marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 9584
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 17.07.2006
Data e aprovimit te Aktit: 17.07.2006
Numri i neneve: 21
Numri i fletores zyrtare: 84
Data e fletores zyrtare: 09.08.2006
Aktiviteti: Pagë
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Dispozita të përgjithshme.
Amendamente
1 Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë
2 Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë
3 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9584, datë 17.7.2006 "Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj"
Akte te ngjashem
1 Per deklarimin dhe kontrollin e pasurive, te detyrimeve financiare te te zgjedhurve dhe te disa nepunesve publike.
2 Per sektorin e energjise elektrike.
3 Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë
4 Për Telekomunikacionet në Republikën e Shqipërisë.
5 PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS, ORGANIKËS DHE KATEGORIZIMIT TË POZICIONEVE TË PUNËS TË ZYRËS SË KOMISIONERIT PËR MBROJTJEN NGA DISKRIMINIMI
6 Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujrave të ndotura.
7 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9584, datë 17.7.2006 "Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj"
8 Per mbrojtjen e konkurrences.
9 PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS, ORGANIKËS DHE KATEGORIZIMIT TË POZICIONEVE TË PUNËS TË INSPEKTORATIT TË LARTË TË DEKLARIMIT DHE KONTROLLIT TË PASURIVE
10 PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.901, DATË 19.12.2007 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, NËPUNËSVE TË KABINETEVE DHE PUNONJËSVE MBËSHTETËS, NË ADMINISTRATËN E DISA INSTITUCI
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:L I G J
Nr. 9584, datë 17.7.2006

PËR PAGAT, SHPËRBLIMET DHE STRUKTURAT E INSTITUCIONEVE TË PAVARURA KUSHTETUESE DHE TË INSTITUCIONEVE TË TJERA TË PAVARURA, TË KRIJUARA ME LIGJ

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

1. Qëllimi i këtij ligji është rregullimi i mënyrës së përcaktimit të pagave, shpërblimeve dhe strukturave e organikave të institucioneve kushtetuese e të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, si dhe përcaktimi i rregullave për pagat dhe strukturat për disa institucione të tjera të pavarura dhe disa funksione të larta shtetërore.
2. Dispozitat e krerëve III, IV, V dhe VI të këtij ligji janë të zbatueshme edhe për Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
3. Pagat e punonjësve të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, që nuk rregullohen në këtë ligj, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji organik për krijimin e tyre.

Neni 2

Në kuptim të këtij ligji:
1. "Institucione kushtetuese dhe institucione të tjera të pavarura, të krijuara me ligj" janë: Institucioni i Presidentit, Kuvendi, Avokati i Popullit, Gjykata Kushtetuese, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisioni i Shërbimit Civil, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Autoriteti i Konkurrencës, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Enti Rregullator i Telekomunikacionit, Enti Rregullator i Energjisë, Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit.
2. "Funksionarë të lartë" janë titullarët e institucioneve që bëjnë pjesë në fushën e veprimit të këtij ligji, të cilët mund të jenë funksionarë politikë ose të tjerë të emëruar, anëtarët e organeve drejtuese të tipit kolegjial të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, si dhe funksione të përmendura shprehimisht në ligjet përkatëse.
3. "Funksionarë të kabineteve ndihmëse" janë: drejtor kabineti, këshilltar, ndihmës, zëdhënës, sekretarë.
4. "Punonjës mbështetës" janë punonjësit, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen me Kodin e Punës dhe që kryejnë detyra të karakterit mbështetës, si sekretarë, përveç sekretarëve të funksionarëve politikë dhe funksionarëve të lartë të shtetit, operatorë, teknikë të mesëm të specialiteteve të ndryshme, punonjës pastrimi, nëpunës informacioni, roje, shoferë etj.

Neni 3

1. Paga më e lartë në institucionet e administratës publike, buxhetore dhe jobuxhetore, në Republikën e Shqipërisë është paga e Presidentit të Republikës.
2. Paga e Presidentit të Republikës përcaktohet çdo vit në ligjin vjetor të Buxhetit të Shtetit, sipas propozimit të Këshillit të Ministrave.

KREU II
PAGAT DHE SHPËRBLIMET E FUNKSIONARËVE TË LARTË

Neni 4

Pagat e funksionarëve të lartë shtetërorë të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, mandati i të cilëve është me kohë të plotë, përcaktohen në raport me pagën e Presidentit të Republikës, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 5

1. Anëtarët e organeve drejtuese (këshilla, ente, komisione), të tipit kolegjial, të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, të cilët nuk e ushtrojnë mandatin me kohë të plotë dhe nuk përmenden në lidhjen nr.1, shpërblehen në masën 20 për qind të pagës së kryetarit të organit kolegjial me kohë të plotë.
2. Në rastin kur edhe kryetari i organit drejtues është me kohë të pjesshme, atëherë shpërblimi i tij, si dhe shpërblimi i anëtarëve të organit drejtues janë përkatësisht në masën 30 për qind dhe 20 për qind të pagës së drejtuesit ekzekutiv të institucionit.
3. Shpërblimi i parashikuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni përfitohet çdo muaj, me kusht pjesëmarrjen në mbledhjet e organit kolegjial, jo më pak se një herë në muaj, si dhe për çdo mbledhje të organit kolegjial, me kusht pjesëmarrjen në mbledhje, në rastin kur ky organ mblidhet më rrallë se një herë në muaj.
4. Kryetarët, anëtarët, drejtuesit ekzekutivë dhe punonjësit e tjerë të institucionit, të punësuar me kohë të plotë, nuk përfitojnë shpërblimin e parashikuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, për pjesëmarrje në mbledhjet e organit kolegjial.

Neni 6

Funksionarët e lartë shtetërorë të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme, nuk përfitojnë shtesa mbi pagë për punë jashtë orarit zyrtar të miratuar.

KREU III
PAGAT PËR FUNKSIONARËT E KABINETEVE NDIHMËSE

Neni 7

1. Pagat e funksionarëve të kabineteve ndihmëse të Presidentit dhe të Kryetarit të Kuvendit janë të njëjta me pagat e funksionarëve të kabinetit ndihmës të Kryeministrit dhe përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
2. Pagat e funksionarëve të kabineteve ndihmëse të titullarëve të tjerë të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, janë të njëjta me pagat e funksionarëve të kabineteve ndihmëse të ministrave dhe përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 8

Funksionarët e kabineteve ndihmëse nuk përfitojnë shtesa mbi paga për punë jashtë orarit zyrtar.

KREU IV
PAGAT DHE SHPËRBLIMET E NËPUNËSVE CIVILË

Neni 9

1. Pagat dhe shpërblimet e nëpunësve civilë/nëpunësve të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, nga niveli sekretar i përgjithshëm deri në specialist, janë të njëjta me pagat dhe shpërblimet e nëpunësve civilë në ministritë e linjës, sipas përcaktimit të Këshillit të Ministrave, me përjashtim të pagës për sekretarët e përgjithshëm pranë Presidentit të Republikës dhe Kuvendit, të cilat janë të njëjta me pagën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.
2. Kategorizimi i pozicioneve të punës përgjegjës/shef sektori dhe specialist në këto institucione bëhet me vendim të Kuvendit, në kuadër të miratimit të strukturës dhe të organikës së çdo institucioni, me mbështetjen e Ministrisë së Financave dhe të Departamentit të Administratës Publike.
3. Përcaktimi i barasvlefshmërisë për funksionet jotipike në këto institucione miratohet nga Këshilli i Ministrave.

KREU V
STRUKTURA DHE ORGANIKA

Neni 10

1. Struktura dhe organika e institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, miratohen me vendim të Kuvendit, në bazë të numrit të miratuar në zbatim të ligjit vjetor të Buxhetit të Shtetit, për secilin institucion.
2. Kabinetet ndihmëse nuk mund të kenë më shumë se dy funksionarë të brendshëm dhe një sekretar, me përjashtim të kabinetit të Presidentit dhe të Kuvendit. Këshilltarë të jashtëm mund të ketë vetëm Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit.
3. Emërtesat për pozicionet e nëpunësve civilë janë:
a) sekretar i përgjithshëm (për institucionet më të rëndësishme, sipas përcaktimit në strukturë);
b) drejtor i përgjithshëm;
c) drejtor;
ç) përgjegjës/shef sektori;
d) specialist.

KREU VI
PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS

Neni 11

1. Pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
2. Për pagën për punë jashtë orarit zyrtar zbatohet legjislacioni i punës në fuqi.

KREU VII
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 12

1. Paga e Presidentit të Republikës, deri në miratimin e ligjit për buxhetin vjetor, është 238 854 (dyqind e tridhjetë e tetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër) lekë në muaj.
2. Funksionarët e lartë shtetërorë të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, do të vazhdojnë të përfitojnë pagën aktuale, sipas legjislacionit në fuqi, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji e deri në përfundim të mandatit aktual të tyre.
3. Funksionarët e lartë shtetërorë të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, të emëruar apo të zgjedhur pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, përfitojnë pagë sipas dispozitave të këtij ligji.

Neni 13

1. Shpërblimet dhe pagat për Guvernatorin, Zëvendësguvernatorin, Inspektorin e Përgjithshëm, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, si dhe numri i punonjësve në Bankën e Shqipërisë, përcaktohen me ligj nga Kuvendi.
2. Struktura organike, si dhe pagat për punonjësit e tjerë të Bankës së Shqipërisë caktohen sipas ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", të ndryshuar.

Neni 14

Pika 3 e nenit 11 dhe pika 2 e nenit 16 të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003 "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë", shfuqizohen.

Neni 15

Shkronja "b" e nenit 24 të ligjit nr.9121, datë 28.7.2003 "Për mbrojtjen e konkurrencës", shfuqizohet.

Neni 16

Paragrafi i tretë dhe i katërt të nenit 85 të ligjit nr.8618, datë 14.6.2000 "Për telekomunikacionet në Republikën e Shqipërisë", shfuqizohen.

Neni 17

Pika 2 e nenit 11 të ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003 "Për sektorin e energjisë elektrike", shfuqizohet.

Neni 18

Në ligjin nr. 8102, datë 28.3.1996 "Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura", të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Neni 8 shfuqizohet.
2. Pika 1 e nenit 9 ndryshohet si më poshtë:
"1. Komisioni ka të drejta të plota për të zgjedhur, caktuar, ngritur në detyrë, përfshirë edhe të drejtën e heqjes dhe të ricaktimit në detyrë, për të përcaktuar detyrat e punonjësve që përbëjnë stafin profesionist për kryerjen e funksioneve të Entit Rregullator.".

Neni 19

Në ligjin nr. 8410, datë 30.9.1998 "Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 18 të nenit 7 hiqen fjalët "strukturën organizative dhe".
2. Në pikën 18/b të nenit 7 hiqet shprehja "Miraton strukturën organike dhe numrin e punonjësve të administratës së KKRT-së, si dhe".
3. Në nenin 8 hiqet fjalia "Paga e Kryetarit, Zëvendëskryetarit, si dhe masa e shpërblimit mujor për 3 anëtarët e Këshillit përcaktohen nga Kuvendi".
4. Neni 10 ndryshohet si më poshtë:

"Neni 10

Pranë Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit vepron administrata e Këshillit, e cila realizon të gjithë veprimtarinë e nevojshme, përgatitore e administrative. Kriteret e punësimit të nëpunësve përcaktohen nga KKRT-ja.
Sigurimet shoqërore, pensionet suplementare, si dhe privilegjet e tjera ligjore në fuqi për institucionet e të njëjtit nivel zbatohen edhe për administratën e KKRT-së.
Funksionimi i brendshëm i KKRT-së, procedurat e vendimmarrjes dhe zbatimi i tyre, të hartuara sipas dispozitave në fuqi, propozohen nga Kryetari dhe miratohen nga Këshilli.".

Neni 20

Të gjitha dispozitat, që bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 21

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5004, datë 4.8.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu


Lidhja Nr.1

Raportet e pagave
A
Nr. Funksioni Raporti
1 Kryetari i Kuvendit 0,89
2 Kryeministri 0,89
3 Kryetari i Gjykatës Kushtetuese 0,89

B
Nr. Funksioni Raporti
1 Zëvendëskryetari i Kuvendit 0,73
2 Zëvendëskryeministri 0,73
3 Avokati i Popullit 0,73
4 Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit 0,73
5 Kryetari/Zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 0,73
6 Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese 0,73

C
Nr. Funksioni Raporti
1 Ministri 0,68
2 Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive 0,68
3 Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë 0,68
4 Deputeti 0,61

D
Nr. Funksioni Raporti
1 Kryetari i Komisionit të Shërbimit Civil 0,6
2 Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare 0,6
3 Kryetari i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës 0,6
4 Kryetari i Entit Rregullator të Telekomunikacionit 0,6
5 Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë 0,6
6 Kryetari i Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura 0,6
7 Kryetari i Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit 0,6
8 Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 0,6

E
Nr. Funksioni Raporti
1 Anëtari i Komisionit të Shërbimit Civil 0,55
2 Komisionarët e Avokatit të Popullit 0,55
3 Anëtarët e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare 0,55

F
Nr. Funksioni Raporti
1 Zëvendëskryetari i Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit 0,45
2 Anëtari i Entit Rregullator të Energjisë 0,45
3 Anëtari i Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura 0,45
4 Anëtarët e Entit Rregullator të Telekomunikacionit 0,45
5 Anëtarët e Komisionit të Konkurrencës 0,45


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0
PAGA
 1.456 607170009





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


acdurres

spitaliamerikan