ebuy.al
Alexa Alexa
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për avokatinë në Republikën e Shqipërisë
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 7827
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 31.05.1994
Data e aprovimit te Aktit: 14.06.1994
Numri i neneve: 49
Numri i fletores zyrtare: 7
Data e fletores zyrtare: 21.07.1994
Aktiviteti: Avokatia,Avokaturë e Shtetit
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Avokatia në Republikën e Shqipërisë ushtrohet si profesion i lirë dhe i pavarur. Ajo ka për detyrë t'u japë ndihmë juridike pa asnjë dallim personave fizikë e juridikë shqiptarë e të huaj.
Amendamente
1 Për Avokatinë në Republikën e Shqipërisë.
2 Për një shtesë në ligjin nr. 7827, datë 31.05.1994 "Për avokatinë në Republikën e Shqipërisë"
Akte te ngjashem
1 Për Avokatinë në Republikën e Shqipërisë.
2 Për një shtesë në ligjin nr. 7827, datë 31.05.1994 "Për avokatinë në Republikën e Shqipërisë"
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: L I G J

Nr.7827, datë 31.5. 1994

PER AVOKATINE NE REPUBLIKEN E SHQIPERISE

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë
29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozim të
Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I :

Neni 1

Avokatia në Republikën e Shqipërisë ushtrohet si profesion
i lirë dhe i pavarur. Ajo ka për detyrë t'u japë ndihmë juridike
pa asnjë dallim personave fizikë e juridikë shqiptarë e të huaj.

Neni 2

Ndihma juridike jepet:
a) me këshillime për çështje ligjore;
b) me përgatitje të kërkesëpadive ose të kërkesave për
ndjekje penale;
c) me përgatitje të kërkesave ankimore kundër vendimeve
gjyqësore, të prokurorisë, të arbitrazhit e të organeve të
administratës shtetërore;
ç) me përgatitje të ankesave e kërkesave të personave
juridikë e fizikë;
d) me përpilimin e akteve që vërtetohen nga noteri;
dh) me hartimin e kontratave dhe marrëveshjeve, si dhe të
çdo dokumenti tjetër që sjell ose synon të sjellë pasoja
juridike;
e) me pjesëmarrjen si mbrojtës gjatë ndalimit të personit
dhe në hetimin e gjykimin e çështjeve penale;
ë) me përfaqësimin e pjesëmarrësve në gjykimin e çështjeve
civile e administrative, në arbitrazh dhe në organe të tjera
shtetëror e për çështje administrative;
f) në raste të tjera të parashikuara në ligj.

Neni 3

Avokati e ushtron profesionin e tij si individ dhe si zyrë
avokatore.

Neni 4

Avokati nuk mund të krijojë më shumë se një zyrë avokatie.
Ai, si rregull, e ushtron veprimtarinë në territorin e
juridiksionit të dhomës së avokatëve, në të cilën bën pjesë dhe
ndodhet zyra e tij.
Avokati mund të ushtrojë veprimtarinë e tij edhe jashtë
shtetit, në përputhje me ligjet e çdo vendi.

Neni 5

Avokati nuk mund të jetë në të njëjtën kohë noter, të
ushtrojë veprimtari tregtare në emër të tij ose në emër të
tjerëve, të jetë përfaqësues i çdo lloj kulti fetar, si dhe të
ushtrojë veprimtari nëpunësie mbi bazën e marrëdhënieve të punës
me shtetin, me përjashtim të veprimtarisë shkencore, artistike,
letrare, arsimore e sportive.


KREU II

TE DREJTAT DHE DETYRAT E AVOKATIT

Neni 6

Avokati, me cilësinë si përfaqësues ose mbrojtës, ka të
drejtë të kërkojë nga organet shtetërore ose personat juridikë
njoftime e dokumente, të cilat kanë të bëjnë me çështjen a me
personin që përkatësisht përfaqëson ose mbron. Organet shtetërore
dhe personat e tjerë juridikë janë të detyruar të plotësojnë
kërkesat e avokatit.

Neni 7

Avokati ka të drejtë të takohet vetëm për vetëm dhe pa
asnjë kufizim me klientin e tij të ndaluar, të arrestuar ose të
burgosur. Takimet mund të bëhen në kushtet e shikimit nga organet
kompetente, por në asnjë rast në kushte dëgjimi.
Organet kompetente detyrohen të sigurojnë menjëherë
praninë e avokatit kur kërkohet nga një person i ndaluar, i
arrestuar ose i burgosur dhe kryesisht kur ky person është i
mitur, ose përfiton nga mbrojtja falas. Në çdo rast prania e
avokatit duhet të sigurohet jo më vonë se njëzetekatër orë nga
koha e ndalimit ose e arrestimit.

Neni 8

Avokati ka të drejtë, në pajtim me rregullat e zhvillimit
të hetimit, të marrë pjesë në kryerjen e veprimeve hetimore, t'i
drejtojë pyetje të pandehurit e dëshmitarëve, si dhe të njihet me
gjithë materialin e çështjes në përfundim të hetimeve. Ai ka të
drejtë të bëjë vërejtje në procesverbalet e veprimeve hetimore ku
ka marrë pjesë, dhe t'i nënshkruajë ato.

Neni 9

Avokatit i ndalohet të bëjë kallëzim në organet
kompetente dhe nuk mund të pyetet si dëshmitar për rrethana që i
ka mësuar gjatë ushtrimit të profesionit si avokat. Atij i
ndalohet të përhapë të dhëna që i ka mësuar gjatë kryerjes së
detyrës së tij për dhënien e ndihmës juridike.

Neni 10

Avokati ka të drejtë të heqë dorë nga përfaqësimi ose
mbrojtja e filluar duke njoftuar 15 ditë përpara klientin e vet
si dhe duke kthyer shpërblimin e marrë sipas marrëveshjes
ndërmjet palëve.

Neni 11
Avokati mund të heqë dorë përkohësisht nga ushtrimi i këtij
profesioni për kohën që do të jetë në marrëdhënie pune, ose që do
të ushtrojë një veprimtari fitimprurëse. Për këtë qëllim ai
njofton Dhomën e avokatëve ku bën pjesë. Kur ai zgjidhet deputet
në Kuvendin Popullor ose kryetar bashkie, nuk pengohet të marrë
pjesë në jetën publike të dhomës, por nuk mund ta ushtrojë
profesionin si avokat.

Neni 12

Avokati ka për detyrë ta ushtrojë profesionin e tij me
nder e dinjitet. Ai duhet të respektojë rregullat e etikës
profesionale dhe të përdorë të gjitha mjetet e ligjshme për
mbrojtjen me besnikëri të të drejtave dhe interesave të personave
fizikë a juridikë që mbron ose përfaqëson.

Neni 13

Avokati përpara se të fillojë veprimtarinë e tij duhet të
bëjë betimin sipas mënyrës dhe formulës së vendosur nga Dhoma
Kombëtare e Avokatëve.

Neni 14
Avokati nuk mund të marrë përsipër çështjet kur me
hetuesin, prokurorin ose gjyqtarin që gjykon çështjen, është
gjini a krushqi e afërt. Gjithashtu nuk mund të marrë përsipër
një çështje, në të cilën ka marrë pjesë si hetues, prokuror,
gjyqtar, ekspert ose dëshmitar.
Avokatit i ndalohet t'i japë ndihmë juridike ose të
përfaqësojë në gjyq njërën palë, kur më parë ai i ka dhënë ndihmë
ose ka përfaqësuar palën tjetër në këtë çështje, ose ka ndonjë
lidhje a interes me të.
Avokatët e së njëjtës zyrë avokatore nuk mund të
përfaqësojnë në të njëjtën çështje palë kundërshtare.



KREU III

ORGANIZIMI I PERFAQESIMIT PROFESIONAL TE AVOKATEVE

Neni 15

Përfaqësimi profesional i avokatëve organizohet në dhomat
e avokatëve dhe në Dhomën Kombëtare të Avokatëve, të cilët janë
persona juridikë.

Neni 16

Dhoma e avokatëve ngrihet në një ose në disa rrethe, sipas
përcaktimit të bërë nga ministri i Drejtësisë , pasi ka marrë
miratimin e Dhomës Kombëtare të Avokatëve, në bazë të numrit të
popullsisë dhe vëllimit të punës në çdonjërin prej tyre.
Dhoma e avokatëve përbëhet nga avokatët që janë anëtarë të
saj dhe kanë qëndrën e veprimtarisë së tyre në territorin ku ajo
vepron.
Dhoma e avokatëve është organ territorial i avokatëve dhe
e zhvillon veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur, në bazë të
këtij ligji dhe të statutit të miratuar prej saj.
Organet drejtuese të dhomës së avokatëve janë:
Mbledhja e përgjithshme e avokatëve dhe këshilli drejtues
i saj.

Neni 17

Mbledhja e përgjithshme e avokatëve ka edhe këto
kompetenca:
1. Merr masa për përgatitjen e vazhdueshme profesionale të
avokatëve.
2. Përfaqëson dhe mbron interesat e avokatëve anëtarë të
saj dhe ndihmon për funksionimin normal të zyrave avokatore.
3. Shqyrton kërkesën për anëtarësi në dhomën e avokatëve
dhe i jep mendimin e saj Dhomës Kombëtare të Avokatëve.
4. Miraton statutin e dhomës së avokatëve.
5. Vendos për masat disiplinore ndaj avokatëve e
stazhierëve, në bazë të kërkesave për nisjen e procedimit
disiplinor.
6. Vendos për kontributin periodik që duhet të derdhë
secili pjesëtar i saj, si dhe për miratimin dhe administrimin e
buxhetit të saj.
7. Cakton numrin e anëtarëve të këshillit drejtues dhe
përbërjen e tij.
8. Cakton stazhierët pranë avokatëve të kësaj dhome.
9. Vendos për mbarimin e dhomës së avokatëve.
10. Zgjedh përfaqësuesin për në dhomën kombëtare të
avokatëve.

Neni 18

Këshilli drejtues i dhomës së avokatëve ka edhe këto
kompetenca:
- Thërret mbledhjen e përgjithshme të dhomës së avokatëve.
- Cakton zëvendësin e avokatit për çështjet që përfaqëson
kur ai largohet nga dhoma e avokatëve dhe nuk ka marrë masa për
të caktuar zëvendësin e tij, si dhe avokatin ose zyrën avokatore
ku kërkohet kryesisht nga gjykata, në bazë të
rregullave të miratuara për këtë qëllim.
- Harton projektbuxhetin e dhomës së avokatëve.
- Kryen detyra të tjera të ngarkuara nga mbledhja e
përgjithshme ose të parashikuara në statut.
- Kërkon nisjen e procedimit disiplinor.

Neni 19

Dhoma Kombëtare e Avokatëve është organ gjithëvendor i
avokatëve, vepron në mënyrë të pavarur dhe përbëhet nga
përfaqësues të dhomave të avokatëve, jo më pak se një përfaqësues
për çdo dhomë.
Organet drejtuese të saj janë: mbledhja e përgjithshme dhe
këshilli drejtues.

Neni 20

Mbledhja e përgjithshme e Dhomës Kombëtare të Avokatëve ka
edhe këto të drejta:
-Mbikëqyr veprimtarinë e dhomave të avokatëve në bazë të
kompetencave të dhëna në këtë ligj në statutin e saj.
- Ndihmon e bashkërendon punën e dhomave të avokatëve për
të siguruar vënien në jetë të të drejtave e të detyrimeve të
ligjshme të avokatëve, përfaqëson dhe mbron interesat e tyre e të
dhomave të avokatëve.
- Ndihmon dhomat e avokatëve për rritjen e kualifikimit
profesional të avokatëve e të stazhierëve.
- Shqyrton ankimet kundër masave disiplinore të dhëna nga
dhomat e avokatëve.
- Miraton statutin e saj.
- Zgjedh Këshillin drejtues të Dhomës Kombëtare të
Avokatëve.
- Cakton kontributin financiar të dhomave të avokatisë,
për të përballuar veprimtarinë e saj.
- Harton dhe miraton Kodin Etik të Avokatit.


Neni 21

Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatëve përbëhet
nga jo më pak se pesë avokatë që zgjidhen nga Dhoma Kombëtare e
Avokatëve.
Këshilli drejtues ka edhe këto kompetenca:
- Thërret mbledhjen e përgjithshme të Dhomës Kombëtare të
Avokatëve, në rastet e parashikuara nga ky ligj e në statutin e
saj.
- Jep lejen për ushtrimin e avokatisë, kur plotësohen
kushtet e parashikuara nga neni 24 i këtij ligji.
- Heq lejen për ushtrimin e këtij profesioni në rastet e
parashikuara nga neni 32 i këtij ligji.
- Zbaton detyrat e ngarkuara nga Dhoma Kombëtare e
Avokatëve.

Neni 22

Zyra avokatore ka për qëllim ushtrimin e veprimtarisë
avokatore. Ajo përbëhet nga jo më pak se dy avokatë, që janë
anëtarë të së njëjtës dhomë avokatore.
Zyra avokatore funksionon sipas statutit të saj, i cili
duhet të miratohet nga dhoma përkatëse e avokatëve, brenda një
muaji nga dita e paraqitjes së statutit. Kur kjo e fundit vëren
se statuti bie në kundërshtim me dispozitat ligjore, brenda 15
ditëve, ia kthen zyrës avokatore për të bërë ndryshimet e
nevojshme.

Neni 23

Ministri i Drejtësisë mbikëqyr ligjshmërinë në
veprimtarinë e dhomave avokatore dhe të Dhomës Kombëtare të
Avokatëve. Në zbatim të kësaj detyre, ministri i Drejtësisë
kontrollon:
a) Mbështetjen ligjore të rregulloreve organizative e
funksionale të dhomës së avokatëve dhe të Dhomës Kombëtare të
Avokatëve.
b) Bazueshmërinë në ligj të vendimeve të dhomave të
avokatëve dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatëve.
c) Pezullon vendimet ose rregulloret e sipërpërmendura, si
dhe statutet e dhomave të avokatëve, të zyrave avokatore e të
Dhomës Kombëtare të Avokatëve, kur bien në kundërshtim me
dispozitat në fuqi.



KREU IV
KUSHTET PER USHTRIMIN E PROFESIONIT TE AVOKATIT

Neni 24

Personi që kërkon të ushtrojë profesionin e avokatit duhet
të plotësojë këto kushte:
a) të jetë shtetas shqiptar dhe me banim të përhershëm në
Shqipëri;
b) të ketë arsimin e lartë juridik;
c) të ketë kryer stazhin prej jo më pak se një vit pranë
një avokati ose zyrë avokatore;
ç) të ketë dhënë provimin e kualifikimit;
d) të ketë të drejtë morale që të mbrojë të drejtat e
liritë personale të njeriut, si dhe të plotësojë kërkesat e
etikës profesionale;
dh) të mos jetë dënuar për vepra penale të kryera me
dashje që parashikohen në Kodin Etik nga Dhoma Kombëtare e
Avokatëve.
e) të mos ushtrojë veprimtari ose të mos ketë detyrime
financiare që nuk i përshtaten profesionit të një avokati;
ë) të jetë anëtar i një dhome të avokatëve, në territorin
e së cilës do të ketë zyrën.
Me kërkesën e tij dhe me miratimin e dhomave përkatëse të
avokatisë, mund të kalojë në një dhomë tjetër.

Neni 25

Provimi i kualifikimit jepet përpara një komisioni të
caktuar nga ministri i Drejtësisë.
Riprovimi lejohet vetëm pasi të jetë kryer një stazh
tjetër prej jo më pak se 6 muajsh.
Rregullat për funksionimin e komisionit, lëndët
profesionale dhe mënyra e dhënies së provimit caktohen nga
ministri i Drejtësisë.
Në këtë komision merr pjesë edhe një përfaqësues i Dhomës
Kombëtare të Avokatisë.

Neni 26

Përjashtimi nga detyrimi për dhënien e provimit të
kualifikimit mund të bëhet me urdhër të ministrit të Drejtësisë,
duke u mbështetur në vjetërsinë në punë si jurist, në aftësitë
profesionale të treguara dhe në shkallën e arsimimit për
kualifikimin profesional.

Neni 27

Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë pajis me
leje për ushtrimin e profesionit të avokatit pedagogët efektivë
të lëndëve juridike në Fakultetin e Drejtësisë, për raste të
veçanta dhe sipas kritereve të përcaktuara në statutin e Dhomës
Kombëtare të Avokatëve.
Me leje të tillë pajisen edhe juristët me grada e tituj
shkencorë, që nuk kryejnë detyra shtetërore me pagë të
përhershme.

Neni 28

Avokati i nënshtrohet provimit të kualifikimit çdo 5
vjet.
Ministri i Drejtësisë mbikqyr zbatimin e rregullave për
dhënien e provimit të kualifikimit dhe anullon atë kur vëren
shkelje të rregullave përkatëse.

Neni 29

Përjashtohen nga kryerja e stazhit juristët që kanë punuar
më parë mbi dy vjet si gjyqtarë, prokurorë, deputetë ose
këshilltarë ligjorë në personat juridikë publikë ose privatë,
pedagogët e lëndëve juridike në Fakultetin e Drejtësisë dhe
juristët që kanë grada e tituj shkencorë në fushën e drejtësisë.

Neni 30

Kërkesa për dhënien e lejes për ushtrimin e avokatisë
shqyrtohet nga dhoma përkatëse e avokatëve brenda 1 muaji nga
paraqitja e saj. Mendimi i dhomës, së bashku me aktet që i lidhen
kërkesës, i dërgohen Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të
Avokatëve jo më vonë se 5 ditë nga shqyrtimi i saj. Këshilli
Drejtues i Dhomës Kombëtare merr në shqyrtim dhe vendos jo më
vonë se 20 ditë nga data e mbërritjes së akteve.

Neni 31

Heqja e lejes së avokatisë mund të kërkohet nga ministri i
Drejtësisë dhe nga dhoma, në të cilën ka bërë pjesë avokati.
Vendimi i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të
Avokatëve, që jep ose refuzon dhënien e lejes së avokatisë ose e
heq atë në kushtet e parashikuara prej nenit 32 të këtij ligji,
mund të ankohet nga ministri i Drejtësisë dhe avokati i
interesuar, brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes ose e njoftimit
të vendimit në gjykatën e shkallës së dytë, në territorin e së
cilës ushtron veprimtarinë avokati i interesuar.
Këshilli Drejtues, përpara se të vendosë, duhet të dëgjojë
avokatin e interesuar.

Neni 32

Avokatit i hiqet leja nga Këshilli Drejtues i Dhomës
Kombëtare të Avokatëve dhe çregjistrohet nga regjistri përkatës
kur:
a) leja është dhënë në kundërshtim me kushtet e
parashikuara në nenin 24 të këtij ligji;
b) leja është marrë me dokumente të falsifikuara, pas
vërtetimit me vendim të formës së prerë të gjykatës;
c) bëhet i paaftë për shkak sëmundjeje ose dëmtimi të
shëndetit;

Neni 33

Avokatët e pajisur me lejen përkatëse nga Këshilli
Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatëve nuk mund ta fillojnë
veprimtarinë e tyre, pa u regjistruar në regjistrin e avokatëve
që ndodhet në Ministrinë e Drejtësisë.
Në këtë regjistër shënohen emri dhe mbiemri i avokatit,
data e marrjes së lejes për ushtrimin e profesionit, datëlindja e
avokatit, viti i diplomimit të tij si jurist, rrethi ku ai ka
filluar ushtrimin e profesionit të avokatit, masat disiplinore që
mund të jenë marrë ndaj tij, gradat ose tituj shkencorë, gjuhët e
huaja që njeh, si dhe shënimet e tjera plotësuese.

Neni 34

Avokati ka të drejtë të ketë asistentë.
Asistentët zgjidhen nga vetë avokati ndër personat e
diplomuar juristë, por që nuk kanë stazhin e nevojshëm për të
qenë avokatë ose që nuk kanë marrë ende lejen për ushtrimin e
profesionit të avokatit dhe regjistrohen në regjistrin e
asistentëve në Ministrinë e Drejtësisë.
Në regjistrin e asistentëve, shënohet emri dhe mbiemri i
asistentit, data se kur është diplomuar jurist, data se kur e ka
filluar stazhin, emri i avokatit ose i zyrës avokatore pranë të
cilës kryen stazhin, si dhe shënime të tjera plotësuese. Me
autorizim me shkrim të avokatit dhe kurdoherë me pëlqimin e
klientit, asistenti përfaqëson ose mbron të interesuarit në
çështje të thjeshta në hetimin dhe gjykimin e shkallës së parë.



KREU V

SHPERBILIMI I PUNES Së AVOKATIT

Neni 35

Avokati ka të drejtë të marrë shpërblim për ndihmën
juridike që jep në rastet e parashikuara nga neni 2 i këtij
ligji, si dhe shpenzimet që ka bërë për kryerjen e veprimeve
avokatore.
Shpërblimi për ndihmën juridike jepet në bazë të tarifave
të caktuara ose në marrëveshje me klientin e cila duhet të
dokumentohet.
Personat juridikë e fizikë, shqiptarë ose të huaj, mund të
lidhin kontratë edhe për shpërblim fiks të punës së avokatit
sipas marrëveshjes ndërmjet tyre.

Neni 36

Në raste të veçanta të mbrojtjes së detyrueshme ose kur të
interesuarit nuk janë në gjendje ekonomike për të siguruar
mbrojtjen, me vendim të prokurorit ose të gjykatës, ndihma
juridike jepet falas dhe shpenzimet përballohen nga fondi
shtetëror i caktuar për këtë qëllim. Në të tilla raste shpërblimi
i avokatit caktohet përkatësisht nga prokurori ose gjykata sipas
tarifave.
Avokati i ngarkuar kryesisht duhet të njoftohet me shkrim
nga organi përkatës. Njoftimi duhet të siglohet edhe nga vetë
avokati.

Neni 37
Avokati është i detyruar të evidencojë në një libër të
gjithë ndihmën juridike të dhënë, të shënojë në atë të gjitha
aktet e hartuara sipas numrit rendor të tyre, emrin e tij ose të
zyrës avokatore, si dhe shpërblimet e marra për ndihmën juridike
të dhënë në të gjitha format dhe llojet e saj.
Shkelja e këtij rregulli sjell përgjegjësi disiplinore,
dhe, kur është rasti, edhe përgjegjësi financiare, sipas
dispozitave në fuqi.
Organi kompetent financiar ka të drejtën e kontrollit të
dokumentacionit përkatës.

Neni 38

Avokatët dhe punonjësit e tjerë të avokatisë gëzojnë të
drejtën e sigurimeve shoqërore sipas rregullave të caktuara me
ligj.


KREU VI

PERGJEGJESIA DISIPLINORE

Neni 39

Avokati i nënshtrohet, sipas rastit, përgjegjësisë
disiplinore administrative ose penale, kur vepron në kundërshtim
me Kushtetutën, me ligjet dhe etikën profesionale.
Avokati që punon veçmas ose zyra avokatore, përgjigjen
civilisht për dëmet që i shkaktohen klientit për fajin e tyre.

Neni 40

Avokati dhe asistenti kanë përgjegjësi disiplinore, kur:
a) ushtrojnë veprimtarinë në kundërshtim me ligjin dhe
etikën profesionale;
b) nuk mbajnë në rregull librin e tarifave të zbatuara që
marrin nga klientët ose nuk pasqyrojnë drejt në to shpërblimin e
dhënë;
c) nuk kujdesen për mbrojtjen dhe respektimin e të
drejtave dhe interesave
të klientëve të tyre.

Neni 41

Për shkeljet në kryerjen e detyrës, ndaj avokatit ose
asistentit merren këto masa disiplinore:
a) vërejtje me shkrim;
b) gjobë nga 5-50 mijë lekë;
c) heqje e së drejtës të ushtrimit të profesionit nga 3
muaj deri në 5 vjet.
Në dhënien e masave disiplinore merret parasysh shkalla e
fajësisë dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes. Në marrjen e
masave disiplinore nuk është i detyrueshëm respektimi i rradhës,
por kjo duhet t'i përgjigjet shkeljes së kryer.
Avokatët, ndaj të cilëve merret masa e parashikuar në
shkronjën "c" të këtij neni, pas mbarimit të dënimit, detyrohen
t'i nënshtrohen provimit në bazë të kritereve të caktuara.

Neni 42

Për përgjegjësinë disiplinore të avokatit zbatohen këto
rregulla:
Ndaj avokatëve kanë të drejtë të kërkojnë nisjen e
procedimit disiplinor klientët, ministri i Drejtësisë, Këshilli
Drejtues i Dhomës së Avokatëve, gjykata e prokuroria.
Kur kërkesa nga klienti i drejtohet zyrës avokatore, ndaj
avokatit fajtor mund të merren masat disiplinore të parashikuara
në statutin e saj.
Kërkesa për nisjen e procedimit disiplinor shqyrtohet nga
Dhoma e Avokatëve, brenda 15 ditëve nga paraqitja e saj.
Kundër vendimit të dhënë nga Dhoma e Avokatëve mund të
bëhet ankim nga avokati i dënuar, nga organi që ka kërkuar nisjen
e procedimit disiplinor dhe ministri i Drejtësisë, brenda 10
ditëve nga dita e shpalljes ose e njoftimit në Dhomën
Kombëtare të Avokatëve. Kjo e fundit shqyrton ankesën jo më vonë
se 15 ditë nga regjistrimi i saj.
Avokati, organi që ka kërkuar nisjen e procedimit
disiplinor dhe ministri i Drejtësisë kanë të drejtë të
kundërshtojnë vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatëve, brenda 10
ditëve nga dita e shpalljes ose e njoftimit të saj, në gjykatëne
shkallës së dytë.

Neni 43

Masat disiplinore ndaj avokatëve jepen jo më vonë se 1 vit
nga dita e kryerjes së shkeljes. Dënimet disiplinore parashkruhen
brenda 1 viti nga dita e përfundimit të vuajtjes.
Vendimet që përmbajnë masa disiplinore, i dërgohen për
regjistrim Ministrisë së Drejtësisë.


KREU VII

DISPOZITA TE FUNDIT

Neni 44

Ministria e Drejtësisë kujdeset që veprimtaria e avokatisë
të ushtrohet normalisht dhe në përputhje me ligjet.
Për zbatimin e këtij ligji Ministri i Drejtësisë nxjerr
rregullore përkatëse dhe, pasi merr mendimin e ministrit të
Financave e të Dhomës Kombëtare të avokatëve, cakton tarifat e
shpërblimit për dhënien e ndihmës juridike.

Neni 45

Çdo avokat, ose zyrë avokatore, ka vulën e tij në formën
katërkëndëshi, ku shënohet titulli "avokat", emri e mbiemri i
avokatit, emri i zyrës avokatore dhe qendra administrative ku
shtrihet veprimtaria.

Neni 46

Dhënia e lejes dhe ushtrimi i profesionit të avokatit i
nënshtrohen taksës dhe tatimit të parashikuar në dispozita të
veçanta.

Neni 47

Dispozitave të këtij ligji për provimin e kualifikimit dhe
për detyrimet që parashikohen në nenin 46 i nënshtrohen dhe
avokatët e pajisur me leje deri në ditën e hyrjes në fuqi të tij.

Neni 48

Ligji nr.7541, datë 18.12.1991 "Për Avokatinë në
Republikën e Shqipërisë", shfuqizohet.

Neni 49

Ky ligj hyn në fuqi 15 pas botimit në Fletoren zyrtare.


Shpallur me dekretin nr.862, datë 14.6.1994 të Presidentit
të Republikës, Sali Berisha.


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0
 1.801 405310001





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


Kerkoni Gjeni Prona









| Shto tek te Preferuarat




Spitali Amerikan