marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për auditimin e brendshëm në sektorin publik
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 9720
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 23.04.2007
Data e aprovimit te Aktit: 23.04.2007
Numri i neneve: 30
Numri i fletores zyrtare: 92
Data e fletores zyrtare: 25.07.2007
Aktiviteti: Auditi i brendshem
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Dispozita të përgjithshme.
Amendamente
1 Për Auditimin e Brendshëm në Sektorin Publik.
Akte te ngjashem
1 Për Auditimin e Brendshëm në Sektorin Publik.
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:LIGJ
Nr. 9720, datë 23.4.2007

PËR AUDITIMIN E BRENDSHËM NË SEKTORIN PUBLIK

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj rregullon veprimtarinë e auditimit të brendshëm në sektorin publik, si dhe përcakton fushën e veprimit, objektivat, parimet, organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë.

Neni 2
Fusha e zbatimit të ligjit

Ky ligj zbatohet në të gjitha institucionet e sektorit publik, veprimtaria e të cilave mbështetet në pronën publike (shtetërore) e që, gjatë funksionimit, përdorin fonde nga Buxheti i Shtetit ose nga organizmat ndërkombëtarë apo fonde të përfituara në formë bashkëfinancimi.
Fusha e zbatimit të këtij ligji përfshin të gjitha institucionet e qeverisjes qendrore, organet e pushtetit vendor, institucionet e tjera qendrore dhe vendore, që kryejnë funksione publike, institucionet e pavarura e shoqëritë tregtare apo të çdo forme tjetër, përfshirë ato financiare, ku kapitali shtetëror është mbi 50 për qind.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
"Auditim i brendshëm" është veprimtaria e pavarur që siguron menaxhimin dhe këshillon për veprimtarinë drejtuese, për përdorimin efektiv të fondeve dhe përmirësimin e veprimtarisë së subjekteve të audituara, duke i ndihmuar ato në mënyrë sistematike dhe të programuar për përmirësimin e përdorimit efektiv të fondeve dhe për të vlerësuar riskun, performancën, sistemet e kontrollit dhe ato të drejtimit.
"Auditues i brendshëm", që në vijim do të quhet "auditues", është profesionisti i kualifikuar sipas kërkesave të përcaktuara në këtë ligj.
"Kontroll i brendshëm" është procesi i përcaktimit të politikave, i funksionimit, procedurave dhe të organizimit të punës, për të ndihmuar dhe siguruar drejtimin, që programet të arrijnë rezultatet e synuara, duke përdorur burimet dhe asetet, pronë publike, në përputhje me qëllimet dhe objektivat, që ato të jenë të mbrojtura nga shpenzimet e pajustifikuara, nga keqadministrimet dhe abuzimet e që, për vendimmarrjen, përftohen, raportohen, përdoren e administrohen të dhëna të besueshme dhe bashkëkohore.
"Subjekte të audituara" janë subjektet e përmendura në paragrafin e dytë të nenit 2 të këtij ligji.
"Kursim" është përdorimi me masë i burimeve të veprimtarisë, duke ruajtur cilësinë.
"Dobi" është lidhja ndërmjet rezultatit të shprehur në mallra, shërbimeve ose prodhimeve të tjera dhe burimeve të përdorura për t'i siguruar ato.
"Frytshmëri" është niveli i realizimit të objektivave dhe raporti i rezultatit të pritur me rezultatin faktik të veprimtarisë.

Neni 4
Drejtimet kryesore të auditimit

Drejtimet kryesore të auditimit të brendshëm janë:
a) përdorimi me kursim, dobi dhe frytshmëri të burimeve financiare dhe njerëzore;
b) risku i kontrollit të drejtimit;
c) shkalla në të cilën rezultatet e programeve të subjektit të audituar plotësojnë objektivat e tij;
ç) pajtueshmëria e veprimtarisë së subjektit të audituar me legjislacionin në fuqi;
d) kujdesi për plotësimin e të dhënave financiare dhe të drejtimit, si dhe përdorimi i tyre në mbështetje të vendimmarrjes;
dh) ruajtja dhe miradministrimi i aseteve, pronë publike.

Neni 5
Parimet e përgjithshme të funksionimit të auditimit

Auditimi i brendshëm në sektorin publik mbështetet në parimet e ligjshmërisë, pavarësisë, paanësisë dhe fshehtësisë.
"Zbatimi i parimit të ligjshmërisë" është respektimi i Kushtetutës, i legjislacionit shqiptar dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.
"Zbatimi i parimit të pavarësisë" është ushtrimi i veprimtarisë për përcaktimin, planifikimin, realizimin dhe raportimin e veprimtarisë së auditimit, jashtë çdo ndikimi, që ka lidhje me veprimtarinë e audituar apo rrethanat, që cenojnë apo mund të cenojnë objektivitetin. Vlerësimi për objektivitetin administrohet, në radhë të parë, nga vetë individi, në rolin e audituesit dhe më pas nga strukturat eprore.
"Zbatimi i parimit të paanësisë" është pasqyrimi objektiv dhe transparent në dokumentet përkatëse i të gjitha fakteve dhe rrethanave, që lidhen me veprimtarinë e subjekteve të audituara, pa u ndikuar nga interesi vetjak ose pikëpamjet e të tretëve.
"Zbatimi i parimit të fshehtësisë" është trajtimi si konfidencial i të dhënave të tjera, të administruara gjatë auditimit, sipas parashikimeve të pikës 8 të nenit 21 të këtij ligji.

Neni 6
Standardet e auditimit të brendshëm

Veprimtaria e auditimit të brendshëm në sektorin publik bazohet në këtë ligj, në standardet ndërkombëtare të auditimit të brendshëm, të pranuara për t'u zbatuar në Republikën e Shqipërisë. Ministri i Financave, me propozimin e Komitetit të Auditimit të Brendshëm, shpall standardet e auditimit të brendshëm.

Neni 7
Objekti i auditimit të brendshëm

1. Objekt i auditimit të brendshëm janë të gjitha vendimet financiare për të ardhurat, shpenzimet, administrimin e pasurive (aseteve) dhe borxheve.
2. Auditimi i brendshëm, si një proces dhe veprimtari e pavarur nga pikëpamja funksionale, vlerëson funksionimin e drejtimit financiar dhe sistemin e kontrollit të brendshëm. Në përfundim të procesit të auditimit jepen rekomandime dhe propozohen masa, për të përmirësuar funksionimin dhe drejtimin e subjekteve të audituara.

Neni 8
Manuali i procedurave të auditimit të brendshëm

Procedurat dhe metodat e auditimit parashikohen në manualin e procedurave të auditimit të brendshëm, i cili në vijim do të quhet "Manuali i auditimit".
Ai miratohet nga Ministri i Financave, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Auditimit, pasi të jetë marrë edhe mendimi i Komitetit të Auditimit të Brendshëm.

Neni 9
Auditimi i brendshëm në sektorin publik

Auditimi i brendshëm në sektorin publik përbëhet nga:
1. Ministri i Financave;
2. Komiteti i Auditimit të Brendshëm;
3. Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit;
4. Njësitë e auditimit të brendshëm pranë subjekteve të audituara, sipas përcaktimit të bërë në nenin 2 të këtij ligji.

KREU II
PËRGJEGJËSITË E MINISTRIT TË FINANCAVE DHE TË DREJTUESVE TË SUBJEKTEVE PUBLIKE PËR AUDITIMIN E BRENDSHËM

Neni 10
Përgjegjësitë e Ministrit të Financave në veprimtaritë audituese

Ministri i Financave është përgjegjës për:
a) bashkërendimin e përgjithshëm të veprimtarisë së auditimit të brendshëm;
b) ngritjen dhe zbatimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik në sektorin publik, duke i propozuar Këshillit të Ministrave nxjerrjen e akteve nënligjore për këtë qëllim;
c) miratimin e politikave, manualeve, metodave, procedurave, udhëzimeve dhe rregulloreve të auditimit të brendshëm, të propozuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Auditimit dhe të miratuara nga Komiteti i Auditimit të Brendshëm;
ç) emërimin dhe lirimin nga detyra të anëtarëve të Komitetit të Auditimit të Brendshëm, sipas pikës 2 të nenit 14 të këtij ligji;
d) dhënien e mendimit për emërimin, largimin dhe lirimin e drejtuesve të njësive të auditimit në subjektet e audituara, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
dh) paraqitjen në Këshillin e Ministrave të raportit vjetor për auditimin e brendshëm, brenda tremujorit të parë të vitit pasardhës, si dhe të raporteve të tjera, kur një gjë e tillë kërkohet;
e) detyra të tjera, të parashikuara me ligj.

Neni 11
Përgjegjësitë e drejtuesve të subjekteve publike për auditimin e brendshëm

Ministrat dhe drejtuesit e subjekteve publike janë përgjegjës për:
a) ngritjen e sistemeve të kontrollit të brendshëm për realizimin e veprimtarisë së subjekteve të audituara, në përputhje me legjislacionin në fuqi, sigurimin e kapaciteteve të nevojshme për përmbushjen e kërkesave të përcaktuara në këtë ligj dhe përdorimin e tyre me kursim, dobi dhe frytshmëri;
b) hartimin e planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të lëna në përfundim të procedurave të auditimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit apo drejtuesi i njësisë së auditimit të brendshëm në subjektet e audituara, brenda 30 ditëve nga dorëzimi i raportit përfundimtar;
c) ndreqjen e parregullsive të vërejtura nga auditimet e kryera dhe marrjen e masave disiplinore ose administrative për personat përgjegjës;
ç) respektimin e kritereve të marrjes në punë të audituesve, të hartuara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Auditimit.

KREU III
KOMITETI I AUDITIMIT TË BRENDSHËM

Neni 12
Statusi i komitetit

Komiteti i Auditimit të Brendshëm është organ këshillimor pranë Ministrit të Financave.
Komiteti propozon dhe këshillon për përcaktimin e strategjive dhe përmirësimin e veprimtarisë së auditimit të brendshëm në sektorin publik.

Neni 13
Detyrat e komitetit

Detyrat e Komitetit të Auditimit të Brendshëm janë:
a) përgatitja dhe dhënia e vlerësimeve dhe e mendimeve për metodat e auditimit të brendshëm, të propozuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Auditimit;
b) vlerësimi dhe dhënia e mendimeve për kuadrin ligjor dhe rregullator, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit në fushën e auditimit të brendshëm në sektorin publik;
c) vlerësimi dhe dhënia e mendimeve për raportet tremujore dhe vjetore të veprimtarisë së auditimit të brendshëm në subjektet e audituara, të paraqitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit;
ç) këshillimi i Ministrit të Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Auditimit në të gjitha aspektet e planeve dhe të punës së auditimit të brendshëm, në përshtatjen e praktikave ndërkombëtare të auditimit, në cilësinë dhe funksionimin e auditimit të brendshëm në subjektet e audituara;
d) këshillimi dhe dhënia e rekomandimeve për rishikimin e metodave, të procedurave dhe përshtatjen e standardeve të auditimit të brendshëm, të propozuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit, përpara miratimit nga Ministri i Financave;
dh) kryerja e detyrave të tjera, të caktuara nga Ministri i Financave.

Neni 14
Organizimi dhe funksionimi i komitetit

1. Komiteti i Auditimit të Brendshëm përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët përzgjidhen dhe emërohen nga Ministri i Financave, si më poshtë:
a) Drejtori i Përgjithshëm i Auditimit;
b) tre profesionistë nga fusha e auditimit të brendshëm publik, nga të cilët njëri nga strukturat audituese të organeve të pushtetit vendor;
c) dy përfaqësues nga fusha akademike, të lidhur me auditimin;
ç) një jurist, përfaqësues nga strukturat përkatëse;
d) një përfaqësues nga strukturat e kontrollit të menaxhimit financiar;
dh) një përfaqësues ekspert, me kualifikim të lartë, i përzgjedhur nga organizmat profesionalë, që kanë lidhje me auditimin e brendshëm.
2. Anëtarët e Komitetit të Auditimit të Brendshëm emërohen për një periudhë jo më pak se dy vjet dhe jo më shumë se katër vjet. Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit siguron mbështetjen teknike, përmes sekretariatit të këtij komiteti.
3. Anëtarët e Komitetit të Auditimit të Brendshëm, në mbledhjen e tyre të parë, me shumicë të thjeshtë votash, zgjedhin kryetarin. Kryetari i Komitetit të Auditimit të Brendshëm nuk duhet të jetë punonjës i strukturave të auditimit të brendshëm. Mandati i tij zgjat dy vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave, miraton masën e shpërblimit të anëtarëve të Komitetit të Auditimit të Brendshëm.
5. Rregullorja e funksionimit të Komitetit të Auditimit miratohet nga Ministri i Financave.

KREU IV
DREJTORIA E PËRGJITHSHME E AUDITIMIT

Neni 15
Varësia e Drejtorisë së Përgjithshme të Auditimit

Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit është pjesë e strukturës së Ministrisë së Financave. Ajo drejton dhe menaxhon veprimtarinë e auditimit të brendshëm për sektorin publik në Republikën e Shqipërisë.
Struktura organike dhe numri i punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Auditimit miratohen nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Financave.
Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili ka statusin e nëpunësit civil.

Neni 16
Kompetencat e Drejtorisë së Përgjithshme të Auditimit

Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit ushtron këto kompetenca:
a) zhvillon, administron dhe zbaton strategjinë e harmonizuar në fushën e auditimit të brendshëm publik, si dhe e monitoron këtë veprimtari në nivel kombëtar;
b) jep rekomandime për përmirësimin e legjislacionit kryesor dhe mbështetës për auditimin e brendshëm publik, në bashkëpunim me strukturat e tjera të kësaj ministrie;
c) zhvillon metodat e auditimit për përcaktimin dhe vlerësimin e riskut dhe të performancës;
ç) i propozon Komitetit të Auditimit të Brendshëm dhe Ministrit të Financave rishikimin e manualit të auditimit, të urdhrave, udhëzimeve dhe të procedurave të auditimit, për përshtatjen dhe përafrimin e tyre me kërkesat e legjislacionit të vendeve të Bashkimit Europian dhe me standardet e pranuara të auditimit të brendshëm;
d) përcakton dhe zhvillon një sistem bashkëkohor për raportimin e rezultateve për të gjithë veprimtarinë e auditimit të brendshëm në sektorin publik, në funksion të hartimit të raporteve periodike, përfshirë edhe atë vjetor;
dh) kryen misione audituese për raste të veçanta, në shkallë sektoriale, kur vërehen dhe kërkohen nga menaxhimi i lartë. Kryerja e misioneve në institucionet e pavarura dhe organet e pushtetit vendor bëhet vetëm në bashkëpunim me strukturat e tyre audituese dhe, në mungesë të tyre, nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit;
e) mbikëqyr dhe vlerëson veprimtarinë e strukturave audituese në të gjitha subjektet e audituara, në përputhje me standardet dhe kërkesat e manualit, me metodat dhe udhëzimet e miratuara nga Ministri i Financave;
ë) ndjek zbatimin e masave korrigjuese të dhëna në bashkëpunim me drejtuesit e auditimit të subjekteve të audituara, sipas urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Auditimit;
f) harton dhe zhvillon strategjitë dhe politikat kombëtare për sistemin e edukimit të përditësuar, në trajnimin e vijueshëm, të detyrueshëm dhe procedurat e punësimit të audituesve;
g) miraton metodat e hartuara, në mbështetje të manualit të auditimit, për fusha specifike të auditimit të brendshëm, të paraqitura nga njësitë e auditimit të subjekteve të audituara;
gj) bashkëpunon me njësitë e personelit të institucioneve, për të përcaktuar kriteret e rekrutimit të audituesve;
h) bashkëpunon me drejtuesit e njësisë së auditimit të brendshëm të subjekteve të audituara dhe, në përputhje me legjislacionin në fuqi, jep mendim për emërimin, lirimin dhe lëvizjen e audituesve në institucionet qendrore, si dhe për emërimin, lirimin dhe lëvizjen e drejtuesve të njësive audituese në njësitë vartëse;
i) përcakton formën e regjistrit për evidentimin e rekomandimeve të lëna nga strukturat e auditimit të subjekteve të audituara.

KREU V
NJËSITË E AUDITIMIT TË BRENDSHËM

Neni 17
Njësitë e auditimit të brendshëm

Njësitë e auditimit të brendshëm krijohen për të realizuar veprimtarinë e auditimit të brendshëm brenda subjekteve publike të audituara. Kriteret për ngritjen e këtyre njësive miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave.
Njësitë e auditimit të brendshëm në subjektet publike të audituara raportojnë në organin e emërtesës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Auditimit, në përputhje me këtë ligj dhe procedurat e miratuara nga Ministri i Financave. Këto struktura nuk përdoren për nevojat operative të subjekteve.

Neni 18
Detyrat e njësisë së auditimit të brendshëm

Detyrat e njësisë së auditimit të brendshëm janë:
1. Hartimi i metodave apo udhëzimeve për fusha të veçanta të auditimit të brendshëm, në zbatim të manualit të auditimit apo të akteve të tjera të Ministrisë së Financave dhe dërgimi i tyre për miratim në Drejtorinë e Përgjithshme të Auditimit.
2. Hartimi i planeve vjetore dhe strategjike për veprimtarinë e auditimit të brendshëm.
3. Kryerja e veprimtarive të auditimit të brendshëm, të cilat kanë qëllim të vlerësojnë se sistemet e kontrollit të brendshëm dhe të menaxhimit financiar, si dhe performanca në subjektin publik të audituar janë transparente, përputhen me normat e ligjshmërisë, të rregullshmërisë, efektivitetit, efiçencës dhe ekonomisë.
4. Ndjekja dhe raportimi periodikisht për gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet, që rezultojnë nga veprimtaritë e tyre audituese, si dhe dhënia e informacionit për Drejtorinë e Përgjithshme të Auditimit, për rekomandimet e pazbatuara nga drejtuesit e subjektit publik të audituar e për pasojat e moszbatimit të tyre.
5. Përgatitja e raporteve periodike dhe vjetore dhe dërgimi i tyre në Drejtorinë e Përgjithshme të Auditimit, sipas afateve dhe kërkesave të përcaktuara prej saj dhe të miratuara nga Ministri i Financave. Raportet përmbledhëse, në të gjitha rastet, duhet të shoqërohen me evidencat e raportimit për periudhën raportuese, në mënyrë progresive dhe një vlerësim përmbyllës për veprimtarinë audituese për këtë periudhë.
6. Raportimi, pas këshillimit me strukturën përkatëse juridike, te drejtuesi i subjektit publik të audituar dhe i njësisë së inspektimit, kur zbulon parregullsi apo veprime që përbëjnë vepër penale.
Në rastet e mendimeve të kundërta që mund të ekzistojnë midis drejtuesve të njësisë që auditohet dhe audituesve të brendshëm njoftohet Drejtoria e Metodologjisë dhe Informimit për zgjidhjen e tyre.

KREU VI
AUDITUESI I BRENDSHËM

Neni 19
Punësimi

1. Punësimi i audituesve bëhet në përputhje me procedurat e caktuara në ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil", për institucionet që kanë punonjës, të cilët e kanë përfituar statusin e nëpunësit civil.
2. Përveç kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në ligjet në fuqi, punësimi në njësitë e auditimit të brendshëm të sektorit publik kërkon që audituesit të përzgjidhen ndërmjet personave që:
a) kanë mbaruar studimet e larta universitare në njërën nga degët: ekonomi, financë, kontabilitet, drejtësi ose disiplina të tjera, të cilat gjykohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Auditimit të nevojshme për sektorin që auditohet;
b) kanë përvojë pune jo më pak se tre vjet në auditim apo në fusha të tjera, si financë, kontabilitet dhe në ato të përcaktuara në shkronjën "a" të pikës 2 të këtij neni;
c) për emërimet "Drejtor i njësisë së auditimit" dhe "Inspektor i lartë i auditimit", personat e përzgjedhur duhet të kenë mbaruar studimet në njërën nga shkencat ekonomike.
3. Audituesit, jo më vonë se 2 vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të jenë të pajisur me certifikatën "Auditues i brendshëm në sektorin publik". Certifikata lëshohet nga komisioni i kualifikimit.

Neni 20
Trajnimi i audituesve

Të gjithë audituesit në detyrë, sipas kritereve të vendosura në nenin 19 të këtij ligji, i nënshtrohen edukimit të përditësuar, trajnimit të vijueshëm e të detyrueshëm, të cilët programohen dhe menaxhohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit.
Komisioni i kualifikimit, si njësia përgjegjëse për kualifikimin dhe certifikimin e audituesve të brendshëm, krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave. Në vendim përcaktohen rregullat e funksionimit dhe shpërblimi i anëtarëve të kësaj njësie.

Neni 21
Përgjegjësitë e audituesve të brendshëm

Përgjegjësitë e audituesve të brendshëm janë:
1. Të njohin, të respektojnë dhe të ushtrojnë veprimtarinë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe me standardet e auditimit të brendshëm në sektorin publik.
2. Të ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë objektive, me profesionalizëm dhe në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, sipas normave dhe procedurave të veçanta të veprimtarisë së auditimit të brendshëm në sektorin publik.
3. Të veprojnë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Kodin e Etikës dhe rregullat për konfidencialitetin për audituesin, i cili miratohet nga Ministri i Financave dhe nënshkruhet nga secili auditues.
4. Të kryejnë auditime në mënyrë të pavarur, nga pikëpamja profesionale, duke u udhëhequr nga interesi publik, për të forcuar besimin në ndershmërinë, paanësinë dhe efektivitetin e shërbimit.
5. Të ushtrojnë veprimtarinë në përputhje me planin vjetor të miratuar, me përjashtim të rasteve kur janë miratuar ndryshime të paparashikuara nga titullari.
6. T'i propozojnë drejtuesit të njësisë së auditimit dhe, nëpërmjet tij, drejtuesit të subjektit, pezullimin deri në shqyrtimin nga organi përkatës të veprimeve të kundërligjshme, të cilat dëmtojnë rëndë interesat e subjektit dhe/ose janë të arsyetuara e përbëjnë vepër penale.
7. T'i japin rekomandime subjektit të audituar për ndreqjen e parregullsive, për masat që duhen ndërmarrë në rastet e dëmeve ekonomike dhe financiare për zhdëmtimin e tyre, si dhe të bëjnë propozime, të cilat synojnë të ulin mundësinë e përsëritjes së këtyre rasteve në të ardhmen.
8. Të mos bëjnë publike asnjë të dhënë, fakt apo rast të gjetur gjatë kryerjes së auditimit apo të lidhur me të, si dhe të ruajnë dokumentet për çdo veprimtari auditimi të kryer, bazuar në detyrimet që rrjedhin nga ligjet në fuqi për të drejtat e përdorimit dhe të arkivimit të informacionit zyrtar.
9. Të përditësojnë rregullisht njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale, në mënyrë që t'i përdorin me efikasitet dhe për të garantuar cilësinë e shërbimit.

Neni 22
Të drejtat e audituesve

Audituesit, në kryerjen e misionit të tyre, kanë të drejtat e mëposhtme:
1. Të ushtrojnë në mënyrë të pavarur funksionin e auditimit, pa lënë hapësirë për ndërhyrje nga kolegët, mbikëqyrësit, drejtuesit e njësisë së auditimit apo pala e audituar, me përjashtim të marrëdhënieve të ndërsjella të këshillimit.
2. Të kërkojnë të gjitha të dhënat me karakter teknik, ekonomik e financiar dhe të drejtimit për subjektin që auditohet, duke marrë përsipër ruajtjen e fshehtësisë së tyre, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Të marrin nga punonjësit e subjektit të audituar, për rastet që gjykohet e nevojshme, shpjegime, deklarata dhe fotokopje të dokumenteve, në të cilat drejtuesi i subjektit të audituar ka vënë shënimin "e njëjtë me origjinalin", si dhe materiale të transportueshme, në formë elektronike, që kanë lidhje me auditimin e brendshëm të subjektit.
4. Të ndjekin, në mënyrë periodike, edukimin e përditësuar dhe trajnimin e vazhdueshëm të detyrueshëm, sipas kërkesave të paragrafit të parë të nenit 20 të këtij ligji për funksionet e veçanta që ushtron, si dhe në fusha të tjera brenda shërbimit publik.
5. T'i paraqesin kërkesën drejtuesit të njësisë së auditimit për heqjen dorë nga një veprimtari auditimi, kur çmojnë se për shkaqe të argumentuara cenohen besueshmëria dhe cilësia e auditimit.

Neni 23
Kufizimet në veprimtarinë e audituesve

Audituesve u ndalohet:
a) të jenë të zgjedhur në funksione drejtuese në strukturat e partive politike;
b) të kryejnë detyra, brenda subjektit të audituar, që nuk kanë të bëjnë me funksionin e auditimit të brendshëm në sektorin publik;
c) të ushtrojnë çdo veprimtari ose punë tjetër me pagesë, ose të kenë përfitime të tjera, të natyrave dhe formave që i bëjnë të jenë në konflikt interesash me ushtrimin e auditimit.

Neni 24
Konflikti i interesave për audituesit

1. Audituesi njofton paraprakisht, me shkrim, drejtuesin e njësisë së auditimit të brendshëm për çdo konflikt të mundshëm interesi, që rrjedh nga pjesëmarrja e tij në auditimin e një subjekti. Me konflikt interesash kuptohet:
a) punësimi si auditues gjatë 3 viteve të fundit në subjektin që do të auditohet;
b) punësimi në funksione drejtuese gjatë 3 viteve të fundit në subjektin që do të auditohet të audituesit, bashkëshortes/bashkëshortit, të të afërmve me lidhje gjinie deri në shkallën e dytë, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin Civil;
c) zotërimi nga audituesi, bashkëshortja/bashkëshorti, të afërmit me lidhje gjinie deri në shkallën e tretë, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin Civil, i aksioneve ose pjesëve të kapitalit në subjektin publik që do të auditohet;
ç) rrethana të tjera të caktuara, që mund të mbartin konflikt interesash, kur gjykohen si të tilla dhe arsyetohen me shkrim nga Drejtori i Përgjithshëm i Auditimit ose drejtuesi i njësisë së auditimit.
2. Nëse vërtetohet se në auditim kanë marrë pjesë një ose më shumë auditues, që janë në konflikt interesash, siç parashikohet në pikën 1 të këtij neni, Drejtori i Përgjithshëm i Auditimit ose drejtuesi i njësisë së auditimit të brendshëm mban qëndrim ndaj audituesit, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe ligjeve të tjera, anulon auditimin, si dhe kërkon përsëritjen e tij.

KREU VII
MARRËDHËNIET E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË AUDITIMIT ME INSTITUCIONET E TJERA

Neni 25
Marrëdhëniet me Kuvendin, Presidencën dhe institucionet e pavarura

Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit bashkëpunon me Kuvendin, Presidencën dhe institucionet e pavarura në rrugë zyrtare, për të siguruar realizimin e shërbimit të auditimit të brendshëm në këto institucione. Strukturat audituese të këtyre institucioneve janë të detyruara të dërgojnë programet vjetore dhe strategjike të auditimit dhe të raportojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Auditimit, në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe me procedurat e miratuara nga Ministri i Financave. Institucionet e pavarura, që nuk plotësojnë kriteret për të ngritur njësi audituese, auditohen nga njësia përkatëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Auditimit.

Neni 26
Marrëdhëniet me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe/ose organet e tjera të lidhura me auditimin

Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit bashkëpunon me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe/ose organet e tjera të lidhura me auditimin. Ky bashkëpunim synon në shkëmbimin e çdo informacioni të vlefshëm, që lidhet me sistemin e auditimit, në dërgimin e programeve vjetore të auditimit, për të shmangur mbivendosjet në procesin e auditimit dhe në dërgimin e raporteve përmbledhëse vjetore e periodike, kur kërkohen nga palët.

Neni 27
Marrëdhëniet me ministritë e linjës, institucionet qendrore dhe organet e pushtetit vendor

Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit bashkëpunon, në rrugë zyrtare, me njësitë e auditimit pranë ministrive të linjës, institucioneve qendrore dhe organeve të pushtetit vendor. Strukturat audituese të këtyre institucioneve janë të detyruara të dërgojnë programet vjetore e strategjike të auditimit dhe të raportojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Auditimit, në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe me procedurat e miratuara nga Ministri i Financave.

Neni 28
Përgatitja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 14 e 20.
2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 10 e 17.

Neni 29
Shfuqizimet

Ligji nr.9009, datë 13.2.2003 "Për auditimin e brendshëm në sektorin publik", shfuqizohet.

Neni 30

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.





Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 0 704230006





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

as
spitaliamerikan