marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për certifikatat elektronike të gjendjes gjyqësore
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 9614
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 21.09.2006
Data e aprovimit te Aktit: 21.09.2006
Numri i neneve: 12
Numri i fletores zyrtare: 110
Data e fletores zyrtare: 16.10.2006
Aktiviteti: Regjistri themeltar
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave për administrimin e regjistrit të gjendjes gjyqësore nëpërmjet rrugës elektronike.
Akte te ngjashem
1 PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.824, DATË 6.12.2006 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE "PËR MIRATIMIN E INSTITUCIONEVE TË AUTORIZUARA PËR VERIFIKIMIN, NË MËNYRË ELEKTRONIKE, TË GJENDJES GJYQËSORE, SI DHE TË FORMULARIT TË VETËDEKLARIMIT", TË NDRYSHUAR
2 PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.824, DATË 6.12.2006 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E INSTITUCIONEVE TË AUTORIZUARA PËR VERIFIKIMIN NË MËNYRË ELEKTRONIKE TË GJENDJES GJYQËSORE, SI DHE TË FORMULARIT TË VETËDEKLARIMIT, TË NDRYSHUAR
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:LIGJ
Nr. 9614, datë 21.9.2006

PËR CERTIFIKATAT ELEKTRONIKE TË GJENDJES GJYQËSORE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1
Objekti

Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave për administrimin e regjistrit të gjendjes gjyqësore nëpërmjet rrugës elektronike.

Neni 2
Përkufizime

Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
1. "Regjistër i gjendjes gjyqësore" është regjistri shkresor i gjendjes gjyqësore, regjistri themeltar elektronik i gjendjes gjyqësore dhe regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore.
2. "Regjistër shkresor i gjendjes gjyqësore" është hedhja e të dhënave me shkrim në regjistër, sipas përcaktimeve të neneve 481 e në vazhdim të kreut III të Kodit të Procedurës Penale e që në vijim do të quhet "regjistri shkresor".
3. "Regjistër themeltar elektronik i gjendjes gjyqësore" është banka elektronike e të dhënave për dënimet penale dhe rehabilitimin, të nxjerra në bazë të vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave shqiptare, për shtetas shqiptarë, të huaj apo pa shtetësi, ku përpunohen të dhënat në mënyrë automatike dhe shkresore, duke garantuar ruajtjen, përpunimin dhe mosndërhyrjen në këtë sistem pa autorizimin përkatës. Regjistri i mësipërm nuk është on-line dhe në vijim do të quhet "regjistri themeltar elektronik".
4. "Regjistër elektronik i gjendjes gjyqësore" është banka elektronike e të dhënave vetëm për faktin nëse personi është ose jo i dënuar. Këto të dhëna nxirren nga regjistri themeltar elektronik vetëm me ndërhyrjen e personit të autorizuar nga titullari i Zyrës. Ky regjistër në vijim do të quhet "regjistri elektronik".
5. "Përpunim automatik i të dhënave" përfshin operacionet e hedhjes së të dhënave në regjistrin themeltar elektronik vetëm nga punonjësi i autorizuar, duke garantuar ruajtjen e të dhënave, kryerjen e veprimeve logjike dhe/ose aritmetike mbi këto të dhëna, marrjen e tyre nga institucionet përkatëse, gjykata e prokuroria dhe kalimin e këtyre të dhënave në regjistrin elektronik.
6. "Certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore" është vërtetimi i përftuar në rrugë elektronike nga regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore, që vërteton se personi nuk është dënuar penalisht nga gjykatat shqiptare dhe në vijim do të quhet "certifikatë elektronike".
7. "Certifikatë shkresore e gjendjes gjyqësore" është dokumenti i lëshuar nga "regjistri themeltar elektronik", në mënyrë të shkruar, prej titullarit të Zyrës së Gjendjes Gjyqësore dhe që në vijim do të quhet "certifikatë shkresore".
8. "Vetëdeklarim i personit" është deklarimi që bën personi përpara institucionit publik ose privat, shqiptar ose të huaj, për faktin nëse është apo jo i dënuar, i shoqëruar me autorizim me shkrim dhe me dokument identifikimi, për të lejuar institucionin të bëjë verifikimet e nevojshme.
9. "Formular i vetëdeklarimit" është formulari i hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, i cili përmban vetëdeklarimin, si dhe të dhënat e nevojshme për identifikimin e personit vetëdeklarues dhe që u shpërndahet institucioneve të autorizuara nga Këshilli i Ministrave.

Neni 3
Zyra e Gjendjes Gjyqësore

1. Zyra e Gjendjes Gjyqësore funksionon në Ministrinë e Drejtësisë. Organizimi dhe struktura e saj miratohen nga Ministri i Drejtësisë.
2. Zyra e Gjendjes Gjyqësore mban dhe përpunon të dhënat në regjistrin themeltar elektronik të gjendjes gjyqësore, në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore, si dhe në regjistrin shkresor të gjendjes gjyqësore.

Neni 4
Përpunimi i të dhënave dhe mbrojtja e tyre

1. Përpunimi automatik i të dhënave në regjistrin themeltar elektronik dhe në regjistrin elektronik bëhet vetëm nga personi i autorizuar nga titullari i Zyrës së Gjendjes Gjyqësore.
2. Hedhja e të dhënave, ruajtja e tyre, kryerja e veprimeve logjike mbi këto të dhëna, mbrojtja nga ndryshimet, marrja dhe shpërndarja e tyre bëhen nëpërmjet niveleve të sigurisë, të përcaktuara nga një subjekt i licencuar në këtë fushë dhe nëpërmjet kodeve hyrëse, që administrohen vetëm nga titullari i Zyrës.
3. Shënimet dhe heqja e tyre në/nga regjistrat e gjendjes gjyqësore bëhen sipas përcaktimeve të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
4. Titullarit të Zyrës i ndalohet t'u japë të dhënave të tretëve për nivelin e sigurisë.

Neni 5
Administrimi i regjistrit elektronik

1. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore administrohet nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore.
2. Regjistri elektronik jep të dhëna vetëm për faktin nëse personi nuk është i dënuar. Ky regjistër nuk përmban të dhëna të detajuara për dënimet penale.
3. Titullari merr masat që regjistri elektronik të përditësohet çdo 24 orë.

Neni 6
Certifikatat elektronike

1. Certifikatat elektronike vërtetojnë se shtetasi nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
2. Shtetasit të dënuar me vendim të formës së prerë ose institucionit që kërkon informacion për të, sipas nenit 8 të këtij ligji, nuk i jepet certifikatë elektronike. Ai ka të drejtë të pajiset me certifikatë shkresore.

Neni 7
Vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore

1. Shtetasit e Republikës së Shqipërisë, si dhe shtetasit e huaj ose pa shtetësi lejohen të vërtetojnë gjendjen e tyre gjyqësore nëpërmjet vetëdeklarimit para institucioneve publike ose private, shqiptare apo të huaja, ku kërkohen të dhëna për gjendjen e tyre gjyqësore.
2. Vetëdeklarimi duhet të shoqërohet edhe me një autorizim të nënshkruar nga shtetasi, i cili autorizon këto institucione të verifikojnë gjendjen gjyqësore në regjistrin elektronik.
3. Vetëdeklarimi dhe autorizimi përbëjnë dokumente zyrtare dhe paraqitja në to i të dhënave të rreme dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal.

Neni 8
Shpërndarja e certifikatave elektronike

1. Shpërndarja e certifikatave elektronike të regjistrit elektronik kryhet duke garantuar sigurinë e sistemit, të të dhënave dhe të fshehtësisë së të dhënave personale të shtetasve, nëpërmjet disa niveleve sigurie, sipas nenit 4 të këtij ligji.
2. Me vendim të Këshillit të Ministrave, institucioneve publike ose private, vendase apo të huaja, u jepet kodi i hyrjes dhe e drejta e marrjes së të dhënave në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm nga regjistri elektronik dhe jo nga regjistri themeltar, i cili nuk është on-line, duke garantuar teknikisht pamundësinë e manipulimit të regjistrit elektronik nëpërmjet sistemit elektronik fingerprint.
3. Institucionet publike ose private, vendase apo të huaja, që kanë të drejtën për të pasur akses në sistemin elektronik fingerprint mund të marrin certifikata elektronike në mënyrë të drejtpërdrejtë.
4. Institucionet e tjera, që nuk kanë të drejtë aksesi, sipas pikës 3 të këtij neni, kanë të drejtë të kërkojnë nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore informacionin përkatës me postë elektronike ose të zakonshme, kundrejt plotësimit të kërkesave të neneve të këtij ligji.
5. Titullari i Zyrës verifikon çdo 24 orë nëse marrja e këtyre të dhënave nga subjektet është bërë në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.

Neni 9
Shpërndarja e certifikatave shkresore

1. Certifikatat shkresore përftohen sipas përcaktimeve të nenit 484 të Kodit të Procedurës Penale.
2. Drejtuesit, inspektorët dhe specialistët e Ministrisë së Drejtësisë, për t'u këshilluar me të dhënat e regjistrit shkresor dhe me regjistrat elektronikë, duhet të kenë autorizim periodik ose të posaçëm nga Ministri i Drejtësisë ose nga zyrtari i ngarkuar prej tij. Për punonjësit e Zyrës, autorizimi lëshohet nga titullari i Zyrës së Regjistrit Gjyqësor.



Neni 10
Ndërhyrjet e paligjshme

1. Kur konstatohen ndërhyrje të paligjshme në regjistrin e gjendjes gjyqësore, duhet të njoftohen menjëherë organet kompetente.
2. Ndërhyrja e paligjshme në regjistrin e gjendjes gjyqësore ose në transmetimet kompjuterike dhe përhapja e të dhënave për gjendjen gjyqësore të personave nga punonjësit e autorizuar për përpunimin automatik të të dhënave, përbëjnë vepër penale dhe dënohen sipas dispozitave të Kodit Penal.

Neni 11
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Këshilli i Ministrave, brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcakton subjektet që mund të paraqesin kërkesë për marrjen e certifikatës elektronike pranë Zyrës së Gjendjes Gjyqësore.
2. Ministri i Drejtësisë, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcakton rregullat e hollësishme për marrjen e certifikatave në rrugë elektronike, sipas nenit 8 të këtij ligji.

Neni 12
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5063, datë 4.10.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu




Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0
 1.369 609210004





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


acdurres

spitaliamerikan