marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR FËMIJËT
Tipi i Aktit: Vendim i KM
Numri i Aktit: 368
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 31.05.2005
Data e aprovimit te Aktit: 11.09.2008
Numri i neneve: 1
Numri i fletores zyrtare: EKST
Data e fletores zyrtare: 11.09.2008
Aktiviteti: --
Propozuar nga: --
Pershkrimi i Aktit: Miratimin e strategjisë kombëtare për fëmijët, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

VENDIM

Nr.368, datë 31.5.2005



PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR FËMIJËT



Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave



VENDOSI:



Miratimin e strategjisë kombëtare për fëmijët, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.



KRYEMINISTRI

Fatos Nano







STRATEGJISË KOMBËTARE PËR FËMIJËT HYRJE



Gjendja e fëmijëve në Shqipëri



Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përbën një nga drejtimet më të rëndësishme të politikave shoqërore në Republikën e Shqipërisë. Ne themel të këtyre politikave janë parimet themelore të Kushtetutës së Shqipërisë1, të Konventave të OKB-së dhe instrumenteve të tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar, të cilat theksojnë se fëmijët2, për shkak të veçorive të moshës, të mungesës së pjekurisë fizike dhe intelektuale, kanë nevojë për një mbrojtje dhe vëmendje të veçantë nga familja dhe institucionet shtetërore.

Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT-it, numri i përgjithshëm i fëmijëve në Shqipëri është 1.396.000 nga 3.320.000 banorë që ka Shqipëria, duke përfaqësuar rreth mbi 1/4 e popullsisë.

Të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe ato të fëmijës në veçanti kanë pësuar përmirësime të ndjeshme, si rezultat i reformave të gjithanshme ligjore dhe institucionale, që kanë synuar përafrimin e tyre me standardet evropiane. Kështu:

Në shkurt 1992 Shqipëria ka ratifikuar Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës, si një nga aktet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare. Ky dokument i rëndësishëm është botuar dhe është bërë i njohur për opinionin shqiptar dhe veçanërisht për institucionet, organizmat dhe organizatat e interesuar për këtë problem.

Në vitin 2001 u miratua Strategjia për Fëmijët dhe Plani i Veprimit për periudhën 2001-2005, e hartuar në mbështetje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës. Kjo Strategji përbën një dokument të rëndësishëm, i cili përcaktoi objektivat strategjikë të politikës së Qeverisë shqiptare për periudhën 2001-2005 në këtë fushë të ndjeshme të zhvillimit tonë shoqëror.



_______________________

1 Neni 54 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sanksionon se "Fëmijët...kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë nga shteti", "Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë, e veçanërisht nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin, ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal".

2 Sipas Konventës "Për të Drejtat e Fëmijës" dhe Legjislacionit Shqiptar, fëmijë konsiderohet personi që kur lind, deri në moshën 18 vjeç, moment kur ai fiton zotësi të plotë juridike për të vepruar.



Në qershor të vitit 2004, Këshilli i Ministrave analizoi shkallën e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët dhe Planin e Veprimit, ku u vlerësua puna e kryer në zbatim të Planit të Veprimit dhe u vendos që të bëhej rishikimi i Strategjisë Kombëtare për Fëmijët, të hartohej Planit i Veprimit për periudhën 2005-2010, si dhe të fuqizoheshin mekanizmat institucionalë që operojnë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Në janar 2005 Shqipëria mbrojti në Komitetin e OKB-së Raportin për të drejtat e fëmijës, ku u vlerësuan përparimet që kishte bërë Shqipëria në fushën e mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve dhe po punohet për realizimin e rekomandimeve të këtij organizmi.

Aktualisht është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe është dërguar për ratifikim në Kuvendin e Shqipërisë edhe Konventa Evropiane mbi të Drejtat e Fëmijëve.

Një rol të rëndësishëm në realizimin e politikave të Qeverisë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve ka luajtur "Strategjia për fëmijë" 2001-2005, e cila ka në bazë katër parimet kryesore të Konventës së të drejtave të fëmijëve si: mbijetesa, mbrojtja, zhvillimi dhe pjesëmarrja.

Për realizimin e synimeve të kësaj Strategjie është bashkëpunuar dhe bashkërenduar puna me të gjithë aktorët përgjegjës, që nga niveli qendror, vendor, aktorët e shoqërisë civile dhe me pjesëmarrjen aktive të komunitetit dhe të individit, duke bërë përpjekje për ndërgjegjësimin e popullsisë për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së saj në këtë proces.



Mekanizmat institucionalë në nivel qendror e vendor



Në nivel ekzekutiv, institucionet kryesore qendrore që mbulojnë problemin e fëmijëve janë: Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Rendit Publik.

Në zbatim të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Fëmijë (2001-2005) pranë disa ministrive janë ngritur e funksionojnë disa njësi në mbrojtje të fëmijëve.

- Në Ministrinë e Rendit Publik është ngritur Njësia për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Kjo njësi përfshin forca nga të gjitha Departamentet e Policisë Rajonale

- Në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, veç Drejtorisë së Shërbimeve Sociale që harton dhe zbaton politika në mbrojtje të fë mijëve dhe bashkëpunon dhe koordinon veprimtarinë e saj me OJF- të që punojnë në këtë fushë, është një njësi e veçantë që punon për eliminimin e punës së fëmijëve.

- Në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve funksionon Drejtoria e Koordinimit të Politikave Rinore, e cila harton politika në fushat e pjesëmarrjes, të kulturës dhe sporteve.

- Ministria e Drejtësisë në strukturat e saj ka ngritur një drejtori të veçantë, e cila merret me studimin dhe zhvillimin e sistemit ligjor në fushën e drejtësisë për të miturit, në përputhje me aktet ndërkombëtare.

- Pranë Zyrës së Avokatit të Popullit, në Prill të vitit 2004 është ngritur Seksioni i të Drejtave të Fëmijëve, si pjesë e Seksionit të Përgjithshëm të Ankesave. Misioni i këtij seksioni, i cili aktualisht ka dy ndihmës komisionerë, është të shërbejë si një avokat dhe trup monitorues i të drejtave të fëmijëve, në përputhje me Konventën e të Drejtave të Fëmijës. Me një projekt të Zyrës së Avokatit të Popullit dhe Save the Children, financuar nga SIDA-s (Agjencia Suedeze për Zhvillimin Ndërkombëtar) po realizohet ngritja e kapaciteteve dhe forcimi i këtij seksioni. Ky projekt do te shtrihet në një periudhë kohore prej tre vjetësh dhe do të kërkojë ndërmjet të tjerash dhe ndryshime të ligjit aktual të Avokatit të Popullit, krijimin e zyrave rajonale, trajnime të stafit, ngritjen e një librarie për të drejtat e fëmijëve, punë studimore dhe kërkimore, ngritje të ndërgjegjësimit të opinionit publik për të drejtat e fëmijëve etj.

Me gjithë përmirësimet e bëra për ngritjen e strukturave të veçanta për fëmijë, deri në qershor te vitit të kaluar, në nivel qendror ishte vetëm një specialist për problemet e fëmijëve pranë Komitetit për Mundësi të Barabarta, çka ishte tërësisht e pamjaftueshme për të monitoruar dhe bashkërenduar veprimtarinë e të gjithë strukturave qendrore, vendore dhe të OJF-ve për këtë problem.

Me Urdhrin nr.118, datë 30.06.2004, të Kryeministrit, u ngrit një strukturë e re për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve (KNDF).



Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve:

- Është një organ këshillimor i Këshillit të Ministrave, që në përputhje me programin e qeverisë, bashkërendon e përcakton politikat si dhe do të ndjekë zbatimin e Strategjisë kombëtare për të drejtat e fëmijëve, duke e sjellë këtë problem në një nga çështjet më prioritare të veprimtarisë së qeverisë.

- Kryesohet nga Zëvendëskryeministri

- Në përbërje të tij janë ministri i Arsimit dhe i Shkencës, ministri i Drejtësisë, ministri i Shëndetësisë, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ministri i Rendit Publik, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, ministri i Financave dhe Drejtori i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social.

- Shqyrton propozimet për projektligje dhe projektvendime të rëndësishme në zbatim të SKF.

- Shqyrton e miraton projekte dhe programe për mbrojtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

- Bashkërendon veprimtaritë dhe projektet e donatorëve vendas dhe të huaj në mbështetje të këtij procesi.

Për përgatitjen e materialeve të Komitetit Ndërministror është ngritur edhe një grup teknik i specialistëve nga ministritë e linjës.

Ministritë e linjës po bashkëpunojnë më shumë e më mirë me OJF-të dhe organizata dhe agjenci të tjera për të drejtat e fëmijëve.

Në Shqipëri ka mbi 100 OJF që punojnë në fushën e fëmijëve, një pjesë e të cilave janë mjaft aktive dhe kanë ndikuar në modelimin e standardeve të reja të mbrojtjes së fëmijës si dhe të modelimit të shërbimeve të reja për mbijetesën, zhvillimin dhe mbrojtjen e tyre.

Në kushtet e thellimit të procesit të decentralizimit një rol përherë e më të madh po merr pushteti vendor. Viti 2005 është viti i parë i kalimit të investimeve themelore për shërbimin shëndetësor parësor dhe arsimin parauniversitar nga pushteti qendror tek pushteti vendor. Viti 2005 shënon njëkohësisht edhe transferimin e shërbimeve dhe institucioneve të shërbimeve sociale në varësi të pushtetit vendor. Me miratimin nga Këshilli i Ministrave i tri dokumenteve të politikave të decentralizimit në këto fusha, është krijuar hapësira e nevojshme ligjore, që OJF-të të mund të kontraktohen nga njësitë e pushtetit vendor për të ofruar shërbime që janë në interes të komunitetit.

- Në njësitë e pushtetit vendor, fillimisht në bashkitë e Tiranës, Durrësit, Elbasanit etj., janë ngritur departamentet e shërbimeve shoqërore, të cilët veç shpërndarjes së ndihmës ekonomike, punojnë për mbrojtjen shoqërore të grupeve në nevojë, ku përfshihet zbatimi i programit të ndihmës ekonomike, pagesa e PAK dhe ofrimi i shërbimeve të përkujdeset shoqëror.

- Në bashkinë e Tiranës, ku struktura është e plotë, dhe posedohen kapacitete profesionale, ka edhe një sektor të veçantë për mbrojtjen e fëmijëve. Transferimi i kompetencave në shërbimet dhe fuqizimi buxhetor i pushtetit vendor po ndjehet edhe në ndërmarrjen e hapave që sigur ojnë masa sociale në favor të fëmijëve. Të tilla konsiderohen masa si fillimi i projekteve për sistemin e ngrohjes në shkolla, kopshte dhe çerdhe, si dhe implementimi i politikave favorizuese për tërheqjen në kopshte dhe çerdhe për fëmijët me paaftësi fizike e mendore, si dhe për rastet me më shumë se një fëmijë, duke aplikuar pagesa të diferencuara, ose duke ofruar shërbim falas.

Janë implemetuar shumë projekte të rëndësishme në zbatim të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, një pjesë e konsiderueshme e të cilave është mbuluar me financime, kryesisht nga donatorë. Ndihmesë të veçantë ka dhënë bashkëpunimi i ngushtë me UNICEF-in dhe agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, të cilat kanë mbështetur projekte për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe zhvillimin e fëmijës dhe kanë ndihmuar në modelimin e llojeve të reja të shërbimeve për fëmijët. Inputetet e projekteve të zbatuara nga OJF-të janë konstruktive dhe sigurisht një burim i rëndësishëm i një dialogu me mision të përbashkët për të mbrojtur dhe vëzhguar të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.

Një kujdes i veçantë është bërë edhe për përcaktimin e objektivave dhe planit të masave konkrete në drejtim të mbrojtjes së kategorive të margjinalizuara, si fëmijët jetimë (natyrorë dhe biologjikë), fëmijëve të trafikuar ose të rrezikuar nga trafikimi, fëmijët e varfër, fëmijëve të ngujuar, fëmijëve përfaqësues të minoriteteve, veçanërisht atyre rome, fëmijëve në migracion, fëmijët me zhvillim të kufizuara etj.



Kujdesi shëndetësor



Ministria e Shëndetësisë synon në përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit të grave dhe të fëmijëve, përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, duke ndikuar në reduktimin e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së tyre, mbështetur në konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve dhe grave.

Kujdesi shëndetësor për fëmijën tregohet që para lindjes së fëmijës, me lindjen dhe më pas me mirërritjen e tij. Kjo është e lidhur me kujdesin që tregohet për nënën. Për fëmijën deri në një vjeç shteti siguron dhënien e ilaçeve falas. Po ashtu vaksinimi i fëmijëve 0-15 vjeç është falas dhe i detyrueshëm për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse. Vaksinimi i fëmijës është një ndër prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë. Shqipëria ka një skemë vaksinimi të detyrueshme kundër sëmundjeve kryesore të fëmijëve të parandalueshme nga vaksinat. Studimet kanë treguar se mbulesa vaksinale mbi 95% të fëmijëve nivel i standardeve evropiane.

Përmirësimin e Shëndetin Mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve është një tjetër sfidë e Ministrisë së Shëndetësisë. Zhvillimi i shëndetshëm i fëmijës shtrihet përtej mbijetesës dhe rritjes fizike duke përfshirë edhe zhvillimin e tyre psikosocial dhe shëndetin mendor. Meqë faktorët etiologjikë të çrregullimeve mendore në moshat e hershme janë komplekse, trajtimi klinik i fëmijëve ka gjithnjë nevojë për kontekstin e familjes dhe të shkollës, përmes modeleve multidisiplinore. Kjo do të arrihet duke bashkëpunuar me pediatër dhe mjekë familjeje dhe me profesionistë të tjerë të shëndetit, të cilët punojnë në shkolla dhe në struktura të tjera (duke u konsultuar me Politikën dhe Strategjinë për Shëndetin Mendor).

Shërbimet shëndetësore stomatologjike janë ngritur pranë institucioneve shkollore.

Ministria e Shëndetësisë vazhdon të ketë prioritet të punës së saj mbrojtjen dhe zhvillimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Ministria e Shëndetësisë synon në përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit të grave dhe fëmijëve, përmirësimit të cilësisë së jetesës së tyre duke ndikuar në reduktimin e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së tyre mbështetur në konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve dhe grave.

Zhvillimi i shëndetshëm i fëmijës përveç faktorëve të lartpërmendur përfshin edhe zhvillimin e tyre psiko-social dhe shëndetin mendor. OBSH, vlerëson se afërsisht 10-20 % e fëmijëve kanë një ose më shumë probleme mendore ose të sjelljes.

Në vendin tonë mungojnë studime të lidhura me prevalencën e çrregullimeve të zhvillimit në fëmijërinë e hershme, por nga të dhënat e një studimi të kryer në vitin 1998 në Tiranë nga Qendra Kombëtare për Mirërritjen dhe Zhvillimin e Fëmijës dhe specialistëve të QSUT, rezultoi se 6% e fëmijëve të moshës 4 vjeç kishin probleme te zhvillimit (përqindje e cila konsiderohet si problematike nga OBSH) dhe vonesa në të folur.



Shërbimet sociale



- Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale në ligjin e ri "Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore", si dhe në Strategjinë e Shërbimeve Sociale, të miratuar së fundmi, ka parashikuar realizimi i një reforme e plotë e të thellë në sistemin e mbrojtjes shoqërore, që synon rrugë për të reduktuar varfërinë dhe për të ngritur një sistem cilësor të shërbimeve sociale për grupet dhe individët në nevojë.

Një vend të rëndësishëm në zbatimin e kësaj reforme zë decentralizimi i shërbimeve dhe rritja e kompetencave të pushtetit vendor për administrimin e tyre, si dhe ndryshimi i roleve të strukturave qendrore, vendore dhe organizatave të shoqërisë civile për të hartuar dhe zbatuar politika që kanë në qendër interesin e më të lartë të individit, deinstitucionalizimin e shërbimeve shoqërore dhe ngritjen e shërbimeve të reja alternative, veçanërisht për fëmijët. Për këtë është parashikuar ngritja e strukturave në nivel vendor, si departamentet e shërbimeve sociale pranë qarqeve, bashkive/komunave, në të cilat problemet e mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve do të kenë prioritet.

Shërbimet për fëmijët po përjetojnë kalimin e tyre nga shërbimet në institucione në shërbime në familje, në komunitet dhe familje sociale. Aktualisht po realizohet procesi i transferimit të institucioneve të shërbimit social dhe vetë këtyre shërbimeve në varësi të pushtetit vendor. Ky moment është shumë i rëndësishëm për rritjen e efikasitetit, sasisë dhe llojeve të shërbimeve, cilësisë dhe shtrirjes së tyre më pranë kërkesave dhe nevojave të komunitetit.

Problemet më të mprehta në këtë fushë janë: të dhënat e pamjaftueshme për kategoritë e ndryshme të fëmijëve, si: për fëmijët jetimë, fëmijët që jetojnë me një prind, që jetojnë pranë gjyshërve, të afërmve apo që nuk kanë asnjë nga këto mundësi dhe nevojat e tyre, për fëmijët me AK si dhe ngritja e shërbimeve komunitare dhe shtrirja e tyre në të gjithë territorin. Transferimi i këtyre shërbimeve në organet e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me institucionet dhe organizmat e pushtetit qendror dhe OJF-të, do të mundësojnë ngritjen e mekanizmave të evidentimit, studimeve dhe përcaktimit të saktë të ndërhyrjeve si dhe do t'i japë shtysë ngritjes së shërbimeve sa më pranë nevojave.



Fëmijët në migracion



Fëmijët në migracion, të shoqëruar dhe të pashoqëruar nga prindërit, po bëhen përherë e më shumë pjesë e ndërhyrjeve dhe kujdesit të shtetit dhe të aktorëve të tjerë që veprojnë në vend dhe jashtë tij. Nuk ka shifra të sakta për numrin e fëmijëve në migracion, por nga një informacion i MPJ rezulton se vetëm në Greqi ka rreth 25 000 fëmijë të moshave 6-12 vjeç, nga të cilët vetëm dhjetëra prej tyre munden të marrin mësim në gjuhën amtare, si rrjedhojë e punës së disa mësuesve emigrantë.

Kategoria e rriskuar e fëmijëve në migracion, janë ata të pashoqëruar me prindër, të cilët rrezikohen nga shfrytëzimi për punë, për prostitucion dhe trafik organesh jetësore. Sipas një OJF ndërkombëtare, numri i fëmijëve të pashoqëruar gjatë kësaj dekade në emigracion llogaritet rreth 4000, kryesisht në vendet fqinjë. Ka OJF të tjera që sjellin shifra që numri i fëmijëve të larguar ilegalisht dhe janë shfrytëzuar për lypësi, punë fizike dhe aktivitete të tjera të paligjshme arrin deri në 6000. Për natyrën klandestine të fenomenit, si dhe mungesën e informacionit nga vendet e destinacionit, konfirmimi i këtyre shifrave është shumë i vështirë, megjithëse fenomeni është mjaft shqetësues edhe sikur shifrat realisht të jenë më të ulëta.

Si rezultat i rritjes së punës së forcave të rendit dhe zbatimit të detyrave të Strategjisë Kombëtare nga koordinimi i punës i të gjithë institucioneve, si qeveritare, ashtu dhe joqeveritare në fushën e ndjekjes penale, mbrojtjes dhe parandalimit, Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm në luftën kundër fenomenit të trafikut duke filluar qysh që më 2001, jo vetëm në uljen e numrit të viktimave nga ky trafik në vend, por gjithashtu nga 2002 Shqipëria nuk ka më statusin e një vendi kryesor destinacioni dhe transiti (në krahasim me origjinën).

Megjithatë, nga konstatimet e organizmave të brendshëm dhe ndërkombëtarë, në Shqipëri janë identifikuar dobësi në zbatim, të cilat vazhdojnë të kenë një ndikim negativ, me gjithë përpjekjet e qeverisë shqiptare. Në këto dobësi përfshihet, krahas të tjerave, vazhdimi i emigrimit ilegal të fëmijëve në vendet fqinjë, kryesisht në Greqi dhe Itali, dhe mungesa e strukturave të nevojshme parandaluese dhe mbrojtëse, si dhe kapacitetet për t'iu kundërpërgjigjur problemit në një mënyrë më efektive.

Si rezultat, në Tetor 2003, qeveria shqiptare miratoi Planin e Punës Anti-trafik 2003-2004, brenda kuadrit të Strategjisë Kombëtare, një nga objektivat e të cilit ishte dhe hartimi i Strategjisë për Luftën Kundër Trafikut të Fëmijëve. Në Planin e Punës 2003-2004 përfshihej edhe ngritja e një grupi ndërministror, brenda strukturave qeveritare për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore, për të punuar me organizatat kombëtare, OJF-të vendase, OJQ-të ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare, për të hartuar, zbatuar dhe monitoruar objektivat kundër të luftës kundër trafikut të fëmijëve, në të gjitha aspektet e saj.

Në fillim të vitit 2005 u miratua Strategjia Kombëtare dhe Plani i Punës për Luftën kundër Trafikut të Fëmijëve dhe Mbrojtjes së Fëmijëve, Viktima të Trafikut 2005-2007.

Kjo Strategji gjithashtu parashikon krijimin e një strukture të veçantë në nivel prefekture për të koordinuar dhe monitoruar parandalimin e trafikut të fëmijëve, mbrojtjen dhe rehabilitimin, arsimimin, shërbimin shëndetësor dhe social, punën policore dhe punonjësit e pushtetit lokal. Drejtimet themelore të kësaj strategjie j anë: Parandalimi, mbrojtja dhe riintegrimi i fëmijëve, viktima të trafikut, kthimi vullnetar i asistuar dhe koordinimi i aktorëve (kombëtarë dhe ndërkombëtarë, qeveritarë dhe joqeveritarë, në nivel qendror dhe lokal).



Fëmijët minoritarë



Në Shqipëri jetojnë fëmijët minoritarë, përfaqësues të minoriteteve të ndryshme. Përgjithësisht mund të thuhet që në vend nuk ka diskriminim për shkak të kombësisë, dukuri e pranuar për vetë popullsinë minoritare. Shifra për numrin e përgjithshëm dhe specifik të minoritarëve nuk ka. Duhet theksuar tradita historike shqiptare për mosdiskriminimin e minoriteteve dhe komuniteteve etnike dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe individëve nga këto grupime, duke respektuar lirinë dhe të drejtat si të barabartë me shtetasit shqiptarë.

Popullsia më e margjinalizuar, me nivelin më të ulët ekonomik dhe arsimor, mbetet popullsia rome. Duke marrë parasysh nevojat e komunitetit rom, në Shtator 2003 qeveria shqiptare miratoi Strategjinë Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetësore dhe sociale të romëve. Strategjia fokusohet në edukim, art dhe kulturë, media, rendi publik, drejtësi, ekonomi, shëndet. Përmirësimi i kushteve të jetesës do të ndikojë drejtpërdrejt në mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Për këtë qëllim, Qeveria ka hartuar dhe do të hartojë akte ligjore e nënligjore për të zbatuar në praktikë detyrat e vëna nga Strategjia.

Për të përfituar nga legjislacioni në radhë të parë po synohet që ky komunitet të regjistrohet. Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit po merret me problemin e regjistrimit të kësaj popullsie duke ndjekur veç procesit, edhe sensibilizimin e këtij komuniteti nëpërmjet njoftimeve në radio, televizion etj. Regjistrimi i fëmijëve është një masë me rëndësi, sepse i mbron ata nga çdo abuzim.

Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale ka ngritur Njësinë e Monitorimit të Strategjisë "Për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom", ka nxjerrë disa akte nënligjore për punësimin e personave nga ky komunitet si dhe për krijimin e lehtësirave për formimin profesional.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhur me edukimin e fëmijëve rom po vë në zbatim një numër të madh projektesh për hapjen e një varg shkollash 8-vjeçare për fëmijët analfabetë. Ndërkohë Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit po merret me problemin e regjistrimit të kësaj popullsie nëpërmjet njoftimeve në radio, televizion etj.

Kategori dhe grupmosha të ndryshme të fëmijëve përballen me rreziqe dhe dukuri, si dhuna, shfrytëzimi, varfëria etj. Institucionet që vendosen në mbrojtje të tyre mbeten ligji, policia, komuniteti, pushteti qendror e vendor, opinioni etj.

Legjislacioni shqiptar nuk ka parashikuar dispozita të veçanta, të përmbledhura në një akt ligjor për trajtimin e fëmijëve, që janë viktima të shfrytëzimit, keqtrajtimit, torturës etj, por këto masa i gjejmë të shpërndara në ligje të veçanta, sipas rastit konkret. Një rol të veçantë luajnë edhe shoqatat dhe organizatat jofitimprurëse që operojnë në këtë fushë.



Reforma juridike dhe masat në ndihmë të fëmijëve



Rol të rëndësishëm në mbrojtjen e fëmijëve ka luajtur edhe reforma e ndërmarrë në aspektin legjislativ.

Është punuar mjaft mirë në përmirësimin e legjislacionit civil dhe penal, për të siguruar mbrojtje të veçantë të fëmijëve nga fenomene që paraqesin rrezikshmëri shoqërore të madhe dhe që ndikojnë negativisht në të ardhmen e kësaj grupmoshe. Vlen të përmendet miratimi i Kodit të familjes, i cili në pjesën e dispozitave të përgjithshme ka parashikuar parimin e interesit më të lartë të fëmijës. Ligji "Për Gjendjen Civile" ka një akses pozitiv në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ndryshimet e vazhdueshme, të cilat i referohen Kodit Penal kanë parashikuar jo vetëm dispozita specifike për të mbrojtur fëmijët nga keqtrajtimet, abuzimet seksuale, trafikimi, prostitucioni, pornografia, veprat e turpshme, por në vazhdimësi zhvillimet ligjore kanë parashikuar rritje të ndjeshme të masave të dënimit ndaj autorëve të kryerjes së këtyre veprave.

Është në proces ngritja dhe funksionimi i seksioneve të veçanta për gjykimin e të miturve dhe, paralelisht me të, po merren masa konkrete për një trajtim të vlerësueshëm ndaj të gjithë të paraburgosurve, veçanërisht të të miturve, me qëllim parandalimin e shkeljeve të ligjit dhe kriminalitetit tek ata, si dhe trajnimit të stafit që punon në mënyrë të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejtë me minorenet. Në sistemi e gjykatave është futur roli i psikologut posaçërisht në proceset e divorceve, ku vihet në plan të parë interesi i fëmijës.

Në mjediset e vuajtjes së dënimit dhe atij të paraburgimit është përfshirë ndjeshëm roli i punonjësit social. Duhet përmendur fakti se të miturit e vuajnë dënimin në ambiente të veçanta nga të rriturit, nën zbatimin dhe trajtimin e vazhdueshëm me masa ligjore, edukative e sociale. Gjithashtu, brenda këtyre ambienteve të miturit ndjekin arsimin e detyruar, të frekuentojnë bibliotekën, të zhvillojnë aktivitete kulturore e sportive , si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë ritet e tyre fetare.

Duke ju referuar dhe krahasuar të dhënat statistikore të viteve 2002 dhe 2003, vërehet se gjatë vitit 2002 janë dënuar 251 të mitur për krime dhe 23 kundërvajtje, ndërsa për vitin 2003, janë dënuar 259 të mitur për krime dhe 49 për kundërvajtje. Në këto shifra rezulton se një numër i konsiderueshëm janë dënuar me gjobë dhe deri në dy vjet heqje lirie, e për rrjedhojë, bazuar edhe në standardet ndërkombëtare, ka lindur nevoja e ngritjes dhe funksionimit të institutit të riedukimit për trajtimin e kësaj kategorie, që do të mund të trajtohej në këto institucione nën masa edukuese. Ky prioritet tashmë është pjesë e reformës institucionale në Ministrinë e Drejtësisë. Gjithashtu, duhet përmendur puna intensive e Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e trajnimeve të sektorit të edukimit në institucionet aktuale të vuajtjes së dënimit dhe atyre të paraburgimit (aktualisht pjesë e Ministrisë së Drejtësisë) si dhe me gjyqtarët e prokurorët në kuadër të trajnimeve të parashikuara e organizuara nga Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim më Ministrinë e Drejtësisë.

I gjithë legjislacioni është i ri, modern dhe në përputhje me standardet evropiane. Parimet kryesore të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve kanë një rëndësi të veçantë dhe janë vendosur në bazë të gjithë procesit të veprimtarisë që lidhet me mbrojtjen e të drejtave të fëmijës.



Çfarë pritet në të ardhmen



- Krijimi i një sistemi të përshtatshëm adekuat në lidhje me drejtësinë për të miturit, me qëllim identifikimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të politikave, ndërhyrjeve dhe masave që duhet të ndërmerren në:

- mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë për fëmijët, në veçanti të atyre në konflikt me ligjin si dhe të shërbimeve edukative për ta,

- zhvillimin e një tërësie masash ligjore, materiale dhe procedurale të posaçme për trajtimin e të miturve, kryesisht në fushën penale, civile, familjare,

- ngritjen e strukturave të specializuara dhe të pajisura në mënyrë të përshtatshme, në sistemin e prokurorive dhe të policisë gjyqësore për të miturit,

- sigurimin dhe përshtatjen e asistencës ligjore, sociale dhe psikologjike me nevojat e fëmijëve në konflikt me ligjin. Në këtë drejtim do të ngrihen dhe funksionojnë shërbimet psiko-sociale me programe bashkëkohore, duke ju referuar kësaj lloj asistence,

- parandalimin dhe riintegrimin me qëllim edukimin e fëmijëve në konflikt me ligjin,

- rritjen e mbrojtjes së fëmijëve të privuar nga liria,

- zhvillimin e trajnimeve profesionale afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata në lidhje më drejtësinë për të miturit, kryesisht: stafi i Drejtorisë për të Miturit në Ministrinë e Drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë, oficerë gjyqësor, punonjëse social si dhe personali që punon që punon me të miturit në sistemin e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit.

- Mbështetja e procesit të reformës legjislative dhe institucionale në fushën e drejtësisë për të miturit. Në ketë aspekt do të realizohen:

- zhvillimin e të drejtave të të miturve dhe sigurimin e mbrojtjes së tyre nga rreziqet që mund të cenojnë jetën, shëndetin, edukimin dhe mirërritjen e tyre,

- parashikimin e dënueshmërisë dhe trajtimin e të miturve që përfshihen në rrugën e krimit,

- Miratimin e paketës ligjore "Mbi drejtësinë për të miturit", projektligje mbi ratifikimin e disa konventave në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, hartim dhe miratim i projektligjit "Për organizimin dhe veprimtarinë e Komitetit Shqiptar të Birësimeve".

Në vazhdimësi do të sensibilizohet komuniteti në lidhje me njohjen e të drejtave dhe masat mbrojtëse të drejtësisë për të miturit:

a) Ngritja e funksionimi i strukturave përkatëse në zbatim të paketës ligjore, si; Instituti i riedukimit për të miturit, si institucion kryesor për ekzekutimin e dënimeve alternative dhe masave të tjera edukuese,

b) Ngritja e seksioneve të veçanta për gjykimin e të miturve në gjykatat e rretheve të vendit dhe në një të ardhme të mund të shihet si prioritet ngritja e gjykatës për të miturit.

Analiza e situatës së fëmijëve në Shqipëri evidentoi se përsa i përket efektivitetit të gjithë faktorëve dhe mekanizmave, që u përmendën më sipër, mund të themi se veprimi i tyre ka qenë disi separatist, nuk ka arritur në bashkërendimin dhe bashkëveprimin e duhur për marrjen, përcjelljen dhe përpunimin e informacionit në funksion të realizimit të shërbimeve dhe ndihmës konkrete. Zhvillimi i gjithanshëm i vendit dhe hartimi i strategjive sektoriale, etapa në të cilën ka hyrë shoqëria shqiptare kërkon fuqizimin e mekanizmave institucionale, koordinimin më të plotë të veprimtarisë në shërbim të fëmijëve, ritme më të shpejta në mbrojtjen, zhvillimin dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre.

Në këtë konveks, rishikimi i Strategjisë dhe hartimi i Planit të Veprimit në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, ngritja e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve dhe e Njësisë Qendrore për Fëmijët që do të monitorojnë zbatimin e tyre, por edhe thellimi i procesit të dec entralizimit, konsiderohen si një hop cilësor dhe shumë i rëndësishëm që do të sjellë rezultate të ndjeshme pozitive.

Është e rëndësishme të theksohet se këto dokumente të rëndësishëm mbi të cilën do të zhvillohet veprimtaria në fushën e të drejtave të fëmijëve, është konsideruar si zbatim i Rekomandimeve të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, mbajtur në Gjenevë në janar 2005.

Procesi i rishikimit të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët dhe hartimit të Planit të Veprimit është realizuar me mbështetjen dhe asistencën e Përfaqësisë së UNICEF-it në Shqipëri. Hartimi i këtyre dokumenteve sa më të plota dhe cilësore, është realizuar në bashkëpunim i plotë dhe i shumëllojshëm me të gjithë aktorët që operojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve. Janë zhvilluar 6 tryeza të rrumbullakëta, në të cilat është debatuar rreth problematikës dhe zgjidhjeve të ofruara. Grupi i ekspertëve falënderon të gjitha shoqatat dhe individët që u bënë pjesë e këtij procesi. Mund të veçojmë në këtë drejtim përfaqësuesit e pushtetit vendor, Zyrën e Avokatit të Popullit, CRCA-në, Save the Children, Aleancën për Fëmijët, Këshillin Rinor Shqiptar, Parlamentin e të Rinjve, Qeveritë e Nxënësve, etj.



OBJEKTIVAT KRYESORE TË STRATEGJISË KOMBËTARE PËR FËMIJËT



1. Ngritja e strukturave dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme financiare e njerëzore, për të realizuar detyrimet që rrjedhin nga Konventa Për të Drejtat e Fëmijëve dhe nga Strategjia Kombëtare për Fëmijët, për krijimin e një vendi të denjë për ta.

2. Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët, pavarësisht nga mosha, gjinia, etnia, aftësia e kufizuar, statusi i lindjes etj.

3. Vazhdimësia e procesit që siguron respektimin e interesave të fëmijëve, të drejtën e informimit dhe të lirisë së shprehjes dhe pjesëmarrjen e tyre në të gjitha çështjet që lidhen me ta në familje, në shkollë dhe në institucione të tjera.

4. Ngritja e sistemit të institucioneve dhe marrja e masave të tjera të domosdoshme, për të mbrojtur fëmijët nga të gjithë format e dhunës, të shfrytëzimit dhe nga keqtrajtimet.

5. Sigurimi i jetesës së fëmijëve në mjedis familjar, dhe vetëm në pamundësi të kësaj, ofrimi i kujdesit alternativ, ku përparësi të ketë kujdesi në familjet sociale.

6. Përsosja e kuadrit ligjor në fushën e birësimeve, duke synuar birësim të sigurt dhe të përshtatshëm për fëmijët, nëpërmjet Komitetit Shqiptar të Birësimit.

7. tje e kujdesit dhe mundësive për t'u krijuar fëmijëve me aftësi të kufizuara, mundësi më të mira për barazimin e mundësive.

8. Përmirësimi i kujdesit dhe shërbimit shëndetësor për nënën dhe fëmijën, me synim arritjen e standardeve normale në këtë shërbim.

9. Ndërtimi i sistemit arsimor bashkëkohor, duke garantuar që të gjithë fëmijët të mësojnë në kushte të përshtatshme dhe të përfundojnë arsimin e detyruar.

10. Reduktimi i numrit të fëmijëve që punojnë dhe garantimi i sistemit të mbrojtjes së tyre.

11. Ulja e numrit të fëmijëve të rrugës dhe ngritja e shërbimeve që i mbrojnë dhe zhvillojnë ata.



I. MBIJETESA E FËMIJËVE

a. Shëndeti i fëmijëve.

Për të pasur një shëndet dhe zhvillim të mirë të fëmijëve, kujdesi duhet të fillojë që në periudhën parakonceptuale, duke vazhduar me kujdesin para dhe gjatë lindjes.

Aktualisht ndjekja e shtatzënisë dhe e shëndetit të gruas së moshës riprodhuese bëhet kryesisht nga qendra të specializuara, që janë këshillimoret e nënës, të cilat janë të vendosura në të gjitha qytetet e vendit në shërbimin e Kujdesit Shëndetësor Parësor dhe reparteve Obstetrikë-Gjinekologjik në spitalet e rretheve.

Në nivelin e fshatit në qendrën shëndetësore mjeku i familjes dhe mamia përbëjnë linjën e parë të ndjekjes së gruas shtatzënë dhe lindjes normale. Bëhet kujdes që të gjitha gratë të fillojnë një shtatzëni të dëshiruar, në kohën e pjekurisë sociale dhe biologjike, të ushqehen si duhet, të sigurojnë shëndet të mirë, të kenë njohuri si të mbrojnë veten e tyre dhe foshnjën gjatë shtatzënisë dhe të kenë akses për kujdes fizik dhe mbështetje emocionale në periudhën kritike të jetës për fëmijën e tyre. Shërbimet shëndetësore cilësore për kujdesin para dhe pas lindjes duhet t'u ofrohen të gjitha nënave që kanë nevojë për të.

Kujdesi para, gjatë dhe pas lindjes për gruan shtatzënë ofrohet nga personeli i qendrave shëndetësore në fshat, (infermiere-mamia dhe mjeku i familjes) nga këshillimoret e gruas në qytete (mamia dhe specialisti obstetër gjinekolog) dhe nga repartet e obstetrikë-gjinekologjisë në spitalet e rretheve.

Nga të dhënat e kryera nga disa survejime të UNICEF, OBSH, etj, rezulton se rreth 95 % e grave kanë marrë kujdes para lindjes, pra gjatë shtatzënisë, nga një personel i aftë mjekësor. Në zonat urbane ky kujdes është ofruar në rreth 73% nga mjeku specialist dhe 17 % nga mami-infermieret, ndërsa në zonat rurale ky raport është i kundërt, ku rreth 50% e kujdesit ofrohet nga mami-infermiere. Por duhet thënë se niveli cilësisë së shërbimit antenatal të ofruar nga personeli mjekësor, mbetet ende jo i mirë sidomos në drejtim të këshi llimit dhe promocionit e edukimit të gruas shtatzënë, familjes dhe të gjithë komunitetit.

Një element kyç për një lindje të sigurt dhe mbijetesën e nënës dhe fëmijës së porsalindur është prania e një stafi të aftë teknikisht për të asistuar në lindje, të pajisura me mjetet dhe pajisjet e nevojshme për të menaxhuar si duhet në kohë komplikacionet e mundshme. Shumë i rëndësishëm në këtë moment është vendi i lindjes.

Ushqyerja e mirë e nënës është shumë e rëndësishme për shëndetin e fëmijës. Ushqyerja dhe shëndeti jo i mirë janë pjesë e një cikli të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës së individit; ushqyerja jo e mirë çon në sëmundje dhe sëmundja shkakton përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes nutricionale. Këto pasoja ndjehen më shumë tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël që vuajnë pasojat e një kequshqyerje, duke pasur kështu rrezik më të madh për vdekje dhe paaftësi të përjetshme. Por duhet thënë se fëmijët që vdesin përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël ose majën e ajsbergut të pasojave të rënda shëndetësore që kanë deficitet nutricionale. Kequshqyerja e nënës, ushqyerja jo e mirë me gji dhe ushqyerja plotësuese mbas moshës 6 muajsh, janë rreziqe të mëdha për shëndetin e fëmijëve të mbijetuar.

Programi Kombëtar i Ushqyerjes në vitin 1990 tregoi se 53 % e grave shtatzëna ishin me anemi, me përqindjen më të madhe në grup moshat 25-29 vjeç. Megjithëse studimet për nutricionin këto vitet e fundit mungojnë, nga ndryshimet social ekonomike që ka pësuar vendi, ekspertët theksojnë se për atë pjesë të popullatës që mund ta përballojë, ka një përmirësim të ushqyerjes me pasurimin e saj me produktet e qumështit, zarzavatet dhe frutat.

Planifikimi Familjar luan rol kyç në përmirësimin e shëndetit riprodhues, sepse vepron në tre komponentë kyç siç janë:

Shëndeti i nënës, duke distancuar lindjet,

Shëndetin e fëmijës duke krijuar mundësi nënës për përkujdesjen, rritje dhe lidhjen e fortë psikoemocionale me fëmijën

Parandalimin, edukimin dhe ofrimin e mjeteve mbrojtëse kundër Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme (IST) dhe HIV/AIDS.

Planifikimi Familjar ofrohet në Këshillimoret e Gruas në qytet dhe në repartet e Obstetrikë- Gjinekologjisë në Spitalet e qyteteve, dhe nga mjeku i përgjithshëm, ose mjeku i familjes, në Qendrën Shëndetësore në fshat. Aktualisht në shkallë vendi shërbimi i planifikimit familjar ofrohet në 300 qendra shëndetësore të Planifikimit Familjar.

Vdekshmëria foshnjore (vdekjet e fëmijëve 0-1 vjeç për 1000 lindje te gjalla) për dhjetëvjeçarin e kaluar është ulur afërsisht me 1/2 e nivelit të viteve 90-të (nga 35 për 1000 lindje gjallë në 15.1 për 1000 lindje në vitin 2004), por krahasuar me vende të tjera të rajonit evropian, mbetet në nivele të larta.

Reduktimi deri në 10 për 1000 lindje të gjalla deri ne vitin 2015 i shkallës së vdekshmërisë foshnjore deri 5 vjeç, është një nga sfidat e sektorit të shëndetësisë në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Gjatë viteve në vazhdim një poçes i rëndësishëm është zbatimi i menaxhimit të integruar ambulator të sëmundjeve të fëmijërisë për vlerësimin trajtimin dhe këshillimin e kombinuar për sëmundjet kryesore të fëmijës.



Vdekshmëria foshnjore për 1000 lindje për vitet 1993-2003



1993 1994 1995 1996 1997 1998 1999 2000 2001 2000 2003

35.4 28.3 30.0 25.8 22.5 20.5 17.5 16.0 17.5 17.3 15.5





Sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, sëmundjet të porsalindurve dhe sëmundjet diarreike janë shkaqet kryesore të kësaj vdekshmërie.

Këto janë të lidhura kryesisht me kushtet jo të mira të jetesës dhe higjienës, mungesën e akcesit ndaj shërbimeve shëndetësore, njohuri jo të mira të personelit shëndetësor lidhur me ndjekjen dhe trajtimin e sëmundjeve kryesore të fëmijërisë, si dhe nivelin e pamjaftueshëm të edukatës dhe njohurive të nënës, familjes dhe komunitetit, veçanërisht në drejtim të mirërritjes, ushqyerjes së fëmijës dhe kujdesit për shëndetin e fëmijës.

Sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes zënë vendin e parë në vdekjet e fëmijëve 0-5 vjeç në vendin tonë. Në vitin 1991-1993 ato përbënin rreth 42% të vdekshmërisë foshnjore. Duhet theksuar se vdekshmëria foshnjore nga këto sëmundje është ulur në ¼ vitin 2000 në krahasim me vitin 1990.

Në shërbimet e fëmijës është realizuar futja e protokolleve të menaxhimit të integruar ambulator për sëmundjet e fëmijërisë (MISF, strategjia e OBSH/UNICEF) për vlerësimin, trajtimin dhe këshillimin e kombinuar të fëmijës së sëmurë në drejtim të sëmundjeve kryesore të fëmijërisë, sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, diarreike, ushqyerjen, vaksinimin në shërbimet e kujdesit shëndetësor për fëmijët (mjek familje, mami, infermiere). Futja e këtyre protokolleve për ndjekjen e fëmijës 0-5 vjeç nga mjekët e familjes dhe mamitë në dy rrethe pilot. Kështu niveli i KSHP ka përmirësuar mjaft punën, duke ndikuar në përmirësimin e treguesve të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë fëminore. Në këto dy rrethe për një periudhë tre vjeçare pati një ulje të ndjeshme të vdekshmërisë foshnjore. Gjithashtu ka filluar zbatimi i këtyre protokolleve në dy prefektura të tjera, në Elbasan dhe në Dibër.



Ushqimi i nënës dhe fëmijës

Në themelet e një zhvillimi të mirë dhe të shëndetshëm qëndron ushqyerja, ndërkohë që një ushqyerje jo e mirë çon në sëmundje e cila përkeqëson gjendjen nutricionale. Foshnjat janë grupmosha më e ndjeshme e këtyre pasojave, duke pasur kështu rrezikun më të madh për vdekje dhe për paaftësi të përjetshme. Kequshqyerja e nënës, ushqyerja jo e mirë me gji dhe ushqyerja plotësuese mbas moshës 6 muajsh, janë rreziqet më të mëdha për shëndetin e fëmijëve.

Ushqyerja me gji, konsiderohet si një nga treguesit kryesorë të shëndetit dhe mirërritjes së fëmijëve.

Në vitin 1998, u krye studimi për "Monitorimin e ushqyerjes me gji" në shtatë rrethe të vendit. Rezultatet treguan se ndonëse 94 % e nënave fillonin ushqyerjen ekskluzive me gji në maternitet mbas muajit të parë deri në muajin e gjashtë të jetës, incidenca e ushqyerjes me gji ulej nga 70% në 11%. Për të përmirësuar këtë situatë, e cila ishte jo e kënaqshme në shtator të vitit 1999, u miratua ligji mbi "Nxitjen e Ushqyerjes me gji", mbështetur në Kodin ndërkombëtar të Marketingut të zëvendësuesve të qumështit të gjirit.

Qëllimi i këtij ligji është të kontribuojë për sigurimin e një ushqimi të sigurt, të përshtatshëm dhe të mjaftueshëm për fëmijët, nëpërmjet mbrojtjes dhe nxitjes së ushqyerjes me gji, si dhe sigurimin e një përdorimi të drejtë të zëvendësuesve të qumështit të gjirit, kur këta janë të nevojshëm, mbi bazën e një informacioni të përshtatshëm dhe nëpërmjet tregtimit dhe shpërndarjes së duhur të tyre.

Ky ligj rregullon tregtimin dhe praktikat e lidhura me të, të produkteve të zëvendësuesve të qumështit të gjirit, përfshirë këtu edhe qumështin industrial e produkte të tjera të qumështit, kur ata tregtohen, ose paraqiten si të përshtatshëm, me ose pa modifikime, për përdorim si zëvendësues të pjesshëm, ose total të qumështit të gjirit.

Për të nxitur ushqyerjen me gji në institucionet tona shëndetësore po përhapet iniciativa e "SPITAL MIK I FËMIJËS" (OBSH/UNICEF). Tashmë që nga korriku 1998 ne kemi spitalin e parë që ka marrë certifikatën si "SPITAL MIK I FËMIJËS", Materniteti i Lezhës, që ishte spitali i tillë i parë në Ballkan, ndërsa Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik Tiranë ka marrë një certifikatë nxitje. Në vitin 2000 në Shqipëri u vlerësua edhe një maternitet tjetër si "SPITAL MIK I FËMIJËS", materniteti i Fierit, që zë vendin e tretë në vend përsa i përket numrit mesatar vjetor të lindjeve.

Gjendja e ushqyerjes me gji në vendin tonë është përmirësuar ndjeshëm, krahasuar me të dhënat e studimit të vitit 1998. Vihet re ndryshimi në praktika mes qyteteve ku është kryer një ndërhyrje si trajnimi i personelit shëndetësor, dhe atyre ku nuk është bërë asnjë ndërhyrje.

Praktikat e papërshtatshme të ushqyerjes së fëmijëve të vegjël janë një shkak madhor për fillimin e kequshqyerjes tek fëmijët dhe nga shkaqet me te rëndësishme të vdekjeve të fëmijëve të vegjël.

Fëmijët që nuk ushqehen me gji kanë rreth 6 herë më shumë shanse për të vdekur në muajt e parë të jetës së tyre. Mbas muajit të gjashtë të jetës foshnjat hyjnë në një periudhë shumë vulnerabël të ushqyerjes plotësuese, periudha e tranzicionit që kalohet tek ushqyerja me ushqimet e familjes. Incidenca e malnutricionit në moshat 6-18 muajsh është më e rritur në këtë periudhë dhe mungesat në këtë moshë janë të vështira për t'u kompensuar në moshën e rritur.

Mungesat në micronutrientë si vitamina A, hekur, jod, zink, që janë të përhapura, përbëjnë një shkak për sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë veçanërisht tek fëmijët e vegjël. Si rrjedhojë e ushqyerjes jo të mirë, infeksioneve të përsëritura dhe parazitazave të shumta, anemia tek fëmijët është e lartë.

Efektet e një ushqyerje të mirë gjithashtu vazhdojnë më tej në jetën e fëmijës duke çuar në një performancë të ulët në shkollë dhe dëmtime të tjera të zhvillimit intelektual dhe social.

Shqipëria në studimet e kryera para viteve 90 për malnutricionin raportonte se rreth 30% e fëmijëve 0-2 vjeç vuanin nga forma të rënda të malnutricionit. Fëmijët që jetonin në zonat malore treguan përqindje më të lartë (32%) malnutricioni se ato që jetonin në zonat fushore (24%) Diferencat më të mëdha në malnutricion u panë gjithashtu edhe midis pjesës jugore të vendit (18%) dhe asaj të veriut (30%), që reflekton gjendjen social-ekonomike të vendit. Dhe së fundi zonat rurale (35,1%) kanë rezultuar më të prekura nga malnutricioni se ato urbane (17,2%).

Mbas viteve 90, në studimet e kryera nga ISHP dhe shoqata të ndryshme joqeveritare, rezultoi se megjithëse incidenca e malnutricionit është e ulur, ende mbetet në shifra jo të kënaqshme.

Në rezultatet e studimeve të kryera gjatë këtyre viteve rezulton se gjatë periudhës 10 vjeçare të tranzicionit ka ndryshuar profili i malnutricionit. Vërehet një përmirësim i situatës së malnutricionit të formës së rendë. Kështu prevalenca e malnutricionit është bërë pothuajse e ngjashme si në zonat urbane dhe rurale (kjo ndoshta e lidhur me migracionin e brendshëm nga zonat rurale dhe mbipopullimin e zonave urbane). Mosha më e prekur është përsëri grup mosha 1-2 vjeç (20.1%) që siç u përmend reflekton praktikat jo të mira të fillimit të ushqyerjes solide/ushqyerjes plotësuese, që ka lidhje me punën dhe njohuritë jo të mira të personelit shëndetësor lidhur me këshillimin për ushqyerjen e fëmijës si dhe me edukimin e nënave për kujdesin për mirërritjen e fëmijëve (UNICEF MICS Survey 2000).

Nga studimet e kryera në vitin 1993 rezultoi se pamjaftueshmëria e rëndë jodike ishte gjithashtu një problem. Mbështetur mbi këto rezultate Ministria e Shëndetësisë së bashku me UNICEF/OBSH, filloi një strategji kombëtare afat shkurtër dhe afat gjatë për eliminimin e çrregullimeve jodike në vend.

Strategjia afat-shkurtër konsistoi në shpërndarjen e ampulave dhe tabletave me jod në Qendrat Shëndetësore të vendit për popullsinë e atyre zonave që ishin më të prekura nga defiçenca jodike.

Strategjia afat gjatë e përgatitur nga MSH konsiston në jodizimin e kripës së gjellës dhe kripës shtazore. Në vitin 1997 u përgatit një Vendim i Këshillit të Ministrave ku urdhërohej që e gjithë kripa e importuar në vend të jetë e jodizuar. U krijua Komiteti Kombëtar për Kontrollin e Çrregullimeve nga Pamjaftueshmëria Jodike me pjesëmarrje ndërministeriale, OJQ, specialistë të fushës etj, i cili ka ndërmarrë disa iniciativa në këtë drejtim.

Në Shqipëri mungojnë të dhënat në nivel kombëtar për pamjaftueshmërinë e Vitaminave si vitamina A. Nga një studim pilot i bërë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Shërbimi Pediatrik, për të përcaktuar deficitet nga disa mikronutrientet në fëmijët 0- 6 vjeç u vu re se pamjaftueshmëria e Vitaminës A u konstatua ne 49% të fëmijëve të studiuar (1994). Fëmijët me sëmundje diarreike dhe pulmonare ishin më të rriskuar ndaj kësaj pamjaftueshmërie. Të dhënat e studimit treguan gjithashtu se fëmijët e ushqyer me gji janë më të mbrojtur ndaj këtij deficiti.

Për këtë arsye në protokollet e ndjekjes së fëmijëve 0-6 vjeç nga Këshillimoret e Fëmijëve në vendin tonë rekomandohet dhënia e vitaminës A atyre fëmijëve që kanë probleme malnutricioni, rakiti, apo infeksione të përsëritura ndërsa vitamina D është e detyrueshme për të gjithë fëmijët e moshës 0-3 vjeç.

Vaksinimi i fëmijës është një tjetër prioritetet për shëndetin e fëmijës. Shqipëria ka një skemë vaksinimi të detyrueshme kundër sëmundjeve kryesore ndryshme që shfaqen gjatë periudhës së fëmijërisë. Studimet kanë treguar se mbulesa vaksinale është e lartë mbi 95% të fëmijëve. Në vitin 2002 Shqipëria u certifikua nga OBSH si vendi pa Poliomielit. Shqipëria ka tashmë një Plan Kombëtar Veprimi për Imunizimin 2001-2010 dhe Qeveria është pjesë e partnershipit në Aleancën globale të Vaksinimit dhe Imunizimit.



Organizimi i shërbimeve shëndetësore për fëmijët

a) Në Kujdesin Shëndetësor Parësor

Shërbimi për fëmijët në kujdesin parësor fillon që në zonat rurale ku janë ambulancat me personel të mesëm mami-infermiere, por edhe nën kontrollin mjekësor të mjekut të familjes në Qendrën Shëndetësore. Qendrat shëndetësore janë të vendosura në nivel komune dhe në to ka zakonisht mjek familje, ndonjëherë pediatër si dhe mami-infermiere, të cilët ndjekin të gjithë problematikat e mirërritjes dhe zhvillimit të fëmijëve 0-14 vjeç.

Në qytet shërbimi parësor për fëmijët mbulohet nga këshillimoret e fëmijëve, të cilat ndjekin mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijëve 0-6 vjeç dhe shërbimet për sëmundjet pediatrike të vendosura pranë poliklinikave të lagjeve të qyteteve, të cilat ndjekin fëmijën e sëmurë deri në moshën 14 vjeç.

b) Në nivelin dytësor :

Në të gjitha spitalet e rretheve ky shërbim ofrohet nga repartet e pediatrisë së përgjithshme.

c) Në nivelin tretësor

Ky shërbim aktualisht ne vendin tonë ofrohet nga Spitali Pediatrik pranë

Qendrës Spitalore Universitare " Nënë Tereza" Tiranë.

Qendra Kombëtare për Mirërritjen dhe Zhvillimin e Fëmijëve,

Qendra Kombëtare për Mirërritjen dhe Zhvillimin e Fëmijëve, krijuar në zbatim të VKM nr.325, datë 23.06.2000. Ajo u ngrit si një qendër diagnostikuese e trajtuese për problemet e zhvillimit, si një qendër trajnimi dhe për realizimin e studimeve shkencore në lidhje me mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

Çfarë pritet në të ardhmen

- Përmirësimi dhe integrimi i strukturave shëndetësore të fëmijës dhe të gruas në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.

- Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të nënës dhe fëmijës në tre nivelet e kujdesjes, nëpërmjet unifikimit të protokolleve standard për ndjekjen e shëndetit të nënës dhe të fëmijës,

- Përmirësimi i nivelit shkencor dhe teknik i njohurive të personelit shëndetësor, nëpërmjet trajnimit të vazhdueshëm të gjithë personelit shëndetësor që punon në këto shërbime.

- Plotësimi dhe përmirësimi i kuadrit ligjor për mbrojtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës

- Sensibilizimi dhe mobilizimi i gjithë shoqërisë, për të kuptuar se kujdesi për gruan dhe fëmijën përbën një prioritet kryesor p ër vendin dhe nuk është detyrë vetëm e shëndetësisë.



Fëmijëria e hershme



Zhvillimi dhe kujdesi për fëmijërinë e hershme (ZHKFH)

Fëmijëria e hershme përcaktohet si periudha e jetës së fëmijës, nga formimi deri në moshën tetëvjeçare dhe përfshin ndërthurjen e shëndetit, ushqyerjes dhe stimulimit intelektual, krijimin e mundësive për studimin dhe të mësuarin aktiv, si dhe sigurimin e kujdesit emotive dhe shoqëror për të cilat ka nevojë fëmija me qëllim që të realizojë potencialin e vet njerëzor dhe të luajë një rol aktiv në familje dhe në shoqëri.

Në Shqipëri ndërhyrjet komplekse për fëmijërinë e hershme janë ende në një faze embrionale. Në vitin 2003 u krijua për herë të parë një Task Forcë Ndërsektoriale për Fëmijërinë e hershme dhe u përcaktuan objektiva konkrete për këtë grupmoshë.

Ministria e Arsimit, e cila zë një peshë kryesore në ZHKFH për moshën 3-6 vjeç, parashikon si objektiv të sajin përfshirjen 100% të fëmijëve të moshës 5-6 vjeç dhe 50-70% të atyre 3-5 vjeç në institucionet parashkollore deri në vitin 2015. Ajo ka si objektiv edhe shtrirjen e metodologjive bashkëkohore që vënë në qendër të veprimtarisë edukative fëmijën, reformimin e kurikulës universitare të degës së mësuesisë për sistemin parashkollor, krijimin e sistemit të kualifikimit për mësuesit dhe përmirësimin e kuadrit ligjor që do të mbështesë decentralizimin e sistemit parashkollor.

Ministria e Pushtetit Lokal dhe Decentralizimit. Ky sektor ka pasur si objektiv funksionimin normal të institucioneve parashkollore për moshën nga 0-3 vjeç, përmirësimin e infrastrukturës nëpërmjet rritjes së investimeve në infrastrukturën parashkollore (çerdhet). Në kuadrin e decentralizimit janë në fokus zonat e varfra dhe të margjinalizuara, ku ndihet nevoja e ngritjes së shërbimeve për këtë grup moshë dhe trajnimi dhe aftësimi i punonjësve të pushtetit lokal në zbatimi të politikave të shërbimeve sociale.

Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale si objektiv për fëmijërinë e hershme ka plotësimin e nevojave dhe sigurimin e shërbimeve për fëmijët me nevoja të veçanta të moshës 0-6 vjeç, si fëmijë jetimë a me një prind, me aftësi të kufizuara, nga familje me probleme ekonomike dhe sociale etj. Kjo po realizohet duke ndihmuar familjen biologjike dhe rikthimin e fëmijës në të, duke siguruar familje birësuese, brenda dhe jashtë vendit, duke ngritur shtëpitë familje, shërbimin e kujdestarisë dhe familjet kujdestare etj.

Për realizimin e këtij objektivi është punuar në këto drejtime:

1. Për fëmijët jetimë (pa prindër, të braktisur) ose të familjeve me probleme ekonomike e sociale nga 0-6 vjeç po punohet t'u krijohen kushtet për mirërritjen e tyre në institucionet e shërbimeve rezidenciale publike, si në Korçë, Shkodër, Vlorë, Durrës, Tiranë, si dhe në institucionet e shërbimeve jopublike si në Elbasan, Gjirokastër, Tiranë.

Për këtë grup moshe po punohet në kuadër të decentralizimit të shërbimeve sociale, për të ulur në mënyrë të ndjeshme shërbimet e tipit rezidencial dhe për t'i zëvendësuar me lloje alternative shërbimesh, që kanë si synim rritjen e fëmijës në mjedis familjar. Për këtë në bashkëpunim me OJF-të po punohet për kthimin e fëmijës në familjen biologjike duke krijuar kushtet e nevojshme, në pamundësi të kësaj, vendosjen e fëmijës në familjen kujdestare (Every child), birësimin e hershëm të fëmijës etj.

Shteti ka shtuar investimet, për të përmirësuar infrastrukturën e institucioneve rezidenciale, është shtuar fondi për pajisje, janë përmirësuar programet e trajtimit të fëmijëve, është rritur niveli i stafeve nëpërmjet trajnimeve periodike etj.

2. Për fëmijët nga 0-6 vjeç me aftësi të kufizuar

Po punohet për sigurimin e sa më shumë shërbimeve për këtë kategori, duke u orientuar nga shërbimet ditore dhe në familje. Deri tani ofrohen:

shërbime rezidenciale në 5 qendra zhvillimi publike si dhe funksionojnë rreth 7 qendra ditore për fëmijë me AK, të ngritura nga OJF-të, në të cilat aplikohen modele të reja shërbimesh, që synojnë integrimin e fëmijëve nëpërmjet shoqërizimit dhe veprimtarisë.

Trajtohen me pagesë paaftësie sipas vlerësimit të Komisionit Mjekësor dhe sipas përcaktimit të grupit mund të përfitojnë edhe kujdestar.

Po punohet për ndërgjegjësimin e prindërve për të pranuar sa më herët paaftësinë e fëmijës dhe në këtë proces rol ka luajtur depistimi i hershëm i aftësisë së kufizuar, i cili në mjaft raste është realizuar nga shërbimet në familje të ofruara nga OJF-të.



Çfarë pritet në të ardhmen

- Përpunimi i një plani kombëtar për fëmijërinë e hershme, ku të planifikohet një punë e integruar për këtë grupmoshë me ministritë e linjës.

- Mbështetja e krijimit të një strukture të veçantë për fëmijët, brenda së cilës të ketë një departament për fëmijërinë e hershme.

- Sigurimi i rritjes së financimeve që shkojnë për këtë grupmoshë brenda buxheteve të ministrive përkatëse.

- Përpunimi i politikave dhe strategjive për të krijuar mundësi për arsim parashkollor për të gjithë fëmijët 0-6 vjeç, veçanërisht atyre 5-6 vjeç, në një afa t më të shkurtër kohor, duke gërshetuar përpjekjet me modele të suksesshme komunitare të zbatuara nga organizata joqeveritare.

- Sigurimi i një sistemi statistikor specifik të dhënash sipas rajoneve, gjinisë, grupmoshave, etj.

- Rishikimi i legjislacionit që trajton problemet e fëmijëve jetimë si, hartimi i një ligji "Për kujdestarinë", hartimi i ligjit "Për organizimin dhe veprimtarinë e Komitetit Shqiptar të Birësimit" si dhe përmirësimi i ligjit "Për statusin e jetimit"

- Sigurimi i legjislacionit të nevojshëm që do të lejojë funksionimin normal dhe ndarjen e detyrave për procesin e decentralizimit

- Rishikimi i ligjeve që trajtojnë problemet shëndetësore të nënës dhe të fëmijës

- Përmirësimi i legjislacionit penal, duke pasur parasysh mbrojtjen e veçantë të fëmijës nga të gjitha fenomenet që paraqesin rrezikshmëri për jetën e tyre.

- Lidhja e Akt-Marrëveshjes me shtete të tjera për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me zbatimin e detyrimit të njërit prej prindërve për të dhënë pensionin ushqimor për fëmijën.



Fëmijët jetimë, me një prind dhe me probleme sociale



Politika për mirërritjen dhe mbrojtjen e fëmijëve bazohet në parimin themelor që ata duhet të rriten në një mjedis të sigurt dhe familjar, mundësisht në familjet e tyre natyrore. Në rastet kur nuk realizohet kjo, ata duhet të rriten në siguri dhe të mbrojtur nga abuzimet kudo qe ndodhen si në përkujdesjen e familjeve te tyre, ashtu edhe në atë zëvendësuese.

Në përputhje me statistikat administrative dhe vlerësimet nga studimet e ndryshme në nivel kombëtar, rezulton se 402 fëmijët jetimë e me probleme sociale jetojnë në institucione rezidenciale publike, rreth 200 fëmijë jetojnë në qendrat rezidenciale jopublike dhe rreth 16 000 vlerësohet të jetë numri i fëmijëve jetimë pa prindër ose me një prind, që jetojnë në familje ose në komunitet.

Shërbimet për fëmijët jetimë ofrohen:

Nga pjesëtarë të familjes ose të afërm të jetimit, duke u mbështetur në traditën shqiptare të kujdesit për fëmijët jetimë.

Nga 9 shtëpi fëmijësh publike dhe 6 qendrat rezidenciale jopublike,

Nga familjet sociale që kanë birësuar fëmijë, si brenda vendit, ashtu dhe jashtë tij. Nga shërbimi i kujdestarisë.

1. Fëmijët jetimë, të braktisur dhe me probleme sociale që jetojnë në institucione

Në institucionet rezidenciale, veç fëmijëve jetimë, vendosen edhe fëmijë të tjerë, që për arsye ekonomike ose shoqërore nuk mund të jetojnë pranë familjeve biologjike.

Për fëmijët që jetojnë në institucione janë bërë përpjekje që t'u ofrohen shërbime të një cilësie të kënaqshme, të cilat kanë ardhur duke u përmirësuar, si rezultat i asistencës së eksperteve apo donatorëve dhe modeleve të shërbimeve të OJF-ve që synojnë kthimin e fëmijës në familjen biologjike, sigurimin e një familjeje sociale si dhe përmirësimin e kushteve në këto institucione. Janë modeluar shtëpitë-familje, ku fëmijët jetojnë në kushtet e mjedisit familjar. Megjithatë, ende vihen re problemet e mëposhtme:

Nuk ka të dhëna të sakta të fëmijëve jetimë, me një prind apo me probleme sociale dhe nevojat e tyre për shërbime,

Në institucione shërbimet nuk arrijnë ende standardet e cilësisë, janë larg jetës së fëmijës në familje dhe fëmijët nuk përgatiten për jetën e pavarur,

Mungojnë programet e trajtimit për fëmijët jetimë që nuk vazhdojnë shkollat e mesme dhe kanë rezultate të ulëta në mësime,

Janë më të rrezikuar nga abuzimi seksual, shtatzënia e hershme dhe përfshirja në rrjetet e trafikut dhe të prostitucionit,

Nuk janë të siguruar me strehim dhe punë pas mbarimit të shkollës,

Nuk mbahen parasysh të drejtat e fëmijëve për zgjedhjen e shkollës, profesionit, për institucionin ku dëshiron të rrijë,

Janë të pamjaftueshme shërbimet alternative.



2. Fëmijët jetimë pa prindër ose me një prind që nuk jetojnë në institucione

Fëmijët jetimë pa prindër ose me një prind që nuk marrin shërbime sociale në institucione ndeshen me probleme të tjera:

Një pjesë e fëmijëve përfitojnë pension familjar dhe jetojnë me prindin ose me të afërmit, por ka edhe mjaft raste që fëmijët nuk përfitojnë pension, sepse prindi/prindërit, nuk kanë qenë të siguruar dhe në këto kushte fëmija nuk ka mbështetje ekonomike.

Ka pak të dhëna nga pushteti vendor për fëmijët jetimë që nuk jetojnë në institucione dhe sidomos për gjendjen e tyre ekonomike dhe sociale.

Mungojnë struktura të shërbimeve social në njësitë vendore dhe nuk janë identifikuar të dhëna për fëmijët jetimë, me probleme ekonomike e sociale dhe nevojat për mbrojtjen e tyre.

Nuk ka programe të mjaftueshme për mbështetjen e nënave kryefamiljare, familjeve me shumë fëmijë ose me probleme të mprehta sociale dhe me AK, siç janë ato për punësimin, trajnimin profesional, etj.

Nuk ushtrohet asnjë autoritet mbi familjen kur vërehen raste neglizhence, abuzimi, dhune ndaj fëmijës brenda familjes për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe përgjegjësinë e prindërve.

Nuk ka qëndrim shtrëngues ndaj prindërve që braktisin fëmijët ose nuk i dërgojnë ata në shkollë.



Nuk ka një ligj për shërbimin e kujdestarisë, i cili do të siguronte rregullat për familjet kujdestare dhe mbështetje ekonomike për të afërmit që marrin në kujdestari fëmijët jetimë.



Çfarë pritet në të ardhmen

- Të nxiten dhe zhvillohen shërbime alternative të përkujdesjes, si shërbimet ditore, sigurimi i familjeve kujdestare dhe birësuese, në mënyrë që fëmijët te qëndrojnë ne qendra rezidenciale për një kohe sa me te shkurtër dhe t'u sigurohet mjedis familjar.

- Të mbështetet familja për të siguruar që fëmija të rritet në mjedisin familjar.

- Të synohet që fëmijët nën 8 vjeç të mos vendosen në përkujdesje rezidenciale, përveç se në raste emergjencash dhe për një kohë shumë të shkurtër.

- Të nxitet dhe të mbështetet ngritja, zhvillimi dhe shpërndarja në të gjithë territorin e shërbimeve komunitare për fëmijët.

- Të punohet për reduktimin e kërkesës për vende në qendrat rezidenciale duke i dhënë prioritet edukimit publik, si në aspektin e planifikimit familjar, punës me vajzat nëna në maternitetet për të parandaluar braktisjen e fëmijës, njohjen dhe mbështetjen me shërbime alternative familjet në vështirësi për të mos i çuar fëmijët në institucione.

- Të hartohen dhe miratohen brenda qershorit 2005 standardet e shërbimeve për institucionet rezidenciale dhe brenda vitit 2005 do të fillojnë nga zbatimi.

- Brenda vitit 2005 do të hartohen standardet e shërbimeve për fëmijët (për të gjitha llojet e shërbimeve) dhe brenda vitit 2006 do të vihen në zbatim.

- Të rritet kërkesa për cilësinë e shërbimeve nga të gjithë ofruesit, duke siguruar licencimin e shërbimit nga çdo ofrues, publik, privat ose i OJF-ve.

- Të ngrihet një sistem informacioni nga njësitë e qeverisjes vendore deri në nivel qendror për fëmijët jetimë, me një prind dhe me probleme sociale dhe nevojat e tyre, i cili do të shërbejë si për planifikimin e shërbimeve në nivel vendor, ashtu dhe për përpunimin e politikave në nivel qendror.



Fëmijë me aftësi të kufizuar



Në janar të 2005 Këshilli i Ministrave miratoi Strategjinë Kombëtare për personat me aftësi të kufizuar", ku në thelbin e saj, qëndronte parimi i barazimit të mundësive për PAK. Ndonëse në këtë strategji problemi i aftësisë së kufizuar është parë në shumanshmërinë dhe jo-veçmas për fëmijët, aty vihet theksi në punën parandaluese për aftësinë e kufizuar, që në fëmijërinë e hershme dhe parashikohen masa për rehabilitimin dhe integrimin e fëmijëve duke iu dhënë shansin që të ndjekin shkollën, të marrin pjesë në jetën shoqërore dhe të aftësohen për jetën.

Deri tani në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe programet që zbatohet aktualisht për PAK, fëmijët e lindur me aftësi të kufizuar ose të bërë të tillë deri në moshën 21 vjeç përfitojnë:

- Mbështetjen nëpërmjet një pagese për aftësinë e kufizuar në kesh, me qëllim që familja të përmbushë nevojat e veçanta të fëmijës me AK.

- Fëmijët me aftësi të kufizuar me statusin e të verbrit dhe para dhe tetraplegjikut marrin 200% te pagesës së aftësisë së kufizuar ne rastet, kur vazhdojnë shkollën e mesme dhe 300% te pagesës, kur vazhdojnë shkollën e lartë.

- Pagesë kujdestarie për fëmijën me AK që nuk mund të kujdeset për veten sipas vendimit të KMCAP.

- Fëmijëve me aftësi të kufizuara u ofrohen shërbime në qendrat rezidenciale të zhvillimit, të cilat kanë ngritur pranë tyre edhe shërbime ditore për të përfshirë sa më shumë fëmijë me aftësi të kufizuar si dhe funksionojnë disa qendra ditore jopublike të ngritura nga OJF-të, që kanë ofruar modele të suksesshme rehabilitimi për fëmijët etj. Dhe i kanë përgatitur për shkollimin e tyre ose në klasa të zakonshme ose në ato të integruarat.



Problemet që evidentohen:

- Shërbimet ditore dhe komunitare për fëmijët me AK janë ende të pamjaftueshme;

- Nuk ka mbështetje të mjaftueshme psiko-sociale për familjen;

- Nuk ka programe të mjaftueshme për trajnimin e tyre profesional, integrimin në jetën komunitare dhe sensibilizimin e publikut;

- Ka pengesa në mjedis për lëvizje dhe komunikim;

- Mungon vlerësimi për AK në të gjitha fazat e zhvillimit të fëmijës dhe nuk ka programe për trajnimit të fëmijëve me AK sipas grup moshave;

- Ka mungesa në mbështetjen e fëmijëve për të hyrë në klasat e integruara. Stimulimi i pajisjes me mjete të përshtatshme për fëmijët sipas aftësisë së kufizuar;

- Mbeten jashtë trajtimit fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian.



Fëmijë të braktisur dhe të rrugës



Për këtë kategori, ku përfshihen veçanërisht fëmijë nga komunitetet etnike, si romë apo jevgj ose të familjeve të varfra dhe me probleme sociale, ofrohen disa shërbime ditore nga OJF-të, ku u ofrohet ndihmë materiale, asistencë shkollore dhe përgatitje për klasa të integruara apo kurse kundër analfabetizmit dhe formim profesional. Por këto shërbime nuk janë të mjaftueshme dhe kërkohet mbështetje më e madhe për familjen.



Fëmijët dhe mjedisi



Shqetësimi për efektet në shëndetin e fëmijëve, të shkaktuara nga mjedisi jo i shëndetshëm, ka ardhur vazhdimisht në rritje. Fëmijët janë të ekspozuar ndaj faktorëv e të tillë mjedisorë, si ndotja e ujit, ajrit, mbeturinat, toka dhe ushqimet e kontaminuar, vendbanime jo të shëndetshme, transport jo i sigurt etj. Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse aktive në procesin e ndërmarrë nga vendet e Rajonit Evropian në përgatitjen dhe zbatimin e strategjive dhe te planeve të përbashkëta për Mjedisin dhe Shëndetin.

Ministria Shëndetësisë nëpërmjet ISHP ka kryer të gjitha vlerësimet e nevojshme lidhur me aspektet e higjienës mjedisore dhe industriale në Shqipëri, ka përgatitur raportet përkatëse dhe ka sensibilizuar Ministrinë e Mjedisit dhe ministritë e tjera të interesuara, në marrjen e masave përkatëse.

Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të Planit Kombëtar të Veprimit për Mjedisin dhe Shëndetin, duke bashkëpunuar edhe me vendet e tjera të rajonit janë trajtuar mjaft probleme që lidhen ne mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthorta që lidhen me shëndetin e njeriut si:

- Probleme të cilësisë së ajrit

- Administrimi i mbeturinave spitalore , urbane etj.

- Përmirësimi cilësisë së ujit të pijshëm

- Përmirësimi i cilësisë dhe sigurisë së ushqimeve

Të gjitha këto, duke bashkëpunuar edhe me të gjithë aktorët, do të çojnë në sigurimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm për fëmijët, dhe nëpërmjet edukimit e promocionit si dhe kujdesjeve shëndetësore do të kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme në uljen e sëmundshmërisë së fëmijëve të shkaktuara nga ky mjedis.



II. MBROJTJA E FËMIJËVE



Mbrojtja nga përjashtimi social i fëmijëve.



Në politikat e qeverisë shqiptare një nga prioritetet e saj është mbrojtja shoqërore e individit. Për këtë qëllim në 10 vjetët e fundit funksionon sistemi i mbrojtjes shoqërore, i cili synon zbutjen e varfërisë dhe mbështetjen për njerëzit në nevojë pranë familjeve të tyre, dhe kur nuk arrihet kjo, edhe në institucionet e përkujdesit shoqëror. Ky sistem është gjithëpërfshirës dhe jodiskriminues.

Ai zbatohet për individët dhe familjet në nevojë nëpërmjet:

Programit të Ndihmës Ekonomike, nga i cili përfitojnë rreth 120 mijë familje të varfra në qytet dhe në zonat rurale.

Programit të mbështetjes me të ardhura të personave me aftësi të kufizuara (PAK). Nga ky program përfitojnë pagesë rreth 57 000 mijë persona me aftësi të kufizuara mendore, fizike, sensore dhe 32 mijë invalidë pune, për të cilët janë vënë në dispozicion 5.2 miliardë lekë për vitin 2005, nga rreth 3.8 miliardë lekë në vitin 2003.

Shërbimeve të përkujdesjes shoqërore publike dhe jopublike, që ofrohet në qendrat rezidencial si dhe ato ditore që ofrojnë shërbime publike dhe jopublike për individë në nevojë.

Për këtë sistem të mbrojtjes shoqërore çdo vit nga buxheti i shtetit vihen në dispozicion rreth 10 miliardë lekë.

Gjithë ky sistem kërkon të mbrojë familjen dhe individin nga përjashtimi social dhe veçanërisht kërkon që fëmijët e familjeve të varfra të kenë mundësi për t'u rritur në kushte optimale.

Po kështu zbatohen edhe programe të tjera siç janë ato të nxitjes së punësimit dhe formimit profesional veçanërisht për familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike ose gra kryefamiljare, nga komuniteti rom etj.



Dhuna ndaj fëmijëve në familje, në shkollë dhe në komunitet



Fenomeni i dhunës ndaj fëmijëve është sa i përhapur, aq edhe i fshehtë. Ndaj këtij fenomeni ka sensibilitet në opinion, punojnë edhe disa OJF të fushës së mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve. Kjo lidhet me mentalitetin e familjes shqiptare që një nga format e edukimit të fëmijës është edhe ndëshkimi. Ky mentalitet , ndonëse po tronditet ende ekziston. Për të frenuar këtë fenomen duhet të ngrihen sisteme mbrojtjeje dhe referimi për rastet e dhunimit të fëmijës, në familje, në shkollë ose në komunitet.



Fëmijët e përfshirë në punë



Puna e fëmijëve nën moshën e parashikuar me ligj është një dukuri që po haset dendur. Aktualisht nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve që punojnë dhe llojet e punës që ata bëjnë. Ka dy lloj kategorish të fëmijëve që punojnë:

1. Fëmijë që punojnë në sektorin formal të ekonomisë, si në rrobaqepësi, fabrikat e prodhimit të këpucëve, në ndërtim etj. që janë kryesisht të moshës 15-18 vjeç.

2. Fëmijët që punojnë në sektorin joformal të ekonomisë, kryesisht në rrugë, si: shitës ambulantë, lypsa, pastrues të makinave në semaforë etj. si dhe në një nga format më të këqija të punës së fëmijëve që është edhe trafikimi i fëmijëve për qëllim shfrytëzimi, si për shfrytëzim seksual, për vjedhje, përfshirje në aktivitete të paligjshme etj.

Problemi i punësimit të fëmijëve ka qenë në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare. Ajo ka ratifikuar Konventat e ILOs Nr. 138 "Mbi moshën minimale" dhe nr.182 "Mbi format më të këqija të punës së fëmijëve" dhe në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), është hartuar një kuadër ligjor që parandalon punën e fëmijëve ose vendos kufizime në punësimin e tyre. Në Kodin e ri të Punës rikonfirmohet mosha 16 vjeç si moshë punësimi për fëmijët dhe parashikohet një mbrojtje të veçantë për fëmijët që punojnë. Edhe ndryshimet e fund it të Kodit të Punës rikonfirmuan mbrojtjen e veçantë për fëmijët e punësuar, si dhe harmonizimin e legjislacionit tonë me Konventat e ratifikuara. Megjithatë sipas treguesve te shumëfishtë të një studimi te realizuar nga INSTAT dhe UNICEF në vitin 2000 numri i fëmijët që punojnë ka shënuar rritje. Vlerësohet se rreth 30 % e fëmijëve të grupmoshës 16-18 vjeç janë të zënë në punë, veçanërisht ky numër është më i madh në fshat, ku fëmijët e kësaj moshe nuk vazhdojnë shkollën, por punojnë në bujqësi.

Çfarë është bërë deri tani?

- Që në vitin 1999 MPÇS ka bashkëpunuar me Programi Ndërkombëtar për Eliminimin e Punës së Fëmijëve ILO/IPEC për forcimin e kapaciteteve institucionale publike për të adresuar punën e fëmijëve.

- U krijua Komiteti Drejtues Kombëtarë për punën e fëmijëve për hartimin e politikave kombëtare mbi punën e fëmijëve dhe ndërmarrjen e veprimeve që do të kontribuonin në mënjanimin progresiv të punës së fëmijëve.

- Është ngritur Njësia e Punës së Fëmijëve në MPÇS, për organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve lidhur me këtë çështje.

- Po implementohen programet kombëtare për parandalimin e fenomenit të punës së fëmijëve dhe rehabilitimin e fëmijëve viktima të këtij fenomeni si dhe institucionalizimin e monitorimit të punës së fëmijëve nëpërmjet pilotimit në disa rajone të vendit.

- Me mbështetjen e IPEC dhe UNICEF-i, në vitin 2004 Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale realizoi një studim për rishikimin e legjislacionit kombëtar për punën e fëmijëve dhe harmonizimin e tij me standardet ndërkombëtare, për të nxitur modifikimet e mundshme të legjislacionit tonë.

- Për herë të parë është hartuar një Raport Kombëtar dhe Plan-Strategjik për politikat kombëtare të lidhura me punën e fëmijëve, ku konkretizohen arritjen dhe parashikohen masat për të ardhmen.

- Rritja e kapacitetit të Inspektoratit të punës dhe partnerëve socialë në nivel lokal për monitorimin e formave më të këqija të saj punës së fëmijëve sipas standardeve të ILOs ka qenë një nga prioritetet e MPÇS.

Problemet që evidentohen:

- Impakti i programeve dhe politikat për mënjanimin e punësimit të fëmijëve është ende i pamjaftueshëm.

- Puna e fëmijëve mbetet veprimtari që mbahet e fshehtë nga subjektet private, kryesisht nga ato të palicencuarat.

- Bashkëpunimi me shkollën, familjen e komunitetin për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për parandalimin dhe eliminimin e punës së fëmijëve është ende i pamjaftueshëm.

- Bashkëpunimi ndërmjet Inspektoratit të Punës - Organizatave të Punëdhënësve dhe Punëmarrëse duhet të rritet dhe konkretizohet.

- Ka tregues të pamjaftueshëm për evidentimin e punësimit të fëmijëve, veçanërisht në sektorin informal.

Çfarë pritet ne të ardhmen?

- Përfshirja e eliminimit të punës së fëmijëve në politikat dhe programet e përgjithshme kombëtare;

- Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve dhe partnerëve për reduktimin e punës së fëmijëve.

- Zbatimi i ligjit për arsimimin e detyrueshëm, kthimi në shkollë i fëmijëve që nuk e kanë përfunduar dhe ofrimi i alternativave të formimit profesional për të rinjtë në moshë punë.

- Krijimi i alternativave të formimit profesional, punësimit apo ndihmës për familjarët e këtyre fëmijëve.

- Institucionalizimi i sistemit të monitorimit të punës së fëmijëve për evidentimin, vlerësimin dhe adresimin e problemit kundër praktikave shfrytëzuese të punës dhe trafikimit të fëmijëve.

- Forcimi i kapaciteteve institucionale si dhe aftësimi i inspektorëve të punës dhe partnerëve socialë.



Roli i strukturave të Ministrisë së Rendit Publik për mbrojtjen e fëmijëve



Ministria e Rendit Publik nëpërmjet strukturave të Policisë së Shtetit do të intensifikojë punën për mbrojtjen e fëmijëve. Për këtë në Drejtorinë Kundër Akteve Terroriste dhe Krimeve të Hapura të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Ministrinë e Rendit Publik është krijuar e funksionon Sektori për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili ka për mision realizimin e mbrojtjes së fëmijëve nga shfrytëzimi, abuzimi, veprimtaritë kriminale në drejtim të tyre dhe krimet që kryejnë fëmijët.

Duke synuar mbrojtjen e fëmijëve në situata të dyshimta për të shmangur trafikimin e tyre, mbrojtjen e fëmijëve të thirrur në gjyqe, mbrojtjen e fëmijëve të vendosur nëpër institucione, mbrojtjen e fëmijëve viktima të riatdhesuar, mbrojtjen e fëmijëve dëshmitarë, ndjekje serioze të birësimit ndërkombëtar të fëmijëve, mbrojtje fëmijëve të huaj të pa shoqëruar dhe fëmijëve viktima të shitjeve, mbrojtën nga shfrytëzimi për prostitucion, mbrojtjen nga pornografia, nga përdorimi dhe shpërndarja e drogës, pijeve alkoolike duhanit etj.

Organizimin e veprimit në shkallë kombëtare dhe koordinimin e veprimit në kuadrin ndërkombëtar policor nëpërmjet INTERPOL Tirana në këtë drejtim.

Në funksion të këtij Sektori në të gjithë qarqet në Drejtoritë e Policisë në Seksionin e Analizës dhe Koordinimit për Krimet e Hapura ka specialistë që mbulon mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa Seksionet e Policisë Kriminale në Komisariatet e Policisë k anë detyrë prioritare parandalimin, zbulimin e dokumentimin e veprimtarisë kriminale kundër fëmijëve dhe nga fëmijët, po kështu edhe strukturat e Policisë së Rendit dhe asaj në komunitet.

Veprimtaria e këtij Sektori (shërbimi) është e mbështetur në aktet ndërkombëtare, ligjet dhe aktet nënligjore për këtë qëllim në vendin tonë.

Kurse në Drejtorinë e Luftës kundër Krimit të Organizuar dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe Personave të Veçantë, nga viti 2001 funksionon Sektori i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme. Në përbërje të këtij Sektori ka nga një specialist, që ndjek problemet e trafikimit të fëmijëve e të qenieve njerëzore.

Në të gjitha Drejtoritë e Policisë së Qarqeve në Seksionet e Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme ka specialistë që mbulon luftën kundër trafikimit të fëmijëve e të qenieve njerëzore.

Është përpunuar drafti për strategjinë kombëtare kundër trafikimit të fëmijëve, është përgatitur një marrëveshje me palën greke për problemin e identifikimit të fëmijëve të pashoqëruar dhe kryerjes së procedurave të rikthimit e riintegrimit të tyre në shoqëri.

Në programet mësimore të Akademisë të Policisë "Arben Zylyftari" të Ministrisë Rendit Publik dhe në Institutin një vjeçar të Policisë së Shtetit është përfshirë për studim, Konventa e të Drejtave të Fëmijës. Është planizuar që ky dokument të punohet dhe njihet nga gjithë efektivat e Policisë së Shtetit së bashku me Strategjinë Kombëtare për Fëmijët dhe paketën ligjore përkatëse me qëllim njohjen e të drejtave të fëmijëve dhe trajtimin specifik të fëmijëve, konformë standardeve ndërkombëtare e kombëtare të tyre, kur ata bëhen objekt i punës së policisë.



Fëmijët në paraburgim dhe në vendet e vuajtjes së dënimit



Janë përmirësuar e po punohet në vazhdimësi përmirësimi i akteve nënligjore që normojnë punën e policisë në këtë drejtim. Është patur në qendër të vëmendjes përmirësimi i mëtejshëm i ambienteve të pritjes, shoqërimit dhe pyetjes së fëmijëve në vendkalimet kufitare, në komisariatet e policisë, si dhe ato të paraburgimit të tyre deri në marrjen në dorëzim nga Ministria e Drejtësisë. Ligjërisht kalimi i ambienteve të paraburgimit në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë duhej të kishte hyrë në zbatim brenda vitit 2002. Nga viti 2003 dhe deri më sot, në kundërshtim me ligjin, ato vazhdojnë të jenë në vartësi të Ministrisë së Rendit Publik.



Fëmijët në zona të veçanta të prekur nga gjakmarrja dhe hakmarrja



Në zona të veçanta të prekura nga gjakmarrja dhe hakmarrja, Ministria e Rendit Publik nëpërmjet strukturave vendore të policisë në Seksionet e Analizës dhe Koordinimit për Krimet e Hapura dhe Policimit ne Komunitet në drejtoritë e policisë së qarqeve ka emëruar specialistë për luftën ndaj krimit të gjakmarrjes dhe hakmarrjes me prioritet daljen nga ngujimi të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre në bashkëpunim dhe me aktorë të tjerë të shtetit dhe shoqërisë civile.

Mbrojtja nga të gjithë format e shfrytëzimit



Fëmijët e trafikuar



Trafikimi i fëmijëve është një fenomen shqetësues, që sjell pasoja të rënda fizike, emocionale dhe psikologjike me rrezik për të ardhmen e fëmijëve.

- Fëmijët e rekrutuar për trafikim kryesisht janë nga familje me probleme ekonomike e sociale:

- Të karakterizuara nga dhuna në familje, abuzimi, shfrytëzimi dhe /ose neglizhenca, ku prindërit nuk kane dashamirësinë apo aftësinë për të ofruar mbrojtje të përshtatshme apo përkujdesje dhe ku fëmija kërkon një alternative me të mirë jetese.

- Familje që përballen me varfërinë, përjashtimin social dhe që përfshijnë fëmijët në punë për të siguruar të ardhura për mbajtjen e familjes, në dëm të shkollimit dhe aktiviteteve të moshës.

- Familje ku kujdesi për fëmijët është i pakët, ku përfshihen familjet me një prind, familjet ku njëri nga prindërit ose të dy punojnë jashtë vendit, familjet e mëdha, familjet ku prindërit janë abuzues të alkoolit, drogës apo janë me probleme të shëndetit mendor apo me aftësi të kufizuara mendore, me prindër shumë të rinj që nuk mund të kenë aftësitë dhe mundësitë për të ofruar përkujdesin e përshtatshëm për fëmijët e tyre.

- Fëmijë që jetojnë në kushte të papërshtatshme jashtë përkujdesit familjar (jetimë, apo jetimë sociale).

- Familje nga të cilat janë trafikuar edhe fëmijë të tjerë më parë.

- Fëmijët që kanë braktisur shkollën dhe janë shndërruar në lypsa

- Fëmijë të paregjistruar që në lindje.



Çfarë është bërë deri tani për këtë kategori



- Për të luftuar kundër trafikimit të fëmijëve është bashkëpunuar me OJF-të në disa drejtime

- Janë organizuar fushata sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi në shkolla, komunitet, në media për të parandaluar fenomenit

- Në bashkëpunim me rrjete OJF-sh që punojnë në këtë fushë janë zbatuar programe për identifikimin e fëmijëve të rrugës dhe në rrezik trafikimi, është ofruar mbështetje materiale për familjet e varfra dhe me probleme shoqërore që fëmijëve t'u krijohet mundësi të vazhdojnë shkollën dhe të parandalohet braktisja e saj.

- Programe për tërheqjen e fëmijëve që nuk vazhdojnë shkollën në kurse të formimit profesional.

- Programe për rikthimin e asistuar të fëmijëve duke mbajtur parasysh interesin më të lartë të fëmijës.

- Mbështetje për integrimin e tyre në familje apo në qendra pritëse dhe integruese publike dhe jopublike.

Në vitin 2003, u ngrit një qendër publike e pritjes dhe strehimit të vajzave, grave dhe fëmijëve të trafikuar. Ne këto qendra është parashikuar që të trajtohen edhe fëmijët që riatdhesohen, deri në bashkimin me familjen ose sigurimin e alternativave të përkujdesit në përputhje me interesin më të lartë të tyre. Në këtë qendër janë strehuar edhe fëmijë nga vendet fqinjë. Mjaft fëmijë janë rikthyer pranë familjeve, por në disa raste ata janë ricikluar përsëri në trafikim.

Veç fëmijëve të trafikuar ose në rrezik trafikimi, është edhe një grupim fëmijësh, kryesisht moshat nga 14-18 vjeç që dërgohen nga familjet për të punuar në vendet fqinje, të cilët përbëjnë kryesisht grupin e fëmijëve të pashoqëruar në emigracion. Kjo kategori herë-herë identifikohet me fëmijët e trafikuar, gjë që nuk i përgjigjet realitetit.

Për të dy këtë kategori, nuk ka të dhëna zyrtare. Nga OJF- të ndryshme jepen shifra, por të pakonfirmuara. Natyra klandestine e fenomenit, mungesa e shkëmbimit të informacionit zyrtar me vendet e destinacionit sjell vështirësi në konfirmimin e këtyre shifrave, por gjithsesi fenomeni i trafikimit është shqetësues.



Problemet që evidentohen:

- Sisteme të pamjaftueshme shërbimesh për mbrojtjen e fëmijëve, përgjegjës për identifikimin dhe ofrimin e ndihmës së duhur psiko-sociale dhe socio-ekonomike për fëmijët në rrezik dhe familjet e tyre,

- Varfëria, përjashtimi social dhe mundësitë e kufizuara të familjeve për të siguruar ardhura, duke kërkuar që ato të sigurohen edhe me punën e fëmijëve,

- Mundësitë e kufizuara për punësim brenda vendit dhe rrugët e pakta për emigrim legal, shtyjnë fëmijët dhe familjet e tyre për të ndërmarrë rrugëzgjidhje të rrezikshme,

- Pamundësi të fëmijëve dhe familjeve në rrezik për të vlerësuar situatat e mundshme për shfrytëzim,

- Mungesa e marrëveshjeve të bashkëpunimit me vendet pritëse të fëmijëve, viktima të trafikimit.

Çfarë pritet në të ardhmen?

- Implementimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Luftën Kundër Trafikimit të fëmijëve, i cili do të paraqesë një politikë që adresohet drejt parandalimit, mbrojtjes, kthimit vullnetar të asistuar, riatdhesimit dhe riintegrimit të fëmijëve të trafikuar.

- Krijimi i mekanizmave multisektoriale të identifikimit të viktimave të trafikimit dhe veçanërisht të fëmijëve të trafikuar.

- Bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet institucioneve dhe partnerëve që punojnë në fushën e trafikimit të fëmijëve.

- Rikthimin në shkollë të fëmijëve të trafikuar dhe në rrezik trafikimi, që nuk kanë përfunduar arsimin e detyrueshëm dhe ofrimin e alternativave për formim profesional për të rinjtë në moshë pune.



Mbrojtja e fëmijëve nga vetëvrasja



Fenomeni i vetëvrasjeve në moshën e fëmijëve është një dukuri shumë e rëndë e shoqërisë. Evidentohen faktorë dhe shkaqe të ndryshme që shtrihen nga niveli dhe diferencimet ekonomike, niveli i notave në shkollë, ndikimet e predikimeve të sekteve fetare, konfliktet në familje, etj.

Cilat janë problemet:

- Shoqëria shqiptare është e papërgatitur për një shtrirje të tillë të fenomenit, i cili po vjen në rritje,

- Ka paqartësi dhe mungesë të studimeve serioze të organeve të specializuara mbi këtë dukuri,

- Nuk ka propozime për ndërhyrjet e nevojshme që parandalojnë këtë dukuri ekstreme,

- Media shpesh krijon një situatë të paqartë rreth shkaqeve,

- Nuk ekzistojnë struktura sociale dhe komunitare që mund të ndikojnë realisht dhe me efikasitet,

Çfarë pritet në të ardhmen:

Duke konsideruar vetëvrasjet në moshën e fëmijëve si një nga fenomenet më të rënda, të cilat cenojnë të drejtën themelore për të jetuar,

- do të ndërmerren studime të thelluara për shkaqet dhe faktorët që çojnë në këtë veprim ekstrem.

- do të realizohen edhe ndërhyrjet e nevojshme në të gjithë drejtimet dhe indikatorët: në media, në shkolla, në veprimtarinë e institucioneve të ndryshme edukative, fetare, në komunitete, në familje,

- do të studiohet edhe nevoja e ndryshimeve në legjislacion etj,

- rritja e rolit dhe ndikimit të psikologut në arsimin parauniversitar dhe në familje.



Mbrojtja e fëmijëve nga armët dhe eksplozivët



Me gjithë masat e marra nga strukturat e pushtetit qendror e vendor, si dhe nga OJF-të e ndryshme për çarmatimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit për rrezikun e armëve, Shqipëria, sidomos për fëmijët, mbetet ende vend me rrezikshmëri, në këtë fushë. Ekzistenca e armëve të mbetura që nga Lufta e Dytë Botërore në zona të caktuara të vendit, armëve të mbetura nga Lufta e Kosovës, si dhe një masë ende e konsiderueshme e armëve, të mbetura nga viti 1997, në familje apo edhe në vende të fshehta, përbëjnë një rrezik imediat, në mënyrë të veçantë për fëmijët.

Cilat janë problemet:

- familjet nuk janë gjithmonë të ndërgjegjësuar p ër rrezikun e armëve në shtëpi, apo pranë saj, duke e konsideruar prezencën e armeve si garanci dhe siguri

- fëmijët nuk kanë njohuri për shkallën e rrezikut të sendeve që nuk i njohin dhe se si duhet të veprojnë në këto raste

Çfarë pritet në të ardhmen:

- Nga ana e strukturave të policisë, por edhe ato te Ministrisë se Mbrojtjes dhe te Pushtetit

Vendor do të vazhdojë me intensitet puna për grumbullimin e armëve dhe çarmatosjen e popullatës,

- sensibilizimi i opinionit, bashkëpunimi i forcave të rendit me drejtoritë arsimore dhe shkollat veçanërisht për mbrojtjen e fëmijëve nga armët dhe eksplozivat sidomos në zonat e identifikuara.

- Përfshirja e këtij rreziku në emisione për fëmijët, edhe në televizione lokale



Mbrojtja nga aksidentet rrugore



Kohët e fundit aksidentet në rrugë janë shtuar dhe mes viktimave në shumë raste ka pasur edhe fëmijë. Fëmijët janë viktima në udhëtim, por edhe në rrugë, si kalimtarë.

Cilët janë problemet:

- moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe detyrës për të siguruar karrige speciale për fëmijët në automjetet private

- sinjalistika rrugore

- edukimi i pamjaftueshëm qytetar për ecjen në rrugë dhe autostrada

Çfarë pritet në të ardhmen:

- strukturat përkatëse në policinë e shtetit, do të shtojnë masat e kontrollit për sigurinë në rrugë të fëmijëve

- sensibilizimi i opinionit, drejtuesve të automjeve, prindërve, kujdestarëve dhe mësuesve për mënyrat e mbrojtjes nga këto rreziqe, nëpërmjet takimeve, seminareve dhe fushatave publicitare në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Ministrisë së Transporteve dhe OJF-ve që punojnë me fëmijët.

- Vendosja e sinjalistikës për qarkullimin pranë shkollave, kopshteve dhe institucioneve ku veprojnë fëmijët



Mbrojtja e fëmijëve vajza



Arritja e qëllimeve më të mira për fëmijët, veçanërisht për vajzat, do të jetë më e thjeshtë nëse gratë dhe vajzat gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke përfshirë të drejtën për zhvillim, si dhe nëse gratë dhe vajzat janë të stimuluara të marrin pjesë në mënyrë krejtësisht të barabartë në të gjitha sferat e shoqërisë dhe janë të mbrojtura ndaj çdo lloj forme të dhunës, abuzimit dhe diskriminimit.

Informacione të sjella nga mjeke gjinekologe evidentojnë prirjen për të abortuar në rastet kur nga vizita në ECO rezulton që fetusi është femër. Kjo dukuri është shprehje e diskriminimit gjinor që në fetus. Dhe, duke qenë se në bazë të legjislacionit, e drejta e fëmijës lind që në krijimin e tij, veprime të tilla shprehin shkeljen e të drejtës së fëmijës për të jetuar. Mbrojtja e të drejtës së jetës në këtë rast kërkon një varg masash e veprimesh, të cilat do të parandalonin dukuri të tilla.

Çfarë pritet në të ardhmen:

- edukim të nënave për të pranuar fëmijën, pavarësisht nga gjinia. Në këtë aspekt një rol të rëndësishëm mund të luajë mjeku, media, shkolla, OJF-të,

- edukim të djemve dhe burrave për të konsideruar të shenjtë jetën e fëmijës,

- edukimin juridik të shtetasve, për faktin që e drejta e jetës lind që në krijimin e fetusit,

- Qeveria Shqiptare duhet të luftojë çdo lloj diskriminimi ndaj vajzave që nga fëmijëria e gjatë gjithë jetës së tyre dhe tu japë vëmendje të veçantë nevojave të tyre, në mënyrë që të promovohen dhe të mbrohen të drejtat e tyre duke përfshirë të drejtën e të qenit të lira ndaj praktikave detyruese e të dëmshme si dhe shfrytëzimin seksual,

- Qeveria Shqiptare duhet të promovojë barazinë gjinore dhe mundësi të barabarta për përfitim nga shërbimet sociale më të rëndësishme si edukimi, ushqyerja, kujdesi shëndetësor, duke përfshirë kujdesin riprodhues e atë seksual, vaksinimin dhe mbrojtjen nga sëmundjet që shkaktojnë vdekjen, dhe do të përcaktojë një këndvështrim gjinor në të gjithë politikat dhe programet e zhvillimit,

- Trajtimi i problemeve gjinore si çështje kroskurrikulare, në kurrikulën shkollore.



III. ZHVILLIMI I FËMIJËVE

Sistemi ynë arsimor siguron arsimin formal në kopshte dhe shkolla publike dhe private për fëmijët 3-18 vjeç. Në dekadën e fundit, sistemi arsimor ka pësuar ndryshime të rëndësishme në strukturë dhe përmbajtje për të reflektuar më mirë nevojat e ndërtimit të një ekonomie moderne të tregut. Rezultate të këtij ndryshimi janë mundësi më të mëdha për fëmijët për të ndjekur shkolla të ndryshme, publike dhe private, në përputhje me nevojat e tregut dhe përzgjedhjet personale.

Pas kapërcimit të vështirësive të mëdha që u krijuan në 10 vjeçarin e parë të tranzicionit në arsimin shqiptar, pas viteve 2000 evidentohen tregues të konsoliduar të arsimit. Në vitin 2004, braktisja e shkollës ka qenë 1,2%. Aktualisht në sistemin e arsimit parauniversitar 45% e fëmijëve 3-5 vjeçare ndjekin institucionet parashkollore, në arsimin e detyruar vijojnë shkollën 98% e fëmijëve të grupmoshës 6-14 vjeç, në arsimin e mesëm janë regjistruar rreth 77% e nxënësve që mbarojnë arsimin e detyruar. Rreth 65 % e nxënësve zhvillojnë mësimin në shkolla të rikonstrukuara

Në vitet e fundit, një rëndësi të veçantë ka marrë përfshirja e familjes dhe komunitetit në edukimin e fëmijëve. Si rezultat i saj është përmirësuar bashkëpunimi midis familjes, komunitetit dhe shkollës, bashkëpunim ky që pritet të rritet dhe forcohet në të ardhmen.

Gjithashtu janë bërë ndryshime të rëndësishme në kurrikulën e shkollës. Kryesisht në përmirësimin e kurrikulës së lëndëve shoqërore. Në arsimin e mesëm u eksperimentua dhe është shtrirë në të gjithë vendin gjimnazi i orientuar duke plotësuar dhe orientuar më mirë prirjet dhe interesat e nxënësve për të ardhmen.

Ndër problemet që shqetësojnë arsimin shqiptar dhe që janë shtruar për zgjidhje në strategjinë afatgjatë të arsimit janë:

- decentralizimi i sistemit arsimor

- rritja e autonomisë së shkollës

- përmirësimi cilësor i kurrikulit arsimor

- rritja e cilësisë së procesit të mësimdhënies dhe mësim-nxënies

- zhvillimi i profesionit të mësuesit

- përmirësimi i teksteve shkollore

- përmirësimi i infrastrukturës shkollore

Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe në veçanti i fëmijëve përbën parimin themelor mbi të cilin ngrihet strategjia e zhvillimit të arsimit parauniversitar për vitet 2004-2015. Reformimi i sistemit parauniversitar synon riorganizimin dhe modernizimin e sistemit të shkollimit në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e hapësirave demokratike të respektimit të të drejtave të fëmijëve dhe hapjen e rrugës për integrimin e arsimit tonë në Evropë.

Në këtë kuadër orientohet politika dhe strategjia për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në arsim. Drejtimet kryesore ku do të përqendrohet veprimi i të gjitha institucioneve arsimore, në të ardhmen, për të siguruar një nivel të lartë të edukimit, përvetësimit dhe zbatimit të të drejtave të fëmijëve janë:



Sistem arsimor cilësor



Përmirësimi i sistemit arsimor synon të sigurojë: një formim bashkëkohor të nxënësve nëpërmjet rinovimit të kurrikulës shkollore; përfshirjen e të gjithë nxënësve në arsimin e detyruar; rritjen në 80% të nxënësve në arsimin e mesëm; rritjen e numrit të fëmijëve parashkollor në kopshte.

Çfarë pritet për të ardhmen

- Rritja e nivelit të arsimit të detyruar falas në 9 vjet ( nga 8 vjet që ka qenë më parë) sipas skemës 5 + 4 + 3.

- Përmirësimi dhe konsolidimi i sistemit arsimor publik cilësor dhe falas në nivelet e parashkollorit, arsimit të detyruar dhe të mesëm si dhe shtimi i alternativave private të arsimimit në të gjitha nivelet.

- Hartim i kurrikulës së re të arsimit të detyruar 9-vjeçar dhe të mesëm të orientuar në lëndë të reja dhe /ose integrimin e lëndëve.

- Hartimi i programeve mësimore dhe teksteve të reja për arsimin e detyruar 9-vjeçar dhe të mesëm.

- Modernizimi i procesit të mësimdhënies dhe mësim-nxënies.

- Promovimi i metodologjive bashkëkohorë interaktive që venë në qendër fëmijën dhe e integrojnë në mënyrë aktive në rrugën e njohjes nëpërmjet procesit të kërkimit dhe zbulimit individual dhe në grup.

- Sigurimi dhe pasurimi i bazës materiale didaktike dhe laboratorike, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, për të nxitur dhe rritur shkallën e kërkimit, efektivitetin e përvetësimit të kurrikulës së re arsimore.

- Konsolidimi i shërbimit psikologjik dhe shtrirja e tij në të gjitha kopshtet dhe shkollat e vendit në ndihmë të promovimit dhe zhvillimit mendor e fizik të nxënësve si dhe rritjes së cilësisë së procesit të mësim-nxënies dhe mësimdhënies

- Përmirësimi i kurrikulit të universiteteve të mësuesisë

- Konsolidimi i shërbimit psikologjik dhe shtrirja e tij në të gjitha kopshtet dhe shkollat e vendit

- Përmirësimi i kurrikulit të universiteteve të mësuesisë

- Zhvillimi i profesionit të mësuesit nëpërmjet krijimit të agjencive për zhvillimin e profesionit të mësuesit, rishikimin e kurrikulës së trajnimit të mësuesve në detyrë dhe trajnimin për ngritjen profesionale të mësuesve.

- Sigurimi i një rrjetit funksional dhe cilësorë të institucioneve arsimore në të gjithë vendin, në veçanti për zonat e thella rurale, nëpërmjet përqendrimit të shkollave.

- Shpërndarja e teksteve falas në arsimin e detyruar 9-vjeçar, për të siguruar aksesin e duhur në arsim të gjitha shtresave të popullsisë pavarësisht gjinisë, etnisë, fesë etj.

- Shpërndarja e teksteve falas, në arsimin e mesëm, në disa komuna të varfra të vendit për të rritur aksesin e nxënësve në këtë nivel shkollimi.

- Forcimi i kapaciteteve monitoruese dhe vlerësuese, të brendshme dhe të jashtme të arsimit nëpërmjet rritjes së efiçencës së QKAVP.

Në arsimin parashkollor:

Ministria e Arsimit, e cila zë një peshë kryesore në Zhvillimin Kombëtar të Fëmijërisë së Hershme për moshën 3-6 vjeç, parashikon si objektiv të sajin përfshirjen 100% të fëmijëve të moshës 5- 6 vjeç dhe 50-70% të atyre 3-5 vjeç në institucionet parashkollore deri në vitin 2015. Ajo ka si objektiv edhe shtrirjen e metodologjive bashkëkohore që vënë në qendër të veprimtarisë edukative fëmijën, reformimin e kurikulës universitare të degës së mësuesisë për sistemin parashkollor, krijimin e sistemit të kualifikimit për më suesit dhe përmirësimin e kuadrit ligjor që do të mbështesë decentralizimin e sistemit parashkollor.

Çfarë pritet për të ardhmen

- të tërhiqen në institucionet parashkollore 70% e fëmijëve 3-5 vjeçar në të gjithë vendin.

- 70% e fëmijëve 3-5 vjeçare që shkojnë në kopsht do t'u sigurohet një cilësi e lartë e procesit proces mësimor edukativ bashkëkohor, në zbatim të "Standardeve të përmbajtjes në arsimin parashkollor".

- përmirësimi i kushteve fizike të godinave të kopshteve duke zbatuar standardet bashkëkohore në ndërtimin, rikostruimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

- pasurim i bazës materiale didaktike për sigurimin e një veprimtarie mësimore edukative cilësore

- përfshirja me prioritet i fëmijëve rom në arsimin parashkollor. Sigurimi i frekuentimit të kopshtit nga fëmijët rom 5-vjeçar dhe mësimi i gjuhës shqipe për t'i përgatitur për klasën e parë.

- ndërtimi i kopshteve të reja në zonat e banuara nga popullsia rome.

- krijimi dhe shtrirja graduale e 12 kopshteve te integruara model në gjashtë qytete, qendra qarku, ku ka universitete për fëmijët me aftësi të kufizuar

- të realizohet gradualisht krijimi i 90 kopshte të integruara në të gjitha qytetet dhe rrethet.

- përfshirja me prioritet i fëmijëve rom në arsimin parashkollor. Sigurimi i frekuentimit të kopshtit nga fëmijët rom 5-vjeçar dhe mësimi i gjuhës shqipe për t'i përgatitur për klasën e parë.

- ndërtimi i kopshteve të reja në zonat e banuara nga popullsia rome.

- krijimi dhe shtrirja graduale e 12 kopshteve te integruara model në gjashtë qytete, qendra qarku, ku ka universitete.

Në arsimin 9- vjeçar do të synohet:

- Përmirësimi i kushteve fizike të godinave duke zbatuar standarde bashkëkohore të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së tyre.

- Ulja, në nivele të papërfillshëm të braktisjes së shkollës. Aktualisht ky tregues është 1.2%

- Sigurimi i arsimit optimal për fëmijët me aftësi të kufizuara duke i dhënë prioritet arsimit gjithëpërfshirës Hartimi i kurrikulës së re të shkollës që favorizon proceset gjithëpërfshirëse. Hartimi i një akti normativ që rregullon punën e individualizuar në fëmijë me nevoja të veçanta.

- Përmirësimi dhe modernizimi i procesit mësimor edukativ në shkollat speciale

- Krijimi dhe shtrirja graduale e 12 shkollave te integruara model në gjashtë qytete, qendra qarku, ku ka universitete, për nxënësit me aftësi të kufizuar

- të realizohet gradualisht krijimi i 100 shkollave të integruara në të gjitha qytetet dhe rrethet.

- Përfshirja me prioritet i nxënësve rome në arsimin e detyruar 9-vjeçar, nëpërmjet sigurimit të bursa dhe programe të tjera mbështetëse për fëmijët romë.

- Rritja e nivelit të përgatitjes së mësuesve në tërësi dhe atyre pa arsim përkatës deri në zëvendësimin gradual të këtyre të fundit.

Në arsimin e mesëm do të synohet në:

- Rritjen e nivelit cilësor të përmbajtjes , mësimdhënies dhe përvetësimit nëpërmjet përmirësimit të kurrikulës, zhvillimit të teknologjisë mësimore.

- Përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe zgjerimin e kapaciteteve të tyre më qëllim normalizimin e numrit të nxënësve për klasë.

Pasurimi i bazës materiale didaktike dhe laboratorike për rritjen e cilësisë së konkretizimit të mësimdhënies dhe përvetësimit të njohurive

- Shtrirjen e arsimit të mesëm të profilizuar në të gjithë vendin për t'u përgjigjur më mirë nevojës për një formim të përshtatshëm të nxënësve me prirjet individuale si dhe për t'ju përgjigjur kërkesave të tregut të punës dhe arsimit të lartë.

- Rritjen me një ritëm vjetor 1%, të tërheqjes në arsimin e mesëm të nxënësve që mbarojnë arsimin e detyruar.

- Subvencionimi i teksteve për arsimin e mesëm dhe sigurimi i teksteve falas për nxënësit e 80 komunave në vend, me nivel të ulët ekonomik

Studimi i të drejtave të fëmijës në kurrikulën shkollor synon të sigurojë njohjen dhe përvetësimin e të drejtave civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të fëmijëve të paraqitura në Konventën e Kombeve të Bashkuara, duke i përfshirë këto në të gjitha veprimtaritë e shkollës dhe duke u trajtuar si çështje kroskurrikulare, në procesin mësimor. Në vitet e fundit, në kuadrin e përmirësimit të kurrikulës së lëndës së edukatës qytetare si dhe lëndëve të tjera, janë trajtuar elemente të rëndësishme të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve. Zhvillimi i projekteve të ndryshme me OJF që veprojnë në këtë fushë, kanë ndikuar në rritjen e njohurive teorike dhe praktike të nxënësve dhe mësuesve për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Hartimi i kornizës së re kurrikulare për arsimin parauniversitar ka krijuar hapësira të reja të trajtimit të të drejtave të fëmijëve si në kurrikulën e lëndëve të veçanta ashtu edhe në trajtim kroskurrikular të tyre.

Në kurrikulën shkollore do të jepen koncepte të asimilueshme për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve duke filluar nga institucionet parashkollore deri në ato të arsimit të mesëm:

- në nivelet e arsimit parashkollor dhe fillor do të trajtohen përvoja që lidhen me sjelljet shoqërisht të pranueshme dhe jo të dhunshme si dhe respektimin e tjetrit në kontekstin e klasës.

- në ciklin e lartë të arsimit 9- vjeçar dhe në shkollën e mesme, ne veçanti në lëndë të tilla si histori, gjeografi, edukim qytetar, sociologji, gjuhë dhe letërsi, shkencat ekonomike do të trajtohen konceptet abstrakte të të drejtave të njeriut ku përfshihen njohja dhe të kuptuarit e koncepteve filozofike, politike dhe juridike.

- njohja dhe studimi i të drejtave të njeriut në shkollë do të synojë në përvetësimin e koncepteve bazë të drejtësisë, barazisë, lirisë, paqes, dinjitetit njerëzor dhe demokracisë. Ky proces do të jetë njëkohësisht intelektual dhe zbatues.

- degët e mësuesisë së Universiteteve do të përfshinë në kurrikulën e tyre studimin: e deklaratave dhe konventave kryesore që trajtojnë të drejtat e njeriut si dhe njohjen e funksionimit të organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut.

- kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve në shërbim që do të mundësojë njohjen dhe përvetësimin e praktikave bashkëkohore pedagogjike ne fushën e njohjes së të drejtave të njeriut dhe realizimit të tyre nëpërmjet metodave dhe materialeve të përshtatshme.



Sigurimi i informacionit të detajuar për arsimin.



Informim efektiv nëpërmjet konsolidimit të sistemit të menaxhimit të informacionit në sektorin e arsimit (EMIS):

Synon sigurimin e një sistemi të detajuar të informacionit (sipas moshës dhe seksit), të besueshëm dhe krahasues që do të mundësojë identifikimin e nivelit të arsimimit dhe edukimit të fëmijëve, si dhe problemeve të ndryshme social-ekonomike të fëmijëve.

Mbi këtë bazë të dhënash do të orientohen ndërhyrjet politike në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve për t'u siguruar një shërbim arsimor cilësor pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjendjes shoqërore, shëndetësore etj.

Ngritja dhe forcimi i sistemit EMIS, i mbështetur nga Banka Botërore, ka një rol të dyfishtë: krijimin e database nëpërmjet sistemit kompjuterik; sigurimi i kërkimit konceptual dhe investigimi analitik i të dhënave, për qëllime studimore.

Për këtë do të synohet:

- Grumbullimi i një informacioni që do të përfaqësojë një sistem unik të dhënash përsa i takon nomeklaturës dhe shkallës së përpunimit.

- Vërtetësia dhe plotësimi i informacionit të konfirmuar nëpërmjet bashkëpunimit me INSTAT.

- Informacioni i grumbulluar do të shfrytëzohet në dobi të sistemit arsimor.

- Identifikimi i fëmijëve që braktisin shkollën dhe zhvillimi i programeve që do të kufizojnë këtë dukuri nëpërmjet projektit "Shansi i dytë", që ka filluar të zbatohet këtë vit shkollor.

- Identifikimi i saktë i fëmijëve të ngujuar dhe zbatimi i programeve arsimore në ndihmë të këtij kontigjenti

- Sigurimi i shpërndarjes së informacionit në organizata të ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare, në medien elektronike dhe të shkruar me qëllim që të sensibilizojë opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar për probleme që kërkojnë zgjidhje emergjente si dhe të sigurojë partneritet në veprimet që duhen të ndërmerren në nivele ndërministrore.



Loja, çlodhja e fëmijëve



Në përputhje me nenin 31 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, qeveria duhet të njohë dhe të sigurojë për fëmijët të drejtën të pushojnë dhe të argëtohen, të praktikojnë lojëra dhe veprimtari çlodhëse, në përshtatje me moshën, si dhe të marrin pjesë lirisht në jetën kulturore dhe artistike.

Për të krijuar një botë sa më të përshtatshme për fëmijët me shumë rendësi është edhe organizimi i kohës së lirë të tyre. Kjo kohë duhet të përpunohet në bazë të një koncepti bashkëkohor, ku të gërshetohet loja me çlodhjen e mësimin, duke zbutur shikimin e tepërt të televizionit.

Nga ana tjetër duhet të shtohen mjediset e gjelbra dhe të ndërtohen kënde me lojëra për fëmijë si dhe kënde sportive, sepse mungesa e këtyre ambienteve ka bërë që fëmijët të humbasin ato mundësi për të organizuar kohën e lirë të tyre.

Për ta duhet të krijohen dhe të shtohen sa më shumë në sasi e në shumëllojshmëri, mjedise publike dhe private, qendra kulturore edhe në shkolla.



Veprimtaritë kulturore, artistike dhe sportive të fëmijëve



Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës në fokusin e vet do të kenë respektimin e nxitjen e të drejtave të fëmijës për pjesëmarrje të plotë në jetën kulturore e artistike.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës në veprimtarinë e vet do të mbështesin projekte dhe programe të cilat i afrojnë fëmijët me botën e kulturës, sportit dhe shkencës, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në veprimtari sociale, kulturore, shkencore, artistike e sportive në shkollë dhe në komunitet.

Këto i ndihmojnë fëmijët për tu integruar më mirë në jetën e shoqërisë demokratike evropiane, nëpërmjet bashkëpunimit rajonal e më gjerë. Organizimi dhe pjesëmarrja në festivale evropiane e kombëtare të këngës për fëmijë e të rinj, festivale ballkanike të teatrit të kukullave, olimpiadave të fushave të ndryshme të shkencës, kulturës, artit dhe spor tit, ekspozita të pikturës, organizimi i maratonës së popujve, etj, janë pjesë e këtij aktiviteti.



Bibliotekat, librat për fëmijë, teatri etj.



Kthimi i fëmijëve tek libri përbën një nga ambiciet e veprimtarisë së të gjithë organizmave që merren me fëmijët. Zhvillimi i burimeve mësimore alternative që do të rrisin sasinë dhe cilësinë e informacionit të nxënësve nëpërmjet ngritjes dhe pasurimit të bibliotekave të shkollave, zhvillimin e politikave të teksteve alternativë, kompjuterizimin e shkollave etj.

Riorganizimi dhe pasurimi me libra të rinj në gjuhën shqipe dhe të huaj i bibliotekave në shkolla, duhet të jetë një nga drejtimet që, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Bibliotekën Kombëtare, duhet të shihet me prioritet.



Fëmijët dhe media



Media dhe organizatat e tyre kanë një rol të veçantë në rritjen e ndërgjegjësimit mbi situatën e fëmijëve dhe sfidat për përballimin e tyre.

Ato kanë një rol të rëndësishëm për informimin e fëmijëve, prindërve familjeve, si dhe mbarë publikut mbi nismat që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e fëmijëve.

Ato duhet gjithashtu të kontribuojnë në programet edukative për fëmijë. Në këtë drejtim media duhet të ketë parasysh influencën që ka mbi fëmijët.

Një nga drejtimet e punës në media në fushën e fëmijëve është tërheqja e tyre në hartimin, realizimin dhe ndjekjen e programeve që u adresohen atyre. Partneriteti me fëmijët në media është një nga synimet më të rëndësishme në efikasitetin e saj.

Një ndër eksperiencat pozitive të punës së fëmijëve me medien është edhe prodhimi i programit rinor "Troç" që është një program javor, mbarëkombëtar që prodhohet nga të rinjtë për të rinjtë në Shqipëri.

Një program televiziv me një ndryshim të vetëm: realizohet nga adoleshentë! Programi Troç ka si qëllim të lidhë auditorin e gjerë me nevojat dhe aspiratat e rinisë për të nxitur mendimin e ri edhe rreth të drejtave të fëmijëve. Emisioni transmetohet dy here në javë të shtunën në orën 18.00 dhe të dielën në orën 10:00 në TVSH. "Troç", emisioni për javor televiziv i realizuar nga të rinjtë, tashmë është bërë me emër në Shqipëri.

Ky program, synon t'i japë të rinjve shqiptarë mundësinë për të marrë pjesë në mënyrë aktive në zhvillimin e shoqërisë ku ato jetojnë, synon të ndërtojë besimin e të rinjve në vetvete dhe t'i tregojë publikut shqiptar potencialin që këta të rinj kanë për të kontribuar për të ardhmen e vendit të tyre.

Është një program televiziv, i cili ka shtrirjen më të madhe gjeografike - ky televizion shikohet nga 98% e popullsisë Shqiptarë (TVSH) . Pas shfaqjes së tij të parë në Shkurt 2001, sipas drejtuesve të këtij te stacioni televiziv(TVSH) shumë shpejt Troç u bë një nga tre programet më popullorë të prodhuar në TVSH.

Nga studimet e bëra është vërejtur se deri në fillimet e vitit 2000, në Shqipëri nuk ekzistonte pothuajse asnjë program rinor i grup moshës 13- 18 vjeç i orientuar me kahje sociale. Të gjitha programet ishin vetëm të karakterit argëtues, muzikë, jeta e biografia e këngëtarëve të huaj, asgjë nga kultura dhe tradita shqiptare, asnjë model pozitiv për të rinjtë për t'u ndjekur. Gjithashtu, programet për fëmijë dhe të rinj të transmetuara më parë ishin të gjitha të projektuara nga producentët e rritur, ku shumë pak reflektoheshin problemet që hasin të rinjtë sot.

Ky program është vlerësuar nga një sondazh i bërë në 2002, me të dhëna si më poshtë:

- Reflektimin e problemeve të të rinjve.

- Për aftësitë që tregojnë të rinjtë për t'u organizuar dhe për të zhvilluar idetë e tyre, duke afirmuar vlerat e tyre si dhe kapacitetin që ato kanë.

- Për ndërgjegjësimin e të rriturve për problemet që kanë të rinjtë sot.

- Për krijimin e lidhjeve përmes të rinjve nga qytete të ndryshme të vendit.

- Për mënyrën sesi zhvillohet tek të rinjtë vetëbesimi dhe nxitja e iniciativës personale.

Edhe sot pas pothuajse pesë vitesh transmetim, programi "Troç" po luan një rol udhëheqës për të ardhmen e të rinjve shqiptare, jo vetëm duke i ndihmuar të rinjtë të shohin realitetin me një sy kritik e të raportojnë për jetën e tyre, por duke i ndihmuar këto të marrin pjesë fuqishëm në debatet e ndryshme në nivel kombëtar, ku këta të rinj të mund të projektojnë të ardhmen e vendit të tyre.



Përjashtimi social i fëmijëve. Arsimimi i fëmijëve të grupeve vulnerabile



Njohja e kategorive të fëmijëve, të cilët përjetojnë në masë të ndryshme, fenomenin e përjashtimit social, mbetet një aspekt kryesor për garantimin e të drejtave të fëmijëve. Prurjet demografike të fëmijëve në qendrat e mëdha mbetet një nga fushat që duhet të studiohet dhe të realizohet kategorizimi i tyre, problemet me të cilat ndeshen, diferencimet dhe përjashtimet sociale, arsimore, ekonomike, kulturore me të cilat përballen. Evidentimi i problemeve që vijnë nga prurjet demografike të fëmijëve të periferive dhe zonave të thella në qendrat e mëdha urbane. Studime dhe rekomandime për përballjen e problemeve që lindin në procesin e integrimit të tyre, duke pasur në konsideratë mënjani min e procesit të përjashtimit dhe diferencimit social për këtë shkak. Mbi këtë bazë të përcaktohen edhe ndërhyrjet e nevojshme. Objektivi kryesor për këto kategori mbetet krijimi I kushteve për zhvillim të barabartë me të gjithë fëmijët e tjerë.

Çfarë synohet për të ardhmen:

- Sigurimi i arsimimit të fëmijëve në nevojë dhe me probleme sociale (fëmijë të ngujuar,fëmijë të braktisur, fëmijë të varfër, romë, etj).

- Përfshirja e komunitetit, bordeve të prindërve dhe faktorëve të tjerë në lehtësimin e faktorëve që pengojnë arsimimin e këtyre kategorive të fëmijëve.

- Ulja e analfabetizmit në kontingjente që kanë braktisur shkollën nëpërmjet zbatimit të projektit "Shansi i dytë".

- Evidentimi i problemeve që lindin në procesin e diferencimit ekonomik dhe sjelljen e rekomandimeve konkrete për të mos lejuar diskriminim dhe përjashtim për këtë shkak.

- Hapja e kurseve të profesioneve të përshtatshme dhe të traditës, për nxënësit romë pranë shkollave të mesme profesionale.

- Shërbimi psiko-social në sistemin e çerdheve dhe të arsimit parauniversitar. Shtrirja e Qendrave të Shërbimit Psikologjik, në të gjitha kopshtet dhe shkollat e arsimit parauniversitar, për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj fëmijëve dhe rezultatet në përvetësimin e njohurive.

- Ngritja e Agjencive të Shërbimit Multiprofesional pranë njësive të pushtetit vendor (në shkallë qarku, bashkie) për të suportuar problemet e ndryshme që pengojnë integrimin, zhvillimin dhe barazinë e fëmijëve.



VI. PJESËMARRJA E FËMIJËVE



a) Liria e shprehjes së fëmijëve

Krijimi i një Bote të denjë për Fëmijët është një nga objektivat e shoqërisë së sotme njerëzore. Një botë e përshtatshme, e denjë për fëmijët është ajo, ku fëmijët e nisin jetën në mënyrën më të mirë të mundshme, kanë mundësi të ndjekin arsimin nëntëvjeçar duke përfshirë arsimin fillor, të detyrueshëm dhe të mundshëm për të gjithë, dhe ku të gjithë fëmijët kanë mundësi të shumta për zhvillimin e aftësive të tyre individuale në një ambient të shëndetshëm dhe inkurajues.

Fëmijët duhet të mbështeten nga e gjithë shoqëria që të ushtrojnë të drejtën e tyre për shprehjen e mendimit të lirë, sipas mundësisë dhe pjekurisë së tyre, të krijojnë vetëbesimin, të fitojnë njohuri dhe aftësi p.sh, në zgjidhjen e konflikteve, vendimmarrje dhe komunikim në mënyrë që të bëhen të aftë në përballimin e sfidave të jetës.

E drejta e fëmijëve për tu shprehur lirisht duhet respektuar dhe nxitur, dhe pikëpamjet e tyre për të gjitha çështjet që lidhen me ta, duke i konsideruar gjithmonë këto se janë në përputhje me moshën dhe pjekurinë e fëmijëve.

Energjia dhe krijimtaria e fëmijëve duhet ushqyer në mënyrë që ata të marrin pjesë aktivisht në krijimin e mjedisit dhe shoqërisë së tyre si dhe botës që do të trashëgojnë.

Fëmijët në pozita të disfavorshme si dhe ata të lënë mënjanë e sidomos adoleshentët, kanë nevojë për vëmendje dhe mbështetje të veçantë që të mund të përfitojnë nga shërbimet më kryesore, të krijojnë vetëbesimin dhe të jenë të aftë për të përballuar jetën e tyre.

Për këtë duhen hartuar dhe zbatuar programe për një pjesëmarrje sa më domethënëse të fëmijëve në procesin e vendimmarrjes si në familje dhe në shkollë ashtu edhe në nivel lokal dhe kombëtar. E rëndësishme është që veprimtaria në këtë fushë të ketë në qendër jo vetëm ndërgjegjësimin e fëmijëve për lirinë e tyre të shprehjes, por veçanërisht ndërgjegjësimin dhe krijimin e kushteve që prindërit, edukatorët, administrata shtetërore e të gjithë niveleve, komuniteti, të respektojnë këtë të drejtë.

b) Përfshirja e fëmijëve në vendimmarrje

Pjesëmarrja e fëmijës në jetën e familjes, shkollës, shoqërisë është një ndër parimet e Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Për realizimin e këtij drejtimi duhet një punë e bashkërenduar nga të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare.

Përfshirja e fëmijëve në vendimmarrje synon të sigurojë pjesëmarrjen efektive dhe të përgjegjshme të fëmijëve në vendimmarrje, në përputhje me aftësitë e tyre, në familje dhe në të gjitha nivelet e arsimit në shkollë, në nivel lokal dhe qendror.

Por është tepër e rëndësishme të punohet në këtë drejtim për t'i pasur fëmijët pranë nesh, për të vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre të përditshëm në familje, shkollë e shoqëri jo vetëm si objekt i punës sonë por edhe si subjekt.

Përgjithësisht ka përpjekje në këtë drejtim, por ende mbetet problem ndërgjegjësimi dhe përfshirja e masës së gjithë fëmijëve në vendimmarrje dhe sidomos pjesëmarrja e fëmijëve në familje.

Veprimtaritë e ndryshme (seminare, tryeza të rrumbullakëta, debate televizive, botime) për të ndërgjegjësuar prindërit, mësuesit e mbarë shoqërinë tonë, se pjesëmarrja e fëmijëve është një e drejtë njerëzore që ndikon në demokratizimin e shoqërisë në tërësi, kanë një vlerë të veçantë pasi është tepër e vështirë të ndryshohet mentaliteti i gjithë shoqërisë për pjesëmarrjen e fëmijës.



Forma të pjesëmarrjes së nxënësve në vendimmarrje janë: Qeveria e nxënësve

Qeveria e nxënësve është një strukturë përfaqësimi e nxënësve t ë shkollës, brenda territorit të saj. Qeveria e nxënësve është një strukturë e pavarur nga drejtoria e shkollës dhe vepron vetëm brenda territorit të shkollës. Ajo përfaqëson problemet e nxënësve dhe mbron interesat e tyre në drejtorinë e shkollës dhe në mbledhjet e stafit pedagogjik të shkollës.

Në çdo shkollë Qeveria e Nxënësve funksionon në bazë të një plani aktivitetesh të përcaktuar nga vetë nxënësit. Grupimet e anëtarëve të Qeverisë së Nxënësve janë krijuar sipas prioriteteve dhe çdo grup pune ka planin e punës që kombinohet dhe konsultohet nga presidenti I qeverisë.

Çdo president i qeverisë së nxënësve është pjesë e Parlamentit Rinor Shqiptar. Ai diskuton në Parlamentin Rinor problemet e përbashkëta që kanë shkollat e mesme dhe diskuton për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

Libri i Qeverisë së nxënësve është një botim i bukur i fëmijëve. Ai është një udhëzues i vërtet i detyrave, përgjegjësive dhe të drejtave të çdo pjesëtari të Qeverisë së Nxënësve, mësuesve dhe nxënësve të një shkolle demokratike dhe të rregullt. Çdo njeri që e lexon këtë libër di të zbatojë dhe të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e tij, por edhe të kërkojë të drejtat që i takojnë.

- Parlamenti rinor

Ç'është Parlamenti Rinor Shqiptar dhe ku konsiston roli i tij:

Parlamenti Rinor është struktura e vetme e përfaqësimit të të rinjve në nivel rajonal. Parlamenti Rinor trajton probleme të të rinjve në komunitet por edhe në nivel kombëtar. Ai është i ndarë në katër pjesë përbërëse:

1. Qeveria e nxënësve

Ky është një rrjet i përbërë me pjesëmarrjen e presidentëve të qeverive të nxënësve dhe trajton problemet e ndryshme që kanë shkollat, si dhe diskutohen zgjidhje të përbashkëta.

2. Deputetët

Deputetët e Rinj janë zgjedhur nga shokët e tyre që të shërbejnë në një periudhë prej dy vjetësh.

Deputetët trajtojnë probleme të ndryshme të të rinjve në komunitet, përfaqësojnë të rinjtë në takime të ndryshme, janë pjesë e vendimmarrjes, marrin pjesë në hartimin e strategjive e programeve për të rinjtë, etj.

3. Edukatorët bashkëmoshatar (peer-educator)

Trajnohen vazhdimisht mbi fusha të ndryshme si p.sh: shëndeti riprodhues, droga, alkooli, duhani, probleme ekologjike etj. Këta të rinj bëjnë edukim horizontal për nxënësit e shkollave të mesme por edhe për të rinjtë e komunitetit të cilët nuk ndjekin shkollën. Këta edukues janë pika referimi për çdo të ri që do të ketë më shumë informacion dhe nuk ka mundësi që këtë informacion ta marrë nga të rriturit.

4. Grupi i reagimit qytetar (watch-dog)

Ky grup është gjatë gjithë kohës në vëzhgim, duke ruajtur interesat e rinisë. Në rastin që vlerësohet si e nevojshme, ky grup ushtron presion mediatik mbi autoritetet, nëpërmjet performancave në rrugë, protestave, etj.

Këto institucione, që po rriten gjithmonë e më shumë, po bëhen kanale efektive për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë që ata të jenë në gjendje të dallojnë ndjeshëm në bashkësinë e tyre, ndërkohë që mësojnë parimet e një shoqërie të hapur e demokratike.

Parlamenti Rinor Shqiptar është pjesë e rrjeteve ndërkombëtare rinore që kanë të njëjtën fushë veprimi dhe objektiva me të.

Të rinjtë mes periudhës 14-20 vjeç zgjidhen çdo vit, ata zakonisht vijnë prej kontekstit të shkollave të mesme por gjithashtu edhe nga grupe minoritare dhe të rinj të papunë. Fushata elektorale dhe procesi i zgjedhjeve organizohen nga vetë të rinjtë. I gjithë procesi është disenjuar për të edukuar të rinjtë me praktikat demokratike, dhe të theksojë rëndësinë e pjesëmarrjes legjitime.

Parlamenti rinor ka një ligj elektoral i cili afron me ligjin e zgjedhjeve kombëtare. Në çdo prefekturë trajnohen 150 komisionerë për organizimin e zgjedhjeve, merren me procedurat si dhe me të gjithë procesin zgjedhor. Parlamenti rinor në 12 prefektura të Shqipërisë mban një sesion të zakonshëm çdo javë. Takimet organizohen në përputhje me rregullat dhe procedurat, të cilat nuk bëjnë asgjë tjetër veçse lejojnë që pjesa e parë e takimit t'i dedikohet ngritjes së kapaciteteve rinore dhe ndarjes së eksperiencave, ndërsa në pjesën e dytë rol më konkret dhe transparent ka debati sipas axhendës së përcaktuar paraprakisht.

Parlamentet rinore në shkallë prefekture ndërveprojnë me autoritetet lokale ku i adresohen dhe çështje që i takojnë edhe prefekturës. Çështjet kryesore që i adresohen parlamenteve rinore në disa prefektura kanë specifika në funksion rajoni.

Një herë në vit organizohet edhe aktiviteti i quajtur " Ditët e parlamentit rinor" për të shkëmbyer eksperiencat, dhe dialogun me vendimmarrësit, ashtu si dhe të prezantojnë përfaqësuesit e tyre në shoqërinë civile. Aktivitetet finalizohen në sesionin e organizuar në godinën e parlamentit, ku të rinjtë zyrtarisht në parlamentin kombëtar, në qeveri, sipas rekomandimeve dhe rezolutave thërrasin për veprim.

Përveç disa iniciativave lokale mbi edukimin, përdorimin e pijeve alkoolikëve, dhurimit të gjakut, trafikimit njerëzor, lehtësirave rikrijuese, cilësisë së teksteve të librave, burimeve në lidhje me edukimin, dhe parlamenti ri nor ka shprehur një pjesëmarrje të dukshme në procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë, në kontributin e konsultimeve kombëtare mbi HIV/AIDS, fushatën kundër korrupsionit si dhe aksesin në edukimin e lartë.

Problemet që ekzistojnë:

- mosnjohje e kompetencave dhe të drejtave të qeverisë së nxënësve

- shfaqje të inaktivitetit dhe iniciativës së këtyre strukturave

- mungesa e pavarësisë se këtyre strukturave nga drejtoria e shkollës apo autoritet lokale.

Çfarë pritet në të ardhmen:

a) Plotësimi i akteve normative të funksionimit të shkollës me nene te veçanta, që i njohin të drejtën fëmijëve të jenë pjesëmarrës në vendimmarrjet që lidhen me procesin mësimor, veprimtaritë brenda dhe jashtë shkollës si dhe të përcaktohen instrumentet dhe modalitetet që do të bëjnë efektive këtë pjesëmarrje në:



a) informimin dhe marrjen e vendimeve së bashku me trupin pedagogjik

b) të marrin përgjegjësi kundrejt vetvetes, shkollës, familjes dhe komunitetit

c) të praktikojnë forma të delegimit dhe përfaqësimit

d) të marrin pjesë në bordet drejtuese të shkollës monitorim të zgjedhjes dhe të funksionimit të qeverisë së nxënësve dhe të parlamentit rinor

e)Qytetet miqësore për fëmijët.

Qeveritë lokale dhe autoritetet e tyre, nëpërmjet përforcimit të partneritetit në të gjitha nivelet, mund e duhet të garantojnë që fëmijët të jenë të parët në programet e tyre të zhvillimit. Nëpërmjet iniciativave të vazhdueshme si p.sh. "komunitete miqësore" dhe "qytete pa lagje të varfra", kryetarët e bashkive dhe komunave mund ta përmirësojnë dukshëm jetën e fëmijëve.

Nga ana e pushtetarëve lokalë duhet të mbështeten OJF-të dhe organizatat me bazë në komunitet dhe kur është e nevojshme duhen krijuar mekanizma për të lehtësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile në çështje që lidhen me fëmijët.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë një rol të veçantë në promovimin dhe mbështetjen e praktikave pozitive dhe për krijimin e një mjedisi të dobishëm për mirëqenien e fëmijëve.

Sektori privat dhe biznesi kanë një rol të veçantë. Ky rol ka të bëjë me adoptimin dhe devotshmërinë ndaj praktikave që demonstrojnë përgjegjësinë sociale në sigurimin e burimeve, që përfshijnë burimet e reja të financimit dhe skema për përmirësimin e komunitetit në mënyrë të tillë që të përfitojnë fëmijët.

Problemet që ekzistojnë:

- Nëpër prefektura dhe Bashki nuk ka zyra të posaçme që të trajtojnë problemet e fëmijëve.

- Nuk njihet sa duhet të drejtat e fëmijëve të parashikuara edhe në Konventën e CRC.

- Kur merren vendime që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me fëmijët dhe zhvillimin e tyre nuk merret në konsideratë vetë mendimi i fëmijëve.

- Organizatat e fëmijëve jo gjithmonë kanë një mjedis miqësor dhe të përshtatshëm ku të zhvillojnë mbledhjet ose aktivitetet e tyre pranë Bashkive, me përjashtim të Tiranës.

Çfarë pritet në të ardhmen:

- Duhet bërë një punë e madhe ndërgjegjësuese për ndryshimin e mentalitetit të të gjithë shoqërisë për ta pranuar si një të drejtë të pakundërshtueshme të drejtën e fëmijëve për të marrë pjesë në të gjitha vendimet që merren për të në familje e komunitet.

- Përfaqësuesit e pushtetit lokal duhet të krijojnë një ambient sa më miqësor edhe për Parlamentet rinore dhe të marrin në konsideratë mendimin e tyre në marrjen e vendimeve.

- Personat që punojnë nëpër zyrat e prefekturave dhe Bashkive për problemet e fëmijëve duhet të njohin mirë konventën për të Drejtat e fëmijëve dhe ta monitorojnë zbatimin e saj.

- Organizatat rinore duhet të jenë sa më pranë organizatave të fëmijëve për ti ndihmuar ose dhënë eksperiencë, duke pasur parasysh edhe lidhjen e ngushtë që ekziston mes të rinjve dhe fëmijëve.



MONITORIMI I STRATEGJISË



Strategjia Kombëtare për Fëmijët është një dokument i rëndësishëm, që përfshin politikat e qeverisë shqiptare në fushën e mbrojtjes, zhvillimit dhe garantimit të lirive dhe të drejtave për fëmijët. Parë në këtë kontekst, monitorimi i vazhdueshëm i zbatimit të objektivave dhe Planit të Veprimit dhe koordinimi i të gjithë aktorëve dhe faktorëve që operojnë në këtë fushë, përbën një domosdoshmëri.

Përvoja e deritanishme ka vërtetuar se mungesa e mekanizmave qendrore të specializuar, krijon vështirësi dhe zhvillime jo të unifikuara. Së këtejmi lind nevoja e përcaktimit të mekanizmave institucionalë që do të monitorojnë dhe koordinojnë veprimtarinë për zbatimin e suksesshëm të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët dhe Planit të Veprimit:

Këshilli i Ministrave analizon njëherë në vit punën për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Fëmijët dhe Planit të Veprimit.

Qeveria shqiptare bën të njohur veprimtarinë e saj për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Fëmijët, në Konferencën e Përvitshme Kombëtare për Fëmijët.

Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, është organi këshillimor pranë Këshillit të Ministrave, i cili do të ndjekë në mënyrë permanente zbatimin e Planit të Veprimit. Ky organ do të hartojë matricat vjetore, duke nxitur zbatimin e detyrimeve legjislative, administrative dhe ekzekutive të ministrive dhe të institucioneve përkatëse.

Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Rendit Publik, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, janë përgjegjëse për zbatimin e strategjisë. Këto ministri, por edhe ministri dhe institucione të tjera shtetërore, të cilat ngarkohen me përgjegjësi nga kjo strategji dhe Plani i Veprimit, duhet t'i përfshijnë këto detyrime në planet dhe programet e tyre afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.

Në procesin e zbatimit të Strategjisë një rol të rëndësishëm kanë organet e qeverisjes vendore, të cilat ngrenë zyrat e specializuara për problemet e fëmijëve. Bashkërendimi i veprimtarisë midis pushtetit qendror, vendor dhe OJF-ve, është kyçi i suksesit të strategjisë.

Për të monitoruar të gjithë procesin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët dhe Planit të Veprimit, si dhe për të koordinuar në vijimësi veprimtarinë e të gjithë aktorëve që operojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve, ngrihet Komiteti Shtetëror për Fëmijët (KSHF). Komiteti Shtetëror për Fëmijët do të ketë për detyrë të koordinojë veprimtarinë e njësive që operojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve në nivel qendror dhe vendor. Ai do të bashkëpunojë dhe me OJF-të dhe të gjithë aktorët e tjerë që operojnë në këtë fushë brenda dhe jashtë vendit.

 



Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0
 1.227 505310007





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat


acdurres

spitaliamerikan

dga