ebuy.al
Alexa Alexa
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për noterinë
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 7829
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 01.06.1994
Data e aprovimit te Aktit: 14.06.1994
Numri i neneve: 73
Numri i fletores zyrtare: 7
Data e fletores zyrtare: 21.07.1994
Aktiviteti: Noteria
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Noteria në Republikën e Shqipërisë kryen veprimtari juridike në shërbim të personave fizikë e juridikë, nëpërmjet redaktimit të akteve dhe kryerjes së veprimeve noteriale, në pajtim me Kushtetutën e legjislacionin në fuqi. Noteri, në ushtrimin e profesionit të tij, është i lirë dhe i nënshtrohet vetëm ligjit.
Amendamente
1 Per disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 7829, date 1.6.1994 "Per noterine", ndryshuar me ligjin nr. 8790, date 10.5.2001
Akte te ngjashem
1 Per disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 7829, date 1.6.1994 "Per noterine", ndryshuar me ligjin nr. 8790, date 10.5.2001
2 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7829, datë 01.06.1994 "Për noterinë".
3 Për një shtese ne ligjin nr. 7829, date 01.06.1994 "Për noterine"
4 Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr.6291, datë 17.8.2005 “Për evidentimin, administrimin dhe ruajtjen e akteve e të dokumenteve noteriale, si dhe për organizimin dhe ruajtjen e arkivave noteriale””
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: L I G J

Nr.7829, datë 1.6.1994

PER NOTERINE

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë
29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozim të
Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I :

PJESA I

ORGANIZIMI I NOTERISE

KREU I

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1

Noteria në Republikën e Shqipërisë kryen veprimtari
juridike në shërbim të personave fizikë e juridikë, nëpërmjet
redaktimit të akteve dhe kryerjes së veprimeve noteriale, në
pajtim me Kushtetutën e legjislacionin në fuqi.
Noteri, në ushtrimin e profesionit të tij, është i lirë
dhe i nënshtrohet vetëm ligjit.

Neni 2

Profesionin e noterit mund ta ushtrojë çdo shtetas i
Republikës së Shqipërisë që plotëson këto kushte:
a) Ka arsimin e lartë juridik.
b) Ka kryer stazhin prej 1 viti pranë një zyre noteriale
dhe ka marrë një çertifikatë aftësie nga noteri.
Shtetasit që kanë qenë jo më pak se 3 vjet si pedagogë të
lëndëve juridike në Fakultetin e Drejtësisë, si gjyqtarë,
avokatë, këshilltarë ligjorë në ish-zyrat juridike si dhe juristë
në institucionet qendrore përjashtohen nga kryerja e stazhit.
c) Ka dhënë provimin përkatës të kualifikimit.
ç) Eshtë anëtar i dhomës së noterëve të rrethit.
d) Nuk është dënuar me heqje të lirisë për krime të kryera
me dashje me mbi 1 vit heqje lirie dhe ka sjellje të mira morale.
dh) Ka marrë lejen përkatëse nga ministri i Drejtësisë dhe
është regjistruar në regjistrin e zyrave noteriale të kësaj
ministrie.
Shtetasit që sipas rregullave janë pajisur me lejen
përkatëse, duhet të fillojnë veprimtarinë e noterit brenda 6
muajve nga dita e lëshimit të lejes. Me kalimin e këtij
afati leja shfuqizohet dhe mund të rijepet pasi të përsëritet
provimi i kualifikimit.

Neni 3

Provimi i kualifikimit për profesionin e noterit jepet
para komisionit të caktuar nga ministri i Drejtësisë.
Komisioni pranon në provim personat që plotësojnë kushtet
e parashikuara nga shkronja "a", "b" dhe "d" të nenit 2 të këtij
ligji.
Riprovimi lejohet pasi të jetë bërë një stazh tjetër pranë
zyrës noteriale prej jo më pak se 6 muaj.
Përbërja e komisionit, rregullat për funksionimin e tij,
si dhe mënyra e dhënies së provimit dhe lëndët për të cilat ai do
të jepet caktohen nga ministri i Drejtësisë. Ai cakton edhe
rregullat e kualifikimit periodik profesional të noterëve.
Në këtë komision merr pjesë edhe një përfaqësues i
Këshillit të Dhomës Kombëtare të Noterisë.

Neni 4

Për efekt të ushtrimit të funksioneve të tij, noteri
barazohet me nëpunësin publik dhe gëzon mbrojtjen sipas ligjit.

Neni 5

Noteri nuk mund të jetë gjyqtar, prokuror, hetues, avokat,
arbitër i zgjedhur nga palët dhe as të kryejë veprimtari tjetër
publike e private, përveç asaj shkencore e mësimdhënëse.

Neni 6

Noteri emërohet dhe largohet nga kjo detyrë me urdhër të
ministrit të Drejtësisë, duke marrë edhe mendimin e Këshillit
Kombëtar të Noterëve.
Noteri largohet nga detyra kur:
a) heq dorë prej saj;
b) vërtetohet se mungojnë kushtet e parashikuara nga neni
2 i këtij ligji;
c) dënohet me heqje të lirisë për një vepër penale të
kryer me dashje dhe të vërtetuar me vendim të formës së prerë të
gjykatës;
ç) tregon paaftësi në kryerjen e detyrës së noterit;
d) bëhet i paaftë për shkak sëmundjeje e dëmtimi të
shëndetit;
dh) kryen shkelje të rënda ose të përsëritura të
rregullave për ushtrimin e këtij profesioni.

Neni 7

Noteri mund të kundërshtojë urdhërin për refuzimin e
emërimit ose për largimin e tij nga kjo detyrë brenda 10 ditëve
nga dita e njoftimit të vendimit në gjykatën e rrethit ku e
ushtron veprimtarinë.

Neni 8

Për shkelje të dispozitave që rregullojnë veprimtarinë e
noterit jepen këto masa disiplinore:
a) vërejtje;
b) vërejtje me paralajmërim për largimin nga detyra;
c) gjobë nga 5 000 lekë deri në 50 000 lekë;
ç) largim nga detyra e noterit për një kohë deri në 5
vjet.
Masat disiplinore të parashikuara në shkronjat "a", "b"
dhe c" të këtij neni, jepen me vendim të dhomës të noterëve të
rrethit, kurse largimi nga detyra jepet nga ministri i
Drejtësisë.
Masat disiplinore jepen me kërkesë të personit të dëmtuar
dhe të ministrit të Drejtësisë.

Neni 9

Kundër vendimit të dënimit të dhënë nga dhoma e noterëve
të rrethit, sipas shkronjave "a","b" dhe "c" të nenit 8 të këtij
ligji dhe urdhrit të ministrit të Drejtësisë për largimin nga
detyra, mund të bëhet ankim nga noteri brenda 10 ditëve nga dita
e njoftimit në gjykatën e rrethit ku e ushtron veprimtarinë.

Neni 10

Masat disiplinore jepen brenda 6 muajve nga dita e zbulimit
të shkeljes, por jo më vonë se 3 vjet nga dita e kryerjes.
Vendimet që përmbajnë masa disiplinore i dërgohen për
regjistrim Ministrisë së Drejtësisë.

Neni 11

Noteri, para se të fillojë detyrën e tij, bën këtë betim:
"Betohem se detyrat e noterit do t'i kryej në bazë të
ligjit dhe ndërgjegjes, do të ruaj sekretin profesional dhe në
qëndrimet dhe sjelljet e mia do të udhëhiqem nga parimet e
humanizmit e të respektit ndaj njeriut". Betimi bëhet përpara
ministrit të Drejtësisë ose personit të autorizuar prej tij.

Neni 12

Noteri nuk mund të ketë më tepër se një zyrë noteriale.
Ministria e Drejtësisë , para se të bëjë regjistrimin e
lejes për ushtrimin e profesionit të noterit duhet të krijojë
bindje se është siguruar nga noteri një zyrë me mjedise e siguri
të mjaftueshme në përputhje me kërkesat e ligjit.

Neni 13

Noteri ka të drejtë të ketë llogari rrjedhëse në bankë.

Neni 14

Ministria e Drejtësisë ushtron kontrollin mbi veprimtarinë
ligjore të noterëve.
Nuk i nënshtrohen kontrollit aktet e vullnetit të fundit,
sa kohë që është gjallë trashëgimtari testamentar.

Neni 15

Në veprimtarinë noteriale përdoret gjuha shqipe. Kur
kërkuesi nuk di shqip ose aktet noteriale kërkohen të hartohen në
gjuhë të huaj dhe noteri nuk i kryen vetë, përdoret përkthyesi.

Neni 16

Ministria e Drejtësisë mban regjistrin e zyrave noteriale.
Zyra noteriale vepron në bazë të ndarjes administrative tokësore
të Republikës së Shqipërisë. Territori i veprimtarisë së dhomave
të noterisë mund të ndryshohet me vendim të përbashkët të
ministrit të Drejtësisë dhe të Këshillit Kombëtar të Noterëve.
Kryerja nga ana e noterit e akteve dhe veprimeve noteriale
jashtë rrethit të tij nuk sjell pavlefshmërinë e tyre.

Neni 17

Noteri ka vulën e vet personale me emrin dhe mbiemrin e
tij, stemën dhe vendin e ndodhjes së zyrës noteriale.

Neni 18

Noteri detyrohet të përmbushë funksionet e veta kurdoherë
e posaçërisht për veprimet noteriale që nuk presin, si dhe t'u
përgjigjet kërkesave të shtetasve në çdo vend të territorit ku e
shtrin juridiksionin zyra noteriale e tij.

Neni 19

Çdo zyrë noteriale duhet të jetë e pajisur me një listë që
përmban identitetin e personave, të cilëve, me vendim të formës
së prerë të gjykatës, u është hequr zotësia për të vepruar, janë
deklaruar të falimentuar ose janë ndaluar të marrin detyra
publike të caktuara. Në këto raste gjykatat u dërgojnë dhomave të
noterëve në rrethe njoftimin përkatës.

Neni 20

Në rast vdekjeje ose largimit të noterit nga detyra,
këshilli i dhomës së noterëve të rrethit merr në dorëzim dhe mban
të vulosur regjistrat e aktet noteriale të depozituara, deri në
emërimin ose delegimin e noterit të ri, ose zëvendësimin e
përkohshëm, kurse vula nxirret menjëherë jashtë përdorimit dhe
dorëzohet në ministrinë e Drejtësisë.

Neni 21

Përveç kontrollit për aktivitetin profesional të
parashikuar në këtë ligj, zyra e noterit nuk mund të kontrollohet
pa një vendim të gjykatës të motivuar dhe që vë në dukje qëllimin
e kufijtë e këtij kontrolli.



KREU II

TE DREJTAT DHE DETYRAT E NOTERIT

Neni 22

Noteri ka këto të drejta:
- Të hartojë testamente, projekte për veprime të tjera
juridike e dokumente, të japë kopje dokumentesh dhe shkurtime
prej tyre, si dhe të kryejë veprime të tjera noteriale, të
parashikuara nga ligji.
- Të japë sqarime për probleme që kanë të bëjnë me
kryerjen e veprimeve noteriale.
- Të kërkojë nga personat fizikë e juridikë të dhëna e
dokumente që janë të domosdoshme për kryerjen e akteve dhe të
veprimeve noteriale.

Neni 23

Noteri ka për detyrë:
- Të kryejë për personat fizikë e juridikë ato veprime që
synojnë realizimin e të drejtave dhe mbrojtjen e interesave të
tyre të ligjshme, t'i sqarojë ata për të drejtat dhe detyrat që
rrjedhin prej tyre, si dhe të paralajmërojë për pasojat që vijnë
nga kryerja e veprimeve noteriale, me qëllim që të mos dëmtohen
interesat e tyre nga mosdijenia e ligjit.
- Të kryejë detyrat e tij me paanësi, në bazë të ligjit
dhe të betimit të bërë si noter.
- Të ruajë të dhënat me të cilat është njohur gjatë
kryerjes së veprimtarisë së tij dhe që përbëjnë sekret
profesional.
- Të dhëna për përmbajtjen e akteve noteriale të kryera
mund t'u jepen vetëm personave, në emër të cilëve janë kryer këto
veprime.
Gjykata, prokuroria dhe hetuesia mund të njihen me të
dhëna të kësaj natyre, kur kanë filluar ndjekjet penale kundër
noterit lidhur me detyrën e tij, ose kundër shtetasit që është
subjekt në veprime noteriale të kryera, por gjithnjë pa u dëmtuar
interesat themelore të shtetit a shtetasve të veçantë.
- Të moslejojë njohjen me përmbajtjen e testamenteve,
lëshimin e kopjeve a shkurtimeve të tyre para vdekjes së
trashëgimlënësit testamentar, përveç rasteve kur e kërkon vetë ai
ose përfaqësuesi i tij me prokurë të posaçme.
Të refuzojë kryerjen e veprimeve noteriale në rastet që
nuk lejohen nga legjislacioni i Republikës së Shqipërisë, nga
konventa ndërkombëtare, të pranuara përgjithësisht ose në të
cilat ka aderuar vendi ynë.
- Të këshillojë palët që të paraqiten në organet e tatimit
për efekt të pagimit të tatimit, në rastet kur kryen veprimet
noteriale që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronësisë.
- Të përmirësojë vazhdimisht kualifikimin e tij.
- Të derdhë kuotën që caktohet çdo vit nga Këshilli
Kombëtar i Noterëve.
- Të mbajë hapur zyrën noteriale sipas rregullave të
miratuara për këtë qëllim. Kur për shkaqe të përligjura noteri
mungon për më shumë se tre ditë, emëron një zëvendës të tij nga
noterët e dhomës, gjithnjë duke marrë pëlqimin e kryetarit të
këshillit të dhomës së noterëve.

Neni 24

Kur noteri e zhvillon veprimtarinë e tij në kundërshtim me
ligjin, ai është përgjegjës për dëmin e shkaktuar.

Neni 25

Noteri është i detyruar të lidhë kontratë sigurimi për
veprimtarinë e tij noteriale sipas kritereve të caktuara në ligj.


KREU III

FINANCIMI I VEPRIMTARISE NOTERIALE

Neni 26

Për kryerjen e akteve e të veprimeve noteriale paguhet një
tarifë e cila caktohet nga Ministria e Drejtësisë, duke marrë
edhe mendimin e Ministrisë së Financave dhe të Këshillit Kombëtar
të Noterisë. Tarifa afishohet në çdo zyrë noteriale.
Këshilli i Ministrave, kur e sheh të arsyeshme, mund t'i
liberalizojë këto tarifa.

Neni 27

Burimi i financimeve të veprimtarisë noteriale janë të
ardhurat në të holla që merr noteri për kryerjen e akteve e të
veprimtarive noteriale.
Të ardhurat që burojnë nga veprimtaria noteriale e
noterit, pasi paguhen taksat dhe detyrimet e tjera që parashikon
ligji, kalojnë në pronësi të noterit.

Neni 28

Kur personi fizik nuk është në gjendje të përballojë
shpërblimin e shpenzimet që kërkohen për kryerjen e veprimeve
noteriale mund të përjashtohet nga pagimi i tyre tërësisht a
pjesërisht nga vetë noteri, ose me vendim të këshillit të dhomës
së noterëve të rrethit.


KREU IV

ORGANIZIMI I PERFAQESIMIT PROFESIONAL TE NOTEREVE

Neni 29

Noterët organizohen në shkallë rerthi e Republike
nëpërmjet përfaqësimit profesional në dhomat e noterëve, të cilat
janë persona juridikë.

Neni 30

Dhomat e noterëve në rrethe përbëhen nga noterët e një
rrethi ose të disa rretheve.

Neni 31

Organet drejtuese të dhomës së noterëve janë: Mbledhja e
përgjithshme e noterëve dhe këshilli i dhomës së noterëve.

Neni 32

Mbledhja e përgjithshme e dhonës së noterëve thirret sipas
rregullave të caktuara në statutin e dhomës, si dhe me kërkesën e
ministrit të Drejtësisë.
Vendimet e mbledhjes së përgjithshme merren me shumicë
votash.
Votimi bëhet në mënyrë të fshehtë.

Neni 33

Kompetencat e mbledhjes së përgjithshme të dhomës së
noterëve përcaktohen në këtë ligj dhe në statutin e saj. Mbledhja
e përgjithshme ka edhe këto kompetenca:
- Përfaqëson dhe mbron interesat e noterëve që veprojnë në
territorin e saj.
- Ndihmon për funksionimin normal të zyrave noteriale.
- Vendos për ngritjen profesionale të noterëve ose ndjek
zbatimin e sigurimeve shoqërore të noterëve.
- Zgjedh këshillin e dhomës, kryetarin e nënkryetarin e
saj.
- Zgjedh anëtarët për në Dhomën Kombëtare të Noterëve
sipas normave të përfaqësimit të parshikuara në statut.
- Miraton buxhetin e dhomës dhe rezultatet vjetore.
- Cakton kuotat që derdhin noterët në llogarinë e dhomës
së noterëve.

Neni 34

Këshilli përbëhet nga 3-5 anëtarë, kur dhoma përbëhet nga
1 deri 20 noterë, dhe 3-7 anëtarë, kur përbëhet nga mbi 20
noterë.
Kryetari i këshillit të dhomës përfaqëson këshillin dhe
drejton gjithë veprimtarinë e këshillit. Kur kryetari mungon,
këshilli përfaqësohet nga nënkryetari.

Neni 35

Këshilli i dhomës së noterisë ka këto kompetenca:
1. Jep mendimin për emërimin ose largimin e noterëve.
2. Kujdeset për veprimtarinë e noterëve dhe e kontrollon
atë vetë ose dhe në bashkëpunim me ministrinë e Drejtësisë.
3. Organizon kualifikimin e vazhdueshëm të noterëve. Ndjek
dhe kontrollon kryerjen e stazhit.
4. Administron pasurinë e dhomës së noterëve.
5. Thërret mbledhjen e përgjithshme dhe zbaton vendimet e
saj.
6. Mban listat e noterëve të juridiksionit të tij.
7. Përmbush funksionet e tjera në pajtim me këtë ligj dhe
me statutin.

Neni 36

Dhoma Kombëtare e Noterëve përbëhet nga noterët e
zgjedhur nga mbledhja e përgjithshme e dhomave të noterëve në
rrethe, në bazë të normave të përfaqësimit të caktuar në statutin
tip.

Neni 37

Dhoma Kombëtare e Noterëve ka këto kompetenca:
1) Bashkërendon veprimtarinë e të gjithë dhomave të
noterëve të Republikës.
2) Përfaqëson dhe mbron interesat e dhomave të noterëve në
organet shtetërore dhe në organizma të tjerë.
3) Siguron mbrojtjen e të drejtave sociale e profesionale
të noterëve.
4) Siguron rritjen e kualifikimit të noterëve dhe të
stazhierëve.
5) Harton rregullat deontologjike që miratohen nga
Ministria e Drejtësisë.
6) Përfaqëson notariatin e Shqipërisë në organizmat
ndërkombëtarë.
7) Miraton statutin tip të dhomave të noterëve dhe
rregulloren e tij të brendshme.
8) Krijon një fond solidariteti në favor të noterëve që
nuk sigurojnë minimumin e të ardhurave.
9) Cakton kuotat që do t'i derdhen Këshillit Kombëtar për
të realizuar veprimtarinë e tij.

Neni 38

Organi më i lartë i Dhomës Kombëtare të Noterëve është
mbledhja e përgjithshme e përfaqësuesve të dhomave të noterëve të
rretheve.
Dhoma Kombëtare e Noterëve drejtohet nga presidenti i
Dhomës dhe Këshilli Kombëtar i saj që zgjidhet nga mbledhja e
përgjithshme. Këshilli Kombëtar është person juridik. Kompetencat
e presidentit dhe të Këshillit Kombëtar përcaktohen në statutin e
Dhomës Kombëtare që miratohet nga mbledhja e përgjithshme e
Dhomës Kombëtare dhe nga ky ligj.



PJESA II

VEPRIMTARIA E ZYRAVE NOTERIALE

KREU I

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 39

Noteri ka këto kompetenca:
a) Redakton aktet noteriale;
b) bën njoftimin e kujtesje noteriale ose të akteve të
tjera jashtëgjyqësore;
c) legalizon nënshkrimet e shtetasve të vëna në akte të
ndryshme;
ç) harton kundërshtimet e kambialeve dhe vërtetimin e
mospagimit të çekut;
d) vërteton datën e paraqitjes së dokumenteve në zyrën e
noterisë;
dh) vërteton qënien e një personi dhe qëndrimin e tij në
një vend të caktuar;
e) pranon për ruajtje dokumente të personave fizikë e
juridikë në zyrën noteriale;
ë) lëshon kopje, shkurtime e pjesë të akteve të depozituar
në zyrën noteriale;
f) vërteton se kopjet ose shkurtimet e dokumenteve janë të
njëjta me origjinalin e paraqitur nga të interesuarit;
g) bën ose vërteton përkthime nga një gjuhë në një tjetër;
gj) redakton procesverbale e bën inventare, duke
përshkruar gjendjen e sendeve, sipas kërkesës së shtetasve dhe
kur ngarkohen nga gjykata;
h) redakton deklarata e dokumente të kërkuara nga persona
të interesuar, si dhe akte e veprime të tjera, që sipas ligjit
duhet të bëhen nga noteri.

Neni 40

Aktet noteriale të hartuara në pajtim me ligjin, kanë
fuqinë e akteve autentike.
Gjatë redaktimit të një akti ose kryerjes së një veprimi
noterial noteri u bën të qartë palëve kërkesat e ligjit për
rastin konkret dhe, brenda kufijve të tij, ruan si interesat e
palëve, ashtu edhe ato të të tretëve.

Neni 41

Noteri refuzon redaktimin e çdo akti, përmbajtja e të
cilit bie në kundërshtim të hapur me kërkesat e ligjit.
Refuzimi bëhet me vendim të arsyetuar të noterit dhe i
njoftohet të interesuarit brenda pesë ditëve nga dita e
paraqitjes së kërkesës për redaktimin e aktit.
Personat që kanë kërkuar redaktimin e aktit ose që janë
drejtpërdrejt të interesuar, brenda pesë ditëve nga dita e
njoftimit të këtij vendimi, mund të ankohen në gjykatën e
rrethit, në territorin e së cilës vepron zyera noteriale, e cila
brenda pesë ditëve nga paraqitja e ankesës vendos rreth çështjes.

Neni 42

Noteri nuk mund të kryejë aktin noterial kur:
a) Merr pjesë vetë ose është i interesuar në çështje;
b) marrin pjesë në akt ose janë të interesuar
bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit e tjerë deri në shkallën e
tretë, të birësuarit prej tij, krushqia e afërt, si dhe kur është
i interesuar personi, ndaj të cilit ai kryen detyrën e
kujdestarit.

KREU II

MENYRA E REDAKTIMIT TE AKTEVE

Neni 43

Aktet noteriale duhet të redaktohen pastër, qartë dhe në
mënyrë që të mos lënë vend për moskuptime e keqinterpretime.

Neni 44

Aktet noteriale redaktohen në gjuhën shqipe. Kur i
interesuari, njëra ose të dyja palët, nuk e dinë gjuhën shqipe,
noteri kërkon ndihmën e një përkthyesi, që pranohet prej tij dhe
prej palëve, i cili përkthen gjithçka fjalë për fjalë dhe të
gjitha këto përmenden në akt, ku shënohet edhe deklarimi i
personave se e kanë kuptuar përkthimin.
Kur pala ose pjesëmarrësit në akt është i verbër, memec a
shurdhmemec, noteri vepron me ndihmën e një eksperti ose personi
që di të komunikojë me ta. Akti redaktohet pasi noteri
sigurohet se gjithçka është sqaruar e mirëkuptuar dhe kur
përmbajtja e aktit i përgjigjet pikë për pikë vullnetit të
palëve.

Neni 45

Identiteti i çdo personi pjesëmarrës në aktin noterial
merret nëpërmjet letërnjoftimit ose të një dokumenti tjetër që
jep besim të plotë në këtë drejtim, përveç kur është i njohur
prej tij. Noteri duhet të sigurohet edhe për zotësinë e tyre të
plotë për të vepruar. Kur ka dyshim, kërkon e merr raport
mjekësor. Të gjitha këto përmenden shprehimisht në akt.

Neni 46

Aktet nënshkruhen rregullisht nga palët dhe nga
pjesëmarrësit në akt në prani të noterit, duke shkruar emrin e
mbiemrin e plotë.
Kur ndonjëra nga palët nuk di të shkruajë, autorizon të
nënshkruajë për të një person tjetër, për identitetin e të cilit
noteri sigurohet njëlloj si dhe për palët.
Kur nënshkrimi vihet me alfabet jo të shqipes, noteri
sigurohet nëpërmjet një përkthyesi të njohur dhe të caktuar prej
tij. Noteri përmend në akt të gjitha veprimet e mësipërme.


Neni 47

Personi i tretë, i interesuar në akt, nuk mund të marrë
pjesë në të si përkthyes, të dëshmojë ose të nënshkruajë për
palën.

Neni 48

Shpenzimet noteriale përballohen bashkërisht nga palët,
përveç rasteve kur ato merren vesh ndryshe.

Neni 49

Akti noterial hartohet nga noteri në prani të palëve.
Akti noterial duhet të përmbajë:
a) Ditën, muajin dhe vitin e redaktimit, llojin e aktit
dhe kur është rasti, orën dhe minutën e fillimit dhe atë të
mbarimit të tij;
b) vendin e redaktimit të tij dhe numrin e repertorit;
c) emrin dhe mbiemrin e noterit dhe vendin ku ndodhet zyra
noteriale;
ç) emrin dhe mbiemrin, emrin e atit, datëlindjen,
profesionin dhe vendbanimin e palëve, emërtimin dhe qendrën, kur
është fjala për person juridik; emrin, atësinë dhe mbiemrin e
përfaqësuesve të tyre dhe të çdo personi tjetër pjesëmarrës në
akt, si dhe verifikimin e bërë nga noteri për identitetin e
palëve, zotësinë juridike dhe zotësinë e tyre për të vepruar.
d) deklarimet e palëve dhe aktet që paraqiten prej tyre;
dh) tregimin e qartë të sendeve që përbëjnë objektin e
aktit me gjithë cilësitë dhe shenjat
dalluese të tyre. Kur sendet janë të paluajtshme, tregohen në
përbërje të tyre vendi i ndodhjes dhe kufijtë e saktë;
e) në akt përmenden ndodhi serioze që mund të jenë
vërtetuar gjatë redaktimit të tij, kur e kërkojnë palët;
ë) faktin se noteri ua lexoi e u shpjegoi aktin palëve dhe
deklarimet e tyre se e kanë kuptuar dhe e pranojnë atë, si dhe
faktin e vënies së nënshkrimeve në prani të noterit; kur është
rasti, akti duhet të përmbajë edhe numrin e pagimin e ndonjë
sasie parash të kryer në prani të tij;
f) nënshkrimin e palëve të të gjithë personave të
pranishëm në akt, si dhe atë të noterit dhe vulën e tij.

Neni 50

Në aktin noterial nuk lejohet të bëhen prishje fjalësh e
fjalish dhe as shkarravitje. Nëse lind nevoja për të hequr fjalë
a fjali, ato vihen në kllapa, nënvizohen dhe në vijim përmendet
sa fjalë a fjali janë hequr. Përbri tyre nënshkruajnë palët dhe
noteri; ato nuk kanë vleftë dhe nuk merren parasysh në tërësinë e
aktit. Kur akti përbëhet nga disa faqe, ato duhen numëruar e
lidhur.

Neni 51

Me kërkesën e palëve, akti noterial hartohet në më shumë
origjinale, prej të cilave, pasi mbahet në zyrën e noterisë, të
tjerat u dorëzohen palëve. Origjinalet e akteve ruhen në arkivin
e noterisë dhe nuk mund të tërhiqen prej tij, me përjashtim të
rasteve kur këtë e kërkojnë gjykata a prokuroria. Në një rast të
tillë vihet shënim në dosjen nga u tërhoq akti. Këto organe, pasi
pasqyrojnë çka u duhet prej aktit në procesin hetimor ose
gjyqësor, detyrohen t'ia kthejnë atë noterisë.


KREU III

AKTET DHE VEPRIMET NOTERIALE

Testamenti

Neni 52

Kur testamenti kërkohet të bëhet me akt noterial,
trashëgimlënësi duhet të disponojë para noterit, i cili përpilon
aktin përkatës, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj.
Noteri pasi të ketë shënuar identitetin e
trashëgimlënësit, datën dhe orën e saktë të përpilimit të këtij
akti, si dhe të jetë bindur për zotësinë juridike për të vepruar
të trashëgimlënësit, njofton atë kur disponimi vjen në
kundërshtim me ligjin, por ai nuk mund të hyjë në shqyrtimin e
çështjeve konkrete, si rrethi i personave të caktuar në testament
si trashëgimtarë, qënia e trashëgimlënësit si pronar i pasurisë
së lënë në trashëgim, e çështje të tjera të kësaj natyre.

Neni 53

Kur noteri vihet në dijeni zyrtarisht nga personat e
interesuar për vdekjen e personit që ka bërë testamentin, mban
një procesverbal, në të cilin përmendet akti i vdekjes dhe bën
kalimin e testamentit në regjistrin e përgjithshëm të akteve
noteriale.
Njëkohësisht ai njofton me shkrim personat për të cilët
disponon testament.


Aktet për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme

Neni 54

Akti noterial për tjetërsimin ose njohjen e pronësisë mbi
sende të paluajtshme, ose të një të drejte reale mbi to, kryhet
nga noteri, pasi të ketë verifikuar pronësinë e palës mbi sendin
e paluajtshëm. Për këtë qëllim ajo i paraqet noterit dokumentet e
pronësisë të lëshuara nga organi kompetent dhe, kur sendi nuk
figuron i regjistruar, një vendim gjyqësor për vërtetim pronësie.
Noteri duhet të shënojë në akt verifikimin e bërë.


Vërtetimi i nënshkrimeve.

Neni 55

Vërtetimi i nënshkrimeve bëhet për akte private që nuk
përmbajnë lidhjen e një kontrate ose kryerjen e një veprimi
tjetër juridik. Vërtetimi bëhet në fund të aktit, pas
nënshkrimeve, duke u bërë shënimi nga noteri se personat u
paraqitën personalisht dhe nënshkruan në prani të tij ose pranuan
se nënshkrimet janë të tyret.
Vërtetimi i nënshkrimeve në kushte të caktuara me ligj
mund të bëhet edhe nga organe shtetërore.


Vërtetimi i njësisë së kopjeve ose shkurtimeve me origjinalin.

Neni 56

Noteri bën vërtetimin e njësisë së kopjeve ose të
shkurtimeve të dokumenteve me origjinalin, pasi të ketë krahasuar
përmbajtjen e tyre. Noteri duhet të përmendë në vërtetim se nga
kush është paraqitur dokumenti, nga i cili është nxjerrë kopja a
shkurtimi, nëse këto janë nxjerrë nga një dokument origjinal apo
nga ndonjë kopje tjetër, si dhe shënime nëse këto kanë pasur
korrigjime, shtesa , fshirje a shenja të tjera të veçanta.


Lëshimi i kopjeve dhe i shkurtimit të akteve.

Neni 57

Për aktet dhe dokumentet e ndryshme që ruhen në zyrën e
noterisë, me kërkesën e të interesuarit, noteri lëshon kopje,
shkurtime e vërtetime të tyre, duke shënuar se kopjet e
shkurtimet janë njësoj me origjinalin dhe datën e lëshimit të
tyre. Ndryshimet dhe shtesat e bëra në origjinal sipas nenit 50
të këtij ligji, pasqyrohen në dokumentin që lëshohet.


Vërtetimi i datës së paraqitjes së dokumenteve

Neni 58

Vërtetimi i datës së paraqitjes së një a disa dokumenteve
në zyrën noteriale bëhet duke u vënë shënimi nga noteri në vetë
dokumentin për personin që e ka paraqitur atë dhe datën e
paraqitjes e, kur kjo kërkohet, shënohet edhe ora e minuta e
paraqitjes.


Vërtetimi i qënies së një personi gjallë ose i
vendqëndrimit të tij.

Neni 59

Fakti se një person është i gjallë ose ka një vendqëndrim
të caktuar bëhet nga noteri, kur personi paraqitet para tij ose
kur noteri shkon në vendin ku ndodhet personi dhe bën verifikimin
e identitetit të tij, si dhe kur ka të dhëna të pakontestueshme
dhe noteri bindet për këtë fakt.
Në vërtetim përmendet me saktësi data, ora dhe minuta e
qënies së personit.


Pranimi për ruajtje i dokumenteve

Neni 60

Pranimi për ruajtje i dokumenteve në zyrën e noterisë
bëhet me kërkesën e personave të interesuar, ose kur parashikohet
në dispozita të veçanta. Pranimi i dokumenteve mund të bëhet edhe
në zarfe të mbyllura e të vulosura. Në një rast të tillë personi
duhet të vërë nënshkrimin e tij në zarf.

Neni 61

Për pranimin e dokumenteve për ruajtje noteri mban një
procesverbal, i cili përmban datën e pranimit, identitetin e
plotë të personit dhe përshkrimin e plotë të dokumentit të
pranuar. Noteri lëshon vërtetim për pranimin e dokumentit.
Dokumenti i dorëzohet vetë personit me kërkesën e tij, ose
të personit të caktuar prej tij në procesverbalin e pranimit,
personit që me ligj i njihet kjo e drejtë ose trashëgimtarëve të
tij.


Për kthimin e dokumentit mbahet procesverbal nga noteri.

Neni 62

Kur gjatë hartimit të një akti noterial del e nevojshme që
së bashku me aktin të pranohen për ruajtje edhe tituj me vlerë
ose fonde në monedhë të vendit a të huaj, me qëllim që ato t'i
jepen një personi të caktuar ose personave të tjerë që u njihet
kjo e drejtë me ligj, noteri i pranon ato, duke hapur në të
njëjtën kohë një llogari bankare të veçantë. Noteri mban një
procesverbal, i cili përmban datën e pranimit, identitetin e
plotë të depozituesit, datën e lëshimit të fondeve të pranuara,
identitetin dhe drejtimin e banimit të përfituesit të këtij
pranimi.
Për marrjen e tyre lëshohet një dëftesë nga noteri.


Njoftimet e akteve jashtëgjyqësore

Neni 63

Çdo person mund të kërkojë që noteri t'i komunikojë një
kujtesje, deklaratë a një dokument që ai çmon se ka efekte
juridike, një personi tjetër.
Kërkuesi ose i dorëzon noterit dokumentin që do të
komunikohet, ose deklaron përpara tij. Në këtë rast noteri mban
procesverbalin përkatës, të cilin ia komunikon mandej personit
ose palës tjetër.
Noteri i bën njoftimet me letër të porositur. Po në këtë
mënyrë i njofton edhe përgjigjen kërkuesit fillestar. Për të
gjitha këto ai mban një procesverbal, të cilin e arkivon në
dosjen e njoftimeve.
Komunikimi mund të kryhet edhe me telegrame, fakse e
telefakse, sipas rregullave të caktuara nga ministri i
Drejtësisë.


Kundërshtimi i çekut dhe i kambialit

Neni 64

Kundërshtimi i çekut dhe i kambialit bëhet sipas
rregullave të parashikuara në ligjin përkatës.


Kryerja dhe vërtetimi i përkthimeve.

Neni 65
Përkthimi i një dokumenti nga një gjuhë e huaj në gjuhën
shqipe dhe anasjelltas bëhet nga vetë noteri dhe, kur ky nuk e di
gjuhën e huaj, bëhet nga një përkthyes i njohur nga noteri.
Përkthimi shkruhet në fund ose përbri dokumentit dhe nënshkruhet
përkatësisht nga noteri ose përkthyesi. Nënshkrimi i këtij të
fundit vërtetohet nga noteri.


Kryerja e inventarëve

Neni 66

Noteri, me kërkesën e shtetasve, kur e ngarkon ligji ose
gjykata, kryen inventare të pasurisë, bën përshkrimin e gjendjes
së sendeve dhe kryen veprime të tjera të kësaj natyre, duke
mbajtur procesverbal sipas kërkesave të këtij ligji.


KREU IV

PAVLEFSHMERIA E AKTEVE DHE E VEPRIMEVE NOTERIALE DHE
REGJISTRAT E NOTERISE

Aktet dhe veprimet noteriale të pavlefshme

Neni 67

Janë të pavlefshme aktet dhe veprimet juridike, kur:
a) kryerja e tyre është në kompetencën e një organi tjetër
shtetëror;
b) në aktin ose në veprimin noterial kanë marrë pjesë
personat që tregohen në nenin 42 të këtij ligji;
c) akti noterial përmban disponim në dobi të personave,
për të cilët parashikohen ndalime sipas nenit 42 të këtij ligji;
ç) akti noterial ose vërtetimi i nënshkrimeve janë bërë pa
qenë të pranishëm personalisht palët, ose përfaqësuesit e tyre me
prokurë;
d) noteri nuk u ka lexuar palëve përmbajtjen e aktit
noterial;
dh) në aktin noterial nuk tregohet identiteti i palëve,
data dhe vendi ku është bërë;
e) akti ose veprimi tjetër nuk përmban nënshkrimin e
palëve, ose të noterit apo vulën zyrtare të tij;
ë) akti noterial është hartuar pa u respektuar rregullat e
parashikuara nga nenet 43 deri 46 të këtij ligji.

Neni 68

Pavlefshmëria e aktit ose e veprimit noterial mund të
kërkohet nga personat që kanë marrë pjesë në hartimin e tij dhe
nga çdo person që heq të drejta e merr përsipër detyrime prej
tyre.
Kërkesa shqyrtohet nga gjykata e rrethit, në territorin e
së cilës e ushtron veprimtarinë zyra noteriale që ka kryer këto
akte a veprime noteriale.

Neni 69

Në vendimin e gjykatës që deklaron të pavlefshëm një akt
noterial, urdhërohet zyra përkatëse e noterisë të bëjë shënimet e
duhura në origjinalin e aktit, i cili ndodhet i depozituar në
këtë zyrë.


Regjistrat noteriale

Neni 70

Në çdo zyrë noteriale është e detyrueshme të mbahen:
a) regjistri i përgjithshëm ku regjistrohen të gjitha
aktet dhe veprimet noteriale;
b) regjistri i testamenteve
c) regjistri i depozitimit të parave ose të vlerave të
tjera.
Me urdhër të kryetarit të gjykatës së rrethit, një gjyqtar
i kësaj gjykate bën numërimin e faqeve të regjistrave të mësipërm
dhe vë shënimin përkatës në fillim e në fund të tyre, duke i
nënshkruar e vulosur me vulën e gjykatës.
Regjistrat shoqërohen me indeksin alfabetik të
pjesëmarrësve në aktin ose veprimin noterial.

Neni 71

Ministri i Drejtësisë nxjerr udhëzim të veçantë për
eivdencimin dhe ruajtjen e akteve e të dokumenteve noteriale, si
dhe për organizimin, funksionimin dhe ruajtjen e arkivave
noterialë.


KREU V

DISPOZITA TE FUNDIT

Neni 72

Kreu XVII, nenet 220 deri 225 të kodit të procedurës
civile të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.6341,
datë 27.6.1981, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim
me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 73

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren
Zyrtare dhe ka efekt prapaveprues përsa i përket provimit të
kualifikimit të parashikuar nga shkronja "c" e nenit 2.


Shpallur me dekretin nr.863, datë 14.6.1994 të Presidentit
të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0
NOTERE
 2.099 406010001





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


Kerkoni Gjeni Prona









| Shto tek te Preferuarat




Spitali Amerikan