marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për kullotat dhe livadhet
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 7917
Statusi i Aktit: I shfuqizuar
Data e Aktit: 13.04.1995
Data e aprovimit te Aktit: 27.04.1995
Numri i neneve: 29
Numri i fletores zyrtare: 11
Data e fletores zyrtare: 31.05.1995
Aktiviteti: Livadhet,Komisioni Bujqesise dhe Ushqimit,Kullotat,Pronë
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Ky ligj ka si objekt administrimin, kthimin ish-pronarëve, përdorimin me kritere të drejta, trajtimin, rritjen e aftësisë mbajtëse dhe ruajtjen e ekuilibrit ekologjik të kullotave dhe livadheve.
Amendamente
1 Për fondin kullosor
2 PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9693, DATË 19.3.2007 "PËR FONDIN KULLOSOR"
Akte te ngjashem
1 Për fondin kullosor
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: L I G J

Nr.7917, datë 13.4.1995

PER KULLOTAT DHE LIVADHET

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991
"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit të
Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1

Ky ligj ka si objekt administrimin, kthimin ish-pronarëve,
përdorimin me kritere të drejta, trajtimin, rritjen e aftësisë
mbajtëse dhe ruajtjen e ekuilibrit ekologjik të kullotave dhe
livadheve.

Neni 2

Kullotë dhe livadh është çdo lloj toke e mbuluar me bar ose
shkurre që përdoret për kullotje e kositje bari për blegtorinë, por
që nuk i përket fondit të tokës bujqësore, fondit pyjor, sipas
gjendjes kadastrale më 1 gusht 1991, përveç atyre të ndryshuara
sipas dispozitave në fuqi.
Kullotat dhe livadhet sipas periudhës së përdorimit
klasifikohen në kullota verore dhe dimërore, në përputhje me
kriteret e përcaktuara nga ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit.

KREU II

PRONESIA, ADMINISTRIMI DHE TRAJTIMI
I KULLOTAVE DHE LIVADHEVE

Neni 3

Kullotat dhe livadhet ndahen në:
Kullota dhe livadhe shtetërore, në përdorim të përgjithshëm
dhe private (personale dhe në bashkëpronësi).
1. Kullotat dhe livadhet shtetërore janë në pronësi të shtetit
dhe administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe
Kullotave nëpërmjet organeve të saj në rrethe.
2. Kullotat dhe livadhet shtetërore në përdorim të
përgjithshëm që administrohen nga komuna e bashkia përkatëse dhe
janë në përdorim të banorëve që ndodhen në juridiksionin e komunës
dhe fshatit.
3. Kullotat dhe livadhet private (personale ose në
bashkëpronësi).

Neni 4

Kullotat dhe livadhet që vërtetohen me dokumentacion të
rregullt dhe kufi të qartë se kanë qenë pronë private (personale a
në bashkëpronësi), u kthehen ish-pronarëve të tyre ose
trashëgimtarëve. Këta gëzojnë të gjitha të drejtat e pronës
private.

Neni 5

Kufijtë e kullotave ndërmjet fshatrave, komunës dhe rretheve
njihen ato të vitit 1945. Në bazë të dokumentacionit kadastral,
Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave përcakton kufijtë
e kullotave shtetërore, që miratohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 6

Kullotat dhe livadhet shtetërore u jepen me qira personave
fizikë e juridikë vendas, sipas kontratës së lidhur ndermjet
organeve vartëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve dhe
Kullotave në rrethe dhe personave të interesuar sipas kritereve
teknike të përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit.

Neni 7

Veprat e ujit e objektet e ndryshme që lidhen me kullotën e që
ndodhen në kullotat e livadhet private, u jepen në pronësi
zotëruesve të kullotës a livadhit, duke paguar vleftën e tyre dhe
mbi to vendosen barrat e nevojshme.
Veprat e ujit e objektet e ndryshme për kullotat e livadhet në
përdorim të përgjithshëm, u jepen në përdorim komunave a bashkisë.

Neni 8

Ndryshimi i destinacionit për sipërfaqe të caktuar të
kullotave dhe livadheve shtetërore, në përdorim të përgjithshëm dhe
private bëhet me miratim:
- Për sipërfaqe deri në 10 ha nga drejtori i Drejtorisë së
Përgjithshme të Pyjeve dhe Kullotave.
- Për sipërfaqet deri në 50 ha nga ministri i Bujqësisë dhe
Ushqimit.
- Për sipërfaqet mbi 50 ha nga Këshilli i Ministrave.

Neni 9

Ndërmarrja, komuna a bashkia është përgjegjëse për
administrimin, përdorimin dhe trajtimin e kullotave dhe livadheve
në përputhje me planet e mbarështimit dhe inventarizimit të
kullotave e livadheve; mban fondin kullosor dhe kullotave dhe
livadheve për çdo vit; përputh të dhënat me kadastrën e rrethit;
bën periodikisht vlerësimin e aftësisë mbajtëse të kullotave dhe
livadheve; organizon, ndjek e kontrollon përdorimin e kullotave dhe
livadheve si dhe kryerjen e punimeve e ndërtimeve në to sipas
projekteve të hartuara.
Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe kullotave, nëpërmjet
organeve të saj vartëse në rrethe, ka për detyrë të garantojë
asistencën teknike kundrejt pagesës për hartimin e projekteve dhe
zbatimin e tyre në kullotat që administrohen nga organet e
pushtetit lokal dhe pronari privat.
Shteti financon në kullotat dhe livadhet që administrohen nga
Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave punimet për
përmirësimin rrënjësor dhe ndërtimin e veprave që lidhen me
shfryëzimin racional të tyre (vepra uji, vepra ujitëse, ngrehina,
rrugë etj.).

Neni 10

Personat privatë të cilët vetëm ose në bashkëpronësi
disponojnë kullota dhe livadhe, të përfshihen në strategjinë e
përgjithshme të zhvillimit të kullotave.

KREU III

PERDORIMI DHE TRAJTIMI I KULLOTAVE DHE LIVADHEVE

Neni 11

Për kullotat e livadhet shtetërore që jepen me qira, si dhe të
objekteve që lidhen me kullotat, lidhet kontratë deri në 10 vjet me
personat e interesuar.
Marrja me qira e kullotave, livadheve dhe veprave të ujit nga
qiramarrësit bëhet mbi bazën e kontratës ndërmjet palëve.
Kriteret për vendosjen e tarifave të kullotjes caktohen nga
Këshilli i Ministrave.

Neni 12

Ndalohet kullotja e bagëtive në pjesë ku bëhen punime
përmirësuese, në rezervatet natyrore, në ato farore dhe në parcelat
eksperimentale.
Pjesët e kullotave dhe livadheve ku kryhen punime përmirësuese
ose janë të degraduara, ndërmarrja përkatëse ose organi i pushtetit
lokal i përjashton nga dhënia në përdorim për një periudhë kohe të
caktuar në akt të veçantë të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit
ose kryetarit të komunës a bashkisë.

Neni 13

Bimët mjekësore që gjenden në kullota dhe livadhe, mund të
vilen nga persona fizikë e juridikë në përputhje me ligjin "Për
mbrojtjen e bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere.


Neni 14

Ngritja e kampingeve, qendrave dhe objekteve të tjera të
lëvizshme në kullota e livadhe shtetërore dhe në përdorim të
përgjithshëm bëhet me leje dhe vetëm në vendet e caktuara nga
ndërmarrjet përkatëse ose pushteti lokal.

Neni 15

Përdorimi i sipërfaqes së tokës së kullotave dhe livadheve për
qëllime të industrisë minerare, energjetike, si dhe nxjerrja e
gurëve, zhavorrit, vendosja e furrave të gëlqeres dhe punimeve të
tjera të kësaj natyre bëhet me leje të pushtetit lokal për kohën
dhe vendin e duhur, sipas kritereve të nenit 8 të këtij ligji,
kundrejt pagesës sipas tarifave në fuqi.

KREU IV

MBROJTJA E KULLOTAVE DHE LIVADHEVE

Neni 16

Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave dhe organet e
pushtetit lokal të përgjigjen dhe marrin masa për mbarështimin e
kullotave e livadheve dhe mbrojtjen e tyre nga dëmtimet.

Neni 17

Personat fizikë e juridikë që kanë kullota dhe livadheve, janë
të detyruar të garantojnë mbrojtjen e tyre nga çdo lloj dëmtimi.
Burimet, veprat e ujit, ngrehinat, drurët, parcelat
eksperimentale dhe zonat rezervate natyrore të kullotave dhe
livadheve mbrohen sipas kërkesave të këtij ligji.

Neni 18

Ndalohet djegia e kullotave dhe livadheve. Në raste të veçanta
mund të lejohet djegia e tyre me autorizim të Drejtorisë së
Përgjithshme të Pyjeve.

Neni 19

Në rast zjarri në kullota dhe livadhe, ndërmarrjet përkatëse,
organet e pushtetit lokal (komuna, bashki), pronarët privatë,
forcat e armatosura, shkollat e çdo shtetas që ndodhen në afërsi,
kanë për detyrë të njoftojnë për rënien e tij dhe të marrin pjesë
me forcat e mjetet për shuarjen e zjarrit. Puna për shuarjen e
zjarrit drejtohet nga ndërmarrja e pushteti lokal dhe shpenzimet
përballohen sipas administrimit të tyre.

Neni 20

Ndalohet çdo veprim që dëmton ose prish kullotat dhe livadhet,
veprat e ujit, ngrehinat dhe instalime të ndryshme, si dhe çdo
veprim që cenon ekuilibrin ekologjik në to.

KREU V

KUNDERVAJTJET

Neni 21

Shkelja e neneve 8, 11, 13, 14, 15, 18 e 20 të këtij ligji,
kur sjell një dëm deri në 10.000 lekë, dënohet si kundërvajtje
administrative me gjobë nga 1000 deri 10.000 lekë dhe me vjeljen e
vlerës së dëmit.
Kur dëmi është mbi 10.000 lekë, personi fajtor përgjigjet
sipas dispozitave të Kodit Penal.

Neni 22

Për shkeljen e dispozitave të parashikuara në nenin 21, mbahet
procesverbalipërkatës nga nëpunësi i ngarkuar i ndërmarrjes
përkatëse ose i pushtetit lokal (komunë, bashki) dhe privat.

Neni 23

Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative në kullota e livadhe
bëhet nga një komision prej jo më pak se tre vetash pranë
ndërmarrjes përkatëse dhe organeve të pushtetit lokal (komunë a
bashki), përbërja e të cilit caktohet nga drejtori i ndërmarrjes
ose kryetari i komunës a bashkisë.
Kundër vendimit të dënimit kundërvajtësi ankohet, brenda 5
ditëve nga data e shpalljes, në gjykatën e rrethit.
Gjoba dhe shpërblimi i dëmit duhet të bëhet vullnetarisht
brenda 5 ditëve nga data e njoftimit të vendimit të formës së
prerë. Pas kalimit të këtij afati zbatohen kriteret e përcaktuara
në ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 "Për kundërvajtjet administrative

Neni 24

Dëmshpërblimet e dëmeve të shkaktuara në kullota dhe livadhe
caktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 25

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore
për zbatimin e këtij ligji.

Neni 26

Ish-pronarët ose trashëgimtarët e kullotave dhe livadheve
duhet të paraqesin në komisionet shtetërore të kthimit dhe
kompensimit të pronave në rreth dokumentet e pronësisë brenda një
viti pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Me kalimin e këtij afati
dokumentet nuk pranohen.

Neni 27

Kundër vendimit të komisionit në rreth mund të bëhet ankim në
gjykatën e rrethit.

KREU VI

DISPOZITAT E FUNDIT

Neni 28

Urdhëresa e Këshillit të Ministrave nr.1, datë 9.5.1981 dhe
çdo dispozitë që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 29

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.1080, datë 27.4.1995 të Presidentit të
Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 0 504130002





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme




digitalb
spitaliamerikan

as