0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Për Gradat në Policinë e Shtetit.
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 8643
Statusi i Aktit: I shfuqizuar
Data e Aktit: 20.07.2000
Data e aprovimit te Aktit: 28.07.2000
Numri i neneve: 28
Numri i fletores zyrtare: 23
Data e fletores zyrtare: 04.08.2000
Aktiviteti: Polici e Shtetit
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Objekt i këtij ligji është kuptimi dhe sistemi i gradave si shprehje e hierarkisë në Policinë e Shtetit. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i gradave për çdo rol, kriteret për fitimin e gradës, si dhe ecuria në karrierë e punonjësit të policisë në përputhje me statusin institucional të miratuar në ligjin nr. 8553, datë 25.11.1999 "Për Policinë e Shtetit".
Amendamente
1 Për Policinë e Shtetit
2 PËR DELEGIMIN E AUTORITETIT, PËR MIRATIMIN E PAGESAVE TË SHTESËS PËR ORË PUNE MBI KOHËN NORMALE TË PUNËS, PËR PUNONJËSIT E POLICISË SË SHTETIT
Akte te ngjashem
1 Për Policinë e Shtetit
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:L I G J

Nr.8643, datë 20.7.2000

PËR GRADAT NË POLICINË E SHTETIT


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti dhe qëllimi i ligjit

1. Objekt i këtij ligji është kuptimi dhe sistemi i gradave si shprehje e hierarkisë në Policinë e Shtetit.
2. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i gradave për çdo rol, kriteret për fitimin e gradës, si dhe ecuria në karrierë e punonjësit të policisë në përputhje me statusin institucional të miratuar në ligjin nr. 8553, datë 25.11.1999 "Për Policinë e Shtetit".

Neni 2

Përkufizime

Për zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Grada" është shprehje e nivelit të ndërmjetëm brenda rolit që përmban cilësitë dhe ushtrimin e funksioneve në përputhje me hierarkinë në strukturën e Policisë së Shtetit.
2. "Roli" është grupimi i niveleve të njëpasnjëshme të gradave, që shpreh raportet themelore hierarkike të Policisë së Shtetit.

Neni 3

Kriteret për fitimin e gradës

Gradat për punonjësit e Policisë së Shtetit fitohen sipas arsimit, vjetërsisë në shërbim, kualifikimit profesional dhe karrierës në strukturat e policisë.

Neni 4

Vjetërsia për efekt gradimi

1. Vjetërsia për efekt gradimi llogaritet nga data e daljes së urdhrit për gradim.
2. Ndërprerja e karrierës për shkak të paaftësisë shëndetësore, qëndrimit në dispozicion ose pezullimit për më shumë se 6 muaj, nuk llogaritet si vjetërsi për efekt gradimi. Kur qendrimi në dispozicion ose pezullimi kanë qenë rezultat i një urdhri ose vendimi të paligjshëm ose të padrejtë, koha e ndërprerjes rillogaritet si vjetërsi për efekt gradimi.
3. Periudha e paaftësisë shëndetësore deri 12 muaj, shkaktuar në ushtrim ose për shkak të detyrës, njihet si vjetërsi për efekt gradimi.

Neni 5

Ndarja e gradave sipas roleve

Në Policinë e Shtetit përcaktohen gradat sipas roleve si vijon:
a) Roli bazë:
- agjent,
- agjent i parë,
- asistent,
- asistent i parë,
- kryeasistent.
b) Roli i mesëm:
- nëninspektor,
- inspektor,
- kryeinspektor.
c) Roli i lartë:
- nënkomisar,
- komisar,
- kryekomisar.
ç) Roli madhor:
- drejtues,
- drejtues i parë.

Neni 6

Hierarkia e roleve dhe gradave

1. Hierarkia midis pjesëtarëve në role përcaktohet si vijon:
Drejtues, komisar, inspektor, asistent-agjent.
2. Përbërja e secilit rol, sipas përkatësisë së shërbimit ndahet në:
aktiv/operues, administrativ, shkencor dhe teknik.
3. Brenda rolit hierarkia përcaktohet nga grada dhe për të njëjtën gradë nga vjetërsia ose nga funksioni.

Neni 7

Përcaktimi i funksioneve për gradë

Funksionet organike që mbulohen nga punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas gradave të cilat fitohen në bazë të këtij ligji, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8

Paraqitja formale

Forma dhe ndërtimi i secilës gradë për punonjësit e Policisë së Shtetit, caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Punonjësit e Policisë në pension (ose në rezervë) kanë të drejtë të mbajnë uniformë me gradën e fundit të fituar, të cilën mund ta përdorin në raste festash zyrtare.


KREU II

PËRBËRJA E ROLEVE

Neni 9

Ndarja në rolin bazë

1. Punonjësi i Policisë së Shtetit në rolin bazë kryen detyra ekzekutive dhe me iniciativë të kufizuar, në përputhje me kërkesat e ligjit dhe kualifikimin që ka vetë personeli që i përket këtij roli. Agjentëve të parë dhe asistentëve mund t'u jepen detyra që kanë të bëjnë me komandimin ose drejtimin e një ose më shumë agjentëve ose të njësive të vogla operative.
2. Gradimet në këtë rol bëhen sipas kualifikimit, aftësisë vetjake dhe vjetërsisë si më poshtë:
- Nga agjent në agjent i parë 4 vjet
- Nga agjent i parë në asistent 5 vjet
- Nga asistent në asistent i parë 5 vjet
- Nga asistent i parë në kryeasistent 10 vjet

Neni 10

Fitimi dhe ecuria në gradat e rolit bazë

1. Grada agjent, jepet pas përfundimit të kursit të formimit në Institutin e Policisë. Nga agjent në agjent i parë, gradimi bëhet sipas vjetërsisë së shërbimit dhe vlerësimit të punës "mirë". Për gradat asistent deri në kryeasistent, gradimi bëhet sipas vjetërsisë së shërbimit dhe me konkurrim në bazë të vendeve të disponueshme.
2. Konkurruesit për gradën më të lartë të radhës sigurohen nga punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë plotësuar afatin maksimal të qëndrimit në gradën paraardhëse.
3. Për 20 për qind të vendeve të disponueshme të punës mund të konkurrojnë, me përzgjedhje, sipas vlerësimit periodik të punës "shumë mirë" edhe personel nga rradhët e punonjësve që kanë plotësuar jo më pak se dy të tretat e kohës së qëndrimit në atë gradë.
4 Gradimet për rolin bazë bëhen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, me propozimin e komisionit përkatës të gradimeve.

Neni 11

Ndarja në rolin e mesëm

1. Punonjësi i Policisë së Shtetit që bën pjesë në rolin e mesëm të inspektorëve, kryen detyra specifike që i referohen veprimtarisë gjurmuese hetimore, instruktimit dhe stërvitjes profesionale të agjentëve dhe asistentëve, si dhe i atribuohen funksione të drejtimit dhe bashkërendimit të njësive operative.
2. Gradimi në rolin e mesëm bëhet sipas arsimit, kualifikimit, aftësive vetjake dhe vjetërsisë në shërbim si më poshtë:
- Nga nëninspektor në inspektor 4 vjet
- Nga inspektor në kryeinspektor 5 vjet

Neni 12

Fitimi dhe ecuria për gradat në rolin e mesëm

1. Në rolin e mesëm pranohen ata që kanë fituar titullin "specialist i lartë policie" pasi kanë kryer Akademinë e Policisë, ata që kanë kryer shkolla të tjera të njëvlefshme me Akademinë e Policisë, si dhe ata që kanë kryer shkolla të tjera të larta dhe kanë konkurruar e fituar kursin përkatës të kualifikimit, me kohëzgjatje jo më pak se 4 muaj për punonjës policie. Mund të pranohen, edhe personel nga roli bazë, kur kanë përfunduar Akademinë e Policisë dhe nuk janë titulluar "oficer" sipas ligjit nr.7504, datë 30.7.1991 "Për Policinë e Rendit".
2. Grada nëninspektor jepet menjëherë pas përfundimit të Akademisë së Policisë, ose pas përfundimit dhe ekuivalentimit për ata që kanë mbaruar shkolla të tjera të njëvlefshme me Akademinë e Policisë, si dhe të kursit të kualifikimit për ata që kanë kryer shkolla të tjera të larta.
3. Gradimet e tjera brenda rolit bëhen sipas vjetërsisë, vlerësimit të përgjithshëm të punës "mirë", pas shqyrtimit në komisionin përkatës të gradimeve.
4. Për 10 për qind të vendeve të disponueshme të punës për çdo gradë mund të konkurrojnë, me përzgjedhje, sipas vlerësimit periodik të punës "shumë mirë" edhe personel nga radhët e punonjësve që kanë plotësuar jo më pak se dy të tretat e kohës së qëndrimit në atë gradë.

Neni 13

Ndarja e rolit të lartë

1. Punonjësi i Policisë së Shtetit që bën pjesë në rolin e lartë kryen detyra në funksione drejtimi të organeve, reparteve e sektorëve.
2. Kalimi në rolin e lartë, përkatësisht fitimi i gradës së nënkomisarit bëhet pas përfundimit të kursit të kualifikimit me kohëzgjatje jo më pak se 3 muaj. Gradimi në rolin e lartë bëhet duke pasur si kriter themelor vlerësimin e përgjithshëm të punës "mirë", arsimin, kualifikimin, aftësitë profesionale dhe vjetërsinë në shërbim, si më poshtë:
- Nga kryeinspektor në nënkomisar 5 vjet
- Nga nënkomisar në komisar 4 vjet
- Nga komisar në kryekomisar 5 vjet
3. Për 10 për qind të vendeve të disponueshme të punës mund të konkurrojnë, me përzgjedhje, sipas vlerësimit periodik të punës "shumë mirë" edhe personel nga radhët e punonjësve që kanë plotësuar jo më pak se dy të tretat e kohës së qëndrimit në gradën e kryeinspektorit.
4. Për gradë më të lartë, brenda këtij roli, mund të konkurrojnë për 10 për qind të vendeve të disponueshme të punës, me përzgjedhje, sipas vlerësimit të përgjithshëm të punës "shumë mirë" edhe personel nga rradhët e punonjësve që kanë plotësuar jo më pak se dy të tretat e vjetërsisë për gradën që mbajnë.

Neni 14

Gradimi për rolin e mesëm dhe të lartë

Gradimi për gradat në rolin e mesëm dhe të lartë bëhet me urdhër të Ministrit të Rendit Publik në bazë të propozimit të komisionit përkatës të gradimit dhe vendeve të disponueshme të punës.

Neni 15

Gradat në rolin madhor

1. Punonjësit e Policisë së Shtetit në rolin madhor kryejnë detyra të drejtimit, bashkërendimit e të kontrollit të strukturave të Policisë së Shtetit, që janë nën varësinë e tyre. Ky personel përzgjidhet nga radhët e kryekomisarëve. Kalimi nga kryekomisar në drejtues dhe nga drejtues në drejtues i parë bëhet pa afat kohor të përcaktuar.
2. Gradimet në rolin madhor bëhen me dekret të Presidentit të Republikës, me propozim të Ministrit të Rendit Publik dhe me miratim të Kryeministrit.
3. Kalimi në rolin madhor, përkatësisht fitimi i gradës drejtues, bëhet pas përfundimit të një kursi kualifikimi me afat jo më pak se 3 muaj. Nëpërmjet këtij kursi duhet të arrihet formimi më i plotë profesionalo-teknik, duke e plotësuar këtë me kulturën juridike dhe parimet e drejtimit, të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të larta drejtuese. Procedurat e funksionimit të kursit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 16

Organizimi i konkurrimeve

1. Konkurrimet për fitimin e gradave zhvillohen çdo vit me urdhër të Ministrit të Rendit Publik. Në këtë urdhër përcaktohet numri i vendeve të disponueshme për çdo gradë, afatet e paraqitjes dhe të pranimit të kërkesës, si dhe procedurat e zhvillimit të konkurrimit.
2. Shpallja e fituesve bëhet nga komisioni përkatës i gradimeve.
3. Kurset e kualifikimit, afatet dhe procedurat për zhvillimin e tyre për çdo rol përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 17

Komisionet e gradimeve

1. Përbërja dhe procedurat e Komisionit të Gradimeve për rolin bazë miratohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe komisioni kryesohet nga Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut.
2. Përbërja dhe procedurat e Komisionit të Gradimeve për rolin e mesëm dhe të lartë miratohen nga Ministri i Rendit Publik, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm, dhe komisioni kryesohet nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë. Ky komision propozon edhe për gradimet e rolit bazë për personelin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe të institucioneve, organeve e reparteve në varësi të drejtpërdrejtë të saj.
3. Komisioni i gradimeve për rolin madhor përbëhet nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, anëtarët e Shtabit të Policisë dhe punonjës që mbulojnë funksione të larta drejtuese në Ministrinë e Rendit Publik dhe të Policisë së Shtetit. Përbërja dhe procedurat e komisionit miratohen nga Ministri i Rendit Publik dhe komisioni kryesohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
4. Komisionet e gradimeve, si rregull, mblidhen tremujorin e fundit të çdo viti dhe jo më vonë se muaji i parë i vitit pasardhës.




Neni 18

Shkallët e vlerësimeve për fitimin e gradave

1. Për punonjësit e Policisë së Shtetit me gradë më të ulët se kryekomisar, brenda muajit janar të çdo viti hartohet një "vlerësim vjetor", i cili mbyllet me gjykimin përmbledhës "shumë i mirë", "i mirë", "i mjaftueshëm" dhe "i pamjaftueshëm".
2. Parametrat e gjykimit dhe elementet e vlerësimit, koeficientët numerikë përkatës për çdo element vlerësimi, organi kompetent që bën "vlerësimin vjetor", organi kompetent për dhënien e gjykimit përmbledhës, si dhe mënyra e hartimit të "vlerësimit vjetor" përcaktohen në "Rregulloren e personelit të Policisë së Shtetit".
3. Organi kompetent, që duhet të shprehet për gjykimin përmbledhës, duke motivuar mund të ndryshojë koeficientët numerikë përkatës për çdo element të veçantë vlerësimi.
4. Vlerësimi vjetor dhe vlerësimi i përgjithshëm i bëhen të ditur punonjësit të interesuar, i cili mund të bëjë ankim në shkallë hierarkike brenda 15 ditëve nga data e komunikimit me shkrim.

Neni 19

Humbja e të drejtës për konkurrim

Punonjësit e Policisë së Shtetit, që në vitin e fundit janë ndëshkuar me masën disiplinore më të rëndë se dënimi me gjobë ose një vlerësim të përgjithshëm më pak se "mirë", humbasin të drejtën e konkurrimit për gradën më të lartë të radhës.

KREU III

GRADAT PËR FUNKSIONET E VEÇANTA ADMINISTRATIVE,
SHKENCORE E TEKNIKE

Neni 20

Përcaktimi i funksioneve të roleve administrative, shkencore e teknike

Funksionet administrative, shkencore e teknike janë pjesë përbërëse e strukturave mbështetëse të Policisë së Shtetit, atyre ekonomike dhe administrative. Funksione të veçanta caktohen edhe brenda strukturave aktive/operuese.

Neni 21

Pranimi dhe fitimi i gradave

1. Pranimi dhe fitimi i gradave të personelit që do të punojë në funksionet e parashikuara sipas nenit 20 të këtij ligji, bëhet në përputhje me veçoritë e funksionit organik, të miratuara me urdhër të Ministrit të Rendit Publik.
2. Arsimi, cilësitë profesionale dhe përvoja në punë e kandidatëve që do të punojnë në funksione, që kërkojnë njohuri të posaçme teknike dhe shkencore, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
c) Grada fillestare për personelin që do të punojë në këto funksione do të jetë ajo e miratuar për atë funksion.

Neni 22

Kalimi nga shërbimet aktive/operuese dhe ecuria në gradë

1. Në funksione të shërbimeve administrative dhe teknike, për aq sa është në përputhje me veçoritë e funksionit organik, punojnë dhe punonjës policie të shërbimit aktiv/operues, që kanë kryer formim dhe kualifikim profesional ose plotësues në institutet dhe Akademinë e Policisë.
2. Kalimi në funksionet e parashikuara në shkronjën "a" të këtij neni bëhet kur grada për funksion është e njëjtë me atë që gëzon punonjësi në çastin e kalimit. Ecuria në gradë në këto funksione bëhet sipas kritereve të parashikuara në kreun II të këtij ligji.

KREU IV

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 23

Vënia në dispozicion në rolin madhor

1. Pjesëtarët e rolit madhor të Policisë së Shtetit, kur e kërkojnë interesat e shërbimit, mund të vihen në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik. Vënia dhe koha e qëndrimit në dispozicion përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Pjesëtarët e rolit madhor në dispozicion nuk mund të jenë më shumë se dy për çdo gradë dhe për një periudhë jo më shumë se 12 muaj.

Neni 24

Ruajtja e gradës jashtë strukturave të Policisë së Shtetit

1. Punonjësit e Policisë së Shtetit, që mund të punojnë në strukturat e administratës qendrore ose në prefektura me cilësinë e këshilltarit ose në funksione të ngjashme më të për probleme të rendit dhe të sigurisë publike, ruajnë gradën që kanë.
2. Punonjësit, që do të punojnë në strukturat e parashikuara në shkronjën "a" të këtij neni përzgjidhen nga ata që kanë fituar gradën komisar e lart.
3. Periudha kohore në këto institucione, e cila nuk duhet t'i kalojë 4 vjet, llogaritet në kohën e vjetërsisë për gradë.

Neni 25

Rifitimi i gradës

Punonjësit e Policisë së Shtetit, që rimerren në polici, marrin gradë sipas vjetërsisë së shërbimit, të arsimit e kualifikimit dhe të funksionit për të cilin konkurrojnë, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

Neni 26

Parimet e inkuadrimit dhe afatet

1. Për efekt të zbatimit të këtij ligji, si vjetërsi shërbimi llogaritet e gjithë periudha e njohur si vjetërsi shërbimi ushtarak, sipas ligjit nr.8553, datë 25.11.1999 "Për Policinë e Shtetit". Për rolin e lartë dhe madhor, si vjetërsi gjatë inkuadrimit llogaritet koha e punës në strukturat e policisë.
2. Kualifikimi i punonjësit të Policisë duhet të jetë në përputhje me kriteret e përcaktuara për rolin në të cilin përfshihet funksioni.
3. Karriera vlerësohet në vite shërbimi dhe në funksione të mbuluara në strukturat e Ministrisë së Rendit Publik.
4. Funksioni përcaktohet si detyra që mbulon ose ka mbuluar punonjësi i policisë në strukturat e Ministrisë së Rendit Publik.
5. Për plotësimin e vendeve të punës të disponueshme për çdo gradë, afatet e inkuadrimit të personelit në çdo gradë, brenda të njëjtit rol janë jo më shumë se 3 vjet dhe jo më pak se sa koha e nevojshme për kryerjen e kursit të kualifikimit ose atij plotësues. Brenda këtyre afateve punonjësi i Policisë së Shtetit mund të fitojë gradën sipas funksionit dhe, nëse nuk arrin të kualifikohet caktohet në funksion më të ulët, duke marrë gradën korresponduese të funksionit të ri.
6. Kur punonjësi i policisë mban një gradë më të lartë që nuk përputhet me vjetërsinë për gradë, inkuadrimi sipas këtij ligji bëhet duke i dhënë gradën më të ulët të funksionit kur vjetërsia në shërbim nuk është më pak se dy të tretat e gradës korresponduese.
7. Kur punonjësi i policisë mban gradë më të ulët dhe sipas vjetërsisë e arsimit i takon gradë më e lartë, atëherë merr gradën përkatëse që fiton sipas kritereve të këtij ligji.
8. Kur punonjësi i policisë kryen një funksion që në bazë të vjetërsisë, arsimit, karrierës dhe parimeve të tjera të parashikuara nga ky ligj i takon një grade që nuk përputhet me funksionin që mbulon, inkuadrimi bëhet me gradën sipas këtij ligji dhe mund t'i lihet një afat deri në 3 vjet që të konkurrojë për gradën sipas funksionit kur grada që mban është e një niveli më të ulët se grada korresponduese për funksion. Kur grada që mban është e një niveli më të lartë se ajo korresponduese për funksion, mbi bazën e vlerësimit periodik të punës "shumë mirë", për dy vitet e fundit, punonjësi i policisë mund të caktohet në një funksion që përputhet me gradën e fituar sipas parimeve të parashikuara në këtë ligj. Në asnjë rast funksioni nuk mund të jetë më i lartë se një shkallë për gradën korresponduese.

Neni 27

Mbajtja e gradës

Këshilli i Ministrave në kuadrin e miratimit të strukturës së Ministrisë së Rendit Publik përcakton funksione dhe të drejtën e mbajtjes së gradës për secilin funksion.

Neni 28

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


K R Y E T A R I
Skënder Gjinushi


Shpallur me dekretin nr.2710, date 28.7.2000 te Presidentit te Republikes se Shqiperise Rexhep Meidani


Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0
POLICIA
 2.541 7200001





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


acdurres

spitaliamerikan