0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8901, DATË 23.5.2002 “PËR FALIMENTIMIN”
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 9919
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 19.05.2008
Data e aprovimit te Aktit: 10.06.2008
Numri i neneve: 21
Numri i fletores zyrtare: 83
Data e fletores zyrtare: 10.06.2008
Aktiviteti: Falimentimi
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Në ligjin nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”, bëhen shtesa dhe ndryshime ne nenet 3,7,8,13,14,15,16,17,18,20,21,22,26,30,43,44,45,277,282,
Amendamente
1 Për falimentimin
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:LIGJ

Nr.9919, datë 19.5.2008



PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8901, DATË 23.5.2002

“PËR FALIMENTIMIN”



Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,



KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË



VENDOSI:



Në ligjin nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:



Neni 1



Në nenin 3, pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

“3. Shqyrtimi i çështjeve duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga dorëzimi i kërkesës në sekretarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, seksioni tregtar.”.



Neni 2



Në nenin 7, pas pikës 5 shtohet pika 6 me këtë përmbajtje:

“6. Gjykata e apelit e shqyrton çështjen brenda 30 ditëve.”.



Neni 3



Në nenin 8 pika 1, pas fjalëve “gjykatës së rrethit” shtohen fjalët “me shërbim postar të shpejtë”.



Neni 4



Në nenin 13, në fund të pikës 4 shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Procedurat për fillimin e procesit të falimentimit në organin tatimor kryhen sipas legjislacionit tatimor përkatës.”.



Neni 5



Në nenin 14 pika 1 bëhen ndryshimet si më poshtë:

a) Pas pikës 1 shtohen pikat 1/1 dhe 1/ 2 me këtë përmbajtje:

“1/1. Autoritetet fiskale, nën juridiksionin e të cilave ndodhet debitori, brenda 30 ditëve nga konstatimi i paaftësisë paguese të debitorit, janë të detyruara të paraqesin kërkesën, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, për hapjen e procedurës së falimentimit.

1/2. Organet tatimore përjashtohen nga pagimi i taksave gjyqësore. Për fillimin e procedurës së falimentimit organet tatimore paraqesin në gjykatë:

a) kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit;

b) dokumentacionin e shoqërisë (statutin, aktin e themelimit, numrin e NIPT-it);

c) bilancin me pasqyrat financiare të shoqërisë, për të cilën kërkohet fillimi i procedurës së falimentimit.”.



Neni 6



1. Në nenet 15 pika 1, 20, 81, 82 dhe 85 fjala “debitori” zëvendësohet me fjalët “drejtorët, zyrtarët, ortakët apo aksionarët e shoqërisë, ndaj së cilës është hapur procedura e falimentimit”.

2. Në nenin 15, afati “30-ditor” bëhet “15-ditor”.



Neni 7



Në nenin 16, në fund të pikës 1 shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Kur ortakët ose aksionarët e shoqërisë kanë pasur gjatë veprimtarisë dijeni për paaftësinë paguese të shoqërisë dhe nuk kanë paraqitur në seksionin tregtar të gjykatës kërkesë për hapjen e procedurës së falimentimit, brenda një afati prej 3-muajsh, nga dita në të cilën ata kanë pasur dijeni, janë personalisht përgjegjës dhe dënohen nga autoritetet fiskale me gjobë nga 200 000 deri në 500 000 lekë.”.



Neni 8



Në nenin 17 pika 1, pas fjalisë së parë shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“Vlerësohen se kanë interes të ligjshëm për hapjen e procedurës së falimentimit kreditori, i cili ka ndaj pasurisë së debitorit një interes me karakter pasuror dhe autoritetet fiskale.”.



Neni 9



Në nenin 18 pika 3, afati kohor “60 ditë” zëvendësohet me “30 ditë”.



Neni 10



Në fund të nenit 20 shtohen pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 si më poshtë:

“Pavarësisht nga ndonjë dispozitë tjetër e këtij ligji:

1. Seksioni tregtar i gjykatës mund të autorizojë, si pjesë e vendimit të fillimit të procedurës së falimentimit, administratorin e falimentimit, që të marrë hua në emër të debitorit, kur seksioni tregtar i gjykatës bindet se këto para kërkohen nga debitori.

2. Pas nxjerrjes së vendimit të fillimit të procedurës së falimentimit, seksioni tregtar mund të autorizojë, me kërkesë të administratorit dhe me njoftimin e palëve, administratorin e falimentimit të marrë para hua në emër të debitorit dhe të deklarojë se çdo apo të gjitha pasuritë janë me barrë në favor të çdo personi që specifikohet në vendim, i cili ka rënë dakord t’i japë hua shoqërisë një shumë, e cila është miratuar nga gjykata siç është kërkuar nga shoqëria debitore.

3. Pas nxjerrjes së vendimit të fillimit të procedurës së falimentimit, sipas pikës 2 të këtij neni, çdo kreditor i shoqërisë debitore mund t’i kërkojë seksionit tregtar që ka dhënë vendimin, sipas pikës 1, ta ndryshojë atë, me kusht që kërkesa t’i njoftohet administratorit dhe kërkuesi mund të tregojë se është cenuar materialisht dhe në mënyrë të padrejtë nga vendimi i dhënë sipas pikës 1 dhe ky cenim i kapërcen përfitimet që mund të marrin të gjithë kreditorët e tjerë.

4. Në lidhje me çdo vendim të dhënë sipas pikës 2, seksioni tregtar i gjykatës mund të specifikojë në vendim se garancia ose barra radhitet mbi çdo garanci apo barrë të kreditorëve të siguruar. Në këtë rast siguria ose barra ka përparësi ndaj kreditorëve të tjerë të falimentimit.

5. Kur seksioni tregtar i gjykatës merr vendimin sipas pikave 1, 2 dhe 4, duhet të marrë parasysh ndër të tjera:

a) periudhën gjatë së cilës shoqëria debitore pritet të deklarohet si e falimentuar;

b) si do të drejtohet shoqëria gjatë procedurës së falimentimit;

c) nëse administratori ka besimin e shumicës së kreditorëve;

ç) nëse shoqëria ka mundësi që të ristrukturohet me sukses dhe nëse huaja do të rrisë gjasat e një ristrukturimi të zbatueshëm për shoqërinë;



d) në rastin e vendimit, sipas pikave 2 dhe 4, nëse interesi i sigurisë që kërkohet është i vetmi mjet realist për shoqërinë debitore të marrë financimet e nevojshme për ristrukturim;

dh) natyrën dhe vlerën e pasurisë; dhe

e) nëse kreditori do të cenohet materialisht, si rezultat i vendimit të kërkuar dhe nëse ky cenim i kapërcen përfitimet që mund të marrin të gjithë kreditorët e tjerë.

6. Në vlerësimin e faktorëve të mësipërm, seksioni tregtar mund të marrë parasysh, gjithashtu, nëse çdo cenim i pësuar nga kreditori lehtësohet nga masat e sigurisë së dhënë kreditorëve, duke përfshirë:

a) pagesat cash nga pasuria;

b) dhënien e sigurisë shtesë;

c) masa të tjera, siç mund të vendosin palët dhe gjykata.

7. Kur procedura e riorganizimit shndërrohet në likuidim, çdo përparësi e dhënë sipas paragrafit 4 në riorganizim duhet të vazhdojë të njihet në likuidim.”.



Neni 11



Në nenin 21 pika 4 shtohet fjalia si më poshtë:

“Pas kalimit të afatit të parashikuar në pikën 3 të këtij neni, masa e sigurisë mbi pasurinë e debitorit shuhet.”.



Neni 12



Në nenin 22 pika 1 shkronja “b”, pas fjalës “vazhdojë” shtohen fjalët “drejtimin e përditshëm të”.



Neni 13



Në nenin 22, pika 4 ndryshohet si më poshtë:

“4. Administratori i përkohshëm i falimentimit ka të drejtë t’u japë furnizuesve, si kreditorë të masës së falimentimit, përparësi në pagesë me mallra, shërbime ose kredi të nevojshme.

Për kryerjen e këtij veprimi, administratori i drejtohet për miratim gjykatës, e cila, kur bindet, e miraton atë nëse përmbushen kriteret e mëposhtme:

a) veprimi është i vlefshëm për vazhdimin e funksionimit të një veprimtarie;

b) furnizimi me mallra, shërbime ose kredi është i pashmangshëm;

c) veprimi është i leverdishëm për rritjen e pasurisë së shoqërisë.

Në raste të ngutshme, kur miratimi i veprimit nga gjykata mund të vononte kryerjen e veprimit, administratori mund ta kryejë veprimin e sipërpërmendur edhe pa miratimin e gjykatës, me kusht që të përmbushen kriteret e paragrafit të dytë të kësaj pike.”.



Neni 14



Në nenin 26 pika 2, pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d” me këtë përmbajtje:

“d) urdhërimin e detyrimit për publikimin e vendimit në internet, në faqen zyrtare të gjykatës, të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të organit tatimor përkatës.”.



Neni 15



Në nenin 30 pika 1, fjala “gjykatës” zëvendësohet me fjalët “organit ku është regjistruar”.









Neni 16



Në nenin 43, pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4 si më poshtë:

“3. Përveç parashikimeve të tjera në këtë ligj, mund të emërohet si administrator i falimentimit çdo person, i cili plotëson kriteret si më poshtë:

a) personat fizikë, të cilët kanë aftësi profesionale të përshtatshme dhe përvojë në biznes dhe janë të licencuar si ekonomistë, noterë dhe juristë, në përputhje me ligjet dhe rregullat shqiptare dhe kanë përfunduar arsimin profesional dhe provimin përkatës;

b) çdo person fizik i caktuar me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave si administrator falimentimi në mënyrë të përkohshme për periudhën derisa numri i mjaftueshëm i administratorëve të falimentimit të përfundojnë arsimin profesional dhe provimin e parashikuar në shkronjën “a”.

4. Përveç kritereve të trajtuara në pikën 3, personat e mëposhtëm nuk mund të caktohen si administratorë falimentimi, sipas këtij ligji:

a) personat, të cilët kanë lidhje familjare ose biznesi me debitorët ose nëpunësit, drejtorët, punonjësit, aksionarët ose kreditorët e debitorit;

b) personat, të cilët kanë lidhje familjare ose biznesi me gjyqtarin kryesues;

c) personat, të cilët janë nëpunës, drejtorë, punonjës, aksionarë të konkurrentëve të drejtpërdrejtë të biznesit të debitorit;

ç) personat, të cilët kanë falimentuar në kohën e emërimit;

d) personat, të cilët, në përputhje me ligjet e tjera të Republikës së Shqipërisë, nuk mund të emërohen si drejtorë të një shoqërie tregtare.”.



Neni 17



Neni 44 shfuqizohet.



Neni 18



Në nenin 45, në fund të pikës 1 shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit gjyqësor është i detyruar të kërkojë të paktën një raportim në 3 muaj.”.



Neni 19



Pas nenit 277 shtohet neni 277/a me këtë përmbajtje:



“KREU III/a

PROCEDURA TË TJERA TË THJESHTUARA



Neni 277/a

Procedura e thjeshtuar për shoqëritë tregtare të biznesit të vogël



Kërkuesi i hapjes së procedurës së falimentimit të thjeshtuar duhet të paraqesë:

1. Për shoqëritë tregtare, që kanë një xhiro vjetore deri 1 000 000 lekë, kërkesa për hapjen e procedurës së falimentimit të thjeshtuar mund të bëhet nga çdo kreditor, që ka një interes të ligjshëm.

Kreditori, që kërkon fillimin e procedurës së falimentimit të thjeshtuar, duhet të paraqesë në seksionin tregtar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë:

a) kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit;

b) kopje të dokumentit, që vërteton detyrimin e tij pasuror;

c) listën paraprake të pasurive të debitorit;



ç) deklaratën, që vërteton se përmbajtja e dokumenteve të mësipërme është e plotë dhe e saktë.

2. Seksioni tregtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, pasi dëgjon pretendimet e debitorit dhe të kreditorit, mund të vendosë që procedura e falimentimit të bëhet në mënyrë të thjeshtuar. Në këtë rast zbatohen rregullat e parashikuara nga nenet 26, 27 e 29 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”.

3. Kur gjykata vendos për procedurën e falimentimit të thjeshtuar, miraton, në një seancë gjyqësore, planin e shlyerjes së detyrimeve, të hartuar nga administratori i falimentimit dhe kreditorët, në përputhje me interesat e kreditorëve, pasurinë dhe të ardhurat e debitorit, si dhe me fjalinë e tretë të nenit 268 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”. Në këtë rast nuk zbatohen dispozitat e parashikuara për planin e riorganizimit.

4. Administratori likuidon pasuritë e debitorit dhe i shpërndan të ardhurat e realizuara, në përputhje me planin e shlyerjes së detyrimeve.

5. Administratori i paraqet gjykatës një raport për përfundimin e procedurës së falimentimit. E drejta e kreditorëve për të kundërshtuar veprimet e administratorit për procedurën e thjeshtuar mbetet e paprekur.

6. Gjykata, pas shqyrtimit të raportit të administratorit, kur bindet se procedura është zhvilluar në përputhje me planin e shlyerjes së detyrimeve dhe kreditorët nuk paraqesin kundërshtime, merr vendim për mbylljen e procedurës së falimentimit.”.



Neni 20



Pas nenit 282 shtohet Pjesa e Dymbëdhjetë si më poshtë:



“PJESA E DYMBËDHJETË

AGJENCIA MBIKËQYRJES SË FALIMENTIMIT



Neni 282/1

Agjencia Mbikëqyrjes së Falimentimit



Kjo pjesë rregullon krijimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentimit (më poshtë Agjencia).



Neni 282/2

Statusi i Agjencisë



1. Agjencia është person juridik publik, të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e së cilës janë të përcaktuara në ligj.

2. Agjencia vepron në përputhje me legjislacionin për shërbimin civil.

3. Agjencia ka selinë e vet në Tiranë.

4. Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 282/3

Përgjegjësitë e Agjencisë



Agjencia ka përgjegjësitë e mëposhtme:

a) të japë, të heqë ose të rinovojë licenca për administratorët e falimentimit, në përputhje me parashikimet e bëra në ligj;

b) të organizojë dhe të zhvillojë provimin për administratorët e falimentimit;

c) të mbajë regjistrin e administratorëve të licencuar të falimentimit;

ç) të mbikëqyrë veprimtarinë e administratorëve të falimentimit dhe të monitorojë ecurinë (zhvillimin) e profesionit;

d) të mbikëqyrë zbatimin e dispozitave që rregullojnë procedurat e falimentimit;

dh) të mbledhë dhe të përpunojë të dhënat statistikore dhe të dhëna të tjera që lidhen me zbatimin e procedurave të falimentimit;

e) të propozojë standarde kombëtare për administrimin e masës së falimentimit, si dhe Kodin e Etikës, të dyja të miratuara me parashikimet e këtij ligji;

ë) të kryejë çdo detyrë tjetër të dhënë nga ky ligj.



Neni 282/4

Veprimtaria mbikëqyrëse e Agjencisë



1. Agjencia, gjatë ushtrimit të veprimtarisë të saj mbikëqyrëse, inspekton nëse administratori i falimentimit kryen detyrat e tij në përputhje me këtë ligj, me standardet kombëtare të administrimit të masës së falimentimit, si dhe me Kodin e Etikës, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave.

2. Agjencia kryen veprimtari mbikëqyrëse të parashikuara në pikën 1 nëpërmjet vlerësimit raporteve të shkruara, të paraqitura nga administratori dhe gjyqtari i falimentimit, si dhe në bazë të dokumenteve të tjera të mbajtura në kuadër të veprimeve të administratorit në procedurat e falimentimit.



Neni 282/5

Ekspertiza e huaj



Për ushtrimin e detyrave të caktuara, të cilat kanë nevojë për ekspertizë të veçantë, Agjencia mund të kontraktojë persona fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj.



Neni 282/6

Burimet e financimi të Agjencisë



Burimet financiare për krijimin dhe funksionimin e Agjencisë sigurohen nga Buxheti i Shtetit, si dhe nga tarifat e realizuara nga veprimtaria e saj.”.



Neni 21

Hyrja në fuqi



Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.



Shpallur me dekretin nr.5748, datë 9.6.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.






Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0  1.841 805190001





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme




spitaliamerikan