marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 7850
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 29.07.1994
Data e aprovimit te Aktit: 29.07.1994
Numri i neneve: 1168
Numri i fletores zyrtare: 11
Data e fletores zyrtare: 01.11.1994
Aktiviteti: Kodi i Procedurës Civile,Kodi Civil
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë. Përmbajtja e ligjit është si më poshtë: -Pjesa I Pjesa e përgjithshme -Pjesa II "Sendet dhe pronësia" -Pjesa III "Trashëgimia" -Pjesa IV "Detyrimet" -Pjesa V "Kontratat"
Amendamente
1 Për bashkëpronësi në banesa.
2 Për disa Shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.07.1994 "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.
Akte te ngjashem
1 Për pengun dhe hipotekën.
2 Për bashkëpronësi në banesa.
3 Për fondacionet.
4 Për disa Shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.07.1994 "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.
5 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES TIP TË ADMINISTRIMIT TË BASHKËPRONËSISË NË NDËRTESAT E BANIMIT
6 PËR DHËNIEN ME QIRA, PA KONKURRIM, "TOP CHANNEL" SHA, TË OBJEKTIT "ISH-LABORATORI I FILMIT", NË PRONËSI TË ALBAFILM SHA, TIRANË
7 Për miratimin me disa ndryshime të dekretit nr. 600, datë 22.07.1993 "Për pengun dhe hipotekën".
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: L I G J

Nr. 7850, datë 29.7.1994

PER KODIN CIVIL TE REPUBLIKES SE SHQIPERISE

Në mbështetje të nenit 16, të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991
"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozim të Këshillit të
Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

PJESA I

PJESA E PERGJITHSHME

TITULLI I
SUBJEKTET E SE DREJTES CIVILE

KREU I
PERSONAT FIZIKE

A. Zotësia juridike
Neni 1

Çdo person fizik gëzon zotësi të plotë e të barabartë për të
pasur të drejta dhe detyrime civile, brenda kufijve të caktuar me
ligj.

Neni 2

Zotësia juridike fillon me lindjen e personit gjallë dhe
mbaron me vdekjen e tij. Fëmija kur lind i gjallë gëzon zotësi
juridike që nga koha e zënies.

Neni 3

Të huajt gëzojnë po ato të drejta e detyrime që u njihen
shtetasve shqiptarë, përveç përjashtimeve të caktuara me ligj.

Neni 4

Personit fizik nuk mund t'i kufizohen të drejtat civile,
përveç përjashtimeve të caktuara me ligj.
Veprimi juridik që kufizon zotësinë juridike të një personi
fizik, është i pavlefshëm.

B. E drejta e emrit
Neni 5

Çdo person fizik ka të drejtën dhe detyrimin të ketë emrin dhe
mbiemrin e tij që i vihen sipas ligjit. Personi, të cilit i mohohet
e drejta e përdorimit të tyre ose cënohet nga përdorimi që të
tjerët i bëjnë padrejtësisht, mund të kërkojë në gjykatë përdorimin
e emrit ose të mbiemrit të vet, pushimin e cënimit, si dhe
shpërblimin e dëmit përkatës.
Kjo kërkesë mund të paraqitet edhe nga persona që, ndonëse nuk
mbajnë emrin ose mbiemrin e cënuar, apo të përdorur padrejtësisht,
kanë interesa familjare të denja për t' u mbrojtur.
Gjykata kur pranon padinë urdhëron botimin e vendimit
nëFletoren Zyrtare. Me kërkesën e paditësit gjykata mund të
urdhërojë botimin e vendimit të saj edhe në gazeta të tjera.
Pseudonimi i përdorur nga personi fizik gëzon të njëjtën mbrojtje.

C. Zotësia për të vepruar
Neni 6

Personit, kur mbush moshën tetëmbëdhjetë vjeç, i lind zotësia
e plotë që me veprimet e tij të fitojë të drejta dhe të marrë
përsipër detyrime civile.
Zotësinë e plotë për të vepruar e fiton me anë të martesës
edhe gruaja që nuk ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç. Ajo nuk e
humbet këtë zotësi edhe kur martesa është deklaruar e pavlefshme
ose është zgjidhur para se të mbushë moshën tetëmbëdhjetë vjeç.

Neni 7

I mituri, që ka mbushur moshën katërmbedhjetë vjeç, mund të
kryejë veprime juridike vetëm me pëlqimin e mëparshëm të
përfaqësuesit të tij ligjor. Megjithatë ai mund të bëjë pjesë në
organizata shoqërore, të disponojë atë që fiton me punën e tij, të
depozitojë kursimet dhe t'i disponojë vetë këto depozita.

Neni 8

I mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, është
i pazoti për të vepruar. Ai mund të kryejë veprime juridike që i
përshtaten moshës së tij dhe që përmbushen aty për aty, si dhe
veprime juridike qe i sjellin dobi pa asnjë kundërshpërblim.
Veprimet e tjera juridike i kryen në emër të tij përfaqësuesi
ligjor.

Neni 9

Të miturit me moshë katërmbëdhjetë vjeç deri në tetëmbëdhjetë
vjeç, i cili është i pazoti të kujdeset për punën e tij për shkak
sëmundjesh psiqike ose zhvillimi të metë mendor, mund t'i hiqet
zotësia për të kryer veprime juridike me vendim të gjykatës. Këto
veprime mund të kryhen vetëm nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor.

Neni 10

Personit madhor, që për shkak sëmundjeje psiqike ose zhvillimi
të metë mendor, është tërësisht ose pjesërisht i pazoti të kujdeset
për punët e tij, mund t'i hiqet ose kufizohet zotësia për të kryer
veprime juridike me vendim të gjykatës.

Neni 11

Veprimi juridik që kufizon zotësinë për të vepruar është i
pavlefshëm.

Ç. Banimi dhe qëndrimi
Neni 12

Banimi është vendi ku personi, për shkak të punës apo të
shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë apo të realizimit
të interesave të veta, qëndron zakonisht ose të shumtën e kohës.
Çdo person madhor ka të drejtë të caktojë lirisht vendbanimin
e tij.
Personi nuk mund të ketë njëkohësisht me shumë se një
vendbanim.
Kjo dispozitë nuk zbatohet për vendbanimin e veprimtarisë së
tregtarit.

Neni 13

I mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, ka për
banim atë të prindërve të tij.
Kur prindërit kanë banime të ndryshme, fëmija e tyre nën
katërmbëdhjetë vjeç ka për banim atë të prindit pranë të cilit
jeton.
Personi të cilit i është hequr zotësia për të vepruar dhe
fëmijët nën kujdestari kanë për banim atë të përfaqësuesit të tyre
ligjor.

Neni 14

Vendqëndrimi i personit është vendi ku ai ndodhet për të kryer
punë ose detyra të caktuara, për të vazhduar një shkollë ose kurs
të caktuar, për t'u mjekuar, për të vuajtur një dënim penal, dhe
për raste të tjera të kësaj natyre.

D. Shpallja e zhdukjes dhe e vdekjes së një personi
Neni 15

Personi që mungon nga vendi i banimit ose i vendqëndrimit të
fundit të tij dhe për të cilin nuk ka lajme për më shumë se dy
vjet, me kërkesën e çdo të interesuari mund të shpallet i zhdukur
me vendim të gjykatës.
Kur dita e lajmeve të fundit nuk mund të caktohet, afati i
mësipërm fillon nga dita e parë e muajit pasardhës në të cilin janë
marrë lajmet e fundit. Kur muaji nuk mund të caktohet, afati fillon
nga dita 1 janar e vitit të mëpasëm.

Neni 16

Me shpalljen e zhdukjes së një personi, për administrimin e
pasurisë së tij caktohet një kujdestar.
Vendimi i gjykatës, me të cilin një person është shpallur i
zhdukur, botohet në Fletoren Zyrtare dhe i dërgohet për regjistrim
zyrës përkatëse të gjendjes civile.

Neni 17

Personi që është shpallur i zhdukur, me kërkesën e çdo të
interesuari, mund të shpallet i vdekur me vendim të gjykatës, kur
kanë kaluar pa patur lajme katër vjet nga dita që është shpallur i
zhdukur.

Neni 18

Personi që ka humbur gjatë veprimeve luftarake dhe kjo humbje
vërtetohet nga organet kompetente ushtarake, në rast se kanë kaluar
pa patur lajme dy vjet, nga dita që ka hyrë në fuqi marrëveshja e
paqes ose tre vjet nga mbarimi i veprimeve luftarake, mund të
shpallet i vdekur me vendim të gjykatës, pa qenë nevoja të shpallet
më parë i zhdukur.

Neni 19

Personi që ka humbur gjatë një fatkeqësie natyrore ose në
rrethana që bëjnë të besohet se ka vdekur, mund të shpallet si i
tillë me vendim të gjykatës, kur kanë kaluar pa patur lajme dy vjet
nga dita që ka ngjarë fatkeqësia, pa qenë e nevojshme të shpallet
më parë i zhdukur.
Kur nuk caktohet dita në të cilën ka ndodhur fatkeqësia, afati
dy vjeçar fillon nga dita e parë e muajit që vjen pas atij në të
cilin ka ndodhur fatkeqësia dhe, kur nuk mund të caktohet as muaji,
afati fillon nga dita e parë e muajit janar të vitit të mëpasëm.

Neni 20

Kur dy ose më shumë persona kanë vdekur dhe nuk mund të
provohet kush prej tyre ka vdekur më parë, për efekte juridike,
quhet se të gjithë kanë vdekur në një kohë.

Neni 21

Kur shpallet vdekja e një personi të zhdukur, caktohet dita se
kur ka ngjarë ajo. Kur kjo ditë nuk është e mundur të vërtetohet me
saktësi, gjykata e cakton atë sipas rregullave të parashikuara në
nenet e këtij Kodi.
Me kërkesën e çdo të interesuari, gjykata që ka dhënë
vendimin, mund të ndryshojë datën e vdekjes, kur vërtetohet se
personi ka vdekur në një ditë tjetër.

Neni 22

Vdekja e shpallur me vendim të gjykatës barazohet në të gjitha
pasojat juridike me vdekjen e vërtetë.
Vendimi i gjykatës me të cilin një person është shpallur i
vdekur, botohet në Fletoren Zyrtare dhe i dërgohet për regjistrim
zyrës përkatëse të gjendjes civile.

Neni 23

Kur personi që është shpallur i vdekur del se është i gjallë,
me kërkesën e tij ose të çdo të interesuari, vendimi prishet nga
gjykata që e ka dhënë.
Personi që del se është gjallë ka të drejtë të kërkojë
pasurinë e tij dhe pasurinë e fituar me anë të saj, qoftë edhe nga
personat e tretë që e kanë fituar nga ata, të cilëve u ka kaluar
kjo pasuri për shkak të deklarimit të vdekjes së tij, në kufijtë
dhe kushtet e parashikuara nga ky Kod e nga Kodi i Familjes.

KREU II
PERSONAT JURIDIKE

A. Dispozita të përgjithshme

Përmbajtja e personit juridik
Neni 24

Personat juridikë janë publikë dhe privatë.

Neni 25

Persona juridikë publikë janë institucionet e ndërmarrjet
shtetërore, që financohen vetë ose nga buxheti i shtetit, si dhe
entet e tjera publike të njohura nga ligji si person juridik.
Institucionet dhe entet shtetërore, që nuk ndjekin qëllime
ekonomike, nuk regjistrohen.

Neni 26

Persona juridikë privatë janë shoqëritë, shoqatat, fondacionet
dhe entet e tjera me karakter privat, të cilat e fitojnë
personalitetin juridik në mënyrën e caktuar nga ligji.

Emri i personit juridik
Neni 27

Personi juridik ka emrin e tij të plotë dhe të shkurtuar. Emri
i çdo shoqërie ose organizate tjetër që zhvillon veprimtari
ekonomike është firma e saj, e cila duhet të shprehë sidomos
qëllimin e kësaj veprimtarie.

Qendra e personit juridik
Neni 28

Personi juridik ka qendrën atje ku ndodhet organi drejtues i
tij, përveç kur në statut ose në aktin e krijimit është parashikuar
ndryshe.

Zotësia e personit juridik
Neni 29

Personi juridik ka zotësi të fitojë të drejta dhe të marrë
përsipër detyrime civile që nga çasti i krijimit të tij dhe, kur
ligji parashikon se duhet të regjistrohet, që nga çasti i
regjistrimit.

Neni 30

Personi juridik mund të kryejë çdo veprim juridik të lejuar
nëligj, në aktin e krijimit ose në statut.

Neni 31

Personi juridik vepron me anë të organeve të veta të
parashikuara në ligj, në aktin e krijimit ose në statut, të cilët
shprehin vullnetin e tij.
Veprimet juridike të kryera nga organet e personit juridik,
brenda kompetencave të tyre, quhen si të kryera nga vetë personi
juridik.

Përgjegjësia e personit juridik
Neni 32

Personi juridik është përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga
organet e tij gjatë përmbushjes së detyrave të tyre.
Personi juridik përgjigjet për detyrimet e tij brenda kufijve
të pasurisë së tij. Personat që kanë vepruar me cilësinë e organit
të personit juridik, kanë përgjegjësi vetjake për shpërblimin e
dëmeve që janë shkaktuar për fajin e tyre.

Neni 33

Shteti dhe personat juridikë shtetërorë nuk përgjigjen për
detyrimet e njëri-tjetrit, përveç kur kjo është pranuar prej tyre
ose është parashikuar shprehimisht në ligj.

Mbarimi i personit juridik
Neni 34

Personi juridik mbaron sipas mënyrës së caktuar në aktin
ekrijimit, në statut ose në ligj.

Neni 35

Me mbarimin, personi juridik pushon veprimtarinë e tij dhe
vihet në likuidim.

Neni 36

Kalimi i të drejtave dhe detyrimeve në rast mbarimi të
personit juridik, për të cilin kërkohet regjistrimi, sjell pasoja
nga koha e regjistrimit.
Kur nuk kërkohet regjistrimi, kalimi i të drejtave dhe i
detyrimeve në rastet e parashikuara nga paragrafi i mësipërm, sjell
pasoja nga koha e miratimit të bilancit përkatës, në mënyrën që
parashikohet në ligj, nga organi përkatës që e ka krijuar ose në
statut.

Likuidimi i personit juridik

Neni 37

Likuidimi i personit juridik që ka mbaruar bëhet me realizimin
e të drejtave dhe pagimin e detyrimeve nga likuidatorë të caktuar
nga organi që ka vendosur mbarimin e tij.
Komisioni bën likuidimin sipas dispozitave ligjore përkatëse,
statutit ose aktit të themelimit.

Neni 38

Kur personi juridik mbaron për shkak se ka zhvilluar
veprimtari të kundërligjshme, pasuria e mbetur pas likuidimit i
kalon shtetit.
Likuidimi i personit juridik që falimenton rregullohet me
ligj.

B. Shoqatat

Krijimi i shoqatave
Neni 39

Shoqatat janë organizata shoqërore që ndjekin një qëllim
politik, shkencor, kulturor, sportiv, fetar, bamirës ose ndonjë
qëllim tjetër joekonomik.

Neni 40

Vullneti i anëtarëve për krijimin e shoqatës përcaktohet në
statutin përkatës, i cili duhet të hartohet me shkrim dhe të
përmbajë sidomos:
a) emrin dhe qëllimin e shoqatës, qëndrën e saj dhe territorin
në të cilin do të zhvillojë veprimtarinë e vet;
b) kushtet e pranimit dhe të largimit të anëtarëve, si dhe të
drejtat dhe detyrat e tyre;
c) organet drejtuese të shoqatës, mënyrën e formimit dhe
kompetencat e tyre;
ç) afatet, mënyrën e thirrjes dhe kompetencat e mbledhjeve të
përgjithshme dhe të delegatëve;
d) burimin e mjeteve materiale të saj, si dhe kontributet apo
kuotat që duhet të japë çdo anëtar;
dh) mënyrën e ndryshimit të statutit dhe të mbarimit të
shoqatës.

Neni 41

Pasi mbledhja e themeluesve të ketë miratuar statutin dhe
formuar organin drejtues të saj, duhet të paraqitet kërkesa për
regjistrimin e shoqatës në gjykatën e rrethit ku ka qendrën e
veprimtarisë së saj.
Gjykata kontrollon pajtueshmërinë e statutit me ligjin.

Neni 42

Shoqata njihet si person juridik që nga dita kur gjykata
kompetente e ka miratuar atë dhe e ka regjistruar. Deri në këtë
datë themeluesit e shoqatës mund të kryejnë veprimet që janë të
nevojshme për organizimin e saj, siç janë sidomos thirrja dhe
zhvillimi i mbledhjes së themeluesve dhe zgjedhja e organeve
drejtuese.

Neni 43

Shoqata mund të ketë degë të veta në ato rrethe, qytete e
komuna ku ka numrin e anëtarëve të parashikuar në statutin e saj.

Organizimi i shoqatës
Neni 44

Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve ose e përfaqësuesve të
tyre, është organi më i lartë i shoqatës.
Ajo thirret nga organi drejtues, sipas dispozitave përkatëse
të statutit, si dhe kur e kërkon një e pesta e anëtarëve.

Neni 45

Mbledhja e përgjithshme vendos për pranimin ose përjashtimine
anëtarëve dhe për çdo çështje tjetër, që nuk është lënë në
kompetencën e ndonjë organi tjetër të shoqatës.
Ajo ushtron posaçërisht mbikqyrjen mbi të ardhurat dhe
veprimet e shoqatës, si dhe mbi objektet pasurore të saj.

Neni 46

Të gjithë anëtarët e shoqatës kanë të drejtë vote të barabartë
në mbledhjen e përgjithshme.
Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve që janë të
pranishëm në mbledhje. Për ndryshimin e statutit, për përjashtimin
e një anëtari dhe për shpërndarjen e shoqatës, kur nuk është
parashikuar ndryshe, duhet të jenë të pranishëm të paktën 3/4 e
anëtarëve.

Neni 47

Organi drejtues ka të drejtën dhe detyrën të kujdeset për
interesat e shoqatës, t'i mbrojë ato, si dhe të përfaqësojë
shoqatën sipas kompetencave që i janë dhënë nga statuti.

Antarësia në shoqatë
Neni 48

Pranimi i anëtarëve të rinj, që përmbushin kushtet e
nevojshme, mund të lejohet në çdo kohë.
E drejta për të dhënë dorëheqjen është e garantuar, por me
kusht që të jetë paraqitur së paku gjashtë muaj para mbarimit të
vitit kalendarik ose brenda afatit të parashikuar në statut.

Neni 49

E drejta e anëtarësisë në shoqatë nuk mund të tjetërsohet dhe
as të kalohet me anë trashëgimie.

Neni 50

Anëtarët që kanë dhënë dorëheqjen ose që janë përjashtuar nga
shoqata, nuk kanë të drejtë në kapitalin apo pasurinë themelore të
shoqatës.
Ata kanë detyrën të derdhin kuotat për kohën gjatë së cilës
kanë bërë pjesë në shoqatë.

Neni 51

Çdo anëtar ka të drejtë të kundërshtojë në gjykatën kompetente
vendimet e shoqatës që vijnë në kundërshtim me ligjin ose me
statutin.
Ky kundërshtim mund të bëhet brenda një muaji nga dita kur
anëtari ka marrë njoftimin për atë vendim.

Shpërndarja
Neni 52

Shpërndarja e shoqatës bëhet:
a) me vendim të mbledhjes së përgjithshme të thirrur
posaçërisht;
b) kur numri i anëtarëve të saj ka mbërritur nën numrin e
caktuar në statut, ose kur qëllimi i saj është përmbushur apo nuk
ka mundësi të përmbushet;
c) kur ajo ka humbur aftësinë paguese;
ç) me vendim të gjykatës kompetente kur shoqata është larguar
nga qëllimi i caktuar në statut ose kur ajo ka filluar të kryejë
veprimtari të kundraligjshme.

Neni 53

Kur vendoset shpërndarja e shoqatës, ajo çregjistrohet, pushon
veprimtarinë e saj dhe vihet në likuidim nga komisioni i
likuidimit, i cili formohet dhe vepron sipas rregullave përkatëse
në fuqi.

C. Fondacionet

Mënyra e krijimit
Neni 54

Fondacioni krijohet për arritjen e një qëllimi të posaçëm me
dobi shoqërore. Fondacionet krijohen nga persona fizikë dhe
juridikë, vendas ose të huaj. Ato krijohen me akt publik ose me
testament.
Neni 55

Akti për krijimin e fondacionit, me kërkesën e themeluesve,
regjistrohet në gjykatën e rrethit, ku fondacioni ka q¿ndrën e vet.
Në aktin e krijimit përcaktohen sidomos emrat e themeluesve,
qëllimi i fondacionit, përbërësit e pasurisë (para, letra me vlerë,
ose sende të luajtshme dhe të paluajtshme), burimet dhe mënyra e
financimit, organet drejtuese, kompetencat e tyre, si dhe emrat e
anëtarëve të administratës.

Neni 56

Fondacioni fiton cilësinë e personit juridik që nga data e
regjistrimit të tij. Nuk lejohet që fondacioni të kryejë veprimtari
fitimprurëse.

Neni 57

Akti për krijimin e fondacionit mund të shfuqizohet nga
themeluesit para regjistrimit ose kur ende nuk ka filluar
veprimtarinë përkatëse.
Akti i krijimit të fondacionit mund të kundërshtohet nga
trashëgimtarët ose nga kreditorët e themeluesit.

Ushtrimi i veprimtarisë të fondacionit
Neni 58

Organet e fondacionit, mënyra e formimit dhe kompetencat e
tyre caktohen nga akti i krijimit.
Çdo fondacion kryen veprimtarinë e vet në bazë të dispozitave
të legjislacionit në fuqi dhe të aktit të themelimit të tij.

Neni 59

Fondacionet mbikqyren nga institucionet shtetërore me të cilët
lidhet drejtpërdrejt qëllimi i veprimtarisë së tyre.
Këto institucione mbikqyrin posaçërisht që fondet monetare dhe
pasuritë e tjera të fondacionit të përdoren në përputhje me
qëllimin e tij.

Neni 60

Drejtuesi i institucionit mbikqyrës ka të drejtë të kërkojë
nga gjykata kompetente anullimin e vendimit të organit të
fondacionit kur vjen në kundërshtim të hapur me qëllimin përkatës,
me dispozitat ligjore apo me aktin e krijimit.
Gjykata mund të pezullojë zbatimin e këtij vendimi deri në
dhënien e vendimit përfundimtar të saj.

Neni 61

Mosmarrëveshjet pasurore, në të cilat fondacioni është palë,
zgjidhen nga gjykata kompetente.

Neni 62

Fondacioni shpërndahet:
a) në bazë të ligjit, kur është përmbushur qëllimi për të
cilin u krijua ose kur qëllimi i tij nuk mund të përmbushet më;
b) me vendim të gjykatës kur vërtetohet se fondacioni ka
filluar të ushtrojë veprimtari të paligjshme ose jo morale.
Shpërndarja e fondacionit mund të kërkohet nga drejtuesi i
institucionit mbikqyrës ose nga çdo subjekt i interesuar.

Neni 63

Për pasuritë që mbeten pas shpërndarjes së fondacionit, me
kërkesën e drejtuesit të institucionit mbikqyrës ose të çdo personi
të interesuar, gjykata vendos duke patur parasysh destinacionin e
tyre dhe qëllimin themelor për të cilin është krijuar fondacioni.

TITULLI II
PERFAQESIMI
KREU I
KUPTIMI DHE LLOJET E PERFAQESIMIT

Kuptimi i përfaqësimit
Neni 64

Me përfaqësimin një person (përfaqësuesi) kryen, brenda
tagreve që i janë dhënë nga ligji, nga prokura ose nga gjykata,
veprime juridike në emër e për llogari të një personi fizik ose
juridik tjetër (i përfaqësuari).
Përfaqësimi nuk lejohet kur veprimi juridik duhet, sipas
ligjit, të kryhet nga vetë personi.
Nuk mund të veprojë si përfaqësues personi që nuk ka zotësi të
plotë për të vepruar.

Kufijtë dhe pasojat e përfaqësimit
Neni 65

Tagret e përfaqësimit ligjor caktohen nga dispozitat e ligjit
që i japin këtë cilësi, ndërsa tagret e përfaqësuesit të emëruar
nga i përfaqësuari caktohen me prokurë.
Tagret e përfaqësuesit mund të nxirren edhe nga rrethanat, në
të cilat kryhen veprimet juridike përkatëse.

Neni 66

Veprimet juridike të kryera nga përfaqësuesi, brenda tagreve
që i janë dhënë, krijojnë pasoja drejtëpërdrejt për të
përfaqësuarin.

Neni 67

Përfaqësuesi nuk mund të kryejë veprime juridike në emër të të
përfaqësuarit as me veten e tij dhe as me persona të tjerë të
përfaqësuar prej tij, përveç kur i përfaqësuari e ka lejuar këtë
shprehimisht, ose kur përmbajtja e veprimit juridik nuk cënon
interesat e tij.

Neni 68

Kur për kryerjen e një veprimi juridik janë caktuar dy ose më
shumë përfaqësues, secili prej tyre mund ta kryejë atë pa
pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tjerë, përveç kur në prokurë është
parashikuar ndryshe.

Neni 69

Përfaqësuesi detyrohet të veprojë personalisht dhe nuk mund të
emërojë zëvendës të tij, përveç kur është lejuar nga i
përfaqësuari, kur pasuria që përmendet në prokurë ndodhet jashtë
territorit të rrethit ku banon përfaqësuesi, si dhe kur caktimi i
zëvendësit çmohet i nevojshëm për mbrojtjen e interesave të të
përfaqësuarit.
Përfaqësuesi duhet të njoftojë menjëherë të përfaqësuarin për
zëvendësin që ka caktuar, përndryshe ai përgjigjet për veprimet e
zëvendësit.
Zëvendësi mund të hiqet në çdo kohë nga i përfaqësuari ose nga
përfaqësuesi që e ka caktuar.

Përfaqësimi me prokurë
Neni 70

Prokura është dokumenti në të cilin i përfaqësuari, me
vullnetin e tij të lirë ka përcaktuar karakterin dhe vëllimin e
tagreveqë i ka dhënë përfaqësuesit.

Neni 71

Prokura është e përgjithshme kur i përfaqësuari i ka dhënë
përfaqësuesit tagre për të kryer veprime juridike të shumëllojshme,
të cilat kanë të bëjnë me një tërësi të drejtash të të
përfaqësuarit, përveç atyre që i ka përjashtuar shprehimisht.
Prokura është e posaçme kur i përfaqësuari i ka dhënë
përfaqësuesit tagrin për të kryer një ose disa veprime juridike të
caktuara, që karakterizohen nga një qëllim i përbashkët.

Neni 72

Prokura bëhet gjithmonë me shkresë.
Çdo prokurë për të lidhur një kontratë, e cila sipas ligjit
mund të bëhet vetëm me akt noterial, duhet të përpilohet në këtë
formë, përndryshe është e pavlefshme. Edhe prokura për kryerjen e
veprimeve para gjykatave dhe institucioneve të tjera shtetërore,
duhet të bëhet me akt noterial, përveç kur me dispozita ligjore
lejohet që ajo të bëhet me shkresë të thjeshtë.
Prokura në emër të personave juridikë publikë e privatë mud të
bëhet edhe vetëm me nënshkrimin e drejtuesit të tij dhe me vulën
përkatëse, përveç kur ligji kërkon që veprimi juridik të kryhet me
akt noterial.
Neni 73

Prokura për të tërhequr dërgesa postare ose para nga zyrat
postare apo nga bankat deri në një shumë të caktuar prej tyre,
prokura për të terhequr paga dhe shpërblime të tjera që rrjedhinnga
marrëdhëniet e punës, si dhe prokura për të tërhequr pensione,
ndihma e bursa, mund të vërtetohen edhe nga:
a) administratori i lagjes së qytetit ose kryeplaku i fshatit;
b) drejtuesi i personit juridik apo i degës së tij, ku i
përfaqësuari është në marrëdhënie pune ose ndjek shkollën;
c) drejtuesi i institucionit shëndetësor ku i përfaqësuari
është shtruar për mjekim;
ç) komanda e repartit ushtarak ku shërben i përfaqësuari;
d) drejtuesi i institucionit ku i përfaqësuari mbahet i
arrestuar ose vuan dënimin me heqje të lirisë.

Neni 74

Ndryshimet në prokurë duhet t'u bëhen të njohura të tretëve me
mjete të përshtatshme. Në mungesë të njoftimeve të tilla, këto
ndryshime nuk mund t'u kundrejtohen të tretëve, përveç kur provohet
që këta i dinin ndryshimet në prokurë në kohën kur është kryer
veprimi juridik.

Neni 75

I përfaqësuari mund të shfuqizojë prokurën dhe përfaqësuesi të
heqë dorë prej saj në çdo kohë. Çdo marrëveshje e kundërt është e
pavlefshme.

Mbarimi i prokurës
Neni 76

Prokura mbaron kur:
a) përfaqësuesi ka kryer veprimet juridike për të cilat ajo
ishte dhënë;
b) është plotësuar afati për të cilin ajo ishte dhënë;
c) kur ka vdekur përfaqësuesi apo i përfaqësuari, ose kur
njëri prej tyre ka humbur zotësinë për të vepruar;
ç) ka mbaruar personi juridik përfaqësues apo i përfaqësuar;
d) kur i përfaqësuari ka shfuqizuar prokurën ose përfaqësuesi
ka hequr dorë prej saj. Pas mbarimit të prokurës perfaqësuesi, me
kërkesën e të përfaqësuarit duhet t'i kthejë atij aktin e prokurës.

Përfaqësimi pas ndryshimeve ose mbarimit të prokurës

Neni 77

Veprimet juridike të kryera nga përfaqësuesi, pas ndryshimeve
të bëra në prokurë ose pas mbarimit të saj, janë të detyrueshme për
të përfaqësuarin ose për trashëgimtarët e tij, në rast se personat
e tretë, me të cilët janë kryer ato veprime juridike, nuk kanë
patur dijeni për ndryshimet ose për mbarimin e prokurës.

Përfaqësimi pa tagre
Neni 78

Kur një person fizik ose juridik vepron si përfaqësues pa e
patur këtë cilësi, si edhe kur përfaqësuesi ka kapërcyer tagret që
i janë dhënë, veprimi juridik i kryer në këto kushte nuk është i
detyrueshëm për personin në emrin e të cilit janë kryer, përveç kur
ky e ka miratuar atë më vonë.
Kur miratimi nuk është dhënë, personi i tretë që ka qenë në
mirëbesim ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit nga
përfaqësuesi.

TITULLI III
VEPRIMET JURIDIKE

KREU I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Përkufizimi i veprimit juridik
Neni 79

Veprimi juridik është shfaqja e ligjshme e vullnetit të
personit fizik ose juridik, që synon të krijojë, të ndryshojë ose
të shuajë të drejta ose detyrime civile.
Veprimi juridik mund të jetë i njëanshëm ose i dyanshëm.

Format e veprimit juridik
Neni 80

Veprimi juridik mund të kryhet me shkrim, me gojë dhe me çdo
lloj shfaqje tjetër të padyshimtë të vullnetit.
Shkresa mund të jetë e thjeshtë ose akt noterial.

Neni 81

Veprimi juridik me shkresë duhet të nënshkruhet nga personi që
e kryen atë.

Neni 82

Personi që nuk di, ose që për shkak sëmundje ose të metash
fizike nuk mund të nënshkruajë, ngarkon një person tjetër për këtë
qëllim.
Nënshkrimi i këtij personi duhet të vërtetohet nga noteri,
duke u treguar shkaku për të cilin personi që ka kryer veprimin
juridik nuk ka mundur t'a nënshkruajë vetë.
Për veprimet që kryhen në bankat dhe në institucionet e tjera
të kreditit, në zyrat postare apo doganore, nënshkrimi i këtij
personi vërtetohet nga një nëpunës i autorizuar i këtyre
institucioneve.

Neni 83

Veprimi juridik për kalimin e pronësisë së sendeve të
paluajtshme dhe të të drejtave reale mbi to, duhet të bëhet me akt
noterial dhe të regjistrohet, përndryshe nuk është i vlefshëm.
Eshtë i pavlefshëm veprimi juridik që nuk është bërë në formën
e kërkuar shprehimisht nga ligji. Në rastet e tjera veprimi juridik
është i vlefshëm, por nuk mund të provohet me dëshmitarë.

Veprimet juridike me kusht
Neni 84

Veprimi juridik është me kusht kur lindja ose shuarja e të
drejtave dhe e detyrimeve të parashikuara në të, varen nga një
ngjarje e cila nuk dihet në se do të ndodhë.

Neni 85

Kushti është pezullues kur të drejtat dhe detyrimet lindin po
të ndodhë ngjarja. Kushti është zgjidhës kur të drejtat dhe
detyrimet shuhen po të ndodhë ngjarja.

Neni 86

Kur vërtetimi i kushtit është ndaluar me keqbesim nga pala që
do të perfitonte nga mos vërtetimi i tij, kushti quhet se është
vërtetuar.
Kur vërtetimi i kushtit është shkaktuar me keqbesim nga pala
që do të përfitonte nga vërtetimi i tij, kushti quhet se nuk është
vërtetuar.

Neni 87

Kur e drejta që varet nga vërtetimi i kushtit cënohet ose
humbet nga veprimet e palës së detyruar me kusht, kjo duhet të
shpërblejë dëmin e shkaktuar në rast se kushti vërtetohet.

Neni 88

Pasojat që lidhen me vërtetimin e kushtit fillojnë nga çasti
që është vërtetuar kushti, përveç kur nga përmbajtja e veprimit
juridik del se këto pasoja duhet të fillojnë në një kohë të
mëparshme.

Veprimet juridike me afat
Neni 89

Afati i veprimit juridik është çasti i caktuar, nga i cili
fillon ose pushon fuqia juridike ose disa nga efektet e tij.

Neni 90

Afati është pezullues kur në veprimin juridik është
parashikuar se pasojat e tij fillojnë nga një kohë e caktuar.
Afati është zgjidhës kur në veprimin juridik është parashikuar
se pasojat e tij pushojnë në një kohë të caktuar.

Llogaritja e afateve të veprimeve juridike
Neni 91

Kur afati është caktuar me ditë, nuk llogaritet dita në të
cilën takon ngjarja ose koha nga e cila ai duhet të fillojë.
Afati që është caktuar në javë, në muaj ose në vite, mbaron,me
kalimin e asaj dite të javës së fundit ose të muajit të fundit që
ka të njëjtin emër ose numër me atë të ditës që ai ka filluar. Kur
një ditë e tillë mungon në muajin e fundit, afati mbaron me kalimin
e ditës së fundit të këtij muaji.
Kur dita e fundit e një afati bie në ditë pushimi, afati
mbaron në ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit.

KREU II
PAVLEFSHMERIA E VEPRIMEVE JURIDIKE

Veprime juridike të pavlefshme
Neni 92

Veprimet juridike të pavlefshme nuk krijojnë asnjë pasojë
juridike. Të tilla janë ato që:
a) vijnë në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit;
b) kryhen për të mashtruar ligjin;
c) kryhen nga të mitur nën moshën katërmbëdhjetë vjeç;
ç) bëhen në marrëveshje të palëve pa patur për qëllim që të
sjellin pasoja juridike (fiktive ose të simuluara).

Neni 93

Kur veprimi juridik është bërë me qëllim për të mbuluar një
veprim juridik tjetër, ky i fundit është i vlefshëm në qoftë se
përmbush gjithë kushtet e nevojshme për vlefshmërinë e tij.
Veprimi juridik fiktiv ose i simuluar nuk dëmton personat
etretë të cilët në mirëbesim kanë fituar të drejta në bazë të tij.

Veprime juridike që shpallen të pavlefshme

Neni 94

Të anullueshme quhen veprimet juridike të cilat janë të
vlefshme gjersa gjykata me kërkesën e të interesuarit i shpall të
pavlefshme. Të tilla janë veprimet juridike të kryera nga:
a) të miturit mbi katërmbëdhjetë vjeç, kur veprimin juridik e
kanë kryer pa pëlqimin e prindit ose të kujdestarit;
b) personat, të cilët për shkak sëmundje psikike ose zhvillimi
të metë mendor u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar,
kur veprimin juridik e kanë kryer pa pëlqimin e kujdestarit;
c) personat, të cilët në kohën e kryerjes së veprimit juridik
nuk ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e veprimeve të tyre,
megjithëse në atë kohë nuk u ishte hequr zotësia për të vepruar;
ç) personi që ka kryer veprimin juridik duke qënë i mashtruar,
i kanosur, në lajthim ose për shkak të nevojës së madhe.
Anullimi i këtyre veprimeve mund të kërkohet edhe pas vdekjes
së personit përkatës, por vetëm kur para vdekjes është kërkuar
heqja e zotësisë së tij për të vepruar.

Neni 95

Mashtrimi mund të shkaktojë që veprimi juridik të shpallet i
pavlefshëm, kur gënjeshtra e përdorur nga njëra palë, për ta shpënë
në gabim palën tjetër, është e tillë që pa atë pala nuk do ta
kishte kryer veprimin juridik.
Kur mashtrimi është bërë nga një person i tretë, pala e
mashtruar mund të kërkojë shpalljen e pavlefshmërise së veprimit
juridik vetëm kur në kohën e kryerjes së tij pala tjetër ka ditur
oseduhej të dinte mashtrimin.

Neni 96

Kanosja mund të shkaktojë që veprimi juridik të shpallet i
pavlefshëm, kur është e tillë sa të friksojë personin se ai vetë,
bashkëshorti,pasardhësit ose paraardhësit e tij do të pësojnë një
dëm fizik ose material të padrejtë dhe të rëndë.
Kanosja mund të kryhet edhe nga një person i tretë që nuk merr
pjesë në veprimin juridik.

Neni 97

Lajthimi mund të shkaktojë që veprimi juridik të shpallet i
pavlefshëm vetëm në qoftë se lidhet me cilësinë e sendit, me
identitetin ose cilësitë e personit tjetër, apo me rrethana aq
thelbësore sa që pa ato, pala nuk do të kishte kryer veprimin
juridik.

Neni 98

Lajthimi në llogaritje nuk sjell shpalljen e veprimit juridik
si të pavlefshëm, por vetëm korregjimin e tij, përveç kur gabimi në
sasi ka qenë përcaktues për marrëveshjen.

Neni 99

Veprimi juridik mund të shpallet i pavlefshëm në rastin kur
për shkak të nevojës së madhe, detyrimet e marra nga njëra palë
janë krejt të papërfillshme në krahasim me përfitimet që nxjerr
pala tjetër nga veprimi juridik.

Neni 100

Veprimi juridik i kryer nga përfaqësuesi mund të shpallet i
pavlefshëm me kërkesën e të përfaqësuarit, kur vullneti i
përfaqësuesit është me ves.
Kur vesi ka të bëjë me elemente të përcaktuara nga i
përfaqësuari, veprimi juridik mund të shpallet i pavlefshëm, vetëm
në qoftë se ishte i vesuar vullneti i këtij të fundit.

Neni 101

Kur në veprimin jurdik ka rëndësi përcaktimi i mirëbesimit ose
i keqbesimit, i dijenisë ose i mosdijenisë së rrethanave të
caktuara, që përbëjnë kushte përcaktuese të vlefshme ose të
pavlefshme të veprimit juridik, mbahet parasysh personi i
përfaqësuesit, përveç kur bëhet fjalë për rrethana të përcaktuara
nga i përfaqësuari.
I përfaqësuari që është në keqbesim nuk mund të përfitojë në
asnjë rast nga mosdijenia ose mirëbesimi i përfaqësuesit.

Neni 102

Veprimi juridik i kryer në dëm të të përfaqësuarit për shkak
marrëveshjeje me keqbesim midis përfaqësuesit dhe personit të
tretë, mund të shpallet i pavlefshëm për të përfaqësuarin.

Afati i parashkrimit të padisë
Neni 103

Padia për të kërkuar që një veprim juridik të shpallet i
pavlefshëm, parashkruhet brenda pesë vjetëve.

Neni 104

Afati për ngritjen e padisë fillon:
a) për veprime juridike të kryera nga persona që u është hequr
ose kanë patur zotësi juridike të kufizuar për të vepruar, që nga
dita që janë bërë madhorë ose që u është kthyer zotësia për të
vepruar;
b) për veprime juridike të kryera me mashtrim, kanosje ose
lajthim, nga dita që mashtrimi ose lajthimi janë zbuluar, ose
kanosja ka pushuar, por në çdo rast, jo më shumë se tre vjet nga
dita që është kryer veprimi juridik;
c) në raste të tjera, që nga dita që është kryer veprimi
juridik.

Neni 105

Veprimi jurdik që shpallet i pavlefshëm quhet i tillë që nga
çasti kur është kryer.

Pasojat e pavlefshmërisë së veprimit juridik
Neni 106

Kur veprimi juridik është i pavlefshëm për arsye se vjen në
kundërshtim me ligjin, ose është bërë me qëllim mashtrimi të
ligjit, çdo gjë që palët i kanë dhënë njëra-tjetrës merret dhe
kalon në të ardhurat e shtetit dhe kur nuk është e mundur të merret
po ajo gjë, kërkohet vlefta e saj.
Kur njëra nga palët ka vepruar në mirëbesim, gjykata mund të
vendosë që çdo gjë që ka dhënë kjo palë t'i kthehet kësaj dhe kur
nuk është e mundur kthimi i po kësaj gjëje, i paguhet vlefta e saj.

Neni 107

Kur veprimi juridik shpallet i pavlefshëm për arësye se është
bërë me mashtrim, kanosje, nga nevoja e madhe ose sepse mungon
forma e kërkuar nga ligji, secila nga palët duhet t'i kthejë palës
tjetër çdo gjë që ka marrë prej saj dhe, kur nuk është e mundur t'i
kthehet po ajo gjë, t'i paguhet vlefta e saj.

Neni 108

Kur veprimi juridik konstatohet se është i pavlefshëm për
arësye se është kryer nga një i mitur, që nuk ka mbushur moshën
katërmbëdhjetë vjeç ose shpallet i pavlefshëm se është kryer nga
një i mitur që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, por pa
pëlqimin e prindit ose të kujdestarit të tij, secila nga palët
detyrohet t'i kthejë palës tjetër çdo gjë që ka marrë prej saj dhe
kur nuk është e mundur të kthejë po atë gjë, t'i paguajë vleftën.
Përveç kësaj, pala që ka zotësi për të vepruar detyrohet t'i
shperblejë të miturit dëmin që ky ka pësuar për shkak se veprimi
juridik konstatohet ose shpallet i pavlefshëm.

Neni 109

Kur veprimi juridik shpallet i pavlefshëm për arsye se është
kryer nga një person, të cilit i është hequr krejt zotësia për të
vepruar ose për arsye se është kryer nga një person të cilit i
është kufizuar zotësia për të vepruar e pa patur pëlqimin e
kujdestarit të tij, ose për arsye se është kryer nga një person i
cili në kohën e kryerjes së veprimit juridik nuk ka patur
ndërgjegjen e rëndësisë së veprimeve të tij, secila nga palët
detyrohet t'i kthejë palës tjetër çdo gjë që ka marrë prej saj dhe,
kur nuk është e mundur t'i kthejë po atë gjë, t'i paguajë vleftën.
Përveç kësaj, pala që ka patur zotësinë për të vepruar detyrohet
t'i shpërblejë palës tjetër dëmin që kjo palëka pësuar për shkak të
veprimit juridik që është shpallur i pavlefshëm, në rast se dinte
ose duhet të dinte se pala tjetër nuk ka patur zotësi për të
vepruar ose nuk ka patur ndërgjegjen e rëndësisë së veprimeve të
saj.

Neni 110

Kur veprimi juridik shpallet i pavlefshëm për arsye se njëra
nga palët ka qenë në lajthim, secila nga palët detyrohet t'i kthejë
palës tjetër çdo gjë që ka marrë prej saj dhe, kur nuk është e
mundur t'i kthejë po atë gjë, t'i paguajë vleftën. Përveç kësaj,
pala që ka kërkuar të shpallet i pavlefshëm veprimi juridik
detyrohet t'i shpërblejë palës tjetër dëmin që ajo ka pësuar për
shkak se veprimi juridik është shpallur i pavlefshëm, me përjashtim
të rastit kur ajo provon se nuk ka faj që ka rënë në lajthim ose se
pala tjetër ka ditur ose duhet të dinte lajthimin.

Neni 111

Kur shkaku i pavlefshmërisë prek vetëm një pjesë të veprimit
juridik, ky mbetet i vlefshëm në pjesët e tjera të tij, përveç kur,
sipas përmbajtjes së veprimit juridik, këto pjesë paraqesin
marrëdhënie të pandashme me pjesën e pavlefshme të veprimit
juridik.

TITULLI IV
PARASHKRIMI I PADISE DHE DEKADENCA E TE DREJTAVE

KREU I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Përmbajtja
Neni 112

E drejta e padisë që nuk është ushtruar brenda afatit të
caktuar në ligj, shuhet dhe nuk mund të realizohet më me anë të
gjykatës ose të organit tjetër kompetent.

Paditë që nuk parashkruhen
Neni 113

Nuk parashkruhen:
a) padia për rivendosjen ose mbrojtjen e një të drejte vetjake
jopasurore, përveç përjashtimeve të caktuara në ligj;
b) paditë e njohjes;
c) padia e pjestimit midis bashkëpronarëve;
ç) padia për kthimin e shumave të depozituara në bankë;
d) paditë e tjera të parashikuara në dispozita ligjore të
veçanta.
Nuk parashkruhen edhe kërkesat për ekzekutimin e detyrueshëm
të vendimeve që janë të lidhura me padi, për të cilat nuk zbatohet
parashkrimi.

Afatet e parashkrimit
Neni 114

Kur në ligj nuk është parashikuar ndryshe, parashkruhen brenda
dhjetë vjetëve të gjitha paditë midis personave juridikë, midis
këtyre dhe personave fizikë, si dhe midis vetë personave fizikë.

Neni 115

Parashkruhen brenda afateve prej:
a) gjashtë muaj paditë për pagimin e kushteve
penalevlerësuese;
b) një viti paditë e rrjedhura nga kontratat e spedicionit;
c) gjashtë muaj paditë që rrjedhin nga transportimet e
drejtpërdrejta të mallrave dhe të udhëtarëve me anë të hekurudhës,
automjeteve ose avionëve dhe një viti për të njëjtat padi që
rrjedhin nga transportimet detare ose të përziera;
ç) dy vjetëve paditë për pagimin e shpërblimit sipas kontratës
së sigurimit dhe risigurimit, si edhe të shumës përkatëse të
rrjedhur nga sigurimi i detyrueshëm;
d) tre vjetëve paditë për pagimin e qirave të banesave,
dyqaneve, lokaleve dhe pasurive të tjera të paluajtshme;
dh) tre vjetëve paditë për shpërblimin e dëmit jo kontraktor
dhe paditë për kthimin e përfitimit pasuror pa të drejtë.
Paditë e tjera parashkruhen brenda afateve të posaçme të
caktuara në këtë Kod ose në ligje të tjera.

Neni 116

Eshtë e pavlefshme marrëveshja e palëve për ndryshimin e
afateve të parashkrimit dhe e çdo dispozite të këtij kreu.

Neni 117

Afati i parashkrimit fillon nga dita kur subjektit i ka lindur
e drejta e padisë.

Neni 118

Në detyrimet kontraktore të lidhura me afat ekzekutimi,
parashkrimi i padisë fillon nga dita kur është plotësuar ky afat.
Kur detyrimi është i përbërë nga pagesa periodike, për
secilënprej tyre afati i parashkrimit fillon në mënyrë të veçantë.
Për detyrimet kontraktore të lidhura pa afat dhe për detyrimet
që ekzekutohen me kërkesën e kreditorit, afati i parashkrimit
fillon nga dita kur ka lindur detyrimi.

Neni 119

Për kërkimin e sendit, parashkrimi i padisë fillon nga dita
kur pronari ka marrë ose duhej të merrte dijeni për cënimin dhe
cënuesin e së drejtës së tij.

Neni 120

Për kërkimin e shpërblimit të dëmit jokontraktor, parashkrimi
i padisë fillon nga dita kur i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte
për dëmin e pësuar dhe për personin që e ka shkaktuar.

Neni 121

Për kthimin e shumës së parave ose të sendit që është fituar
ose kursyer pa shkak, parashkrimi i padisë fillon nga dita kur i
dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për fitimin ose kursimin pa
shkak që ka realizuar personi përkatës.

Neni 122

Për kërkimin e trashëgimit, parashkrimi i padisë fillon nga
dita e çeljes së trashëgimisë.


Neni 123

Për paditë e kthimit, parashkrimi i padisë fillon nga dita kur
paditësi ka paguar vullnetarisht, në bazë të një detyrimi ligjor
ose kontraktor, personit të tretë, për fajin e të paditurit, shumën
e parave apo sendin që kërkohet me anë të kësaj padie, ose nga dita
kur është dhënë vendimi i gjykatës ose arbitrazhit përkatës nga i
cili ka lindur padia e regresit.

Neni 124

Parashkrimi i padisë për kërkesën kryesore shkakton që të
parashkruhen edhe paditë për kërkesat e rrjedhura prej saj,
pavarësisht se për këto nuk është plotësuar ende afati përkatës.

Kërkesa e palës së interesuar
Neni 125

Parashkrimi i plotësuar nuk mund të merret parasysh nga
gjykata ose organi tjetër kompetent me nismën e vet, por vetëm me
kërkesën e palës së interesuar.

Heqia dorë nga parashkrimi
Neni 126

Heqja dorë nga parashkrimi lejohet vetëm pasi të jetë
plotësuar afati i tij.

Neni 127

Pretendimi se afati i parashkrimit është plotësuar mund të
ushtrohet edhe nga kreditorët dhe nga kushdo që ka interes, në
rastet kur pala përkatëse e ka ushtruar vetë.

Përmbushja e detyrimit pas plotësimit të afatit
Neni 128

Debitori që ka përmbushur detyrimin e tij pas plotësimit të
parashkrimit, nuk mund të kërkojë kthimin e shumës së parave ose të
sendit, që ka dhënë vullnetarisht, edhe sikur të mos dinte se ishte
plotësuar afati i parashkrimit.

KREU II
PEZULLIMI DHE NDERPRERJA E PARASHKRIMIT

A. Pezullimi i parashkrimit
Neni 129

Parashkrimi pezullohet:
a) midis bushkëshortëve deri në ditën kur ka marrë formë të
prerë vendimi gjyqësor me të cilin është zgjidhur martesa;
b) midis fëmijëve dhe prindërve gjersa këta ushtrojnë të
drejtën prindërore;
c) midis personave që ndodhen nën kujdestari dhe kujdestarëve
të tyre gjersa vazhdon kujdestaria;
ç) për paditë e personave, pasuria e te cilëve është vënë në
administrim, kundër administruesve përkatës të caktuar nga gjykata
ose nga një organ tjetër kompetent shtetëror, gjersa të jetë
miratuar raporti përfundimtar i llogarive;
d) për paditë e të miturve dhe personave të tjerë, që nuk kanë
zotësi për të vepruar gjersa t'u emërohet përfaqësuesi ose të
fitojnë këtë zotësi, si edhe për gjashtë muaj pasi është emëruar
perfaqësuesi ose pasi kanë fituar zotësinë për të vepruar;
dh) për paditë e personit juridik kundër administratorëve
tëvet, gjersa këta vazhdojnë këtë detyrë pranë tij;
e) për paditë me objekt shpërblimin përkatës, të rrjedhura nga
dëmtimi i shëndetit ose nga shkaktimi i vdekjes, pezullimi i
parashkrimit vazhdon nga dita kur i është paraqitur kërkesa organit
të sigurimeve shoqërore shtetërore dhe deri në ditën kur është
caktuar pensioni ose është refuzuar ajo kërkesë;
ë) kur ka forcë madhore.

Neni 130

Koha e pezullimit nuk llogaritet në afatin e parashkrimit. Kur
pas zhdukjes së shkakut pezullues, koha që mbetet për t'u plotësuar
parashkrimi është më e shkurtër se gjashtë muaj, ajo zgjatet deri
në gjashtë muaj.

B. Ndërprerja e parashkrimit
Neni 131

Parashkrimi ndërpritet:
a) me çdo veprim të personit fizik ose juridik të detyruar, që
shpreh njohjen e saktë dhe të plotë të së drejtës të kreditorit;
b) me paraqitjen e padisë, të kundërpadisë ose të prapësimit,
qoftë edhe në një gjykatë ose arbitrazh që nuk është kompetent nga
pikëpamja tokësore ose lëndore për shqyrtimin e çështjes;
c) me çdo veprim që e vë debitorin në vonesë;
ç) me paraqitjen e kërkesës për ekzekutimin e detyrueshëm të
vendimit gjyqësor apo të arbitrazhit përkatës, si dhe të çdo
titulli ekzekutiv tjetër.

Neni 132

Parashkrimi i ndërprerë kundër njërit prej debitorëve solidarë
ose njerit prej bashkëshortëve të një detyrimi të papjestueshëm,
shtrihet edhe ndaj secilit nga këta debitorë të tjerë.

Neni 133

Parashkrimi i ndërprerë kundër debitorit kryesor shtrihet edhe
ndaj dorëzënësit përkatës.

Neni 134

Koha e kaluar para se të vërtetohej shkaku ndërprerës nuk
llogaritet dhe pas zhdukjes së këtij shkaku fillon një afat
parashkrimi i ri.

Neni 135

Kur parashkrimi është ndërprerë për shkak të paraqitjes së
padisë ose të kundërpadisë, afati i ri i parashkrimit fillon nga
dita që ka marrë formë të prerë vendimi me të cilin është zgjidhur
çështja në themel.
Kur është vendosur rrëzimi i padisë pa u zgjidhur çështja në
themel, ose pushimi i gjykimit të çështjes, parashkrimi nuk quhet
i ndërprerë.

Llogaritja e afateve të parashkrimit
Neni 136

Afati i parashkrimit të padisë, që është caktuar në javë, në
muaj ose në vite mbaron me kalimin e asaj dite të javës së fundit
apo të muajit të fundit që ka të njëjtin emër ose numër me atë
tëditës në të cilën ka filluar afati dhe, kur një ditë e tillë
mungon në muajin e fundit, afati mbaron me kalimin e ditës së
fundit të këtij muaji.
Kur dita e fundit e afatit të parashkrimit bie në një ditë
pushimi, quhet si e fundit ajo ditë pune që vjen pas asaj të
pushimit.

KREU III
PREKLUZIVITETI (Dekadenca)

Neni 137

Kur një e drejtë duhet të ushtrohet brenda një afati
prekluziv, nuk zbatohen dispozitat që rregullojnë ndërprerjen e
parashkrimit. Gjthashtu, nuk zbatohen shkaqet pezulluese, përveç
rasteve përjashtimore, kur vetë ligji lejon pezullimin e afatit
prekluziv.

Neni 138

Eshtë e pavlefshme çdo marrëveshje me të cilën janë caktuar
afate prekluzive, që e bëjnë tejet të vështirë për njërën nga palët
ushtrimin e së drejtës përkatëse.

Neni 139

Palët nuk mund të ndryshojnë urdhërimet ligjore që rregullojnë
prekluzivitetin, dhe as mund të heqin dorë nga afati prekluziv i
plotësuar kur ky afat është caktuar me dispozita ligjore të
veçanta.

Neni 140

Afati prekluziv i plotësuar merret parasysh nga gjykata ose
arbitrazhi kompetent me nismën e vet, edhe pa u kërkuar nga pala e
interesuar.

PJESA II

SENDET DHE PRONESIA

TITULLI I
SENDET

Kuptimi juridik i sendit
Neni 141

Send është çdo gjë që mund të përbëjë objekt pronësie ose i të
drejtës tjetër reale.

Llojet e sendeve
Neni 142

Sendet janë të luajtshme dhe të paluajtshme.
Janë sende të paluajtshme toka, burimet e rrjedhjet e ujërave,
drurët, ndërtesat, ndërtimet e tjera notuese të lidhura me tokën
dhe çdo gjë që është e trupëzuar në mënyrë të qëndrueshme e të
vazhdueshme me tokën ose ndërtesën.
Të gjitha sendet e tjera, duke përfshirë edhe çdo energji
tjetër natyrore, janë sende të luajtshme.

Neni 143

Dispozitat që kanë të bëjnë me sendet e paluajtshme
zbatohenedhe për të drejtat reale që kanë si objekt sende të
paluajtshme, si dhe për paditë përkatëse, përveç kur parashikohet
ndryshe me ligj.
Dispozitat që kanë të bëjnë me sendet e luajtshme zbatohen për
të gjitha të drejtat e tjera.

Regjistrimi i sendeve
Neni 144

Sendet e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to regjistrohen
në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
Regjistrohen edhe ato sende të luajtshme, për të cilat
kërkohet shprehimisht nga ligji.

Frutat e sendit
Neni 145

Frutat natyrore të një sendi janë produktet që nxirren prej
tij.
Derisa nuk janë ndarë nga sendi, ato janë pjesë përbërëse e
tij.
Frutat civile nxirren nga sendet si rrjedhojë e gëzimit të të
drejtave që kanë personat mbi to.
Frutat civile fitohen në bazë të kohëzgjatjes së të drejtave
dhe kur këto janë bërë të kërkueshme.

Pjesët përbërëse të sendit
Neni 146

Eshtë pjesë përbërëse e një sendi çdo gjë që është bashkuar me
të dhe nuk mund të ndahet prej tij pa iu shkaktuar një dëm
thelbësor.

Sendet aksesore
Neni 147

Aksesorë janë ato sende të luajtshme që janë destinuar për t'i
shërbyer në mënyrë të vazhdueshme një sendi kryesor ose për ta
zbukuruar atë.
Ky destinim bëhet nga pronari i sendit kryesor ose nga personi
që ka një të drejtë reale mbi atë.

Neni 148

Çdo disponim i sendit kryesor përfshin edhe aksesorët e tij,
përveç kur është parashikuar ndryshe.
Aksesorët mund të jenë edhe objekt i një disponimi të veçantë.
Aksesori nuk e humbet këtë cilësi të tij në rastet kur është
ndarë përkohësisht nga sendi kryesor.

TITULLI II
PRONESIA

KREU I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Përmbajtja e pronësisë
Neni 149

Pronësia është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht
sendet, brenda kufijve të caktuar nga ligji.

Pronësia mbi pjesët përbërëse të sendit
Neni 150

Pronarit të sendit i takon pronësia edhe mbi pjesët përbërëse
të tij.

Pronësia mbi frutat e sendit
Neni 151

Pronarit të sendit i takojnë frutat natyrore që prodhon sendi,
përveç kur pronësia e tyre u është kaluar të tjerëve. Në këtë rast
pronësia fitohet pasi frutat të jenë ndarë nga sendi.
Personi që merr frutat duhet që brenda vleftës së tyre të
shpërblejë shpenzimet e bëra për prodhimin dhe vjeljen e tyre.

Përkatësia e sendeve
Neni 152

Sendet u përkasin personave fizikë, personave juridikë dhe
shtetit.
Llojet e pasurisë publike caktohen me ligj.

Të drejtat dhe detyrimet e pronarit
Neni 153

Askujt nuk mund t'i hiqet tërësisht ose pjesërisht pronësia
mbi sendet e tij, përveç kur e kërkojnë interesa publikë të
ligjshëm dhe kurdoherë kundrejt një shpërblimi të plotë dhe
paraprak.

Neni 154

E drejta e pronësisë mbi tokën shtrihet gjer në lartësinë dhe
thellësinë që është e dobishme për ushtrimin e saj, në kushtet e
parashikuara me ligj.

Neni 155

Pronari i një toke, pasi më parë t'i ketë kërkuar fqinjit që
të presë degët e pemëve dhe rrënjët që i futen në tokën e tij, ka
të drejtë t'i presë vetë ato, në rast se i sjellin dëm, si dhe të
vjelë frutat dhe t'i perdorë ato për vete.
Frutat që bien nga pemët mbi tokë, i përkasin pronarit të
tokës ku ato kanë rënë.

Neni 156

Pronari i një toke që ndodhet buzë një rrjedhe uji ose burimi
publik, ka të drejtë t'i perdorë ato deri në masën që nuk dëmton
interesat e pronarëve të tokave të tjera, përveç kur përdorimi
rregullohet me dispozita të veçanta.

Neni 157

Pronari i një toke mund t'i kërkojë në çdo kohë pronarit të
tokës fqinje, që me shpenzime të përbashkëta, të vendosen në
kufijtë e tokave të tyre shenja të dukshme dallimi ose t'i ndreqin
ato kur janë të dëmtuara.
Kur kufiri ndërmjet dy tokave është i paqartë dhe pronarët nuk
e përcaktojnë vetë atë, secili prej tyre mund të kërkojë saktësimin
e tij nga gjykata.

Neni 158

Kur mbillen drurë e shkurre në kufijtë e pronave, pronarët
janë të detyruar të mbajnë largësitë e caktuara me dispozita të
veçanta e kur nuk ka të tilla, nga zakonet e vendit, përveç
kurpronari fqinjë ka lejuar vetë ose kur kufiri është në një rrugë
ose rrjedhë uji publike.
Në mungesë të këtyre rregullave, largësitë janë: tre metra për
drurët me trup të lartë dhe dy metra për drurët e tjerë.
Këto largësi nuk zbatohen për drurët e shkurret, lartësia e të
cilëve nuk e kalon murin ndarës të pronave.

Neni 159

Pronari është i lirë në përdorimin e sendit, pa dëmtuar të
drejtat e personave të tjerë dhe brenda kufijve që caktohen nga
ligji ose nga zakonet e mira. Ai nuk mund t'u krijojë fqinjëve
shqetësime të tilla si zhurma, dridhje, futje të tymit, nxehtësive,
avujve ose përhapje të tjera të ngjashme, të pengojë gëzimin e
pronave të tyre, duke ndryshuar rrjedhat, prurjet ose cilësinë e
ujërave që rrjedhin në tokën e tij ose të ujërave nëntokësorë, si
dhe të përdorë ujërat që komunikojnë lirisht me ato të tokës së
tjetrit, përveç kur këto shqetësime nuk kalojnë shkallën e
zakonshme të tyre.
Pronari gjatë ushtrimit të të drejtave të tij, detyrohet të
marrë masa për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit për rreth.

Neni 160

Pronarët duhet t'u përmbahen rregullave të caktuara në planet
rregulluese ose në dispozita të veçanta, për ngritjen e ndërtesave
të reja, për rindërtimin ose ndryshimin e tyre, për largësitë
ndërmjet ndërtesave, për çeljen e dritareve, puseve, gropave e të
punimeve të tjera të kësaj natyre.

Neni 161

Pronari është i detyruar të mbledhë ujërat që rrjedhin nga
strehët e ndërtesave të tij, në mënyrë që ato të mos pikojnë mbi
tokën e tjetrit.
Derdhja e tyre në një rrjedhë publike mund të bëhet kur nuk
ndalohet nga rregullat që kanë caktuar organet kompetente.
Pronari është i detyruar të kujdeset që ujërat dhe mbeturinat
që vijnë nga toka e tij të mos derdhen në kanalin ose në tokën e
tjetrit, përveç kur ndërmjet tyre ka marrëveshje të kundërt.

KREU II
FITIMI DHE HUMBJA E PRONESISE

Kalimi i pronësisë
Neni 162

E drejta e pronësisë dhe të drejta të tjera mbi sendet janë të
transferueshme, përveç kur ndalohet nga ligji ose nga vetë natyra
e së drejtës.

Mënyra e fitimit të pronësisë
Neni 163

Pronësia fitohet nëpërmjet mënyrave të caktuara në këtë Kod
dhe mënyrave të tjera të caktuara me ligj të veçantë.

Fitimi i pronësisë me kontratë
Neni 164

Pronësia fitohet me anë të kontratës, pa qenë e nevojshme të
bëhet dorëzimi i sendit. Për sendet që përcaktohen në numër, në
peshë ose me masë, duhet të bëhet edhe dorëzimi i tyre.

Fitimi i pronësisë me trashëgim
Neni 165

Fitimi i pronesisë me trashëgim kryhet sipas kushteve të
parashikuara në dispozitat e pjesës së tretë të këtij Kodi.

Fitimi me mirëbesim i sendeve të luajtshme
Neni 166

Personi që në bazë të një veprimi juridik për kalimin e
pronësisë ka fituar kundrejt shpërblimit me mirëbesim një send të
luajtshëm, bëhet pronar i këtij sendi edhe sikur tjetërsuesi të mos
ishte disponues i tij.
Megjithatë fituesi, qoftë edhe me mirëbesim, nuk bëhet pronar
i sendit kur ky është i vjedhur.
Fituesi me mirëbesim bëhet pronar i monedhave dhe i letrave me
vlerë tek prurësi, edhe sikur këto t'i jenë vjedhur ose t'i kenë
humbur pronarit ose personit juridik publik.
Dispozitat e mësipërme nuk zbatohen për sendet e luajtshme që
janë të shënuara në regjistrat publike.
Prona fitohet e lirë nga të drejtat e tjetrit mbi sendin, në
rast se këto të drejta nuk rrjedhin nga titulli dhe nga mirëbesimi
i fituesit.

Neni 167

Në rast se pronësia mbi një send të luajtshëm u kalon me anë
kontratash disa personave, bëhet pronar ai që ka fituar posedimin
e sendit me mirëbesim, edhe sikur kontrata të jetë e një date të
mëvonshme.

Parashkrimi fitues
Neni 168

Personi që ka fituar me mirëbesim një send, në bazë të një
veprimi juridik për kalimin e pronësisë dhe që nuk është i ndaluar
nga ligji, bëhet pronar i këtij sendi, pas një posedimi të
pandërprerë prej pesë vjetësh kur sendi është i luajtshëm dhe prej
dhjetë vjetësh kur ai është i paluajtshëm.
Kur posedimi nuk është me mirëbesim, afatet e posedimit të
pandërprerë dyfishohen. Posedimi konsiderohet i pandërprerë edhe
kur fituesi i sendit ia ka dhënë posedimin një personi tjetër.
Nuk mund të fitohet me parashkrim fitues një send që është
pronë publike e pa tjetërsueshme.

Neni 169

Personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u
sjellë sikur të ishte pronar për njëzetë vjet në një pronë të
paluajtshme, bëhet pronar i saj.

Regjistrimi i sendit të fituar me parashkrim
Neni 170

Personi që ka fituar me parashkrim një send të paluajtshëm ka
të drejtë të paraqesë padi kundër personit të mëparshëm ose
trashëgimtarëve të tij për njohjen e pronësisë së vet dhe, në bazë
të vendimit gjyqësor përkatës, të kërkojë që të kryhet regjistrimi
i sendit nga organi kompetent shtetëror.

Pezullimi e ndërprerja e parashkrimit fitues
Neni 171

Dispozitat për pezullimin dhe ndërprerjen e parashkrimit të
padisë zbatohen edhe për parashkrimin fitues.
Parashkrimi fitues ndërpritet me humbjen e posedimit. Nuk
quhet ndërprerje kur poseduesi hyn përsëri në posedimin brenda
gjashtë muajve ose edhe më vonë me anë padie të ngritur brenda
gjashtë muajve.

Sendet pa zot
Neni 172

Sendet pa zot janë ato që nuk kanë pronar ose pronari i të
cilave ka hequr dorë nga pronësia.
Sendet që nuk kanë zot i takojnë shtetit. Kalimi i tyre në
pronësi të shtetit bëhet me vendim të gjykatës kompetente.

Fitimi i pronësisë me bashkim e përzierje
Neni 173

Mbjelljet, si dhe ndërtesat e çdo vepër tjetër që ndodhen mbi
ose nën sipërfaqen e tokës, i përkasin pronarit të saj, përveç kur
parashikohet ndryshe në këtë Kod e në dispozita të tjera ligjore.

Neni 174

Pronari i tokës që ka bërë ndërtime e vepra të tjera dhe
mbjellje me material të huaj, detyrohet të paguajë vleftën e tyre,
në rast se nuk kërkohet ndarja e kthimi i tyre dhe kur kjo mund të
kryhet pa u shkaktuar një dëm thelbësor ndërtimeve ose mbjelljevetë
kryera.
Kur ndarja e materialeve është e mundshme dhe pronari i tokës
ka vepruar me keqbesim, duhet t'i shpërblejë pronarit të
materialeve dëmin e pësuar.

Neni 175

Kur ndërtesat e veprat e tjera dhe mbjelljet janë bërë nga një
person i tretë me materialet e veta në tokën e tjetrit, pronari
përkatës ka të drejtë t'i mbajë ato ose të kërkojë detyrimin e atij
që i ka bërë t'i heqë ato me shpenzimet e tij, dhe kur është rasti
të shpërblejë dëmin.
Kur pronari i tokës pranon t'i mbajë, detyrohet të paguajë
vleftën e matarialeve dhe të krahut të punës ose rritjen e vleftës
që i është bërë pronës.
Pronari i tokës nuk mund t'i kërkojë heqjen e ndërtimeve e të
mbjelljeve të kryera kur ato janë bërë me dijeninë e tij, ose me
mirëbesim nga personi i tretë, si dhe kur kanë kaluar gjashtë muaj
që nga dita kur pronari ka marrë njoftim për këto ndërtime e
mbjellje.
Kur me mirëbesim është ngritur një ndërtesë në tokën e huaj
dhe vlefta e saj është më e madhe se vlefta e tokës, personi që ka
ngritur ndërtesën mund të njihet pronar edhe i tokës, me vendim të
gjykatës kompetente.

Neni 176

Kur dy ose më shumë sende të luajtshme që u përkasin pronarëve
të ndryshëm janë bashkuar ose përzier në një send të vetëm e që nuk
mund të ndahen pa u shkaktuar një dëm thelbësor njëri-tjetrit, ose
kur ndarja kërkon punë e shpenzime të tepëruara,pronarët e secilit
send bëhen bashkëpronarë të sendit të ri, në përpjestim me vleftën
që pjesët e sendit kishin në momentin e bashkimit apo të përzjerjes
së tyre.
Kur një send i luajtshëm është bashkuar ose përzier me një
tjetër në mënyrë të tillë sa duket se është pjesë aksesore e tij,
sendi i ri i përket pronarit të pjesës kryesore, i cili detyrohet
të paguajë vleftën përkatëse, si dhe kur është rasti të shpërblejë
dëmin e shkaktuar.

Fitimi i pronësisë me përpunim
Neni 177

Personi që me punën e tij ka krijuar një send të ri të
luajtshëm duke përdorur lëndën në pronësi të një personi tjetër,
pavarësisht se lënda mund ose jo të marrë formën e saj të parë,
bëhet pronar i sendit të ri në rast se vlefta e punës është më e
madhe se ajo e lëndës, me kusht që të paguajë vleftën e saj.
Në rast të kundërt sendi i ri fitohet nga pronari i lëndës,
duke paguar vleftën e punës. Kur përpunuesi ka vepruar me keqbesim,
me vendim të gjykatës sendi i ri i kalon pronarit të lëndës edhe në
rast se vlefta e punës është më e madhe se ajo e lëndës, por duke
paguar vleftën e kësaj të fundit.

Bashkimet e tokave nga aluvionet
Neni 178

Mbushjet me dhe të tokave e shtesat e tokës që formohen në
mënyrë të natyrshme gjatë brigjeve të lumenjve a të përrenjve, i
përkasin pronarit të tokës, përveç kur parashikohet ndryshe me
ligj.

Tokat e liruara nga rrjedhat e ujit
Neni 179

Toka që lirohet nga një rrjedhë uji, e cila tërhiqet në mënyrë
të natyrshme nga njëri breg dhe shkon në bregun tjetër, i përket
pronarit të tokës nga e cila është larguar rrjedha.

Tokat e krijuara në shtratet e lumenjve
Neni 180

Ishujt dhe mbushjet me dhe që krijohen në shtratet e lumenjve
janë pronë publike.

Neni 181

Kur një lum ose përrua ndërron shtrat duke e lënë të vjetrin,
toka që lirohet është në pronësi të pronarëve kufitarë të dy anëve
(buzëve) të lumit apo të përroit, të cilët e ndajnë atë deri në
mesin e shtratit të lënë sipas gjatësisë së tij.

SENDET E HUMBURA OSE TE GJETURA

Njoftimi për gjetjen
Neni 182

Personi që ka gjetur një send të humbur, duke përfshirë edhe
gjënë e gjallë të shkëputur nga tufa, është i detyruar të lajmërojë
menjëherë pronarin ose personin që i ka humbur dhe kur ky nuk
njihet, ta dorëzojë atë në bashkinë apo komunën, në territorin e së
cilës është gjetur sendi.
Bashkia ose komuna është e detyruar të shpallë
menjëherëgjetjen e sendit.

Marrja e sendit dhe pagimi i shpenzimeve
Neni 183

Pronari ose personi, të cilit i ka humbur sendi, ka të drejtë
ta kërkojë atë brenda gjashtë muajve nga dita që është shpallur
gjetja në bashkinë apo komunën përkatëse, pasi të ketë paguar
shpenzimet e bëra për ruajtjen e sendit dhe një shpërblim për
personin që ka gjetur sendin në masën 10% të vleftës së sendit, ose
të çmimit të marrë, kur sipas rrethanave të paraqitura, shitja e
tij ka qenë e domosdoshme.
Kur ka kundërshtime për vleftën e sendit, mosmarrëveshja
zgjidhet nga gjykata.
Bashkia ose komuna mund të lejojë mbajtjen përkohësisht të
sendit nga personi që e ka gjetur, të cilit i paguhen dhe
shpenzimet e bëra për ruajtjen e sendit.
Sendet e humbura duhen të ruhen dhe të mirëmbahen me kujdesin
e duhur.

Fitimi i pronësisë nga personi që ka gjetur sendin
Neni 184

Kur pronari ose personi që e ka humbur sendin nuk paraqiten
për ta marrë atë brenda afatit të caktuar në nenin 183, sendi ose
çmimi i shitjes i kalon në pronësi personit që e ka gjetur, i cili
paguan shpenzimet e mbajtjes.

Sendet e gjetura në lokal
Neni 185

Sendet e gjetura në lokalet publike e private e në mjetet e
transportit, duhen t'i dorëzohen menjëherë administratës së lokalit
ku janë gjetur, e cila i ruan ato tri ditë. Kur nuk paraqitet
pronari ose personi që i ka humbur, administrata i dorëzon ato në
bashki apo në komunën përkatëse.

Thesari
Neni 186

Quhet thesar çdo send i çmueshëm, i cili duket me saktësi se
ka qenë në tokë ose i fshehur prej shumë kohësh dhe që nuk mund t'i
gjendet pronari.
Thesari i përket pronarit të sendit të luajtshëm apo të
paluajtshëm ku është gjetur, përveç rasteve të sendeve me vlerë
shkencore, kulturore, arkeologjike etj., të parashikuara nga neni
187 i këtij Kodi.
Personi që zbulon thesarin ka të drejtën e një shpërblimi të
arsyeshëm që nuk duhet të kalojë gjysmën e vlerës së tij.

Pronësia e shtetit mbi një kategori sendesh të luajtshme

Neni 187

Sendet e luajtshme, me vlerë kulturore, historike,
arkeologjike, etnografike, si dhe sendet natyrore të rralla me
rëndësi shkencore që zbulohen, shkëputen ose nxirren nga toka ose
uji, kalojnë në pronësi të shtetit.
Pronari, në pronën e të cilit janë zbuluar sende të tilla,
është i detyruar të lejojë kryerjen e gërmimeve, duke u shpërblyer
dëmete pësuara.
Personi që ka zbuluar ose ka gjetur sende të tilla, ka të
drejtë të marrë nga shteti një shpërblim të arsyeshëm.

Fitimi i pronësisë me anë pushtimi
Neni 188

Pronësia mbi sendet e luajtshme të abandonuara, si dhe mbi
kafshët e egra, shpendët, peshqit, frutat e egra dhe mbi sendet e
tjera të luajtshme të natyrës, fitohet me anë pushtimi, në kushte
të caktuara me ligj ose në dispozita të veçanta.

Tufa e bletëve
Neni 189

Pronari i një tufe bletësh ka të drejtë ta ndjekë e ta marrë
atë në tokën e tjetrit, duke shpërblyer dëmin e shkaktuar.
Kur pronari i bletës së ikur nuk e ka ndjekur atë brenda tri
ditëve, ose kur ajo ka hyrë në një zgjua bletësh tjetër, pronësia
mbi atë i kalon përkatësisht pronarit të tokës ku ka qëndruar bleta
ose pronarit të zgjoit.

Fitimi i pronësisë me anë shpronësimi
Neni 190

Sendet mund të shpronësohen kur e kërkojnë interesa publikë të
njohur me ligj dhe kundrejt një shpërblimi të plotë e paraprak. Ato
kalojnë në pronësi të shtetit ose të enteve të tjera publike, në
favor të të cilave është bërë shpronësimi.

Humbja e pronësisë
Neni 191

Pronësia humbet kur fitohet nga një tjetër ose kur hiqet dorë
prej saj.
Heqja dorë nga pronësia mbi pasuritë e paluajtshme në dobi të
një tjetri, është e vlefshme kur bëhet me akt noterial e
regjistrohet.

KREU III
REGJISTRIMI I PASURIVE TE PALUAJTSHME

Neni 192

Sendet e paluajtshme dhe faktet që kanë lidhje me gjëndjen
juridike të tyre regjistrohen në regjistrin e pasurive të
paluajtëshme.
Regjistrimi bëhet në bazë të një akti publik, të një vendimi
gjykate apo të një organi tjetër shtetëror kompetent, si dhe në
rastet e tjera të parashikuara nga ligji.

Neni 193

Duhet të regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme:
a) kontratat për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme
dhe aktet për pjestimin vullnetar të tyre;
b) kontratat me të cilat krijohen, njihen, ndryshohen ose
pushojnë të drejta pronësie mbi sendet e paluajtshme, të drejta
uzufrukti, përdorimi e bujtjeje, emfiteoze e servituti e të drejta
të tjera reale;
c) aktet me të cilat hiqet dorë nga të drejta pasurore të
mësipërme;
ç) vendimet e gjykatave me të cilat njihet cilësia e
trashëgimtarit dhe fitohet pasuria e trashëguar;
d) aktet me të cilat krijohet një shoqëri ose një subjekt
tjetër i së drejtës që ka në pronësi pasuri të paluajtshme ose
gëzon të drejta të tjera reale mbi to;
h) vendimet e gjykatave ose organeve kompetente shtetërore që
përkatësisht përmbajnë fitimin ose njohjen e pronësisë mbi pasuritë
e paluajtshme, pjestimin e pasurive të paluajtshme ose që
deklarojnë të pavlefshme veprimet juridike për kalimin e pronësise
të regjistruar më parë rregullisht, si dhe aktet e përmbarimit
gjyqësor për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme ose shitjen në
ankant të tyre.
Vërtetimi gjyqësor i faktit të pronësisë nuk regjistrohet.

Neni 194

Në kontratën e dhurimit të pasurisë së paluajtshme,
regjistrimi merr datën në të cilën regjistrohet pranimi, në rast se
ky përmbahet në një akt të veçantë.
Neni 195

Pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi ato që janë
fituar ose njohur sipas dispozitave të këtij Kodi, nuk mund të
tjetërsohen dhe kur është rasti, të ngarkohen me barrë, në rast se
nuk është bërë regjistrimi i tyre në regjistrat e pasurive të
paluajtshme.

Neni 196

Gjykatat, noterët, përmbaruesit gjyqësorë dhe organet e
tjerashtetërore detyrohen t'i dërgojnë për regjistrim zyrës që
administron regjistrin ku ndodhen pasuritë e paluajtshme, kopje të
vendimit ose të aktit që përmban fitimin, njohjen, ndryshimin,
pushimin e një të drejte pronësie të paluajtshme, ose një të drejte
reale mbi atë, ose që deklarojnë të pavlefshme veprime juridike për
kalimin e pronësisë të regjistruar më parë.

Neni 197

Duhen te regjistrohen gjithashtu:
a) kontratat e qiradhënies së sendeve të paluajtshme për një
kohë mbi nëntë vjet;
b) kërkesë-paditë për fitimin, njohjen, ndryshimin ose
pushimin e të drejtave të pronësisë ose të drejtave të tjera reale
mbi pasuritë e paluajtshme;
c) kërkesë-paditë për pjestimin e pasurisë së paluajtshme të
përbashkët.

Neni 198

Ministria e Drejtësisë administron veprimtarinë e regjistrit
publik për pasuritë e paluajtshme.
Kushtet, mënyra e regjistrimit dhe e organizimit, si dhe çdo
procedurë që ka lidhje me këtë veprimtari, rregullohet me ligj të
veçantë.

TITULLI III
BASHKEPRONESIA

KREU I
BASHKEPRONESIA NE PJESE

Përkufizimi dhe përmbajtja
Neni 199

Ka bashkëpronësi kur një ose disa sende dhe të drejta të tjera
reale u përkasin bashkërisht dy ose më shumë personave.
Pjesët e bashkëpronarëve janë të barabarta, gjersa nuk
vërtetohet e kundërta. Të drejtat dhe detyrimet e bashkëpronarëve
caktohen në përpjestim me pjesët përkatëse.

Të drejtat e bashkëpronarëve
Neni 200

Çdo bashkëpronar ka këto të drejta:
a) të përfitojë nga të ardhurat e sendit të përbashkët në
përpjestim me pjesën e tij;
b) të përdorë sendin e përbashkët sipas qëllimit të përcaktuar
dhe në mënyrë që të mos i pengojë bashkëpronarët e tjerë të
përdorin atë sipas të drejtave të tyre;
c) të tjetërsojë ose disponojë në çdo mënyrë tjetër pjesën e
tij në sendin e përbashkët, por kur ky është një send i
paluajtshëm, mund ta shesë pjesën e tij vetëm duke respektuar të
drejtën e parablerjes që kanë bashkëpronarët e tjerë sipas nenit
204 të këtij Kodi;
ç) të kërkojë pjestimin e sendit të përbashkët edhe sikur të
ketë një marrëveshje të kundërt, përveç kur ky pjestim dëmton së
tepërmi qëllimin përkatës ose është ndaluar me ligj;
d) të kërkojë kthimin jo vetëm të pjesës së tij, por të gjithë
sendit të përbashkët, me kusht që ky t'u dorëzohet gjithë
bashkëpronarëve.

Detyrimet e bashkëpronarit
Neni 201

Çdo bashkëpronar është i detyruar që në përpjestim me pjesën
e vet, të paguajë shpenzimet e nevojshme për ruajtjen dhe gëzimin
e sendit të përbashkët.

Neni 202

Kur sendin e përbashkët e përdorin për vete një ose disa
bashkëpronarë, këta detyrohen t'u paguajnë bashkëpronarëve të tjerë
shpërblimin për përdorimin e pjesëve të tyre nga dita kur u është
njoftuar me shkrim kërkesa e këtij shpërblimi ose nga data e
paraqitjes së padisë në gjykatën kompetente.

Administrimi i sendit të përbashkët
Neni 203

Të gjithë bashkëpronarët, pavarësisht nga vlera e pjesës
përkatëse, kanë të drejtë të marrin pjesë në administrimin e sendit
të përbashkët.
Sendi i përbashkët administrohet sipas mënyrës së miratuar me
marrëveshjen e të gjithë bashkëpronarëve dhe kur kjo nuk është
arritur, sipas mënyrës së caktuar me vendim të bashkëpronarëve që
kanë më shumë se gjysmën e vleftës se tij. Vendimi i shumicës është
i detyrueshëm edhe për bashkëpronarët që kanë mbetur në pakicë.
Kjo shumicë mund të vendosë që të vihet hipotekë ose peng mbi
sendin e përbashkët, kur kjo është e domosdoshme për të siguruar
kthimin e shumave të marra hua për mirëmbajtjen ose rindërtimin e
tij.
Kur nuk është arritur kjo shumicë ose kur vendimi i saj është
i dëmshëm për sendin e përbashkët, gjykata kompetente, mekërkesën
e çdo bashkëpronari, vendos masat që i çmon të nevojshme dhe, sipas
rastit, emëron një kujdestar për administrimin e sendit.

E drejta e parablerjes
Neni 204

Bashkëpronari, para se t'ia shesë pjesën e vet në sendin e
paluajtshëm një personi që nuk është bashkëpronar, detyrohet të
njoftojë me shkrim bashkëpronarët e tjerë në se dëshirojnë të
blejnë pjesën me të njëjtat kushte që do t'ia shesë personit të
tretë. Në rast se këta nuk përgjigjen brenda tre muajve se
dëshërojnë të blejnë pjesën, bashkëpronari është i lirë të shesë
pjesën e tij në persona të tretë.
Ai duhet t'ua bëjë të njohur bashkëpronarëve të tjerë
bashkëpronarin e ri.

E drejta e kreditorit mbi pjesën e bashkëpronarit
Neni 205

Çdo kreditor ka të drejtë të realizojë kredinë e vet mbi
pjesën që i takon bashkëpronarit debitor në sendin e përbashkët.

Neni 206

Kreditorët dhe trashëgimtarët e ndonjë bashkëpronari mund të
ndërhyjnë në pjesëtim, me shpenzimet e tyre, por nuk mund të
kundërshtojnë pjesëtimin e bërë më parë, përveç kur kanë njoftuar
kundërshtimin e tyre para pjesëtimit.
Në pjesëtimin e pasurisë së paluajtshme, njoftimi për
kundërshtimet e përmendura në paragrafin e mësipërm, duhet
tëregjistrohet përpara regjistrimit të kërkesës për pjesëtim.
Gjithashtu, në një pjesëtim të tillë duhet të thirren të gjithë
kreditorët që kanë regjistruar kërkesat e tyre ose që kanë fituar
të drejta mbi pasurinë që pjestohet, përpara regjistrimit të aktit
të pjesëtimit ose të regjistrimit të kërkesës për pjesëtim.

Pjesëtimi i sendit të përbashkët
Neni 207

Pjesëtimi i sendit të përbashkët kryhet me marrëveshjen e të
gjithë bashkëpronarëve. Kur sendi është i paluajtshëm marrëveshja
duhet të bëhet me akt noterial. Kur kjo marrëveshje nuk është
arritur, pjesëtimi i sendit kryhet me anë të gjykatës, duke u
thirrur në gjyq të gjithë bashkëpronarët. Pjesëtimi i sendit të
përbashkët bëhet me ndarjen e tij në natyrë sipas pjesëve që kanë
bashkëpronarët, në qoftë se kjo ndarje është e mundshme dhe nuk
dëmton qëllimin përkatës të sendit. Pabarazia e pjesëve, që
rezulton nga ndarja në natyrë kompensohet me një shpërblim në para.
Kur sendi i përbashkët nuk mund të ndahet në natyrë gjykata
urdhëron që ai të shitet në ankand dhe vlefta e tij të ndahet
ndërmjet bashkëpronarëve, sipas pjesëve përkatëse, duke llogaritur
edhe shumat që ata duhet t'i paguajnë njeri-tjetrit për shkak të
marrëdhënies së bashkëpronësisë.
Megjithatë, në vend të shitjes në ankand, gjykata, kur disa
nga bashkëpronarët e kërkojnë, mund të urdhërojë që sendi t'u lihet
këtyre, duke i detyruar që t'i paguajnë bashkëpronarit, i cili
kërkon pjesëtimin, vleftën e pjesës së tij, sipas mënyrës dhe
brenda afateve të caktuara në vendimin gjyqësor.
Kur sendi që nuk mund të ndahet në natyrë, është shtëpi
banimi, gjykata ia lë në pjesë, në kushtet e sipërtreguara, atij
nga bashkëpronarët që banon në atë shtëpi ose ka nevojë më shumë
setë tjerët për atë sipërfaqe banimi.

Tjetërsimi i sendit të përbashkët
Neni 208

Tjetërsimi i sendit të përbashkët mund të bëhet vetëm me
pëlqimin e të gjithë bashkëpronarëve.

KREU II
BASHKEPRONESIA NE TERESI

A. Bashkëpronësia e detyrueshme

Objektet e përbashkëta të ndërtesave
Neni 209

Në katet ose njësitë e ndara të kateve të një ndërtese që
ndodhen në pronësi të veçantë të pronarëve të ndryshëm, janë në
bashkëpronësi të detyrueshme të tyre, gjersa në aktin e pronësisë
nuk është caktuar ndryshe, këto objekte:
a) trualli mbi të cilin është ngritur ndërtesa, themelet,
muret kryesore, muret ndarëse të brendshme, shkallët, hollet, çatia
ose taraca, oxhaqet, si edhe të gjitha ato objekte të ndërtesës, që
kanë karakter të tillë dhe shërbejnë për përdorim të përbashkët;
b) puset, instalimet e ujit, instalimet elektrike, të gazit,
të telefonisë e të ngrohjes qendrore, duke përfshirë edhe
tubacionet dhe linjat përkatëse, si dhe kanalet e ndryshme deri në
pikën e degëzimit të tyre brenda njësive të ndara të kateve.

Neni 210

E drejta e secilit bashkëpronar mbi sendet e përmendura në
nenin e mësipërm, është në përpjesëtim me vleftën e katit ose të
pjesëve të katit që i përkasin atij, përveç kur titulli parashikon
ndryshe.
Heqia dorë nga e drejta mbi sendet e mësipërme, nuk e liron
bashkëpronarin nga detyrimi për të kontribuar në shpenzimet për
mbajtjen e tyre.

Pandashmëria e objekteve të përbashkëta
Neni 211

Objektet e përbashkëta të ndërtesës nuk lejohet të ndahen,
përveç kur ndarja e ndonjërit prej tyre mund të kryhet pa ia
vështirësuar përdorimin e tij asnjërit nga bashkëpronarët.

Përbërja e asamblesë dhe zgjedhja e kryesisë
Neni 212

Asambleja përbëhet nga pronarët e secilit kat ose njësie të
ndarë të çdo kati, të cilët kanë në bashkëpronësi objektet e
përbashkëta të ndërtesës.
Në mbledhjen e parë të asamblesë anëtarët e saj zgjedhin, nga
gjiri i tyre, kryesinë, e cila ngarkohet të kryejë, në emër e për
llogari të tyre të gjitha veprimet e nevojshme për administrimin
dhe mirëmbajtjen e zakonshme të objekteve të përbashkëta, përveç
atyre veprimeve që janë në kompetencë vetëm të asamblesë, si dhe të
përfaqësojë në instancat gjyqësore kompetente dhe në arbitrazh.

Mbledhjet e asamblesë dhe vlefshmëria e vendimeve
Neni 213

Pas mbledhjes së parë organizuese, mbledhjet e asamblesë
thirren një herë në vit. Mbledhje të tjera të asamblesë mund të
thirren nga kryesia e saj ose me nismën e jo më pak se 20% të
anëtarëve të saj.
Asambleja mund të çelet dhe të marrë vendime kur janë të
pranishëm personalisht ose të përfaqësuar me prokurë
bashkëpronarët, të cilët kanë të paktën dy të tretat e tërësisë së
kuotave. Kur ky numër nuk është i pranishëm, mbledhja shtyhet dhe
mbledhja pasardhëse zhvillohet në rast se merr pjesë shumica e
zakonshme e bashkëpronarëve.
Vendimet e asamblesë merren me shumicë të thjeshtë votash të
bashkëpronarëve, përveç rasteve kur në dispozitat e këtij kreu ose
me dispozita të veçanta kërkohet një shumicë e cilësuar. Kur numri
i votave është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare.

Kompetencat kryesore të asamblesë
Neni 214

Asambleja ka edhe këto kompetenca kryesore:
1. Miraton rregulloren për administrimin e banesës, e cila
hartohet sipas rregullores tip të miratuar nga Këshilli i
Ministrave.
2. Krijon fondin rezervë për shpenzimet e përbashkëta, duke
caktuar edhe shumën vjetore të tij.
3. Miraton preventivat e shpenzimeve që ka vendosur të kryhen
gjatë vitit, si dhe ndarjen e shumës së tyre midis bashkëpronarëve.
Shpenzimet e përbashkëta për mirëmbajtjen, riparimet dhe
përmirësimet e zakonshme të këtyre objekteve miratohen ngaasambleja
me shumicë të thjeshtë votash, ndërsa shpenzimet për përmirësime të
mëdha ose rinësime cilësore vendosen me shumicë të cilësuar të
bashkëpronarëve që arrijnë të paktën 75% të kuotave përkatëse.
4. Emëron, kur çmohet e domosdoshme, kujdestarin e ndërtesës,
duke caktuar kompetencat dhe pagën e tij.
5. Autorizon kryesinë që të sigurojë, brenda kufijve të
arsyeshme, objektet që janë pronë e përbashkët, si dhe të lidhë
kontrata të tjera të nevojshme për mirëmbajtjen, riparimet dhe
përmirësimet e zakonshme, ose, sipas rastit, për përmirësime të
mëdha apo rinësime të këtyre objekteve.

Neni 215

Vendimet e marra nga asambleja sipas dispozitave të mësipërme
janë të detyrueshme për të gjithë bashkëpronarët.

Padia kundër vendimeve të asamblesë
Neni 216

Kur një vendim i asamblesë është i paligjshëm ose cënon
interesat e ndonjërit nga bashkëpronarët e këtyre objekteve, çdo
bashkëpronar ka të drejtë të paraqesë në gjykatën kompetente padi
për pavlefshmërinë e atij vendimi, brenda tridhjetë ditëve nga data
e dhënies së tij. Paraqitja e kërkesë-padisë nuk pezullon zbatimin
e vendimit të asamblesë, përveç kur gjykata ka vendosur ndryshe.

Detyrimet e bashkëpronarëve
Neni 217

Çdo bashkëpronar ka këto detyrime:
1) Të paguajë shpenzimet për ruajtjen dhe gëzimin e pjesëve të
përbashkëta të ndërtesës, për kryerje shërbimesh në dobi të
përbashkët dhe për ndryshime të vendosura nga shumica e
bashkëpronarëve, në përpjesëtim me vleftën e pjesës së secilit,
përveç kur ka marrëveshje tjetër.
Për sendet që u shërbejnë bashkëpronarëve në masë të ndryshme,
shpenzimet përballohen në përpjesëtim me përdorimin që mund t'u
bëjë atyre secili.
Të paguajë shpenzimet për ruajtjen dhe gëzimin e pjesëve të
përbashkëta të ndërtesës, për kryerje shërbimesh në dobi të
përbashkët dhe për ndryshime të vendosura nga shumica e
bashkëpronarëve në përpjesëtim me vleftën e pjesës të secilit,
përveç kur ka marrëveshje tjetër.
2) Të mos kryejë në katin ose njësinë e ndarjes së katit, që
është në pronësi të veçantë të tij, ndërtime të cilat mund t' u
shkaktojnë dëme objekteve të përbashkëta të ndërtesës.
3) Të ndreqë dëmin ose të paguajë shpenzimet për zëvendësimin
e tij, që ai vetë ose një anëtar i familjes së tij i ka shkaktuar
me faj, cilitdo objekti të përbashkët.
4) Të mos kryejë, pa lejen paraprake të asamblesë, në katin
ose në njësinë e ndarë të katit që është në pronë të tij, shtesa
ose ndryshime të cilat mund të cënojnë pamjen e jashtme të
ndërtesës.

Shtesa të reja mbi katin e fundit
Neni 218

Ndërtimi mbi katin e fundit të një ndërtese, të kateve ose
veprave të tjera, mund të realizohet me vendimin e shumicës prej
3/4 të bashkëpronarëve të ndërtesës.

Neni 219

Ndalohet dhënia e lejes për kryerjen e shtesave ose veprave të
tilla mbi katin e fundit në qoftë se kushtet statike të ndërtesës
nuk e lejojnë.
Bashkëpronarët mund të kundërshtojnë lejen e dhënë nga organi
kompetent shtetëror për kryerjen e shtesave ose veprave të tilla
mbi katin e fundit dhe kur provohet se ato pakësojnë ajrin apo
dritën për katet e mëposhtme ose cënojnë pamjen arkitektonike të
ndërtesës.

Neni 220

Ata që janë lejuar të bëjnë shtesa ose vepra të tjera në katin
e fundit detyrohen të rindërtojnë taracën, të cilën të gjithë ose
një pjesë e bashkëpronarëve kishin të drejtë ta përdornin.

Shëmbja tërësore ose pjesore e ndërtesës
Neni 221

Kur ndërtesa shëmbet tërësisht ose në një pjesë që përbën jo
më pak se tre të katërtat e vlerës së saj, secili bashkëpronar mund
të kërkojë që të shiten në ankand trualli dhe materialet, përveç
kur është vendosur ndryshe.
Kur ndërtesa është dëmtuar në një përmasë më të vogël,
asambleja vendos për rindërtimin e objekteve të përbashkëta të
ndërtesës dhe secili bashkëpronar i tyre detyrohet të kontribuojë
në përpjesëtim me të drejtat e tij në ato objekte.
Bashëpronari që nuk dëshiron të marrë pjesë në rindërtimin e
ndërtesës, duhet t'u shesë bashkëpronarëve të tjerë ose ndonjërit
prej tyre edhe objektet, të cilët janë pronë vetëm e tij, sipas
vlerësimit që do të bëhet.

B. Bashkëpronësia midis anëtarëve të familjes bujqësore

Neni 222

Pronësia mbi pasurinë e anëtarëve të familjes bujqësore, u
përket në tërësi anëtarëve të saj, të cilët nëpërmjet punës ose të
drejtave të tjera të fituara, kanë kontribuar në krijimin e në
mbajtjen e ekonomisë bujqësore.

Neni 223

Familja bujqësore përbëhet nga personat që lidhen ndërmjet
tyre për shkak gjinie, martese, birësimi ose pranimi si anëtar i
saj.

Neni 224

Familja bujqësore përfaqësohet në marrëdhëniet pasurore me të
tretët nga kryetari, i cili zgjidhet nga anëtarët e saj.

Neni 225

Në pasurinë e familjes bujqësore nuk përfshihen sendet e
përdorimit thjesht vetjak të anëtarëve, si dhe sendet që anëtari ka
fituar me të ardhurat e tij vetjake, me dhurim ose me trashëgim.

Neni 226

Anëtari i familjes bujqësore nuk mund të tjetërsojë asnjë
pjesë të pasurisë së familjes bujqësore, gjersa nuk është bërë
pjesëtimi i saj.

Neni 227

Çdo anëtar i familjes bujqësore mund të kërkojë pjesën e vet
në pasu rinë e familjes bujqësore. Ajo përcaktohet duke marrë
parasysh sidomos:
a) pasurinë që i përket tërë familjes;
b) numrin e anëtarëve të familjes;
c) kontributin e tij në vënien ose shtimin e pasurisë së
familjes duke u nisur nga sasia ose efektiviteti i këtij
kontributi, si dhe nga puna dhe mjetet e dhëna në krijimin dhe
mbajtjen e ekonomisë bujqësore.

Neni 228

Pjesëtimi i pasurisë së familjes bujqësore, bëhet sipas
rregullave të caktuara në nenin 207 të këtij Kodi.
Kur kërkohet pjesa nga anëtarë të veçantë të saj, ajo
vlerësohet dhe i jepet në para. Kur pjesëtimi kërkohet nga disa
pjesëtarë të familjes bujqësore, me qëllim që të krijohet një
familje tjetër bujqësore, pjesa mund të jepet në natyrë, me kusht
që toka bujqësore që u mbetet familjeve të ndara, të mos jetë nën
minimumin e njësisë minimale të kultivimit.
Me njësi minimale të kultivimit kuptohet toka bujqësore, që
është e nevojshme për mbajtjen e një ekonomie bujqësore, sipas
kushteve natyrore të krahinës apo zonës përkatëse.

Neni 229

Familja bujqësore përgjigjet për veprimet e paligjshme të
kryera nga anëtarët e saj, gjatë ushtrimit të detyrave që rrjedhin
nga veprimtaria ekonomike e vetë familjes bujqësore.

Neni 230

Familja bujqësore nuk përgjigjet për detyrimet ekonomike
vetjake të anëtarëve, duke përfshirë edhe kryetarin e saj.
Kreditorët kanë të drejtë të paguhen nga pjesa që i takon anëtarit
debitor në të ardhurat e familjes bujqësore dhe nga pjesa që i
takon atij në pasurinë e familjes bujqësore.

C. Bashkëpronësia ndërmjet bashkëshortëve

Neni 231

Bashkëpronësia ndërmjet bashkëshortëve rregullohet me
dispozita të Kodit të Familjes.

TITULLI IV
UZUFRUKTI

KREU I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME
Përmbajtja e uzufruktit
Neni 232

Uzufrukti është e drejta e një personi (uzufruktari) për të
gëzuar një send që është në pronësi të një tjetri, me detyrim që ta
ruajë e ta mirëmbajë atë.

Mënyra e krijimit të uzufruktit
Neni 233

Uzufrukti krijohet me ligj ose me një veprim juridik. Ai mund
të fitohet edhe me parashkrimin fitues.

Kohëzgjatja e uzufruktit
Neni 234

Uzufrukti mund të jetë me ose pa afat, por në çdo rast nuk
mund të kalojë jetën e uzufruktarit.
Kur e drejta e uzufruktit gëzohet nga një person juridik, nuk
mund të zgjasë më shumë se tridhjetë vjet.

Mënyra e krijimit
Neni 235

Uzufrukti që krijohet me veprim juridik duhet të bëhet me akt
noterial, ndërsa kur fitohet me testament veprohet sipas
dispozitave përkatëse.
Uzufrukti mbi një send të paluajtshëm duhet të regjistrohet në
regjistrat e pasurive të paluajtshme.

Bashkuzufrukti
Neni 236

Uzufrukti mund të jetë në favor të më shumë se një personi.
Kur e drejta e njërit prej tyre shuhet, ajo u kalon uzufruktarëve
që mbeten, në përpjesëtim me pjesët. Në këtë mënyrë veprohet deri
në shuarjen e së drejtës së uzufruktarit të fundit që mbetet.

KREU II
TE DREJTAT QE RRJEDHIN NGA UZUFRUKTI

Kufijtë e gëzimit të sendit në uzufrukt
Neni 237

Uzufruktari gëzon sendin e vënë në uzufrukt, por nuk mund të
ndryshojë destinimin ekonomik që ka patur ai në fillim të
uzufruktit, pa pëlqimin e pronarit ose pa autorizimin e gjykatës së
rrethit, kur pronari dhe uzufruktari nuk merren vesh.
Gjatë vazhdimit të uzufruktit ose në mbarimin e tij,
uzufruktari mund të heqë shtesat që i janë bërë sendit, në kushtet
e paragrafit të parë të këtij neni, që mund të shkëputen pa e
dëmtuar atë, duke e kthyer në gjendjen e tij fillestare, përveç kur
parashikohet ndryshe në aktin e krijimit.

Përmirësimet e sendit në uzufrukt
Neni 238

Uzufruktari në mbarim të uzufruktit nuk ka të drejtë të
kërkojë shpërblimin për përmirësimet e bëra në send gjatë
përdorimit edhe sikur të jetë shtuar vlefta e tij, përveç kur është
parashikuar ndryshe në aktin e krijimit të uzufruktit.
Shtesa e vleftës mund të kompensohet me dëmet që mund t'i jenë
shkaktuar sendit pa fajin e uzufruktarit.
Kur nuk ka vend për kompensim, uzufruktari mund të heqë
shtesat e bëra, pa u dëmtuar sendi, përveç kur pronari pranon të
paguajë vleftën e tyre, si të ishin të ndara nga sendi.

Përkatësia e frutave
Neni 239

Uzufruktarit i takojnë frutat natyrore dhe ato civile që
prodhon sendi gjatë kohëvazhdimit të uzufruktit.
Frutat natyrore që nuk janë ndarë nga sendi në kohën e
fillimit të uzufruktit, i përkasin uzufruktarit dhe anasjelltas,
kur ato nuk janë ndarë nga sendi kur mbaron uzufrukti, i përkasin
pronarit.

Kalimi i së drejtës së uzufruktit
Neni 240

Uzufruktari mund t'ia kalojë një tjetri këtë të drejtë për një
kohë ose për gjithë kohën e qënies së saj, përveç kur në aktin e
krijimit është parashikuar ndryshe.
Kalimi duhet t'i njoftohet me shkrim pronarit, përndryshe
uzufruktari i mëparshëm dhe personi që ka fituar një të drejtë të
tillë përgjigjen solidarisht ndaj pronarit.

E drejta e tjetërsimit
Neni 241

Uzufruktari ka të drejtë të tjetërsojë sendet objekt uzufrukti
në masën që ato destinohen të tjetërsohen dhe në përputhje me
natyrën e tyre.
Në raste të tjera uzufruktari nuk mund të tjetërsojë sendet në
uzufrukt pa pëlqimin e pronarit ose pa autorizimin e gjykatës së
rrethit, përveç kur në aktin e krijimit është parashikuar ndryshe.
Autorizimi nuk duhet të jepet kur preken interesat e pronarit,
uzufruktarit ose të personave të tretë.

Zëvendësimi i sendit në uzufrukt
Neni 242

Kur sendet në uzufrukt janë tjetërsuar ose janë zëvendësuar me
sende të tjera, këto i përkasin pronarit dhe njëkohësisht janë
objekt i uzufruktit.
Rregulli i mësipërm vlen për gjithçka që sigurohet nga vjelja
e detyrimeve objekt uzufrukti, nga kompensimi për shpërblimin e
dëmeve ose nga zhvleftësimi i pasurisë, kur zëvendësojnë ose
përmirësojnë sendet objekt uzufrukti.
Janë gjithashtu objekt uzufrukti, sendet që vilen nga
përfitimet e tjera që jep uzufrukti, por që nuk janë fruta.

Investimet
Neni 243

Pronari dhe uzufruktari duhet të merren vesh që paratë objekt
uzufrukti të investohen në mënyrë frutdhënëse ose të shpenzohen në
interes të pasurisë tjetër në uzufrukt.

Dhënia me qira
Neni 244

Uzufruktari ka të drejtë të japë me qira sendet në uzufrukt
përveç kur është parashikuar ndryshe në aktin e krijimit të tij.
Kur mbaron uzufrukti, pronari duhet të respektojë qiranë e
filluar normalisht më parë, përveç kur zgjatja e afatit të saj
është bërë pa pëlqimin e tij. Kur uzufruktari ose qiramarrësi i
kanë kërkuar pëlqimin pronarit për qiradhënien dhe ky nuk është
përgjigjur në afatin e caktuar, quhet se pëlqimi është dhënë.
Kur pushon uzufrukti, qiradhëniet për një afat mbi pesë
vjet,kanë vlerë vetëm për pesë vjet nga dita që ka filluar
qiradhënia.

Gëzimi i servituteve
Neni 245

Uzufruktari gëzon të drejtat e servituteve të lidhura me
pronën mbi të cilën ka uzufruktin dhe të drejtat e tjera reale që
do t'i gëzonte vetë pronari, përveç kufizimeve të parashikuara në
aktin e krijimit apo në ligj.

KREU III
DETYRIME QE RRJEDHIN NGA UZUFRUKTI

Zëvendësimi i dëmeve
Neni 246

Uzufruktari detyrohet të shpërblejë vleftën e sendit të humbur
ose të dëmtimit të tij, përveç kur provon se nuk janë shkaktuar për
fajin e tij.
Ai detyrohet të zëvendësojë sendet që, sipas uzufruktit, nuk
kishte të drejtë t'i konsumonte.

Inventaret
Neni 247

Uzufruktari merr në dorëzim sendet në gjëndjen që ndodhen para
fillimit të uzufruktit. Sendet në uzufrukt merren në dorëzim me
inventar të bërë me akt noterial, në prani të pronarit, pasi të
jetë njoftuar në një afat të përshtatshëm. Eshtë e drejtë e palëve
që në inventar të shënohen të gjitha hollësitë që kanë lidhje me
përcaktimin dhe gjëndjen e sendeve që merren në uzufrukt.
Inventari mund të kryhet edhe me akt privat, kur bien në
marrëveshje të dy palët, që janë të pranishëm gjatë kryerjes së
tij. Shpenzimet për kryerjen e inventarit janë në ngarkim të
uzufruktarit, përveç kur parashikohet ndryshe në aktin e krijimit.

Njoftimet periodike
Neni 248

Uzufruktari detyrohet t'i dërgojë pronarit në fund të çdo viti
një njoftim të hollësishëm me shkrim të nënshkruar prej tij, për
sendet që nuk ekzistojnë më ose për sendet që i kanë zëvendësuar
ato, si dhe përfitimet e tjera nga sendet në uzufrukt, që nuk hyjnë
në kategorinë e frutave.
Shpenzimet për kryerjen e deklaratës vjetore, janë në ngarkim
të uzufruktarit, përveç kur në aktin e krijimit është parashikuar
ndryshe.

Dhënia e garancisë
Neni 249

Uzufruktari detyrohet t'i japë pronarit një garanci me shkrim
për përmbushjen e detyrimeve të rrjedhura nga uzufrukti, përveç kur
në aktin e krijimit është shkarkuar nga një detyrim i tillë ose kur
interesat e pronarit mbi sendet në uzufrukt janë siguruar në mënyrë
të mjaftueshme nga një institut i ngarkuar me këtë punë.
Prindërit që kanë uzufruktin ligjor mbi sendet në pronësi të
fëmijëve të tyre, përjashtohen nga dhënia e një garancie të tillë.
Kur uzufruktari është shkarkuar nga detyrimi për dhënien e
garancisë, pronarit i lind e drejta të kërkojë prej tij që t'i
tregohen çdo vit sendet që i janë dhënë në uzufrukt ose të njihet
me njoftimin e një institucioni krediti për paratë apo letrat me
vlerë të depozituara.
Uzufruktari nuk mund të fitojë posedimin e sendeve të vëna në
uzufrukt, pa plotësuar detyrimet që rrjedhin nga ky nen.

Pasojat e mosdhënies së garancisë
Neni 250

Kur uzufruktari nuk jep garanci, merren masa për administrimin
e sendeve në uzufrukt. Sendet e paluajtshme jepen me qira ose i
besohen një administratori të zgjedhur me marrëveshje ndërmjet
pronarit e administratorit dhe kur nuk arrihet një marrëveshje e
tillë, administratori caktohet nga gjykata e rrethit.
Uzufruktari ka të drejtë të mbajë për banim të tij dhe të
familjes së tij, një banesë që përfshihet në uzufrukt.
Paratë që përfshihen në uzufrukt investohen me kamatë.
Sendet e luajtshme që vjetërohen ose dëmtohen nga përdorimi
ose sendet ushqimore që rrezikohen të prishen, shiten dhe vlefta e
tyre jepet me kamatë ose përdoret për sendet në uzufrukt.
Uzufruktari mund të kërkojë t'i lihen sende të luajtshme të
mjaftueshme për përdorim vetjak.

Shpenzimet e mirëmbajtjes
Neni 251

Shpenzimet që nevojiten për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe
administrimin e sendit janë në ngarkim të uzufruktarit. Janë
gjithashtu në ngarkim të tij edhe shpenzimet për ndreqjet jo të
zakonshme, kur ato janë rrjedhim i mospërmbushjes së detyrimeve të
tij ndaj sendit në uzufrukt.
Riparimet e jashtëzakonshme janë në ngarkim të pronarit. Kur
pronari refuzon t'i kryejë ato ose të tjerat që i janë ngarkuar
atij, ose vonon pa arsye kryerjen e tyre, uzufruktari i kryen vetë
meshpenzimet e tij, të cilat shlyhen deri në përfundimin e
uzufruktit. Uzufruktari ka të drejtë të mbajë sendin e ndrequr deri
në shlyerjen e shpenzimeve.

Sigurimi i uzufruktit
Neni 252

Uzufruktari duhet të sigurojë sendet në uzufrukt në favor të
pronarit për rreziqet që zakonisht ato duhet të sigurohen ose që
janë të detyrueshme nga ligji. Në rast dëmtimi uzufrukti shtrihet
mbi shpërblimin e paguar.
Kur uzufrukti nuk përmbush një detyrim të tillë, pronari ka të
drejtë të bëjë vetë sigurimin e pronës dhe uzufruktari detyrohet
t'i paguajë shpenzimet përkatëse.

Shpronësimi i sendeve në uzufrukt
Neni 253

Kur sendi shpronësohet për interesa publikë, uzufrukti kalon
mbi shpërblimin përkatës.

Pagimi i taksave dhe i detyrimeve të tjera
Neni 254

Tatimet, taksat, shpëblimet, rentat tokësore dhe detyrimet e
tjera vjetore që kanë lidhje me të ardhurat gjatë uzufruktit janë
në ngarkim të uzufruktarit.
Tatimet, taksat e detyrimet e tjera në ngarkim të pronës gjatë
uzufruktit, janë në ngarkim të pronarit.

KREU IV
MBARIMI I UZUFRUKTIT

Neni 255

Uzufrukti mbaron:
- me vdekjen e uzufruktarit ose me mbarimin e personit juridik
uzufruktar;
- me mbarimin e afatit të caktuar në aktin e krijimit;
- me bashkimin e cilësive të pronarit e të uzufruktarit në një
person të vetëm;
- me shkatërrimin tërësisht ose humbjen e sendit të dhënë në
uzufrukt;
- me mospërdorimin e uzufruktit radhazi për njëzetë vjet.

Pushimi i uzufruktit
Neni 256

Uzufrukti mund të pushojë kur uzufruktari shpërdoron të
drejtat ose nuk përmbush detyrimet që rrjedhin nga uzufrukti.
Megjithatë gjykata, sipas rrethanave që do të rezultojnë mund
të urdhërojë që uzufruktari t'i japë garanci, në rast se ka qënë
shkarkuar nga një detyrim i tillë, ose me kërkesën e pronarit t'i
lihet atij administrimi i sendit në uzufrukt ose një personi tjetër
ose dhe dhënia me qira e sendit.

Heqja dorë nga uzufrukti
Neni 257

Uzufruktari mund të kërkojë që, me shpenzimet e tij, të heqë
dorë nga uzufrukti për shkak të barrëve e detyrimeve që rrjedhin
prej tij.

Kthimi i sendeve në uzufrukt
Neni 258

Kur mbaron uzufrukti, uzufruktari ose trashëgimtarët e tij
detyrohen të vënë në dispozicion të pronarit sendet e vëna në
uzufrukt.

TITULLI V
PERDORIMI E BANIMI

Neni 259

Personi që ka një të drejtë thjesht përdorimi mbi një send, e
përdor atë dhe gëzon frutet e tij në masën që ka nevojë për vete e
për familjen e tij.
Kur objekti i të drejtës së përdorimit është një banesë,
personi ka të drejtë të banojë atje sipas nevojave të tij e të
familjes së tij. Sendi ose banesa që përdoret sipas kësaj dispozite
nuk mund të tjetërsohet, të rëndohet dhe as të përdoret nga persona
të tjerë.

Neni 260

Dispozitat që kanë lidhje me uzufruktin zbatohen dhe për të
drejtën e përdorimit dhe të banimit, për aq sa përputhen me këto të
drejta.

TITULLI VI
SERVITUTET

KREU I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 261

Servituti është barra që i ngarkohet një prone, për përdorimin
dhe dobinë e një prone të një pronari tjetër.

Neni 262

Servituti vendoset me ligj ose me vullnetin e njeriut.

Neni 263

Pronari i pronës shërbyese nuk është i detyruar të kryejë
ndonjë veprim për të bërë të mundur ushtrimin e servitutit, përveç
kur në ligj ose nga titulli, parashikohet ndryshe.

Neni 264

Pronari, në favor të të cilit është vënë servituti, detyrohet
t'i shpërblejë pronarit të pronës shërbyese dëmin që i shkaktohet
nga krijimi i servitutit.

KREU II
SERVITUTET DETYRUESE

Neni 265

Pronari i një prone që, në bazë të ligjit, ka të drejtë të
kërkojë nga pronari i një prone tjetër krijimin e një servituti, në
mungesë të një marrëveshjeje, mund t'i drejtohet gjykatës.
Servituti detyrues mund të krijohet edhe me akt të organit
shtetëror, në rastet e parashikuara me ligj.
Vendimi duhet të përcaktojë rregullat e ushtrimit të
servitutit dhe shpërblimin e dëmit përkatës.

Rrjedhja e ujërave
Neni 266

Pronari është i detyruar të pranojë në tokën e tij ujërat e
shiut, të borës ose të burimeve të pashfrytëzuara, që rrjedhin
natyrshëm nga një tokë me nivel më të lartë. Pronari nuk mund të
ndryshojë këtë rrjedhë natyrore në dëm të një tjetri.
Uji që rrjedh mbi një tokë të mëposhtme mund të mbahet nga
pronari i tokës së mësipërme, vetëm në masën që është e domosdoshme
për atë tokë.

Neni 267

Në rastet kur anëbrigjet dhe shpatet e një prone që shërbenin
për të ndaluar ujërat, janë shkatërruar ose dëmtuar, si dhe kur del
e nevojshme që nga shkaku i ujërave të ndërtohen mbrojtësa dhe
pronari i asaj prone nuk pranon t'i ndërtojë ose t'i riparojë,
pronarët e dëmtuar ose që rrezikohen të dëmtohen, mundet që me
shpenzimet e tyre t'i ndërtojnë ose t'i riparojnë ato.
Këto ndërtime e riparime duhet të kryhen pa iu shkaktuar
pronarit të pronës shërbyese ndonjë dëm, duke respektuar rregullat
e posaçme, kur ka të tilla. Kur pronari i pronës shërbyese ka
kundërshtime, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.

Neni 268

Dispozitat e nenit të mësipërm zbatohen edhe kur del e
nevojshme të hiqet një pengesë lëndësh të formuara në një
pronëtjetër ose në një hendek, rrjedhë uji ose vijë kulluese, të
cilat dëmtojnë pronat fqinje.

Neni 269

Pronari që ka një burim uji në pronën e vet është i lirë në
përdorimin e tij, por pa cënuar të drejtat që mund të ketë fituar
pronari i pronës më të ulët në bazë të një titulli ose me
parashkrim.

Neni 270

Në rast se një rrjedhë uji u ndalon pronarëve të pronave
ngjitur, hyrjen në këto ose vazhdimin e vaditjes apo të kullimit të
ujërave, ata që përdorin këtë rrjedhë, detyrohen që në proporcion
me përfitimin që nxirret prej tij (ujit) të ndërtojnë e të
mirëmbajnë urat e mjetet e tjera të kalimit, në mënyrë të volitshme
e të sigurt, si dhe gypat e nëndheshëm ose vepra të tjera të kësaj
natyre për vazhdimin e ujitjes e të kullimit.

Neni 271

Pronari i një toke detyrohet të pranojë pa shpërblim ujërat që
vijnë nga drenazhimi i një toke të mësipërme, kur ato rrjedhin
natyrshëm në tokën e tij.
Kur nga kjo rrjedhë i shkaktohet dëm, ai ka të drejtë të
kërkojë shpërblimin e dëmit dhe marrjen e masave për mënjanimin në
të ardhmen.

Servitutet që rrjedhin nga ndërtimet
Neni 272

Rregullat për ndërtimin e banesave e të ndërtimeve të tjera,
largësia ndërmjet tyre, marrja e dritës dhe e pamjes, nxjerrja e
ballkoneve e ndërtime të tjera të kësaj natyre, rregullohen me ligj
të veçantë duke respektuar të drejtat e pronarit të parashikuara në
këtë Kod e në ligje të veçanta.

Servitutet që rrjedhin nga marrja e ujit
Neni 273

Kalimi i ujërave nëpër pronën e tjetrit duhet të kryhet në
mënyrën më të volitshme e më të përshtatshme me më pak dëme, por pa
penguar ushtrimin normal të servitutit.

Neni 274

Kur kalimi i ujërave kërkohet për një kohë jo më të gjatë se
nëntë vjet, pagimi i vleftës dhe i shpërblimit të dëmeve të
përmendura në dispozitën e mësipërme bëhet në gjysmën e kësaj
vlefte, me detyrimin që me mbarimin e afatit të rivihet gjithçka në
gjendjen e mëparshme.
Ky servitut mund të bëhet i përhershëm kur kjo kërkohet para
mbarimit të afatit, nëpërmjet pagimit të gjysmës tjetër, të vleftës
së bashku me kamatat ligjore, nga data që ka filluar kalimi.
Kur kërkesa bëhet pas mbarimit të afatit, nuk merren parasysh
pagesat për dhënien përkohësisht të kësaj të drejte.

Neni 275

Kur kalimi i ujërave duhet të kryhet duke përshkuar rrugë
publike ose lumenj e ndërtime të tjera publike, zbatohen rregullat
e parashikuara në dispozita të veçanta.

Neni 276

Kur në një shtëpi ose në mjediset e tjera të saj mungon uji i
nevojshëm për jetesën e njerëzve ose të kafshëve dhe nuk mund të
sigurohet ndryshe, ose nevojiten shpenzime të mëdha, pronari i
tokës fqinje duhet të lejojë që një sasi uji tepricë të përdoret në
masën e domosdoshme për nevojat e mësipërme, duke përballuar pala
tjetër vleftën e ujit që kërkohet dhe shpenzimet që duhet të kryhen
për këtë qëllim, si dhe kur është rasti të shpërblejë dëmin që mund
të shkaktohet.

Servituti i kalimit
Neni 277

Pronari që nuk ka dalje në rrugën publike dhe nuk mund ta
sigurojë atë përveç se me shpenzime të mëdha e me vështirësi, ka të
drejtë të ketë rrugë kalimi nga toka fqinje, për përdorimin e
përshtatshëm të pronës së vet.
Kalimi duhet të përbëjë rrugën më të shkurtër për në rrugën
publike dhe me më pak dëme për pronën shërbyese.
Kjo dispozitë zbatohet edhe kur pronari, që i është njohur e
drejta e kalimit në pronën e tjetrit, kërkon zgjerimin e arsyeshëm
të rrugë-kalimit për mjete, duke përfshirë edhe kalimin e mjeteve
mekanike.

Neni 278

Pronari duhet të lejojë fqinjin të hyjë e të kalojë në tokën
e tij sa herë ka nevojë të ndërtojë ose të ndreqë një mur apo një
vepër tjetër. Ai duhet të lejojë personin që të kërkojë e të marrë
gjënë e gjallë e çdo send tjetër të tij, që ndodhen aty rastësisht
ose sirrjedhim i erës, ujit, orteqeve dhe forcave të tjera madhore,
ndodhen në tokën e tij apo janë bashkuar me sende të tij.
Pronari mund të mos lejojë hyrjen kur merr përsipër të
dorëzojë vetë sendin e ndodhur në tokën e tij. Kur është rasti
pronari i tokës shpërblehet për dëmin e shkaktuar.

Neni 279

Personi që do të kalojë në tokën e tjetrit, duhet të paguajë
vleftën e tokës që zihet, pa zbritur tatimet e barrët e tjera që
lidhen me tokën, si dhe shpërblimin për dëmin që shkaktohet duke
përfshirë edhe dëmin që vjen nga ndërprerja e tokës, nga
mospërdorimi i saj, nga depozitimi i lëndëve të nxjerra e hedhja e
mbeturinave. Pronari i tokës shërbyese ka të drejtë të largojë këto
të fundit dhe ta përdorë sipërfaqen e tokës, por gjithnjë pa
dëmtuar ushtrimin normal të servitutit.

Servituti për vendosjen e gypave, kabllove e telave
Neni 280

Pronari duhet të lejojë persona të tjerë që të ndërtojnë në
pronën e tij të paluajtshme kanale ose të vendosin gypa për kalimin
e ujit ose të gazit, si dhe kabllo e tela telegrafikë ose elektrikë
dhe instalime të tjera të kësaj natyre, por vetëm kur këto vepra
nuk kanë mundësi të kryhen ndryshe ose pa u bërë shpenzime të
mëdha. Pronari, kur i shkaktohet dëm, ka të drejtë të shpërblehet.

KREU III
SERVITUTET VULLNETARE

Neni 281

Pronari mund të krijojë mbi pronat e veta ose në dobi të tyre,
çdo lloj servituti, me kusht që të mos jetë në kundërshtim me
rendin juridik.
Servitutet vullnetare krijohen me kontratë ose me testament.

Neni 282

Servitutet janë vijuese kur ushtrimi i tyre bëhet pa qenë
nevoja për veprime të herëpasherëshme të njeriut, siç janë vijat e
ujit, pikat e strehëve e të tjera të kësaj natyre.
Servitutet janë jo vijuese, kur në ushtrimin e tyre kërkohet
kryerja e veprimeve të tashme të njeriut, siç janë e drejta për të
marrë ujë, për kullotjen e bagëtive e të tjera të kësaj natyre.
Servitutet mund të jenë të dukshme e të padukshme.
Të padukshme janë servitutet për të cilat nuk nevojiten punime
të dukshme ose të përhershme, që janë të nevojshme për ushtrimin e
tyre.

Neni 283

Servitutet vijuese e të dukshme krijohen me titull ose me
parashkrimin dhjetë vjeçar. Servitutet vijuese të padukshme dhe
servitutet jo vijuese, të dukshme ose jo, nuk mund të krijohen
veçse me titull.

Neni 284

Kur dy prona pushojnë së qëni në pronësinë e një personi,
servituti konsiderohet se ekziston në mënyrë aktive apo pasive në
dobi ose kundër secilës nga pronat e veçuara, përveç kur ka
marrëveshje të kundërt.

KREU IV
MENYRAT E USHTRIMIT TE SERVITUTEVE

Neni 285

E drejta e servitutit përfshin çdo gjë që është e nevojshme
për ta përdorur atë.

Neni 286

Pronari, pa pëlqimin e uzufruktarit, nuk mund të ngarkojë
pronën me servitute që cënojnë të drejtat e uzufruktarit.

Neni 287

Servituti mbi një pronë që u përket disa personave në
bashkëpronësi mund të krijohet vetëm me miratimin e gjithë
bashkëpronarëve. Servituti i krijuar nga vetëm një ose disa
bashkëpronarë, hyn në fuqi kur bashkëpronarët e tjerë bashkarisht
apo veçmas, kanë dhënë miratimin për krijimin e tij.

Neni 288

Personi që ka një të drejtë servituti, duhet ta përdorë atë
sipas titullit të tij ose të posedimit të tij. Kur ka dyshime rreth
shtrirjes dhe mënyrës së ushtrimit të tij, quhet se servituti është
krijuar në mënyrë të tillë që të plotësojë nevojat e pronës
dominuese, duke rënduar sa më pak pronën shërbyese.

Neni 289

E drejta e servitutit duhet të ushtrohet në kohën dhe në
mënyrën që sjell më pak vështirësi e shqetësime për pronarin e
pronës shërbyese.

Neni 290

Kur prona në dobi të së cilës është krijuar një servitut
pjestohet, servituti do t'i shërbejë secilës pjesë, me kusht që
barra e pronës shërbyese të mos rëndohet.

Neni 291

Pronari nuk duhet që me veprimet ose mosveprimet e tij të
pakësojë përdorimin e servitutit ose ta bëjë atë më të vështirë.
Megjithë këtë, në qoftë se kanë ndryshuar kushtet dhe pronari
i pronës shërbyese rëndohet ose pengohet në ushtrimin e të drejtave
të pronësisë, mund t'i kërkojë pronarit, në dobi të të cilit është
vënë servituti, ndërrimin e vendit të servitutit.
Këtë të drejtë e ka edhe pronari i pronës tjetër, kur provohet
se ky ndërrim sjell dobi dhe nuk dëmton pronën shërbyese.

Mbrojtja e servitutit
Neni 292

Personi që ushtron një servitut, ka të drejtë të kërkojë
gjyqësisht nga kushdo që kundërshton këtë të drejtë, duke kërkuar
sipas rastit rivendosjen e plotë të saj, pushimin e cënimit që i
bëhet si edhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar.

KREU V
SHUARJA E SERVITUTEVE

Neni 293

Servitutet shuhen:
a) Kur në një person të vetëm bashkohet pronësia e pronës
mbizotëruese me atë të pronës shërbyese.
b) Kur nuk përdoret për më shumë se dhjetë vjet.
Afati i parashkrimit për servitutet jo vijuese fillon të ecë
nga dita kur servituti ka pushuar së përdoruri, ndërsa për
servitutet vijuese nga dita kur është kryer një vepër ose është
vërtetuar një fakt që pengon ushtrimin e servitutit. Për efekt të
shuarjes së servitutit, llogaritet edhe koha që ai është ushtruar
nga titullari i mëparshëm.
c) Kur sendet dëmtohen ose konsumohen deri në një shkallë sa
nuk mund të përdoren për qëllimin e tyre.
Rikthimi në një gjendje që mund të përdoren sjell si rrjedhim
edhe rivendosjen e servituteve, përveç kur kjo e drejtë është
parashkruar.

Neni 294

Kur prona mbizotëruese është në bashkëpronësi, përdorimi i
servitutit nga njëri prej bashkëpronarëve, ndërpret parashkrimin
edhe ndaj bashkëpronarëve të tjerë.

Neni 295

Pezullimi ose ndërprerja e parashkrimit në favor të njërit nga
bashkëpronarët, ka efekt edhe në favor të të tjerëve.

TITULLI VII
MBROJTJA E PRONESISE

Padia për kërkimin e sendit
Neni 296

Pronari ka të drejtë të ngrejë padi për të kërkuar sendin e
tij nga çdo posedues ose mbajtës. Këtë të drejtë e ka edhe çdo
bashkëpronar për sendin e përbashkët, me qëllim që ai t'u dorëzohet
gjithë bashkëpronarëve.

Të drejtat e poseduesit për të ardhurat
Neni 297

Poseduesit me mirëbesim i takojnë frutat natyrore të veçuara
dhe frutat civile të vjela që janë bërë të kërkueshme deri në ditën
që ka marrë dijeni se është posedues i paligjshëm, ose që i është
njoftuar padia e pronarit për kërkimin e sendit. Ai nuk detyrohet
të shpërblejë pronarin për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e
kthimit të sendit për çdo shkak tjetër, por pas kësaj dite ai
përgjigjet për frutat e vjela ose që duhet të kish vjelur, duke
vepruar me përkujdesje deri në kohën e kthimit të sendit, për
shpërblimin për përdorimin e sendit, si dhe për humbjen, dëmtimin
ose pamundësinë e kthimit për faj të tij.

Neni 298

Poseduesi me keqbesim për gjithë kohën e posedimit të tij,
detyrohet t'i kthejë pronarit bashkë me sendin edhe frutat natyrore
të veçuara e frutat civile të vjela ose që janë bërë të kërkueshme,
dhe të ardhurat e tjera që duhej të vilte, si dhe të
shpërblejëpronarin për përdorimin e sendit dhe për humbjen,
dëmtimin ose pamundësinë e kthimit të sendit qoftë dhe pa fajin e
tij.
Ai shkarkohet nga përgjegjësia kur provon se dëmi do të
shkaktohej edhe sikur të kishte dorëzuar sendin në kohën e duhur,
përveç kur ai është marrë me anë vepre penale.

E drejta e poseduesit për shpenzimet
Neni 299

Poseduesi me mirëbesim ka të drejtë të kërkojë pagimin e
shpenzimeve të nevojshme që kanë bërë për sendin dhe shpenzimet e
dobishme, në masën që këto i kanë shtuar vleftën, në qoftë se kjo
vazhdon të jetë në kohën e kthimit të sendit.
Poseduesi me mirëbesim ka të drejtë të zbresë nga të ardhurat
e sendit, shpenzimet që i njihen sipas kësaj dispozite.Ai ka të
drejtë të mbajë sendin, gjersa t'i paguhen shpenzimet e nevojshme
të dobishme.

Neni 300

Poseduesi me keqbesim ka të drejtë të kërkojë vetëm pagimin e
shpenzimeve të nevojshme që ka bërë për sendin.

Neni 301

Poseduesi me mirëbesim dhe ai me keqbesim, përveç shpenzimeve
që u njihen sipas neneve të këtij Kodi, nuk kanë të drejtë të
kërkojnë pagimin e shpenzimeve të tjera të bëra për sendin, por
vetëm kanë të drejtë të heqin nga sendi atë që kanë bashkuar dhe që
mund të ndahet pa dëm, përveç kur pronari pranon të paguajë vleftën
e tyre.

Padia mohuese
Neni 302

Pronari ka të drejtë të kërkojë nga cilido që e cënon në
pronësinë e tij, por pa u zhveshur nga posedimi, të pushojë cënimin
dhe të mos përsërisë këtë në të ardhmen, dhe, kur është rasti të
shpërblejë dëmet që mund t'i ketë shkaktuar.

Kallëzimi i një punimi të ri dhe i një dëmi të mundshëm
Neni 303

Pronari, personi që gëzon një të drejtë tjetër reale ose
poseduesi, të cilët kanë arsye të shqetësohen se nga një punim i ri
i filluar prej të tjerëve në tokën e tyre ose të tjetërkujt, mund
t'i vijë dëm sendit në pronësi ose në posedimin e tij, mund t'i
drejtohet gjykatës me kusht që ky punim të mos ketë përfunduar ose
të mos ketë kaluar një vit nga fillimi i tij.
Gjykata sipas rastit vendos ndalimin e punimit, shëmbjen ose
pakësimin e tij dhe kur është rasti edhe shpërblimin e dëmit ose
rrëzon padinë duke urdhëruar shpërblimin e dëmit kur rezulton se
punimi ka qënë ndaluar padrejtësisht.

TITULLI VIII
POSEDIMI

KREU I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Kuptimi i posedimit
Neni 304

Posedimi është sundimi efektiv i një personi mbi një send dhe
mbi të drejtat e tjera reale mbi atë. Posedimi mund të ushtrohet
drejtpërsëdrejti ose nga një person që mban sendin.

Llojet e posedimit
Neni 305

Posedimi i personit jo pronar mund të jetë i ligjshëm ose i
paligjshëm. Posedimi është i ligjshëm kur poseduesi e ka posedimin
nga pronari, në bazë të një veprimi juridik, në bazë të ligjit ose
të një akti administrativ.
Në të gjitha rastet e tjera posedimi është i paligjshëm.

Neni 306

Posedimi i paligjshëm mund të jetë me mirëbesim ose me
keqbesim.
Posedimi është me mirëbesim kur poseduesi nuk ka ditur ose nuk
ishte i detyruar të dinte se posedimi i tij është i paligjshëm.
Mirëbesimi prezumohet dhe mjafton të ketë qënë në kohën e
fitimit të posedimit.

Prezumime mbi posedimin
Neni 307

Poseduesi i tanishëm që ka poseduar në një kohë të mëparshme,
prezumohet se ka poseduar edhe në kohën e ndërmjetme.

Neni 308

Posedimi i tanishëm nuk prezumon posedimin e mëparshëm, përveç
kur poseduesi ka një titull që përbën bazën e posedimit të tij.
Në këtë rast poseduesi prezumohet që të ketë qënë poseduar që
nga data e titullit.

Mënyrat e fitimit të posedimit
Neni 309

Posedimi fitohet me anë veprimesh juridike, me trashëgim dhe
me pushtim. Ai që ka fituar posedimin me mirëbesim, mund të
bashkojë në posedimin e vet, edhe kohën e posedimit me mirëbesim të
personit nga i cili ka fituar sendin.

KREU II
MBROJTJA E POSEDIMIT DHE E MBAJTJES

Mbrojtja e atëçastme
Neni 310

Poseduesi ka të drejtë të kundërshtojë aty për aty, duke
përdorur një mbrojtje të përshtatshme, çdo veprim që ka për qëllim
cënimin ose zhveshjen nga posedimi. Kur sendi është marrë me dhunë
ose fshehurazi, poseduesi ka të drejtë ta marrë atë menjëherë ose
në ndjekje e sipër, por duke evituar veprimet e dhunës që nuk
pajtohen me rrethanat e ngjarjes.

Neni 311

E drejta për të mbrojtur posedimin i njihet edhe mbajtësit të
sendit, kundër çdo personi tjetër, përveç ndaj atij nga i cili i
vijnë këto të drejta.

Pushimi i cënimit të posedimit
Neni 312

Personi, që cënohet në posedimin e një sendi, mund të kërkojë
brenda gjashtë muajve, pushimin e cënimit të posedimit dhe
mospërsëritjen e tij në të ardhmen.
Kur posedimi është fituar me dhunë ose fshehurazi, padia mund
të ngrihet brenda gjashtë muajve nga dita kur dhuna ose fshehtësia
kanë pushuar.
Pushimi i cënimit të posedimit nuk mund të kërkohet nga
personi që ka fituar posedimin me dhunë ose fshehurazi.

Rivendosja në posedim
Neni 313

Poseduesi, që në mënyrë të paligjshme është zhveshur nga
posedimi, ka të drejtë të kërkojë brenda gjashtë muajve,
rivendosjen e tij në posedim.
Këtë të drejtë nuk e ka poseduesi që ka marrë posedimin me
dhunë ose fshehurazi. Kur zhveshja është e fshehtë, afati për të
kërkuar rivendosjen e posedimit fillon nga dita e zbulimit të
zhveshjes.

Neni 314

Rivendosja mund të kërkohet edhe kundër atij që e ka fituar
posedimin nëpërmjet një titulli, por që ka patur dijeni për
zhveshjen e ndodhur.

Neni 315

Gjatë gjykimit të padisë për pushimin e cënimit ose
rivendosjen në posedim, i padituri nuk mund të pretendojë se është
vetë pronar ose ka një të drejtë më të fortë se ajo e poseduesit.

PJESA III TRESHEGIMIA

TITULLI I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Kuptimi i trashëgimit
Neni 316

Trashëgimia është kalimi me ligj ose me testament i pasurisë
(trashëgimit) të personit të vdekur, një ose më shumë personave
(trashëgimtarë), sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.

Neni 317

Trashëgimia me ligj zbatohet kur trashëgimlënësi nuk ka bërë
testament, ose ka bërë vetëm për një pjesë të pasurisë së tij, ose
kur testamenti është tërësisht ose pjesërisht i pavlefshëm.

Koha dhe vendi i çeljes së trashëgimit
Neni 318

Trashëgimia çelet në kohën kur vdes trashëgimlënësi dhe në
vendin ku ai ka patur banimin e tij të fundit. Kur ky nuk dihet,
trashëgimia çelet në vendin ku ndodhet e gjithë pasuria e tij ose
pjesa kryesore e saj. Ajo rregullohet sipas ligjit të kohës kur
është çelur.

Neni 319

Eshtë e pavlefshme çdo marrëveshje me të cilën disponohen ose
përdorohen të drejta që rrjedhin nga një trashëgim ende i paçelur.

Zotësia për të trashëguar
Neni 320

Ka zotësi për të trashëguar personi që në kohën e çeljes së
trashëgimisë është gjallë, ose është zënë para vdekjes së
trashëgimlënësit dhe ka lindur i gjallë.
Prezumohet se ka qënë zënë në kohën e çeljes së trashëgimisë,
ai që ka lindur brenda 300 ditëve nga vdekja e trashëgimlënësit.

Neni 321

Kur dy ose më shumë persona thirren për të trashëguar njëri
tjetrin dhe nuk vërtetohet se cili prej tyre ka vdekur më parë,
prezumohet se të gjithë kanë vdekur në të njëjtën kohë dhe nuk
kalon ndonjë e drejtë nga njëri tek tjetri.

Padenjësia
Neni 322

Nuk mund të trashëgojë si i padenjë:
- ai që me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë
trashëgimlënësin, bashkëshorten, fëmijët dhe prindërit e tij;
- ai që ka bërë ndaj trashëgimlënësit kallëzim ose dëshmi të
rreme, për kryerjen e një vepre penale për të cilën parashikohet
dënim me vdekje ose me heqje lirie mbi 10 vjet, kur kallëzimi
osedëshmia janë deklaruar të rrema në një gjykim penal;
- ai që me mashtrim, kanosje e dhunë ka shtyrë
trashëgimlënësin që të bëjë, të ndryshojë ose të shfuqizojë
testamentin ose ka përpiluar vetë një testament të rremë ose e ka
përdorur atë për interesa të tij apo të të tjerëve;
- ai që është sjellë ndaj trashëgimlënësit në mënyrë
poshtëruese dhe që e ka keqtrajtuar atë.

Neni 323

Padenjësia e prindit ose e të paralindurit, nuk përjashton
fëmijët ose të paslindurit e këtij, si kur trashëgojnë vetë, ashtu
dhe kur vijnë në trashëgim me zevëndësim. Në një rast të tillë,
prindi i padenjë, në pjesën trashëgimore që u vjen fëmijëve të tij
nuk mund të gëzojë të drejtat e uzufruktit dhe të administrimit, që
ligji u njeh prindërve mbi pasuritë e fëmijëve të tyre.

Falja e padenjësisë
Neni 324

Trashëgimlënësi ka të drejtë ta falë personin e padenjë për ta
trashëguar, me kusht që falja të bëhet shprehimisht me akt noterial
ose me testament, ose kur falja, ndonëse nuk është bërë
shprehimisht, trashëgimlënësi ka shënuar në testament se e ka
njohur padenjësinë e megjithatë e cakton atë si trashëgimtar.

Detyrimet e trashëgimtarit të padenjë
Neni 325

Personi i përjashtuar nga trashëgimi si i padenjë detyrohet të
kthejë frutat dhe çdo të ardhur tjetër që ka marrë nga pasuria në
trashëgim pas çeljes së trashëgimisë.

Zëvendësimi
Neni 326

Zëvendësimi lejon vënien e zëvendësuesve në vendin, shkallën
dhe në të drejtat e atij që zëvendësojnë.

Neni 327

Zëvendësimi në vijë të drejtë i të paslindurve, bëhet pa kufi
dhe në të gjitha rastet, qoftë kur fëmija e trashëgimlënësit të
konkurojë me të paslindurit e një fëmije tjetër të paravdekur,
qoftë dhe kur fëmijët e trashëgimlënësit kanë vdekur para tij dhe
të paslindurit e këtyre janë ose jo në shkallë të njëjta, ose të
numrit të tyre sipas barqeve.

Neni 328

Për të paralindurit në vijë të drejtë nuk ka zëvendësim; më i
afërti përjashton të tjerët.

Neni 329

Në vijë të tërthortë, zëvendësimi pranohet në favor të
fëmijëve e të paslindurve, të vëllezërve e motrave të
trashëgimlënësit, edhe sikur këta të konkurojnë me ungjët apo emtat
e tyre apo me të paslindurit e tyre në shkallë të njëjtë ose jo.

Fitimi i trashëgimit
Neni 330

Trashëgimi fitohet me vdekjen e trashëgimlënësit.

Neni 331

Me çeljen e trashëgimit, trashëgimtarit i kalon edhe posedimi
i trashëgimlënësit mbi pasurinë trashëgimore, pa qenë nevoja për të
vënë dorë mbi atë.

Neni 332

Trashëgimtari mund të fitojë të gjithë pasurinë e
trashëgimlënësit ose një pjesë të saj, ose vetëm një send të
caktuar apo një të drejtë tjetër pasurore.

Heqja dorë nga trashëgimi
Neni 333

Heqja dorë nga trashëgimi duhet të bëhet me deklaratë të
shkruar, që regjistrohet në gjykatën e rrethit të vendit ku është
çelur trashëgimi, ose me gojë në një procesverbal gjyqësor.
Heqja dorë mund të bëhet edhe me anë përfaqësuesi të pajisur
me prokurë të posaçme.

Neni 334

Ai që ka hequr dorë nga trashëgimi, quhet se nuk është thirrur
ndonjëherë në trashëgim. Heqja dorë nga trashëgimi nuk përjashton
trashëgimtarin nga e drejta për të kërkuar legët.

Neni 335

Heqja dorë nga trashëgimi mund të bëhet brenda 3 muajvenga
çelja e trashëgimisë dhe kur trashëgimtari është jashtë shtetit, jo
më vonë se 6 muaj.
Për trashëgimtarin që në kohën e çeljes së trashëgimisë nuk ka
lindur, afati i heqjes dorë nga trashëgimi fillon nga dita e
lindjes.
Afati i heqjes dorë nga trashëgimi pezullohet për shkaqet që
vlejnë për parashkrimin e padies.

Neni 336

Kur nuk dihet a ka trashëgimtarë, ose kur trashëgimtarët
mungojnë dhe nuk ka lajme për ta, gjykata e rrethit ku është çelur
trashëgimia, kryesisht ose me kërkesën e çdo të interesuari, cakton
një afat, jo më pak se gjashtë muaj nga çelja e trashëgimisë,
brenda të cilit ata duhet të deklarojnë në se heqin dorë nga
trashëgimi. Në qoftë se brenda këtij afati nuk bëhet ndonjë
deklarim i tillë, prezumohet se trashëgimlënësi nuk ka lënë
trashëgimtarë.

Neni 337

Heqja dorë nga trashëgimi, e bërë para çeljes së trashëgimisë,
ose kur bëhet me kusht, me afat, ose për një pjesë të trashëgimit,
apo në dobi të njërit nga trashëgimtarët e tjerë, është e
pavlefshme.

Neni 338

Nuk mund të hiqet dorë nga trashëgimi, kur gjatë afatit
tremujor, trashëgimtari me veprimet e tij është sjellë si
trashëgimtar.
Veprimet që kryhen vetëm për të ruajtur pasurinë trashëgimore,
nuk konsiderohen si sjellje prej trashëgimtari.
Trashëgimtarët që kanë hequr ose fshehur sende nga trashëgimi,
humbasin të drejtën e heqjes dorë dhe mbetentrashëgimtarë edhe
sikur të kenë deklaruar heqjen dorë nga trashëgimi.

Neni 339

Trashëgimtari që ka deklaruar rregullisht heqjen dorë ose jo
nga trashëgimi, nuk mund ta shfuqizojë më pas këtë deklarim.

Neni 340

Kur trashëgimtari vdes para se të kalojë afati për heqjen dorë
nga trashëgimi, e drejta për heqjen dorë u kalon trashëgimtarëve të
tij.

Pagimi i detyrimeve
Neni 341

Trashëgimtarët përgjigjen për detyrimet që rëndojnë mbi
pasurinë trashëgimore në përpjesëtim me pjesët e tyre, gjer në
vleftën e pasurisë trashëgimore që kanë marrë.
Quhen detyrime që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore, ato të
trashëgimlënësit, shpenzimet e varrimit të tij dhe shpenzimet që
nevojiten për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë trashgimore,
deri sa ajo t'u kalojë trashëgimtarëve përkatës.

Neni 342

Kur në një trashëgim, një ose disa prona të paluajtshme janë
të rënduara me hipotekë, secili trashëgimtar ka të drejtë të
kërkojë që këto prona të lirohen nga hipoteka para se të bëhet
formimi i pjesëve trashëgimore.
Megjithëkëtë, trashëgimtari që e ka shlyer detyrimin që rrjedh
nga hipoteka e vënë mbi një send të paluajtshëm në pjesën
trashëgimore të tij, ka të drejtën e kthimit ndaj trashëgimtarëve
të tjerë, në proporcion me pjesët e tyre.

Masat për sigurimin e pasurisë trashëgimore
Neni 343

Kur shihet e nevojshme të mbrohen interesat e trashëgimtarëve,
të personave që mund të përfitojnë nga disponimet me testament, të
kreditorëve të trashëgimlënësit ose të shtetit, gjykata e rrethit
ku është çelur trashëgimia, kryesisht ose me kërkesën e çdo të
interesuari, urdhëron përmbaruesin gjyqësor osa një noter për të
bërë inventarin e pasurisë trashëgimore.
Përmbaruesi gjyqësor ose noteri që bën inventarin mund të
caktojë një person si ruajtës i pasurisë trashëgimore.
Derisa të mos jenë hequr masat e mësipërme, trashëgimtari që
mund të ketë filluar nga administrimi i pasurisë trashëgimore, nuk
mund ta tjetërsojë atë veçse me lejen e gjykatës.

Neni 344

Kur nuk dihet a ka trashëgimtarë ose kur trashëgimtarët
mungojnë dhe nuk ka lajme për ata ose kur trashëgimtarët ligjorë
apo testamentorë kanë hequr dorë nga trashëgimi dhe nuk dihen
trashëgimtarët e tyre, gjykata e rrethit ku është çelur trashëgimi,
kryesisht ose me kërkesën e çdo të interesuari, emëron një
kujdestar të trashëgimit.
Shkurtimi i vendimit të emërimit të kujdestarit, shpallet në
Fletoren Zyrtare.

Neni 345

Kujdestari kërkon kryerjen e inventarit të pasurisë
trashëgimore, merr masa për administrimin e pasurisë, ushtron të
drejtën e padisë dhe u përgjigjet padive në lidhje me këtë pasuri,
depoziton në bankë paratë që ndodhen në trashëgim ose që rrjedhin
prej tij, kryen veprime të tjera të kësaj natyre dhe jep llogari në
mbarim të administrimit.

Neni 346

Me miratimin e gjykatës kujdestari paguan detyrimet që
rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore, ekzekuton detyrimet në lidhje
me leget dhe barrët dhe, kur shihet e nevojshme tjetërson edhe
pasuri trashëgimore.

Neni 347

Detyra e kujdestarit pushon me paraqitjen e treshëgimtarit.

Dëshmia e trashëgimisë
Neni 348

Cilësia si trashëgimtar dhe pjesët takuese në trashëgim
caktohen në dëshminë e trashëgimisë, të lëshuar nga gjykata, sipas
rregullave të caktuara në Kodin e Procedurës Civile.

Padia për kërkimin e trashëgimit
Neni 349

Trashëgimtari mund të kërkojë me padi nga kushdo qëposedon
tërësisht ose pjesërisht pasurinë trashëgimore, njohjen e tij si
trashëgimtar dhe dorëzimin e pasurisë trashëgimore dhe të pasurisë
së fituar me anë të saj, sipas rregullave mbi posedimin me
mirëbesim dhe me keqbesim.

Neni 350

Padia për kërkimin e trashëgimit mund të ngrihet edhe kundër
personit që mban pasurinë trashëgimore në bazë të një dëshmie
trashëgimi, qoftë dhe kur ky është shteti. Personi që ka fituar me
mirëbesim ndonjë send të pasurisë trashëgimore nga një trashëgimtar
i tillë, nuk është i detyruar të kthejë sendin edhe sikur të jetë
fituar me kundërshpërblim.
Poseduesi me mirëbesim që ka tjetërsuar po në mirëbesim sende
nga pasuria trashëgimore, është vetëm i detyruar që t'i kthejë
trashëgimtarit paditës çmimin e sendit të shoqëruar me faturën
përkatëse. Kur këto të fundit nuk janë shlyer, këtij i kalon e
drejta për të kërkuar shlyerjen e tyre.

Neni 351

Padia për kërkimin e trashëgimit nuk parashkruhet, përveç
efekteve të parashkrimit fitues për sende të veçuara

Neni 352

Dispozitat që kanë lidhje me posedimin, zbatohen edhe për
posedimin e sendeve në trashëgim, përsa i përket kërkimit të
frutave, të shpenzimeve të kryera ose për përmirësimet dhe shtesat
e bëra.

Pjesëtimi i trashëgimit
Neni 353

Cilido nga bashkëtrashëgimtarët ka të drejtë të kërkojë në çdo
kohë pjesëtimin e pasurisë trashëgimore edhe sikur trashëgimlënësi
të ketë urdhëruar ndryshe.

Neni 354

Pjesëtimi i pasurisë trashëgimore mund të bëhet me marrëveshje
të vetë trashëgimtarëve dhe, kur këta nuk merren vesh, nga gjykata
kompetente për shqyrtimin e padive që rrjedhin nga trashëgimia.

Neni 355

Pjesëtimi i pasurisë trashëgimore bëhet sipas rregullave të
parashikuara në nenin 207 të këtij Kodi dhe në dispozitat e tjera
të këtij kreu.

Neni 356

Në formimin e pjesëve takuese duhet që, sa të jetë e mundur,
në secilën prej tyre të bëjnë pjesë nga po ajo sasi sendesh të
luajtshme ose të paluajtshme, të drejtash reale ose kredish, që
kanë natyrë e vleftë të njëjtë.

Neni 357

Kur kreditorët kanë vënë sekuestro mbi sendet e luajtshme të
pasurisë trashëgimore, ose kanë kundërshtuar pjesëtimin sipas
nenit206 të këtij Kodi, ose shumica e bashkëtrashëgimtarëve e
shohin të nevojshme pagimin e detyrimeve që rëndojnë mbi
trashëgimin, sendet e luajtshme shiten në ankand.

Neni 358

Bashkëshorti i trashëgimlënësit ka të drejtë të kërkojë pjesën
që i takon në pasurinë e përbashkët të fituar me punë nga
bashkëshortët gjatë martesës.
Bashkëtrashëgimtarët, që me punën ose të ardhurat e tyre kanë
ndihmuar në shtimin e pasurisë së lënë në trashëgim, kanë të drejtë
të kërkojnë pjesën e tyre në pasurinë e sipërme të shtuar, sipas
kontributit të dhënë.

Neni 359

Pjesa e anëtarit që vdes në pasurinë e familjes bujqësore u
kalon trashëgimtarëve të tij, pavarësisht nga anëtarësia e tyre në
ekonominë bujqësore.
Kur vdes anëtari i fundit i ekonomisë bujqësore, pasuria u
kalon trashëgimtarëve të tij sipas rregullave të caktuara në këtë
Kod.

TITULLI II
TRASHEGIMIA ME LIGJ

Neni 360

Trashëgimtarët ligjorë janë fëmijët, fëmijët e fëmijve,
bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e
vëllezërve e të motrave të paravdekur, gjyshi e gjyshja e të
paralindurit e tjerë, personat e paaftë për punë në ngarkim të
trashëgimlënësit, tëafërmit e tjerë deri në shkallën e gjashtë, si
dhe shteti. Këta thirren në trashëgim sipas rradhës të caktuar në
këtë Kod.

Neni 361

Në rradhë të parë thirren në trashëgim fëmijët dhe
bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, duke trashëguar secili
në pjesë të barabarta.
Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është
bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, në
vend të tij hyjne me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet
e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të
paslindurit e tyre pa kufizim. Në këtë rast, pjesa e prindit që nuk
trashëgon, ndahet ndërmjet të paslindurve në pjesë të barabarta.
Kur përveç bashkëshortit nuk ka trashëgimtarë të tjerë të
radhës së parë, në trashëgim thirren ata të radhës pasardhëse të
parashikuar në nenin 362 të këtij Kodi dhe kur nuk ka të tillë,
thirren trashëgimtarët e radhës tjetër pasardhëse të parashkruara
prej nenit 363 të këtij Kodi.
Në çdo rast bashkëshorti merr 1/2 pjesë të trashëgimit.
Kur nuk ka trashëgimtarë të radhëve te sipërme, trashëgimi i
mbetet bashkëshortit pasjetues.

Neni 362

Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia është njohur
rregullisht si dhe fëmijët e birësuar, barazohen me fëmijët
legjitimë.
I birësuari nuk trashëgon ne familjen e origjinës së tij dhe
as kjo nuk e trashëgon atë.

Neni 363

Në radhë te dytë thirren në trashëgim prindërit e
trashëgimlënësit dhe personat e paaftë për punë, të cilët të paktën
1 vit para vdekjes së trashëgimlënësit, bashkëjetonin me atë si
anëtarë të familjes dhe në ngarkim të tij.

Neni 364

Në radhë të tretë thirren në trashëgim personat e paaftë për
punë në ngarkim të trashëgimlënësit që përmenden në nenin 363 të
këtij Kodi, kur nuk ka trashëgimtarë të tjerë të radhës së dytë,
gjyshi e gjyshja, vëllezërit e motrat, si dhe fëmijët e vëllezërve
e të motrave të paravdekur. Të sipërmit trashëgojnë në pjesë të
barabarta, pa u bërë dallimi ndërmjet vëllezërve e motrave të një
ati ose vetëm të një nëne, ndërmjet gjyshit e gjyshes nga ana a
babës ose e nënës.

Neni 365

Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë të paslindur, as prindër ose
të paralindur të tjerë, as vëllezër ose motra, apo të paslindur të
këtyre, pasuria e trashëgimlënësit u kalon të afërmve më të afërt
të tij, pa bërë dallim ndërmjet vijës atërore dhe asaj amësore, por
gjithsesi jo më tej se shkalla e gjashtë.

Neni 366

Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë trashëgimtarë deri në shkallën
e gjashtë, thirret në trashëgim shteti.

Neni 367

Shteti nuk përgjigjet për detyrimet e trashëgimlënësit tej
vleftës së pasurisë të fituar.

E drejta e shtimit për sendet shtëpiake
Neni 368

Trashëgimtarët që bashkëjetonin me trashëgimlënësin në kohën
e vdekjes së tij, kur thirren në trashëgim, marrin tej pjesës që u
takon në pasurinë trashëgimore sendet shtëpiake të përdorimit të
zakonshëm, përveç kur trashëgimlënësi ka disponuar ndryshe në
testament.

Trashëgimia sipas radhëve
Neni 369

Trashëgimtarët e një radhe të mëpasme thirren në trashëgim
vetëm kur nuk ka trashëgimtarë të radhës së mëparëshme ose kur këta
të gjithë janë bërë të padenjë ose kanë hequr dorë nga trashëgimi
ose janë përjashtuar nga trashëgimi, përveç kur nga trashëgimtarët
e radhës së dytë mbetet trashëgimtari i paaftë për punë dhe ka
trashëgimtarë të radhës së tretë.

E drejta e shtimit
Neni 370

Kur një nga bashkëtrashëgimtarët që thirret në trashëgim ka
vdekur para trashëgimlënësit, ose është bërë i padenjë, ose ka
hequr dorë nga trashëgimi, ose është përjashtuar nga trashëgimi dhe
nuk ka persona që trashëgojnë me zëvendësim, pjesa që i takon atij
u shtohet pjesëve të bashkëtrashëgimtarëve të asaj radhe.

Trashëgimtari i paaftë për punë
Neni 371

Trashëgimtarë të paaftë për punë janë ata që në kohën e
vdekjes së trashëgimlënësit nuk kanë mbushur moshën 16 vjeç, ose 18
vjeç kur vazhdojnë mësimet, burrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç
dhe gratë që kanë mbushur moshën 55 vjeç si dhe, pavarësisht nga
mosha, ata që janë invalidë të grupit të parë dhe të grupit të
dytë.

TITULLI III
TRASHEGIMIA ME TESTAMENT

Kuptimi i testamentit
Neni 372

Testamenti është një veprim juridik i njëanshëm i kryer nga
vetë trashëgimlënësi, me anë të të cilit ky disponon pasurinë e tij
për kohën pas vdekjes.
Testamenti nuk mund të bëhet prej dy ose më shumë personave po
në një akt, as edhe në dobi të një të treti, as me disponime
reciproke.

Zotësia për të disponuar me testament
Neni 373

Testament mund të bëjë çdo person që ka mbushur moshën 18
vjeç, si dhe gruaja nën këtë moshë kur është e martuar.
I mituri nga 14 gjer në 18 vjeç mund të bëjë testament vetëm
për pasurinë që ka fituar me punën e tij.
Personi të cilit me vendim gjyqi i është hequr zotësia për
tëvepruar, si dhe ai që në kohën e bërjes së testamentit nuk është
në gjendje për të kuptuar rëndësinë e veprimit të ti , nuk mund të
bëjë testament.

Zotësia për të fituar me testament
Neni 374

Janë të pazotë për të fituar me testament ata që janë të
pazotë për të trashëguar me ligj me përjashtim të fëmijëve të
pandërmjetshëm të një personi të caktuar dhe të gjallë në kohën e
vdekjes së testatorit edhe sikur ata fëmijë të mos jenë zënë ende.

Neni 375

Kujdestari nuk mundet në asnjë rast të përf'itojë nga
disponimet testamentare të personit në kujdestari kur ato janë bërë
para miratimit të llogarisë përfundimtare, edhe sikur testatori të
ketë vdekur pas miratimit të llogarisë.
Janë të vlefshme disponimet e bëra në favorin e kujdestarit,
kur ky është i paralindur, i paslindur, vëlla, motër ose
bashkëshorti i testatorit.

Neni 376

Disponimi testamentar në favor të personave të pazotë që
përmenden në nenet 374 e 375 të këtij Kodi, është i pavlefshëm edhe
sikur të jetë fshehur nën formën e një kontrate me shpërblim ose të
jetë bërë nën emrin e një personi të ndërvënë.
Quhen persona të ndërvënë: i ati, e ëma, të paslindurit dhe
bashkëshorti i personit të pazot.

Caktimi i trashëgimtarit
Neni 377

Trashëgimlënësi që nuk lë të paslindur ose të paralindur, ose
vëllezër apo motra, ka të drejtë të disponojë me testament pasurinë
e vet, në favor të çdo personi fizik apo juridik.

Përjashtimi nga trashëgimia
Neni 378

Trashëgimlënësi edhe pa caktuar trashëgimtarë në testament
mund të përjashtojë nga trashëgimia ligjore një ose më shumë
trashëgimtarë të tij.

Rezervë ligjore
Neni 379

Trashëgimlënësi nuk mund të përjashtojë nga trashëgimia
ligjore fëmijët e tij të mitur ose trashëgimtarë të tjerë të mitur
që trashëgojnë me zëvendësim (neni 361, paragrafi i dytë), si dhe
trashëgimtarët e tij të tjerë të paaftë për punë në qoftë se
thirren në trashëgim, dhe as të cënojë me testament në çdo mënyrë
qoftë, pjesën që u takon këtyre trashëgimtarëve në bazë të
trashëgimisë ligjore, përveç kur këta janë bërë të padenjë për të
trashëguar.

Neni 380

Kur testatori disponon me testament një uzufrukt ose një rentë
jetësore, të ardhurat e të cilave kalojnë ato të pjesës së
disponueshme, trashëgimtarët që kanë të drejtë në rezervën ligjore
munden të ekzekutojnë këtë disponim ose të heqin dorë nga tëdrejtat
mbi pjesën e disponueshme.
Po këtë të drejtë zgjedhjeje e kanë edhe personat që
përfitojnë nga rezerva ligjore në rast se testatori ka disponuar
pronësinë e zhveshur të një pjese që kalon masën e disponueshme.

Zëvendësimi
Neni 381

Trashëgimlënësi mund të caktojë në testament që në rast se
trashëgimtari vdes para tij ose bëhet i padenjë, ose heq dorë nga
trashëgimi, ta marrë trashëgimin një nga trashëgimtarët e tjerë që
tregohen në nenet 361, 363, 364 të këtij Kodi, dhe kur nuk ka asnjë
nga këta, ta marrë një njeri tjetër.
Por trashëgimlënësi nuk mund të detyrojë trashëgimtarin që të
ruajë dhe, pas vdekjes së tij t'ia dorëzojë një personi tjetër të
gjithë ose një pjesë të trashëgimit që ka marrë.

E drejta e shtimit
Neni 382

Kur trashëgimlënësi ua ka lënë të gjithë pasurinë e tij
trashëgimtarëve të caktuar në testament dhe një nga këta
trashëgimtarë ka vdekur para tij, ose është bërë i padenjë, ose ka
hequr dorë nga trashëgimi dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar për
këto raste një trashëgimtar tjetër në vend të tij, si dhe kur një
trashëgimtar është përjashtuar nga trashëgimi, pjesa që i takon
atij u shtohet pjesëve të bashkëtrashëgimtarëve të tjerë të caktuar
në testament në përpjestim me pjesët e tyre trashëgimore.
Në qoftë se disa nga trashëgimtarët janë caktuar së bashku në
një pjesë të pasurisë, shtimi bëhet vetëm midis këtyre
bashkëtrashëgimtarëve.

Neni 383

Kur trashëgimlënësi ka lënë me testament vetëm një pjesë të
pasurisë së tij, edhe sikur në këtë pjesë të ketë caktuar së bashku
shumë trashëgimtarë, pjesa e atij që për shkaqet e treguara në
nenin e sipërm nuk mund ose nuk do të jetë trashëgimtar, u kalon
trashëgimtarëve ligjore të trashëgimlënësit.

Legu dhe barra
Neni 384

Trashëgimlënësi mund të ngarkojë trashëgimtarin ose
trashëgimtarët e caktuar në testament, nga ata që tregohen në nenet
361, 363, 364 të këtij Kodi, që t'u japin një ose më shumë
trashëgimtarëve ligjorë një përfitim pasuror nga trashëgimi, pa i
bërë këta trashëgimtarë (legu).
Kur trashëgimlënësi, që nuk ka trashëgimtarë nga ata që
tregohen në nenet 361, 363, 364, ka caktuar në testament si
trashëgimtarë persona të tjerë, mund t'i ngarkojë këta me lege në
dobi të çdo njeriu.
Dispozitat e zotësisë për të trashëguar vlejnë edhe për
personin që i është lënë legu.

Neni 385

Legatari ka të drejtë të kërkojë frutat ose kamatat që
rrjedhin nga legu, nga dita që i është caktuar dorëzimi i legut dhe
në mungesë të saj, nga dita e njoftimit të kërkesë-padisë.
Ato mund të kërkohen nga dita e vdekjes së trashëgimlënësit,
kur trashëgimlënësi ka disponuar shprehimisht ose kur legu është
një depozitë në para.

Neni 386

Trashëgimlënësi mund të ngarkojë trashëgimtarin ose
trashëgimtarët e caktuar në testament që të kryejnë ndonjë veprim
të dobishëm për shoqërinë ose ndonjë veprim tjetër, pa i dhënë të
drejtë një personi të caktuar mbi këtë veprim (barrë).
Kur trashëgimlënësi i lë me testament pasurinë shtetit,
organeve të tij, ose enteve të ndryshëm, ka të drejtë të caktojë
qëllimin për të cilin duhet të përdoret pasuria.

Neni 387

Kur trashëgimtari i ngarkuar me legun ose barrën ka vdekur
para trashëgimlënësit, ose është bërë i padenjë ose ka hequr dorë
nga trashëgimi dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar një trashëgimtar
tjetër në vend të tij, për ekzekutimin e detyrimeve në hdhje me
legun ose me barrën ngarkohen bashkëtrashëgimtarët ose
trashëgimtarët ligjorë, të cilëve u shtohet ose u kalon pjesa e
atij, që për shkaqet e sipërme nuk mund ose nuk do jetë
trashëgimtar.
Në qoftë se ekzekutimi i detyrimeve në lidhje me legun ose
barrën është lidhur ngushtë me personin e atij, që për shkaqet e
sipërme nuk mund ose nuk do jetë trashëgimtar, legu ose barra
mbetet pa fuqi.

Neni 388

Në rast se ndërmjet trashëgimtarëve, asnjëri prej tyre nuk
është ngarkuar nga trashëgimlënësi testamentar për të shlyer legun,
secili trashëgimtar detyrohet të kontribuojë për shlyerjen e tij
sipas pjesës takuese.

Neni 389

Kur sendi i dhënë në leg është treguar vetëm si lloj ose si
masë, e drejta e zgjedhjes i takon trashëgimtarit, por sendi nuk
mund të jetë nën kualitetin mesatar.

Neni 390

Kur personi, të cilit i është lënë legu, ka vdekur para
trashëgimlënësit ose është bërë i padenjë ose ka hequr dorë nga
legu dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar një person tjetër në vend
të tij, legu shkon në dobi të trashëgimtarit të ngarkuar me atë
leg.
Por në qoftë se legu u është lënë shumë personave së bashku,
pjesa e atij që nuk mund ose nuk do të marrë legun u shtohet
bashkëpjesëtarëve të tij në përpjesëtim me pjesët e tyre.

Neni 391

Personi, të cilit i është lënë legu, ka të drejtë të kërkojë
nga trashëgimtari i ngarkuar ekzekutimin e detyrimit në lidhje me
legun.
Ekzekutimi i detyrimit të trashëgimtarit në lidhje me barrën
mund të kërkohet nga ekzekutori i testamentit, nga
bashkëtrashëgimtarët, nga organizatat përkatëse shtetërore ose
private.
Detyrimet në lidhje me legun dhe barrën ekzekutohen pas
detyrimeve që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore.

Format e testamentit
Neni 392

Testamenti bëhet në dy forma: ollograf dhe me akt noterial

Testamenti ollograf
Neni 393

Testamenti ollograf shkruhet tërësisht me dorën e testatorit
duke vënë datën dhe nënshkrimin e vet.
Data e testamentit duhet të tregojë ditën, muajin dhe vitin.
Nënshkrimi vihet në fund të disponimeve.

Neni 394

Personi që nuk është i zoti të lexojë dorëshkrimin e vet nuk
mund të bëjë testament ollograf.

Neni 395

Personat që nuk dëgjojnë (shurdhë) ose që nuk dëgjojnë e nuk
flasin (shurdhëmemecë), mund të disponojnë me testament ollograf
ose me testament të marrë nga noteri, sipas rregullave të
parashikuara në ligjin "Për noterinë".

Neni 396

Testamenti ollograf mund të depozitohet tek noteri për ruajtje
sipas dispozitave për depozitimin e dokumenteve në noteri.

Testamenti me akt noterial
Neni 397

Testamenti me akt noterial redaktohet nga noteri dhe
nënshkruhet nga trashëgimlënësi në prani të noterit.
Kur trashëgimlënësi nuk di, ose për shkak sëmundjeje ose
tëmetash fizike nuk mund të nënshkruajë, testamenti nënshkruhet
sipas rregullave të parashikuara në ligjin "Për noterinë".

Testamente të posaçme
Neni 398

Në vendet ku nuk ka noter, testamenti mund të vërtetohet nga
kryetari ose sekretari i bashkisë ose i komunës.

Neni 399

Testamenti i një personi që ndodhet në shërbim ushtarak, mund
të vërtetohet nga komandanti i njësisë ushtarake në të cilën ai bën
pjesë dhe kur është shtruar në spital për mjekim nga drejtori i
spitalit.

Neni 400

Testamenti i një personi që ndodhet në një anije shqiptare në
lundrim ose që ka qëndruar në një liman të huaj, mund të vërtetohet
nga kapiteni i anijes.

Neni 401

Disponimi me testament i bërë me kusht pezullues, mbetet pa
efekt kur personi në favor të cilit është bërë, vdes para
trashëgimlënësit.

Revokimi i testamentit
Neni 402

Testamenti me një datë të mëvonshme lë pa fuqi atë me datë të
mëparëshme në tërësi ose vetëm për pjesën që nuk pajtohet me
testamentin e ri.
Testamenti mbetet pa fuqi edhe me anë të një deklarate të bërë
nga trashëgimlënësi në noteri.

Pavlefshmëria e testamentit
Neni 403

Testamenti është i pavlefshëm kur bëhet nga një person që nuk
mund të bëjë testament (neni 373).

Neni 404

Testamenti është i pavlefshëm kur nuk është bërë në formën e
kërkuar nga ligji.

Neni 405

Testamenti është i pavlefshëm kur disponohet me testament në
dobi të personave që nuk mund të trashëgojnë (nenet 374,375).

Neni 406

Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është
në kundërshtim me nenet 377 e 384 të këtij Kodi.

Neni 407

Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament
itrashëgimlënësit, i përjashton nga trashëgimia ligjore
trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cënon
pjesën e tyre ligjore.

Neni 408

Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është
bërë në kundërshtim me ligjin ose në mashtrim të ligjit.

Neni 409

Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është
bërë me ndikimin e mashtrimit, kanosjes ose dhunës, ose për shkak
të një lajthimi, pa të cilën trashëgimlënësi nuk do kishte bërë
këtë disponim.

Neni 410

Kur testamenti deklarohet nga gjykata i pavlefshëm, në
trashëgim thirren trashëgimtarët ligjorë, përveç kur është rasti i
shtimit në dobi të trashëgimtarëve të caktuar në testament sipas
nenit 381.
Kur deklarohen të pavlefshme vetëm disa nga disponimet e
testamentit, disponimet e tjera mbeten në fuqi.

Neni 411

Padia për pavlefshmërinë e testamentit ose të disponimit me
testament mund të ngrihet nga trashëgimtari dhe nga çdo tjetër
person i interesuar brenda tre vjetëve nga çelja e trashëgimisë.

Neni 412

Kur disponimi me testament është i pavlefshëm për shkak se
disponimi nga trashëgimlënësi ka përjashtuar nga trashëgimia
ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose
cënon pjesën e tyre ligjore (neni 407), trashëgimtari, i
përjashtuar nga trashëgimi ose të cilit i është cënuar pjesa
ligjore, ka të drejtë të kërkojë nga trashëgimtarët e tjerë, sipas
rastit, dorëzimin ose plotësimin e pjesës që i takon atij në bazë
të trashëgimisë ligjore.

Neni 413

Për caktimin e kësaj pjese bashkohet e gjithë pasuria që
kishte trashëgimlënësi në kohën e vdekjes së tij, duke u zbritur
detyrimet që rëndojnë mbi trashëgiminë dhe pjesëtohet me numrin e
trashëgimtarëve që do të thirreshin në trashëgim në qoftë se
trashëgimlënësi nuk do kishte bërë testament.

Ekzekutori i testamentit
Neni 414

Trashëgimlënësi mund të ngarkojë një ose më shumë persona për
të ekzekutuar testamentin.
Caktimi si ekzekutor duhet të pranohet prej këtij në vetë
testamentin ose me një deklaratë të veçantë që i bashkohet
testamentit.
Në qoftë se trashëgimlënësi nuk cakton ekzekutor të
testamentit, ekzekutimi i këtij u ngarkohet trashëgimtarëve të
caktuar në të.

Neni 415

Ekzekutori i testamentit duhet të bëjë inventarin e pasurisë
trashëgimore, duke ftuar të marrin pjesë trashëgimtarët dhe
personat e tjerë që përfitojnë nga testamenti.
Ekzekutori i testamentit administron pasurinë trashëgimore,
duke kryer veprimet që janë të nevojshme për ekzekutimin e
disponimeve të testamentit, por nuk mund të tjetërsojë pasurinë
trashëgimore, përveç kur shfaqet nevoja dhe me lejen e gjykatës, e
cila vendos pasi më parë të dëgjojë trashëgimtarët.

Neni 416

Gjykata e rrethit, me kërkesën e trashëgimtarëve ose të
personave që kanë interes, mund të shkarkojë nga detyra ekzekutorin
e testamentit për shkelje të rënda të detyrës së tij ose për
pazotësi në administrimin e pasurisë trashëgimore.

Neni 417

Tagret e ekzekutorit testamentar nuk transmetohen në
trashëgimtarët e tij.

Neni 418

Kur janë shumë ekzekutorë testamentarë, në mungesën e të
tjerëve mund të veprojë edhe njëri prej tyre, por të gjithë ata
janë përgjegjës solidarë për sendet që u janë besuar, përveç kur
testatori u ka ndarë detyrat.

PJESA IV
DETYRIMET

TITULLI I
DISPOZITA TE PERGJITHME

KREU I
KUPTIMI DHE LINDJA E DETYRIMEVE

Kuptimi i detyrimit
Neni 419

Detyrimi është një marrëdhënie juridike me anën e së cilës një
person (debitori) detyrohet të japë diçka ose të kryejë apo të mos
kryejë një veprim të caktuar në dobi të një personi tjetër
(kreditori), i cili ka, gjithashtu, të drejtë të kërkojë t'i jepet
diçka, ose të kryhet apo të mos kryhet veprimi.

Lindja e detyrimeve
Neni 420

Detyrimet lindin nga kontratat ose nga ligji.

Natyra ekonomike e detyrimit
Neni 421

Objekt i detyrimit duhet të ketë një vlerësim ekonomik dhe t'i
përgjigjet interesave qoftë dhe jopasurore të kreditorit.

Korrektesa e pjesëmarrësve në detyrim
Neni 422

Kreditori dhe debitori duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me
korrektesë, me paanësi dhe sipas kërkesave të arsyes.

KREU II
DETYRIMET SOLIDARE

Neni 423

Detyrimi është solidar kur kreditori ose secili nga kreditorët
ka të drejtë të kërkojë ekzekutimin e të njëjtit detyrim tërësisht
apo pjesërisht si nga debitorët së bashku, ashtu dhe nga secili
prej tyre veç e veç.

Neni 424

Detyrim është solidar kur del nga vullneti i palëve ose është
parashikuar me ligj.

Neni 425

Detyrimi është solidar edhe kur debitorët të jenë detyruar
secili në mënyrë të ndryshme ose dhe kur debitori i përbashkët të
jetë detyruar në mënyrë të ndryshme ndaj secilit kreditor.

Neni 426

Ekzekutimi i detyrimit nga njëri prej debitorëve solidarë i
shkarkon të gjithë debitorët e tjerë.
Debitorët solidarë shkarkohen nga detyrimi edhe nëpërmjet
dhënies së një sendi në ekzekutim të detyrimit apo të kompensimit
të kredisë nga njëri prej debitorëve solidarë ndaj kreditorit.

Neni 427

Qënia në vonesë e kreditorit ndaj njërit nga debitorët
solidarë e shtrin efektin ndaj të gjithë debitorëve të tjerë.
Debitori solidar nuk mund të kompensojë detyrimin e tij me
kreditë që kanë debitorët e tjerë ndaj kreditorit.
Debitori solidar nuk mund t'i kundrejtojë kreditorit prapsimet
personale të debitorëve të tjerë.
Çdo njëri nga debitorët solidarë nuk duhet që me veprimet e
tij të rëndojë pozitën e të tjerëve, përveç kur parashikohet
ndryshe në ligj.

Neni 428

Debitori ka të drejtë të zgjedhë për të paguar njërin apo
tjetrin kreditor solidar, përveç kur është penguar më parë me anë
të një njoftimi me shkrim prej ndonjërit prej tyre.
Kreditorët janë solidarë kur secili prej tyre ka të drejtën të
kërkojë pagimin e gjithë detyrimit dhe pagimi i bërë njërit prej
tyre, liron debitorin ndaj gjithë kreditorëve.

Neni 429

Përtëritja e detyrimit që bën debitori me njërin nga
kreditorët, shkarkon të gjithë debitorët e tjerë, përveç kur
kreditori i ka ruajtur të drejtat ndaj tyre.
Falja e detyrimit të bërë njërit prej debitorëve
solidarë,shkarkon të gjithë debitorët e tjerë. Kur falet vetëm
pjesa e një debitori, detyrimi i debitorëve të tjerë pakësohet për
aq sa është pjesa e falur.
Bashkimi i cilësive të kreditorit me atë të debitorit solidar
në një person të vetëm, shuan detyrimin e debitorëve të tjerë, për
pjesën e këtij debitori.

Neni 430

Në marrëdhëniet ndërmjet tyre debitorët solidarë marrin pjesë
në shlyerjen e detyrimit secili sipas pjesës së vet.
Debitori që ka ekzekutuar një detyrim solidar, ka të drejtë të
kërkojë nga debitorët e tjerë pagimin në pjesë të barabarta të
detyrimit të ekzekutuar prej tij, përveç kur në ligj ose në
kontratë është parashikuar ndryshe.
Kur debitori solidar, që ka ekzekutuar detyrimin, nuk ka
mundur të nxjerrë nga një debitor pjesën e tij të detyrimit, ajo
ndahet sipas rastit në pjesë të barabarta ose proporcionalisht
ndërmjet debitorëve të tjerë, duke përfshirë edhe atë.

Neni 431

Debitorët solidarë janë të detyruar të përballojnë në
proporcion me pjesët e tyre të gjitha shpenzimet që vërtetohen se
kanë qenë të nevojshme të kryhen nga debitorët që kanë ekzekutuar
detyrimin.

Neni 432

Debitori solidar që ekzekuton detyrimin duhet t'i kundrejtojë
kreditorit prapsimet e përbashkëta për të gjithë
debitorët,përndryshe i humb e drejta të kërkojë nga debitorët e
tjerë pjesën që atyre u takon për shlyerjen e detyrimit.
Gjithashtu, ai e humbet këtë të drejtë edhe kur nuk ka njoftuar
debitorët e tjerë se ka ekzekutuar detyrimin dhe, si rrjedhim njëri
nga debitorët e tjerë ka ekzekutuar veçmas atë.

Neni 433

Ndërprerja e parashkrimit me veprimet e kreditorit ndaj njërit
prej debitorëve solidarë, si dhe ndërprerja e parashkrimit nga
njëri prej kreditorëve solidarë ndaj debitorit të përbashkët, ka
efekt si ndaj debitorëve të tjerë ashtu edhe ndaj kreditorëve të
tjerë.
Pezullimi i parashkrimit ndaj njërit debitor ose ndaj njërit
kreditor solidar, nuk ka efekt ndaj të tjerëve.
Heqja dorë nga parashkrimi në përputhje me nenin 126 të këtij
Kodi e bërë nga njëri prej debitorëve solidarë, nuk ka efekt ndaj
të tjerëve, ndërsa heqja dorë nga parashkrimi nga njëri prej
kreditorëve solidarë, ka efekt ndaj të tjerëve.

Neni 434

Debitori solidar të cilit i kërkohet pagimi i pjesës së tij
nga detyrimi, nuk mund t'i kundrejtojë debitorit, që ka paguar atë,
parashkrimin e padisë së kreditorit, përveç kur ai vetë dhe
debitori që kërkon pjesën kanë patur mundësinë që t'i kundrejtonin
parashkrimin e plotësuar.
Ky paragraf nuk zbatohet kur me marrëveshje debitorët solidarë
kanë vendosur ndryshe.

Neni 435

Në rast se ekzekutimi i detyrimit bëhet i pamundur, për fajin
ose gjatë vazhdimit të vonesës së njërit ose disa debitorëve
solidarë, debitorë të tjerë nuk shkarkohen nga detyrimi për
plotësimin e tij.
Kreditori mund të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar për
një shkak të tillë, vetëm nga debitorët solidarë ose nga secili
prej tyre, për fajin e të cilëve është bërë i pamundur ekzekutimi
i detyrimit ose që kanë qenë me vonesë. Debitorët e tjerë mbetën
solidarë vetëm për detyrimin e parë.
Vonesa e njërit nga debitorët solidarë nuk sjell ndonjë pasojë
juridike për debitorët e tjerë.

KREU III
DETYRIMET ALTERNATIVE

Neni 436

Detyrimi është alternativ kur debitori shkarkohet prej tij,
duke përmbushur njërin nga llojet e tij të përmendura veç e veç
sipas dëshirës së tij, ose të kreditorit apo të një të treti.
Debitori nuk mund të kërkojë nga kreditori të pranojë përmbushjen
e detyrimit pjesërisht nga njëri lloj e pjesërisht nga lloji tjetër
i tij.

Neni 437

E drejta e zgjedhjes i takon debitorit, përveç kur është
parashikuar nga ligji apo nga kontrata që t'i lihet kreditorit apo
një të treti.
Zgjedhja bëhet e parevokueshme me përmbushjen e njërit nga
llojet e detyrimit, ose me njoftimin e deklaratës së zgjedhjes
palës tjetër ose të dy palëve, kur e drejta e zgjedhjes i takon një
të treti.
Kur e drejta e zgjedhjes u takon shumë personave dhe ata
nukmerren vesh, gjykata u cakton atyre një afat. Kur zgjedhja nuk
bëhet në afatin e caktuar, atë e bën gjykata.

Neni 438

Kur në një detyrim alternativ, debitori nuk ekzekuton
ndonjërin nga llojet e detyrimeve në afatin e caktuar, e drejta e
zgjedhjes i kalon kreditorit.
Në rast se e drejta e zgjedhjes i është lënë kreditorit dhe ky
nuk e ka usht ruar në afatin e caktuar në marrëveshje ose të
caktuar nga debitori, zgjedhja i kalon këtij të fundit.
Kur e drejta e zgjedhjes i është lënë një të treti dhe ai nuk
e ushtron në afatin e caktuar, zgjedhja bëhet nga gjykata.
Kur kjo e drejtë u është lënë disa personave, gjykata u cakton
atyre një afat. Në rast se zgjedhja nuk bëhet në afatin e caktuar,
ajo bëhet nga gjykata.

Neni 439

Detyrimi alternativ është i thjeshtë kur njëri nga të dy
llojet e detyrimit nuk mund të bëhet objekt detyrimi, ose kur
përmbushja e tij është bërë e pamundur pa fajin e asnjërës palë.

Neni 440

Kur e drejta e zgjedhjes i është lënë debitorit, detyrimi
alternativ bëhet i thjeshtë në rast se njëri nga të dy llojet e
detyrimit bëhet i pamundur dhe për fajin e tij. Në rast se kjo
pamundësi ndodh për fajin e kreditorit, debitori shkarkohet nga
detyrimi kur ai nuk pranon të zbatohet detyrimi tjetër dhe të
kërkojë shpërblimin e dëmit.
Kur zgjedhja i është lënë kreditorit, debitori shkarkohet nga
detyrimi kur pamundësia e përmbushjes së njërit nga të dy llojet e
detyrimit ka ndodhur për faj të kreditorit dhe ky nuk pranon të
ekzekutohet lloji tjetër i detyrimit dhe të kërkojë të shpërblehet
dëmi. Në rast se zgjedhja i është lënë kreditorit dhe pamundësia i
ngarkohet debitorit, kreditori mund të zgjedhë detyrimin tjetër ose
të kërkojë shpërblimin e dëmit.

Neni 441

Kur të dy llojet e detyrimit janë bërë të pamundura dhe
debitori duhet të përgjigjet për njërin prej tyre, ai duhet të
paguajë vleftën e detyrimit që është bërë i pamundur i fundit, në
qoftë se zgjedhja i është lënë atij.
Në qoftë se e drejta e zgjedhjes i është lënë kreditorit, ky
ka të drejtë të kërkojë vleftën e njërit ose tjetrit lloj detyrimi.

KREU IV
DETYRIME TE PJESETUESHME E TE PAPJESETUESHME

Detyrime të pjesëtueshme
Neni 442

Kur shumë debitorë ose kreditorë marrin pjesë në të njëjtin
detyrim dhe ky është i pjesëtueshëm, secili debitor është i
detyruar të ekzekutojë dhe secili kreditor ka të drejtë të kërkojë
një pjesë të barabartë të detyrimit, përveç kur në kontratë ose në
ligj është parashikuar ndryshe.

Detyrime të papjesëtueshme
Neni 443

Kur janë shumë debitorë në të njëjtin detyrim, që është i
papjesëtueshëm, të gjithë debitorët quhen debitorë solidarë.
Detyrimi është i papjesëtueshëm nga vetë natyra e tij si i
tillë dhe nga qëllimi i palëve në kontratë. Në të tilla raste
detyrimi mbetet i papjesëtueshëm edhe për trashëgimtarët e
debitorëve.

Neni 444

Detyrimet e papjesëtueshme rregullohen nga dispozita që kanë
lidhje me detyrimet solidare, përveç sa parashikohet në këtë kre.

KREU V
DETYRIMET MONETARE

Neni 445

Detyrimi për të paguar një shumë parash shlyhet me vleftën e
vet nominale, përveç kur rezulton ndryshe nga ligji ose nga
kontrata.

Neni 446

Detyrimi monetar përmbushet me monedhën që është në qarkullim
në shtetin ku bëhet pagimi ose me monedhën e pranuar në kontratë.

Neni 447

Kur kreditori ka një llogari rrjedhëse në shtetin ku duhet ose
mund të bëhet pagesa, debitori mund të përmbushë detyrimin
dukekredituar në këtë llogari shumën përkatëse, përveç kur
kreditori e ka përjashtuar pagesën në këtë llogari.
Pagesa quhet e kryer në momentin e kreditimit të saj në
llogari.

Neni 448

Pagesa kryhet në vendbanimin e kreditorit në datën e pagesës.
Kreditori mund të caktojë një vend tjetër brenda kufijve të shtetit
ku ka vendbanimin në kohën e pagimit ose të lindjes së detyrimit.

Neni 449

Në rast se pagimi duhet të kryhet në një vend tjetër nga
vendbanimi i kreditorit në kohën e lindjes së detyrimit dhe
përmbushja e këtij detyrimi do të vështirësohej së tepërmi debitori
mund të pezullojë pagimin derisa kreditori të ketë caktuar një vend
tjetër i cili do të mënjanonte shpenzimet e tepërta.

Neni 450

Shpërblimi për dëmin e shkaktuar si rrjedhim i vonesës në
pagimin e një shume parash, përbëhet nga kamatat e arrira, prej
datës së fillimit të vonesës së debitorit, me monedhën zyrtare të
vendit ku bëhet pagimi.Përqindja e kamatës caktohet me ligj.
Në mbarim të çdo viti kamatat e arrira i shtohen shumës së
detyruar mbi bazën e të cilës është bërë llogaritja e tyre.
Kamata ligjore paguhet pa qenë i detyruar kreditori të provojë
ndonjë dëm. Kur kreditori provon se ka pësuar një dëm më të madh se
kamata ligjore, debitori detyrohet t'i paguajë atij pjesën tjetër
të dëmit.

Neni 451

Kur detyrimi lidhet me pagesen e një shume parash në monedhë
që nuk ka kurs zyrtar në shtetin ku duhet të kryhet pagesa,
debitori ka të drejtë të ekzekutojë detyrimin në monedhën që ka
kurs zyrtar në shtetin ku duhet të kryhet pagesa, përveç kur në
ligj ose në kontratë parashikohet ndryshe.

Neni 452

Kur detyrimi lidhet me pagesën e një shume parash në monedhë
të ndryshme nga ajo e vendit ku duhet të kryhet pagesa dhe debitori
pretendon se nuk është në gjendje të shlyejë detyrimin në këtë
monedhë, kreditori mund të pranojë shlyerjen në monedhën e vendit
të kryerjes së pagesës.
Rregulli i mësipërm zbatohet edhe kur debitori detyrohet të
bëjë pagesën me monedhën e pranuar në fillim.

Neni 453

Kur detyrimi duhet të ekzekutohet me një monedhë të ndryshme
nga ajo e pranuar në fillim, konvertimi duhet të bëhet me kursin
zyrtar të këmbimit të ditës së pagimit.

Neni 454

Neni 450 i këtij Kodi nuk i heq të drejtën kreditorit që të
kërkojë shpërblimin e dëmit të pësuar nga fakti që nga dita e
vënies në vonesë të debitorit ka pësuar ndryshime kursi i këmbimit
të monedhës që përcaktohet në detyrim.

TITULLI II
EKZEKUTIMI DHE SHUARJA E DETYRIMEVE

KREU I
EKZEKUTIMI I DETYRIMEVE

Neni 455

Debitori dhe kreditori duhet të tregojnë kujdesin e duhur e të
jenë të përpiktë në përmbushjen e detyrimit sipas përmbajtjes së
tij.

Neni 456

Detyrimi për dorëzimin e një sendi të caktuar përmban edhe
kujdesin që duhet të tregohet për ruajtjen e tij në dorëzim.
Neni 457

Kur objekti i detyrimit është dorëzimi i sendeve të
përcaktuara vetëm në lloj, ato nuk mund të jenë me cilësi më të
dobët se sa cilësia mesatare.

Neni 458

Dorëzimi i sendeve bëhet sipas mënyrës së caktuar në kontratë
dhe kur kjo nuk është caktuar bëhet:
a) me dhënien e tyre në dorë personit që ka fituar pronësinë
e tyre ose personit që heq të drejta prej tij;
b) me dhënien transportuesit ose postës për t'ia dorëzuar
fituesit, në vendin e treguar prej tij;
c) me dhënien fituesit në dorë ose me dërgim nëpërmjetpostës
të dokumenteve (fletë ngarkese, dëshmi depozitimi) që i japin atij
të drejtën e disponimit të mallit.

Neni 459

Debitori nuk mund të ekzekutojë detyr¿min pjesë-pjesë edhe
sikur ai të jetë i pjesëtueshëm, pa pëlqimin e kreditorit.

Neni 460

Detyrimi mund të ekzekutohet edhe nga një person i tretë, që
nuk është debitor, përveç kur kreditori është i interesuar që
ekzekutimi të bëhet nga debitori, ose kur kreditorit i është
njoftuar kundërshtimi i debitorit.

Vendi i ekzekutimit të detyruar
Neni 461

Në rast se vendi ku duhet të ekzekutohet detyrimi nuk caktohet
në kontratë, nga ligji ose nuk kuptohet nga vetë natyra e
detyrimit, ekzekutimi bëhet:
a) për dorëzimin e një sendi të paluajtshëm, në vendin ku
ndodhet ai;
b) për sendet që janë të përcaktuara në mënyrë individuale, në
vendin ku ndodheshin kur lindi detyrimi;
c) për dorëzimin e një sendi të përcaktuar në lloj dhe në
sasi, në vendin ku debitori ushtron veprimtarinë e tij profesionale
ose në vendbanimin e tij;
ç) për detyrimet në para, sipas rregullave të përcaktuara në
kreun V të pjesës IV të këtij Kodi.

Neni 462

Kreditori nuk mund të detyrohet të pranojë një gjë të ndryshme
nga sa është përcaktuar në objektin e detyrimit edhe sikur vlefta
e gjësë së ofruar të jetë më e madhe.

Afati i ekzekutimit të detyrimit
Neni 463
Ekzekutimi i detyrimit duhet të bëhet në afatin e caktuar në
kontratë. Kur në kontratë nuk është caktuar afat ose ekzekutimi i
detyrimit është lënë në kërkimin e kreditorit, ky mund të kërkojë
ekzekutimin në çdo kohë dhe debitori duhet ta ekzekutojë atë brenda
pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e kërkimit.

Neni 464

Afati i caktuar në kontratë prezumohet se është caktuar në
dobi të debitorit, përveç kur nga vullneti ¿ palëve ose natyra e
detyrimit del ndryshe.
Ekzekutimi i detyrimit para mbarimit të afatit nuk quhet i
pavlefshëm, përveç kur afati është caktuar në dobi të kreditorit.

Neni 465

Debitori nuk mund të pretendojë të drejtën e afatit kur:
a) ka falimentuar;
b) nuk ka dhënë garancitë e premtuara;
c) garancitë që sigurojnë kredinë janë pakësuar për fajin e
tij, përveç kur ato mbeten, përbëjnë ende një siguri të mjaftueshme
për ekzekutimin e detyrimit.

Ekzekutimi ndaj kreditorit
Neni 466

Ekzekutimi i detyrimit duhet t'i bëhet vetë kreditorit ose
përfaqësuesit të vet, ose një personi të autorizuar nga kreditori,
nga ligji ose nga gjykata.
Ekzekutimi i detyrimit që i bëhet një personi që nuk është
autorizuar për ta pranuar, e shkarkon debitorin vetëm në rast se
kreditori ka pranuar më vonë ekzekutimin, ose vërtetohet se ka
përfituar prej tij.

Ekzekutimi ndaj një të treti
Neni 467

Debitori që ekzekuton një detyrim ndaj një personi, i cili
sipas rrethanave të padyshimta duket se është i autorizuar ta
pranojë atë, shkarkohet nga detyrimi në qoftë se provon se ka qënë
në mirëbesim.
Personi që ka pranuar ekzekutimin e detyrimit, është i
detyruar t'i kthejë kreditorit të vërtetë, atë që ka marrë nga
ekzekutimi i detyrimit.

Ekzekutimi ndaj kreditorit të pazotë për të vepruar
Neni 468

Kur ekzekutimi i detyrimit i është bërë një kreditori që nuk
ka zotësi për të vepruar, shkarkon debitorin po aq sa ka vajtur në
dobi të këtij kreditori, ose të perfaqësuesit të tij ligjor.

Ekzekutimi për llogari të shumë detyrimeve

Neni 469

Kur ekzekutimi kryhet për llogari të shumë detyrimeve dhe ndaj
të njëjtit kreditor, debitori mund të përcaktojë në kohën e
ekzekutimit se cilin detyrim po ekzekuton.
Kur nuk ekziston një përcaktim i debitorit për rradhën e
ekzekutimit, në fillim ekzekutohet detyrimi që i ka kaluar afati,
në se ekzistojnë më shumë të tillë, ekzekutimi fillon nga detyrimi
me vlerë dhe në rast se janë disa të tillë, fillon nga më i vjetri
dhe kur këta kanë të njëjtën vjetërsi, ekzekutimi bëhet
proporcionalisht.

Neni 470

Ekzekutimi në para për llogari të një detyrimi të caktuar,
përmban në fillim shlyerjen e shpenzimeve, pastaj atë të kamatave
të arrira dhe pastaj të vetë detyrimit e të kamatave të zakonshme
ndaj tij.
Kreditori mund të refuzojë pagesën, në rast se debitori gjatë
ekzekutimit cakton një renditje tjetër ose mund të mos pranojë
shlyerjen e plotë të vleftës së detyrimit; pa marrë edhe kamatat e
arrira, ato në vazhdimësi si dhe shpenzimet përkatëse.

Neni 471

Kreditori mund të mos pranojë ekzekutimin e detyrimit për
dorëzimin e një sendi të ndryshëm nga ai që është përcaktuar në
kontratë edhe sikur vlefta e sendit të ofruar të jetë e barabartë
apo më e madhe.

Shpenzimet e ekzekutimit, dëftesat përkatëse
Neni 472

Shpenzimet janë në ngarkim të atij që ekzekuton detyrimin,
ndërsa shpenzimet e dëftesës janë në ngarkim të atij, në favor të
të cilit ajo është leshuar.

Neni 473

Për çdo pagesë të kryer në ekzekutim të detyrimit kreditori
jep një dëftesë, përveç kur rezulton ndryshe nga kontrata.
Në rast se kreditori disponon një dokument nga përmbajtja e të
cilit rezulton detyrimi, debitori që e ka ekzekutuar atë mund të
kërkojë kthimin ose prishjen e dokumentit, përveç kur kreditori ka
interesa të arësyeshme për ruajtjen e tij dhe me kusht që ai të
shënojë në dokument ekzekutimin e detyrimit.
Kur kreditori refuzon të zbatojë detyrimin sipas paragrafit të
mësipërm, debitori mund të pezullojë ekzekutimin e detyrimit. Kur
kreditori pretendon se ka humbur dokumnetin detyrohet t'i japë
debitorit një deklaratë me shkrim ku të pranohet ekzekutimi i
detyrimit. Deklarata duhet të jetë noteriale kur kërkohet nga
ligji.

Neni 474

Kur pagesat e njëllojta për shlyerjen e detyrimit duhet të
bëhen në mënyrë periodike, dëftesat e lëshuara për dy pagesa
rradhazi prezumojnë kryerjen edhe të pagesave të mëparëshme.
Dëftesa e lëshuar nga kreditori për detyrimin kryesor,
prezumon se janë shlyer gjithashtu edhe kamatat e shpenzimet e
këtij detyrimi.

Lirimi i sendeve nga garancitë
Neni 475

Kreditori që ka pranuar ekzekutimin e detyrimit, duhet të
lirojë sendet nga garancitë reale që janë dhënë për sigurimin e
ekzekutimit të detyrimit edhe nga çdo ndalim tjetër që mund të
kufizojë përdorimin e pasurisë.

KREU II
EFEKTET E MOSEKZEKUTIMIT TE DETYRIMEVE

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 476

Çdo mangësi në ekzekutimin e detyrimeve e detyron debitorin të
shpërblejë dëmin që ka pësuar kreditori, përveç kur ai provon se
mospërmbushja nuk ka ndodhur për fajin e tij.
Në këtë rast kreditori ka të drejtë:
a) të kërkojë ekzekutimin në natyrë të detyrimit, veçanërisht
dorëzimin e sendit ose kryerjen e punimeve, si dhe shpërblimin e
dëmit të shkaktuar nga vonesa e ekzekutimit, ose:
b) shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga mosekzekutimi i
detyrimit.

Neni 477

Debitori që në ekzekutimin e detyrimit përdor punën e të
tretëve përgjigjet për vepr¿met e tyre, të kryera me faj, si të
ishin të vetat.

Neni 478

Kur detyrimi ka lidhje me veprime që mund të kryhen edhe nga
persona të tjerë dhe debitori nuk ekzekuton detyrimin, kreditori ka
të drejtë të kërkojë t'i kryejë ai vetë për llogari të debitorit.

Neni 479

Çdo mërreveshje që përjashton ose kufizon palët nga
përgjegjësia për mosekzekutimin e detyrimeve është e pavlefshme.

Neni 480

Kur ekzekutimi i detyrimit bëhet i pamundur për fajin e
debitorit, kreditori ka të drejtë të kërkojë prej tij shpërblimin
e dëmit të shkaktuar.
Debitori është me faj kur, me dashje ose nga pakujdesia, ka
krijuar rrethana që e kanë bërë të pamundur ekzekutimin ose kur nuk
ka marrë masa për ta ndaluar atë.

Vonesa e debitorit
Neni 481

Debitori që nuk përmbush një detyrim të kërkueshëm në afatin
e caktuar, quhet se ështe në vonesë (morë), përveç kur
mosekzekutimi është rrjedhim i rrethanave që nuk kanë lidhje me
fajin e debitorit.
Debitori vihet në vonesë me anë të një njoftimi me shkrim.
Nuk është e nevojshme vënia në vonesë kur:
a) debitori ka deklaruar me shkrim se nuk dëshiron të
ekzekutojë detyrimin;
b) ka kaluar afati brenda të cilit do të ekzekutohej detyrimi.
Kur debitori vdes dhe afati i caktuar për ekzekutimin e
detyrimit mbaron pas vdekjes se tij, trashëgimtarët e tij quhen se
janë në vonesë me mbarimin e 15 ditëve nga dita e njoftimit me
shkrim nga kreditori.
c) kur detyrimi rrjedh nga një akt i paligjshëm.

Neni 482

Debitori qe është në vonesë nuk çlirohet nga pamundësia e
papritur e përmbushjes së detyrimit, edhe sikur kjo të jetë
shkaktuar pa fajin e tij e të kreditorit, përveç kur provon se
objekti i detyrimit do të ishte shkatëruar apo dëmtuar edhe sikur
të ishte nën kujdesin e kreditorit.
Humbja ose dëmtimi i një sendi të marrë në menyrë të
paligjshme, nuk e shkarkon personin që e ka marrë atë nga detyrimi
për të rikthyer vleftën e tij.

Neni 483

Dispozitat mbi vonesën nuk zbatohen për detyrimet që përmbajnë
mosveprime. Çdo veprim i kundërt përbën mospërmbushje të detyrimit.

Neni 484

Kreditori mund të mos pranojë ofertën e debitorit që është me
vonesë për ekzekutimin e detyrimit, në rast se ajo nuk përmban edhe
shpërblimin e dëmit të pësuar dhe shpenzimet e bëra gjatë vonesës,
ose kur kreditori për shkak të vonesës së debitorit nuk ka interes
për ekzekutimin e detyrimit.

Neni 485

Debitori që ka një kredi të kërkueshme ndaj kreditorit të tij,
mund të pezullojë zbatimin e detyrimit deri në pagesën e kredisë,
me kusht që ndërmjet kredisë dhe detyrimit të ketë lidhje të
mjaftueshme, siç mund të jetë ndër të tjera, qënia e një raporti të
vetëm juridik ose të marrëdhënieve që palët kanë patur rregullisht.
Pezullimi i ekzekutimit të detyrimit nuk mund të kërkohet kur:
a) ekzekutimi i detyrimit nga pala tjetër bëhet i pamundur për
shkak të vonesës së kreditorit, ose është i pamundur në mënyrë të
përherëshme;
b) kredia e palës tjetër është e pasekuestrueshme.

Neni 486

Dëmi që duhet të shpërblehet nga debitori për mosekzekutimin
e detyrimit përbëhet nga të gjitha humbjet e pësuara nga pakësimi
i pasurisë, si dhe fitimi që mund të nxirrej në kushtet e zakonshme
të tregut (fitimi i munguar). Bëjnë pjesë në shpërblimin për
riparimin e dëmit edhe shpenzimet e arsyeshme e të nevojshme për të
parandaluar ose për të pakësuar dëmin, që kanë lidhje me rrethanat
mbi të cilat bazohet përgjegjësia e palës, shpenzimet e arsyeshme
e të nevojshme për të përcaktuar dëmin dhe përgjegjësinë, si dhe
ato që janë nevojitur për të gjetur një zgjidhje jashtë gjyqësore
të përmbushjes së detyrimit.

Neni 487

Në kontratë me detyrime të dyanshme, palët duhet të
ekzekutojnë detyrimin e tyre në të njëjtën kohë, përveç kur nga
kontrata ose nga natyra e detyrimit del se njëra palë duhet
tëekzekutojë detyrimin e saj më parë se tjetra.

Neni 488

Kur në një kontratë me detyrime të dyanshme, ekzekutimi i
detyrimit të një pale është bërë i pamundur pa fajin e asnjërës
palë, secila prej tyre nuk ka të drejtë të kërkojë nga tjetra
ekzekutimin e detyrimit ose shpërblimin e dëmit, përveç kur në ligj
ose në kontratë është parashikuar ndryshe. Secila nga palët ka të
drejtë të kërkojë nga pala tjetër që t'i kthejë atë që është dhënë
për ekzekutimin e detyrimit.

Neni 489

Në qoftë se në një kontratë me detyrime të dyanshme,
ekzekutimi i detyrimit të njërës palë është bërë i pamundur, për
shkak se pala tjetër ka rënë në paaftës¿ paguese, ose ka
falimentuar ose për ndonjë rrethanë tjetër të ndodhur për faj të
saj, pala tjetër ka të drejtë të mos zbatojë detyrimet e veta,
derisa t'i garantohet ekzekutimi i detyrimit në dobi të saj, ose të
kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga mosekzekutimi i
kontratës.

Neni 490

Kur është vendosur që kreditorit t'i paguhet shpërblimi për
mosekzekutimin e detyrimit ose për ekzekutimin me vonesë të tij,
gjykata duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit, mund të
caktojë një afat tjetër për pagimin e këtij shpërblimi, ose të
lejojë që të paguhet me këste.

Vonesa e kreditorit
Neni 491

Kreditori është në vonesë kur pa ndonjë shkak të ligjshëm nuk
pranon ekzekutimin e detyrimit nga ana e debitorit, ose që për
shkak të rrethanave të krijuara me faj prej tij, nuk përmbush
detyrimin ndaj debitorit, pa të cilin ky nuk mund të ekzekutojë
detyrimin e tij.

Neni 492

Kur kreditori është në vonesë, debitori ka të drejtë të
kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar prej saj dhe lirohet nga
përgjegjësia në rast se më vonë ekzekutimi i detyrimit të tij bëhet
i pamundur, përveç kur pamundësia e ekzekutimit ndodh për fajin e
tij.
Në detyrimet në para, kur kreditori është në vonesë, debitori
nuk paguan kamatë.

Neni 493

Kur dëmi i ardhur nga mosekzekutimi i detyrimit është
shkaktuar ose është shtuar edhe nga veprimet ose mosveprimet me faj
të kreditorit, ose kur ky nuk ka treguar kujdesin e duhur për
pakësimin e këtij dëmi, gjykata sipas rastit mund të pakësojë
shumën e shpërblimit të dëmit ose të shkarkojë krejtësisht
debitorin nga detyrimi për shpërblimin e tij.

Neni 494

Kreditori gjatë vonesës së tij nuk mund të kërkojë marrjen e
masave për një ekzekutim të detyruar.

Neni 495

Kur kreditori është në vonesë ose nuk gjendet, debitori ka të
drejtë të ekzekutojë detyrimin duke e depozituar sendin në një
person që ushtron veprimtari depozitimi ose në një vend që caktohet
nga gjykata e vendit të ekzekutimit të detyrimit. Kur objekt i
detyrimit janë para, letra ose dokumente me vleftë ose sende të
çmueshme, depozitohen në bankë.
Me depozitimin ndërpritet kamata.
Në rastet kur depozitimi kërkon shpenzime të mëdha, bëhet me
vështirësi ose sendi që vihet në depozitë prishet shpejt ose për
vetë natyrën e tij, nuk mund të lihet në depozitë, debitori, pasi
të ketë lajmëruar kreditorin, kërkon nga gjykata që të lejohet të
shesë sendin e mësipërm dhe vleftën e nxjerrë nga shitja ta
depozitojë në bankën e shtetit në emër të kreditorit.
Kur debitori tërheq sendin e depozituar para se të jetë
pranuar nga kreditori, depozitimi quhet se nuk është bërë.
Depozituesi i dorëzon sendin kreditorit vetëm pasi ky të ketë
shlyer të gjitha shpenzimet p ër ekzekutimin e detyrimit.

KREU III
ZEVENDESIMI DHE KALIMI I KREDISE

Zëvendësimi i debitorit
Neni 496

Zëvëndësimi i debitorit me një person tjetër, i cili merr
përsipër detyrimin, mund të bëhet vetëm me pëlqimin e kreditorit.
Debitori i zëvendësuar shkarkohet nga detyrimi i tij ndaj
kreditorit.
Garancitë e dhëna nga persona të tretë për detyrimin shuhen,
në rast se këta nuk kanë dhënë pëlqimin që ato të mbeten edhe
përdebitorin e ri. Pengu ose hipoteka e dhënë nga debitori i
mëparshëm mbeten në fuqi.

Neni 497

Kreditorit mund t'i kundrejtohen nga debitori i ri të gjitha
prapsimet që rrjedhin nga detyrimi që ai ka marrë përsipër dhe që
mund t'i kundrejtonte edhe debitori i mëparshëm, përveç atyre që
lidhen me personin e këtij të fundit.

Neni 498

Marrëvëshja sipas të cilës debitori dhe një person i tretë
bëhen bashkëdebitorë në një detyrim, kur është marre pëlqimi i
kreditorit, nuk mund të prishet ose të ndryshohet, pa pëlqimin e
kreditorit. Te dy bashkëdebitorët përgjigjen ndaj tij solidarisht.

Kalimi i kredive
Neni 499

Kreditori mund t'ia kalojë kredinë e vet një personi tjetër
edhe pa miratimin e debitorit, me kusht që kredia të mos ketë
karakter të ngushtë personal dhe kalimi të mos jetë ndalur nga
ligji. Veçanërisht nuk lejohet kalimi i kredisë një personi tjetër,
kur rrjedh nga shkaktimi i vdekjes ose i dëmtimit të shëndetit, si
dhe i kredive që nuk mund të sekuestrohen.
Palët në një marrëveshje mund të përjashtojnë kalimin e
kredisë, por marrëveshja nuk mund t'i kundrejtohet atij që i kalon
kredia po të mos provohet se ai e njihte atë në momentin e kalimit.

Neni 500

Kredia kalon së bashku me privilegjet, garancitë dhe aksesorët
e tjerë, duke përfshirë edhe kamatat për kohën e kaluar, përveç kur
në kontratë parashikohet ndryshe.
Personi që bën kalimin e kredisë nuk mund t'i kalojë personit
tjetër posedimin e sendit të marrë peng pa miratimin e palës tjetër
(pengdhënësit). Në të kundërtën kreditori mbetet ruajtës i pengut.

Neni 501

Kalimi i kredisë duhet të bëhet me shkresë, ndryshe nuk është
i vlefshëm.

Neni 502

Kalimi kredisë ka efekt ndaj debitorit dhe ndaj personave të
tretë, nga dita që debitori e ka pranuar ose i është njoftuar nga
kreditori i mëparshëm ose nga kreditori i ri.
Debitori që ka ekzekutuar detyrimin e tij, përpara se të ishte
njoftuar për kalimin e kredisë, shkarkohet nga detyrimi.

Neni 503

Kur kredia u është kaluar disa personave të veçantë,
preferohet në shlyerje kalimi që i është njoftuar më përpara
debitorit, ose që është pranuar më parë nga debitori, me një
dokument (shkresë) me datë të saktë edhe sikur data të jetë e
mëvonshme.

Neni 504

Kalimi i kredisë nuk cënon mjetet mbrojtëse të debitorit.
Debitori mund t'i kundrejtojë kreditorit të ri prapësimet që
mund t'i drejtonte kreditorit të mëparshëm, në kohën që i është
njoftuar kalimi i kredisë.
Ai mund të kërkojë t'i bëhet kompensimi i një kredie ndaj
kreditorit të parë, qoftë dhe ende e pa kërkueshme në atë kohë, me
kusht që të mos jetë bërë e kërkueshme mbas cedimit të kredisë.

Neni 505

Kur kalimi i kredisë bëhet me titull barësor kreditori është
garant për ekzistencën e kredisë në kohën e kalimit të saj.
Kur kalimi bëhet falas, kreditori nuk është garant për
ekzistencën e kredisë.

Neni 506

Kreditori që kalon kredinë nuk përgjigjet për paaftësinë
paguese të debitorit, përveç kur ka marrë përsipër garancinë.
Në këtë rast përgjigjet për aq sa ka marrë. Veç kësaj duhet të
përgjigjet për kamatat, për shpenzimet e kalimit, dhe ato që
personi që i ka kaluar kredia ka bërë për ndjekjet ligjore ndaj
debitorit dhe të shpërblejë dëmin.
Marrëveshja që synon të rëndojë përgjegjësinë e personit që
kalon kredinë, është e pavlefshme. Kur kreditori që kalon kredinë
ka garantuar aftësinë paguese të debitorit, garancia pushon, në
qoftëse mosekzekutimi i kredisë për paaftësi paguese të debitorit
ka ardhur nga pakujdesia e kreditorit të ri për të ndjekur çështjen
ndaj debitorit.

Neni 507

Kreditori që bën kalimin e kredisë duhet t'i dorëzojë
kreditorit tjetër dokumentet që provojnë kredinë, të cilat janë në
posedimin e tij.
Kur është kaluar vetëm një pjesë e kredisë, kreditori
detyrohet t'i dorëzojë kreditorit tjetër një kopje autentike të
dokumenteve.

KREU IV
SHUARJA E DETYRIMEVE

Përtëritja
Neni 508

Detyrimet shuhen me përtëritje, kur palët me marrëveshje
zëvendësojnë detyrimin fillestar, me një detyrim tjetër të ndryshëm
nga i pari.

Neni 509

Dorëzania, pengu dhe hipoteka e kredisë fillestare shuhen
përveç kur palët janë marrë vesh shprehimisht që ato të ruhen edhe
për kredinë e re.

Neni 510

Përtëritja është e pavlefshme në rast se detyrimi fillestar
është i pavlefshëm. Kur detyrimi fillestar rrjedh nga një titull i
anullueshëm, përtëritja është e vlefshme në rast se debitori ka
marrë përsipër detyrimin e ri, duke njohur vesin e titullit
fillestar.

Falja e detyrimit
Neni 511

Deklarata me shkrim e kreditorit për faljen e detyrimit, e
shuan atë kur i njoftohet debitorit, përveç kur ky i fundit
deklaron brenda një afati të caktuar se nuk dëshiron të përfitojë
nga falja.

Neni 512

Kur debitori ka në dorë dokumentin privat që provon detyrimin,
prezumohet se ky është shuar me falje, përveç kur provohet se
dokumenti nuk i është kthyer nga kreditori me dashje.

Neni 513

Heqja e garancisë ndaj detyrimit, nuk prezumon faljen e tij.

Kompensimi
Neni 514

Kur dy persona i detyrohen njëri tjetrit në para ose në sende
të një lloji e të zëvendësueshme dhe detyrimet e tyre janë të
kërkueshme, të sakta e të caktuara në shumë ose në sasi, detyrimet
e të dy palëve shuhen, duke bërë kompensimin ndërmjet tyre.
Detyrimet shuhen deri në shumën ose sasinë e detyrimit më të vogël.

Neni 515

Kompensimi shuan të dy detyrimet nga data e bashkimit të tyre.
Kur për njërën nga kreditë ose mbi të dyja janë paguar kamata,
kompensimi bëhet deri në afatin e fundit në të cilën janë paguar
kamatat.
Parashkrimi nuk e ndalon kompensimin, në rast se nuk është
plotësuar në ditën kur është bërë bashkimi i të dy detyrimeve.

Neni 516

Kompensimi bëhet me anë të një deklarate që njëra palë i
dërgon palës tjetër. Deklarata nuk mund të bëhet me afat ose me
kusht.
Kur kompensimi nuk mbulon gjithë kredinë ose kur kreditori ka
nevojë të mbajë titullin e kredisë për të ushtruar të drejtat e
tjera të tij, mund ta mbajë atë me kusht që të shënojë në titull
përmbajtjen e deklaratës dhe t'i japë palës tjetër një kopje të
titullit të kredisë.

Neni 517

Kur deklarata për kompensimin e dhënë nga njëra palë, nuk
pranohet nga pala tjetër, ajo detyrohet të njoftojë menjëherë palën
që ka dërguar deklaratën, duke parashtruar shkaqet e mospranimit.

Neni 518

Nuk mund të kompensohen pa pëlqimin e kreditorit:
a) kreditë që rrjedhin nga shkaktimi i vdekjes ose i dëmtimit
të shëndetit;
b) kreditë që nuk mund të sekuestrohen;
c) kreditë që rrjedhin nga tatimet dhe taksat.

Neni 519

Kompensimi nuk kryhet kur është në dëm të personave të tretë
që kanë fituar të drejta uzufrukti ose pengu mbi kredinë.

Neni 520

Dorëzënësi mund të kundrejtojë kompensimin e detyrimit të
kreditorit ndaj debitorit kryesor. Debitori kryesor nuk mund të
kundrejtojë kompensimin e detyrimit të kreditorit ndaj dorëzënësit.

Neni 521

Kur dy detyrime nuk janë të pagueshme në një vend, nuk mund të
bëhet kompensimi i tyre, veçse duke llogaritur shpenzimet e
nevojshme për transferimin e tyre në vendin e ekzekutimit.

Neni 522

Kur kreditë dhe detyrimet monetare përfshihen në një llogari
të vetme, ato kompensohen menjëherë, sipas renditjes që palët kanë
pranuar në marrëveshje dhe në mungesë të saj sipas rregullave të
parashikuara në nenet 469 dhe 470 të këtij Kodi.
Pala që administron llogarinë, pasi e mbyll atë me kompensimin
e bërë, i njofton palës tjetër se cila është mbetja, datën e saktë
të llogaritjes, si dhe zërat që përbëjnë llogarinë dhe që nuk i
janë komunikuar ende palës tjetër.
Në qoftë se pala tjetër nuk kundërshton atë në një afat të
arsyeshëm, mbetja e njoftuar konsiderohet si e pranuar nga palët.

Neni 523

Kur në një deklaratë kompensimi nuk tregohen në mënyrë të
mjaftueshme detyrimet e përfshira në kompensim, zbatohen rregullat
e parashikuara në nenin 470 të këtij Kodi.
Secila palë mund të kundërshtojë menjëherë kompensimin e bërë,
në rast se llogaritja e detyrimit, e shpenzimeve dhe e interesave
nuk është kryer sipas rregullave të sipërpërmendura.

Bashkimi i cilësive të kreditorit dhe debitorit në një të vetëm
Neni 524

Detyrimi shuhet kur cilësitë e kreditorit dhe të debitorit
bashkohen në një person të vetëm. Kur ky bashkim merr fund,
detyrimi lind përsëri.

Neni 525

Bashkimi nuk kryhet kur është në dëm të personave të tretë që
kanë fituar të drejta uzufrukti ose pengu mbi kredinë.

Shuarja për shkak pamundësie ekzekutimi
Neni 526

Detyrimi shuhet kur ekzekutimi i tij bëhet i pamundur pa fajin
e debitorit dhe para se ky të jetë vënë në vonesë.
Detyrimi shuhet edhe kur debitori ndonëse është në vonesë,
provon se pamundësia do të ekzistonte edhe sikur të ishte kreditori
në vendin e tij.
Në këto raste, debitori duhet t'i kthejë kreditorit atë që ka
fituar pa shkak.

Neni 527

Kur pamundësia për ekzekutimin e detyrimit është e përkohshme,
debitori nuk është përgjegjës për vonesën e ekzekutimit për kohën
që ajo zgjat.
Por, detyrimi shuhet edhe kur pamundësia zgjat për aq kohe sa
sipas titullit të detyrimit dhe natyrës së tij, debitori nuk mund
të detyrohet më ta kryejë atë ose kreditori nuk ka më interes.

Neni 528

Kur ekzekutimi i detyrimit bëhet i pamundur vetëm pjesërisht,
detyrimi ekzekutohet në pjesën që mund të ekzekutohet.

Neni 529

Kur objekti i detyrimit është dorëzimi i një sendi dhe ky
dëmtohet tërësisht, ose humbet pa fajin e debitorit dhe para se ky
të vihet në vonesë, kreditori hyn në të drejtat e debitorit lidhur
me këtë send, në varësi të faktit që ka shkaktuar pamundësinë e
ekzekutimit të detyrimit. Kreditori ka të drejtë të kërkojë nga
debitori atë ç'ka ka marrë si rrjedhojë e shpërblimit të dëmeve.

TITULLI III
MJETET PER TE SIGURUAR EKZEKUTIMIN E DETYRIMEVE

KREU I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 530

Kreditori mund të shpërblehet me të gjithë pasurinë e tashme
dhe të ardhshme të debitorit të tij, përveç rasteve kur me ligj
është parashikuar ndryshe.
Një pronë mund të rëndohet nga pronari i saj, me qëllim që të
sigurohet pagimi i një detyrimi.

Neni 531

Kreditorët kanë të drejta të barabarta për t'u shpërblyer me
pasurinë e debitorit, përveç shkaqeve të ligjshme të preferimit.
Janë shkaqe të ligjshme të preferimit privilegjet, pengu dhe
hipoteka.

Neni 532

Pengu dhe hipoteka mund të vihen vetëm për një detyrim
efektiv.
Pengu dhe hipoteka mund të vihen si për një detyrim të
pronarit të sendit të lënë peng ose hipotekë, ashtu dhe për një
detyrim të një personi tjetër.

Neni 533

Pengu ose hipoteka mund të garantojë një kredi ekzistuese ose
një kredi të ardhshme. Kredia për të cilën jepet garancia duhet të
jetë e përcaktuar qartë.
Pengu ose hipoteka mund të vihet edhe për një detyrim me
kusht.

Neni 534

Pengu ose hipoteka shtrihen përkatësisht mbi të gjitha punimet
që përmirësojnë vleftën e pronës, kreditë dhe shpërblimet që u
shtohen ose që zëvendësojnë pasurinë e rënduar, duke përfshirë edhe
atë që kompensohet nga zhvleftësimi.

Neni 535

Në qoftë se sendet e lëna peng ose hipotekë humbasin ose
zhvleftësohen, pagesa e shumave, për të cilat detyrohen siguruesit
ose të tretët që përgjigjen për zhdëmtimin, nxirren nga pagesa e
kredive që lidhen me pengun ose hipotekën, përveç rastit kur ato
përdoren për të ndrequr humbjen ose zhvleftësimin e sendeve.

Neni 536

Në qoftë se sendi i dhënë në peng ose i lëshuar në hipotekë
humbet ose dëmtohet qoftë dhe për rast fator, në mënyrë që të mos
dëmtohen të drejtat e kreditorit, ky i fundit mund të kërkojë që
t'i jepet garanci e plotë mbi sende të tjera dhe, në mungesë të
saj, mund të kërkojë pagesën e menjëhershme të kredisë së tij.

Neni 537

Pengu dhe hipoteka janë të papjesëtueshme edhe sikur detyrimi
të jetë i pjesëtueshëm.

Neni 538

Kur pengu ose hipoteka janë vënë për të siguruar një detyrimtë
një personi tjetër, pronari i sendit të lënë peng ose hipotekë mund
t'i kundrejtojë kreditorit të gjitha prapsimet që mund t'i
kundrejtonte debitori dhe të kërkojë kompensimin e detyrimit me
kreditë që ka debitori ndaj kreditorit.

Neni 539

Kur kreditori nuk paguhet tërësisht nga sendi i lënë peng ose
hipotekë, ka të drejtë që pjesën e kredisë së papaguar ta nxjerrë
nga çdo pasuri tjetër e debitorit, por pa patur të drejtën e
preferimit ndaj kreditorëve të tjerë, siç e kishte për sendin e
lënë peng, ose hipotekë.

Neni 540

Eshtë e pavlefshme marrëveshja sipas së cilës përcaktohet se
në mungesë të pagesës së kredisë në afatin e caktuar, pronësia mbi
sendin e hipotekuar ose të dhënë peng i kalon kreditorit.

KREU II
KUSHTI PENAL

Neni 541

Për mosekzekutimin ose ekzekutimin jo në mënyrën e duhur të
detyrimeve, palët mund të parashikojnë në kontratë pagimin e një
shume të hollash ose kryerjen e një detyrimi tjetër, për riparimin
e dëmit ose për të nxitur ekzekutimin e detyrimit.

Neni 542

Kreditori nuk mund të kërkojë në të njëjtën kohë pagimin e
kushtit penal dhe ekzekutimin e detyrimit.

Neni 543

Kur kushti penal është caktuar për rastin e mosekzekutimit të
detyrimit dhe debitori nuk ekzekuton detyrimin e tij, kreditori ka
të drejtë të kërkojë pagimin e kushtit penal, si dhe shpërblimin e
pjesës së dëmit që kalon kushtin penal.
Kur kushti penal është caktuar për rastin e ekzekutimit të
detyrimit jo në mënyrën e duhur, dhe debitori nuk e ka ekzekutuar
detyrimin e tij në mënyrën e duhur, kreditori ka të drejtë të
kërkojë ekzekutimin e detyrimit dhe pagimin e kushtit penal, si dhe
shpërblimin e pjesës së dëmit që kalon kushtin penal.

Neni 544

Kur kushti penal është tepër i madh në krahasim me dëmin e
pësuar nga kreditori, gjykata me kërkesën e debitorit mund të
pakësojë kushtin disiplinor deri në nivelin e dëmit të pësuar.

Neni 545

Marrëveshja për kushtin penal duhet të bëhet me shkresë,
pavarësisht nga madhësia e tij dhe nga forma që kërkohet për
kontratën kryesore.

KREU III
PENGU

Përkufizimi
Neni 546

Pengu vihet mbi një pasuri të luajtshme, mbi një të drejtë
ndaj prurësit, ose me urdhër, ose mbi uzufruktin e kësaj pasurie
ose të drejte. Pengu krijohet duke vendosur pasurinë ose titullin
në posedim të kreditorit ose të një të treti të caktuar me
marrëveshje midis palëve.

Forma e kontratës
Neni 547

Kontrata e pengut duhet të bëhet me shkresë ose tek noteri,
ndryshe është e pavlefshme. Ajo duhet të përfshijë gjithashtu një
përshkrim të pronës së lënë peng. Në rastin e pengut të pjesëve,
pengu duhet të regjistrohet në librin e anëtarëve të shoqërisë. Në
rastin e pengut të aksioneve, pengu duhet të regjistrohet në librin
e aksionerëve, në aksionet e lëna peng.
Mund të lihet peng e gjitha ose një pjesë e pronave të
përdorura në një ndërmarrje që vepron si një koncern veprues. Në
një rast të tillë pengu është efektiv kur pronat i besohen një pale
të tretë ose një kreditori, i cili nga ana e tij, do t'i menaxhojë
ato si një koncern veprues i pandashëm.

Mbrojtja e kreditorit
Neni 548

Kreditori që ka humbur posedimin e sendit të marrë peng,
përveç padisë posedimore mund të ushtrojë edhe padinë e
rivendikimit, në qoftë se kjo i takon pengdhënësit.

Të drejta e detyrime të palëve
Neni 549

Kreditori detyrohet ta ruajë sendin e marrë në peng dhe
përgjigjet, sipas rregullave të përgjithshme, për humbjen dhe
dëmtimin e tij.
Personi që ka dhënë pengun detyrohet të paguajë shpenzimet e
kryera për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e sendit.

Neni 550

Në qoftë se sendi i dhënë peng sjell fryte ose të ardhura,
kreditori ka të drejtë t'i bëjë ato të vetat, duke i përdorur së
pari për shpenzimet dhe kamatat dhe pastaj për kredinë, përveç kur
është parashikuar ndryshe në kontratë.

Neni 551

Kreditori nuk mund të përdorë sendin e dhënë peng pa patur
pëlqimin e pengdhënësit, përveç kur përdorimi është i nevojshëm për
ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tij.
Ai nuk mund ta japë sendin në peng ose t'ua lërë të tjerëve në
përdorim.

Neni 552

Në qoftë se kreditori shpërdoron sendin e dhënë në peng,
pengdhënësi mund të kërkojë vënien e sendit në sekuestro.

Neni 553

Personi që ka dhënë pengun nuk mund të kërkojë kthimin
esendit, në qoftë se nuk janë paguar tërësisht kredia, kamatat, si
dhe shpenzimet që kanë lidhje me detyrimin dhe me pengun.
Në qoftë se pengu është dhënë nga një debitor, i cili ka ndaj
të njëjtit kreditor një detyrim tjetër të lindur pas vënies së
pengut dhe që është bërë i kërkueshëm përpara detyrimit të
mëparshëm, kreditori ka vetëm të drejtën të mbajë sendin deri sa të
paguhen plotësisht të dy kreditë.

Neni 554

Në rast se sendi i dhënë në peng cënohet ose i pakësohet
vlefta në mënyrë të tillë që dyshohet në se do të jetë i
mjaftueshëm për sigurimin e kreditorit, ky i fundit, pasi të
njoftojë pengdhënësin, mund të kërkojë prej gjykatës autorizimin
për të shitur sendin.
Gjykata kur jep autorizim për shitje vendos edhe për
depozitimin e çmimit të blerjes për të garantuar kredinë.
Pengdhënësi mund të shmangë shitjen dhe të kërkojë prej
gjykatës kthimin e pengut, duke ofruar një garanci tjetër reale, të
cilën gjykata e çmon të mjaftueshme.
Në rast cënimi ose pakësimi të vleftës së sendit të dhënë
peng, pengdhënësi mund të kërkojë prej gjykatës autorizim për të
shitur sendin, në qoftë se atij i paraqitet një rast i favorshëm.
Gjykata, kur jep autorizimin për shitje, vendos edhe për
kushtet e shitjes dhe të depozitimit të çmimit të blerjes.

Neni 555

Kur sendet e lëna peng prishen, dëmtohen ose shpronësohen për
interesa publike, kreditorët që janë të siguruar me peng, kanë të
drejtë të paguhen me preferim, sipas rradhës së preferimit që kanë
patur kreditë e tyre, nga shuma e shpërblimit të sendit ose
ngaçmimi i shpronësimit të tij.

Procedura e shitjes
Neni 556

Përpara se të proçedohet për shitjen kreditori, me anë të
gjykatës, i paraqet debitorit kërkesën për të paguar detyrimin dhe
aksesorët e tij duke e paralajmëruar atë se në rast të kundërt do
të kryhet shitja. Ky njoftim i duhet bërë edhe palës së tretë që ka
dhënë pengun, në rastet kur kjo palë ekziston.
Në qoftë se kërkesa nuk kundërshtohet brenda pesë ditësh,
kreditori mund ta shesë sendin në ankand ose, po qe se sendi ka një
çmim tregu, mund ta shesë atë edhe me këtë çmim, me anë të një
personi të autorizuar për shitje të tilla.
Kur pengu përfshin shumë sende, gjykata, e mbështetur në
kundërshtimin e pengdhënësit, kufizon shitjen vetëm për sendin,
vlefta e të cilit në lidhje me sendet e tjera, mjafton për të
paguar debinë.
Për shitjen e sendit të dhënë peng palët mund të merren vesh
për të përdorur edhe forma të tjera.

Neni 557

Kreditori pengmarrës, në mbarim të afatit detyrohet të vjelë
të drejtat që rrjedhin nga kredia e marrë peng dhe kur kjo ka për
objekt para ose sende të tjera të barazvlershme, vetë ose me
kërkesën e debitorit duhet t'i depozitojë ato në vendin e caktuar
në marrëveshje dhe, në mungesë të saj, në vendin e caktuar nga
gjykata. Kur afati i kredisë i garantuar me pengun ka mbaruar,
kreditori mban nga shuma e marrë aq sa nevojiten për përmbushjen e
të drejtave të tij dhe mbetjen ia kthen pengdhënësit.

Neni 558

Kreditori mund të kërkojë nga gjykata që sendi t'i lihet atij
me pagesë deri në shlyerjen e detyrimit, sipas vlerësimit të bërë
nga ekspertë ose sipas çmimit të tregut, në qoftë se sendi ka një
çmim tregu.



Neni 559

Në qoftë se kredia e dhënë në peng rezulton nga një dokument,
pengdhënësi detyrohet t'ia japë këtë dokument kreditorit.

KREU IV
HIPOTEKA

Përkufizimi i hipotekës
Neni 560

Hipoteka është një e drejtë reale që vihet mbi pasurinë e
debitorit ose të një të treti, në dobi të kreditorit, për të
siguruar përmbushjen e një detyrimi.

Sendet e hipotekueshme
Neni 561

Janë të hipotekueshme:
1. Sendet e paluajtshme.
2. Uzufruktet e këtyre sendeve përveç uzufruktit ligjor
tëprindërve, si dhe të drejtat enfiteotike mbi këto sende.

Llojet e hipotekave
Neni 562

Hipoteka vihet në bazë të kontratës ose të ligjit dhe me
regjistrimin e saj. Kontrata duhet të bëhet me akt noterial.




Hipoteka ligjore
Neni 563

Kanë hipotekë në bazë të ligjit:
a) shitësi e çdo tjetërsues tjetër mbi sendet e paluajtshme të
tjetërsuara për pëmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga tjetërsimi;
b) bashkëtrashëgimtarët, anëtarët e shoqërive me aktivitet
ekonomik e bashkëpjesëtarët e tjerë mbi sendet e paluajtshme të
përbashkëta, në pjesët që u kanë takuar atyre për pagimin e shumave
të caktuara për barazimin dhe plotësimin e pjesëve.

Neni 564

Servitutet që janë regjistruar pas regjistrimit të një
hipoteke, nuk mund t'i kundrejtohen kreditorit hipotekar.
Paragrafi i mësipërm zbatohet edhe për të drejtën e
uzufruktit, të përdorimit dhe të banimit.

Hipoteka gjyqësore
Neni 565

Vendimi i gjykatës për pagimin e një shume parash, për
përmbushjen e detyrimeve të vlerësuara apo për shpërblimin e dëmeve
që do të rrjedhin më pas, përbën titull për vënien e hipotekës tek
pasuria e debitorit.
Hipotekë mund të vihet edhe në bazë të një vendimi arbitrazhi
që përbën titull ekzekutiv.

Neni 566

Kur hipoteka jepet nga një person që nuk është pronar i
sendit, regjistrimi i saj quhet i vlefshëm vetëm kur sendi fitohet
prej tij.

Hipoteka mbi sendet e ardhshme
Neni 567

Hipoteka mbi një send të ardhshëm, mund të regjistrohet vetëm
kur të ekzistojë sendi.

Shtrirja e hipotekës
Neni 568

Hipoteka siguron kredinë për aq sa kjo do të jetë në kohën e
shlyerjes së saj, duke përfshirë edhe kamatat, shpërblimin e dëmit
të shkaktuar nga vonesa e ekzekutimit, si dhe shpenzimet e bëra për
nxjerrjen e kredisë.

Neni 569

Hipoteka e vënë mbi pjesën e vet nga njëri prej pjesëtarëve në
bashkëpronësi sjell efekt në lidhje me atë send ose me atë pjesë të
sendit që do t'i jepet atij pas ndarjes.
Në qoftë se gjatë ndarjes njërit pjesëtar i jepet një send
tjetër dhe i pahipotekuar prej tij, hipoteka kalon mbi këtë send me
të njëjtën shkallë regjistrimi sikurse origjinali dhe brenda
kufijve të vleftës së sendit të hipotekuar më përpara, me kusht që
hipoteka të regjistrohet përsëri brenda 90 ditëve nga regjistrimi
i së njëjtës ndarje.

Vendi i regjistrimit
Neni 570

Hipoteka regjistrohet në zyrën e regjistrimit të pasurisë të
paluajtshme të vendit ku ndodhet kjo pasuri.

Neni 571

Detyrimet që rrjedhin nga titujt me urdhër ose tek prurësi
mund të garantohen me hipotekë.

Efektet e pasaktësive të aktit
Neni 572

Hipoteka është e pavlefshme, kur në kontratën e hipotekës, ose
në aktin bazë për vënien e hipotekës, apo në kërkesën për vënien e
saj, në bazë të ligjit, ka pasaktësi për personin e kreditorit, të
debitorit, të pronarit të sendit të lënë në hipotekë, për vetë
sendin ose për shumën e kredisë të siguruar me hipotekë.

Shpenzimet e regjistrimit
Neni 573

Shpenzimet e regjistrimit të hipotekës janë në ngarkim të
debitorit, përveç kur është parashikuar ndryshe, por ato duhet të
parapaguhen nga kërkuesi.

Radha e hipotekave
Neni 574

Hipoteka sjell efekt dhe zë radhë nga data e regjistrimit të
saj edhe kur titulli është për një kredi të ardhshme ose të
kushtëzuar.

Neni 575

Numri rendor i regjistrimeve përcakton rradhën e tyre.
Kur në të njëjtën kohë shumë persona paraqitin kërkesë për të
regjistruar në hipotekë ndaj të njëjtit person dhe po mbi ato
prona, regjistrimi bëhet me të njëjtin numur dhe ky fakt shënohet
në dëftesën që regjistruesi i jep secilit prej kërkuesve.

Neni 576

Hipotekat e regjistruara me të njëjtin numër dhe po mbi ato
prona, konkurojnë me njëra tjetrën, në përpjesëtim me vleftën e
tyre përkatëse.

Neni 577

Regjistrimi i një kredie shërben për të vënë në po atë radhë
shpenzimet e aktit, të regjistrimit e të përtëritjes, si dhe
shpenzimete tjera që nevojiten për procedurat ekzekutive.
Regjistrimi i një kredie në para që sjell kamatë, bën që
kamata të qëndrojë në të njëjtën radhë përparësie me atë, me kusht
që kamata të jetë përcaktuar në regjistrim.
Kamata në këtë rast kufizohet në dy vitet parardhëse, si dhe
në vitin në vazhdim në ditën që është vënë dorë e deri në ditën e
mbylljes së procedimit të zbatimit forcërisht.

Efektet e hipotekës
Neni 578

Regjistrimi i hipotekës ka efekt për një periudhë prej 20
vjetësh nga data e kryerjes së tij. Efekti pushon në qoftë se nuk
përtërihet përpara mbarimit të këtij afati. Pas mbarimit të afatit
të treguar më sipër, kreditori mund të kryejë një regjistrim të ri,
por në këtë rast hipoteka zë radhë dhe ka efekt kundrejt palëve të
treta sipas datës së regjistrimit të ri.

Neni 579

Kalimi i kredisë së siguruar me hipotekë një personi tjetër
dhe vënia e sekuestros mbi këtë kredi ka efekt pasi të jetë bërë
shënimi përkatës në regjistrimin e hipotekës.

Neni 580

Në qoftë se kreditori që ka hipotekë mbi një ose më shumë
prona del i dëmtuar për shkak se me çmimin e tyre është paguar
tërësisht ose pjesërisht një kreditor i mëparshëm, hipoteka e të
cilit shtrihej mbi prona të tjera të të njëjtit debitor, mund të
nënvendësohet në hipotekën e regjistruar në favor të kreditorit
tëpaguar, me qëllim që të ushtrojë padinë hipotekore mbi ato prona,
duke u parapëlqyer ndaj kreditorëve të tjerë që vijnë pas tij në
regjistrim. Po këtë të drejtë kanë edhe kreditorët që dëmtohen për
shkak të nënvendësimit të sipërpërmendur.

Zbritja e hipotekës
Neni 581

Zbritja e hipotekave bëhet duke e kufizuar vetëm në një pjesë
të pasurisë së treguar në regjistrim ose duke pakësuar shumën për
të cilën është vënë regjistrimi.

Neni 582

Kërkesa për zbritjen e hipotekave sipas nenit të mësipërm nuk
pranohet, në qoftë se sasia e pasurisë apo shuma ka qenë caktuar me
marrëveshje ose me vendim gjykate.
Megjithatë, kur janë bërë pagesa të pjesshme, që shuajnë të
paktën një të pestën e detyrimit fillestar, mund të kërkohet një
pakësim përpjesëtimor i shumës.
Kur është vënë hipotekë mbi një ndërtesë, hipotekuesi që pas
regjistrimit ka bërë mbindërtime, mund të kërkojë që hipoteka të
pakësohet, në mënyrë që mbindërtimet të përjashtohen.

Shuarja e hipotekës
Neni 583

Hipoteka shuhet:
a) me shuarjen e detyrimit;
b) me humbjen e sendit të lënë në hipotekë, duke respektuar të
drejtat e parashikuara prej nenit 536 të këtij Kodi;
c) me heqjen dorë të kreditorit;
ç) me pagimin e çmimit të shitjes me anë të ekzekutimit të
detyrueshëm, kreditorëve të siguruar me hipotekë, sipas radhës së
regjistrimit të tyre;
d) me kalimin e afatit për të cilin ishte kufizuar hipoteka.

Fshirja e regjistrimit të hipotekës
Neni 584

Regjistrimi i hipotekës fshihet:
a) me pëlqimin e kreditorit