marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për nxitjen e punësimit
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 7995
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 20.09.1995
Data e aprovimit te Aktit: 11.10.1995
Numri i neneve: 31
Numri i fletores zyrtare: 22
Data e fletores zyrtare: 06.11.1995
Aktiviteti: Politika Punesimit,Komisioni Punes,Problemeve Sociale,Punësim
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Qëllimi i ligjit në lidhje me punësimin, formimin e kualifikimin profesional, shërbimin kombëtar të punësimit dhe fondin e punësimit është ndjekja e politikave aktive të përgjithshme për të mbështetur punësimin e plotë, produktiv dhe të zgjedhur lirisht.
Amendamente
1 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7995, datë 20.09.1995 "Për nxitjen e punësimit", të ndryshuar
Akte te ngjashem
1 Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë.
2 PËR PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT, NËPËRMJET FORMIMIT NË PUNË
3 PËR MASËN DHE KRITERET E PËRFITIMIT NGA PROGRAMI I NXITJES SË PUNËSIMIT TË PUNËKËRKUESVE TË PAPUNË NË VËSHTIRËSI
4 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7995, datë 20.09.1995 "Për nxitjen e punësimit", të ndryshuar
5 Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 7995, datë 20.09.1995 "Për nxitjen e punësimit".
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: L I G J

Nr.7995, datë 20.9.1995

PER NXITJEN E PUNESIMIT

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991
"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit të
Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

1. Qëllimi i ligjit në lidhje me punësimin, formimin e
kualifikimin profesional, shërbimin kombëtar të punësimit dhe
fondin e punësimit është ndjekja e politikave aktive të
përgjithshme për të mbështetur punësimin e plotë, produktiv dhe të
zgjedhur lirisht.
2. Shteti krijon dhe zhvillon zyrat e punësimit, që veprojnë
nën kontrollin e një autoriteti qendror, për të përmbushur të
drejtën e gjithë shtetasve rezidentë në Shqipëri, për punësim
fitimprurës, për të marrë këshillimin dhe kualifikim profesional
për çdo punësim të tillë dhe për të marrë mbështetje në të ardhura.

Neni 2

Përcaktime

1. Në qoftë se në këtë ligj nuk parashikohet ndryshe,
përcaktimet e bëra në Kodin e Punës do të përdoren edhe në këtë
ligj.
2. Me termin "Ministër" kuptohet ministri i Punës,
Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe të Ish-të Përndjekurve
Politikë.
3. Me termin "Ministri" kuptohet Ministria e Punës,
Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe të Ish-të Përndjekurve
Politikë.
4. Me termin "Person" kuptohet një person fizik, siç
përcaktohet në Kodin Civil.
5. Me termin "Ndërmarrje" kuptohet një person juridik, siç
përcaktohet në Kodin Civil.
6. Me termin "Punëdhënës" përfshihen ndërmarrjet dhe personat
që u sigurojnë personave të tjerë një punësim të paguar me një
kontratë punësimi.
7. Me termin "Punë e përshtatshme" kuptohet punësimi i paguar i një
personi, në përputhje me kushtet shëndetësore, moshën, kualifikimin
dhe aftësitë e tij/saj.
8. Me termin "Person i vetëpunësuar" kuptohet personi që kryen
një veprimtari të autorizuar, në mënyrën e parashikuar nga ligjet
e Republikës së Shqipërisë, për llogari të tij/saj, në shkëmbim të
një pagese ose forme tjetër shpërblimi.
9. Me termin "Person i papunë" kuptohet personi që është
shtetas i Republikës së Shqipërisë, ka mbaruar shkollën e
detyrueshme dhe kërkon punë.
10. Me termin "Kërkues pune" kuptohet një person i papunë që
është regjistruar në një zyrë pune dhe është në pritje që të
punojë, si dhe çdo person i cili është në marrëdhënie pune dhe vjen
në zyrën e punës për të kërkuar punë të re.
11. Me termin "Ndërmjetësim për punësim" kuptohen veprimtaritë
që synojnë të përcaktojnë një punë të përshtatshme për atë shtetas
që kërkon punë dhe që sigurojnë informacionin e formimin e
domosdoshëm.
12. Me termin "Politikat e tregut aktiv të punës" përfshihen
format e ndërhyrjes qeveritare në tregun e punës të caktuara për të
rritur eficiencën e tij dhe për të zvogëluar papunësinë.
13. Me termin "Formim profesional" përfshihen formimi dhe
riaftësimi për punë i personave të papunësuar, të cilët organizohen
ose kontrollohen nga shërbimet e punësimit.
14. Me termin "Riaftësim profesional" kuptohet ajo pjesë e
procesit të riaftësimit, ku përfshihet përgatitja profesionale dhe
caktimi i seleksionuar, të caktuara për të mundësuar një person me
aftësi të kufizuara që të sigurojë dhe të mbajë një punë të
përshtatshme.
15. Me termin "Person me aftësi të kufizuar" kuptohet
invalidi, mundësitë e të cilit për të siguruar e mbajtur një punë
të përshtatshme janë shumë të vogla, si pasojë e dëmtimit fizik
dhe/ose mendor.
16. Me termin "Kursant" (ai që kualifikohet) kuptohet personi
që merr pjesë në një program të kualifikimit profesional, të
autorizuar nga ministria.
17. Me termin "Politika shtetërore të punësimit" kuptohen
programet dhe projektet qeveritare, të cilat synojnë nxitjen e
punësimit të personave.
18. Termi "Zyra kompetente e punësmit" kupton:
a) një person që kërkon punë, zyrën e Shërbimit Kombëtar të
Punësimit, kompetente për zonën e vendbanimit të përhershëm të
kandidatit për punë;
b) një punëdhënës, zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit,
kompetente për zonën ku ndodhet qendra e punëdhënësit.
19. Me termin "Zyra e punësimit" kuptohet zyra rajonale ose
ajo lokale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Neni 3

1. Çdo person që kërkon punë ose punë të re, mund të drejtohet
për punë dhe për përgatitje për punë në zyrën kompetente të
punësimit ose, me lejen e saj, edhe në ndonjë zyrë tjetër punësimi.
Me anën e zyrës kompetente të punësimit, ai mund të regjistrohet
për të marrë ndihmën që i takon.
2. Personat e huaj dhe pa shtetësi gëzojnë të njëjtat të
drejta si shtetasit shqiptarë sipas marrëveshjeve ndërkombëtare
dypalëshe dhe shumëpalëshe, që u japin mundësi autoriteteve
kompetente t'u japin të drejtën e banimit dhe të lëshojnë për ta
lejen për punë.
3. Ministria përcakton kushtet, në të cilat i njëjti trajtim
u sigurohet të huajve që vijnë nga ato vende që nuk kanë bërë një
marrëveshje të tillë me Republikën e Shqipërisë.
4. Personat e huaj dhe pa shtetësi që martohen me shtetas
shqiptarë, gëzojnë të njëjtat të drejta si shtetasit shqiptarë, me
kusht që ata të jenë rezidentë në Republikën e Shqipërisë.

KREU II

POLITIKAT SHTETERORE TE PUNESIMIT

Neni 4

1. Politikat shtetërore të punësimit përfshijnë si masat
aktive për nxitjen e punësimit, ashtu edhe sigurimin e mbështetjes
me të ardhura.
2. Duke vlerësuar siç duhet zhvillimin ekonomik, punësimin dhe
objektivat e tjerë të politikave shtetërore, politikat aktive
shtetërore të punësimit synojnë të mbështetin punësimin e plotë,
produktiv dhe të zgjedhur lirisht, nëpërmjet sigurimit që:
a) të ketë punë për të gjithë ata që kërkojnë punë;
b) një punë e tillë të jetë sa më produktive që të jetë e
mundur;
c) të ketë liri në zgjedhjen e punës dhe mundësitë më të plota
të mundshme për çdo person të punësuar që të kualifikohet dhe të
përdorë aftësitë e dhuntitë e tij në një punë ku ai është
përshtatur siç duhet.
3. Në sasinë e të ardhurave përfshihen sigurimi i të ardhurave
për papunësinë, si dhe mbështetja me të ardhura e kursantëve dhe e
të papunësuarve prej një kohe të gjatë.
4. Për arritjen e këtyre synimeve, politikat shtetërore të
punësimit duhet të zbatohen nëpërmjet zhvillimit:
a) të programeve dhe projekteve aktive të tregut të punës;
b) të formimit profesional;
c) të riaftësimit profesional dhe formave të tjera të
mbështetjes për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, dhe
e) të një sistemi të mbështetjes me të ardhura për të papunët.
5. Politikat shtetërore të punësimit vendosen nga Këshilli i
Ministrave dhe zbatohen nga ministria. Kjo e fundit është
përgjegjëse për përhapjen e politikave shtetërore të punësimit dhe
për mbikëqyrjen e zbatimit të akteve ligjore e nënligjore në këtë
fushë. Ministria kren zbatimin e politikave shtetërore të punësimit
nëpërmjet bordit të punësimit.

Neni 5

Detyrat e ministrisë

1. Në fushën e politikës shtetërore të punësimit ministria:
a) do të vëzhgojë sistematikisht tregun e punës, do të
parashikojë zhvillimet e punësimit dhe do të propozojë programe e
projekte për rritjen e shkallës së punësimit;
b) do të hartojë politika për zhvillimin e programeve që
mbështesin kontributin për punësim, veçanërisht, në lidhje me
ndryshimet e nevojshme strukturore;
c) do të hartojë politika që mbështesin projekte që synojnë
krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e shkallës së
vetëpunësimit dhe biznesit të vogël;
ç) do të hartojë dhe mbështesë programe për formim e riaftësim
profesional;
d) do të zhvillojë politika për ruajtjen e vendeve ekzistuese
të punës;
dh) do të kontrollojë dhe do të ndërhyjë në punësimin e të
huajve në Republikën e Shqipërisë dhe mbështetë punësimin e
shtetasve shqiptarë jashtë shtetit;
e) do të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare për punësimin.
2. Ministria bashkëpunon me Ministrinë e Arsimit për përhapjen
e formimit profesional dhe programet e kualifikimit.
3. Për detyrimet e ministrisë dhe ministrive të tjera në
lidhje me zbatimin e politikave shtetërore të punësimit vendos
Këshilli i Ministrave

KREU III

PROGRAMET DHE PROJEKTET AKTIVE TE TREGUT TE PUNES

Neni 6

1. Politikat aktive të tregut të punës përfshijnë:
a) ndërmjetësimin për punësim;
b) programet e krijimit të vendeve të punës;
c) këshillimin profesional dhe
ç) programet e formimit dhe të riaftësimit.

Neni 7

Ndërmjetësimi

1. Ndërmjetësimi për punësim përfshin programe pune që
harmonizohen:
a) brenda një komune, bashkie;
b) brenda një rajoni (prefekture);
c) brenda një shteti dhe
ç) jashtë shtetit, sipas marrëveshjes me shtete të tjera.
2. Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet ndërmjetësimit për
punësim të grupeve delikate, ku përfshihen:
a) të miturit në përfundim të shkollës së detyrueshme;
b) ata që lënë shkollën dhe kërkojnë punë për herë të parë;
c) nëna me fëmijë nën moshën 15 vjeç;
ç) ata që kërkojnë punë me moshë mbi 50 vjeç;
d) ata që kërkojnë punë dhe janë regjistruar për këtë qëllim prej
më shumë se një viti;
dh) personat me aftësi të kufizuara.

3. Ndërmjetësimi sigurohet nga ana e Shërbimit Kombëtar të
Punësimit ose përgjegjës të tjerë të autorizuar publikë, që
caktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 8

Krijimi i vendeve të punës

1. Punëdhënësit që krijojnë dhe ruajnë punët e sapokrijuara
për një afat jo më të shkurtër se një vit, marrin një subvencion 1
vjeçar i rimbursueshëm në fund të vitit të punës, i cili vendoset
nga Këshilli i Ministrave, që shkon deri në 70 për qind të ndihmës
për papunësinë, me kusht që puna të zgjatë një vit.
2. Programet për krijimin e vendeve të punës përfshijnë:
a) programe afatgjata për krijimin vendeve të mirëqena e të
përhershme të punës;
b) programe afatmesme për të siguruar punë për ata që mbarojnë
shkollën;
c) programe afatshkurtra për punë publike (botore);
ç) programe të nxitjes së biznesit të vogël dhe të mesëm.
3. Një punëdhënës që hap një vend të ri pune për një të
diplomuar që kërkon punë për herë të parë, do të marrë një
subvencion 1 vjeçar të rimbursueshëm për të paguar pagën, i cili
është i barabartë me 50 për qind të pagës së paguar dhe që shkon
deri në 70 për qind të ndihmës për papunësinë, me kusht që puna të
zgjatë një vit.


Neni 9

Punët publike

1. Organet e pushtetit lokal që projektojnë dhe organizojnë
programet e punëve publike, marrin një subvencion për pagat që u
paguhen personave që kërkojnë punë, të cilët ata i punësojnë në
punët publike, që shkon deri në 70 për qind të pagesës për
papunësinë, subvencion i pagueshëm gjatë kohës që kryhen punët
publike që zgjatin deri në 6 muaj.
2. Këshilli i Ministrave përcakton kushtet, sipas të cilave
Fondi Kombëtar i Punësimit siguron kredi për punë publike të
organizuara nga bashkitë dhe komunat, si dhe përqindjet e interesit
dhe garancitë e kthimit të këtyre kredive.

Neni 10

Këshillimi profesional

1. Me këshillimin dhe formimin profesional synohet t'i
sigurohen të papunit njohuri dhe aftësi profesionale për punë.
2. Këshillimi profesional për ata që kërkojnë punë ose punë të
re përfshin sigurimin e një këshillimi profesional për shtetasit,
me qëllim që t'i aftësojë ata në zgjedhjen e profesionit dhe/ ose
punës më të përshtatshme për interesat, arsimin, mundësitë fizike
e mendore të tyre, duke përfshirë këshillat për formimin dhe
riaftësimin e mëtejshëm.
3. Këshillimi profesional për personat që kërkojnë punë,
sigurohet nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.
4. Shërbimi Kombëtar i Punësimit siguron gjithashtu
këshillimin profesional për personat që kërkojnë punë, sipas
nevojave të tyre të veçanta.
5. Ministria nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e këtij
neni.

Neni 11

Programet e formimit dhe riaftësimit profesional

1. Formimi profesional përfshin:

a) kurse për kërkim pune (klube profesioni) për persona që
sapo janë kthyer në të papunë;
b) formim profesional për të papunë prej një kohe të gjatë;
c) formim profesional të veçantë për profesione të veçanta dhe
ç) riaftësim të personave të përgatitur më parë për punë të
veçanta.
2. Kurset për kërkim pune (klubet e profesionit) për
personat që sapo janë bërë të papunë, zgjatin një javë dhe ato
sigurojnë informacion për të përmirësuar kërkimin dhe sigurimin e
punësimit ose vetëpunësimit.

3. Me formimin profesional për të papunët prej mëse një viti
synohet t'u ofrohet atyre ruajtje dhe/ose zhvillim i njohurive dhe
aftësive për të përmirësuar shanset e tyre në tregun e punës.
4. Me kurset e formimit të veçantë për profesione të
zgjedhura, si pjesë e programeve të krijimit të punëve të reja,
synohet të përgatiten persona të zgjedhur të papunësuar, për t'i
pajisur ata me njohuritë dhe aftësinë e nevojshme për kërkesat nga
ana e instituiconeve dhe sipërmarrësve.
5. Formimi dhe riaftësimi i veçantë sigurohen gjithashtu për
personat me aftësi të kufizuar, në përputhje me paaftësitë e tyre.
6. Me kurset e riaftësimit për persona të formuar e arsimuar
synohet formimi dhe riaftësimi i personave të veçantë të
papunësuar, për t'i pajisur ata me njohuritë e nevojshme për punët
ekzistuese sipas kërkesave nga punëdhënësit, si pjesë e programeve
të ristrukturimit.
7. Formimi profesional sigurohet nga:
a) Shërbimi Kombëtar i Punësimit;
b) punëdhënësit;
c) zyrat private të punësimit, nëse janë autorizuar nga ministria;
ç) organizatat joqeveritare në marrëveshje ose me autorizim nga
ministria.
8. Këshilli i Ministrave përcakton kushtet, sipas të cilave
Fondi Kombëtar i Punësimit do të sigurojë kredi për punëdhënësit,
që të organizojnë përgatitjen, si dhe përqindjet e interesit dhe
garancitë e kthimit të këtyre kredive.
9. Formimi dhe riaftësimi sigurohet nga Shërbimi Kombëtar i
Punësimit ose përgjegjës të tjerë të autorizuar që caktohen nga
Këshilli i Ministrave.
10. Ministria kontrollon procedurat që do të ndiqen nga
Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e këtij neni.

Neni 12

Fondi për formim

1. Personat e papunësuar, të cilët janë regjistruar për punë
pranë zyrës kompetente të punësimit dhe kanë pranuar të marrin
pjesë në formimin profesional të siguruar nga Shërbimi Kombëtar i
Punësimit, marrin një fond përgatitjeje që përcaktohet nga
ministria, me kusht që ata të mos kenë të drejtë për ndihmën
ekonomike ose pagesën e papunësisë.
2. Pagesa për formimin profesional përcaktohet me vendim të
Këshillit të Ministrave.
3. Fondi i formimit paguhet nga zyra kompetente e punësimit,
mbi bazën e dërgimit të një deklarate nga qendra e formimit
profesional që pjesëmarrja në programin e formimit profesional
është e rregullt dhe e kënaqshme.

Neni 13

Ministria

1. Për këshillimin dhe formimin profesional ministria:
a) do të ndërmarrë studime strategjike dhe projekte që synojnë të
zhvillojnë sistemin e këshillimit dhe formimit profesional;
b) do të krijojë, autorizojë, zhvillojë dhe mbikëqyrë qendrat
private e publike të formimit, qendrat e biznesit të vogël dhe
klubet e punës;
c) do të vendosë kritere për administrimin dhe gjetjen e kuadrit
për këshillimin profesional dhe qendrat e formimit;
ç) do të sigurojë rregullat për financimin e këshillimit dhe të
formimit profesional;
d) kontrollon plotësimin e formimit profesional dhe të qendrave të
formimit, veçanërisht në lidhje me cilësinë dhe efektivitetin e
kostos të kësaj veprimtarie.

2. Ministria financon studimet dhe projektet në lidhje me
formimin profesional, të cilat zbatohen nga Shërbimi Kombëtar i
Punësimit dhe autorizohen nga ministria.

KREU IV

PUNESIMI I PERSONAVE ME AFTESI TE KUFIZUAR

Neni 14

Riaftësimi profesional

1. Shërbimet e riaftësimit profesional janë të mundshme për të
gjithë personat me aftësi të kufizuar, me kusht që ata të mund të
përgatiten për to dhe të kenë perspektivë të arsyeshme për
sigurimin dhe mbajtjen e punëve të përshtatshme.
2. Parimet, mënyrat e veprimit dhe metodat e përgatitjes
profesional të zbatuara përgjithësisht në kualifikimin e personave
jo me aftësi të kufizuara, zbatohen në rastin e personave me aftësi
të kufizuar deri në masën që lejojnë kushtet e tyre mjek-sore dhe
arsimore.
3. Shteti merr të gjitha masat e nevojshme, të mundshme e
praktike, për të krijuar e zhvilluar brenda kuadrit të zyrave të
punësimit shërbimet e specializuara të formimit profesional për
personat me aftësi të kufizuara që kërkojnë ndihmë në zgjedhjen dhe
ndërrimin e punës.
4. Ministria kontrollon zbatimin e këtij neni.

Neni 15

Detyrimet e punëdhënësit për të punësuar personat me aftësi të
kufizuar

1. Çdo punëdhënës që punëson më tepër se 24 punonjës, është i
detyruar të punësojë një person me aftësi të kufizuar për çdo 25
punonjës të personelit të tij.
2. Një punëdhënës mund të punësojë një person me handikap të
rëndë në vend të pesë personave me handikap të lehtë. Ministria
përcakton se kush do të quhet person me handikap të rëndë.
3. Inspektorati Shtetëror i Punës kontrollon zbatimin e këtij
neni.

Neni 16

Stimujt për inkurajimin e punësimit të personave me aftësi të
kufizuara

1. Punëdhënësi mund të kërkojë subvencion nga zyra kompetente
e punësimit për të pajisur siç duhet vendin e punës të personit me
aftësi të kufizuar dhe për t'i siguruar atij/asaj një përgatitje
thelbësore për punën. Rregulla të hollësishme caktohen nga
ministria.
2. Paga që një punëdhënës i paguan një personi me aftësi të
kufizuar që ai punëson, përjashtohet nga taksat deri në një masë që
caktohet nga Këshilli i Ministrave.
3. Një punëdhënës që nuk punëson numrin e rekomanduar të
personave me aftësi të kufizuara, siç përcaktohet në nenin 15,
është i detyruar të paguajë në një llogari të veçantë në Fondin
Kombëtar të Punësimit shumën e barabartë me minimumin e pagës, për
çdo muaj dhe çdo person me aftësi të kufizuar që ai duhej ta kishte
punësuar, por që nuk ka vepruar kështu. Këto të ardhura përdoren
për të krijuar vende pune për personat me aftësi të kufizuar.
4. Këshilli i Ministrave cakton rregullat për zbatimin e
paragrafit të mësipërm të këtij neni.

KREU V

SHERBIMI KOMBETAR I PUNESIMIT

Neni 17

1. Shërbimi Kombëtar i Punësimit është një shërbim publik
autonom me statusin e një administrate shtetërore qendrore, që
përgjigjet para ministrit.
2. Shërbimi Kombëtar i Punësimit kryesohet nga drejtori i
përgjithshëm i emëruar nga Këshilli i Ministrave.

Neni 18

Statuti

1. Shërbimi Kombëtar i Punësimit vepron sipas një statusi të
propozuar nga ministri në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe
të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
2. Statuti përcakton:
a) organizimin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit;
b) formimin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit nga një bord
drejtorësh të emëruar nga ministri dhe të kryesuar nga drejtori i
përgjithshëm;
c) rekrutimin dhe kushtet për punësimin e personelit;
ç) financimin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit;
d) të drejtat dhe detyrat e zyrave të punës kundrejt bordit të
punëdënësve.

3. Ministri përcakton kushtet e kualifikimit që duhen
plotësuar nga kandidatët për postin e drejtorit të përgjithshëm dhe
të drejtorit në një konkurrim të përgjithshëm. Organizatat e
punëdhënësve dhe sindikatat mund të paraqesin qysh më parë
propozimet e tyre për konkurrimin e përgjithshëm.
4. Zyrat e punësimit janë pjesë integrale e Shërbimit Kombëtar
të Punësimit, e përfaqësojnë atë dhe kanë kompetencën që u është
besuar atyre nga statuti.
5. Shërbimi Kombëtar i Punësimit është plotësisht përgjegjës
për vendimet e veprimet e zyrave dhe personelit të tij të
punësimit.

Neni 19

Trupat konsultativë
(Punëdhënësi, punëmarrësi, shteti)

1. Zyrat e punësimit kërkojnë këshilla nga trupat konsultativë
për:
a) qëndrueshmërinë e programeve dhe projekteve;
b) vëzhgimin e kushteve për punësim dhe mundësitë për shtimin e
politikave aktive të punësimit.

2. Çdo zyrë punësimi cakton një këshill konsultativ trepalësh
për të inspektuar projektet:
a) e punëdhënësve që synojnë krijimin dhe ruajtjen e punëve sociale
të qëllimta (projekte afatgjata për më tepër se një vit);
b) e punëdhënësve për të krijuar punë kualifikuese për të
sapodiplomuarit e shkollave të mesme e të larta (projekte afatmesëm
nga 6 muaj deri në një vit);
c) e organeve të pushtetit lokal për zhvillimin e komunitetit ku
përfshihen punë të dobishme të përgjithshme (projekte afatshkurtra
për jo më shumë se 6 muaj).


Neni 20

Fondi Kombëtar i Punësimit

1. Shërbimi Kombëtar i Punësimit financohet nga Fondi Kombëtar
i Punësimit, i subvencionuar nga buxheti i shtetit dhe të ardhura
të tjera, siç mund të jenë donacionet dhe kuotizacionet për
shërbimet, të siguruara sipas një kontrate me punëdhënësit,
pushtetin lokal dhe institucione të tjera.
2. Të ardhurat e Fondit Kombëtar të Punësimit do të jenë:
a) subvencione nga buxheti i shtetit, siç është miratuar nga
Kuvendi Popullor;
b) transferime nga fondi i sigurimeve shoqërore;

c) donacione;

ç) të ardhura nga veprimtari të mirëfillta;

d) fitime nga dhënia me qira.

3. Shpenzimet e Fondit Kombëtar të Punësimit përfshijnë:
a) pagesën e përkrahjes me të ardhura për ata që kërkojnë punë dhe
për kursantët;
b) mbështetje dhe kredi për punëdhënësit që krijojnë vende të reja
pune në përputhje me dispozitat e këtij ligji;

c) kredi për këshillat e rretheve për të mbështetur punët publike
(botore);
ç) koston e zbatimit të studimeve dhe projekteve, që kanë lidhje me
formimin dhe aftësimin profesional, ku përfshihen:

(i) investimet për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e
shërbimeve të domosdoshme, të autorizuara nga ministria;

(ii) kostoja e librave dhe e materialeve të tjera të domosdoshme
për përgatitjen, në një raport për capita, që përcaktohet nga
ministria;

d) pagat e personelit;

dh) shpenzimet administrative të formimit në një raport me kostot
e përgjithshme, që përcaktohet nga ministria.

4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton
statutin e Fondit Kombëtar të Punësimit. Statuti do të rregullojë
organizimin dhe administrimin e Fondit Kombëtar të Punësimit nga
ana e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

KREU VI
DETYRIMET E PUNEDHENESVE

Neni 21

Detyrimi për të raportuar

1. Çdo punëdhënës ka detyrimin të raportojë në zyrën
kompetente të punësimit për çdo vend të lirë pune në ndërmarrjen e
tij, brenda 7 ditëve nga data që hapet ky vend i lirë. Në raportin
e tij punëdhënësi do të specifikojë moshën, arsimin, përgatitjen
profesionale dhe aftësitë që kërkohen për punën.
2. Në rastet e falimentimit të pritshëm, punëdhënësi raporton
në zyrën kompetente të punësimit sapo ai të jetë bërë i vetëdijshëm
për falimentimin e mundshëm të tij, jo më vonë se data e pritshme
e mbylljes së veprimtarisë.
3. Në rast të një pezullimi nga puna, punëdhënësi mund të
propozojë në njoftimin e tij programe alternative prodhimi, të
cilat do të kërkonin riaftësimin e punonjësve, mbështetjen e zyrës
kompetente të punësimit dhe pagesën e një fondi formimi për
punonjësit që riformohen.
4. Çdo punëdhënës raporton vendet e lira të punës veçan për
personat me aftësi të kufizuara. Në raportin e tij, punëdhënësi
specifikon se çfarë kushtesh moshe, arsimi, aftësimi profesional
dhe aftësish kërkohen për punën.
5. Shërbimi Kombëtar i Punësimit së bashku me Inspektoratin
Shtetëror të Punës, kontrollojnë zbatimin e këtij neni.

Neni 22

Detyrimi për të nxitur punësimin

1. Çdo punëdhënës është i detyruar të regjistrojë pranë zyrës
së punës përkatëse, ku ai ushtron veprimtarinë e tij ekonomike, çdo
punëmarrës që ai merr në punë për të plotësuar vendet e lira të
punës që ai disponon.
2. Çdo punëdhënës ka të drejtë të plotësojë vendin e lirë të
punës që ai disponon me kandidaturat që i ofron zyra e punës ose me
kandidatë të tjerë të përshtatshëm, që ai mund t'i zgjedhë
vullnetarisht.

KREU VII

INFORMACIONI PER TREGUN E PUNES

Neni 23

Detyrimi i punëdhënësve

1. Çdo punëdhënës raporton çdo tre muaj në zyrën kompetente të
punësimit për:
a) numrin e personave të punësuar dhe listat e tyre emërore;
b) veprimtaritë e tij më të rëndësishme.
2. Zyra kompetente e punësimit e ruan këtë informacion në
fshehtësi dhe e përdor atë vetëm në një formë të përmbledhur, pa
zbuluar të dhënat vetjake dhe fshehtësinë e biznesit të
punëdhënësit. Çdo zbulim i këtij informacioni në mënyrë të
paautorizuar është i ndaluar.

Neni 24

Zyrat e punësimit

1. Çdo zyrë punësimi raporton rregullisht çdo tre muaj te
drejtori i përgjithshëm për:
a) numrin e personave të punësuar dhe listat e tyre emërore;
b) numrin e ndërmarrjeve dhe institucioneve në kompetencë të tyre
dhe veprimtaritë e tyre më të rëndësishme;
c) numrin e vendeve të lira të punës dhe shpërndarjen e tyre në
përputhje me profesionin, nivelin arsimor dhe kualifikimin e
kërkuar;
ç) numrin e pezullimeve dhe falimentimeve të pritshme, si dhe
numrin e personave të punësuar të përfshirë;
d) numrin e personave të kualifikuar dhe strukturën e tyre sipas
profesionit, arsimit, moshës dhe seksit;
dh) numrin e personave të parashikuar për t'u kualifikuar në
tremujorin e ardhshëm dhe plane të tjera për politikat aktive të
punësimit.

Neni 25

Ministria dhe institucionet

1. Ministria ka të drejtën ekskluzive për t'i siguruar Zyrës
Qendrore të Statistikës të gjitha statistikat e punës, përveç atyre
që rrjedhin nga regjistrimi i popullsisë dhe vëzhgimet statistikore
të autorizuara nga Zyra Qendrore e Statistikës, dhe të japë
parashikimin e zhvillimeve të tregut të punës në Shqipëri.
2. Ministria bën përcaktimin e informacionit të mbledhur në
koordinim me Zyrën Qendrore të Statistikës.
3. Të gjitha institucionet dhe struktrat e varura prej tyre
janë të detyruara të japin informacionin e nevojshëm të kërkuar nga
Shërbimi Kombëtar i Punësimit, si dhe kanë të drejtë të kërkojnë
informacion nga kjo strukturë.

KREU VIII

DENIMET DHE PROCEDURAT

Neni 26

Procedurat

Këshilli i Ministrave cakton rregullat që janë të nevojshme
për zbatimin e këtij ligji.

Neni 27

Dënimet
Një punëdhënës që shkel dispozitat e këtij ligji, dënohet për
kundërvajtje administrative nga Inspektorati Shtetëror i Punës me
një gjobë deri në 1 milion lekë për rast.
Kundër vendimit të dënimit administrativ mund të bëhet ankim,
konform ligjit "Për Inspektoratin Shtetëror të Punës".

KREU IX

DISPOZITA TE PERKOHSHME DHE PERFUNDIMTARE

Neni 28

Dispozita të përkohshme

1. Zyrat e punësimit që janë krijuar dhe veprojnë përpara
hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të shndërrohen në zyra punësimi
të Shërbimit Kombëtar të Punësimit që nga data kur ky shërbim është
krijuar.
2. Punonjësit e zyrave të punësimit që kanë vepruar përpara
hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të bëhen punonjës të Shërbimit
Kombëtar të Punësimit që nga data kur ky shërbim është krijuar.
3. Vendimet dhe aktet e tjera që lidhen me punësimin, të marra
para datës që ky ligj hyn në fuqi, do t'i përmbahen legjislacionit,
i cili ka qënë në fuqi në kohën kur është marrë ky vendim.

Neni 29

Zbatimi

1. Nëse nuk është parashikuar ndryshe, Këshilli i Ministrave
cakton rregulla të hollësishme për zbatimin e këtij ligji, me kusht
që ai të mos ndryshojë të drejtat dhe detyrimet që u jepen
shtetasve dhe ndërmarrjeve nga ky ligj.
2. Këshilli i Ministrave përcakton gjithashtu, përveç
rregullave të mësipërme, rastet kur ministri do të zbatojë ligjin
me anë të rregullave që rrjedhin prej tij.

Neni 30

Dispozita përfundimtare

1. Që nga data kur ky ligj hyn në fuqi, të gjitha aktet
ligjore dhe nënligjore që bien në kundërshtim me të, shfuqizohen.

Neni 31

1. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren
Zyrtare.


Shpallur me dekretin nr.1248, datë 11.10.1995, të Presidentit të
Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0  3.107 509200002





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat


acdurres

spitaliamerikan

dga