marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Per informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit
Tipi i Aktit: Vendim i KM
Numri i Aktit: 514
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 15.08.2007
Data e aprovimit te Aktit: 15.08.2007
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 114
Data e fletores zyrtare: 03.09.2007
Aktiviteti: Urbanistikë,Çmimet
Propozuar nga: Ministria e Punëve Publike dhe Transportit
Pershkrimi i Aktit: Unifikimin e metodologjisë së llogaritjes dhe të formatit të paraqitjes së preventivave e të analizës së kostos për punimet e ndërtimit, sipas programeve kompjuterike të miratuara për lehtësimin e veprimtarisë së subjekteve, që zhvillojnë veprimtari në këtë fushë, lehtësimin e kontrollit tekniko-financiar të punimeve të ndërtimit dhe shmangien e informalitetit në veprimtarinë prodhuese, në tregun e ndërtimeve në Shqipëri.
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:VENDIM
Nr.514, date 15.8.2007

PER INFORMATIZIMIN E LLOGARITJES SË KOSTOS DHE HARTIMIN E MANUALEVE TEKNIKE TË ÇMIMEVE TË PUNIMEVE TË NDËRTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18 të ligjit nr.8402, date 10.9.1998 "Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit", të ndryshuar, të neneve 10 e 17 të ligjit nr.8464, date 11.3.1999 "Për standardizimin", të ndryshuar dhe të ligjit nr.8560, date 22.12.1999 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Unifikimin e metodologjisë së llogaritjes dhe të formatit të paraqitjes së preventivave e të analizës së kostos për punimet e ndërtimit, sipas programeve kompjuterike të miratuara për lehtësimin e veprimtarisë së subjekteve, që zhvillojnë veprimtari në këtë fushë, lehtësimin e kontrollit tekniko-financiar të punimeve të ndërtimit dhe shmangien e informalitetit në veprimtarinë prodhuese, në tregun e ndërtimeve në Shqipëri.
2. Hartimi i çdo preventivi në fushën e ndërtimit, si dhe zbatimi e mbikëqyrja e çdo punimi ndërtimi, që realizohet nga persona, fizikë dhe juridikë, publikë ose private, vendas ose të huaj, me fonde publike ose private, në territorin e Republikës së Shqipërisë, bëhet në përputhje me këtë vendim.
3. Metodologjia e llogaritjes së kostos, sipas këtij vendimi, është pjesë e dokumentacionit të çdo prokurimi, me fonde publike, në fushën e projektimit dhe të zbatimit të punimeve të ndërtimit dhe e kontabilitetit teknik për çdo punim ndërtimi.
4. Nëse nuk përcaktohet ndryshe, termat e përdorura në këtë vendim kanë kuptimin, si më poshtë vijon:
a) punime ndërtimi, quhen të gjitha punimet e ndërtimit, sipas përkufizimit të bërë në kreun I të udhëzimit nr.2, date 8.5.2003 të Këshillit të Ministrave;
b) subjekt licencues, është organizmi shtetëror, që pajis me licence, teknike ose tatimore, subjektet private apo publike, që veprojnë në fushën e tregtimit të materialeve të ndërtimit dhe/ose të ndërtimit;
c) subjekt ndërtues, është subjekti i licencuar, që realizon një ose më shumë zëra pune, në zbatimin e punimeve të ndërtimit;
ç) subjekte deklaruese, janë të gjitha subjektet, private dhe/ose publike, që kryejnë veprimtari në fushën e prodhimit të materialeve të ndërtimit, të tregtimit të tyre ose në fushën e ndërtimit, sipas përkufizimit të bërë në kreun I të udhëzimit nr.2, date 8.5.2003 të Këshillit të Ministrave dhe që, në bazë të këtij vendimi, detyrohen të paraqesin formularët e deklarimit të çmimit të materialeve të ndërtimit, që tregtojnë dhe/ose të zërave të punimeve të ndërtimit, që kryejnë;
d) program i miratuar për analizën e kostos, është çdo program kompjuterik, i certifikuar
nga këshilli teknik i Institutit të Ndërtimit (IN), i miratuar nga Ministria e Punëve Publike,
Transportit dhe Telekomunikacionit, i cili është i regjistruar në Drejtorinë e Patentave dhe të
Markave;
dh) manuali teknik i çmimeve për punimet e ndërtimit ose thjesht manuali i çmimeve të ndërtimit, është buletini periodik i çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe i analizave teknike të çmimeve, i detyrueshëm për zbatim, sipas pikës 2 të këtij vendimi;
e) buletini i çmimeve të materialeve të ndërtimit, është buletini periodik i çmimeve të
materialeve të ndërtimit dhe i produkteve për ndërtim, të ofruara nga tregu përkatës, brenda vendit;
ë) formularë deklarimi, janë formularët, që plotësohen dhe dorëzohen çdo tre (3) muaj, nga subjektet deklaruese, që kryejnë veprimtari në fushën e tregtimit të materialeve apo të produkteve të ndërtimit, si dhe në fushën e ndërtimit e që mundësojnë administrimin e të dhënave, për llogaritjen e kostos së punimeve të ndërtimit. Formularët e deklarimit duhet të përmbajnë:
i) Për prodhuesit e materialeve të ndërtimit, në përputhje me licencën, që zotërojnë:
- analizën tekniko-financiare të prodhimit;
- skedën teknike të çdo materiali (analizat laboratorike);
- emrin dhe kodin e saktë të çdo materiali, sipas standardit të referimit;
- çmimin përkatës të çdo materiali.
ii) Për importuesit e materialeve të ndërtimit:
- skedën e teknike të çdo materiali, të importuar, sipas standardit të vendit të origjinës;
- emrin dhe kodin e saktë të çdo materiali, sipas standardit të referimit;
- çmimin përkatës të çdo materiali.
iii) Për ndërtuesit, që përdorin materialet e ndërtimit, sipas përdorimeve përkatëse:
- analizën tekniko-financiare të zërit të punës;
- specifikimet teknike të materialeve dhe të teknologjisë së përdorur.
f) materiale ndërtimi janë të gjitha materialet, që përdoren në zbatimin e punimeve të ndërtimit, përfshirë lëndën e pare dhe materialet ndihmëse, në përputhje me standardet e miratuara dhe/ose në përputhje me direktivën evropiane për produktet e ndërtimit.
5. Për përditësimin e analizave teknike të çmimeve dhe të manualeve të çmimeve për punimet e ndërtimit, në përputhje me metodologjinë dhe formatin e miratuar e të informatizuar, pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit krijohet Sektori i Standardizimit të Kostos (SSK). Ky sektor përbëhet nga 4 veta, nga të cilët, njëri me profesion "inxhinier ndërtimi", caktohet përgjegjës dhe 3 specialistë, nga të cilët 1 ekonomist, 1 inxhinier ndërtimi dhe 1 inxhinier mekanik.
6. Misioni dhe detyrat e SSK-së përcaktohen në rregulloren e brendshme të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ku, përveç të tjerave, ky sektor kryen edhe detyrat, sa më poshtë vijon:
- administron programin e miratuar, duke respektuar të drejtën e autorit;
- administron formularët e vetëdeklarimeve dhe pasuron bazën e të dhënave të manualit;
- përditëson dhe pasuron manualet teknike të çmimeve të ndërtimit, përfshirë analizat teknike të tyre, si dhe buletinin e çmimeve të materialeve të ndërtimit, me të dhënat e përftuara nga administrimi i vetëdeklarimeve;
- informatizon të dhënat e përftuara nga formularët e vetëdeklarimeve, për krijimin në manual të kodit përkatës, për çdo material ndërtimi dhe për çdo proces pune ndërtimi, si dhe për përfshirjen e zërave të rinj të punimeve, jo më vonë se 10 ditë nga data e paraqitjes së tyre;
- boton buletinin e çmimeve të materialeve të ndërtimit dhe manualin teknik të çmimeve të ndërtimit dy here në vit respektivisht, jo më vonë se data 30 prill dhe 31 tetor, të çdo viti;
- ndërton dhe administron sistemin "on-line" të buletinit të çmimeve të materialeve të ndërtimit dhe të manualit teknik të çmimeve të ndërtimit, duke e pasuruar atë në mënyrë të vazhdueshme me materialet dhe produktet e reja të ndërtimit, si dhe me zërat e rinj të ndërtimit, që vetëdeklarohen nga subjektet deklaruese;
- informon të gjitha subjektet licencuese, edhe pa kërkesën e tyre, për respektimin e
detyrimeve;
- bashkëpunon me organet tatimore përkatëse për sanksionet e vendosura ndaj subjekteve, që nuk kanë përmbushur detyrimet, sipas këtij vendimi;
- përfshin në manualin teknik të çmimeve të ndërtimit dhe/ose në buletinin e çmimeve të materialeve dhe produkteve për ndërtim të gjitha deklarimet e subjekteve, jo më vonë se 10 ditë nga data e deklarimit të tyre pranë SSK-së;
- njofton me shkrim, subjektin deklarues brenda 10 ditësh, nga data e vetëdeklarimit, për kodin përkatës në buletinin e materialeve të ndërtimit ose për refuzimin e tij, në rast mospërputhshmërie me standardet në fuqi.
7. Të gjitha subjektet e licencuara private, që kryejnë veprimtari në tregtimin e materialeve të ndërtimit apo të produkteve për ndërtimin detyrohen të paraqesin çdo tre muaj, respektivisht, në fund të çdo tremujori, pranë degës së tatimeve, ku ata janë të regjistruar, listën e çmimeve të materialeve apo produkteve, që tregtojnë. Lista e çmimeve dorëzohet në afatet e caktuara për dorëzimin e deklarimit të TVSH-së. Mosdorëzimi i listës së çmimeve dhe shitja e materialit në treg me çmim më të lartë se ai i deklaruar në listën e çmimeve dënohen, sipas përcaktimeve në udhëzimin nr.9, date 25.6.2007 të Ministrit të Financave.
8. Të gjitha subjektet, private apo publike, që kryejnë veprimtari në fushën e tregtimit të materialeve apo të produkteve të ndërtimit ose në fushën e ndërtimit detyrohen të paraqesin pranë SSK-së analizat teknike dhe çmimet për çdo zë pune në ndërtim, për materialet e reja dhe/ose për teknologjitë e reja, të përdorura prej tyre, për të cilat nuk ekziston një analizë teknike e çmimit. Analizat teknike do të përgatiten në përputhje me metodologjinë e përcaktuar në kreun I të udhëzimit nr.2, date 8.5.2003 të Këshillit të Ministrave, duke përdorur programin e miratuar.
9. Preventivat, pa përjashtim, për objektet e reja, me financimin, publik ose privat, të projektuara nga subjekte, shtetërore apo private, që ushtrojnë veprimtari në fushën e projektimit dhe të preventivimit të objekteve të ndërtimit, të llogariten duke përdorur çmimet e manualit teknik të çmimeve të ndërtimit, bazuar në analizat teknike të çmimeve për punimet e ndërtimit, të përfshira në manual.
10. Të gjitha subjektet, private apo publike, që kryejnë veprimtari në fushën e tregtimit të materialeve apo të produkteve të ndërtimit ose në fushën e ndërtimit e që marrin pjesë në tenderë publike, detyrohen të paraqesin analizat teknike për çmimet e ofertave të tyre për çdo zë punimi ndërtimor, sipas formatit të unifikuar dhe programit të miratuar dhe metodologjisë së përcaktuar në kreun I të udhëzimit nr.2, date 8.5.2003 të Këshillit të Ministrave.
11. Të gjitha institucionet shtetërore, që kryejnë programime të fondeve, për efekt planifikimi investimesh për ndërtimin e veprave publike, me fonde publike, nga Buxheti i Shtetit apo nga donatorë të huaj, detyrohen të llogarisin çmimet e zërave të punës, për të përcaktuar vlerën limit të objektit, në bazë të manualit të miratuar të çmimeve të ndërtimit, mbështetur në analizat teknike të çmimeve.
12. Të gjitha institucionet shtetërore, që kryejnë prokurime të punimeve të ndërtimit me fonde publike, nga Buxheti i Shtetit apo nga donatorë të huaj, detyrohen të kontrollojnë çmimet për zërat e punës, të ofertave të paraqitura në tender, me çmimet e bazuara në manualin e çmimeve të ndërtimit dhe në analizat teknike të këtyre çmimeve, të llogaritura, me programin e miratuar.
13. Për të shmangur informalitetin dhe për të vënë në barazi ligjore të gjithë tatimpaguesit, të gjitha detyrimet tatimore ndaj shtetit dhe detyrimet e tjera, të lidhura me veprimtarinë ndërtuese, në fushën e ndërtimit, përfshirë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, të llogariten sipas vlerave faktike të punimeve, të zbërthyera sipas strukturës së kostos, në përputhje me udhëzimin nr.2, date 8.5.2003 të Këshillit të Ministrave, bazuar në analizat teknike të çmimeve, që përfshihen në manualin e çmimeve të ndërtimit.
14. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka detyrimin të botojë manualin e çmimeve të ndërtimeve dhe të analizave teknike të çmimeve çdo gjashtë muaj. Manualet e çmimeve dhe analizat teknike të tyre do të jenë të ndara sipas tri rajoneve kryesore të vendit, përkatësisht veri, qendër dhe jug.
15. Të gjitha subjektet deklaruese janë të detyruara të depozitojnë pranë SSK-së formularët e pare të deklarimit dhe një kopje elektronike të tyre, jo më vonë se 2 muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Formularët e deklarimit, në formatin standard, sipas udhëzimit përkatës, që do të nxjerrë Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, dorëzohen pranë degëve të tatimeve, ku subjektet deklaruese janë të regjistruara, në të njëjtën date me dorëzimin e formularëve të deklarimit të TVSH-së. Formularët e deklarimit, në format të shtypur, duhet të jenë të nënshkruar dhe të vulosur nga subjektet deklaruese.
16. Ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të përcaktojë, me përzgjedhje, brenda muajit gusht 2007, programin e miratuar, që do të adoptohet për t'u përdorur nga institucionet shtetërore, për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualeve të çmimeve. Kriteret e përzgjedhjes do të miratohen nga Task-Forca, e ngritur me urdhrin nr. 110, date 12.7.2007 të Kryeministrit.
17. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore të planifikojnë investimet për vitin 2008, në bazë të çmimeve, të përcaktuara në manualin teknik të çmimeve dhe të analizave teknike të tyre. Për këtë qëllim buletini i pare me çmimet e materialeve të ndërtimit dhe manuali i pare teknik i çmimeve për punimet e ndërtimit, përfshirë analizat teknike të tyre, të përgatiten dhe të dalin në qarkullim, jo më vonë se data 30 gusht 2007.
18. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
19. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Sali Berisha


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 0 708150001





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme




digitalb
spitaliamerikan

as