marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për shërbimin civil në Republikën e Shqipërisë.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 8095
Statusi i Aktit: I shfuqizuar
Data e Aktit: 21.03.1996
Data e aprovimit te Aktit: 05.04.1996
Numri i neneve: 42
Numri i fletores zyrtare: 13
Data e fletores zyrtare: 07.05.1996
Aktiviteti: Administratë Publike,Komisioni Te drejtat njeriut,Minoritetet,Të drejtat e Njeriut
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Ligji për shërbimin civil në Republikën e Shqipërisë rregullon marrëdhëniet juridike të punës të punonjësve të administratës publike, qendrore dhe lokale dhe të institucioneve buxhetore, të cilat nuk rregullohen me ligje të veçanta ose me Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë.
Amendamente
1 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8095, datë 21.03.1996 "Për shërbimin civil në Republikën e Shqipërisë"
Akte te ngjashem
1 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8095, datë 21.03.1996 "Për shërbimin civil në Republikën e Shqipërisë"
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja: L I G J

Nr.8095, datë 21.3.1996

PER SHERBIMIN CIVIL NE REPUBLIKEN E SHQIPERISE

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991
"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit
të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

KREU I

Dispozita të përgjithshme

Neni 1

Objekti i ligjit

Ligji për shërbimin civil në Republikën e Shqipërisë
rregullon marrëdhëniet juridike të punës të punonjësve të
administratës publike, qendrore dhe lokale dhe të institucioneve
buxhetore, të cilat nuk rregullohen me ligje të veçanta ose me
Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë.

Neni 2

Shërbimi civil

Në shërbimin civil të Republikës së Shqipërisë bëjnë pjesë:
1. Funksionarët politikë, pozita juridike e të cilëve
përcaktohet me ligje të veçanta dhe me dispozitat e kreut të dytë
të këtij ligji.
2. Nëpunësit civilë, të cilët ushtrojnë në administratën
publike detyra me karakter drejtues, organizativ, kontrolli dhe
ekzekutiv. Në varësi nga rrethi i kompetencave dhe i detyrave të
përcaktuara në strukturën organizative të administratës publike,
të cilave u përgjigjet një nivel i caktuar i pagave e pensioneve,
nëpunësit civilë ndahen në nëpunës të nivelit të lartë drejtues,
nëpunës të nivelit të mesëm drejtues, nëpunës të nivelit të ulët
drejtues dhe në specialistë. Pozita juridike e nëpunësve për të
gjitha këto nivele përcaktohet në bazë të dispozitave të kreut
të tretë të këtij ligji.
3. Nëpunësit e thjeshtë, të cilët brenda administratës
publike kryejnë detyra shërbimi. Marrëdhëniet juridike të këtyre
nëpunësve rregullohen nga dispozitat e Kodit të Punës.
Marrëdhëniet juridike të punonjësve të organeve të
drejtësisë dhe pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës
së Shqipërisë rregullohen me dispozita juridike të veçanta.
Marrëdhëniet juridike të punonjësve të sistemit arsimor dhe
të shërbimit shëndetësor rregullohen nga Kodi i Punës.

Neni 3

Baza juridike

Marrëdhëniet juridike në shërbimin civil rregullohen në bazë
të dispozitave kryesore kushtetuese nga ky ligj dhe në përputhje
me dispozitat e veçanta për organizimin e funksionimin e organeve
dhe të degëve të caktuara të administratës publike, me
rregulloret e tyre, si dhe me aktet nënligjore të dala në bazë
e për zbatimin të tyre.

Neni 4

Qëllimi i ligjit

Rregullimi ligjor i marrëdhënieve juridike në shërbimin
civil synon garantimin e të drejtave e të kushteve të
përshtatshme për punonjësit e administratës publike për
plotësimin sa më mirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi,
të detyrave të administratës publike, harmonizimin e elementit
politik të veprimtarisë së organeve administrative me elementet
tekniko-administrative të saj, për të siguruar vijimësinë në
veprimtarinë e administratës publike, sanksionimin e të drejtave
e të detyrimeve të nëpunësve, si dhe në vendosjen e rregullave
unike për fillimin dhe marrjen fund të marrëdhënies së tyre
juridike, zhvillimin e karrierës, kushtet dhe kriteret e
përzgjedhjes së nëpunësve.

Neni 5

Marrëdhënia juridike e shërbimit civil

Marrëdhënia juridike e shërbimit civil është marrëdhënie
juridike që krijohet ndërmjet personit të zgjedhur a të emëruar
dhe shtetit.
Në këtë marrëdhënie juridike shteti përfaqësohet nga organi
ose institucioni që në bazë të ligjit bën zgjedhjen a emërimin
e tyre.

Neni 6

Futja në shërbimin civil

Futja në shërbimin civil bëhet me përzgjedhje dhe me emërim,
sipas kushteve dhe kërkesave të përcaktuara me ligje të veçanta,
sipas kushteve dhe kërkesave të përcaktuara në këtë ligj dhe në
akte nënligjore.
Personat që futen në shërbimin civil të Republikës së
Shqipërisë duhet të kenë shtetësinë shqiptare, të zotërojnë
aftësitë e nevojshme profesionale të domosdoshme për vendin
përkatës të punës dhe të japin garanci të plota për angazhimin
e tyre në mbrojtje të kushtetutës e të rendit juridik demokratik.
Në raste të veçanta, në shërbimin civil të Republikës së
Shqipërisë, mund të futen edhe shtetas të huaj me cilësinë e
nëpunësit civil, kur një gjë e tillë i përgjigjet interesave të
shtetit shqiptar dhe është e nevojshme për përmbushjen e
detyrimeve që burojnë nga marrëveshje ndërkombëtare.

Neni 7

Kohëzgjatja e marrëdhënies juridike

Marrëdhënia juridike e shërbimit civil zgjat:
1. Pa afat, për nëpunësit civilë të të gjitha niveleve drejtuese
dhe për specialistët.
2. Me afat, që përcaktohet nga mandati politik, për funksionarët
politikë.
3. Me afat të caktuar, kur kjo gjë është përcaktuar me dispozita
të veçanta juridike.
4. Me afat prove për nëpunësit në provë.

Neni 8

Emërimi dhe lirimi nga detyra

Emërimi dhe lirimi nga detyra në shërbimin civil bëhet nga
organi ose institucioni që në bazë të ligjit e gëzon këtë të
drejtë.
Emërimi i bërë nga një organ a institucion, i cili nuk e
gëzon këtë të drejtë, është i pavlefshëm. Emërimi është i
pavlefshëm edhe kur:
1. Personi i emëruar nuk plotëson kushtin për shtetësinë,
në bazë të paragrafit 2 të nenit 6, dhe nuk është bërë përjashtim
në bazë të paragrafit 3 të nenit 6.
2. Personi i emëruar nuk ka zotësi për të vepruar.
3. Në bazë të ligjit, personi i emëruar nuk gëzon të drejtën
për të punuar në administratën publike.
Marrëdhënia juridike e shërbimit civil fillon në momentin
e emërimit dhe zgjat deri në lirimin nga detyra ose derisa të
zgjasë afati ligjor i ushtrimit të veprimtarisë. Marrëdhënia
juridike e shërbimit civil merr fund gjithashtu:
a) Kur personi vdes.
b) Kur personi del në pension.
c) Kur personi është dënuar me vendim të gjykatës të formës së
prerë për kryerjen e një krimi.
d) Kur personi jep dorëheqjen.
dh) Për një nga arsyet e përmendura në pikat 1, 2 dhe 3 të
paragrafit të mësipërm.
e) Kur personi është i paaftë për të kryer detyrat në shërbimin
civil.

Neni 9

Akti i emërimit

Organi ose institucioni që bën emërimin, në vendimin ose
urdhrin e emërimit, përveç detyrës që do të ushtrojë personi i
emëruar, duhet të përmendë edhe nivelin e kësaj detyre në
shërbimin civil.
Këshilli i Ministrave në rregullat bazë për strukturën
organizative të organeve të administratës publike përcakton edhe
nivelin përkatës të shërbimit civil për çdo kategori detyrash.
Ai nxjerr dhe aktet nënligjore që përcaktojnë formën dhe
përmbajtjen e aktit të emërimit.

Neni 10

Detyrat e funksionarëve politikë dhe të nëpunësve civilë

Në ushtrimin e funksioneve të tyre funksionarët politikë dhe
nëpunësit civilë kanë për detyrë:
1. Të respektojnë dhe të mbrojnë kushtetutën dhe ligjet e
Republikës së Shqipërisë, si dhe rendin juridik demokratik.
2. Të ushtrojnë me përkushtim detyrën, të jenë aktivë, të
veprojnë me profesionalizëm, me përgjegjësi dhe me zotësi.
3. Të jenë të paanshëm, objektivë dhe të drejtë, të mos
nisen nga interesi i përfitimit personal e të mos krijojnë favore
për individë të caktuar, duke u nisur nga motive që nuk përputhen
me realizimin me ndërgjegje të detyrës.
4. Të respektojnë parimin e plotësimit me besnikëri të
detyrave dhe të funksioneve zyrtare, pavarësisht nga pikëpamja
e tyre personale, dhe të zbatojnë me përpikëri urdhrat a vendimet
e organeve e të institucioneve eprore.
5. Të mos kërkojnë e të mos pranojnë asnjë përfitim moral
e material si rezultat i kryerjes së funksioneve të tyre zyrtare,
me përjashtim të pagës e të shpërblimeve të tjera që u takojnë
në bazë të dispozitave përkatëse.
6. Të mbajnë përgjegjësi të plotë për ligjshmërinë e
veprimeve të tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Kur nuk janë të
bindur për ligjshmërinë e urdhrave a të vendimeve që zbatojnë,
të informojnë menjëherë organin urdhërues.
7. Të respektojnë parimin e informimit të publikut për
veprimtarinë e tyre, me përjashtim të rasteve kur informacionet,
në bazë të dispozitave përkatëse, konsiderohen sekret ose për
përdorim të brendshëm.
8. Të mos ushtrojnë asnjë punë a veprimtari jashtë detyrës
së tyre zyrtare, në qoftë se një gjë e tillë vjen në kundërshtim
me detyrat e tyre ose i pengon ata në ushtrimin e këtyre
detyrave, si dhe të njoftojnë organin ose institucionin ku
punojnë për çdo punë ose veprimtari me pagesë që ushtrojnë jashtë
kohës së punës.

Neni 11

Etika e shërbimit civil

Në mbështetje të nenit 10, ngarkohet Këshilli i Ministrave
të hartojë rregullat e etikës së shërbimit civil në lidhje me
konfliktin e interesave dhe rregullat e sjelljes si dhe dispozita
të tjera me karakter etik, së bashku me masat detyruese për
zbatimin e tyre nga funksionarët politikë dhe nëpunësit civilë.

Neni 12

Të drejtat e funksionarëve politikë dhe nëpunësve civilë

Funksionarët politikë dhe nëpunësit civilë gëzojnë këto të
drejta:
1. Të drejtën për të marrë pagë, pension dhe shpërblime të
tjera, në përputhje me detyrën që ushtrojnë, sipas dispozitave
përkatëse.
2. Të drejtën për të marrë lejen e pushimit të paguar vjetor
në masën e përcaktuar me dispozitat përkatëse, si dhe leje pa të
drejtë page.
3. Të drejtën për të bërë punë dhe për të ushtruar
veprimtari të tjera jashtë detyrës dhe jashtë kohës së punës, në
qoftë se një gjë e tillë nuk është në kundërshtim me detyrën e
tyre ose nuk i pengon ata në ushtrimin e detyrës.
4. Të drejtën për të marrë trajtim të posaçëm për periudhën
e lejes së paguar të pushimit vjetor, në kushtet dhe në masën që
përcaktohet me dispozita juridike të veçanta.
5. Të drejtën për të përfituar trajtim shëndetësor, për vete
dhe për pjesëtarët e familjes që kanë në ngarkim, në kushtet dhe
në masën që përcaktohet nga dispozitat përkatëse.
6. Të drejtën për nënat për të marrë leje lindjeje dhe për
baballarët për të marrë leje për t'u kujdesur për fëmijën e
porsalindur a për bashkëshorten, sipas kushteve të përcaktuara
nga dispozitat përkatëse.
7. Të drejtën për t'u strehuar në kushte të përshtatshme
pranë vendit të punës, sipas kritereve të përcaktuara me vendim
të Këshillit të Ministrave.
8. Të drejtën për t'u informuar për çdo akuzë disiplinore
që bëhet kundër tyre, për faktet dhe dokumentacionin në të cilat
ajo mbështetet, si dhe të drejtën për t'u mbrojtur nga akuza
sipas procedurave të rregullta e të paanshme. Këto të drejta dhe
normat përkatëse proceduriale rregullohen me vendim të Këshillit
të Ministrave.
9. Të drejtën për të përfituar lehtësira udhëtimi dhe
trajtim special me veshje, në rastet dhe sipas kushteve të
përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

KREU II

Pozita juridike e funksionarëve politikë

Neni 13

Funksionarët politikë

Funksionarët politikë, për të cilët zbatohen dispozitat e
këtij ligji, janë të gjithë personat që ushtrojnë funksione
drejtuese politike në organet qendrore dhe lokale të
administratës publike, titullarë dhe zëvendës të tyre në
institucionet publike të specializuara, si dhe personat që
ushtrojnë veprimtari të drejtpërdrejtë ndihmëse për realizimin
e funksioneve politike të personave të lartpërmendur.
Marrëdhëniet juridike të deputetëve të Kuvendit Popullor,
Presidentit të Republikës, e të personave të zgjedhur në organet
e pushtetit lokal rregullohen me dispozita juridike të veçanta.

Neni 14

Marrëdhënia juridike e funksionarëve politikë

Marrëdhënia juridike e funksionarëve politikë fillon me
zgjedhjen ose emërimin e tyre, sipas kushteve dhe kërkesave të
përcaktuara në dispozitat juridike përkatëse.
Në rast se në ligjet përkatëse nuk përcaktohet ndryshe,
marrëdhënia juridike e funksionarëve politikë merr fund për një
nga shkaqet e përmendura në paragrafin 3 të nenit 8, si dhe për
motive politike.

Neni 15

Postet e funksionarëve politikë

Këshilli i Ministrave, në bazë të legjislacionit përkatës
e të kritereve të vendosura nga ky ligj, përcakton të gjitha
postet e strukturës organizative të shërbimit civil që do të
zihen nga funksionarë politikë.

Neni 16

Të drejta e detyra të veçanta

Funksionarët politikë, në ushtrimin e detyrës së tyre,
gëzojnë çdo të drejtë dhe përmbushin çdo detyrim tjetër që buron
nga norma të tjera që kanë lidhje me veprimtarinë e tyre.

KREU III

Pozita juridike e nëpunësve civilë

Neni 17

Nëpunësit civilë

Nëpunësit civilë, për të cilët zbatohen dispozitat e këtij
ligji, janë të gjithë personat që përmenden në paragrafin 2 të
nenit 2, që punojnë në administratën e Kuvendit Popullor, të
Presidencës, të organeve qendrore të administratës publike, të
institucioneve të specializuara, organeve të pushtetit lokal, me
përjashtim të nëpunësve të thjeshtë.

Neni 18

Marrëdhëniet juridike të nëpunësve civilë

Marrëdhëniet juridike të nëpunësve civilë fillojnë me
emërimin e tyre dhe janë pa afat.
Marrëdhëniet juridike të nëpunësve civilë marrin fund për
një nga shkaqet e përmendura në paragrafin e tretë të nenit 8,
ose kur ndaj nëpunësit merret masa disiplinore e largimit nga
puna, në bazë të kritereve të dhëna nga ky ligj dhe rregullave
të hartuara nga Këshilli i Ministrave për disiplinën në shërbimin
civil, apo kur me mbarimin e periudhës së provës nuk miratohet
emërimi.

Neni 19

Emërimi i nëpunësve në shërbimin civil

Emërimi në shërbimin civil për nëpunësit civilë bëhet
nëpërmjet përzgjedhjes në konkurse dhe me emërimin pa konkurs.
Emërimi në shërbim civil për nëpunësit civilë bëhet, sipas
procedurave të përcaktuara në këtë ligj, nga komisioni i
shërbimit civil në bashkëveprim me këshillat emërues.

Neni 20

Komisioni i shërbimit civil

Përzgjedhja, sipas kritereve të vendosura në këtë ligj dhe
sipas kërkesave të detyrave përkatëse, e kandidatëve që do të
emërohen në shërbimin civil si nëpunës civilë dhe garantimi i
mbrojtjes së të drejtave të nëpunësve civilë bëhet nga Komisioni
i Shërbimit Civil.
Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë të emëruar nga Këshilli
i Ministrave dhe zgjidhet nga radhët e punonjësve të ngarkuar me
kontrollin dhe organizimin e shërbimit civil, si dhe nga radhët
e personaliteteve të fushave dhe profesioneve të ndryshme.
Kryetari i Këshillit të Ministrave emëron kryetarin e komisionit
i cili qëndron në këtë detyrë për jo më pak se dy vjet. Përbërja
e komisionit dhe ndryshimet në përbërjen e tij shpallen në
Fletoren Zyrtare.
Detyra e anëtarit të komisionit është e papajtueshme me
detyrën e deputetit të Kuvendit Popullor, të personit të zgjedhur
në organet lokale të pushtetit dhe të anëtarit të Këshillit të
Ministrave.
Anëtari i komisionit duhet të ketë mbushur moshën 30 vjeç
dhe lirohet nga detyra pasi të ketë mbushur moshën 60 vjeç.
Anëtarët e komisionit lirohen nga detyra kur japin
dorëheqjen, kur vërtetohet se nuk janë të aftë për të ushtruar
detyrën ose kur kryejnë një vepër, që për nëpunësin civil do të
sillte largimin nga puna. Zëvendësimi i anëtarëve të komisionit
bëhet nga Këshilli i Ministrave sipas rregullave dhe kritereve
të përmendura më sipër.
Shpërblimi i anëtarëve të komisionit caktohet nga Këshilli
i Ministrave.

Neni 21

Delegimi i kompetencave

Komisioni i shërbimit civil punëson pranë tij nëpunës
civilë, sipas rregullave të vendosura nga Këshilli i Ministrave,
të cilët, me autorizim të komisionit, mund të ushtrojnë
kompetenca të caktuara të tij. Autorizimi jepet me shkrim dhe në
të duhet të gjejnë pasqyrim emri i nëpunësit që do të ushtrojë
kompetencën e deleguar, detyra që do të ushtrojë në emër të
komisionit, kushtet përkatëse për realizimin e saj dhe koha e
ushtrimit të detyrës.
Nëpunësit civilë të Komisionit nuk mund të kenë kompetencë
për përzgjedhjen e personave për postet nga drejtor drejtorie në
ministri e lart, si dhe në postet e barazuara me to.
Komisioni mund të krijojë nënkomisione në ministri,
prefektura dhe organet e pushtetit lokal. Këto nënkomisione
ushtrojnë detyra që janë në kompetencë të komisionit dhe që janë
deleguar prej tij. Anëtarët e nënkomisioneve emërohen nga
Komisioni, me propozimin e organeve pranë të cilëve ato krijohen
dhe duhet të jenë nëpunës civilë me nivel detyre jo më të ulët
se ajo e drejtorit të drejtorisë së institucionit përkatës e
lart. Përzgjedhja e personave për këto poste bëhet nga komisioni.
Nënkomisionet nuk janë organe të përhershme. Ato shkrihen
menjëherë pasi kryejnë kompetencat që u janë deleguar dhe
anëtarët e tyre, për periudhën e anëtarësisë në nënkomision,
marrin shpërblim në masën e caktuar nga Këshilli i Ministrave.

Neni 22

Këshilli emërues

Në çdo organ a institucion të shërbimit civil funksionon
këshilli emërues i përbërë nga tre anëtarë, nëpunës civilë të
nivelit të lartë drejtues. Anëtarët e këshillit emërues caktohen
nga titullari i organit a institucionit dhe miratohen nga
Kryetari i Këshillit të Ministrave. Njëri nga anëtarët është i
përhershëm, kurse dy anëtarët e tjerë caktohen sipas fushës
konkrete për të cilën do të veprojë këshilli në rastin konkret.
Këshilli emërues ka për detyrë të bashkërendojë veprimtarinë
për emërtimet në organin a institucionin përkatës, të shqyrtojë
kandidaturat e paraqitura nga komisioni i shërbimit civil, të
mbikëqyrë vlerësimet e punës për nëpunësit civilë dhe të
kontrollojë masat disiplinore që merren ndaj tyre.
Këshilli emërues mund të bëjë përzgjedhje të kandidaturave
për nëpunës civilë vetëm në rastet kur ushtron detyrat e
nënkomisionit të shërbimit civil.
Emërimi i nëpunësve civilë bëhet nga titullari i organit a
institucionit, sipas propozimit të këshillit emërues. Këshilli
emërues mund të bëjë emërimin e nëpunësve civilë në rast se
autorizohet për këtë gjë nga titullari i organit a institucionit.
Me përjashtim të rasteve të parashikuara shprehimisht në
këtë ligj për integrimin e nëpunësve ekzistues dhe për emërimet
pa konkurs, emërimi i nëpunësve civilë mund të bëhet vetëm nga
radhët e kandidatëve të përzgjedhur nga komisioni i shërbimit
civil ose nga nënkomisionet, të cilëve u është deleguar kjo
përgjegjësi.

Neni 23

Zgjedhja me anë të konkurseve

Konkurset për zgjedhjen e kandidatëve për nëpunës civilë
organizohen nga komisioni i shërbimit civil. Konkurset
organizohen për përzgjedhjen e kandidatëve për kategori postesh
që herë pas here mbeten bosh, si dhe për plotësimin e vendeve të
veçanta të punës në shërbimin civil.
Konkurset për kategori të caktuara postesh organizohen me
kërkesën e Këshillit të Ministrave ose të organeve të caktuara
prej tij. Konkurset për poste të caktuara organizohen me kërkesën
e këshillave emërues përkatës. Nuk organizohen konkurse për poste
të caktuara kur komisioni ka bërë përzgjedhje kandidatësh me anë
të konkurseve për kategori postesh ose është duke e bërë këtë
përzgjedhje dhe kandidatët e përzgjedhur plotësojnë kushtet për
postin në fjalë.
Komisioni i shërbimit civil, pas çdo konkursi, harton një
listë që përmban emrat e kandidatëve më të mirë të vlerësuar në
konkurs, të renditur sipas rezultateve të tyre.
Për çdo emërim që do të bëhet pas organizimit të konkursit
për një a disa poste të caktuara, komisioni i paraqet këshillit
emërues emrat e deri tre kandidatëve të parë, të cilët nuk janë
emëruar ende në poste që kanë lidhje me konkursin. Kandidati që
do të emërohet zgjidhet nga këshilli emërues dhe i propozohet
titullarit të organit a institucionit për t'u emëruar.
Për çdo emërim që do të bëhet pas organizimit të konkursit
për një kategori postesh, komisioni i paraqet këshillit emërues
emrat e tre deri pesë kandidatëve të parë që nuk janë emëruar
ende në kategorinë përkatëse për të cilën është organizuar
konkursi. Kandidati që do të emërohet zgjidhet nga këshilli
emërues dhe i propozohet titullarit të organit a institucionit
për t'u emëruar.
Procedurat për zgjedhjen e kandidatëve, organizimin dhe
përmbajtjen e konkurseve, si dhe rregullat për formën dhe
përmbajtjen e njoftimit publik me anë të medias përcaktohen me
vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 24

Emërimet pa konkurs

Emërimet e nëpunësve civilë mund të bëhen edhe pa konkurs
kur:
1. Komisioni i shërbimit civil vendos që një kategori postesh në
shërbimin civil të plotësohet me anë të ngritjes në detyrë ose
të qarkullimit të nëpunësve civilë. Ky emërim bëhet kur nëpunësi
plotëson kushtet e vendosura nga komisioni për kualifikimin,
kohëzgjatjen e shërbimit, periudhën e provës etj. Komisioni mund
të intervistojë kandidatin për postin e ri.
2. Këshilli emërues vërteton se një nëpunës civil gëzon
kualifikimin e nevojshëm për një post të caktuar dhe ky post mund
të zihet me anë të ngritjes në detyrë a të qarkullimit, duke
plotësuar kushtet e vendosura nga komisioni për kualifikimin,
kohëzgjatjen e shërbimit, periudhën e provës etj. Komisioni mund
të intervistojë kandidatin për postin e ri.
3. Për personat që nuk janë nëpunës civilë, sipas kuptimit të
këtij ligji, emërimet pa konkurs bëhen për një periudhë kohe jo
më të gjatë se tre vjet. Kjo bëhet kur këshilli emërues vërteton
dhe komisioni bie dakord me faktin që plotësimi i postit vakant
është një kërkesë urgjente dhe e një natyre të përkohshme.
Personat e emëruar sipas pikës 3 do të gëzojnë statutin e
nëpunësit civil sipas përcaktimeve të këtij ligji vetëm gjatë
kohës së shërbimit. Komisioni, në marrëveshjen e lidhur me
pranimin e emërimeve pa konkurs, sipas pikës 3, mund të vendosë
kushte të veçanta për kohëzgjatjen e shërbimit në këtë detyrë dhe
për zgjedhjen e kandidaturave.

Neni 25

Integrimi i nëpunësve ekzistues në shërbimin civil

Nëpunësit ekzistues në shërbimin civil, të cilët punojnë në
ato detyra që përfshihen nga ky ligj për një periudhë jo më të
vogël se një vit para hyrjes në fuqi të këtij ligji, fitojnë
statusin e nëpunësit civil kur, me kërkesën e tyre, marrin një
certifikatë kualifikimi nga ana e komisionit të shërbimit civil.
Kërkesa duhet të shoqërohet me:
1. Një pasqyrë të detyrave e kompetencave të postit në të cilin
ka punuar nëpunësi, e vërtetuar nga këshilli emërues.
2. Një paraqitje e kualifikimeve, përvojës së punës dhe cilësive
personale të kërkuesit, në mbështetje të kërkesës së tij.
3. Një raport vlerësimi nga këshilli emërues në lidhje me mënyrën
e realizimit të detyrave nga ana e kërkuesit.
Komisioni i lëshon kërkuesit certifikatën e kualifikimit kur
rezulton se kualifikimi dhe përvoja e punës e kërkuesit
plotësojnë kushtet për të punuar si nëpunës civil në shërbimin
civil të nivelit përkatës dhe kur këshilli emërues vërteton se
personi i ka kryer detyrat e tij në mënyrë plotësisht të
kënaqshme.
Kur komisioni i shërbimit civil është i mendimit se nëpunësi
nuk zotëron kualifikimin e nevojshëm për nëpunësin civil, atëherë
ai njofton nëpunësin dhe këshillin emërues për këtë gjë.
Kur komisioni i shërbimit civil është i mendimit se nëpunësi
nuk zotëron kualifikimin e nevojshëm për nëpunësin civil në
momentin e bërjes së kërkesës, por mund të kualifikohet brenda
një periudhe të arsyeshme, jo më gjatë se dy vjet, duke plotësuar
me sukses një ose disa nga kushtet e mëposhtme:
a) fiton kualifikime të veçanta,
b) përfundon me sukses kurse specializimi a trainimi,
c) realizon me sukses një a disa detyra të veçanta që do t'i
caktohen, atëherë ai njofton nëpunësin dhe këshillin emërues për
këtë gjë dhe bën pezullimin e marrjes së vendimit deri në
përfundim të kësaj periudhe.
Kur nëpunësi, brenda 12 muajve pas hyrjes në fuqi të këtij
ligji, nuk bën kërkesë pranë komisionit për të marrë certifikatën
e kualifikimit ose kur komisioni nuk i lëshon atij këtë
certifikatë, atëherë nëpunësi nuk fiton statusin e nëpunësit
civil dhe:
a) largohet nga detyra ose
b) kur është e nevojshme për nevojat e organit a të
institucionit, konsiderohet si i emëruar pa konkurs, sipas
kushteve të pikës 3 të nenit 24.
Nëpunësit eksitues në shërbimin civil, të cilët punojnë në
detyra që përfshihen nga ky ligj për një periudhë jo më të gjatë
se një vit para hyrjes në fuqi të këtij ligji, fitojnë statusin
e nëpunësit civil kur i nënshtrohen një provimi të organizuar nga
komisioni i shërbimit civil në bashkëveprim me këshillin emërues,
sipas kërkesave të përcaktuara prej tyre.
Nëse këta nëpunës nuk plotësojnë kërkesat e provimit,
atëherë ata nuk fitojnë statusin e nëpunësit civil dhe
a) largohen nga detyra,
b) vendosen në një nivel shërbimi më të ulët, në përputhje me
rezultatin e provimit, në një detyrë që caktohet nga këshilli
emërues. Kur nuk ka vende bosh në nivelin përkatës, atëherë ata
vendosen në një listë pritjeje derisa të lirohen vende të tilla.

Neni 26

Kualifikimi

Futja në shërbimin civil dhe zhvillimi i karrierës së
nëpunësve civilë bëhen në bazë të kualifikimit të nëpunësve.
Këshilli i Ministrave përcakton kushtet dhe kërkesat për
kualifikimin e përgjithshëm të nëpunësve civilë që do të punojnë
në nivelet e ndryshme të shërbimit civil, si dhe kërkesat për
kualifikime speciale për detyra të veçanta.

Neni 27

Periudha e provës

Të gjitha emërimet, në bazë të këtij ligji, të nëpunësve
civilë bëhen për një periudhë prove që zgjat 12 muaj. Nëpunësit
civilë, gjatë gjithë periudhës së provës, konsiderohen civilë në
provë.
Në fund të periudhës së provës këshilli emërues duhet:
1. Të konfirmojë emërimin e nëpunësit civil, kur është i mendimit
se nëpunësi i ka realizuar detyrat në mënyrë të kënaqshme.
2. T'i japë fund emërimit të nëpunësit civil në provë, kur është
i mendimit se nëpunësi nuk i ka realizuar detyrat në mënyrë të
kënaqshme dhe e njofton atë për vendimin e tij. Nëpunësi në provë
mund t'i drejtohet komisionit të shërbimit civil, në rast se
është i mendimit se vendimi i marrë nga këshilli emërues është
i padrejtë.
Komisioni i shërbimit civil, në rastet e pikës 2 të
paragrafit të mësipërm, i kërkon këshillit emërues informacion
të argumentuar për vendimin e tij për t'i dhënë fund emërimit.
Pasi shqyrton çështjen, komisioni merr vendimin përkatës. Në rast
se komisioni vendos për lënien në fuqi të emërimit, atëherë:
1. Nëpunësi emërohet në një vend tjetër pune, në një detyrë
të të njëjtit nivel e në të njëjtat kushte, kur një vend i tillë
ekziston dhe kur nëpunësi e pranon atë.
2. Kur një vend i tillë nuk ekziston, nëpunësi emërohet në
të njëjtin vend pune ku ishte në provë.
Në çdo kohë, gjatë periudhës së provës, këshilli emërues
mund të bëjë vlerësime për realizimin e detyrave nga ana e
nëpunësit në provë. Në rast se këshilli emërues është i mendimit
se nëpunësi në provë ka dhënë prova të mjaftueshme për aftësitë
e tij profesionale ose është i mendimit se ai nuk i realizon
detyrat në mënyrë të kënaqshme dhe nuk është i aftë për të kryer
detyrën, atëherë ai mund të vendosë përfundimin e periudhës së
provës para afatit njëvjeçar. Këshilli emërues mund të zgjasë
periudhën e provës edhe pas mbarimit të afatit një-vjeçar, për
një periudhë jo më shumë se gjashtë muaj, në qoftë se është i
mendimit se nëpunësi nuk ka dhënë prova të mjaftueshme për
aftësitë e tij profesionale, duke përcaktuar edhe kërkesat
specifike që duhet të plotësojë nëpunësi.

Neni 28

Karriera e nëpunësve civilë

Ngritja në detyrë e nëpunësve civilë, në detyra që i
përkasin shkallëve të karrierës të të njëjtit nivel, dhe ngritja
në detyrë në nivele më të larta të karrierës formojnë karrierën
e nëpunësve civilë.
Zhvillimi i karrierës dhe ngritja në detyrë e nëpunësve
civilë bëhet në përgjithësi sipas sistemit të karrierës, dhe në
raste të veçanta sipas sistemit të posteve në përputhje me
rregullat e miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Shkallët e karrierës për secilin nivel, nivelet e karrierës,
kushtet, kriteret dhe afatet për zhvillimin e karrierës, kërkesat
për kualifikimin dhe procedurat përkatëse përcaktohen nga
Këshilli i Ministrave.
Vendimet për karrierën e nëpunësve civilë merren nga
komisioni i shërbimit civil në bashkëveprim me këshillat emërues,
mbi bazën e dosjeve të personelit.

Neni 29

Dosja e personelit

Dosja e personelit është përmbledhje dokumentesh individuale
për çdo nëpunës, në të cilën futen të dhëna të karakterit teknik
e administrativ, si dhe informacione për vlerësimin periodik të
punës së çdo nëpunësi civil. Forma, standardet dhe rregullat për
mënyrën e mbajtjes dhe administrimit të dosjes së personelit
miratohen nga Këshilli i Ministrave.
Me miratimin e Departamentit të Administratës Publike,
organet dhe institucionet e veçanta mund t'i shtojnë dosjes së
personelit elemente të veçanta, sipas nevojave specifike të tyre.
Dosja e personelit mbahet në drejtorinë e personelit dhe të
organizimit të organeve dhe institucioneve përkatëse.
Dosja e personelit mund t'u jepet vetëm:
1. Nëpunësit, të cilit i përket dosja.
2. Nëpunësve të drejtorive të personelit e të organizimit që
merren me mbajtjen dhe sistemimin e dosjeve të personelit.
3. Personave të ngarkuar për të bërë vlerësimin e nëpunësit.
4. Komisionit të shërbimit civil, në rastet kur një gjë e tillë
është e nevojshme për kryerjen e detyrave të tij.
5. Këshillit emërues, në rastet kur një gjë e tillë është e
nevojshme për kryerjen e detyrave të tij.
Informacionet e dosjes së personelit nuk mund t'i jepen
asnjë personi tjetër, përveç personave të përmendur më sipër.
Personat e përmendur në pikat 2, 3, 4 dhe 5 të këtij paragrafi
mbajnë përgjegjësi për ruajtjen e fshehtësisë së informacionit
që ndodhet në dosjen e personelit.
Nëpunësi, të cilit i përket dosja, ka të drejtë të mbajë
qëndrim me shkrim për çdo informacion ose vlerësim që ndodhet në
dosjen e tij. Këto shkresa futen në këtë dosje.

Neni 30

Lirimi i përkohshëm nga detyra dhe qarkullimi

Për nevojat e organeve dhe institucioneve publike, nëpunësit
civilë mund të lirohen përkohësisht nga detyra ose të
qarkullojnë, në rastet e mëposhtme:
1. Kur numri i nëpunësve civilë në një organ a institucion
të caktuar është më i madh se numri i nëpunësve të nevojshëm për
realizimin e detyrave dhe ky numër duhet të zvogëlohet, atëherë
Këshilli i Ministrave merr vendim për numrin e nëpunësve civilë
që do të shkurtohen dhe për sistemimin e tyre në organe a
institucione të tjera. Në qoftë se në shërbimin civil nuk ka
vende të lira, nëpunësit e shkurtuar mbeten në pritje, por zënë
me përparësi vendet ekuivalente që ngelen bosh në shërbimin
civil. Për periudhën e lirimit të përkohshëm nga detyra, këta
nëpunës paguhen në masën që caktohet nga sistemi i pagave në
shërbimin civil për këtë kategori nëpunësish.
2. Kur në një organ a institucion lind një nevojë e
domosdoshme dhe urgjente për kryerjen e një detyre të caktuar,
e cila mund të realizohet nga një ose disa nëpunës civilë të
organeve a institucioneve të tjera, atëherë këshilli emërues i
organit a institucionit përkatës i kërkon komisionit të
shërbimit civil që t'i vërë në dispozicion nëpunësit e nevojshëm
për kryerjen e detyrës. Në kërkesë duhet të përshkruhet rëndësia
dhe urgjenca e detyrës, emrat e nëpunësve civilë që mund ta
kryejnë atë, ose kërkesat e nevojshme për aftësitë profesionale.
Komisioni, në bashkëpunim me organet a institucionet e
interesuara, merr masat për plotësimin e kërkesës.
3. Kur nëpunësi civil kërkon vetë të qarkullojë ose kur ai
është dakort me propozimin për qarkullimin, atëherë është i
mjaftueshëm miratimi i organit a institucionit ku ai punon dhe
i organit a institucionit në të cilin ai do të punojë.
Qarkullimi i nëpunësve bëhet në detyra të barasvlershme me
detyrat që ata ushtrojnë, me përjashtim të rasteve kur nëpunësit
pranojnë të shkojnë në një detyrë më të ulët. Në rast se nëpunësi
merr pagën e detyrës së re, atij i njihet shkalla e kualifikimit
të tij më të lartë dhe nëpunësi gëzon me përparësi të drejtën për
të punuar në një detyrë tjetër që i përgjigjet shkallës së tij
të kualifikimit.

Neni 31

Procedurat e largimit nga puna

Kur këshilli emërues, për një nga arsyet e përmendura në
këtë ligj, propozon largimin nga puna të nëpunësit civil, atëherë
ky i fundit ka të drejtë të ankohet pranë komisionit të shërbimit
civil, i cili i kërkon këshillit emërues informacion për arsyet
për largimin nga puna të nëpunësit. Pasi shqyrton çështjen,
komisioni merr vendimin përkatës. Në rast se komisioni vendos për
lënien në fuqi të emërimit, atëherë:
1. Nëpunësi emërohet në një vend tjetër pune, në një detyrë
të të njëjtit nivel e në të njëjta kushte, kur një vend i tillë
ekziston dhe kur nëpunësi e pranon atë.
2. Kur një vend i tillë nuk ekziston, nëpunësi mbetet në të
njëjtin vend pune.
Kur propozimi për largimin nga puna bëhet për paaftësi të
nëpunësit për të kryer detyrat në shërbimin civil dhe këshilli
emërues nuk e ka vënë në dijeni nëpunësin, gjatë kohës së
ushtrimit të detyrës, për mangësitë e vërejtura në punën e tij
e nuk i ka dhënë mundësi që të përmirësojë rezultatet e punës së
tij, duke përfshirë edhe asistencën e trajnimin që i takon të
marrë, atëherë komisioni mund të vendosë që nëpunësi të vazhdojë
punën në detyrën e tij, duke i krijuar të gjitha mundësitë që i
takojnë për përmirësimin e rezultateve të punës.
Kur komisioni është i mendimit se nëpunësi, për të cilin
propozohet largimi nga puna për paaftësi për të kryer detyrat në
shërbimin civil, mund të kryejë detyra të një shkalle më të ulët,
atëherë ai mund të vendosë që nëpunësi të punojë në një detyrë
më të ulët, në përputhje me aftësitë e tij. Në rast se për këto
detyra nuk ka vende bosh, atëherë ai mbetet në pritje sipas
kushteve të pikës 1 të nenit 30 dhe gëzon përparësi për t'u
emëruar, në raport me kandidatët e zgjedhur me konkurs, për të
punuar në shërbimin civil në detyrat në fjalë.
Kur propozimi për largimin nga puna bëhet për paaftësi në
kryerjen e detyrave dhe nëpunësi pretendon ose këshilli emërues
është i mendimit se paaftësia për kryerjen e detyrave rrjedh nga
një arsye shëndetësore, të cilat e pengojnë nëpunësin për të
kryer detyrat në shërbimin civil, atëherë këshilli emërues duhet
t'i kërkojë paraprakisht nëpunësit që të paraqesë një dokument
të ekzaminimit mjekësor nga mjeku specialist. Nëse nëpunësi nuk
pranon të kryejë ekzaminimin mjekësor, atëherë ai mund të
pezullohet nga detyra, derisa të kryejë ekzaminimin mjekësor dhe
nuk i jepet pagë për periudhën e pezullimit.
Pas marrjes së raportit të ekzaminimit mjekësor, me të cilin
vërtetohet ekzistenca e arsyeve shëndetësore që e pengojnë
nëpunësin të kryejë detyrat në shërbimin civil, atëherë këshilli
emërues vendos:
1. të pezullojë nëpunësin deri në përmirësimin e gjendjes
shëndetësore, kur problemi shëndetësor është i përkohshëm.
2. të propozojë largimin nga puna të nëpunësit, kur problemi
shëndetësor është i përhershëm.
Në këto raste shpërblimi i nëpunësit bëhet në bazë të
dispozitave juridike përkatëse.
Këshilli emërues duhet të njoftojë nëpunësin për përfundimet
që ka nxjerrë nga rezultatet e ekzaminimit mjekësor dhe t'i
krijojë mundësinë nëpunësit që të kërkojë një ekzaminim të dytë.
Ai është i detyruar ta rishqyrtojë çështjen edhe një herë pas
ekzaminimit të dytë.
Këshilli i Ministrave mund të caktojë një a më shumë grupe
mjekësh specialistë për ekzaminimin e rasteve të mësipërme.

Neni 32

Disiplina e nëpunësve civilë

1. Shkeljet disiplinore.
Shkeljet disiplinore janë:
a) Moskryerja e detyrave pa shkaqe të pranueshme dhe sjellja e
keqe gjatë kohës së kryerjes së detyrave.
b) Dëmtimi pa shkaqe të pranueshme i pronës së shtetit ose
krijimi i rrezikut për një dëmtim të tillë.
c) Një veprim i kryer pa shkaqe të pranueshme, i cili është në
konflikt me rregullat e etikës së shërbimit civil ose që
diskrediton një nëpunës civil ose institucion apo shërbim civil,
pavarësisht nëse kryhet brenda ose jashtë zyrës.
2. Masat disiplinore.
Llojet e masave disiplinore janë:
a) vërejtja paralajmëruese;
b) gjobë që nuk e kalon rrogën e dhjetë ditëve të punës së
nëpunësit civil;
c) pezullim nga puna për jo më shumë se dhjetë ditë dhe mospagim
i rrogës për dyfishin e ditëve të pezullimit;
d) ulja e nivelit të pagës deri në tre nivele më poshtë për jo
më shumë se një vit;
e) largimi nga puna i nëpunësve civilë dhe heqja e së drejtës për
të punuar në shërbimin civil. Kjo masë shoqërohet me humbjen e
statusit të nëpunësit civil dhe të drejtave që burojnë prej tij.
Për një shkelje disiplinore mund të jepet vetëm një masë
disiplinore.
3. Dhënësi i masave disiplinore.
Dhënia e masave disiplinore ndaj nëpunësve civilë është
përgjegjësi e po atyre autoriteteve që përgjigjen për zgjidhjen
dhe emërimin e tyre sipas rregullave të përcaktuara nga ky ligj
dhe procedurave të hartuara nga Këshilli i Ministrave në zbatim
të tyre.
Kur titullari i institucionit e delegon kompetencën për të
vendosur nëse ka ndodhur ose jo një shkelje disiplinore, ai nuk
duhet të marrë pjesë në procesin e marrjes së këtij vendimi.
4. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore
për disiplinën në shërbimin civil, të cilat duhet të përmbajnë
detaje për:
a) shkeljet disiplinore;
b) llojet e masave disiplinore;
c) raportin e masave disiplinore me detyra e nëpunësve të
përcaktuara nga ky ligj dhe nga Etika e Shërbimit Civil;
d) rregullat proceduriale për dhënien e masave disiplinore;
e) garancitë proceduriale për t'u mbrojtur nga masat e padrejta
disiplinore, përfshirë edhe asistencën juridike;
f) organet që japin masa disiplinore;
g) pasojat juridike e financiare të masave disiplinore;
h) afatet e shlyerjes së masave disiplinore.
Masat disiplinore shënohen në dosjen personale të nëpunësit.
Afatet e ruajtjes së evidentimit të masës disiplinore në dosjen
e personelit përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 33

Të drejta të veçanta

Nëpunësi civil gëzon edhe këto të drejta të veçanta:
1. Të drejtën për të pasur një punë të garantuar në
shërbimin civil, deri me daljen në pension, sipas kushteve dhe
kërkesave të këtij ligji.
2. Të drejtën për të përparuar në karrierë, në përputhje me
dispozitat juridike përkatëse.
3. Të drejtën për të marrë, me shpenzimet e shtetit,
trainimin e nevojshëm, të parashikuar për zhvillimin e karrierës
së tij dhe të drejtën për të marrë leje studimesh.
4. Të drejtën për të mos qarkulluar pa pëlqimin e tij, me
përjashtim të rasteve të përcaktuara në këtë ligj, kur ky
qarkullim është i domosdoshëm për nevojat e funksionimit e të
ristrukturimit të shërbimit civil.
5. Të drejtën për të shprehur lirisht pikëpamjet e tij rreth
çdo problemi që lidhet me detyrat e tij, në mënyrën dhe sipas
procedurave me karakter të përgjithshëm, të përcaktuara në
rregulloret përkatëse të funksionimit të organeve a
institucioneve.
6. Të drejtën për t'u anëtarësuar në parti a organizata me
karakter politik, me përjashtim të rasteve kur: kjo gjë është e
ndaluar me ligj, është në kundërshtim me detyrën e tyre ose i
pengon ata në ushtrimin e saj. Nuk lejohet punësimi në zyrat e
partive ose organizatave me karakter politik.
7. Të drejtën për t'u anëtarësuar në një sindikatë a shoqatë
profesionale dhe të drejtën për të formuar sindikata a shoqata
profesionale duke përfshirë edhe ato që krijohen për negocimin
e kontratave kolektive. Veprimtaria e tyre ushtrohet në përputhje
me rregullat e vendosura nga Këshilli i Ministrave në interes të
funksionimit të rregullt të shërbimit civil. Ato mund të mbrojnë
edhe interesat e individëve të veçantë.
8. Të drejtën për të marrë shpërblime suplementare gjatë
kohës së shërbimit, në rastet e mëposhtme:
a) Kur punohet në zona të vështira ose në kushte të
vështira.
b) Për udhëtime pune.
c) Për kushte të vështira strehimi.
ç) Për punë jashtë orarit.
d) Për rezultate shumë të mira pune.
Këshilli i Ministrave përcakton kriteret dhe masën e këtyre
shpërblimeve.
9. Të drejtën për të marrë shtesa pensionesh sipas ligjeve
dhe akteve nënligjore të veçanta.

Neni 34

Mbrojtja e të drejtave

Kur nëpunësit civil i mohohen ose i shkelen të drejtat që
i garantohen me këtë ligj, atëherë ai ankohet me shkrim në
këshillin emërues, i cili pasi shqyrton problemin, njofton
nëpunësin me shkrim për vendimin e tij dhe për masat për
vendosjen në vend të të drejtave të nëpunësit, në rast se ai
gjykon se nëpunësit i janë shkelur të drejtat.
Nëpunësi civil mund të ankohet në komisionin e shërbimit
civil kur:
1. E konsideron të padrejtë vendimin e këshillit emërues.
2. Masat e vendosura nga këshilli emërues për rivendosjen
në vend të së drejtës, i quan të pamjaftueshme.
Vendimi i komisionit të shërbimit civil është i detyrueshëm
për këshillin emërues. Nëpunësi civil mund të ankohet në Gjykatë
ndaj vendimit të komisionit, brenda dhjetë ditëve nga data e
marrjes së njoftimit me shkrim.

Neni 35

E drejta e grevës

Nëpunësit civilë nuk kanë të drejtë të bëjnë grevë.

Neni 36

Pjesëmarrja e nëpunësve të shërbimit civil në procesin e
vendim-marrjes

Nëpunësit civilë kanë të drejtë të marrin pjesë në procesin
e marrjes së vendimeve në rastet kur këto vendime kanë të bëjnë
me probleme të personelit, si: kushtet e punës, detyrat dhe të
drejtat e nëpunësve civilë, problemet e rekrutimit dhe zhvillimit
të karrierës, të pagave etj.
Pjesëmarrja e nëpunësve civilë në këtë proces realizohet
nëpërmjet sindikatave, shoqatave profesionale ose nga përfaqësues
të zgjedhur të tyre.

KREU IV

Dispozita të fundit dhe kalimtare

Neni 37

Kontrolli i kostos së shërbimit civil

Këshilli i Ministrave kontrollon koston e shërbimit civil
dhe bën harmonizimin e saj me numrin e përgjithshëm të nëpunësve
civilë, aftësitë paguese të buxhetit të shtetit, garantimin e
funksionimit optimal të shërbimit civil, garantimin e të drejtave
të nëpunësve civilë në përputhje me mundësitë financiare të
buxhetit të shtetit. Këshilli i Ministrave vendos rregulla për
procedurat e veçanta që lehtësojnë kontrollin mbi numrin e
nëpunësve civilë, koston dhe efektivin e shërbimit civil dhe i
raporton Kuvendit Popullor një herë në vit për këto probleme.

Neni 38

Kontrolli dhe rregullimi i shërbimit civil

Në zbatim të dispozitave të këtij ligji, Këshilli i
Ministrave formon një grup pune ndërinstitucional për krijimin
dhe zbatimin e "sistemit të menaxhimit të shërbimit civil", i
cili përfshin të gjitha masat për kontrollin dhe rregullimin e
shërbimit civil, si dhe për hartimin e akteve nënligjore në bazë
e për zbatim të këtij ligji.

Neni 39

Trainimi

Sistemi i trainimit të nëpunësve civilë dhe lidhja e tij me
zhvillimin e karrierës dhe ngritjes në detyrë, kushtet e
trainimit dhe kriteret e futjes në të vendosen nga Këshilli i
Ministrave.
Këshilli i Ministrave merr masa që trainimi të planifikohet,
të organizohet sistematikisht dhe të mbulojë gjithë shërbimin
civil.
Këshilli i Ministrave të marrë masa për mbulimin financiar
të kostos së trainimit.
Neni 40

Masat për periudhën tranzistore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të marrë masat e nevojshme
për përshtatjen e këtij ligji me praktikën e deritanishme në
veprimtarinë e administratës publike, të hartojë një program me
afatet kohore për zbatimin e dispozitave të veçanta të këtij
ligji, ku të përcaktohen edhe afatet kohore për nxjerrjen e
akteve nënligjore.
Mosmarrëveshjet që lindin para fillimit të veprimit të këtij
ligji midis nëpunësve, mbi të cilët shtrihen efektet e këtij
ligji, dhe organeve a institucioneve, në të cilat ata punojnë,
do të rregullohen në bazë të legjislacionit ekzistues, me
përjashtim të rasteve kur ligji për shërbimin civil në Republikën
e Shqipërisë është më i favorshëm për nëpunësin civil.

Neni 41

Çdo dispozitë juridike që vjen në kundërshtim me këtë ligj
shfuqizohet.

Neni 42

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.1445, datë 5.4.1996 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 0 603210024





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

as
spitaliamerikan