKZEKUTIMI I VENDIMEVE

Neni 19

Gjoba, të ardhurat që merren sipas neneve 6 e 7 të këtij ligji dhe shpërblimi i dëmit paguhen nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditëvonesë, paguhet kamatë 2 për qind deri në një muaj. Kur edhe pas këtij afati nuk paguhet, zbatimi bëhet nëpërmjet qendrës së punës së kundërvajtësit, duke përfshirë edhe punëdhënësit privatë. Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga paga, zbatohet ligji për nxjerrjen e të ardhurave shtetërore.

Neni 20

Gjobat dhe të ardhurat e vjela sipas neneve 6 e 7 të këtij ligji kalojnë në buxhetin e shtetit, përveç rasteve kur rrjedhin nga kundërvajtje të miratuara nga organet kolegjiale të pushtetit
lokal, nga të cilat 85% kalojnë në favor të buxhetit lokal dhe 15% në favor të buxhetit të shtetit.

Neni 21

Zbatimi i dënimit me gjobë fikse bëhet në vend nga personi i ngarkuar për këtë qëllim. Kur zbatimi bëhet i pamundur, mbahet procesverbal dhe gjoba vilet në përputhje me nenet 19 dhe 20 të këtij ligji.

Neni 22

Dënimi me heqje të lirisë zbatohet nga organet përkatëse të rendit publik.

Neni 23

Dënimet për kundërvajtjet administrative nuk mund të ekzekutohen me kalimin e një viti nga data e dhënies së tyre.

Neni 24

Kundërvajtësi që pas kalimit të një viti nga data e dhënies së dënimit nuk ka kryer kundërvajtje tjetër administrative, quhet i padënuar administrativisht.

Neni 25

Kundërvajtjet e vërejtura deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji të shqyrtohen sipas dispozitave që kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes së tyre.

Neni 26

Ligji nr.6070, datë 25.12.1979 "Për kundërvajtjet administrative", shfuqizohet.

Neni 27

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas shpalljes në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.514, datë 16.4.1993 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0  2.268 304070005





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

GlobeAlbania