marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 8615
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 01.06.2000
Data e aprovimit te Aktit: 08.06.2000
Numri i neneve: 18
Numri i fletores zyrtare: 15
Data e fletores zyrtare: 21.06.2000
Aktiviteti: Mjek,Urdhëri i Mjekëve
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë është ent publik, i cili përfaqëson interesat e përbashkët të profesioneve mjekësore dhe rregullon marrëdhëniet midis tyre në funksion të publikut
Amendamente
1 Për krijimin e Urdhërit të Mjekëve.
2 Per disa ndryshime ne ligjin nr. 8615, date 01.06.2000 "Per Urdhrin e Mjekeve ne Republiken e Shqiperise".
Akte te ngjashem
1 Për krijimin e Urdhërit të Mjekëve.
2 Per disa ndryshime ne ligjin nr. 8615, date 01.06.2000 "Per Urdhrin e Mjekeve ne Republiken e Shqiperise".
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:L I G J

Nr.8615, datë 1.6.2000

PËR URDHRIN E MJEKËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë është ent publik, i cili përfaqëson interesat e përbashkët të profesioneve mjekësore dhe rregullon marrëdhëniet midis tyre në funksion të publikut.

Neni 2

Urdhri i Mjekëve përbëhet nga mjekët e stomatologët që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë dhe që përmbushin kushtet për të qënë anëtar sipas këtij ligji.
Anëtarë të Urdhrit të Mjekëve bëhen mjekët e stomatologët, shtetas shqiptarë, të diplomuar në Republikën e Shqipërisë ose jashtë saj dhe që pranojnë Kodin Deontologjik Mjekësor Shqiptar.
Përjashtohen nga ky detyrim, por jo nga e drejta e anëtarësimit në këtë organizëm, mjekët funksionarë të administratës shtetërore, për sa kohë që ata nuk ushtrojnë veprimtari të mirëfilltë profesionale mjekësore ose shëndetësore.




Neni 3

Asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e mjekut ose të stomatologut në Republikën e Shqipërisë pa qenë anëtar i Urdhrit të Mjekëve. Punëdhënësit në institucionet shëndetësore publike e private ndalohen t'i punësojnë ata në kundërshtim me këtë dispozitë.
Shtetasit e huaj, për ushtrimin e profesionit të mjekut ose stomatologut në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të anëtarësohen paraprakisht në Urdhrin e Mjekëve të Republikës së Shqipërisë, të njohin dhe të zbatojnë Kodin Deontologjik Mjekësor Shqiptare, si dhe të gjitha aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë shërbimin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë. Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve përcakton kriteret e pranimit të tyre në këtë Urdhër.

Neni 4

Misioni i Urdhrit të Mjekëve është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesioneve mjekësore dhe mbrojtja e pacientëve dhe publikut nga kequshtrimi i mjekësisë.
Në përmbushje të këtij misioni Urdhri i Mjekëve:
a) kryen regjistrimin dhe mban të azhornuar regjistrin e mjekëve për ushtrimin e profesionit të tyre;
b) mbikëqyr zbatimin e detyrave profesionale në përputhje me kërkesat e shkencave mjekësore, rregullat e etikës dhe Kodin Deontologjik Mjekësor;
c) siguron udhëheqjen etikomorale e deontologjike të bashkësisë së mjekëve e të stomatologëve, pavarësinë e ushtrimit të profesionit mjekësor sipas standardeve dhe mbron interesat moralë të këtij profesioni;
ç) mbron interesat e të sëmurëve dhe publikut nga kequshtrimi i mjekësisë dhe shkeljet e Kodit Deontologjik Mjekësor;
d) bashkëpunon për sigurimin e zhvillimit progresiv të standardeve profesionale në shërbimet mjekësore, për planifikimin dhe hartimin e programeve të formimit mjekësor, të specializimit pasuniversitar dhe të edukimit e kualifikimit të vazhdueshëm të mjekëve;
dh) jep dhe heq të drejtën individuale për ushtrimin e profesionit.

Neni 5

Urdhri i Mjekëve, gjatë kryerjes së detyrave, mban lidhje sipas përkatësisë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe organe të tjera të shëndetësisë në qendër e në rrethe, si dhe me ministritë, institucionet qendrore dhe me organizma të tjera shtetërore dhe joshtetërore.
Urdhri i Mjekëve merr pjesë në hartimin e ligjeve dhe të dokumenteve të rëndësishme të shëndetësisë shqiptare.

Neni 6

Urdhri i Mjekëve ka buxhetin e tij, të cilin e administron vetë në përputhje me rregullat financiare në fuqi. Burimet financiare të Urdhrit të Mjekëve janë:
a) Kuotizacionet e anëtarëve.
b) Tarifat e Regjistrimit dhe të dhënies të së drejtës individuale për ushtrimin e profesionit.
c) Donacione të ndryshme dhe të ardhura të tjera të ligjshme.
Të ardhurat që realizon gjatë ushtrimit të veprimtarisë, Urdhri i Mjekëve i përdor për të përmbushur misionin e tij të caktuar në këtë ligj.

KREU II

ORGANIZIMI DHE DREJTIMI

Neni 7

Organet kryesore të Urdhrit të Mjekëve janë:
a) Asambletë;
b) Këshillat;
c) Komisionet disiplinore;
ç) Komisioni i Regjistrimit dhe i Dhënies të së Drejtës së Ushtrimit të Profesionit.

Neni 8

Asambleja e Përgjithshme përbëhet nga tërësia e anëtarëve të këshillave rajonalë. Asambleja e Përgjithshme zgjedh Këshillin Kombëtar.
Zgjedhjet e Këshillit Kombëtar bëhen çdo 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
Asambleja rajonale përbëhet nga tërësia e përfaqësuesve të anëtarëve të Urdhrit të Mjekëve të rajonit (qarkut). Asambleja rajonale zgjedh këshillin rajonal.
Zgjedhjet e këshillit rajonal bëhen çdo 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Neni 9

Në Këshillin Kombëtar bëjnë pjesë detyrimisht: Presidenti i Urdhrit të Mjekëve, zëvendësit e tij, presidentët e këshillave rajonalë dhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë, i Ministrisë së Drejtësisë, i Ministrisë së Punës dhe i Çështjeve Sociale, i Ministrisë së Financave, i Akademisë së Shkencave, i Fakultetit të Mjekësisë, i Fakultetit të Shkencave Sociale, i Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe i Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.
Rastet e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar parashikohen në Statutin e Urdhrit të Mjekëve.
Këshilli Kombëtar zgjedh Presidentin dhe zëvendësit e tij. Mandati i Presidentit është 6-vjeçar me të drejtën e një rizgjedhjeje. Funksioni i tij është i papajtueshëm me funksione të tjera drejtuese të administratës shtetërore. Ky Këshill emëron dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm.
Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë votash, kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij.


Neni 10

Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve harton Kodin e Deontologjik Mjekësor.

Neni 11

Veprimtaria e Urdhrit të Mjekëve rregullohet me Statutin e vet, i cili hartohet nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve.

Neni 12

Këshillat rajonalë krijohen sipas ndarjes administrative-territoriale në bazë prefekture (qarku).
Këshilli rajonal zgjedh Presidentin dhe zëvendësit e tij. Mandati i Presidentit është 6 vjet, me të drejtën e një rizgjedhjeje.
Këshilli rajonal emëron dhe shkarkon sekretarin e tij.

Neni 13

Pranë Këshillit Kombëtar dhe këshillave rajonalë të Urdhrit të Mjekëve funksionojnë komisionet disiplinore, të cilat caktohen nga këshillat përkatës.
Komisionet disiplinore janë organizma të gjykimit profesional. Ato verifikojnë dhe shqyrtojnë ankesat për shkeljet e etikës mjekësore, të Kodit Deontologjik, si dhe gabimet mjekësore nga anëtarët e Urdhrit të Mjekëve.
Komisionet disiplinore pranë këshillave rajonalë ushtrojnë kompetenca disiplinore të shkallës së parë. Vendimet e tyre janë të apelueshme në Komisionin Disiplinor të Këshillit Kombëtar, i cili ushtron kompetenca disiplinore të shkallës së dytë.

Neni 14

Komisioni Disiplinor heton dhe gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara në seancë dëgjimore. Kur vërteton se anëtari ka kryer shkelje të etikës mjekësore, të Kodit Deontologjik ose ka bërë gabim mjekësor, ai jep këto masa:
a) Vërejtje me shkrim.
b) Vërejtje me paralajmërim.
c) Gjobë nga 1 000 deri 100 000 lekë.
ç) Propozim për shkarkim nga funksione drejtuese në institucione shëndetësore.
d) Pezullim nga e drejta e zgjedhjes në organet drejtuese të Urdhrit të Mjekëve, deri në 3 vjet.
dh) Përjashtim i përkohshëm nga Urdhri i Mjekëve për një periudhë deri në 3 vjet.
Përveç masave të parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, si masë plotësuese, Komisioni ka të drejtë t'u caktojë të ndëshkuarve kryerjen e një rikualifikimi ose të studimeve plotësuese.
Masat e mësipërme disiplinore mund të shlyhen, në qoftë se brenda 1 viti nga dita e dhënies së tyre për shkronjat "a" dhe "b" të këtij neni dhe brenda 3 vjetësh nga data e dhënies së tyre për shkronjat "ç", "d" dhe "dh", ndaj anëtarit nuk është marrë ndonjë masë tjetër disiplinore.

Neni 15

Ankesat kundër vendimeve për marrjen e masave disiplinore paraqiten në Komisonin Disiplinor të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve, brenda 30 ditëve nga komunikimi me shkrim i vendimit.
Komisioni Disiplinor, brenda 60 ditëve nga marrja e ankesës, detyrohet të japë vendimin për ankesën e paraqitur. Vendimi i Komisionit Disiplinor të Këshillit Kombëtar është i formës së prerë.
Për masat disiplinore të parashikuara në shkronjat "c", "ç" dhe "dh" të nenit 14 të këtij ligji, personi ka të drejtë t'i drejtohet gjykatës.

KREU III

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 16

Urdhri i Mjekëve për një periudhë trevjeçare subvencionohet nga shteti. Masa dhe mënyra e këtij subvencionimi përcaktohet me akte nënligjore të nxjerra nga Këshilli i Ministrave.

Neni 17

Ligji nr.7708, datë 18.5.1993 "Për krijimin e Urdhrit të Mjekëve", si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 18

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


K R Y E T A R I
Skënder Gjinushi





Shpallur me dekretin nr.2644, date 8.6.2000 te Presidentit te Republikes se Shqiperise, Rexhep Meidani





Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 0
MJEK
6010006





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

as
spitaliamerikan