marketkonekt
0 0
1
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 9322
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 25.11.2004
Data e aprovimit te Aktit: 25.11.2004
Numri i neneve: 4
Numri i fletores zyrtare: 98
Data e fletores zyrtare: 20.12.2004
Aktiviteti: Strategji Kombetare
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Miratohet "Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë".
Akte te ngjashem
1 Për marrjen e masave emergjente, për përmirësimin e situatës së sigurisë dhe të veprimtarive në instalimet e impiantet, që shërbejnë për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:LIGJ
Nr.9322, datë 25.11.2004

PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË SË SIGURISË KOMBËTARE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 12, 78, 83 pika 1, 168 dhe 169 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Miratohet "Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë".

Neni 2

Ngarkohet Këshilli i Ministrave për miratimin e akteve nënligjore për zbatimin e kësaj strategjie.

Neni 3

Ligji nr. 8572, datë 27.1.2000 "Për miratimin e Dokumentit të Strategjisë së Sigurimit të Republikës së Shqipërisë", shfuqizohet.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4424, datë 14.12.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

STRATEGJIA E SIGURISË KOMBËTARE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

HYRJE

Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është dokument me karakter kombëtar, që mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasqyron zhvillimet e politikave shtetërore për sigurimin e qytetarëve, të shoqërisë dhe të shtetit demokratik shqiptar ndaj kërcënimeve e rreziqeve të brendshme dhe të jashtme.
Legjislacioni dhe veprimtaria në fushën e sigurisë së Republikës të Shqipërisë përputhet me
standardet dhe parimet e shtetit demokratik, si dhe me aktet ndërkombëtare të pranuara prej saj.
Siguria e vendit garantohet kur përmbushet me efektivitet mbrojtja e interesave kombëtarë
në shtrirje kohore dhe në vështrim perspektiv.
Misionet themelore të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë janë:
- Ushtrimi i sovranitetit të Republikës së Shqipërisë;
- Mbrojtja e pavarësisë dhe e integritetit territorial;
- Mbrojtja e jetës dhe e pasurisë;
- Zhvillimi i pandërprerë demokratik dhe prosperiteti ekonomik;
- Mbrojtja e dinjitetit dhe e vlerave kombëtare;
- Anëtarësimi në strukturat ndërkombëtare të sigurisë.
Interesat e shtetit kërkojnë mbrojtjen e Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, përsosjen e demokracisë dhe forcimin e shtetit ligjor, mbrojtjen e jetës dhe të pronës private të qytetarëve, zhvillimin e ekonomisë së tregut, në funksion të prosperitetit dhe sigurisë kombëtare.
Mbrojtja dhe zhvillimi i identitetit dhe idealit kombëtar konsiderohen me rëndësi jetike për të sotmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar. Propagandimi, edukimi dhe mbrojtja e vlerave historike, kulturore, morale e shpirtërore, ngrenë lart dinjitetin e kombit. Shqipëria mbron dhe respekton me ligj të drejtat dhe liritë e njeriut.
Republika e Shqipërisë synon të jetë një faktor stabiliteti e paqeje në rajon dhe nuk shpreh armiqësi dhe pretendime territoriale për ndryshim kufijsh me përdorimin e forcës. Shqipëria është kundër krijimit të krizave e konflikteve rajonale dhe të zgjidhjes së tyre me mjetet e dhunës.
Anëtarësimi në strukturat ndërkombëtare të sigurisë kolektive garanton më së miri forcimin e mëtejshëm të sigurisë së vendit dhe u shërben interesave të paqes dhe stabilitetit në rajon. Në rrugën drejt anëtarësimit do të realizojmë, gjithashtu, edhe shfrytëzimin e mekanizmave të partneritetit me këto organizata në dobi të sigurisë kombëtare.
Ndërtimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të sinqerta e të ndërsjella me fqinjët, si dhe respektimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve kudo që ndodhen, janë përparësi për sigurinë e Republikës së Shqipërisë.
Konsolidimi dhe zhvillimi i instrumenteve të sigurisë i shërbejnë mbrojtjes së interesave kombëtarë dhe nuk cenojnë interesat apo sigurinë e vendeve të tjera. Ata janë shprehje e politikave të ruajtjes së sovranitetit e pavarësisë, lirisë dhe prosperitetit, të paqes dhe integritetit të një shteti demokratik, në mbrojtje të vetvetes, si dhe një garanci për t'u bërë kontribues në kuadrin ndërkombëtar.

PJESA E PARË
STRATEGJIA E SIGURISË

I. KONCEPTI I STRATEGJISË SË SIGURISË
1. Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë përfaqëson tërësinë e mjeteve
dhe instrumenteve shtetërore që sigurojnë mbrojtjen e qytetarëve, të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar nga kërcënimet dhe rreziqet e jashtme e të brendshme. Ajo ka objektiv përballimin e sfidave të mundshme të sigurisë në të tashmen dhe të ardhmen, duke marrë në konsideratë mjedisin gjeostrategjik të sigurisë, shkallën e garancisë që japin sistemet kolektive të sigurisë, si edhe burimet e kapacitetet reale në dispozicion të vendit.
2. Tipari themelor i Strategjisë së Sigurisë është respektimi i shtetit ligjor. Strategjia e Sigurisë e ka burimin dhe mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin shqiptar. Ajo respekton të gjitha marrëveshjet, traktatet e konventat ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë. Strategjia e arrin suksesin e saj përmes përafrimit të këndvështrimeve nga të gjithë aktorët dhe faktorët e sigurisë, pavarësisht nga përkatësitë e ndryshme të tyre.
3. Strategji me vizion në funksion të integrimit. Mbrojtja kolektive është perspektiva e pritshme e të gjitha vendeve që synojnë standardet bashkëkohore dhe demokratike të sigurisë. Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë mbështet konceptin e afrimit të shpejtë të vendit tonë, nëpërmjet reformave të përshkallëzuara e shumëplanëshe, në strukturat kolektive të sigurisë europiane dhe euroatlantike, me theks të veçantë në ato të BE-së dhe të NATO-s, bazuar në dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara mbi sigurinë dhe mbrojtjen kolektive. Ajo konsideron që përpjekjet për integrimin në strukturat kolektive do të shoqërohen me konsolidimin e reformave në sistemin e sigurisë dhe të mbrojtjes së vendit, për t'iu përshtatur dhe përafruar organizimit dhe funksionimit të strukturave kolektive.
4. Kthimi i Shqipërisë nga një vend që ka konsumuar siguri në një vend që kontribuon në siguri. Vendi ynë është një vend partner dhe aspirant i NATO-s, i përfshirë në negociatat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE-në, si dhe në një numër të konsiderueshëm nismash rajonale. Niveli i sigurisë së vendit do të rritet duke zbatuar me sukses programet dhe standardet e Partneritetit për Paqe (PpP), si edhe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Një tjetër përqasje për rritjen e nivelit të sigurisë do të jetë pjesëmarrja aktive dhe kontributi në nismat për rritjen e mirëbesimit politiko-ushtarak në rajon. Zbatimi i programeve të bashkëpunimit dy e më shumë palësh dhe i standardeve të integrimit do të lidhet ngushtë edhe me vazhdimin e kontributit konkret të Shqipërisë në dobi të misioneve të përbashkëta në interes të paqes e sigurisë rajonale e globale, të kryera gjithnjë me mandatin e organizmave ndërkombëtarë ku vendi ynë aderon.
5. Strategjia e Sigurisë është një strategji aktive për veprim. Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë përcakton jo vetëm interesat, objektivat dhe prioritetet e vendit, por edhe rrugët dhe programet kryesore për realizimin e tyre. Strategjia e Sigurisë përbën një dokument të integruar me cilësinë dhe autoritetin e dokumentit bazë dhe orientues për zhvillimin e të gjitha strategjive sektoriale të institucioneve të shtetit ligjor. Synimi i saj është avancimi i mëtejshëm i interesave kombëtarë nëpërmjet konsolidimit të instrumenteve kryesore të sigurisë së vendit. Strategjia mbështet krijimin e një sistemi të planifikimit të sigurisë me përparësi arritjen e një rezultati konkret nën konceptin: "Kush bën, çfarë, kur dhe në bashkëpunim me kë".
6. Strategji e përzgjedhjes prioritare për përdorimin e burimeve. Vendi ynë ka aktualisht burime kombëtare të kufizuara dhe prioritete të përcaktuara. Për rrjedhojë, përdorimi me përparësi i burimeve kryesore për zhvillimin e sektorëve jetikë të ekonomisë së vendit, të arsimit, të shëndetit publik, të infrastrukturave, për lehtësimin e çështjeve sociale, si dhe për forcimin e institucioneve demokratike të vendit, do të ndikojë ndjeshëm edhe në rritjen e shkallës së sigurisë së vendit. Në kushtet e burimeve tona të kufizuara, kjo strategji mbështet me përparësi zhvillimin e strukturave kombëtare me dy ose më shumë funksione.
7. Dialog, bashkëpunim e mjete paqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Respektimi i të drejtave të njeriut brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga përkatësia politike, fetare, krahinore, racore, etnike, kulturore ose e origjinës shoqërore, si dhe mbrojtja në rrugë institucionale e të drejtave të popullit shqiptar, që jeton jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, përfshi edhe të shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë vendit, do të përbëjë një nga përparësitë kryesore të politikës sonë të brendshme e të jashtme. Strategjia mbështet ndryshimin e ndjeshëm të ekuilibrit të sigurisë në favor të mjeteve politike, të institucioneve të sigurisë dhe të diplomacisë, si dhe të dimensionit e dinjitetit njerëzor në një sistem demokratik. Përdorimi i forcës ushtarake do të bëhet vetëm për të garantuar të drejtën kushtetuese për të mbrojtur me çdo kusht interesat jetësorë të vendit, nëse ato cenohen, si dhe për të kontribuar në vend ose jashtë tij me misione humanitare në mbështetje të paqes. Shqipëria asnjëherë nuk do të përbëjë rrezik për fqinjët e saj dhe as do të synojë të përdorë kapacitetet e veta ushtarake si mjet presioni e detyrimi ndaj palëve të tjera, sikundër ajo nuk do të pranojë që shtete të tjera të përdorin ose të kërcënojnë përdorimin e kapaciteteve të tyre ushtarake kundër saj.
8. Promovimi i zhvillimit të shpejtë të ekonomisë së tregut të lirë. Zhvillimi i një ekonomie të shëndetshme, duke luftuar ekonominë informale dhe korrupsionin, përbën një faktor kyç për konsolidimin e institucioneve dhe të unitetit të kombit dhe arritjen e standardeve të tjera të rëndësishme për integrimin. Kjo do të ofrojë mundësi në rritje për zhvillimin e biznesit dhe një klimë ekonomike të favorshme për investitorët e huaj. Ndikimi i faktorit ekonomik për sigurinë kombëtare do të rritet gradualisht nëpërmjet pjesëmarrjes strategjike dhe integrimit të ekonomisë shqiptare në nivel rajonal, europian e më gjerë.
9. Konsolidimi i institucioneve të sigurisë së vendit. Efektiviteti i sistemit të sigurisë së
vendit do të matet dhe vlerësohet me shkallën e sigurisë që ky sistem do të prodhojë për qytetarët e vet, për shtetin, për rajonin e më gjerë. Thelbin e reformës në fushën e sigurisë, si një proces gjithëpërfshirës e ciklik, do ta përbëjë konsolidimi i mëtejshëm trans formues i të gjitha institucioneve të sigurisë. Kjo reformë do të fokusohet në zgjidhjen e sfidave reale që prekin qytetarin shqiptar dhe vendin, duke nisur që nga përballimi i kërkesave të zhvillimit ekonomik e deri te lufta kundër korrupsionit, papunësisë e varfërisë. Reformimi bëhet i nevojshëm edhe për të luftuar rreziqet me karakter më transnacional, si terrorizmin, trafiqet ilegale dhe krimin e organizuar. Këto sfida të reja do të kërkojnë zhvillimin e strategjive të reja sektoriale në diplomaci, ekonomi, mbrojtje, rend, drejtësi, shërbimet informative etj., duke i reformuar institucionet përkatëse.
10. Forcat e Armatosura janë një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë së vendit. Ato do të synojnë përmbushjen e misioneve të tyre kushtetuese nëpërmjet zhvillimit të strategjisë e doktrinës ushtarake, një kuadri bashkëkohor ligjor dhe organizimit të një force ushtarake cilësisht më profesionale. Synimi i saj do të jetë që, krahas misionit themelor kushtetues të mbrojtjes së pavarësisë dhe tërësisë territoriale të vendit, të marrë pjesë aktivisht në një spektër të larmishëm operacionesh humanitare në vend, si dhe në misione ndërkombëtare me mandate kushtetuese jashtë vendit. Reforma e mbrojtjes do të mbajë në fokus të veçantë programimin e rishikimit periodik të zhvillimit e të pozicionimit të Forcave të Armatosura në përshtatje të situatave të reja të mjedisit të sigurisë, duke reflektuar përgjigje konkrete nëpërmjet organizimeve, misioneve, detyrave dhe roleve të reja për njësitë e Forcave të Armatosura, përherë në përputhje me nevojat konkrete të vendit dhe standardet e strukturave të mbrojtjes kolektive euroatlantike.
11. Përgjigje e organizuar ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme. Institucionet e sigurisë do të synojnë me përparësi, në bashkëpunim të ngushtë me organet e prokurorisë dhe me organizmat përkatës ndërkombëtarë, zbatimin e konceptit të parandalimit dhe të neutralizimit të kërcënimeve dhe të rreziqeve ndaj rendit publik. Goditja e krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit do të konsistojë në një strategji e përgjigje të organizuar të institucioneve të konsoliduara të rendit publik, të drejtësisë, të shërbimit informativ etj. Ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë ndaj sfidave të brendshme do të synohet të arrihet nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të një kuadri ligjor specifik dhe zbatimit rigoroz të ligjit. Institucioni i drejtësisë do të garantojë zbatimin e ligjeve në vend, duke vendosur si të drejtat, ashtu edhe sanksionet ndaj kujtdo që i shkel ato. Garantimi afatgjatë i interesave kombëtarë kërkon përafrimin e legjislacionit në këto fusha në përputhje me normat e Bashkimit Europian.
12. përdorimi bashkëkohor i informacionit në mbështetje të sigurisë kombëtare. Sigurimi i shpejtë dhe i saktë i informacionit lidhet pazgjidhshmërisht me vendimmarrjen e duhur dhe veprimet e shpejta në funksion të neutralizimit të pasojave në dëm të sigurisë kombëtare. Strategjia e vlerëson informacionin si faktor shumë të rëndësishëm për forcimin e sigurisë kombëtare, duke respektuar në të njëjtën kohë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese të qytetarëve, si dhe lirinë e mediave. Ruajtja e sigurisë kombëtare kërkon, gjithashtu, ndalimin e përdorimit të informacionit për qëllime të manipulimit të ndërgjegjes së publikut. Do të vazhdohet të kërkohet garantimi me ligje të veçanta i mbrojtjes së informacionit shtetëror të klasifikuar në fusha të veçanta, të atij ndërshtetëror, pa përjashtuar shkëmbimin e informacionit me organizmat ndërkombëtarë që burojnë nga marrëveshje midis palëve.
13. Vlerësimi i faktorit mjedisor në sigurinë e vendit. Mbrojtja dhe rigjenerimi i natyrës shqiptare do të sigurojnë një mjedis ekologjik e kushte të favorshme për jetesë për qytetarët dhe shoqërinë. Interesat kombëtarë kërkojnë marrjen e masave për shfrytëzimin racional të burimeve të natyrës nëpërmjet zhvillimit të një strategjie të balancuar sektoriale për mbrojtjen e mjedisit natyror në interes të zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.
II. OBJEKTIVAT E SIGURISË
14. Objektivat e Strategjisë së Sigurisë janë të planit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë.
Realizimi i këtyre objektivave synon të krijojë një lidhje thelbësore ndërvepruese të interesave kombëtarë, nevojave dhe mundësive të vendit.
15. Në planin afatshkurtër dhe afatmesëm qëndron angazhimi për realizimin e këtyre
objektivave parësorë:
15.1 Paqe dhe siguri në vend. Stabiliteti i brendshëm i vendit është produkt i forcimit të
shtetit ligjor për të mbrojtur qytetarët, shoqërinë civile dhe shtetin nga veprimet antiligjore.
15.2 Bashkëpunimi rajonal. Në themel të këtij vizioni të ri qëndron ndërtimi i marrëdhënieve rajonale, në funksion të politikave të përbashkëta të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Mbetet qëllim i përbashkët integrimi në strukturat europiane dhe euroatlantike për të kthyer rajonin tonë në faktor paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti.
15.3 Konsolidimi i shoqërisë demokratike dhe të drejtave të njeriut. Forcimi i institucioneve shtetërore është garanci për zhvillimin e shoqërisë demokratike. Një shoqëri me norma dhe standarde të larta në respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, përbën garanci për një mjedis të sigurt dhe raporte harmonike individ-shoqëri. Individi, shoqëria dhe shteti kanë detyrime të përbashkëta për sigurimin e vendit. Shkelja e këtyre detyrimeve, qoftë edhe nga njëra palë, dëmton rëndë sigurinë e tij. Roli aktiv i organizatave joqeveritare kontribuon në konsolidimin e standardeve demokratike të shoqërisë.
15.4 Konsolidimi i institucioneve dhe i instrumenteve të sigurimit. Këto duhen parë si një aftësi për të mbrojtur interesat kombëtarë dhe si një përgjegjësi për të vepruar ndaj çdo situate. Ato konsiderohen si faktorë vendimtarë në suksesin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në një Shqipëri të zhvilluar.
15.5 Fuqizimi i ekonomisë. Forcimi ekonomik i vendit, nivelet europiane në infrastrukturë, protagonizmi në tregjet rajonale dhe europiane, do të mundësojnë shfrytëzimin me efektivitet të pozitës së favorshme gjeostrategjike të Shqipërisë.
16. Në planin afatmesëm dhe afatgjatë do të mbahen parasysh këto objektiva parësorë:
16.1 Integrimi në strukturat europiane dhe euroatlantike. Anëtarësimi në NATO dhe BE
mbetet objektiv parësor në funksion dhe në dobi të politikës së sigurimit të vendit.
16.2 Përafrimi i legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian. Përafrimi i legjislacionit dhe funksionimi efektiv i shtetit ligjor janë garanci afatgjata, për të mbrojtur interesat kombëtarë dhe për integrimin e Shqipërisë.
16.3 Çështja kombëtare shqiptare. Stabiliteti rajonal konsiderohet si kusht drejt integrimit të vendeve të rajonit në Europë. Shqipëria synon të jetë një partner aktiv në politikën rajonale. Në këtë kuadër çështja kombëtare shqiptare synohet të arrihet nëpërmjet integrimit europian dhe euroatlantik të vendeve të rajonit, si edhe zgjidhjeve që sigurojnë garanci afatgjatë dhe të pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare.
16.4 Mbrojtja e mjedisit dhe burimeve natyrore. Mjedisi dhe burimet natyrore janë elemente të pashtershme të gjenerimit të instrumenteve të sigurisë.
16.5 Konsolidimi i Forcave të Armatosura. Ky proces do të kryhet nëpërmjet rishikimit periodik të strukturës së Forcave të Armatosura në varësi të situatave dhe zhvillimeve në mjedisin e sigurisë. Aftësia mbrojtëse e tërësisë territoriale dhe pavarësia e vendit mbeten shprehje e vullnetit të popullit për të siguruar vetveten pa kërcënuar vendet e tjera.
16.6 Lufta kundër terrorizmit. Lufta kundër terrorizmit angazhon drejtpërdrejt të gjitha strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Forcave të Armatosura. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me organizmat e specializuar ndërkombëtarë, strukturat përkatëse do të punojnë në drejtim të pasurimit dhe përmirësimit të bazës ligjore dhe në ristrukturimin e organeve të specializuara. Objektivi i tyre është efikasiteti maksimal në luftën kundër terrorizmit.
16.7 Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të vazhdojnë të jenë në qendër të veprimtarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Institucionet ligjore shqiptare kanë për detyrë të ndërveprojnë mes tyre në mënyrë efikase. Zbatimi i ligjit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përbën një element të rëndësishëm të sigurisë së Republikës të Shqipërisë.

PJESA E DYTË
KUADRI STRATEGJIK I SIGURISË

III. MJEDISI I SIGURISË
17. Zhvillimet botërore dhe rajonale në fillim të mijëvjeçarit të ri sollën një epokë të re në mjedisin strategjik ndërkombëtar të sigurisë. Këto zhvillime kanë ndikuar ndjeshëm në ndryshimin e politikës dhe mjedisit të sigurisë.
18. Trafiku i qenieve njerëzore, i armëve dhe i lëndëve narkotike, organizatat kriminale, krimi i organizuar, terrorizmi dhe përhapja e armëve të shkatërrimit në masë po shfaqen gjithnjë e më shumë si fenomene dhe sfida transnacionale, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm në sigurinë, paqen dhe stabilitetin e vendeve. Këto veprimtari të jashtëligjshme e kanë zgjeruar gjeografinë e veprimit të tyre, duke kaluar përmasat e kufijve shtetërorë.
19. Prania e rrezikut nga këto fenomene ka bërë të domosdoshme përqasje gjithëpërfshirëse në politikat për sigurinë dhe stabilitetin, duke marrë në konsideratë të gjitha aspektet: politike, ushtarake, ekonomike, njerëzore, sociale, mjedisore, të informacionit etj.
20. Kompleksiteti dhe karakteri ndërshtetëror i këtyre fenomeneve theksojnë rëndësinë e një
veprimi kolektiv dhe domosdoshmërinë e ndërtimit të masave të mirëbesimit të ndërsjellë.
21. Përfshirja e shteteve të Europës Qendrore e Lindore në institucionet ndërkombëtare, nxitja e nismave rajonale, proceset e partneritetit, bashkëpunimi, dialogu, transparenca, si dhe ndërtimi i masave të përbashkëta të sigurisë, janë rrugët më efektive për një mjedis të ri sigurie.
22. Zhvillimet historike e kanë identifikuar Ballkanin si një zonë me konflikte dhe tensione të shpeshta. Duke zënë një pozicion të rëndësishëm gjeostrategjik, si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, historikisht ky rajon është përfshirë në konfiguracionin e influencave dhe të interesave të fuqive të ndryshme botërore, çka jo pak herë ka ndikuar që ai të kthehet në truall ballafaqimesh dhe konfliktesh. Nga ana tjetër, arsyet e krizave të shumta që kanë karakterizuar këtë pjesë të Europës shpjegohen edhe me faktin e ndarjeve etnike, përzierjes së kulturave të ndryshme dhe bashkësive fetare, prapambetjes në zhvillimin ekonomik, kulturor e demokratik.
23. Konfliktet ballkanike të viteve' 90 e kanë ekspozuar më tepër rajonin para sfidave dhe kërcënimeve të reja dhe kanë bërë që ai të vihet vazhdimisht në qendër të fenomeneve, si: trafiku i qenieve njerëzore, i armëve dhe lëndëve narkotike, krimi i organizuar dhe terrorizmi, rreziqe këto potenciale për stabilitetin dhe paqen në rajon. Për rrjedhojë, ai është përdorur shpesh si urë për aktivitete të paligjshme nga vende problematike dhe të origjinës për në vendet e destinacionit - në BE apo më tej.
24. Si shume vendeve të tjera të ish-bllokut lindor, Republikës së Shqipërisë i është dashur të përballet me pasojat e sistemit totalitar dhe transicionit. Kriza e vitit 1997, si dhe kriza humanitare që erdhi si rezultat i konfliktit në Kosovë lanë gjurmët e tyre dhe ndikuan në rëndimin e mjedisit të brendshëm të sigurisë. Këto kërkuan kohën e nevojshme për neutralizim dhe tejkalim.
25. Faktori shqiptar në Ballkan është i një rëndësie të dorës së parë, duke bërë që kontributi dhe roli i Republikës së Shqipërisë të jetë mjaft i rëndësishëm në krijimin e një atmosfere harmonie, të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit reciprok në interes të paqes, prosperitetit dhe integrimit sa më të shpejtë të rajonit tonë në familjen europiane.
26. Republika e Shqipërisë ka marrë dhe po merr masa të vazhdueshme në funksion të forcimit të mjedisit të sigurisë së brendshme. Plotësimi i standardeve për integrimin në strukturat europiane e euroatlantike kërkon angazhimin maksimal e në vazhdimësi të strukturave shtetërore në zbatimin e një vargu detyrash të rëndësishme, siç janë:
- Forcimi i shtetit ligjor dhe i institucioneve demokratike;
- Ristrukturimi dhe modernizimi i Forcave të Armatosura, forcimi i kontrollit civil
demokratik të tyre;
- Zhvillimi i mëtejshëm i ekonomisë dhe rritja e standardeve të jetesës;
- Zgjidhja në afate optimale e problemeve jetike të popullsisë;
- Bashkëpunimi i ngushtë pozitë-opozitë për çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare;
- Thellimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare;
- Bashkëpunimi i ngushtë me organizatat ndërkombëtare dhe vendet fqinje në luftën kundër
trafiqeve të paligjshme;
- Angazhimi i vazhdueshëm në procesin e kontrollit të armëve dhe çarmatimit.
IV. KËRCËNIMET DHE RREZIQET PËR SIGURINË
27. Me mbarimin e luftës së ftohtë zhvillimet gjeopolitike dhe gjeoekonomike kanë nxjerrë në pah kërcënime dhe rreziqe të reja për interesat dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Rreziqet dhe kërcënimet e sotme karakterizohen nga natyra të ndryshme dhe vështirësia e parashikimit. Me gjithë vështirësitë e përcaktimit të një vije të qartë ndarjeje, ato mund të klasifikohen në kërcënime e rreziqe me natyrë të brendshme, transnacionale dhe globale.
28. Kërcënimet dhe rreziqet e brendshme:
28.1 Krimi i organizuar në vend, duke u perfeksionuar dhe profesionalizuar, është rrezik për
shoqërinë dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Shpërpjesëtimet ndërmjet instrumenteve të pamjaftueshme për të zbuluar, luftuar e ndëshkuar krimin dhe përmasat e tendencat që ka zhvillimi i krimit, përbëjnë rrezik real për të sotmen dhe të ardhmen e sigurisë së Republikës të Shqipërisë.
28.2 Destabiliteti politik është rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e interesave kombëtarë. Përvoja e deritanishme e demokracisë në Shqipëri provon se destabiliteti politik ka qenë i pranishëm në mjedisin e brendshëm. Ky fenomen rrezikon mosfunksionimin e mirë të institucioneve, mungesën e paqes sociale e të qetësisë publike, mosarritjen e konsensusit politik për çështje shumë të rëndësishme të vendit dhe cenon prestigjin e Shqipërisë në kuadrin ndërkombëtar. Stabiliteti politik është një çështje jetike për shoqërinë shqiptare.
28.3 Zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik dhe mosplotësimi i nevojave elementare jetike krijojnë paqëndrueshmëri për sigurinë dhe jetën e njerëzve në Republikën e Shqipërisë. Fenomenet negative që rrjedhin prej tyre, si kontrabanda dhe korrupsioni sjellin ngadalësimin e reformave, de formimin e tyre, stimulimin e papunësisë, trafiqeve dhe krimit të organizuar.
28.4 Emigracioni i paligjshëm i qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të tjera përbën rrezik për kombin shqiptar, zhvillimin e vendit dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Efektet e këtij fenomeni shprehen në humbje jetësh, rrjedhjen e pakontrolluar të inteligjencies shqiptare, plakjen artificiale të popullsisë, mungesën e dëshirës për të punuar dhe forcimin e ndjenjës së largimit nga vendlindja.
28.5 Fatkeqësitë natyrore përfaqësojnë një rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësitë natyrore më të mundshme janë tërmetet, fatkeqësitë gjatë periudhës së dimrit, si përmbytjet, rrëshqitjet masive, zjarret masive në pyje, epidemitë e ndryshme. Fatkeqësitë mund të vijnë edhe nga veprimtaria njerëzore, siç janë aksidentet industriale, tokësore, ajrore e detare, pasojat që mund të shkaktojnë veprimet kriminale dhe terroriste etj.
28.6 Në aspektin e sigurisë, problemet demografike paraqesin një shqetësim serioz në Republikën e Shqipërisë. Lëvizjet e pakontrolluara të popullsisë, kryesisht nga zonat rurale të vendit drejt qendrave urbane, kanë krijuar shpërpjesëtim të konsiderueshme jo vetëm në drejtim të mbipopullimit, por edhe të largimit të njerëzve nga zonat që, për sot dhe për të ardhmen, do të kenë nevojë për burime njerëzore.
28.7 Dezinformimi i opinionit publik favorizon destabilitetin. Informacionet e pasakta krijojnë në mënyrë të qëllimshme, ose jo, situata pasigurie, frike e tensioni të panevojshëm dhe shpesh mund të çojnë në reagime publike dhe marrje vendimesh të padrejta. Si i tillë dezinformimi i opinionit publik përbën rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë.
28.8 Zhvillimi i pamjaftueshëm i arsimit, shkencës dhe kulturës përbën rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Burimet njerëzore të specializuara, kapacitetet shkencore dhe prezantimi me vërtetësi i kulturës dhe traditës sonë, janë kusht themeltar për zhvillimin, prosperitetin dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar.
29. Kërcënimet dhe rreziqet me karakter transnacional përfshijnë në vetvete rreziqet rajonale dhe ato të jashtme:
29.1 përdorimi i forcës ushtarake ose formave të tjera që vënë në rrezik sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e vendit përbëjnë rrezik për Republikën e Shqipërisë.
29.2 Destabilizimi i rajonit nëpërmjet ringjalljes së dëshirës për realizimin e ndjenjave nacionaliste dhe e zhvillimit të konflikteve etnike përbën rrezik transnacional ndaj sigurisë së Republikës të Shqipërisë.
29.3 Terrorizmi si mjet ekstrem i dhunës, përbën një rrezik real me karakter transnacional për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Si një rrezik ndërkombëtar, terrorizmi ka marrë shtrirje të gjerë gjeografike. Pozita gjeostrategjike e Shqipërisë përbën një element më shumë që vendi të përdoret si bazë logjistike, vepruese e ndërlidhëse për grupet terroriste. Grupet militante dhe ekstremiste, të cilat përdorin dhunën për të realizuar objektivat politikë, janë një rrezik serioz për sigurimin e jetës së qytetarëve dhe funksionimin e shtetit në Republikën e Shqipërisë.
29.4 Krimi i organizuar përbën rrezik të drejtpërdrejtë me karakter transnacional për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Perfeksionimi i metodave dhe mjeteve të përdorura prej tij, shtrirja e tij gjeografike rajonale e më gjerë, forcimi i vazhdueshëm ekonomik, përbëjnë një rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë.
29.5 Trafiqet e paligjshme janë rrezik me karakter transnacional për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Pozita gjeografike e Shqipërisë, kushtet e vështira ekonomike dhe sociale, papunësia, varfëria, humbja e besimit nga shtresat e popullsisë, niveli i ulët arsimor, përbëjnë parakusht, që rajoni dhe në mënyrë veçantë vendi ynë, të kthehen në burim dhe bazë të favorshme logjistike, vepruese e ndërlidhëse për trafikantët.
30. Rreziqet me karakter global përbëjnë një sfidë reale për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare:
30.1 Përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe e lëndëve radioaktive përbëjnë një rrezik me karakter global që mund të prekë edhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë.
30.2 Ndotja e mjedisit dhe sëmundjet me karakter masiv janë një rrezik global me tendencë
në rritje për jetën e njerëzve dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Shkaqet për ndot jen e mjedisit janë të ndryshme, si: industriale (të shkaktuara nga mbetjet e uzinave e mjeteve të transportit), teknologjike (të shkaktuara nga aksidentet teknologjike), biologjike, kimike (të shkaktuara nga shpërndarja e mbetjeve e materialeve toksike). Ato shkaktohen, gjithashtu, nga pakujdesitë e njerëzve, nga tregtimi i ushqimeve të pakontrolluara etj.
30.3 Reduktimi i burimeve hidrike është një rrezik real me karakter global dhe tendencë në rritje. Ndryshimi i klimës dhe kushteve atmosferike, përdorimi jo me efektivitet i tyre, rritja e popullsisë botërore, zhvillimi i mëtejshëm i shoqërisë, evidentojnë pamjaftueshmërinë e burimeve ujore si një rrezik global për sigurinë e shoqërisë.
V. INTERESAT KOMBËTARE
31. Përcaktimi i interesave kombëtarë është vendimtar për zhvillimin e sigurisë së vendit.
Ata i japin pushtetit politik përgjegjësi, legjitimitet dhe besueshmëri për vënien në funksionim të shtetit demokratik, sipas normave ndërkombëtare. Si një sistem unik ndërvarësie mes pushtetit, shoqërisë e qytetarëve, shteti udhëhiqet në thelb nga përcaktimi dhe realizimi i interesave kombëtarë.
32. Pushteti politik e ka për detyrë sublime përcaktimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtarë. Ky angazhim duhet të shoqërohet me kërkimin dhe sigurimin e konsensusit të gjerë nëpërmjet debatit publik. Jo çdo interes kombëtar (me përjashtim të interesave të mbijetesës) mund të jetë edhe interes i përbashkët ose në interes të të gjithëve. Në këtë kuptim, unanimiteti për përcaktimin dhe realizimin e interesave kombëtarë nuk është domosdoshmëri, por pranimi dhe konsensusi është rregull që duhet zbatuar me konsekuencë në një sistem demokratik.
33. Garantimi i interesave jetikë, siç janë ushtrimi i sovranitetit, mbrojtja e pavarësisë dhe e integritetit territorial të vendit, mbrojtja e rendit kushtetues, mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e lirive e të drejtave themelore të njeriut, zhvillimi ekonomik, mbrojtja e pasurive dhe e vlerave përbën bazën e sigurisë së Republikës të Shqipërisë.
34. Interesat kombëtarë dhe shtrirja kohore e realizimit të tyre janë të lidhura organikisht me sigurinë. Thelbin e realizimit të interesave kombëtarë e përbëjnë përgjegjshmëria, legjitimiteti dhe ndershmëria e pushtetit politik për t'i shërbyer kombit e shtetit të vet, pavarësisht nga koha e qëndrimit në pushtet. Kjo e zbut dhe e mënjanon kontradiktën që mund të ekzistojë ndërmjet kohës që ka një qeverisje dhe kohës që i duhet për të realizuar interesat kombëtarë.
35. Përcaktimi i interesave të tjerë ndihmon në përcaktimin e zgjidhjeve strategjike për
sigurinë e vendit, në përputhje me rreziqet, nevojat dhe objektivat që duhen arritur. Interesa të tillë janë: programimi i proceseve të integrimit në BE, NATO dhe struktura e organizma të tjerë euroatlantikë, nxitja dhe pjesëmarrja në zhvillimin e proceseve të stabilitetit rajonal, zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe me shtetet fqinje dhe partnerët, zgjidhja e problemeve sociale e të mbrojtjes së mjedisit etj.

PJESA E TRETE
ELEMENTET E FUQISË KOMBËTARE

36. Sigurimi i vendit kërkon zbatimin e një politike shumëdimensionale, në funksion të mbrojtjes së interesave kombëtarë ndaj rreziqeve të mundshme. Asnjë politikë nuk mund të jetë e suksesshme në përballimin e sfidave të sotme dhe të ardhshme, pa koordinimin efikas dhe rritjen e kapaciteteve të të gjitha elementeve të fuqisë kombëtare. Përgatitja dhe zhvillimi i sigurisë së vendit nuk mund të kufizohet vetëm në efektivitetin e një drejtimi të caktuar. Parakusht është përgatitja në të gjitha drejtimet. Kjo përqasje mundëson rritjen e aftësisë për t'iu përgjigjur spektrit të gjerë të krizave të mundshme në kohë dhe me efektivitet.
VI. DIPLOMACIA
37. Diplomacia është instrumenti më i rëndësishëm për krijimin e një mjedisi ndërkombëtar
të përshtatshëm për parandalimin e krizave e të konflikteve dhe zgjidhjen e tyre me mjete paqësore. Nëpërmjet saj sigurohet dialogu politik i vazhdueshëm, që synon thellimin e bashkëpunimit me fqinjët, partnerët dhe institucionet ndërkombëtare. Politika e integrimit në strukturat euroatlantike, europiane dhe rajonale përbën objektivin dhe zgjidhjen strategjike themelore për sigurinë e vendit dhe mbrojtjen e interesave kombëtarë. Shkalla e suksesit në realizimin e kësaj politike varet nga arritja e stabilitetit të brendshëm dhe e konsolidimit të institucioneve demokratike të vendit, duke e afirmuar Republikën e Shqipërisë në vazhdimësi si një faktor progresi e kontribuese në proceset e sigurisë rajonale dhe globale.
38. Republika e Shqipërisë i kushton një rëndësi parësore zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Bashkimin Europian. Qeveria Shqiptare e konsideron integrimin europian dhe euroatlantik si një proces shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit. Në bashkëpunim të ngushtë me vendet e tjera të rajonit, të përfshira në Procesin e Stabilizim-Asociimit, Republika e Shqipërisë po punon për arritjen e standardeve europiane dhe ndjekjen e shembullit të 10 anëtarëve të rinj nga Europa Qendrore dhe Lindore, të cilat nënshkruan Traktatin e Aderimit në Bashkimin Europian. Vendi ynë mbështet rritjen e rolit të BE-së në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në zbatim të politikës europiane të sigurisë dhe mbrojtjes, duke shprehur bindjen se ajo është një element komplementar i Aleancës së Atlantikut të Veriut.
39. Integrimi euroatlantik është një ndër shtyllat kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Ky fakt është dëshmuar tashmë qartë nga ecuria e marrëdhënieve Shqipëri - NATO gjatë viteve' 90 e këtej, nga bashkëpunimi i ngushtë dhe specifik që Shqipëria ka arritur të ketë me Aleancën Atlantike, si dhe mbështetja e plotë e pa rezerva që ajo i ka dhënë veprimtarisë politike dhe ushtarake të Aleancës në rajon. Vendi ynë është treguar aktiv në mbështetje të zgjerimit të Aleancës në Europën Juglindore, duke e konsideruar atë një proces të natyrshëm, që jo vetëm do të forcojë krahun juglindor të NATO-s, por edhe do të ndihmojë në forcimin e demokracisë, paqes, stabilitetit, ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor në këtë zonë.
40. Roli dhe kontributi i SHBA-së në konsolidimin e demokracisë, të institucioneve të shtetit ligjor, si dhe në luftën kundër krimit dhe forcimin e sigurisë në Shqipëri kanë qenë dhe mbeten thelbësorë. Në një plan më të gjerë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një ndihmesë të pazëvendësueshme në drejtim të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon, e cila kulmon me ndërhyrjen e vendosur të NATO-s dhe zgjidhjen e konfliktit në Kosovë.
41. Republika e Shqipërisë e konsideron politikën rajonale si një ndër përparësitë e saj bazë. Përmes aplikimit të frymës së dialogut e të mirëkuptimit me të gjithë faktorët rajonalë, politika e saj e jashtme ka synuar promovimin e imazhit të një Shqipërie si faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ndër të tjera, kjo ka gjetur shprehje edhe në mesazhet moderuese dhe konstruktive që ajo ka përcjellë te bashkëkombasit e saj, fakt ky i vlerësuar edhe nga faktori ndërkombëtar.
42. Me politikën e saj të jashtme Republika e Shqipërisë ka synuar shkëputjen nga konteksti i trazuar i viteve '90 dhe trashëgimia konfliktuale ballkanike, për t'u përqendruar në proceset e rëndësishme të bashkëpunimit kolektiv në nivel rajonal dhe më gjerë. Motoja e saj ka qenë gjenerimi i sinergjive të përbashkëta për integrimin rajonal e euroatlantik, për krijimin e rrjeteve të ndërlidhura ekonomike me synim krijimin e një tregu të integruar rajonal të tregtisë së lirë, të energjisë, infrastrukturës rrugore etj. Të gjitha këto do të ndikojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit të sigurisë në rajon.
43. Për diplomacinë shqiptare, është e natyrshme ndjekja me përparësi dhe vëmendje e zhvillimeve në Kosovë, e ecurisë së marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me të, si dhe e përfshirjes së saj në proceset integruese europiane. Në këtë kontekst, qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet kurdoherë respektimi i plotë i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përmbushja e standardeve të përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar përpara statusit përfundimtar. Ndërkohë Republika e Shqipërisë mbetet e palëkundur në qëndrimin se statusi përfundimtar i Kosovës është çështje që i përket popullsisë së saj dhe bashkësisë ndërkombëtare që e administron atë, sikurse vazhdon të shprehet e bindur se pa zgjidhjen përfundimtare të këtij statusi, nuk mund të ketë stabilitet dhe integrim rajonal.
Në këtë kuptim, për sigurimin strategjik të shtetit dhe gjithë shoqërisë shqiptare do të kishte një rëndësi themelore zgjidhja e shpejtë, përfundimtare dhe demokratike e statusit të Kosovës, si dhe përfshirja e saj si entitet më vete në proceset integruese në drejtim të strukturave euroatlantike.
VII. MBROJTJA E RENDIT DHE E SIGURISË PUBLIKE
44. Ndërtimi dhe funksionimi normal i institucioneve demokratike shtetërore dhe i shtetit
ligjor janë rrugët më efektive për arritjen e stabilitetit e të sigurisë së brendshme. E gjithë veprimtaria shtetërore, e shoqërisë dhe e individit duhet të përshkohen nga zbatimi me korrektësi i ligjit. Qytetari, shoqëria dhe shteti përbëjnë një unitet të përhershëm të ekzistencës së Shqipërisë, të cilët duhet të respektojnë detyrimet përkatëse. Realizimi dhe mbrojtja e interesave të tyre, të shprehura në Kushtetutë e në ligje, është detyrë e institucioneve demokratike shtetërore. Të gjitha këto përbëjnë strukturën e sigurisë së Republikës së Shqipërisë, ndërsa Kushtetuta është elementi thelbësor i kësaj strukture.
45. Konsolidimi i demokracisë dhe i stabilitetit të brendshëm do të arrihet paralelisht me rritjen e aftësisë ekzekutive të organeve juridike për të goditur krimin në të gjitha natyrat e shfaqjes së tij. Kjo kërkon programimin dhe unifikimin e strategjive përkatëse dhe një bashkëveprim efikas në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
46. Ndërtimi dhe funksionimi i organizmave ndërministrorë për të luftuar krimin, drogën, kontrabandën, korrupsionin e trafiqet e ndryshme, rritja e efektivitetit të strukturave të policisë për parandalimin e tyre dhe mbrojtjen e rendit publik, si dhe rritja e bashkëpunimit me administratën publike dhe shoqërinë përbëjnë drejtimet kryesore të një strukture efektive të policisë në realizimin e misionit të saj.
47. Lufta kundër kriminalitetit dhe trafiqeve mbetet përparësia kryesore në punën e Policisë së Shtetit. Reformimi dhe modernizimi i strukturave të policisë janë kushte të domosdoshme për të garantuar me efikasitet përmbushjen e misionit dhe detyrave të saj kushtetuese.
48. Sigurimi dhe shkëmbimi i informacionit të nevojshëm për parandalimin e krimit e të krizave të brendshme. Ne. nuk mund të përjashtojmë mundësinë e ekzistencës së grupeve kriminale dhe të trazirave publike. Bazë për zbulimin dhe parandalimin në kohë të tyre është funksionimi i një sistemi modern të Shërbimit Informativ Shtetëror.
49. Për mbrojtjen dhe ruajtjen e kufijve shtetërorë. Kontrolli dhe menaxhimi i integruar i kufijve mbetet detyrë parësore në funksion të parandalimit të krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve.
50. Roli aktiv në bashkëpunimin ndërkombëtar në luftë kundër krimit të organizuar. Bashkëpunimi me fqinjët në shkëmbimin e informacioneve, në programet e menaxhimit të përbashkët të kufijve, në programet e trajnimit, si dhe instalimi i teknologjive moderne për një komunikim të shpejtë me partnerët e institucionet ndërkombëtare, do të mundësojë rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit dhe rritjen e sigurisë së brendshme. Marrja e këtyre masave nuk do të lejojë që Republika e Shqipërisë të kthehet në pikë hyrjeje për emigrantët ilegalë dhe në terren për zhvillimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të çdo lloji.
51. Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe mbrojtja e pronës janë garanci për funksionimin normal të shtetit ligjor. Ndërtimi i shoqërisë civile demokratike ka në themel respektin për njeriun e pronën. Zhvillimi i institucioneve shtetërore demokratike, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe parandalimi i dhunës e i veprimeve të tjera, që përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut, do të jenë objekt kryesor i përpjekjeve tona në mbrojtje të Kushtetutës.
VIII. POLITIKA EKONOMIKO-FINANCIARE
52. Zhvillimi i politikave efikase ekonomiko-financiare për vënien në jetë të strategjisë së
zhvillimit ekonomik e social të vendit garanton sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm dhe plotësimin e interesave të qytetarëve. Përparësi mbetet zhvillimi i procesit të integrimit rajonal e europian, si dhe thellimi i reformave strukturore ekonomike.
53. Në këtë drejtim objektivat kryesorë janë:
53.1 Konsolidimi i mëtejshëm i stabilitetit makroekonomik të vendit dhe krijimi i kushteve
lehtësuese ligjore për thithjen e investimeve të huaja.
53.2 Lidhja e marrëveshjeve dhe zbatimi i projekteve strategjike të përbashkëta partneriteti.
53.3 përmirësimi cilësor i klimës së biznesit për rritjen e investimeve me sipër e private
në infrastrukturë dhe teknologji, duke u mbështetur më fuqimisht nga sektori bankar e financiar, për të rritur nivelin e punësimit dhe për të përmirësuar bilancin tregtar e financiar të vendit.
53.4 Konsolidimi i të drejtave pronësore, vazhdimi i procesit të privatizimit në sektorët
strategjikë të ekonomisë.
53.5 Nxitja e zhvillimeve më dinamike të degëve me rezultate ekonomike më të larta dhe më të shpejta, duke synuar, krahas të tjerave, zbutjen e pabarazisë ekonomike të zonave rurale brenda vendit dhe reduktimin e varfërisë.
53.6 Forcimi i shtetit ligjor në funksion të përmirësimit të administrimit tatimor dhe doganor. Kjo ndikon në uljen e evazionit fiskal dhe në menaxhimin e drejtë të shpenzimeve publike, në kufizimin e shkallës së korrupsionit dhe rritjen e transparencës.
53.7 Realizimi i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë kërkon shpërndarjen optimale të burimeve ekonomiko-financiare, duke i dhënë përparësi stabilitetit të brendshëm, si dhe krijimit të rezervave të nevojshme në mbështetje të politikave shtetërore për përmbushjen e misionit kushtetues në fushën e sigurisë kombëtare.
IX. MBROJTJA CIVILE
54. Çështjet e mbrojtjes civile kërkojnë një vlerësim sa më real, bazuar në rreziqet që
kërcënojnë popullsinë, pronën, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore të vendit. Shqipëria tashmë ka një strukturë të plotë institucionale dhe ligjore për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me emergjencat civile, të cilat mund të shkaktohen nga faktorë natyrorë dhe dora e njeriut. Ngritja e kapaciteteve reaguese, operacionale në nivele të ndryshme është domosdoshmëri. Ballafaqimi i vendit në vitet e fundit me disa fenomene, si përmbytjet masive, fatkeqësitë dimërore, rrëshqitjet e tokës, zjarret masive etj., parashtrojnë nevojën e rritjes së përgjegjësisë për një organizim më të plotë dhe funksionim më të mirë të këtyre strukturave të ngritura në pushtetin qendror dhe vendor, për të bërë të mundur parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin e dëmtimeve që mund të prekin popullatën, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin. Bashkërendimi i veprimtarisë së këtyre strukturave me organizmat joqeveritarë dhe bashkëveprimi në kuadrin ndërkombëtar, do të mundësojnë një nivel më të lartë dhe më cilësor organizativ, përgatitje dhe efektshmëri në realizimin e detyrave. Vlerësimi i rreziqeve për pesë fatkeqësitë kryesore që mund të godasin vendin tonë: tërmeti, përmbytja, rrëshqitja, zjarret në pyje dhe epidemitë e mundshme, do të shërbejë si bazë për përmirësimin e Planit Kombëtar për Përballimin e Emergjencave Civile në Shqipëri. Hartimi i këtij Plani është në proces.
X. MJEDISI DHE SHËNDETI
55. Mbrojtja e mjedisit, shfrytëzimi i qëndrueshëm i burimeve mjedisore, si dhe mbrojtja e
shëndetit publik mbeten përparësi strategjike e sigurisë së Republikës të Shqipërisë. Vështirësitë që hasen në drejtimet e mësipërme mund të pengojnë projektet për zhvillim dhe mund të përbëjnë rrezik dhe pasiguri për jetën.
56. Synimi kryesor për mjedisin është dhe do të jetë parandalimi i fenomeneve negative dhe krijimi i premisave për futjen në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Reduktimi i ndotjes së mjedisit nga burimet ekzistuese, si dhe parandalimi i sëmundjeve epidemike dhe masive në fushën e shëndetësisë do të mundësojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.
57. Nëpërmjet financime ve të posaçme, sensibilizimit të opinionit publik dhe zgjerimit të programeve të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të arrihen standardet e kërkuara për rritje të aftësive të brendshme në këto fusha.
XI. MARRËDHËNIET ME OPINIONIN PUBLIK
58. Transparenca në informimin ,e publikut dhe sigurimi i konsensusit për zgjidhjet
strategjike dhe shtimin e burimeve për sigurinë kombëtare shihen si vendimtare për suksesin e strategjisë së sigurisë. Institucionet shtetërore përkatëse do të synojnë procedura të bazuara në ligj për dhënien e informacionit dhe nuk do të lejojnë që informacioni të përdoret për qëllime mashtrimi dhe të manipulimit të opinionit publik.
59. Çështjet e përparësisë së zgjidhjeve strategjike dhe të shtimit të burimeve të sigurisë do t'i nënshtrohen debatit dhe marrjes së pëlqimit të opinionit publik. Taksapaguesve shqiptarë do t'u sigurohet marrja e informacionit të duhur për përdorimin e burimeve nga ana e strukturave shtetërore përkatëse. Kjo përqasje do të ndihmojë në krijimin e besimit dhe të kuptuarit më mirë të përparësive strategjike që duhen ndjekur për të realizuar objektivat dhe interesat kombëtarë. Sistemi i sigurisë së vendit do t'i bindë dhe do të jetë i besueshëm për qytetarët për qëllimet dhe efektivitetin e tij.
XH. POLITIKA E MBROJTJES
60. Objektivi strategjik i politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë është integrimi në
strukturat europiane dhe euroatlantike të sigurisë, objektiv i cili tashmë ka jo vetëm mbështetjen e plotë të publikut shqiptar, por edhe atë të të gjithë spektrit politik në vendin tonë. Në këtë kuadër, Shqipëria e konsideron integrimin e saj në NATO jo vetëm si një faktor të sigurisë, por edhe si një investim të rëndësishëm afatgjatë drejt integrimit euroatlantik të vendit.
61. Politika e mbrojtjes është pjesë e rëndësishme aktive e sistemit të sigurisë kombëtare, e cila merr në konsideratë mjedisin strategjik, avantazhet dhe sfidat, rreziqet e kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare. Ajo përpunon koncepte dhe përcakton objektiva për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
62. Objektivat themelorë të politikës së mbrojtjes janë sigurimi i kapaciteteve mbrojtëse:
- për të siguruar ruajtjen e sovranitetit, pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Republikës së Shqipërisë, mbrojtjen e popullsisë në kohë paqeje, krize dhe lufte, si dhe mbrojtjen e interesave kombëtarë;
- për të mbështetur objektivat e politikës së jashtme të Qeverisë, veçanërisht për integrimin
e vendit në strukturat euroatlantike dhe promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
63. Reformat në fushën e mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë synojnë krijimin e një force të armatosur më të vogël në numër, por më operacionale dhe profesioniste, e aftë për të përmbushur misionet e saj kushtetuese dhe të jetë e ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të aleancës.
64. Rolet dhe misionet e Forcave të Armatosura përcaktohen në përshtatje me zhvillimet e mjedisit strategjik të sigurisë, objektivit strategjik të integrimit në NATO dhe rritjes së pjesëmarrjes e kontributit të tyre në operacionet ndërkombëtare të mbështetjes së paqes.
65. Forcat e Armatosura, në përmbushjen e misioneve dhe detyrave të tyre, respektojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, konventat dhe traktatet ndërkombëtare, si dhe ligjet që burojnë prej tyre.
66. Prania e NATO-s, e SHBA-së dhe e BE-së në rajon krijon premisa pozitive për zhvillimin e reformave transformuese në sistemin e sigurisë së vendit, duke përfshirë dhe zhvillimin me sukses të reformave në fushën e mbrojtjes për riorganizimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
67. Republika e Shqipërisë kërkon që Forcat e Armatosura të jenë të afta për të frenuar një sulm ushtarak kundër territorit, infrastrukturës ose institucioneve të saj. Në rastin kur frenimi i armikut do të dështojë, Forcat e Armatosura duhet të jenë të afta t'i kundërpërgjigjen rrezikut deri në zgjidhjen e krizës, me ndërhyrjen edhe të komunitetit ndërkombëtar.
68. Përballimi i rreziqeve asimetrike të terrorizimit, krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të brendshme do të realizohet nëpërmjet bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë ndërmjet Forcave të Armatosura, Forcave të Ruajtjes së Rendit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.
69. Forcat e Armatosura duhet të sigurojnë kapacitetet e nevojshme në përputhje me ligjin, që kur të kërkohen, të mbështesin autoritetet civile në rast emergjence, që mund të vijnë nga katastrofat natyrore, si tërmetet ose përmbytjet ose nga fatkeqësitë e shkaktuara nga dora e njeriut.
70. Politika e mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë nxit pjesëmarrjen aktive të vendit tonë në institucionet dhe nismat rajonale dhe ndërkombëtare. Nëpërmjet Këshillit të Partneritetit Euroatlantik dhe programeve për partneritetin për paqe dhe zgjerimit të marrëdhënieve bilaterale me vendet anëtare të NATO-s e ato partnere, Shqipëria kërkon të ndërtojë marrëdhënie më të forta me Aleancën. Zgjerimi dhe intensifikimi i veprimtarive të diplomacisë ushtarake dhe të armëkontrollit përbëjnë instrumentet kryesore për realizimin e synimeve të mësipërme.
71. Synimi i të vepruarit në mënyrë efektive në kohë paqeje, krize e lufte dhe përdorimi i instrumentit ushtarak në mënyrë të nevojshme e të ligjshme kërkon një metodë të unifikuar, të integruar e sinergjike në fushën doktrinore, të planifikimit, të komandimit e të menaxhimit të Forcave të Armatosura. Theks i veçantë duhet vënë në sistemin e komandimit, të drejtimit, të komunikimit, të kompjuterizimit dhe të zbulimit. Gjithashtu, kërkohet t'i kushtohet më shumë vëmendje lëvizshmërisë së trupave dhe përdorimit efektiv të tyre, mbështetjes logjistike dhe mbrojtjes së forcave.
72. Zhvillimi dhe modernizimi i Forcave të Armatosura do të vazhdojë të realizohet në bazë të planit afatgjatë 2002-2010. Buxheti i mbrojtjes do të sigurojë mbështetjen financiare për realizimin e objektivave të caktuar. në strategjinë ushtarake.
73. Përmbushja e detyrimeve të Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP), realizimi i Programit Individual të Partneritetit (IPP), kryerja e Procesit të Planifikimit dhe Rishikimit të Forcës (P ARP), plotësimi i Objektivave të Partneritetit (PG), pjesëmarrja aktive në stërvitjet e përbashkëta dhe në operacionet e mbështetjes së paqes, janë urat që shkurtojnë rrugën drejt integrimit të vendit tonë në strukturat e NATO-s.
74. Politika e mbrojtjes realizon integrimin e faktorëve politikë dhe ushtarakë për arritjen e
objektivave të mëposhtëm:
74.1 Në fushën politike:
74.1.a hartimi i strategjisë ushtarake, i politikave dhe i programeve për mbrojtjen, në
përputhje me kërkesat aktuale dhe perspektive të sigurisë së vendit;
74.1. b ndihma në uljen e armiqësive e tensioneve dhe ndërtimin e mirëbesimit dhe të
mirëkuptimit, nëpërmjet diplomacisë ushtarake;
74.1.c sigurimi i drejtimit strategjik të qartë dhe në kohën e duhur për pjesëmarrjen e Forcave Ushtarake të Republikës së Shqipërisë në parandalimin e konflikteve, menaxhimin e krizave dhe zhvillimin e operacioneve;
73.1.ç alokimi i burimeve në dispozicion të mbrojtjes, në mënyrë të atillë që të rrisë në
maksimum kapacitetet ushtarake dhe të ardhurat e vetë Ministrisë;
74.1.d inkurajimi i forcës konkurruese të furnizuesve për sektorin e mbrojtjes.
74.2 Në fushën ushtarake:
74.2.a bashkimi në ë forcë të përbashkët moderne i komponentëve ushtarakë tokësorë, detarë dhe ajrorë, nën komandën e unifikuar të Shtabit të Përgjithshëm, plotësisht të aftë për arritjen e objektivave strategjikë kombëtarë;
74.2.b zhvillimi e mbajtja e personelit të nevojshëm të motivuar, kompletimi, stërvitja dhe pajisja e tij, në përputhje e në zbatim të kërkesave të Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë, për të arritur nivelin e kërkuar të gatishmërisë luftarake, me qëllim realizimin e misioneve e detyrave të caktuara.

PJESA E KATËRT
UDHËHEQJA E STRATEGJISË SË SIGURISË SË REPUBLIKËS
SË SHQIPËRISË

XIII. BAZAT KUSHTETUESE TË UDHËHEQJES
75. Në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kuvendi, Presidenti dhe Këshilli i
Ministrave kanë përgjegjësitë dhe të drejtat e tyre, në lidhje me çështjet e sigurisë kombëtare.
76. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është organi i vetëm që miraton ligje në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Kuvendi ka kompetenca kushtetuese për shpalljen e gjendjes së luftës, të gjendjes së jashtëzakonshme, mobilizimit të pjesshëm e të përgjithshëm, për ratifikimin e marrëveshjeve dhe shqyrtimin, menaxhimin e miratimin e buxhetit e të politikave shtetërore.
77. Funksioni i kontrollit demokratik parlamentar ushtrohet nëpërmjet formave ligjore, drejtpërdrejt nga Kuvendi dhe komisionet përkatëse. Në këtë kuadër, veprimtaria e tij ndaj organeve ekzekutive përqendrohet në zbatimin e ligjeve, të buxhetit, të politikave të ndjekura për shmangien dhe minimizimin e rreziqeve për sigurinë, si dhe në realizimin e programeve të zhvillimit të instrumenteve të sigurisë.
78. Presidenti i Republikës, me cilësitë kushtetuese të Kryetarit të Shtetit, të përfaqësimit të unitetit të popullit, të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe të Kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, është funksionari më i lartë përgjegjës për realizimin e misionit, parimeve dhe objektivave të sigurisë së vendit dhe mbrojtjen e zhvillimin e interesave kombëtarë.
79. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillues i Presidentit. Ky Këshill ushtron veprimtarinë në bazë të Kushtetutës, të ligjeve e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi.
80. Këshilli i Sigurimit Kombëtar këshillon Presidentin e Republikës për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, si dhe të drejtimit, organizimit dhe mobilizimit të burimeve njerëzore dhe materiale në dobi të sigurisë dhe të mbrojtjes së vendit.
81. Këshilli i Sigurimit Kombëtar përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Rendit Publik, Ministri i Pushtetit Vendor dhe i Decentralizimit, Ministri i Financave, Ministri i Transportit dhe i Telekomunikacionit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
82. Këshilli i Ministrave është organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv. Ai përgjigjet për zbatimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe gjendjen e zhvillimet e instrumenteve të sigurisë dhe të burimeve kombëtare. Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së sigurisë, i parashtron ato në Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe drejton veprimtarinë e organeve dhe institucioneve në vartësi, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
83. Kryeministri është funksionari më i lartë i pushtetit ekzekutiv. Ai koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës së sigurisë dhe siguron koordinimin dhe zbatimin e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Kryeministri është përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për çështjet e sigurisë kombëtare. Kryeministri krijon dhe drejton Komitetin e Politikave të Sigurimit Kombëtar.
84. Kryeministri inicion ri shikimin e strategjisë së sigurisë. Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë rishikohet në një periudhë jo më vonë se 3 (tre) vjet nga data e miratimit të saj.


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 1 411250004





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.
agim
Para 47 muajsh  
  
mendoj se duhet rishikuar ne detaje dhe te pasqyroje ndryshimet aktuale dhe ato te perspektives se RSH.
     


Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme




digitalb
spitaliamerikan

as