marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 7895
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 27.01.1995
Data e aprovimit te Aktit: 27.01.1995
Numri i neneve: 335
Numri i fletores zyrtare: 2
Data e fletores zyrtare: 28.02.1995
Aktiviteti: Kodi Penal
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Kodi Penal i Republikes së Shqiperise .Zbatimi i ligjit Penal për vepra Penale te kryera nga persona pashtetësi shërbejne rregullat e nenit 7 te ketij kodi.Bashkëpunimi i personave per kryerjen e veprës penale.Denimet .Për numrat 1,3,5,6,7,dhe 8 te nenit 30 te ketij Kodi zbatimi i tyre fillon pas vuajtjes së dënimit me burgim. Alternativat e denimit me burgim. Krime kundër njerëzimit.
Amendamente
1 Per disa shtesa dhe ndryshime ne Ligjin Nr.7895, date 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikes se Shqiperise"
Akte te ngjashem
1 Për nje ndryshim ne ligjin nr.7895, date 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikes se Shqiperise"
2 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 "Për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë"
3 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar
4 Per disa shtesa dhe ndryshime ne Ligjin Nr.7895, date 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikes se Shqiperise"
5 Për një shtesë në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë"
6 Për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë".
7 Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 7895, date 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikes se Shqiperise", i ndryshuar.
8 Per disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 7895, date 27.01.1995 "Kodi Penal i Republikes se Shqiperise", i ndryshuar.
9 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë"
10 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7895, DATË 27.1.1995 “KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: L I G J


Nr.7895, datë 27.1.1995


KODI PENAL I REPUBLIKES SE SHQIPERISE


Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991
"Përdispozitat kryesore kushtetuese", me propozim të Këshillit të
Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:


I

PJESA E PERGJITHSHME

K R E U I

LIGJI PENAL DHE ZBATIMI I TIJ

Neni 1

Ligji penal dhe ndarja e veprave penale

Ligji penal përcakton veprat penale, dënimet dhe masat e tjera që
merren ndaj autorëve të tyre.
Veprat penale ndahen në krime dhe në kundërvajtje penale. Dallimi
i tyre bëhet në çdo rast në dispozitat e pjesës së posaçme të këtij
Kodi.

Neni 2

Mosdënimi pa ligj

Askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk
është e parashikuar shprehimisht në ligj si krim ose kundërvajtje
penale.
Askush nuk mund të dënohet me një lloj dhe masë dënimi të
paparashikuar në ligj.



Neni 3

Veprimi në kohë i ligjit penal

Askush nuk mund të dënohet për një vepër që, sipas ligjit të
kohës kur është kryer, nuk përbënte vepër penale.
Ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese. Në
rast se personi është dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të
fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, pushon.
Kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i
mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj dispozitat e të cilit
janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale.

Neni 4

Mosnjohja e ligjit

Mosnjohja e ligjit që dënon veprën penale, nuk përbën shkak për
përjashtim nga përgjegjësia penale, veç rasteve kur mosnjohja është
objektivisht e paevitueshme.

Neni 5

Territori i Republikës së Shqipërisë

Territori i Republikës së Shqipërisë, në kuptim të ligjit penal,
quhet hapësira tokësore, gjerësia e ujërave territoriale dhe të
brendshme detare, hapësira ajrore që shtrihet mbi hapësirën
tokësore dhe të ujërave territoriale dhe të brendshme detare, si
dhe çdo vend tjetër ku shtrihet sovranitei i shtetit shqiptar, si
selitë e përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare, anijet
që mbajnë flamurin e Republikës së Shqipërisë, anijet e marinës
luftarake, të aviacionit ushtarak ose civil kudo që ndodhen.

Neni 6

Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera nga shtetas
shqiptarë

Për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptarë brenda
territorit të Republikës së Shqipërisë zbatohet ligji penal i
Republikës së Shqipërisë.
Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe
për shtetasin shqiptar që kryen krim në territorin e një shteti
tjetër, kur krimi është njëkohësisht i dënueshëm dhe derisa nuk
është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.
Në kuptim të këtij neni shtetas shqiptarë do të konsiderohen edhe
ata persona që përveç shtetësisë shqiptare gëzojnë edhe shtetësi
tjetër.


Neni 7

Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera
nga shtetas të huaj

Shtetasi i huaj, që kryen vepër penale në territorin e Republikës
së Shqipërisë, përgjigjet në bazë të ligjit penal të Republikës së
Shqipërisë.
Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe
për shtetasin e huaj që jashtë territorit të Republikës së
Shqipërisë kryen në dëm të interesave të shtetit ose të shteta-sit
shqiptar një nga krimet e mëposhtme:
a) krime kundër njerëzimit;
b) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;
c) akte terroriste;
d) organizimi i prostitucionit, prodhimi dhe trafiku i
jashtligjshëm i drogës dhe substancave të tjera narkotike, i armëve
dhe substancave nukleare, si dhe materialeve pornografike;
e) rrëmbimi i avionëve dhe i anijeve;
f) falsifikimi i vulës së shtetit shqiptar, parave dhe letrave me
vlerë shqiptare;
g) krime që cenojnë jetën dhe shëndetin e shtetasit shqiptar, për
të cilat ligji parashikon dënim mbi pesë vjet burgim ose çdo lloj
dënimi më të rëndë.

Neni 8

Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera nga personi pa
shtetësi

Për personin pa shtetësi që kryen vepër penale në territorin e
Republikës së Shqipërisë dhe krim jashtë këtij territori, vlejnë
rregullat e nenit 7 të këtij Kodi.

Neni 9

Përgjegjësia për personat e huaj që gëzojnë imunitet

Çështja e përgjegjësisë për shtetasit e huaj që kryejnë vepër
penale në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që gëzojnë
imunitet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, zgjidhet me rrugë
diplomatike.
Neni 10

Fuqia e vendimeve penale të gjykatave të huaja

Vendimet penale të dhëna nga gjykatat e huaja ndaj shtetasve
shqiptarë që vërtetojnë kryerjen e një vepre penale, kur nuk është
parashikuar ndryshe nga marrëveshjet dy ose shumpalëshe, vlejnë në
Shqipëri brenda kufijve të ligji shqiptar edhe përsa vijon :
a) për efekt të cilësimit përsëritës të personit që ka kryer
veprën penale;
b) për zbatimin e vendimeve që përmbajnë dënime plotësuese;
c) për zbatimin e masave të sigurimit;
d) për shlyerjen e dëmit ose të efekteve të tjera civile.

Neni 11

Ekstradimi

Ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar
shprehimisht në marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e
Shqipërisë është palë.
Ekstradimi lejohet kur vepra penale që përbën objektin e kërkesës
për ekstradim është e parashikuar si e tillë njëkohësisht si nga
ligji shqiptar dhe ai i huaj.
Ekstradimi nuk lejohet:
a) në qoftë se personi që do të ekstradohet është shtetas
shqiptar, veç rasteve kur në marrëveshje është parashikuar ndryshe;
b) në qoftë se vepra penale që përbën objektin e kërkesës për
ekstradim ka një karakter politik ose ushtarak;
c) kur ka arsye për të dyshuar që personi i kërkuar të
ekstradohet do të persekutohet, dënohet ose kërkohet për arsye të
bindjeve të tija politike, fetare, kombëtare, racore ose etnike.
d) në qoftë se personi që kërkohet të ekstradohet është gjykuar
nga një gjykatë kompetente shqiptare për veprën penale për të cilën
kërkohet ekstradimi.

K R E U II

PERGJEGJESIA PENALE

Neni 12

Mosha për përgjegjësi penale

Ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së një krimi
ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç.
Personi që kryen një kundërvajtje penale ka përgjegjësi kur ka
mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç.

Neni 13

Lidhja shkakësore

Askush nuk ka përgjegjësi penale kur midis veprimit ose
movsveprimit të tij dhe pasojave apo mundësisë së ardhjes së tyre,
mungon lidhja shkakësore.


Neni 14

Faji

Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose mosveprim të
parashikuar nga ligji si vepër penale, në qoftë se vepra nuk është
e kryer me faj.
Quhet me faj personi që e kryen veprën me dashje ose me
pakujdesi.

Neni 15

Dashja

Vepra penale kryhet me dashje, kur personi i parashikon pasojat
e veprës penale dhe dëshiron ardhjen e tyre ose, megjithëse i
parashikon dhe nuk i dëshiron ato, me ndërgjegje lejon ardhjen e
tyre.
Neni 16

Pakujdesia

Vepra penale kryhet me pakujdesi kur personi, megjithëse nuk i
dëshiron pasojat, e parashikon mundësinë e ardhjes së tyre dhe me
mendjelehtësi shpreson t'i shmangë ato, ose nuk i parashikon,
megjithëse sipas rrethanave duhej dhe kishte mundësi t'i
parashikonte.

Neni 17

Papërgjegjshmëria për shkak të gjendjes mendore

Nuk ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së
veprës vuante nga një turbullim psikik ose neuropsikik që ka
prishur tërësisht ekuilibrin e tij mendor dhe për pasojë nuk ka
qenë në gjendje të kontrollojë veprimet apo mosveprimet e tij dhe
as të kuptojë se kryen vepër penale.
Personi që në kohën e kryerjes së veprës penale vuante nga një
turbullim psikik ose neuropsikik, që ka ulur ekuilibrin e tij
mendor për të kuptuar dhe kontrolluar plotësisht veprimet apo
mosveprimet e tij, është i përgjegjshëm, por kjo rrethanë mbahet
parasysh nga gjykata në caktimin e masës dhe llojit të dënimit.

Neni 18

Kryerja e veprës penale në gjendje të dehur

Nuk përjashtohet nga përgjegjësia personi që ka kryer veprën
penale në gjendje të dehur.
Kur dehja është shkaktuar në rrethana të rastit dhe ka sjellë
uljen e ekuilibrit mendor, kjo rrethanë mbahet parasysh për zbutjen
e dënimit ndaj tij.
Kur dehja është bërë me paramendim për të kryer veprën penale,
kjo rrethanë mbahet parasysh për rëndimin e dënimit.
Rregullat e mësipërme zbatohen edhe kur vepra penale kryhet nën
efektin e narkotikëve apo stimulantëve të tjerë.

Neni 19

Mbrojtja e nevojshme

Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën duke qenë i
detyruar të mbrojë jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij
ose të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit
me kusht që, karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me
rrezikshmërinë e sulmit.
Mospërputhja haptazi ndërmjet tyre përbën kapërcim të kufijve të
mbrojtjes së nevojshme.

Neni 20

Nevoja ekstreme

Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën nga nevoja
për të përballuar një rrezik real dhe të çastit që e kërcënon atë,
njëperson tjetër apo pasurinë nga një dëmtim i rëndë dhe i
pashmangshëm me mënyra të tjera, me kusht që të mos jetë i
provokuar prej tij dhe dëmi i shkaktuar të mos jetë më i madh se
dëmi i zmbrapsur.

Neni 21

Ushtrimi i një të drejte apo përmbushja e detyrës

Nuk ka përgjegjësi penale personi që vepron për të ushtruar të
drejta apo përmbushur detyra të caktuara nga ligji ose nga një
urdhër i dhënë prej një personi kompetent, veç rastit kur urdhri
është haptazi i paligjshëm.
Kur vepra penale është kryer si rezultat i urdhrit të paligjshëm,
për të përgjigjet personi që ka dhënë urdhrin.


K R E U III

T E N T A T I V A

Neni 22

Kuptimi i tentativës

Vepra penale quhet e mbetur në tentativë kur, megjithëse personi
ndërmerr veprime të drjtpërdrejta për ta kryer atë, vepra
ndërpritet e nuk përfundohet për rrethana të pavarura nga vullneti
i tij.

Neni 23

Përgjegjësia për tentativën

Personi që tenton të kryejë një krim përgjigjet për të.
Gjykata, në varësi të shkallës së afërsisë së pasojës, si dhe të
shkaqeve për të cilat krimi mbeti në tentativë, zbut dënimin dhe
mund ta ulë atë nën minimumin e parashikuar nga ligji ose të
caktojë një lloj dënimi më të butë nga ai i parashikuar në ligj.

Neni 24

Heqja dorë nga kryerja e veprës penale

Personi që me vullnet të tij dhe në mënyrë përfundimtare heq dorë
nga kryerja e veprës penale, me gjithë mundësitë që ka për kryerjen
e saj, nuk ka përgjegjësi penale.
Kur veprimet e gjeratëhershme përmbajnë elementet e ndonjë vepre
tjetër penale, personi përgjigjet për veprën e kryer.


K R E U IV

BASHKEPUNIMI I PERSONAVE
PER KRYERJEN E VEPRE S PENALE

Neni 25

Kuptimi i bashkëpunimit

Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë
persona me marrëveshje ndërmjet tyre.

Neni 26

Bashkëpunëtorët

Bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale quhen: organizatorët,
ekzekutorët, shtytësit dhe ndihmësit.
Organizatorë quhen ata persona që organizojnë dhe drejtojnë
veprimtarinë për kryerjen e veprës penale.
Ekzekutorë janë personat që kryejnë veprime të drejtpërdrejta për
realizimin e veprës penale.
Shtytës quhen personat që nxisin bashkëpunëtorët e tjerë për
kryerjen e veprës penale.
Ndihmës quhen personat që me këshilla, udhëzime, dhënie mjetesh,
largim të pengesave, dhënie të premtimit për fshehjen e
bashkëpunëtorëve, të gjurmëve apo të sendeve që rrjedhin nga vepra
penale, ndihmojnë për kryerjen e saj.

Neni 27

Përgjegjësia e bashkëpunëtorëve

Organizatorët, shtytësit dhe ndihmësit kanë përgjegjësi si edhe
ekzekutorët për veprën penale të kryer prej tyre.
Në caktimin e dënimit për bashkëpunëtorët, gjykata duhet të mbajë
parasysh shkallën e pjesëmarrjes së secilit dhe rolin e luajtur në
kryerjen e veprës penale.

Neni 28

Banda e armatosur dhe organizata kriminale

Banda e armatosur dhe organizata kriminale përfaqësojnë forma të
bashkëpunimit të veçantë që dallohen jo vetëm nga numri i
pjesëmarrësve, por edhe nga shkalla e organizimit dhe e
qëndrueshmërisë së tyre për kryerjen e një numri veprash penale.
Organizata kriminale përfaqëson shkallën më të lartë të
bashkëpunimit për kryerjen e veprimtarisë kriminale të qëndrueshme.
Krijimi dhe pjesëmarrja në bandë të armatosur dhe në organizata
kriminale, si dhe kryerj e veprave penale prej tyre, cilësohen si
vepra penale më vete dhe dënohen sipas parashikimeve të Pjesës së
Posaçme të këtij Kodi.
Pjesëtarët e bandës së armatosur dhe të organizatës kriminale
janë përgjegjës për të gjitha veprat penale të kryera nga banda dhe
organizata, kur kanë vepruar si organizatorë, ekzekutorë, shtytës
dhe ndihmës.
Pjesëtari i bandës së armatosur dhe i organizatës kriminale
përjashtohet nga përgjegjësia penale për pjesëmarrjen në to kur
pendohet dhe vihet në ndihmë të organeve kompetente për
parandalimin e veprimtarisë dhe zbulimin e bashkëpunëtorëve.
Shërben si rrethanë për zbutjen e dënimit, dhe në raste të
veçanta edhe për uljen e tij nën minimumin e parashikuar nga ligji,
kur pjesëtari i bandës së armatosur dhe i organizatës kriminale që
ka kryer vepra penale, pendohet dhe bashkëpunon me organet
kompetente për zbulimin e veprimtarisë dhe bashkëpunëtorëve të
tjerë.
Gjykata, kur çmon se roli i pjesëtarit të penduar të bandës së
armatosur dhe të organizatës kriminale nuk është kryesor, kur
veprat e kryera prej tij nuk janë me rrezikshmëri të theksuar dhe
kur ndihma e dhënë për zbulimin e veprimtarisë dhe bashkëpunëtorëve
të bandës apo organizatës kriminale është e rëndësishme, mund ta
përjashtojë atë nga dënimi.


K R E U V

D E N I M E T

Neni 29

Dënime kryesore

Për personat që kanë kryer krime jepen këto dënime kryesore:
1. Me burgim të përjetshëm a me vdekje
2. Me burgim
3. Me gjobë
Për personat që kanë kryer kundërvajtje penale jepen këto dënime
kryesore:
1. Me burgim
2. Me gjobë

Neni 30

Dënime plotësuese

Për personat që kanë kryer krime ose kundërvajtje penale, bashkë
me dënimin kryesor, mund të jepen edhe një ose disa nga këto dënime
plotësuese:
1. Ndalimi i të drejtës për të ushtruar detyra si nëpunës
shtetëror ose në shërbim publik.
2. Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe
përfitimeve prej saj.
3. Ndalimi për të drejtuar automjete.
4. Heqja e dekoratave, titujve të nderit.
5. Heqja e së drejtës të ushtrimit të një veprimtarie ose
mjeshtërie.
6. Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra drejtuese pranë
personave juridikë.
7. Ndalimi për të qëndruar në një ose disa njësi administrative.
8. Nxjerrja jashtë territorit.
9. Detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.
Gjykata, në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore
çmohet e papërshtatshme dhe kur ligji parashikon dënim me burgim
deri në 3 vjet ose dënime të tjera më të lehta për veprën e kryer,
mund të mjaftohet vetëm me caktimin e dënimit plotësues.

Neni 31

Dënimi me burgim të përjetshëm a me vdekje

Dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për
kryerjen e një krimi të rëndë. Në raste të veçanta, gjykata, për
një krim tejet të rëndë, mund të japë dënimin me vdekje.
Dënimi me burgim të përjetshëm a me vdekjenuk jepet ndaj
personave që në kohën e kryerjes së krimit nuk kanë mbushur moshën
tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për gratë.
Dënimi me burgim të përjetshëm a me vdekje parashikohet
bashkërisht në dispozitat e Pjesës së Posaçme të këtij Kodi.

Neni 32

Dënimi me burgim

Dënimi me burgim për krime jepet për një kohë nga pesë ditë deri
në njëzetepesë vjet.
Për kundërvajtjet penale dënimi me burgim jepet për një kohë nga
pesë ditë deri në dy vjet.

Neni 33

Mënyra e vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm dhe me burgim

Dënimi me burgim të përjetshëm dhe dënimi me burgim vuhen në
institucione të caktuara posaçërisht për këtë qëllim.
Rregullat mbi mënyrën e vuajtjes së dënimeve, të drejtat dhe
detyrat e të dënuarve caktohen me ligj.
Të miturit e kryejnë dënimin me burgim në vende të veçanta nga të
rriturit.
Gratë e kryejnë dënimin me burgim në institucione të veçanta nga
burrat.

Neni 34

Dënimi me gjobë

Dënimi me gjobë konsiston në pagimin në favor të shtetit të një
shume të hollash brenda kufijve të parashikuar në ligj.
Dënimi me gjobë jepet për personat që kryejnë krim ose
kundërvajtje penale.

Për personat që kryejnë krim, gjoba jepet nga 10 mijë deri në 2
milionë lekë.
Për personat që kryejnë kundërvajtje gjoba jepet nga 5 mijë deri
në 2 qindmijë lekë.
Dënimi me gjobë paguhet në afatin e caktuar në vendimin e
gjykatës.
Gjykata, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të të dënuarit,
mund të lejojë që gjoba të paguhet me këste, duke caktuar këstet
dhe afatin e pagimit të tyre.
Kur gjoba nuk paguhet në afatin e caktuar, gjykata vendos
zëvendësimin e gjobës me burgim, duke llogaritur 1 mijë lekë për
një ditë burgim.
Kur gjoba është dhënë për kryerjen e një krimi, zëvendësimi i saj
me burgim nuk mund të kalojë tre vjet, ndërsa kur ajo është dhënë
për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, zëvendësimi nuk mund të
kalojë një vit burgim, por gjithmonë pa kaluar maksimumin e dënimit
me burgim që parashikon dispozita përkatëse.
Kur i dënuari si më sipër gjatë zbatimit të burgimit paguan
gjobën, gjykata revokon vendimin, duke bërë llogaritjet sipas
kriterit të paragrafit të 7 të këtij neni.
Neni 35

Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra shtetërore

Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra si nëpunës shtetëror
ose për të qenë në shërbim publik jepet ndaj personave që i kanë
shpërdoruar ato dhe që kanë kryer një krim për të cilin gjykata ka
caktuar një dënim me burgim jo më pak se dhjetë vjet dhe çmohet se
kjo e drejtë nuk duhet të ushtrohet përgjithmonë.
Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra si nëpunës shtetëror
ose për të qenë në shërbim publik mund të jepet edhe për një kohë
nga një gjer në pesë vjet, kur gjykata ka caktuar dënimin gjer në
dhjetë vjet burgim.

Neni 36

Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale

Konfiskimi jepet detyrimisht nga gjykata ndaj personave që
kryejnë vepër penale dhe konsiston në marrjen dhe kalimin në favor
të shtetit të sendeve që kanë shërbyer ose ishin caktuar si mjet
për kryerjen e veprës penale, si dhe objektet, të hollat dhe çdo
pasuri tjetër që rrjedh nga vepra penale apo i shpërblimit të dhënë
apo të premtuar për kryerjen e saj.

Neni 37

Ndalimi për të drejtuar automjete

Ndalimi për të drejtuar automjete jepet nga gjykata, për një kohë
nga një gjer në pesë vjet, kundër personave që kanë kryer vepër
penale, kur çmohet se do të ketë efekt parandalues apo pajtohet me
natyrën e veprës së kryer.

Neni 38

Heqja e dekoratave dhe e titujve

Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit vendoset për personat që
kanë kryer një vepër penale që dënohet me burgim dhe çmohet se
mbajtja e tyre nuk pajtohet me natyrën e veprës penale të kryer.
Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit është e përhershme kur
personi dënohet për një krim mbi dhjetë vjet dhe nga një gjer në
pesë vjet, kur dënohet gjer në dhjetë vjet burgim.

Neni 39

Heqja e së drejtës të ushtrimit të veprimtarisë apo mjeshtërisë

Heqja e së drejtës të ushtrimit të një veprimtarie ose të një
mjeshtërie e ndalon të dënuarin të ushtrojë veprimtarinë ose
mjeshtërinë për të cilën është dhënë leje e veçantë, dëshmi,
autorizim apo liçencë nga organi kompetent.
Heqja e së drejtës të ushtrimit të veprimtarisë ose mjeshtërisë
jepet për një kohë nga një muaj gjer në pesë vjet dhe është
rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale që kryhen duke i
shpërdoruar ato.
Neni 40

Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese

Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë
personave juridikë, i heq mundësinë të dënuarit të ushtrojë detyrat
e drejtorit, të administratorit, sipërmarrësit, likuidatorit, si
dhe çdo detyrë tjetër që ka të bëjë me cilësinë e përfaqësuesit të
personit juridik.
Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë
personave juridikë është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale
dhe jepet për një kohë nga një muaj gjer në pesë vjet, kur i
dënuari ka shpërdoruar funksionet apo ka vepruar në kundërshtim me
rregullat që lidhen me detyrën.

Neni 41

Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative

Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative
jepet nga gjykata për një kohë nga një gjer në pesë vjet, kur
çmohet se qëndrimi i të dënuarit në këto vende përbën rrezik për
sigurimin publik.
Neni 42

Nxjerrja jashtë territorit

Nxjerrja jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë jepet nga
gjykata ndaj shtetasit të huaj dhe atij pa shtetësi që kryen një
krim dhe çmohet se qëndrimi i mëtejshëm i tij në territorin e
Republikës së Shqipërisë nuk duhet të vazhdojë më në të ardhmen.
Vendimi revokohet nga gjykata, me kërkesën e të dënuarit, kur
shtetasi i huaj apo pa shtetësi fiton shtetësinë shqiptare.

Neni 43

Publikimi i vendimit gjyqësor

Publikimi i vendimit gjyqësor jepet nga gjykata kur çmon se
njohja e përmbajtjes së vendimit ka interes për persona juridikë e
fizikë.
Publikimi i vendimit gjyqësor konsiston në detyrimin e të
dënuarit që me shpenzimet e veta të publikojë në një apo disa
gazeta ose stacione radiotelevizive tërësisht apo pjesërisht
vendimin gjyqësor, sipas urdhërimit të bërë nga gjykata.
Data e publikimit dhe kohëzgjatja e tij caktohen nga gjykata.
Organet e shtypit dhe të radiotelevizionit janë të detyruar të
bëjnë publikimin e vendimit gjyqësor të dërguar nga gjykata.
Publikimi i vendimit gjyqësor nuk jepet kur rrezikohet përhapja
e sekretit shtetëror, cenohet jeta intime e personave ose preket
morali shoqëror.

Neni 44

Mënyra e vuajtjes së dënimeve plotësuese

Kur gjykata, së bashku me një dënim me burgim, jep edhe një ose
disa nga dënimet plotësuese të përmendura në nenin 30 të këtij
Kodi, zbatimi i tyre fillon së bashku me vuajtjen e dënimit
kryesor.
Për numrat 1, 3, 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 30 të këtij Kodi zbatimi
i tyre fillon pas vuajtjes së dënimit me burgim. Të drejtat e
cenuara nga dënimet plotësuese i dënuari nuk mund t'i ushtrojë
gjatë kohës së vuajtjes së dënimit me burgim.

Neni 45

Masat penale për personat juridikë

Gjykata, kur gjatë shqyrtimit gjyqësor provon se një person
juridik ushtron veprimtari që përbëjnë vepra penale, mund të
urdhërojë :
Mbylljen tërësisht apo pjesërisht të veprimtarisë dhe konfiskimin
e të ardhurave, mjeteve dhe çdo pasurie tjetër të siguruar nga ajo
veprimtari.

Neni 46

Masat mjekësore dhe edukuese

Masat mjekësore mund të jepen nga gjykata ndaj personave të
papërgjegjshëm që kanë kryer vepër penale, ndërsa masat edukuese
mund të jepen ndaj të miturve që përjashtohen nga dënimi ose që për
shkak të moshës nuk kanë përgjegjësi penale.
Masat mjekësore janë:
1. Mjekimi i detyruar ambulator
2. Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor
Masa edukuese është:
1. Vendosja e të miturit në një institucion edukimi
Vendimi gjyqësor për masat mjekësore dhe edukuese është i
revokueshëm në çdo kohë kur zhduken rrethanat për të cilat ai është
dhënë, por në çdo rast, gjykata, kryesisht, është e detyruar që pas
kalimit të një viti nga dita e dhënies së vendimit, të marrë në
shqyrtim vendimin e saj.
Rregullat për revokimin e vendimit gjyqësor që përmban masën
mjekësore dhe edukuese, parashikohen në Kodin e Procedurës Penale.

K R E U VI

CAKTIMI I DENIMIT

Neni 47

Mënyra e caktimit të dënimit

Gjykata cakton dënimin duke respektuar dispozitat e pjesës së
përgjithshme të këtij Kodi dhe kufijtë e dënimeve të parashikuar në
ligj për veprën penale.
Në caktimin e dënimit ndaj personit ajo merr parasysh
rrezikshmërinë e veprës penale, të autorit të saj, shkallën e
fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Neni 48

Rrethanat lehtësuese

Lehtësojnë dënimin rrethanat që vijojnë :
a) Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive me vlera pozitive
morale e shoqërore;
b) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të
shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të
ndonjë personi tjetër;
c) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të
udhëzimeve të padrejta të eprorit;
ç) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë;
d) kur personi ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga vepra penale
ose ka ndihmuar aktivisht për të zhdukur ose pakësuar pasojat e
veprës penale;
dh) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së
veprës penale;
e) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale
dhe të dëmtuarit janë normalizuar.

Neni 49

Gjykata, pavarësisht nga rrethanat që përmenden në nenin 48 të
këtij Kodi, mund të marrë në konsideratë edhe rrethana të tjera për
sa kohë i quan të tilla që justifikojnë lehtësimin e dënimit.

Neni 50

Rrethanat rënduese

Rëndojnë dënimin rrethanat që vijojnë:
a) Kryerja e veprës i shtyrë nga motive të dobëta;
b) kryerja e veprës për të vënë para përgjegjësisë ose për të
fshehur përgjegjësinë penale të një tjetri apo për të shmangur
dënimin për një vepër penale tjetër;
c) kryerja e veprës penale me egërsi dhe mizori;
ç) kryerja e një krimi pas dhënies së një dënimi për një krim të
kryer më parë;
d) kryerja e veprimeve që rëndojnë apo shtojnë pasojat e veprës
penale;
dh) kryerja e veprës duke shpërdoruar detyrat që burojnë nga një
funksion ose shërbim shtetëror apo fetar;
e) kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose
personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen;
f) kur vepra është drejtuar ndaj përfaqësuesve të shteteve të
tjera;
g) kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet
familjare, të miqësisë, të mikpritjes;
gj) kryerja e veprës penale në bashkëpunim.

Neni 51

Dënimi me burgim për të miturit

Për të miturit, që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk kanë
mbushur moshën 18 vjeç, dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë
se gjysma e dënimit që parashikon ligji për veprën penale të kryer.

Neni 52

Përjashtimi i të mituritnga dënimi

Gjykata, nisur nga rrezikshmëria e pakët e veprës penale, nga
rrethanat konkrete të kryerjes së saj, nga sjellja e mëparshme e të
miturit, mund ta përjashtojë atë nga dënimi.
Në këto raste gjykata mund të vendosë dërgimin e të miturit në
një institucion edukimi.

Neni 53

Ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji

Gjykata, në raste të veçanta, kur çmon që vepra dhe autori i saj
paraqesin rrezikshmëri të pakët dhe janë të pranishme disa nga
rrethanat lehtësuese, ka të drejtë të caktojë një dënim nën
minimumin ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon
dispozita përkatëse.

Neni 54

Pranimi i pagimit të gjobës

Për kundërvajtjet penale për të cilat, veç gjobës, parashikohet
njëkohësisht dënimi me burgim, gjykata, me kërkesën e autorit të
kundërvajtjes penale mund të pranojë që ai të paguajë aty për aty
një shumë të hollash në favor të buxhetit të shtetit, e barabartë
me gjysmën e maksimumit të gjobës të parashikuar për kundërvajtjet
penale në Pjesën e Përgjithshme të këtij Kodi.
Kërkesa mund të paraqitet në çdo fazë të gjykimit deri përpara
dhënies së vendimit përfundimtar të shkallës së parë.
Kur gjykata nuk pranon kërkesën, jep dënimin për veprën e kryer.
Pranimi i kërkesës nuk lejohet për personat që më parë janë
dënuar edhe për kundërvajtje penale.

Neni 55

Caktimi i dënimeve për disa vepra penale

Kur veprimet ose mosveprimet përmbajnë elementet e disa veprave
penale, si dhe kur personi ka kryer disa vepra penale për të cilat
nuk është dhënë akoma vendim, gjykata më parë cakton dënimin për
çdo vepër penale dhe në përfundim jep një dënim të vetëm, që
përbëhet nga dënimi më i rëndë i shtuar.
Dënimi më i rëndë i shtuar nuk mund të kapërcejë shumën e
përgjithshme të dënimeve të caktuara veç e veç, as kufirin më të
lartë të parashikuar për llojin e dënimit të dhënë.
Kur gjykata çmon se kryerja e shumë veprave penale nuk tregon
rrezikshmëri të madhe të fajtorit, mund të japë si dënim
përfundimtar dënimin me të rëndë që ka caktuar për një nga veprat
penale.
Gjykata në vendimin përfundimtar jep një ose më shumë nga dënimet
plotësuese të dhëna më vete për çdo vepër të veçantë.

Neni 56

Bashkimi i dënimeve

Kur i dënuari, para vuajtjes së plotë të dënimit, dënohet për një
vepër penale të kryer para dhënies së vendimit, zbatohen rregullat
e nenit të mësipërm dhe pjesa e vuajtur e dënimit llogaritet në
dënimin e ri.
Kur i dënuari, pas dhënies së vendimit, por para vuajtjes së
plotë të dënimit, kryen një vepër penale të re, gjykata bën
bashkimin e dënimit të ri me pjesën e mbetur të dënimit të
mëparshëm, duke ndjekur rregullat e parashikuara nga neni 55 i
këtij Kodi.

Neni 57

Llogaritja e paraburgimit

Koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim ose me gjobë,
si dhe në detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik si më
poshtë :
Një ditë paraburgim baras me një ditë e gjysmë burgim.
Një ditë paraburgim baras me një mijë lekë gjobë.
Një ditë paraburgim baras me tetëmbëdhjetë orë pune në interes
publik.

K R E U VII

ALTERNATIVAT E DENIMIT ME BURGIM

Neni 58

Copëzimi i dënimit me burgim

Për dënimet gjer në një vit burgim, gjykata, kur vëren rrethana
të rënda familjare, mjekësore, profesionale apo shoqërore, vendos
që dënimi të ekzekutohet me copëzime jo më të vogla se dy ditë në
javë.
Në çdo rast ekzekutimi i vendimit duhet të përfundojë brenda tre
vjetëve.
Kur këto rrethana nuk ekzistojnë më, ose kur i dënuari shkel
detyrimet e caktuara në vendim, gjykata bën revokimin e vendimit të
dhënë me copëzim.

Neni 59

Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim

Për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit dhe rrethanave
të kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burgim gjer
në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të vihet në provë duke
u pezulluar ekzekutimi i dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës
të mos kryejë vepër tjetër penale po aq të rëndë apo më të rëndë.
Afati i provës është tetëmbëdhjetë muaj gjer në pesë vjet.

Neni 60

Masat ndaj të dënuarit të vënë në provë

I dënuari i vënë në provë, mund të detyrohet nga gjykata të
plotësojë një apo më tepër prej masave të mëposhtme :
1. Të ushtrojë një veprimtari profesionale ose të marrë një arsim
apo formim profesional.
2. Të paguajë rregullisht pensionet familjare.
3. Të riparojë dëmin civil të shkaktuar.
4. Të ndalohet të drejtojë automjete të caktuara.
5. Të mos ushtrojë veprimtari profesionale kur vepra penale ka
lidhje me këtë veprimtari.
6. Të mos frekuentojë vende të caktuara.
7. Të mos frekuentojë lokale që shërbejnë pije alkoolike.
8. Të qëndrojë në banesën e tij në orare të caktuara.
9. Të mos shoqërohet me persona të caktuar, kryesisht me të
dënuar apo bashkëpunëtorët e veprës penale.
10. Të mos mbajë armë.
11. T'u nënshtrohet masave mjekësore kundër alkoolit dhe
narkotikëve.

Neni 61

Detyrimet e të dënuarit gjatë kohës së provës

Gjatë kohës së provës i dënuari detyrohet :
1. T'u përgjigjet thirrjeve e kërkesave të organeve të caktuara
për mbikqyrjen e provës.
2. Të njoftojë organet e mbikqyrjes së provës për ndryshimet në
llojin e punës.
3. Të marrë pëlqimin tek organet që merren me mbikqyrjen e provës
për ndryshimin e banimit, qendrës së punës dhe largimet jashtë
shtetit.

Neni62

Revokimi i vendimit të pezullimit me vënie në provë

Në qoftë se i dënuari gjatë afatit të provës kryen një vepër
penale po aq të rëndë apo më të rëndë se vepra e parë, gjykata
revokon vendimin e pezullimit.
Revokimi bëhet edhe kur i dënuari, pa shkaqe të arsyeshme, nuk ka
plotësuar masat dhe detyrimet e përmendura në nenet 60 dhe 61 të
këtij Kodi, që atij i ishin vënë.
Kur vendimi i pezullimit nuk është revokuar, dënimi i dhënë
konsiderohet i paqenë.

Neni 63

Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim

dhe detyrimi për kryerjen e një pune në interes publik

Gjykata, për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit dhe të
rrethanave të kryerjes së veprës penale, kur ka caktuar një dënim
gjer në një vit burgim, mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit të
vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me detyrimin që i dënuari
të përmbushë një punë në interes publik.
Puna në interes publik jepet për një kohë nga dyzet gjer në
dyqind e dyzet orë dhe konsiston në kryerjen nga i dënuari të një
pune pa shpërblim në favor të interesit publik apo shoqatës të
caktuar në vendimin e gjykatës.
Ky detyrim nuk mund të vendoset kur i dënuari refuzon pezullimin
në seancë gjyqësore.
Puna në interes publik kryhet brenda afatit prej gjashtë muajsh.
Në vendimin e saj gjykata cakton orët e punës, si dhe ditët e
javës kur do të kryhet ajo.
Pas përfundimit të punës, dënimi konsiderohet i paqenë.
Ky lloj pezullimi ndjek të gjitha rregullat që janë vendosur në
nenet 61 e 62 të këtij Kodi.


Neni 64

Lirimi para kohe me kusht

I dënuari me burgim mund të lirohet para kohe nga vuajtja e
mëtejshme e dënimit kur: : Ka vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit
të dhënë dhe me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e
vuajtur i është arritur qëllimit për edukimin e tij.
Në gjysmën e dënimit të vuajtur nuk llogaritet koha e përfituar
me amnisti ose falje.
Nuk lejohet lirimi para kohe me kusht për të dënuarit përsëritës
në krime.
Lirimi para kohe me kusht revokohet nga gjykata, kur i dënuari
gjatë kohës së kushtit kryen një vepër tjetër penale po aq të rëndë
ose më të rëndë se e para, duke u zbatuar dispozitat për bashkimin
e dënimeve.

Neni 65

Nuk lejohet lirimi para kohe me kusht për të dënuarin me burgim
të përjetshëm.
Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të
përjetshëm mund të lirohet para kohe me kusht kur:
Ka vuajtur jo më pak se njëzetepesë vjet burgim dhe, gjatë
vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i
është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij.


K R E U VIII

SHUARJA E NDJEKJES PENALE, TE DENIMEVE
DHE MOSEKZEKUTIMI I TYRE

Neni 66

Parashkrimi i ndjekjes penale

Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në
çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar:
a) njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se
dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë;
b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në
dhjetë vjet burgim;
c) pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet
burgim ose gjobë;
ç) tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer
në dy vjet burgim;
d) dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me
gjobë.

Neni 67

Mosparashkrimi i ndjekjes penale
Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës
dhe ato kundër njerëzimit.

Neni 68

Parashkrimi i ekzekutimit të dënimit

Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë
të prerë kanë kaluar:
a) njëzet vjet për vendimin që përmban dënim pesëmbëdhjetë gjer
në njëzetepesë vjet burgim;
b) dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet burgim;
c) pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në
pesë vjet ose dënime të tjera më të lehta.

Neni 69

Rehabilitimi

Quhen të padënuar:
a) ata që janë dënuar me burgim për një kohë gjer në gjashtë muaj
ose me çdo dënim tjetër më të lehtë dhe që gjatë dy vjetëve nga
dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
b) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga gjashtë muaj
gjer në pesë vjet dhe që gjatë pesë vjetëve nga dita e vuajtjes së
dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
c) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga pesë gjer në
dhjetë vjet dhe që gjatë shtatë vjetëve nga dita e vuajtjes së
dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
ç) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga dhjetë gjer në
njëzetepesë vjet dhe që gjatë dhjetë vjetëve nga dita e vuajtjes së
dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale.

Neni 70

Falja

Me aktin e faljes organi kompetent përjashton tërësisht apo
pjesërisht personin nga vuajtja e dënimit të dhënë me një vendim
gjyqësor ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të
butë.
Neni 71

Amnistia

Me aktin e amnistisë organi kompetent përjashton nga ndjekja
penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën
zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë.
Amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë
para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset
ndryshe.

Neni 72

Zbatimi i dispozitave të pjesës së përgjithshme

Dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi zbatohen edhe
për veprat penale të tjera të parashikara si të tilla nga ligje të
veçanta.


PJESA E POSAÇME

K R E U I

KRIME KUNDER NJEREZIMIT

Neni 73

Genocidi

Zbatimi i një plani të paramenduar që synon shkatërrimin
tërësisht apo pjesërisht të një grupi nacional, etnik, racial apo
fetar i drejtuar kundër anëtarëve të grupit dhe i shoqëruar me
veprat që vijojnë, si:
vrasje me dashje të anëtarëve të grupit, dëmtime të rënda fizike
dhe psikike, vendosja në kushte jetese të rënda që shkaktojnë
shkatërrimin fizik, zbatimi i masave që synojnë pengimin e
lindjeve, si dhe transferimi i detyrueshëm i fëmijëve të një grupi
në një grup tjetër, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet ose
me burgim të përjetshëm a me vdekje.

Neni 74

Krime kundër njerëzimit

Vrasjet, shfarosjet, kthimi në skllevër, internimet dhe dëbimet,
si dhe çdo lloj torture apo dhune tjetër çnjerëzore të kryera për
motive politike, ideologjike, raciale, etnike e fetare dënohen jo
më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm a me
vdekje.

Neni 75

Krimet e luftës

Veprat e kryera nga persona të ndryshëm në kohë lufte, si vrasja,
keqtrajtimi ose dëbimi për punë skllavëruese, si dhe për çdo lloj
shfrytëzimi tjetër çnjerëzor në dëm të popullsisë civile ose në
territor të pushtuar, vrasja ose keqtrajtimi i robërve të luftës,
vrasja e pengjeve, shkatërrimi i pasurisë private ose publike,
shkatërrimi i qyteteve, komunave ose fshatrave, jo të diktuara nga
nevoja ushtarake, dënohet me heqje të lirisë jo më pak se
pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm a me vdekje.


K R E U II

VEPRA PENALE KUNDER PERSONIT

KRIME KUNDER JETES

SEKSIONI I

KRIME KUNDER JETES TE KRYERA ME DASHJE

Neni 76

Vrasja me dashje

Vrasja e kryer me dashje dënohet me burgim nga dhjetë gjer në
njëzet vjet.

Neni 77

Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër

Vrasja me dashje që paraprin, shoqëron ose pason një krim tjetër,
dënohet me burgim të përjetshëm a me vdekje.

Neni 78

Vrasja me paramendim

Vrasja e kryer me paramendim, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë
deri në njëzetepesë vjet dhe, kur ka rrethana rënduese, me burgim
të përjetshëm a me vdekje.

Neni 79

Vrasa me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës

Vrasja me dashje e kryer ndaj:
a) të miturit nën gjashtëmbëdhjetë vjeç;
b) personit me mangësi fizike apo psikike, të sëmurë rëndë apo
shtatzane, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;
c) deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit, oficerit,
nëpunësit shtetëror, gjatë punës apo për shkak të saj, kur cilësitë
e viktimës janë të dukshme ose të njohura;
d) denoncuesit të veprës penale, dëshmitarit, të dëmtuarit apo të
palëve të tjera ndërgjyqëse;
dënohet me burgim të përjetshëm a me vdekje.

Neni 80

Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje
dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 81

Vrasja e foshnjës

Vrasja e foshnjës e kryer me dashje nga nëna, menjëherë pas
lindjes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në dy vjet.

Neni 82

Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike

Vrasja me dashje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë
psikike të çastit shkaktuar nga dhuna ose fyerja e rëndë e viktimës
dënohet me burgim gjer në tetë vjet.

Neni 83

Vrasja e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes
së nevojshme

Vrasja e kryer në kushtet e kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së
nevojshme dënohet me burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 84

Kanosja

Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë që i bëhet
një personi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në një vit.


SEKSIONI II

KRIME KUNDER JETES SHKAKTUAR ME PAKUJDESI

Neni 85

Vrasja nga pakujdesia

Vrasja e kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në pesë vjet.



SEKSIONI III

VEPRAT PENALE TE KRYERA ME DASHJE
KUNDER SHENDETIT

Neni 86

Tortura

Tortura, si dhe çdo akt tjetër çnjerëzor apo poshtërues dënohen
me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Neni 87

Tortura me pasoja të rënda

Tortura, si dhe çdo akt tjetër çnjerëzor, kur ka sjellë
gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim të përhershëm të shëndetit të
personit apo vdekjen, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet
vjet.

Neni 88

Plagosja e rëndë me dashje

Plagosja e kryer me dashje që ka sjellë si pasojë gjymtimin,
shëmtimin ose çdo dëmtim tjetër të përhershëm të shëndetit,
ndërprerjen e shtatzanisë, ose ka qenë e rrezikshme për jetën në
çastin e shkaktimit të saj, dënohet me burgim nga tre gjer në
dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur është kryer kundër disa personave ose kur ka
sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim nga pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet.


Neni 89

Plagosja e lehtë me dashje

Plagosja e kryer me dashje, që ka shkaktuar paaftësi të
përkohshme në punë më tepër se 9 ditë, përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 90

Dëmtime të tjera me dashje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale
dhe dënohen me gjobë.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë
deri në 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në gjashtë muaj.


SEKSIONI IV

VEPRA PENALE KUNDER SHENDETIT TE KRYERA
NGA PAKUJDESIA

Neni 91

Plagosja e rëndë nga pakujdesia

Plagosja e rëndë e kryer nga pakujdesia përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 92

Plagosja e lehtë nga pakujdesia

Plagosja e lehtë e kryer nga pakujdesia përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë.


SEKSIONI V

VEPRA PENALE QE RREZIKOJNE JETEN DHE SHENDETIN NGA NDERPRERJA E
SHTATZANISE OSE MOSDHENIA E NDIHMES

Neni 93

Ndërprerja e shtatzanisë pa pëlqim të gruas

Ndërprerja e shtatzanisë pa pëlqim të gruas, veç rastit kur
ndërprerja diktohet nga një shkak shëndetësor i justifikuar,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 94

Ndërprerja e shtatzanisë e kryer në vende dhe nga persona të
paautorizuar

Ndërprerja e shtatzanisë e kryer jo në ambiente spitalore publike
apo klinika private të lejuara posaçërisht, ose nga një person që
nuk është mjek ose, tej kohës së lejueshme për ndërprerje veç
rastit kur kjo diktohet nga një shkak shëndetësor i justifikuar,
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në dy vje.
Kur nga vepra është shkaktuar rrezikimi i jetës ose vdekja,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 95

Dhënia e mjeteve për ndërprerjen e shtatzanisë

Dhënia e mjeteve që shërbejnë për ndërprerjen e shtatzanisë një
gruaje me qëllim që kjo të kryejë vetë ose me ndihmën e ndonjë
tjetri ndërprerje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në një vit.

Neni 96

Mjekimi i pakujdesshëm

Mjekimi i pakujdesshëm i të sëmurëve nga ana e mjekut ose e
personelit tjetër mjekësor, si dhe moszbatimi i terapisë ose i
porosive të mjekut nga personeli mjekësor apo farmacist, kur ka
shkaktuar dëmtimin e rëndë të shëndetit, ka rrezikuar jetën e
personit ose ka shkaktuar vdekjen e tij, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.


Neni 97

Mosdhënia ndihmë

Mosdhënia e ndihmës, pa shkaqe të arsyeshme nga ana e personit që
me ligj ose për shkak të detyrës detyrohej ta jepte atë, kur si
pasojë e saj është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit, rrezikimi
i jetës ose vdekja, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 98

Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes

Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes njerëzve që janë duke
u mbytur në det ose në ujëra të tjera, kur kjo ndihmë mund të jepej
pa rrezik serioz për anijen, ekuipazhin dhe udhëtarët, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

Neni 99

Shkaktimi i vetëvrasjes

Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të një
personi, si rrjedhojë e trajtimit të keq sistematik ose nga sjellje
të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin, të kryera nga
personi që e ka në vartësi materiale apo çfarëdolloj vartësie
tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.


SEKSIONI VI

KRIME SEKSUALE

Neni 100

Marrdhënie seksuale me të mitura

Kryerja e marrëdhënieve seksuale me të miturën, që nuk ka arritur
moshën katërmbëdhjetë vjeç ose që nuk ka arritur pjekurinë
seksuale, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur marrëdhënia seksuale kryhet me dhunë ose kur i janë shkaktuar
të dëmtuarës pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga
dhjetë gjer në njëzet vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të
miturës, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet.

Neni 101

Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç

Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të miturën në moshë
katërmbëdhjetë gjer në tetëmbëdhjetë vjeç dhe që ka arritur
pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur të miturës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin,
dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të
miturës, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 102

Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura

Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura dënohet
me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Kur të dëmtuarës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin,
dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen apo vetëvrasjen e të
dëmtuarës, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 103

Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për t'u mbrojtur

Kryerja e marrëdhënieve seksuale duke përfituar nga pazotësia
fizike ose mendore e të dëmtuarës që ka arritur moshën
katërmbëdhjetë vjeç dhe pjekurinë seksuale ose, nga vendosja e saj
në gjendje të pandërgjegjshme, dënohet me burgim nga pesë gjer në
dhjetë vjet.
Kur të dëmtuarës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin,
dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të
dëmtuarës, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 104

Marrëdhënie seksuale me kërcënim për përdorim të armës

Kryerja e marrëdhënieve seksuale duke kërcënuar të dëmtuarën për
përdorim aty për aty të armës, dënohet me burgim nga pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet.


Neni 105

Marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën

Kryerja e marrëdhënieve seksuale duke shpërdoruar raportet e
vartësisë ose të detyrës, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Neni 106

Marrëdhënie seksuale me persona në gjini ose nën kujdestari

Kryerja e marrëdhënieve seksuale midis prindërit dhe fëmijës,
vëllait dhe motrës, midis personave të tjerë që janë gjini në vijë
të drejtë ose me persona që ndodhen në raporte kujdestarie apo të
birësimit, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 107

Marrëdhënie seksuale në vende publike

Kryerja e marrëdhënieve seksuale në vende publike ose në ambiente
të ekspozuara nga vështrimi i njerëzve, përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 108

Vepra të turpshme

Kryerja e veprave të turpshme me persona që nuk kanë arritur
moshën katërmbëdhjeë vjeç, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.


SEKSIONI VII

VEPRA PENALE KUNDER LIRISE SE PERSONIT

Neni 109

Rrëmbimi i personit

Rrëmbimi i personit i bërë me qëllim për të fituar pasuri ose për
të siguruar çdo lloj përfitimi tjetër, dënohet me burgim nga dhjetë
gjer në njëzetë vjet.
Rrëmbimi i fëmijës nën moshën katërmbëdhjetë vjeç, fshehja ose
zëvendësimi me një tjetër, dënohet jo më pak se njëzet vjet ose me
burgim të përjetshëm a me vdekje.

Neni 110

Heqja e paligjshme e lirisë

Heqja e paligjshme e lirisë së personit përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Kur kjo vepër ka vënë në rrezik jetën ose është shoqëruar me
vuajtje të rënda fizike, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 111

Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera

Zotërimi dhe vënia nën kontroll e avionëve, anijeve dhe mjeteve
të tjera të transportit ku ndodhen njerëz, duke përdorur dhunë ose
me kërcënim me armë a mjete të tjera, dënohet me burgim nga dhjetë
gjer në njëzet vjet.

Neni 112

Dhunimi i banesës

Hyrja ose qëndrimi në banesën e tjetrit pa pëlqim të tij përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
muaj.
Kur vepra është kryer me dhunë ose me kërcënim për përdorim të
armës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në një vit.


SEKSIONI VIII

VEPRA PENALE KUNDER MORALIT DHE DINJITETIT

Neni 113

Prostitucioni

Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
tre vjet.

Neni 114

Favorizimi i prostitucionit

Shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e
prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet ndaj një të miture ose me anë të
përdorimit të dhunës, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë
vjet.

Neni 115

Mbajtja e lokaleve për prostitucion

Mbajtja, shfrytëzimi, financimi, dhënia me qira e lokaleve për
ushtrim të prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
dhjetë vjet.

Neni 116


Homoseksualizmi

Marrëdhëniet homoseksuale, kur kryhen me dhunë, me persona të
mitur ose me persona të pazotë për t'u mbrojtur, dënohen me burgim
gjer në pesë vjet.

Neni 117

Pornografia

Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi, shitja e botimi i
materialeve pornografike në ambientet e të miturve, përbëjnë
kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy
vjet.

Neni 118

Dhunimi i varreve

Dhunimi i varrezave, varreve, nxjerrja e kufomës, si dhe vjedhja
e sendeve që mund të ndodhen në to, si dhe çdo veprim tjetër që ul
respektin ndaj të vdekurve, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në
pesë vjet.
Neni 119

Fyerja

Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 120

Shpifja

Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër
që dihet se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e
personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në një vit.
Po kjo vepër, e kryer botërisht, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 121

Ndërhyrje të padrejta në jetën private

Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të
fjalëve ose të figurave, dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i
fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si dhe
ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që
ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e
tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në dy vjet.
Neni 122

Përhapja e sekreteve vetjake

Përhapja e një sekreti që i përket jetës private të një personi
nga ai që e siguron atë për shkak të detyrës ose të profesionit,
kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një
vit.
Po kjo vepër, e kryer me qëllim fitimi ose për të dëmtuar një
person tjetër, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në dy vjet.
Neni 123

Pengimi ose shkelja e fshehtësisë së korrespondencës

Kryerja me dashje e veprimeve të tilla si asgjësimi, mosdorëzimi,
hapja dhe leximi i letrave apo çdo korrespondencë tjetër, si dhe
ndërprerja ose vënia nën kontroll, dëgjimi i bisedave telefonike,
telegrafike ose i çdo mjeti tjetër telekomunikimi, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy
vjet.


SEKSIONI IX

VEPRA PENALE KUNDER FEMIJEVE, MARTESES DHE FAMILJES

Neni 124

Braktisja e fëmijëve të mitur

Braktisja e fëmijës nën moshën 14 vjeç nga prindi ose personi që
është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në tre vjet.
Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose
vdekja e fëmijës, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 125

Mosdhënia e mjeteve për jetesë

Mosdhënia e mjeteve të nevojshme për jetesën e fëmijëve, të
prindërve ose të bashkëshortit, nga personi që në zbatim të një
vendimi gjyqësor detyrohet ta japë, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 126

Mosnjoftimi i ndryshimit të vendbanimit

Mosnjoftimi brenda një muaji i ndryshimit të vendbanimit, të
interesuarve ose organit të ekzekutimit, nga personi që sipas
vendimit gjyqësor detyrohet me dhënien e mjeteve të nevojshme për
jetesë fëmijëve, prindërve ose bashkëshortit të vet, si dhe ai të
cilit i janë besuar fëmijët pas zgjidhjes së martesës, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
muaj.
Neni 127

Marrja e padrejtë e fëmijës

Marrja e padrejtë e fëmijës, duke e larguar prej personit që
ushtron autoritetin prindëror ose që i është besuar për rritje dhe
edukim, si dhe mosdorëzimi i fëmijës prindit tjetër në zbatim të
vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 128

Ndërrimi i fëmijëve

Ndërrimi i fëmijëve i bërë me pakujdesi nga personeli ku fëmijët
mbahen për rritje, mjekim ose në shtëpi lindjeje, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy
vjet.

Neni 129

Shtytja e të miturve në krim

Shtytja ose tërheqja e të miturve nën moshën katërmbëdhjetë vjeç
për të kryer krim, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 130

Shtrëngimi ose pengimi për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur
martesë

Shtrëngimi ose pengimi për të filluar ose vazhduar bashkëjetesën
ose shtrëngimi për të zgjidhur martesën, përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.


SEKSIONI X

VEPRA PENALE KUNDER LIRISE SE BESIMIT

Neni 131

Pengimi i veprimtarive të organizatave fetare

Ndalimi i veprimtarive të organizatave fetare, si dhe krijimi i
pengesave për ushtrimin e lirë të veprimtarive të tyre, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 132

Shkatërrimi ose dëmtimi i objekteve të kultit

Shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i objekteve të kultit, kur ka
shkaktuar humbjen plotësisht ose pjesërisht të vlerave të tyre,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 133

Pengimi i ceremonive fetare

Ndalimi ose krijimi i pengesave që u bëhen personave për të marrë
pjesë në ceremonitë fetare, si dhe për të shprehur lirisht bindjet
fetare, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në një vit.


K R E U III

VEPRA PENALE KUNDER PASURISE DHE NE SFEREN EKONOMIKE

SEKSIONI I

VJEDHJA E PASURISE

Neni 134

Vjedhja

Vjedhja e pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë
vjet.

Neni 135

Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën

Vjedhja e pasurisë e kryer nga personi, që ka për detyrë ta ruajë
dhe ta administrojë atë, apo duke shpërdoruar detyrën, dënohet me
burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 136

Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit

Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit dënohet me burgim nga
pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 137

Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike

Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 138

Vjedhja e veprave të artit e kulturës

Vjedhja e veprave të artit e kulturës dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.
Vjedhja e veprave të artit e kulturës me rëndësi kombëtare
dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Neni 139

Vjedhja me dhunë

Vjedhja e pasurisë e shoqëruar me përdorim dhune dënohet me
burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 140

Vjedhja me armë

Vjedhja e pasurisë e shoqëruar me përdorim arme dënohet me burgim
nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 141

Vjedhja me pasojë vdekjen

Vjedhja e pasurisë, kur është shoqëruar me dhunime që kanë sjellë
vdekjen e personit, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në
njëzet e pesë vjet ose me burgim të përjetshëm a me vdekje.

Neni 142

Sigurimi i mjeteve për vjedhje

Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të vjedhur
pasurinë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.


SEKSIONI II

MASHTRIMET

Neni 143

Mashtrimi

Vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të
besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 144

Mashtrimi në subvencione

Mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar
padrejtësisht subvencione nga shteti, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në katër vjet.

Neni 145

Mashtrimi në sigurime

Paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që
sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre
në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 146

Mashtrimi në kredi

Mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar
padrejtësisht kredi duke regjistruar në mënyrë fiktive në hipotekë
objekte që nuk ekzistojnë, ose tej vlerës së tyre reale, ose në
pronësi të një tjetri, të bëra me qëllim për të mos kthyer më
kredinë e marrë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë
vjet.

Neni 147

Mashtrimi për veprat e artit e të kulturës

Vjedhja e pasurisë me anë të mashtrimit, duke paraqitur një vepër
të artit dhe të kulturës si origjinale apo të një tjetër autori nga
ai që është në fakt, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
vjet.


Neni 148

Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet

Botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht me emrin e vet të
një vepre letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket
një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në një vit.

Neni 149

Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit

Riprodhimi tërësisht ose pjesërisht i veprës letrare, muzikore,
artistike ose shkencore që i përket një tjetri, ose përdorimi i
tyre pa pëlqim të autorit, kur kanë shkelur të drejtat vetjake e
pasurore të tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.


SEKSIONI III

SHKATERRIMI I PRONES

Neni 150

Shkatërrimi i pronës

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale
nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 151

Shkatërrimi i pronës me zjarr

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Kur nga vepra penale janë shkaktuar pasoja të rënda materiale,
dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e
njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 152

Shkatërrimi i pronës me eksploziv

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me eksploziv dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale,
dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e
njerëzve, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 153

Shkatërrimi i pronës me përmbytje

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me përmbytje dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale,
dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e
njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 154

Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me mjete të tjera, që
përbëjnë rrezik për mjedisin rrethues dhe jetën e njerëzve, dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale,
dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e
njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 155

Shkatërrimi i rrugëve

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrugëve automobilistike,
hekurudhore dhe veprave që lidhen me to, dënohet me gjobë apo me
burgim gjer në shtatë vjet.
Kur nga veprat penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale,
dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e
njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 156

Shkatërrimi i rrjetit elektrik

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit elektrik, telegrafik,
telefonik, radioteleviziv apo të çdo rrjeti ndërlidhës, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre vet.

Neni 157

Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i kanaleve ujitëse dhe kulluese
ose veprave që lidhen me to, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 158

Administrimi i ujit pa të drejtë, duke kthyer ose ndryshuar vijën
e ujit, duke hapur pendat, duke ndërtuar apo mbyllur kanale
kulluese apo vaditëse, vija ose vepra të tjera, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 159

Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit të ujësjellësit
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Lidhja, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e bërë pa leje në rrjetin e
ujësjellësit për marrjen e ujit të pijshëm, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 160

Shkatërrimi i veprave kulturore

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i veprave kulturore dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Kur nga vepra penale janë shkatërruar apo dëmtuar vepra kulturore
me rëndësi kombëtare, dënohet me gjobë ose me burgim nga dy gjer në
tetë vjet.

Neni 161

Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia

Shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia i pronës, kur ka sjellë
pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
tre vjet.
Neni 162

Përplasja e mjeteve të transportit masiv

Shkaktimi nga pakujdesia i përplasjes së trenave, anijeve,
avionëve, kur ka shkaktuar rrëzimin, djegien, mbytjen, përmbysjen,
daljen nga shinat ose është shoqëruar me pasoja të rënda materiale,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.


SEKSIONI IV

VEPRA PENALE TE KRYERA NE SHOQERITE TREGTARE

Neni 163

Përpilimi i deklaratave të rreme

Përpilimi i deklaratave të rreme, në rastin e zmadhimit të
kapitalit të shoqërisë, lidhur me ndarjen e pjesëve të kapitalit
themeltar të ortakëve, me shlyerjen e tij apo me depozitimin e
fondeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Neni 164

Shpërdorimi i kompetencave

Shpërdorimi i kompetencave nga anëtarët e këshillit mbikqyrës apo
administratorët e shoqërisë me qëllim përfitimi apo për të
favorizuar një shoqëri tjetër ku kanë interesa, dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 165

Falsifikimi i nënshkrimeve

Falsifikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve, apo deklarimi i rremë
i derdhjeve të fondeve të shoqërisë, apo publikimi i nënshkrimeve
dhe derdhjeve për persona fiktivë, apo vlerësimi i kontributit në
natyrë me vlerë më të madhe se sa vlera faktike, dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 166

Emetimi i parregullt i aksioneve

Emetimi i parregullt i aksioneve bërë përpara regjistrimit të
shoqërisë apo kur regjistrimi është bërë në mënyrë të
kundërligjshme, apo kur formalitetet e shoqërisë ende nuk janë
plotësuar, apo kur ndryshimi i statutit me rastin e zmadhimit të
kapitalit ende nuk është bërë ose nuk është regjistruar apo është
bërë në mënyrë të kundërligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 167

Mbajtja e padrejtë e dy cilësive

Mbajtja njëkohësisht e cilësive të ortakut dhe ekspertit kontabël
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në gjashtë muaj.

Neni 168

Dhënia e informacioneve të rreme

Dhënia e informacioneve të rreme për gjendjen e shoqërisë prej
ekspertit kontabël pranë një shoqërie tregtare, apo moskallzimi në
organet kompetente për kryerjen e një krimi, kur nuk ekzistojnë
rastet e përjashtimeve nga përgjegjësia penale të përcaktuara në
nenin 300 të këtij Kodi, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
pesë vjet.

Neni 169

Zbulimi i sekreteve të shoqërisë

Zbulimi i sekreteve të shoqërisë prej ekspertit kontabël të saj,
me përjashtim të rasteve kur e detyron ligji, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 170

Mosbërja e shënimeve të detyrueshme

Mosbërja e shënimeve të detyrueshme nga administratori apo
likuiduesi i shoqërisë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë.


SEKSIONI V

KRIME NE FUSHEN E DOGANAVE

Neni 171

Kontrabanda me mallra të ndaluar

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i paligjshëm i mallrave të
ndaluar që hyjnë e dalin në Republikën e Shqipërisë, i kryer me
çdo mënyrë a mjet qoftë, dënohen me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 172

Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave që paguhet akcizë
nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo
të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për
natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të
tjera forma që kanë për qëllim shmagien nga detyrimet doganore,
dënohen me gjobë ose burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 17

Kontrabanda me mallra të liçensuar

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave, që kërkojnë
liçencë nga organi kompetent, nëpërmjet kalimit jashtë pikave
doganore, fshehjes së pjesshme apo të plotë, mosdeklarimit të saktë
në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë,
çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për
qëllim shmagien nga detyrimet doganore, dënohen me gjobë ose burgim
gjer në pesë vjet.

Neni 174

Kontrabanda me mallra të tjera

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave, nëpërmjet
kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së plotë apo të pjesshëm,
mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën,
llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma
që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me
gjobë ose burgim gjer në pesë vjet.



Neni 175

Kontrabanda nga punonjës të doganave

Kryerja e kontrabandës nga punonjës të doganave apo punonjës të
tjerë, që kanë lidhje me veprimtarinë doganore, dënohen me burgim
nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 176

Kontrabanda e vlerave kulturore

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i vlerave kulturore
kombëtare në kundërshtim me dispozitat ligjore në lidhje me to,
dënohen me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 177

Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave, duke i paraqitur
ato si mallra me regjim të ndërmjetëm, me qëllim shmangien nga
detyrimet doganore, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë
vjet.

Neni 178

Tregtimi i mallrave që janë kontrabandë

Tregtimi apo tjetërsimi i mallrave që dihen që janë kontrabandë,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 179

Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë

Ruajtja, depozitimi, mbajtja apo përpunimi i mallrave që dihen se
janë kontrabandë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.


SEKSIONI VI

VEPRAT PENALE NE LIDHJE ME TAKSAT E TATIMET

Neni 180

Fshehja e të ardhurave

Fshehja apo tregimi i rremë i të ardhurave ose i objekteve që i
nënshtrohen tatimeve dhe taksave, kur më parë janë marrë masa
administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në dy vjet.

Neni 181

Mospagimi i taksave dhe tatimeve

Mospagimi i taksave dhe tatimeve brenda afatit të caktuar,
megjithë mundësinë e pagimit të tyre, nga personi ndaj të cilit
janë marrë më parë masa administrative për këtë qëllim, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 182

Ndryshimi në aparatet matëse

Ndryshimi apo ndërhyrja në aparatet dhe arkat matëse regjistruese
e të lëshimit të kuponave, apo përdorimi i aparateve dhe arkave të
ndryshuara, apo lejimi i përdorimit nga të tjerët i aparateve dhe
arkave të parregullta, me qëllim shmangien nga pagimi i plotë i
tatimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në dy vjet.


SEKSIONI VII

FALSIFIKIMI I MONEDHAVE DHE LETRAVE ME VLERE

Neni 183

Falsifikimi i monedhave

Falsifikimi apo vënia në qarkullim e monedhave të falsifikuara
dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.


Neni 184

Falsifikimi i letrave me vlerë

Falsifikimi apo vënia në qarkullim i çeqeve, kambialeve,
kartëkrediteve, çekudhëtarëve apo të tjera letra me vlerë të
falsifikuara, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 185

Prodhimi i mjeteve për falsifikim

Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të falsifikuar monedha, çeqe,
kambiale, kartëkredite, çekudhëtari apo të tjera letra me vlerë,
dënohet me gjobë ose me burgim nga një gjer në tre vjet.



SEKSIONI VIII

FALSIFIKIMI I DOKUMENTEVE

Neni 186

Falsifikimi i dokumenteve

Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë
dokumentin, dënohet me burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 187

Falsifikimi i dokumenteve shkollore

Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve shkollore të falsifikuara
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë
dokumentin, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 188

Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore

Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve të falsifikuar
shëndetësore dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë
dokumentin, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 189

Falsifikimi i letërnjoftimeve apo vizave

Falsifikimi apo përdorimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo
vizave të falsifikuara dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë
vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë
letërnjoftimin apo pasaportën, dënohet me burgim nga tre gjer në
shtatë vjet.

Neni 190

Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve

Falsifikimi apo përdorimi i vulave, stampave dhe formularëve të
falsifikuar, apo paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit
që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në pesë vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë përpilimin e
tyre, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Neni 191

Falsifikimi i akteve të gjendjes civile

Falsifikimi apo përdorimi i akteve të gjendjes civile të
falsifikuara dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë
aktin, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 192

Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve

Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të kryer falsifikim të
dokumenteve përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në dy vjet.


SEKSIONI IX

VEPRA PENALE NE FUSHEN E FALIMENTIMIT

Neni 193

Falimentimi i provokuar

Çuarja me dashje e personit juridik në gjendjen e falimentimit
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 194

Fshehja e gjendjes së falimentimit

Hyrja në marrëdhënie ekonomike tregtare me të tretët nga ana e
personit juridik, me qëllim të fshehë gjendjen e falimentimit,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 195

Fshehja e pasurisë pas falimentimit

Fshehja e pasurisë pas falimentimit të personit juridik, me
qëllim që t'u shmanget pasojave të tij, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 196

Shkelja e detyrimeve

Shkelja nga ana e personit juridik të detyrimeve që rëndojnë mbi
të me rastin e falimentimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.


SEKSIONI X

ZHVILLIMI I PALEJUAR I LOJERAVE TE FATIT

Neni 197

Organizimi i llotarive të palejuara

Organizimi i llotarive, lojrav të fatit apo bixhozit, në
kundërshtim me dispozitat ligjore, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 198

Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara

Vënia në dispozicion e lokaleve për organizimin apo luajtjen e
llotarive, lojrave të fatit apo bixhozit, në kundërshtim me
dispozitat ligjore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në gjashtë muaj.


SEKSIONI XI

VEPRA PENALE QE CENOJNE RREGJIMIN JURIDIK TE TOKES

Neni 199

Shpërdorimi i tokës

Shpërdorimi i tokës në kundërshtim me destinacionin e saj përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
gjashtë muaj.

Neni 200

Pushtimi i tokës

Pushtimi i tokës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në dy vjet.


K R E U IV

VEPRA PENALE KUNDER MJEDISIT

Neni 201

Ndotja e ajrit

Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të
tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara,
kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy
vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e
shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 202

Transportimi i mbeturinave toksike

Transportimi tranzit apo depozitimi në territorin shqiptar të
mbeturinave toksike dhe radioaktive, dënohet me burgim nga një gjer
në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e
shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 203

Ndotja e ujërave

Ndotja e ujërave të deteve, lumenjve, liqeneve apo burimeve të
rrjetit grumbullues e shpërndarës të ujërave me lëndë toksike,
radioaktive apo substanca të tjera, që prishin ekuilibrin
ekologjik, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e
shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë
vjet.

Neni 204

Peshkimi i ndaluar

Peshkimi në kohë, me mjete, vende dhe mënyra të ndaluara përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
muaj.
Peshkimi i kryer me mjete të rrezikut të përbashkët si eksploziv,
lëndë helmuese etj., përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 205

Prerja e paligjshme e pyjeve

Prerja apo dëmtimi i pyjeve pa leje apo në kohë dhe vende të
ndaluara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një
vit.

Neni 206

Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë

Prerja e drurëve dekorativë dhe dëmtimi i lulishteve dhe parqeve
nëpër qytete përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë.
Prerja e drurëve në pemëtore, ullishta e vreshta, pasi është
refuzuar më parë leja e prerjes nga organet kompetente, përbën
kundërvajtje penale e dënohet me burgim gjer në tre muaj.

Neni 207

Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve

Shkelja e rregullave për karantinën e bimëve apo të kafshëve, kur
ka sjellë pasoja të rënda materiale ose që rrezikojnë jetën e
shëndetin e njerëzve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë.


KREU V

KRIME KUNDER PAVARESISE DHE RENDIT KUSHTETUES

SEKSIONI I

KRIME KUNDER PAVARESISE DHE INTEGRITETIT

Neni 208

Dorëzimi i territorit

Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo
fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin
e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me
burgim të përjetshëm a me vdekje.


Neni 209

Dorëzimi i forcave të armatosura

Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i forcave të armatosura apo
materialeve mbrojtëse ose furnizimi me armë e municion i një shteti
apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe
integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë
vjet ose me burgim të përjetshëm a me vdekje.

Neni 210

Marrëveshja për dorëzim territori

Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim
pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura
e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e
vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Neni 211

Provokimi i luftës

Kryerja e veprimeve që synojnë të provokojnë luftë apo të vënë
Republikën e Shqipërisë përpara rrezikut të ndërhyrjes nga fuqi të
huaja, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 212

Marrëveshja për ndërhyrje të armatosur

Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për të shkaktuar
ndërhyrje të armatosur kundër territorit të Republikës së
Shqipërisë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë
vjet.

Neni 213

Dhënia e informatave sekrete

Dhënia e informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo
lloji tjetër një fuqie të huaj për të cenuar pavarësinë e vendit,
dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 214

Sigurimi i informatave

Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo
lloji tjetër, me qëllim që t'i jepen një fuqie të huaj, për të
cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga tre gjer në
dhjetë vjet.

Neni 215

Dëmtimi i objekteve mbrojtëse

Shkatërrimi apo dëmtimi i mjeteve, pajisjeve, aparaturave,
armatimit, teknikës luftarake apo objekteve mbrojtëse ushtarake, me
qëllim uljen e aftësisë mbrojtëse të vendit, dënohet me burgim nga
pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 216

Sigurimi i mjeteve për shkatërrimin e teknikës luftarake

Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të shkatërruar ose dëmtuar
pajisjet, aparaturat, armatimin, mjetet e teknikës luftarake apo
objektet mbrojtëse ushtarake, me qëllim uljen e aftësisë mbrojtëse
të vendit, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 217


Marrja e shpërblimeve

Marrja apo marrëveshja për të marrë shpërblim apo përfitime të
tjera materiale, për të kryer në favor të shteteve apo fuqive të
huaja një nga krimet e parashikuara në këtë seksion, dënohet me
burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Neni 218

Vënia në shërbim të shteteve të huaja

Vënia në shërbim të një shteti apo një fuqie të huaj të çdo
shtetasi shqiptar, me qëllim kryerjen e veprave kundër pavarësisë
dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë, dënohet me burgim nga
tre gjer në dhjetë vjet.


SEKSIONI II

KRIME KUNDER RENDIT KUSHTETUES

Neni 219

Atentati

Kryerja e vrasjeve, rrëmbimeve, torturave apo akteve të tjera të
dhunës kundër përfaqësuesve më të lartë të shtetit, me qëllim për
të përmbysur rendin kushtetues, dënohet me burgim jo më pak se
pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm a me vdekje.

Neni 220

Komploti

Marrja e vendimeve dhe krijimi i kushteve materiale nga një grup
njerëzish për të kryer atentat dënohet me burgim nga pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 221

Kryengritja

Pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash
apo barrikadash për të ndalur forcat e rendit, rezistenca me armë
apo çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, kryerja e
plaçkitjeve, grumbullimi apo vënia në dispozicion e armëve,
municioneve dhe njerëzve, krijimi i lehtësirave në favor të
kryengritësve, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen
me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet.
Marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme
dënohet me burgim të përjetshëm a me vdekje.

Neni 222

Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës

Thirrjet për armatosje kundër rendit kushtetues, krijimi apo
organizimi i forcave të armatosura në kundërshtim me ligjin, marrja
pa të drejtë e komandës së forcave të armatosura për të kryer
veprime luftarake, me qëllim për t'iu kundërvënë rendit kushtetues,
dënohen me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Neni 223

Thirrjet publike për veprime të dhunshme

Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër
rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 224

Krijimi i partive dhe shoqatave antikushtetuese

Krijimi apo pjesëmarrja në parti, organizata apo shoqata që
synojnë përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues, dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në tre vjet.
Rikrijimi i një partie, organizate ose shoqate të shpërndarë si
antikushtetuese apo vazhdimi i veprimtarisë në mënyrë të fshehtë
ose të hapur, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Neni 225

Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese

Shpërndarja e shkrimeve apo përdorimi i simboleve që i përkasin
një partie, organizate apo shoqate antikushtetuese ose që është e
shpërndarë si e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
vjet.
Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga
jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e
rendit kushtetues a cenimin e tërësisë tokësore të vendit, dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.


KREU VI

KRIME QE CENOJNE MARREDHENIET ME SHTETET E TJERA

Neni 226

Veprat e dhunshme ndaj përfaqësuesve të shteteve të huaja

Kryerja e veprave të dhunshme ndaj kryetarëve, anëtarëve të
qeverisë, parlamentarëve të shteteve të huaja, përfaqësuesve
diplomatikë, apo të organizmave të njohur ndërkombëtarë, që ndodhen
zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë, dënohet me burgim gjer në
dhjetë vjet.

Neni 227

Fyerja ndaj përfaqësuesve te shteteve të huaja

Fyerja e bërë ndaj kryetarëve,anëtarëve të qeverisë,
parlamentarëve të shteteve të tjera, përfaqësuesve diplomatikë apo
të organizmave të njohur ndërkombëtarë, që ndodhen zyrtarisht në
Republikën e Shqipërisë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
vjet.

Neni 228

Veprimet e dhunshme ndaj vendeve të punës të përfaqësuesve të huaj

Kryerja e veprimeve të dhunshme ndaj vendeve të punës, banimit,
mjeteve të transportit të përfaqësuesve të shteteve të huaja dhe
organizmave të njohur ndërkombëtarë, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Kur nga vepra kanë ardhur pasoja të rënda materiale apo janë
sjellë ndërlikime në marrëdhëniet dypalëshe, dënohet me burgim gjer
në dhjetë vjet.

Neni 229

Veprimet fyese ndaj himnit e flamurit

Përdorimi i fjalëve ose kryerja e veprimeve që botërisht fyejnë
flamurin, stemën, himnin e shteteve të huaja apo organizmave të
njohur ndërkombëtarë, si dhe heqja, prishja, bërja e papërdorshme
e flamurit, e stemës së ekspozuar në institucione zyrtare, përbëjnë
kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një
vit.


KREU VII

AKTET TERRORISTE

Neni 230

Aktet terroriste

Kryerja e veprimeve të dhunshme ndaj jetës, shëndetit të
njerëzve, lirisë vetjake nëpërmjet rrëmbimit të tyre apo të mjeteve
të udhëtimit masiv, që kanë për qëllim turbullimin e rëndë të
rendit publik dhe ngjalljen e frikës e të pasigurisë në masë,
dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të
përjetshëm a me vdekje.

Neni 231

Veprat e dhunshme ndaj pasurisë

Kryerja e veprimeve të dhunshme ndaj pasurisë nëpërmjet
vjedhjeve, dëmtimeve e shkatërrimeve masive, që kanë për qëllim
turbullimin e rëndë të rendit publik dhe ngjalljen e frikës e të
pasigurisë në masë, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë
vjet.

Neni 232

Shpërndarja e substancave të rrezikshme

Shpërndarja në atmosferë, në tokë apo në ujë e substancave që
përbëjnë rrezik për jetën e shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve,
që kanë për qëllim turbullimin e rëndë të rendit publik dhe
ngjalljen e pasigurisë në masë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer
në njëzet vjet.

Neni 233

Krijimi i turmave të armatosura

Krijimi i turmave të armatosura për t'iu kundërvënë rendit publik
me anë të veprimeve të dhunshme ndaj jetës, shëndetit, lirisë
vetjake të personit, pasurisë, me qëllim ngjalljen e frikës e të
pasigurisë në masë, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 234

Prodhimi i armëve luftarake

Prodhimi, mbajtja, transportimi i armëve luftarake, kimike,
biologjike, bërthamore, me bazë helmuese ose eksplozive, me qëllim
për të kryer vepra terrori, dënohen me burgim nga pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet.

KREU VIII

KRIME KUNDER AUTORITETIT TE SHTETIT

SEKSIONI I

VEPRA PENALE KUNDER VEPRIMTARISE SHTETERORE TE KRYERA NGA SHTETASIT

Neni 235

Kundërshtimi i punonjësit që kryhen një detyrë shtetërore ose një
shërbim publik

Kundërshtimi që i bëhet një punonjësi që kryhen një detyrë
shtetërore apo një shërbim publik, me qëllim për ta penguar atë për
të kryer detyrën apo shërbimin sipas ligjit, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
Po kjo vepër e kryer me dhunë fizike, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.

Neni 236

Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik

Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik,
me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit,
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në një vit.
Po kjo vepër e kryer me dhunë fizike, dënohet me burgim nga dy
gjer në shtatë vjet.

Neni 237

Goditjet për shkak të detyrës

Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen
një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të
veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë
ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 238

Kanosja për shkak të detyrës

Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet
punonjësit që kryhen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik,
për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit,
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në dy vjet.
Neni 239

Fyerja për shkak të detyrës

Fyerja e qëllimshme që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë
shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij
shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
Po kjo vepër e kryer botërisht, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 240

Shpifja për shkak të detyrës

Shpifja e qëllimshme që i bëhet punonjësit që kryen një dtyrë
shtetërore apo një shërbim publik për shkak të veprimtarisë së tij
shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Po kjo vepër e kryer botërisht, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 241

Shpifja ndaj Presidentit të Republikës

Shpifja e qëllimshme ndaj Presidentit të Republikës dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 242

Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik

Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshme të punonjësit të.policisë së
rendit publik përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në tre muaj.

Neni 243

Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një
detyrë shtetërore

Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen pjesëtarit të
familjes së një personi që kryen një detyrë shtetërore ose një
shërbim publik, për të penguar në kryerjen e detyrës apo të
shërbimit ose për shkak të kësaj veprimtarie, dënohen me gjobë ose
me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 244

Propozimi për shpërblime që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë
shtetërore

Propozimi për shpërblime, dhurata ose përfitime të tjera që i
bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim
publik, që të kryejë apo moskryejë një veprim që lidhet me detyrën
apo shërbimin, apo të përdorë ndikimin e tij në autoritetet e tjera
për të siguruar favorizime, dallime e çdo përfitim tjetër, dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 245

Dhënia e shpërblimit punonjësit që kryen një detyrë shtetërore

Dhënia e shpërblimeve ose përfitimeve të tjera punonjësit që
kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik për të kryer apo
për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën apo shërbimin, apo
të përdorë ndikimin e tij në autoritetet e tjera për të siguruar
favorizime, dallime e çdo përfitim tjetër, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.

Neni 246

Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore

Përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore i shoqëruar me
kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo të
detyrës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në dy vjet.
Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë,
dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 247

Mbajtja pa të drejtë e uniformës

Mbajtja pa të drejtë e uniformës, e në dokumenti ose e një shenje
dalluese, që tregojnë cilësinë e një punonjësi që kryen një detyrë
shtetërore apo një shërbim publik, shoqëruar me veprime të
paligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në dy vjet.
Kur vepra kryhet me qëllim fitimi ose ka prekur lirinë,
dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.


SEKSIONI II

VEPRA PENALE KUNDER VEPRIMTARISE SHTETERORE TE KRYERA NGA
PUNONJESIT SHTETERORE OSE NE SHERBIM PUBLIK

Neni 248

Shpërdorimi i detyrës

Kryerja e veprimeve që synojnë të pengojnë zbatimin e ligjit nga
personi i ngarkuar me një funksion shtetëror, kur nga veprime të
tilla u janë shkaktuar pasoja të rënda interesave të shtetasve ose
atyre shtetërore, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë
vjet.

Neni 249

Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij

Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit
publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo
rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 250

Kryerja e veprimeve arbitrare

Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhërave arbitrare, nga ana e
punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik
gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e
shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 251

Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme

Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të
ndërpritet gjendja e paligjshmërisë si rezultat i një veprimi
arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit të
ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen
në dijeni të asaj gjendjeje për shkak të funksionit apo shërbimit,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 252

Mbajtja në burg pa vendim

Mbajtja në burg, pa vendim të organit kompetent ose tej afatit të
caktuar në vendim apo në ligj, prej personit të ngarkuar me detyrën
e administratorit të burgut, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 253

Shkelja e barazisë së shtetasve

Kryerja për shkak të detyrës e në ushtrim të saj, nga ana e
punonjësit me funksion shtetëror apo në shërbim publik, të
dallimeve mbi bazë origjine, seksi, gjendjes shëndetësore, bindjeve
fetare, politike, të veprimtarisë sindikale ose për shkak të
përkatësisë në një etni, komb, racë apo fe të caktuar, që konsiston
në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të
drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.

Neni 254

Shkelja e paprekshmërisë së banesës

Hyrja në banesë, pa pëlqimin e personit që banon në të, prej
punonjësit të ngarkuar me një funksion shtetëror apo në shërbim
publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, veç rasteve kur lejohet
nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 255

Pengimi dhe shkelja e fshehtësisë së korrespondencës

Dhënia e urdhërave ose kryerja e veprimeve për asgjësimin,
leximin dhe përhapjen e korrespondencës postare ose që prish,
vështirëson, ve nën kontroll ose përgjon korrespondencën telefonike
apo të çdo mjeti tjetër të komunikimit, nga ana e punonjësit të
ngarkuar me funksion shtetëror ose në shërbim publik e në ushtrim
të tyre, veç rasteve kur lejohet nga ligji, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në tre vjet.

Neni 256

Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti

Shpërdorimi i kontributeve, subvencioneve ose financimeve të
dhëna nga shteti ose institucione shtetërore, për t'u përdorur në
vepra dhe veprimtari me interes publik, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në tre vjet.

Neni 257

Përfitimi i paligjshëm i interesave

Mbajtja, ruajtja ose marrja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë, nga
persona me funksione shtetërore apo shërbim publik, i një interesi
të çfarëdoshëm në një ndërmarrje ose operacion, në të cilat në
momentin e kryerjes së veprimit ka pasur detyrën e mbikëqyrjes,
administrimit ose likuidimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer
në katër vjet.

Neni 258

Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike

Kryerja nga personi i ngarkuar në funksione shtetërore apo në
shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë
lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe
ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të
padrejta për të tretët, dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në tre vjet.

Neni 259

Kërkim për dhënie mite

Kryerja e veprimeve nga punonjësi i ngarkuar me funksion
shtetëror apo në shërbim publik, për të kërkuar ose urdhëruar
dhënien e shpërblimeve që nuk i takojnë ose më shumë nga sa i
takojnë sipas ligjit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë
vjet.

Neni 260

Marrja e mitës

Marrja e shpërblimeve, dhuratave ose përfitimeve të tjera prej
punonjësit të ngarkuar me një funksion shtetëror apo në shërbim
publik e në ushtrim të tyre, për të kryer ose moskryer një veprim
që lidhet me funksionin apo shërbimin ose për të përdorur ndikimin
pranë autoriteteve të ndryshme për t'i siguruar çdo personi
favorizime, dallime, vende pune e përfitime të tjera, dënohet me
burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.


SEKSIONI III

VEPRA PENALE KUNDER RENDIT DHE SIGURISE PUBLIKE

Neni 261

Pengimi në ushtrimin e të drejtës për t'u shprehur, grumbulluar apo
manifestuar

Kryerja e veprimeve për të penguar shtetasit për të ushtruar
lirinë e shprehjes së mendimit, të grumbullimit apo të
manifestimit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në gjashtë muaj.
Kur veprimet shoqërohen me përdorimin e dhunës fizike, dënohen me
gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 262

Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të
paligjshme

Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në
sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga
organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga
organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie
të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në një vit.
Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe
pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 263

Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme
me pjesëmarrje të personave të armatosur

Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me
pjesëmarrje të personave të armatosur dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në tre vjet.
Pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme e
personave të armatosur përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 264

Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë

Detyrimi i punonjësit që kundër vullnetit të marrë apo tëmos
marrë pjesë në grevë ose krijimi i pengesave dhe vështirësive për
të vazhduar punën kur punonjësi dëshiron të punojë, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
muaj.
Neni 265

Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe
feve

Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare,
si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e
shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim
gjer në dhjetë vjet.

Neni 266

Thirrja për urrejtje nacionale

Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje
kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke
kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 267

Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik

Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me
shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një
gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.

Neni 268

Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj

Poshtërimi, botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së
shkrimeve, i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i
flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit ose
heqja, dëmtimi, prishja, bërja e padallueshme apo e papërdorshme e
flamurit apo e stemës së Republikës të Shqipërisë të ekspozuara nga
institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me
gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 269

Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike

Pengimi me dhunë i veprimtarisë së ligjshme të partive,
organizatave apo shoqatave politike përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 270

Rebelimi i të burgosurve

Përdorimi i dhunës, nga ana e të burgosurve ndaj punonjësit që
kryen një detyrë shtetërore apo në shërbim publik, që bëhet për ta
penguar në ushtrimin e detyrës apo të shërbimit ose për shkak të
veprimtarisë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Kur dhuna ushtrohet nga një grup personash ose shoqërohet me
trazira e çrregullime apo me kërcënime e frikësime, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 271

Disinformimi i ekipeve të urgjencës

Disinformimi me dashje i ekipeve të urgjencës për të prishur
gatishmërinë e tyre, e bërë me çdo mjet lajmërimi e thirrjeje,
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në një vit.

Neni 272

Njoftimi i rremë në organet e rendit

Njoftimi i rremë i bërë në organet e rendit, për kryerjen e një
vepre penale, për t'i vënë ato në gjendje gatishmërie dhe alarmi,
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në një vit.

Neni 273

Largimi nga vendi i aksidentit

Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të
çdo mjeti të motorizuar, për t'u shmangur nga përgjegjësia penale,
civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 274


Prishja e qetësisë publike

Hedhja e gurëve apo sendeve të tjera në banesën e shtetasit,
krijimi i zhurmave shqetësuese si, me në të shkrepjes së armëve apo
plasjeve të ndryshme, të përdorimit jashtë rregullave të sirenave
të automjeteve, apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në
rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e
moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin, përbëjnë
kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy
vjet.
Neni 275

Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike

Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim për të prishur
qetësinë e tjetrit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me
gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 276

Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq

Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq ose Gjysëm
Hënës së Kuqe, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy
vjet.
Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i
shëndetit të njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
dhjetë vjet.

Neni 277

Vetëgjyqësia

Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket ose që kujton
se i përket dhe që nuk njihet nga tjetri pa iu drejtuar organit
kompetent shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 278

Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit

Prodhimi i armëve dhe i municionit luftarak, i bombave apo
minave, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me
burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Mbajtja, blerja ose shitja e armëve, bombave apo minave pa lejen
e organeve kompetente shtetërore, dënohen me gjobë ose me burgim
deri në shtatë vjet.
Mbajtja e fishekëve të armëve të lehta luftarake pa leje të
organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Neni 279

Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta

Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta pa
leje të organeve kompetente, si shpatat, bajonetat, thikat dhe
mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm
kundër personave ose për vetëmbrojtje, dënohen me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.

Neni 280

Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive

Prodhimi, mbajtja, shitja ose blerja e armëve të gjuetisë ose
sportive, si dhe e municioneve të tyre, pa leje të organeve
kompetente shtetërore, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me
gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 281

Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese

Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin,
përdorimin, ruajtjen, tranportiin dhe shitjen e lëndëve helmuese me
efekt të fortë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në dy vjet.
Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i
shëndetit të njerëzve ose kanë ardhur pasoja të rënda materiale,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 282

Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive

Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin,
përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve plasëse,
djegëse apo radioaktive, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose ne burgim gjer në dy vjet.
Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i
shëndetit të njerëzve ose kanë ardhur pasoja të rënda materiale,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 283

Prodhimi dhe shitja e narkotikëve

Prodhimi, përzierja, përgatitja, shpërndarja, mbajtja, ofrimi për
shitje, shitja, shpërndarja me çdo mënyrë, transportimi i çdo lloj
droge narkotike ose substance psikotrope në kundërshtim me
dispozitat ligjore, dënohen me burgim nga pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen
me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 284

Kultivimi i bimëve narkotike

Kultivimi i bimëve apo tregtimi i farërave që shërbejnë për
prodhim të drogës narkotike apo substancave psikotrope pa leje,
dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen
me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Neni 285

Mbajtja e pajisjeve për prodhimin e narkotikëve

Mbajtja, prodhimi, transferimi, shpërndarja e pajisjeve, e
materialeve apo e substancave që janë përdorur ose do të përdoren
për prodhimin e drogës narkotike apo substancave psikotrope,
dënohen me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 286

Nxitja për përdorimin e drogës

Nxitja e të tjerëve për përdorimin e drogës narkotike ose të
substancave psikotrope apo injektimi i tyre pa pëlqimin e të
dëmtuarit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur nxitja apo injektimi i detyruar bëhet ndaj fëmijëve apo në
institucione penale, shkollore, sportive apo të çdo veprimtarie
tjetër shoqërore dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë
vjet.
Neni 287

Tjetërsimi i pasurisë

Tjetërsimi, transferimi, fshehja, zhdukja e natyrës, e burimit,
e përkatësisë së pasurisë të vënë nga krimet, dënohen me burgim nga
tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 288

Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të
rrezikshme për shëndetin

Prodhimi, importimi, ruajtja dhe shitja e ushqimeve, pijeve dhe
lëndëve të tjera, e barnave të rrezikshme ose të dëmshme për jetën
e shëndetin, si dhe futja në rodhim e kimikateve, materialeve dhe
lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të
pijeve, kur nga këto vepra ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i
shëndetit të personit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në
dhjetë vjet.
Kur nga vepra është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i
shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë
vjet.
Neni 289

Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë

Shkaktimi i vdekjes ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit
ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave që kanë të bëjnë me
punën, prodhimin, shërbimin, të përcaktuara në ligj, në aktet e
Këshillit të Ministrave apo në rregulloret përkatëse të sigurimit
teknik, të disiplinës teknike, të mbrojtjes në punë, të higjienës
dhe sigurimit nga zjarri prej personave të ngarkuar me respektimin
e rregullave dhe marrjen e masave në zbatim të tyre, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë
i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë
vjet.

Neni 290

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar
vdekjen, plagosjen e rëndë të një personi ose plagosjen e lehtë të
disa personave, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë
e disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Neni 291

Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi

Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në
gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
gjashtë muaj.

Neni 292

Shkelja e disiplinës së punës në transport

Shkelja e disiplinës së punës në transportin hekurudhor, ujor ose
ajror prej punonjësve të këtij transporti, që ka shkaktuar vdekjen
ose dëmtimin e rëndë të shëndetit të personit, dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në dhjetë vjet.
Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë
i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë
vjet.

Neni 293

Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit

Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit
të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.



SEKSIONI IV

VEPRA PENALE KUNDER SEKRETIT DHE KUFIJVE SHTETERORE

Neni 294

Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar

Tregimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes
së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur
publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i është
besuar ose që ka mundur të vijë në dijeni për to për shkak të
detyrës, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në dhjetë vjet.

Neni 295

Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit

Tregimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes
së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur
publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga cilido që ka mundur të
vijë në dijeni për to, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre
vjet.
Po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në pesë vjet.

Neni 296

Humbja e dokumenteve sekrete

Humbja e dokumenteve apo materialeve të tjera që, sipas ligjit të
njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i janë
besuar për ruajtje apo për përdorim, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në tre vjet.

Neni 297

Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror

Kalimi i paligjshëm i kufijve shtetërorë përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 298

Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit

Vënia në dispozicion ose përdorimi i mjeteve të lundrimit, të
fluturimit apo i mjeteve të tjera të transportit, me qëllim për të
ndihmuar për kalimin e paligjshëm të kufirit, dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në tre vjet.
Kur ndihma jepet për qëllime fitimi, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 299

Shkelja e rregullave mbi fluturimet

Shkelja e rregullave mbi fluturimet ndërkombëtare si, hyrja ose
dalja nga territori i Republikës së Shqipërisë pa leje fluturimi,
mosrespektimi i vijave të fluturimit, i vendeve të zbritjes, i
korridoreve ajrore apo lartësisë të caktuar të fluturimit, dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.


KREU IX

VEPRA PENALE KUNDER DREJTESISE

Neni 300

Moskallzimi i krimit

Moskallzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet
e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që
është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në tre vjet.
Përjashtohen nga detyrimi për kallzim të paralindurit dhe të
paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesit dhe të
adoptuarit, si edhe personat që janë të detyruar të ruajnë një
sekret të njohur për shkak të detyrës apo profesionit.
Neni 301

Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës

Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës
penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke
lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një
dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e
veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në tre vjet.

Neni 302

Përkrahja e autorit të krimit

Furnizimi i autorit të një krimi me ushqime, me mjete të tjera
për jetesë ose sigurimi i një banese, vendqëndrimi ose me çdo
mënyrë tjetër me qëllim që t'i shpëtojë kërkimit, kapjes ose
arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Përjashtohen nga përgjegjësia penale të paralindurit dhe të
paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesit dhe të
adoptuarit.

Neni 303

Fshehja ose asgjësimi i kufomës

Fshehja ose asgjësimi i kufomës së një personi, viktimë e vrasjes
apo të veprave të tjera të dhunshme, e bërë me qëllim për të
ndihmuar autorin e krimit që t'i shpëtojë kërkimit, kapjes dhe
arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 304

Detyrimi për të kallzuar provën

Mosparaqitja menjëherë për të kallzuar ose dëshmuar para organeve
të prokurorisë, gjykatës apo organeve të rendit, për provën e
njohur që e bën të pafajshëm një preson tjetër që akuzohet ose
është dënuar për një vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në pesë vjet.
Përjashtohen nga detyrimi për kallzim autori i veprës penale, si
dhe personat që vijnë në dijeni të provës për shkak të detyrës apo
profesionit dhe janë të detyruar të mos kallzojnë e dëshmojnë për
të.

Neni 305

Kallzimi i rremë

Kallzimi për kryerjen e një krimi që dihet se nuk është kryer ose
për kryerjen e një krimi nga një person që dihet se nuk e ka kryer
atë, si edhe, krijimi i provave të rreme me qëllim që të bëhen
ndjekje penale, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 306

Dëshmia e rreme

Dëshmia e rreme e bërë përpara organit të ndjekjes penale ose
gjykatës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në një vit.
Kur dëshmia e rreme bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër
të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
tre vjet.

Neni 307

Refuzimi për të dëshmuar

Refuzimi për t'iu përgjigjur pyetjeve rreth dijenisë për kryerjen
e një vepre penale apo të autorit të saj, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Kur refuzimi për të dëshmuar bëhet me qëllim fitimi ap çdo
interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në tre vjet.

Neni 308

Përkthimi i rremë

Shtrëmbërimi me dashje i përmbajtjes së një dokumenti apo shkrimi
të dhënë për përkthim nga organet e ndjekjes penale apo gjykata ose
përkthimi i rremë përpara tyre, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Kur përkthimi i rremë bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes
tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në tre vjet.

Neni 309

Ekspertimi i rremë

Dhënia me dashje e rezultateve të rreme në raportet e ekspertimit
të bëra me shkrim apo me gojë përpara organeve të ndjekjes penale
ose gjykatës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Kur ekspertimi i rremë bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes
tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në pesë vjet.

Neni 310

Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit

Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit, pa shkaqe
të arsyeshme ose mospranimi prej tyre për të kryer detyrat e
caktuara nga organi i ndjekjes penale ose gjykata, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
gjashtë muaj.

Neni 311

Kanosja për të mos kallzuar

Kanosja që i bëhet të dëmtuarit nga vepra penale me qëllim që të
mos kallzojë, të mos ankohet apo të tërheqë kallzimin apo ankimin
e bërë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në dy vjet.

Neni 312

Korruptimi ose kanosja për dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë

Propozimi ose dhënia e shpërblimeve, dhuratave apo përfitimeve të
tjera ose kanosja apo vepra të tjera dhune që i bëhen personit për
të siguruar dëshmi, ekspertim apo përkthim të rremë ose për të
refuzuar kryerjen e detyrave të tyre përpara organeve të ndjekjes
penale dhe gjykatës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
vjet.

Neni 313

Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale

Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale nga prokurori kundër një
personi që dihet se është i pafajshëm dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.

Neni 314

Përdorimi i dhunës gjatë hetimeve

Përdorimi i dhunës nga personi i ngarkuar me zhvillimin e
hetimeve për ta detyruar shtetasin të bëjë deklaratë, të dëshmojë
ose të pohojë fajësinë e tij a të një tjetri, dënohet me burgim nga
tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 315

Dhënia e një vendimi të padrejtë

Dhënia e një vendimi gjyqësor përfundimtar që dihet që është
i padrejtë dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 316

Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit

Kundërshtimi me dhunë, goditjet dhe vepra të tjera dhune që i
bëhen gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit,
avokatit, ekspertëve, çdo arbitri të caktuar për një çështje, për
ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të saj, dënohen me
gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 317

Kanosja e gjyqtarit

Kanosja që i bëhet gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues,
prokurorit, avokatit ose çdo arbitri të caktuar për një çështje për
shkak të veprimtarisë së tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në tre vjet.

Neni 318

Fyerja e gjyqtarit

Fyerja e gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit,
avokatit ose çdo arbitri të caktuar për një çështje për shkak të
veprimtarisë së tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 319

Kërkimi apo marrja e shpërblimit

Kërkimi apo marrje të padrejta të shpërblimeve, dhuratave dhe
përfitimeve të tjera, si edhe sigurimi i premtimeve për to, nga ana
e gjyqtarit, çdo anëtari të trupit gjykues, prokurorit, çdo arbitri
të caktuar për një çështje, me qëllim që të kryejë a të moskryejë
një veprim që lidhet me funksionin, dënohet me burgim nga pesë gjer
në dhjetë vjet.
Ndërmjetësimi i bërë nga personi që ka interes për çështjen ose
nga çdo person tjetër për shpërblime, dhurata apo përfitime të
tjera ndaj personave të cituar në paragrafin e parë të këtij neni,
dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Neni 320

Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës

Fshehja, tjetërsimi, konsumimi, dëmtimi apo shkatërrimi i sendeve
për të cilat është marrë një vendim prej gjykatës, ose kryerja e
veprimeve të tjera të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose të
pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 321

Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës

Kryerja e veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës në
lidhje me detyrimet e lindura nga dëmtimet plotësuese të dhëna prej
saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në dy vjet.
Neni 322

Prishja e vulave dhe shenjave

Prishja me dashje e vulave dhe shenjave të tjera të vendosura mbi
sende të ndryshme nga organet e ndjekjes penale dhe gjyqësore,
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në gjashtë muaj.

Neni 323

Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit

Largimi i të ndaluarit, arrestuarit apo të dënuarit me burgim nga
vendi i qëndrimit të detyrueshëm ose gjatë transportimit të tij nga
një vend në tjetrin, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
Kur vepra penale kryhet me dhunë ose me përdorim të armëve,
substancave zjarrvënëse, eksplozive dhe helmuese dënohet me burgim
nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 324

Dhënia ndihmë një të burgosuri për largim

Dhënia e këshillave, informatave, mjeteve, të ndaluarit, të
arrestuarit apo të burgosurit, me qëllim për t'u larguar nga vendi
i qëndrimit të detyruar, dënohet me burgim gjer në tre vjet.
Kur dhënia ndihmë bëhet nga i ngarkuari me ruajtjen, mbikqyrjen
apo transportimin, ose që për shkak të funksionit ka të drejtë të
hyjë në institucione burgimi apo të ketë lidhje me të ndaluar,
arrestuar apo të burgosur, dënohet me burgim nga pesë gjer në
dhjetë vjet.

KREU X

VEPRA PENALE QE PREKIN ZGJEDHJET E LIRA DHE SISTEMIN

DEMOKRATIK TE ZGJEDHJEVE

Neni 325

Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese

Pengimi me dhunë apo me çdo mënyrë tjetër i subjekteve elektorale
për të zhvilluar rregullisht aktivitetin e tyre në përputhje me
ligjin gjatë fushatës së zgjedhjeve, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në tre vjet.

Neni 326

Falsifikimi i dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve

Paraqitja në dokumentet e zgjedhjeve të të dhënave, rrethanave,
shifrave që dihen se janë të pasakta, përpilimi i dokumenteve falso
ose zëvëndësimi i të saktave me të rreme, i bërë nga personat e
ngarkuar me përpilimin, vlerësimin, nxjerrjen e rezultateve apo
ruajtjen e dokumenteve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë
vjet.

Neni 327

Shkelja e fshehtësisë së votimit

Shkelja e fshehtësisë së votimit nga ana e personave të ngarkuar
me zgjedhjet, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në një vit.

Neni 328

Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve

Ofrimi ose dhënia e të hollave, bërja e premtimeve për vende pune
ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë
firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose kundër
një kandidati apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
gjashtë muaj.
Pranimi i të hollave, premtimeve dhe favorizimeve të tjera për të
kryer veprimet e mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë.

Neni 329

Kanosja e zgjedhësit

Kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar pro ose kundër një
kandidati si edhe për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy
vjet.

Neni 330

Kanosja e kandidatëve

Kanosja si edhe çdo veprim tjetër i paligjshëm që i bëhet
kandidatit me qëllim që të tërheqë kandidaturën ose që të pengohet
për të ushtruar çdo aktivitet të lejuar me ligj gjatë fushatës
elektorale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në dy vjet.

Neni 331

Shkelja e të drejtës së zgjedhjes

Mospërfshirja me dashje në listat e zgjedhësve e personave që e
kanë të drejtën e zgjedhjes ose regjistrimi me dashje në to i
personave që nuk e kanë këtë të drejtë, përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 332

Shpërdorimi i autoritetit ushtarak

Shpërdorimi i autoritetit ushtarak nga oficeri ose kuadri
ushtarak për të influencuar në votim tek ushtarakët e tjerë që ka
në varësi, me dhënie urdhërash, këshilla apo me çfarëdo lloj
propagande, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në dy vjet.


KREU XI

VEPRA PENALE TE KRYERA NGA BANDA E ARMATOSUR DHE ORGANIZATA
KRIMINALE

Neni 333

Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale

Krijimi i bandës së armatosur apo organizatës kriminale ose
pjesëmarrja në to, me qëllim për kryerjen e krimeve, dënohet nga
pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 334

Kryerja e krimeve nga banda e armatosur dhe organizata kriminale

I. Kryerja e krimeve nga banda e armatosur apo organizata
kriminale do të dënohet sipas dispozitave penale përkatëse duke
shtuar dënimin për krimin e kryer edhe me pesë vjet burgim të
tjera, kur dispozita referuese përmban dënim me burgim dhe një lloj
dënimi më i lehtë, por pa kaluar kufirin maksimal të dënimit me
burgim.
II. Kur dispozita përkatëse referuese përmban dënim me burgim apo
me burgim të përjetshëm a me vdekje, dënohet me njëzet e pesë vjet
burgim ose me burgim të përjetshëm a me vdekje.
III. Kur dispozita përkatëse referuese përmban vetëm dënim me
burgim të përjetshëm a me vdekje, dënohet me burgim të përjetshëm
a me vdekje.

Neni 335

Ky Kod hyn në fuqi më 1 qershor 1995. Aktet ligjore që
shfuqizohen, si dhe efektet dhe mënyra e hyrjes së tij në fuqi, do
të caktohen me ligj të veçantë.


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0  1.050 501270002





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

GlobeAlbania