0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për mbrojtjen nga zjarri.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 7707
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 17.05.1993
Data e aprovimit te Aktit: 03.06.1993
Numri i neneve: 43
Numri i fletores zyrtare: 7
Data e fletores zyrtare: 12.06.1993
Aktiviteti: Komision Industri,Transport,Puneve,Tregti,Mbrojtja nga zjarri,Mbrojtja e Mjedisit
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Mbrojtja e jetës së njerëzve dhe e pronës nga rreziku i zjarrit është detyrë me të cilën, veç organeve të specializuara,ngarkohen ministritë, institucionet e tjera qëndrore, organet e pushtetit lokal, si dhe personat e tjerë juridikë e fizikë.
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: LIGJ

Nr.7707, datë 17.5.1993

PER MBROJTJEN NGA ZJARRI

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 14.4.1991,
"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit
të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1

Mbrojtja e jetës së njerëzve dhe e pronës nga rreziku i
zjarrit është detyrë me të cilën, veç organeve të specializuara,
ngarkohen ministritë, institucionet e tjera qendrore, organet e
pushtetit lokal, si dhe personat e tjerë juridikë e fizikë.

Neni 2

Ministritë, institucionet qendrore, personat juridikë e
fizikë, vendas e të huaj, për mbrojtjen nga zjarri ngarkojnë
specialistë dhe bashkëveprojnë me organet përkatëse të
specializuara të kësaj fushe.

Neni 3

Personat juridikë e fizikë, vendas e të huaj detyrohen të
zbatojnë rregullat e mbrojtjes nga zjarri në të gjitha kategoritë
e objekteve, shtetërore a private, të parashikuara nga ky ligj.

KREU II

ORGANIZIMI DHE VEPRIMTARIA E INSPEKTORIATIT
TE MBROJTJES NGA ZJARRI

Neni 4

Në Ministrinë e rendit Publik organizohet Inspektoriati i
Mbrojtjes nga Zjarri si organ ekzekutiv, qendror i specializuar
ushtarak, me uniformë dhe shenjat dalluese përkatëse.
Në rrethe funksionojnë sektorët e Inspektoriatit të MNZ-së
në vartësi të këshillit të rrethit, degës së rendit publik dhe
Inspektoriatit të MNZ-së në Ministrinë e Rendit Publik.

Neni 5

Në Ministrinë e Mbrojtjes organizohet shërbimi i mbrojtjes
nga zjarri me detyrat dhe të drejtat e parashikuara nga ky ligj,
brenda objekteve të sistemit të saj.

Neni 6

Inspektoriati i MNZ-së ka si qëllim të sigurojë
pacënueshmërinë e personave nëpërmjet parandalimit dhe shuarjes
së zjarreve, si dhe dhënies së ndihmës teknike në përgjithësi për
fatkeqësi publike.

Neni 7

Veprimtaria e Inspektoriatit të MNZ-së realizohet në çdo
kohë dhe shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së
Shqipërisë. Objekt i punës së tij janë të gjithë mjediset,
ngrehinat, lokalet, veprimtaritë e veçanta, si dhe kompletimi
materialo-teknologjik i tyre, pronë e personave juridikë e fizikë
vendas e të huaj.

Neni 8

Inspektioriati i MNZ-së në Ministrinë Rendit Publik
kontrollon, organizon dhe drejton veprimtarinë e reparteve
zjarrfikëse e të inspektorëve të mbrojtjes nga zjarri të të
gjitha kategorive, pavarësisht nga vartësia e tyre ekonomike e
financiare. Ai përgjigjet dhe merr masa për kualifikimin e
personelit zjarrfikës, duke lëshuar për këtë qëllim dëshmitë e
aftësisë.

Neni 9

Aktet nënligjore të nxjerra nga Ministria e Rendit Publik
për mbrojtjen nga zjarri janë të detyrueshme për zbatim nga
personat fizikë e juridikë shtetërorë a privatë.

Neni 10

Në qytete, komuna, ndërmarrje, institucione e firma private
organizohen grupe vullnetare të specializuara për mbrojtjen nga
zjarri. Mënyra e organizimit, e përgatitjes dhe e shpërblimit të
tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 11

Inspektoriati i MNZ-së në Ministrinë e Rendit Publik, me
kërkesën e personave juridikë a fizikë, vendas ose të huaj, në
bazë të një studimi, duke marrë parasysh shtrirjen e zonës së
banuar dhe numrin e banesave, shpërndarjen dhe rëndësinë e
objekteve, si dhe rrezikshmërinë për zjarr e shpërthim, lidh
kontraten për krijimin e reparteve zjarrfikëse brenda objekteve
që ata kanë në pronësi e përdorim, dhe kontratën për kontrollin
teknik të masave mbrojtëse nga zjarri.

Neni 12

Kontrata për mbrojtjen nga zjarri të objekteve shtetërore
me rëndësi kombëtare lidhet me marrëveshje ndërmjet Ministrisë
së Rendit Publik dhe dikasterit përkatës, kurse për objektet e
tjera shtetërore e private lidhet ndërmjet Inspektoriatit të MNZ-
së në rreth dhe personave juridikë e fizikë të interesuar.
Për efekt të këtij ligji, objektet shtetërore me rëndësi
kombëtare caktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 13

Mënyra e lidhjes së kontratës për të gjitha kategoritë e
objekteve përcaktohet me udhëzim të Këshillit të Ministrave.

Neni 14

Shpenzimet për ngritjen, mbajtjen dhe pajisjen e reparteve
zjarrfikëse brenda objekteve përballohen nga personat juridikë
a fizikë që e kanë në pronësi e përdorim objektin.
Inspektoriatit të MNZ-së i paguhen shpenzimet e bëra për
shërbimet që u kryen personave juridikë e fizikë, shtetërorë e
privatë. Tarifat dhe lloji i shërbimeve që kryen ky Inspektoriat,
përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 15

Të ardhurat që realizon Inspektoriati i MNZ-së nga shërbimet
që u kryen personave juridikë e fizikë, kalojnë për llogari të
këtij Inspektoriati, duke përcaktuar me vendim të Këshillit të
Ministrave mënyrën e përdorimit të tyre.

Neni 16

Ministria e Rendit Publik organizon përgatitjen dhe
kualifikimin e punonjësve për mbrojtjen nga zjarri. Mënyra e
përgatitjes së tyre përcaktohet me udhëzim të ministrit të Rendit
Publik.

Neni 17

Inspektoriati i MNZ-së, në bashkëpunim me personat juridikë
e fizikë, vendas a të huaj, merr masa për prodhimin dhe tregtimin
e mjeteve e pajisjeve për mbrojtjen nga zjarri, si dhe miraton
licencat e lëshuara për këtë qëllim.

KREU III

DETYRAT E ORGANEVE QENDRORE E LOKALE

Neni 18

Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, për mbrojtjen
nga zjarri të objekteve të sistemit të tyre, kanë këto detyra
kryesore:
a) Drejtojnë, organizojnë dhe marrin masa për parandalimin
dhe shuarjen e zjarreve.
b) Ushtrojnë kontrolle me specialistë për zbatimin e akteve
ligjore e nënligjore dhe rregullave e normave për mbrojtjen nga
zjarri.
c) Në bashkëpunim me Inspektoriatin e MNZ-së, studiojnë,
përcaktojnë dhe nxjerrin rregullat përkatëse për MNZ-në në
përshtatje me rrezikun për zjarr, ose për plasje të proceseve
teknologjike.
ç) Organizojnë punën për parandalimin dhe ndjekjen e
rregullave të MNZ-së me punonjësit e sistemit të tyre.
d) Studiojnë gjendjen dhe planifikojnë fondet për
rikonstruksione dhe kompletimin e objekteve me mjetet e nevojshme
për shuarjen e zjarrit.
dh) Burimet financiare përballohen nga vetë ndërmarrjet nga
buxheti brenda kufirit të programit vjetor.
e) Planifikojnë dhe dërgojnë në kurse kualifikimi për
mbrojtjen nga zjarri punonjës e specialistë të ndryshëm.

Neni 19

Organet e pushteti lokal, për mbrojtjen nga zjarri, kanë
këto detyra:
a) Planifikojnë fonde të nevojshme për ngritjen, mbajtjen
dhe pajisjen e reparteve zjarrfikëse në juridiksionin e tyre,
sipas kërkesave të nenit 10 të këtij ligji.
b) Marrin masa për mbrojtjen nga zjarri të ngrehinave,
lokaleve e objekteve socialkulturore.
c) Planifikojnë fonde e kërkojnë vendosjen e mjeteve të
ndërlidhjes dhe sinjalizimit publik në rast zjarri.
d) Organizojnë grupet vullnetare në qytet e fshat për
përballimin e zjarreve që mund të ndodhin.
dh) Nxjerrin akte nënligjore për mbrojtjen nga zjarri, të
detyrueshme për zbatim për personat juridikë e fizikë.
e) Planifikojnë e dërgojnë në kurse kualifikimi për
mbrojtjen nga zjarri punonjës e specialistë të ndryshëm brenda
e jashtë shtetit.
ë) Vendosin lidhje dhe bashkëpunojnë me partnerë të huaj për
përsosjen e masave të mbrojtjes nga zjarri.

Neni 20

Institucionet, ndërmarrjet, firmat private vendase e të
huaja, njësitë e reparteve ushtarake, organizatat e ndryshme
etj., për mbrojtjen nga zjarri, kanë këto detyra:
a) Marrin masa për mbrojtjen nga zjarri të ngrehinave,
lokaleve dhe veprimtarive prodhuese.
b) Kontrollojnë dhe marrin masa për parandalimin dhe
shuarjen e zjarreve.
c) Përcaktojnë rregulla të brendshme për mbrojtjen nga
zjarri sipas kategorive të procesit teknologjik të objektit.
ç) Vendosin mjete sinjalizuese për diktimin e zjarreve në
objektet e tyre.
d) Marrin masa për kompletimin e objekteve me mjetet e
nevojshme për shuarjen e zjarrit.
dh) Sigurojnë ndërlidhje të vazhdueshme.
e) Mbajnë në gatishmëri rrugët dhe urat për lëvizjen në çdo
kohë të automjeteve zjarrfikëse brenda objektit të tyre.
ë) Me punonjësit e tyre organizojnë grupet vullnetare dhe
marrin masa për kualifikimin e tyre.

Neni 21

Personat juridikë e fizikë që veprojnë në sektorin e
bujqësisë, detyrohen të marrin masa për parandalimin dhe shuarjen
e zjarrit në pyje, pemishte, ullishte, stalla, kullota etj.
Organizimin dhe drejtimin e veprimtarive për shuarjen e
zjarreve në pyje etj. e bëjnë organet përkatëse, në bashkëpunim
me Inspektoriatin e MNZ-së.

Neni 22

Personat juridikë e fizikë të minierave dhe energjitikës,
në fushën e masave të MNZ-së, kanë këto detyra:
a) Marrin masa për mbrojtjen nga zjarri të minierave, puseve
të naftës, gazit etj., sipas rregulave teknike të nxjerra për
këtë qëllim.
b) Bëjnë studime për parandalimin e fontanave të naftës e
gazit, si dhe për përsosjen e metodave e mënyrave të mbylljes së
tyre.
c) Drejtojnë punën për zhdukjen e zjarreve masive
(fontanave) në bashkëpunim me Inspektoriatin e MNZ-së.
ç) Planifikojnë fonde të veçanta çdo vit për sigurimin e
pajisjeve të domosdoshme dhe rezervën për përballimin e zjarreve
masive.

Neni 23

Personat juridikë e fizikë që veprojnë në sektorin komunal,
kanë këto detyra:
a) Ushtrojnë kontroll dhe ndërhyjnë në marrjen e masave
parandaluese të MNZ-së në banesat e shtetasve për instalimet
elektrike, oxhaqet etj.
b) Vendosin sipas normave teknike hidrante zjarrfikëse në
rrugët e qyteteve e fshatrave dhe mbajnë në gatishmëri të gjitha
burimet e furnizimit me ujë.

Neni 24

Institucionet kulturore detyrohen të marrin masa për
mbrojtjen nga zjarri të qyteteve, lagjeve dhe objekteve muzeore.

Neni 25

Ministria e Arsimit në shkollat e mesme e të larta teknike
trajton me cikël leksionesh edhe dispozitat ligjore, normat e
projektimit dhe rregullat e mbrojtjes nga zjarri. Në shkollat e
ciklit të ulët propagandohen në edukatën qyetare edhe problemet
e mbrojtjes nga zjarri.

Neni 26

Personat juridikë e fizikë të transportit dhe komunikacionit
kanë këto detyra:
a) Ushtrojnë kontroll e marrin masa për parandalimin dhe
shuarjen e zjarrit në mjetet e transportit detar, rrugor,
hekurudhor e ajror dhe në vendqëndrimet e tyre.
b) Kryejnë të gjitha shërbimet teknike për automjetet
zjarrfikëse, kur ato e kanë të nevojshme, me përparësi në parqet
e ofiçinat.
c) Parashikojnë në projektet për ndërtim ose
rikonstruksionin e anijeve masat mbrojtëse nga zjarri dhe
impjantet shuarëse.
ç) Planifikojnë, vendosin dhe mirëmbajnë mjete të
ndërlidhjes dhe sinjalizimit publik në rast zjarri.

Neni 27

Radiotelevizioni dhe organet e tjera të shtypit, përveç
masave që duhet të marrin për mbrojtjen nga zjarri të objekteve
të tyre, kanë për detyrë të propagandojnë vazhdimisht problemet
që lidhen me mbrojtjen e jetës së njeriut e të pronës nga rreziku
i zjarrit.

KREU IV

MASAT MBROJTESE NGA ZJARRI GJATE PROJEKTIMIT
DHE NDERTIMIT TE VEPRAVE

Neni 28

Projektimi, ndërtimi, vënia në shfrytëzim, rikonstruksioni
dhe shtesat në ndërtesat, vepra të ndryshme, linja, makineri e
pajisje teknologjike, rrjeti rrugor elektrike ujësjellës dhe
hartimi e zbatimi i planeve të rregullores së qyteteve e
fshatrave bëhen në përputhje me rregullat e mbrojtjes nga zjarri.

Neni 29

Specialisti i Inspektoriatit të MNZ-së merr pjesë në
miratimin e projekteve nga institutet e projektimit dhe zyrat e
urbanistikës në bashki.

Neni 30

Punonjësit e projektimit zbatojnë kërkesat, rregullat e
normave të MNZ-së.

Neni 31

Inspektoriati i MNZ-së miraton në çdo rast lejet për sheshin
e ndërtimit, anën ndërtimore, teknologjike dhe për fillimin e
punimeve të ndërtimit e shfrytëzimit, për çdo objekt e veprimtari
të veçantë, kur plotësohen kërkesat e MNZ-së.
Lejet, sipas rrezikshmërisë nga zjarri të objektit,
persëriten një herë në tre vjet ose 6 vjet. Shkallëzimin e
rrezikshmërisë e bën Inspektoriati i MNZ-së me projektuesit e
objektit.

Neni 32

Në komisionet e kualidimit dhe të marrjes në dorëzim të
objekteve merr pjesë edhe specialisti i Inspektoriatit të MNZ-së.

Neni 33

Nuk lejohet fillimi i punimeve dhe bërja e ndryshimeve nga
ana funksionale, ndërtimore e teknologjike në objekte nga
personat juridikë e fizikë, kur cënojnë rregullat e mbrojtjes nga
zjarri, pa marrë miratimin e Inspektoriatit të MNZ-së.

Neni 34

Specialistët e Inspektoriatit të MNZ-së përgjigjen për
miratimin e projekteve në kundërshtim me rregullat. Inspektoriati
i MNZ-së në Ministrinë e Rendit Publik ndërhyn për zgjidhjen në
baza ligjore, kur në projektet e miratuara nuk janë parashikuar
rregullat e MNZ-së.

Neni 35

Personat juridikë e fizikë vendas e të huaj, përveç normave
të projektimit dhe rregullave të MNZ-së të ministrive e
institucioneve nga varen, detyrohen të zbatojnë normat e
rregullat e MNZ-së, të ministrive e institucioneve të tjera në
objekte që kanë natyrë pune të njëjtë.

KREU V

DETYRAT E TE DREJTAT E INSPEKTORIATIT TE MNZ

Neni 36

Inspektoriati i Mbrojtjes nga Zjarri ka këto detyra:
1. Kontrollon në shkallë vendi çdo objekt e veprimtari të
veçantë të personave juridikë e fizikë (duke përjashtuar objektet
e Ministrisë së Mbrojtjes), zbatimin e rregullave të vendosura
për mbrojtjen nga zjarri dhe merr masa e le detyra për mënjanimin
e shkeljeve.
2. Jep ndihmën e nevojshme dhe ndërhyn në rastet e
fatkeqësive publike me njoftimin e personave juridikë e fizikë.
3. Kryen studime për përsosjen e masave të MNZ-së në sektorë
të ekonomisë, në bashkëpunim me institucionet shkencore,
studiuese e projektuese.
4. Kontrollon zbatimin e rregullave të MNZ-së gjatë
projektimit, ndërtimit, rikonstruksionit dhe vënies në shfrytëzim
të çdo lloj kategorie objektesh.
5. Ushtron kontroll për transportin e lëndëve djegëse
plasëse.
6. Merr pjesë dhe jep mendime në hartimin e rregullave të
MNZ-së që nxjerrin ministritë, institucionet qendrore dhe
organizatat private.
7. Bashkëpunon me gjithë personat juridikë e fizikë,
shtetërorë e privatë per zgjidhjen e probleme që dalin në
mbrojtjen nga zjarri.
8. Organizon punën dhe merr masa për shuarjen e zjarreve dhe
mënjanimin e pasojave.
9. Harton dhe projekton projektaktet normative për mbrojtjen
nga zjarri.
10. Në bashkëpunim me dikasteret përkatëse, përgatit aktet
e aderimit në organizatat ndërkombëtare që veprojnë për mbrojtjen
nga zjarri.
11. Studion dhe analizon shkaqet e zjarreve që ndodhin dhe
përcakton masat për përmirësimin e gjendjes.
12. Organizon dhe drejton punën për përgatitjen dhe
gatishmërinë e reparteve zjarrfikëse.
13. Merr masa për sigurimin e materialeve, të mjeteve e
pajisjeve për shuarjen e zjarreve, si dhe planifikon shpërndarjen
e tyre në repartet zjarrfikëse.
14. Merr masa për organizimin e bisedave, të konferencave,
demonstrimeve praktike, lokale e në shkallë vendi.
15. Ndihmon organet e hetimit në kërkesën e tyre, me
cilësinë e ekspertit, për sqarimin e rrethanave e të
përgjegjësisë në zjarret e rëna.

Neni 37

Inspektoriati i Mbrojtjes nga Zjarri ka këto të drejta:
1. Miraton, sipas rastit, licencat për ndërtimin e veprave
e të objekteve në përputhje me dispozitat e veçanta.
2. Urdhëron largimin menjëherë të materialeve e të lëndëve
kur prania e tyre është në kundërshtim me rregullat e mbrojtjes
nga zjarri.
3. Bllokon ndërmarrje, reparte pune e prodhimi,
institucione, depo e magazina, mjete transporti i objekte të
tjera me veprimtari shtetërore e private, kur paraqesin rrezik
për zjarr e plasje, ose në të kundërt vendosen mjetet e shuarjes
së zjarrit, ndërlidhja telefonike si dhe mjetet e diktimit e të
sinjalizimit.
4. Pezullon nga puna deri në rimarrjen në provë të
punonjësve që nuk i kanë njohuritë e duhura ose punojnë në
kundërshtim me rregullat e MNZ-së në vende pune me rrezik të
theksuar zjarri.
5. Ndërpret energjinë elektrike të linjave të amortizuara,
kur ato janë të instaluara në kundërshtim me kushtet teknike dhe
paraqesin rrezik për zjarr.
6. Përdor në rast nevoje mjetet e transportit, linjat
telefonike dhe çdo pajisje e mjet tjetër të personave juridikë
e fizikë që ndihmojnë në shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin e
jetës së njerëzve, dhe i shpërblen ata për këtë përdorim.
7. Ndalon trajtimin dhe përdorimin e pajisjeve, të
impianteve e linjave që kanë rrezik për zjarr e që nuk janë
pajisur me instruksionet përkatëse.
8. Bllokon banesa, zyra, ngrehina e mjedise të tjera ku ka
rënë zjarr, për të siguruar të paprekur vendin e ngjarjes.
9. Pezullon punimet e ndërtimit dhe vënien në shfrytëzim të
objekteve, kur në to nuk janë parashikuar e zbatuar rregullat e
mbrojtjes nga zjarri.
10. Kallëzon në organet e hetimit për ndjekjen penale
personat fizikë përgjegjës, të cilët nuk marrin masat e duhura
për zbatimin e rregullave të MNZ-së dhe kur nga ato kanë ardhur
ose mund të vijnë pasoja të rënda.
11. Miraton licencat e lëshuara për prodhimin e tregtimin
e mjeteve e të pajisjeve zjarrfikëse.

KREU VI

DISPOZITA TE FUNDIT

Neni 38

Për shkeljet që i bëhen dispozitave të këtij ligji, merren
këto masa:
1. Bëhet bllokimi i çdo kategorie objekti për shkeljet e
parashikuara në nenet 17 e 22 (shkronja a) 24, 28, 31 e 33.
2. Jepet gjobë me vendim nga 10 000 deri në 100 000 lekë për
shkeljet e parashikuara në nenet 9, 17 e 20 (shkronjat c,ç,dh)
21, 22 (shkronjat a, ç) 23 (shkronja b) 24, 26 (shkronja b,c,ç)
31 e 33, si dhe:
a) Kur nuk janë zbatuar detyrat e lëna me shkrim.
b) Kur ka rënë zjarr pa pasojë të rëndë dhe për të nuk ka
filluar çështja penale.
c) Kur nuk sigurohet ndërlidhja telefonike dhe nuk jepet
përparësi në rast zjarri.
3. Jepet gjobë në vend nga 500-10 000 lekë për shkeljet e
parashikuara në nenet 3, 20 (shkronjat a, d, e) 23 (shkronja a),
26 (shkronja a) dhe 35, si dhe
a) Kur nuk zbatohen kërkesat e rregullave të brendshme.
b) Kur shtetasit, pa shkaqe të përligjura, nuk pranojnë të
japin ndihmë në mjete transporti e ndërlidhje për shpëtimin e
jetës së njeriut e të pronës nga zjarri.
c) Kur bllokohen ose pengohen rrugët e lëvizjes së
automjeteve zjarrfikës.

Neni 39

Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative bëhet nga shefi i
Inspektoriatit të MNZ-së, i cili vendos për masën e gjobës.

Neni 40

Kundër vendimit të marrë nga shefi i Inspektoriatit të MNZ-
së bëhet ankim brenda 10 ditëve nga data e komunikimit të
vendimit në Inspektoriatin e MNZ-së në Ministrinë e Rendit Publik
dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Neni 41

Kur në objektet kombëtare vërehen shkelje të rregullave të
MNZ-së, të drejtën e bllokimit, edhe kur ky bllokim ndërpret
prodhimin e përgjithshëm, e ka Inspektoriati i MNZ-së në
Ministrinë e Rendit Publik.

Neni 42

Këshilli i Ministrave, Ministria e Rendit Publik, Ministria
e Mbrojtjes dhe ministritë e institucionet e tjera qendrore, në
bazë për zbatimin e këtij ligji, ngarkohen të nxjerrin akte
nënligjore përkatëse.

Neni 43

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr,545 datë 3.6.1993 të Presidentit të
Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.






Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0  2.525 305170001





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme




spitaliamerikan