marketkonekt
0 0
1
 
Detajet e Aktit
Titulli: PËR SHËRBIMIN E KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË MINISTRINË E BRENDSHME
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 10002
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 06.10.2008
Data e aprovimit te Aktit: 22.10.2008
Numri i neneve: 77
Numri i fletores zyrtare: 164
Data e fletores zyrtare: 22.10.2008
Aktiviteti: Administratë Shtetërore
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Ky ligj përcakton misionin, organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, në vijim SHKB.
Amendamente
1 Për shërbimin e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik.
Akte te ngjashem
1 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË DISIPLINËS SË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË MINISTRINË E BRENDSHME
2 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË PERSONELIT TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË MINISTRINË E BRENDSHME
3 PËR KLASIFIKIMIN E NIVELEVE, SIPAS FUNKSIONEVE, TË PERSONELIT INSPEKTUES DHE MBËSHTETËS TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM, NË MINISTRINË E BRENDSHME
4 PËR PËRCAKTIMIN E FUNKSIONEVE KORRESPONDUESE PËR GRADAT E PERSONELIT HETUES, NË SHËRBIMIN E KONTROLLIT TË BRENDSHËM, NË MINISTRINË E BRENDSHME
5 PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË PERSONELIT TË HETIMIT, TË INSPEKTIMIT DHE TË SHËRBIMEVE MBËSHTETËSE, NË SHËRBIMIN E KONTROLLIT TË BRENDSHËM, NË MINISTRINË E BRENDSHME
6 PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.718, DATË 23.6.2009 “PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË PERSONELIT TË HETIMIT, TË INSPEKTIMIT DHE TË SHËRBIMEVE MBËSHTETËSE, NË SHËRBIMIN E KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË MINISTRINË E BRENDSHME”
7 PËR PËRCAKTIMIN E FORMËS E TË PËRMASAVE TË STEMËS SË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM, NË MINISTRINË E BRENDSHME, DHE PËR MËNYRËN E PËRDORIMIT TË SAJ
8 PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE TË PËRDORIMIT E TË KONTROLLIT TË FONDIT TË POSAÇËM, NË FUNKSION TË VEPRIMTARISË INFORMATIVE DHE PROCEDURALE PENALE, TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

LIGJ

Nr.10 002, datë 6.10.2008



PËR SHËRBIMIN E KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË MINISTRINË E BRENDSHME



Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,



KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË



VENDOSI:





PJESA E PARË

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME



Neni 1

Objekti i ligjit



Ky ligj përcakton misionin, organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, në vijim SHKB.



Neni 2

Misioni



Misioni i këtij shërbimi është t'i garantojë komunitetit një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.



Neni 3

Objekti i veprimtarisë



Objekt i veprimtarisë së SHKB-së janë:

a) parandalimi, zbulimi, dokumentimi dhe hetimi paraprak i veprave penale, të kryera nga punonjësit e Policisë së Shtetit, pavarësisht nga funksioni dhe grada, për vepra penale të konsumuara gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj;

b) inspektimi i punës së të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit për përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara, për garantimin e përgjegjshmërisë, efektshmërisë dhe efikasitetit të tyre.



Neni 4

Përkufizime



Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. "Personel me kohë të pjesshme dhe me kontratë" janë punonjësit, me njohuri në fusha të posaçme, profesionet e të cilëve nuk janë të përfshira në tabelën e funksioneve të SHKB-së ose që zëvendësojnë persona që mungojnë, përkohësisht, për shkaqe të ligjshme.

2. "Shtetasit" janë shtetasit shqiptarë, shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi.

3. "Masat e përshkallëzuara" janë masa disiplinore, që jepen nga më e lehta deri te më e rënda, duke pasur gjithmonë parasysh pasojën e ardhur, rrethanat, lehtësuese dhe rënduese, ku është kryer shkelja, si dhe rrethanat e tjera, për personalitetin dhe rezultatet në punë.

4. "Testi i integritetit" është çdo lloj teknike apo metode që shërben për verifikimin e etikës dhe integritetin e një punonjësi të policisë.



Neni 5

Etika



Punonjësit e SHKB-së zbatojnë kodin e etikës së policisë dhe rregullat e etikës në administratën publike.



Neni 6

Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut



Punonjësit e këtij shërbimi, në përmbushje të detyrave të tyre, respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të garantuara me ligj, si dhe kontribuojnë në realizimin e tyre.



Neni 7

Simbolet



SHKB-ja ka stemën dhe simbolet, të miratuara nga Këshilli i Ministrave.



Neni 8

Dokumenti i identifikimit



1. Punonjësit e SHKB-së janë të pajisur me dokument identifikimi, që shërben si dëshmi dhe autorizim për të vepruar në emër të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, si punonjës të shërbimit. Punonjësi i SHKB-së mund ta marrë dokumentin e identifikimit, vetëm nëse ka përfunduar me sukses periudhën e trajnimit dhe të vlerësimit.

2. Forma, të dhënat dhe rregullat për përdorimin e dokumentit të identifikimit përcaktohen me urdhër të ministrit.



Neni 9

Statusi



1. SHKB-ja është një institucion i administratës publike dhe strukturë e veçantë e Ministrisë së Brendshme, në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit.

2. SHKB-ja është e depolitizuar.



Neni 10

Buxheti



SHKB-ja ka buxhetin e vet, i cili është zë më vete në buxhetin e ministrisë. Drejtori i Përgjithshëm i SHKB-së është përgjegjës për menaxhimin efektiv dhe efiçent të buxhetit të miratuar, i cili është objekt auditimi.



Neni 11

Fondi i posaçëm



1. SHKB-ja ka një fond të posaçëm që e përdor në funksion të veprimtarisë informative dhe procedurale penale. Fondi i posaçëm është një zë i veçantë i buxhetit të SHKB-së dhe nuk i nënshtrohet prokurimit publik.

2. Kushtet dhe kriteret për përdorimin dhe kontrollin e këtij fondi rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 12

Ministri



1. Ministri i Brendshëm është autoriteti përgjegjës për veprimtarinë e SHKB-së. Në përgjegjësitë e ministrit nuk përfshihet drejtimi operacional i SHKB-së.

2. Ministri:

a) përcakton objektivat strategjikë vjetorë, në përputhje me politikat shtetërore;

b) siguron bashkërendimin e punës së SHKB-së me Policinë e Shtetit dhe me strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme, si dhe bashkëpunimin me shërbimet e tjera informative, institucionet shtetërore e homologe të vendeve të tjera, në bazë të marrëveshjeve konkrete;

c) nxjerr urdhra dhe udhëzime për organizimin dhe funksionimin e SHKB-së, në përputhje me këtë ligj dhe me ligje të tjera në fuqi;

ç) përcakton procedurat për mbrojtjen e të dhënave dhe të burimeve të tyre nga ekspozimi i paautorizuar, si dhe metodat e punës;

d) përcakton procedura të veçanta, për klasifikimin dhe deklasifikimin e të dhënave të SHKB-së, që përbëjnë sekret shtetëror;

dh) përcakton procedurat për verifikimin e figurës së pastërtisë së punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme, për të cilët kërkohet të pajisen me certifikatë sigurie;

e) kërko n raporte, informacione dhe dokumente të tjera, që lidhen me detyrat e SHKB-së.

3. SHKB-ja nuk i jep ministrit informacione, që mundësojnë identifikimin e dëshmitarëve, të bashkëpunëtorëve të drejtësisë ose informatorëve, si dhe informacione, për të cilat prokurori ka urdhëruar me shkrim që të këshillohen vetëm me persona të caktuar.



PJESA E DYTË

ORGANIZIMI DHE FUNKSIONET



Neni 13

Organizimi dhe struktura e përgjithshme e SHKB-së



1. Struktura e këtij shërbimi është unike dhe drejtohet nga drejtori i përgjithshëm.

2. Shërbimi organizohet në departamente dhe drejtori, në nivel qendror dhe drejtori e sektorë, në nivel vendor.

3. Struktura dhe organika e drejtorisë së përgjithshme dhe strukturat vendore të SHKB-së miratohen nga ministri, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm.



Neni 14

Drejtori i Përgjithshëm i SHKB-së



1. Drejtori i Përgjithshëm i SHKB-së, në vijim drejtori i SHKB-së, emërohet, lirohet dhe largohet nga ministri.

2. Drejtori i SHKB-së është autoriteti më i lartë administrativ, teknik dhe operacional i këtij shërbimi.



Neni 15

Kriteret për emërimin e drejtorit të SHKB-së



Drejtor i SHKB-së emërohet personi që përmbush këto kritere:

a) të ketë shërbyer për një periudhë jo më pak se dhjetë vjet në strukturat e policisë, hetimit, shërbimeve informative ose me natyrë të ngjashme me to, nga të cilat, jo më pak se tre vjet në pozicione drejtuese;

b) të ketë kryer studime, universitare, pasuniversitare, në specialitete që kanë të bëjnë me policinë, drejtësinë ose administratën publike;

c) të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë;

ç) të mos jetë ndëshkuar për shkelje të rënda disiplinore, siç përcaktohen në rregulloren e disiplinës së SHKB-së, brenda dhjetë viteve të fundit, gjatë të cilave ka punuar në institucione shtetërore;

d) të mos ketë konflikt interesi me detyrën.



Neni 16

Qëndrimi në detyrë i drejtorit të SHKB-së



1. Drejtori i SHKB-së emërohet për një periudhë kohe prej pesë vjetësh, me të drejtë riemërimi për një periudhë prej dy vjetësh.

2. Në rast se Drejtori i Përgjithshëm i SHKB-së plotëson shtatë vjet qëndrim në detyrë, ai caktohet në një detyrë tjetër, në përshtatje me arsimin dhe gradën që ka mbajtur para emërimit.



Neni 17

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i SHKB-së



1. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i SHKB-së, në vijim zëvendësdrejtori, emërohet, lirohet dhe largohet nga detyra nga ministri, me propozimin e drejtorit të SHKB-së.

2. Roli dhe funksionet e zëvendësdrejtorit përcaktohen në rregulloren e veçantë, të nxjerrë për këtë qëllim, të miratuar nga ministri.

3. Zëvendësdrejtori:

a) drejton dhe ushtron kontroll të drejtpërdrejtë për punonjësit e emëruar në departament;

b) zëvendëson drejtorin e SHKB-së, në mungesë të tij, sipas kompetencave të deleguara.



Neni 18

Kriteret për emërimin e zëvendësdrejtorit



Zëvendësdrejtor emërohet personi që përmbush këto kritere:

a) të ketë shërbyer për periudhën e nevojshme, në përputhje me nenin 69 të këtij ligji;

b) të ketë kryer studime universitare ose pasuniversitare në fushën policore, të drejtësisë ose të administrimit;

c) të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë;

ç) të mos jetë ndëshkuar për shkelje të rëndë disiplinore, siç përcaktohet në rregulloren e disiplinës së SHKB-së, brenda dhjetë viteve të fundit, gjatë të cilave ka punuar në institucione shtetërore;

d) të mos ketë konflikt interesi me detyrën.



Neni 19

Lirimi dhe largimi nga detyra i drejtorit të SHKB-së dhe i zëvendësdrejtorit



1. Drejtori i SHKB-së ose zëvendësdrejtori lirohen nga detyra nga autoriteti që i ka emëruar, për njërën nga arsyet e mëposhtme:

a) është dënuar për një vepër penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;

b) plotëson moshën për pension;

c) jep dorëheqjen;

ç) nuk mund të ushtrojë funksionet për një periudhë kohore më të gjatë se 3 muaj.

d) i mbaron mandati.

2. Masat disiplinore për drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e SHKB-së jepen nga ministri dhe janë:

a) vërejtje me shkrim;

b) gjobë në masën sa paga përkatëse nga 5 deri në 15 ditë pune;

c) lirim nga detyra.

3. Masat disiplinore jepen për njërën nga arsyet e mëposhtme:

a) ka kryer shkelje të rëndë të disiplinës, në përputhje me rregulloren e disiplinës;

b) vlerësim negativ pune të dokumentuar, për shkelje të rregullave të integritetit, në përputhje me aktet nënligjore për disiplinën dhe personelin;

c) ka shfaqur mungesë të theksuar angazhimi në përmbushjen e objektivave strategjikë dhe në kryerjen e detyrave të caktuara nga ministri, sipas nenit 12 të këtij ligji.



Neni 20

Personeli i SHKB-së



1. Personeli i SHKB-së ndahet në katër kategori:

a) personeli hetues, që kryen veprime operacionale, përfshirë ndalimin dhe arrestimin, i cili ka kualifikimin dhe trajnimin e duhur policor dhe juridik;

b) personeli inspektues, me arsim të lartë, i përzgjedhur me konkurrim të hapur dhe që i nënshtrohet trajnimeve. Jo më pak se gjysma e numrit të përgjithshëm të këtyre punonjësve duhet të kenë mbaruar arsimin e lartë, dega juridik;

c) personeli mbështetës, i cili duhet të ketë arsimin dhe kualifikimin e duhur, sipas specifikës së punës që kryen;

ç) personeli me kohë të pjesshme dhe me kontratë.

2. Rregullat dhe procedurat për marrëdhëniet e punës, të trajnimit, ecurisë në karrierë dhe ndërprerjes së saj përcaktohen në rregulloren e personelit, të dalë në zbatim të këtij ligji, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.



PJESA E TRETË

KOMPETENCAT E SHKB-SË



KREU I

KOMPETENCAT HETIMORE



Neni 21

Kompetencat



1. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ushtron kompetencat në përputhje me këtë ligj, me Kodin e Procedurës Penale dhe me aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi.

2. Në zbatim të detyrave, personeli hetues ka atributet e Policisë Gjyqësore.

3. Për rastet e kryerjes së operacioneve të fshehta, punonjës të caktuar të SHKB-së kanë të drejtë të përdorin identitete të rreme. Procedura për marrjen e këtij identiteti rregullohet me urdhër të drejtorit të SHKB-së.



Neni 22

Armatimi dhe përdorimi i forcës



1. Personeli hetues i SHKB-së ka të drejtë të mbajë armë. Llojet e armatimit dhe të mjeteve të tjera të përdorimit të forcës nga SHKB-ja përcaktohen me urdhër të ministrit.

2. Punonjësi e përdor armatimin dhe forcën në përputhje me nenet 118 e 119 të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007 "Për Policinë e Shtetit", ligjet përkatëse në fuqi dhe aktet nënligjore, të nxjerra në zbatim të tyre.



Neni 23

Mbledhja e të dhënave



1. Për përmbushjen e detyrës, punonjësit hetues të SHKB-së kanë të drejtë dhe përgjegjësi të mbledhin, të administrojnë dhe të ruajnë të dhëna për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale, të kryera nga punonjësit e Policisë së Shtetit, pavarësisht nga detyra e grada, duke shfrytëzuar çdo burim të ligjshëm informacioni.

2. Drejtuesit e strukturave të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme, për zbatimin e këtij ligji, janë të detyruar të bashkëveprojnë me këtë shërbim.

3. Kur punonjësit e Policisë së Shtetit, të Ministrisë së Brendshme dhe të institucioneve të tjera shtetërore, për shkak të detyrës, vihen në dijeni për përfshirjen në vepra penale të punonjësve të Policisë së Shtetit, janë të detyruar ta njoftojnë menjëherë këtë shërbim.

4. Për të dhënat e marra për përfshirjen në vepra penale të punonjësve, që janë subjekte të punës së SHKB-së, shërbimet informative njoftojnë SHKB-në, brenda një afati të caktuar dhe sipas mënyrës së parashikuar në një udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm dhe të drejtuesve të shërbimeve informative.

5. Autoritetet me kompetenca policore mund të bëjnë hetime dhe arrestime në flagrancë të punonjësve të policisë, por janë të detyruara të njoftojnë menjëherë SHKB-në.

6. SHKB-ja u kërkon punonjësve të Policisë së Shtetit deklarata për veprimtaritë e jashtme, dypunësimin, investimet, pasuritë dhe dhuratat ose privilegjet, nga të cilat mund të lindë një konflikt interesash, për shkak të funksioneve të tyre si nëpunës publikë.

7. Për mbledhjen e të dhënave, SHKB-ja mund të përdorë bashkëpunimin e fshehtë me individë, edhe kundrejt shpërblimit, vëzhgimin (mbikëqyrjen) e fshehtë të personave dhe të mjediseve.

8. SHKB-ja ka të drejtë të kontrollojë dhe të marrë dokumente, evidenca dhe informacione, në formë të shkruar ose elektronike, nga të gjitha zyrat, sekretaritë dhe arkivat e Policisë së Shtetit ose nga çfarëdo burim tjetër informacioni. Në rast se ka dyshime të bazuara se është kryer një vepër penale, sendet dhe dokumentet e përmendura më sipër sekuestrohen, nëse plotësohen kriteret e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

9. Organet e administratës publike, personat fizikë e juridikë janë të detyruar të paraqesin të dhënat identifikuese dhe informacionet e mbledhura në mënyrë të ligjshme, kur kërkohen nga shërbimi dhe që i përkasin objektit të veprimtarisë së tij, përjashtuar të dhënat, shpërndarja e të cilave është e ndaluar me ligj.

10. Personi, që ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me SHKB-në, është i detyruar të ruajë sekretin e këtij bashkëpunimi dhe të informacioneve të klasifikuara, derisa të përfundojë detyrimi ligjor për ruajtjen e këtij sekreti.

11. Rregullat konkrete për përdorimin e burimeve të informacionit, të përcaktuara në këtë nen, si dhe për marrjen, administrimin, verifikimin dhe vlerësimin e të dhënave, që përfitohen prej tyre, përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Brendshëm.



Neni 24

Masa të veçanta për mbledhjen të dhënave



1. Kur në bazë të të dhënave, që disponohen, dyshohet se një person, subjekt i punës së SHKB-së, sipas këtij ligji, ka kryer një vepër penale ose po planifikon apo po organizon të kryejë një krim dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera, punonjësi hetues i SHKB-së i bën kërkesë:

a) prokurorit për përgjimin e fshehtë të bisedave të këtij personi në vende publike, duke përdorur pajisje teknike për fotografim, filmim dhe regjistrim audio/video;

b) prokurorit për përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes;

c) për përgjimin e telekomunikimeve të këtij personi, në përputhje me legjislacionin përkatës.

2. Për gjurmimin dhe hetimin e veprave penale, SHKB-ja ka të drejtë të përdorë teknika të posaçme hetimore, me lejen e prokurorit, sipas legjislacionit në fuqi, për të siguruar provat e fajësisë, përfshi edhe identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e produkteve të krimit.

3. Përdorimi i masave të veçanta, sipas pikës 1 të këtij neni, lejohet për aq kohë sa ekzistojnë arsyet ose rrethanat, që kanë bërë të nevojshëm përdorimin e tyre dhe ky afat zgjatet, sipas afateve të vendosura në legjislacionin përkatës.

4. Kur brenda 6 muajve pas përfundimit të përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në këtë nen, nuk bëhet referimi i veprës penale prokurorit që ndjek çështjen, për të cilën janë përdorur masat e veçanta, i gjithë informacioni i mbledhur, si rezultat i përdorimit të këtyre masave, veçohet për asgjësim, me afat ruajtje 5 vjet.

5. Rregullat konkrete për procedurat e përgjimit, të përcaktuara në shkronjën "a" të pikës 1 të këtij neni, si dhe për marrjen, administrimin, verifikimin dhe vlerësimin e të dhënave që përfitohen prej tyre, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

6. SHKB-ja, në funksion të objektit të veprimtarisë së saj, ka të drejtë të kryejë testin e integritetit të punonjësve të Policisë së Shtetit. Rregullat dhe procedurat për kryerjen e këtij testi përcaktohen me udhëzim të ministrit.



Neni 25

Veprimtaria informative



1. Veprimtaria informative e SHKB-së, në kuptim të këtij ligji, vlerësohet procesi i grumbullimit, sistemimit, vlerësimit, analizimit, shpërndarjes dhe përdorimit të informacionit, për parandalimin e zbulimin e veprave penale, të kryera nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

2. Veprimtaria informative e SHKB-së bazohet vetëm në të dhënat e marra dhe të administruara, në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi dhe me aktet nënligjore, të nxjerra në zbatim të tyre.

3. Rregullat konkrete për realizimin e veprimtarisë informative të SHKB-së dhe masat për ruajtjen e të dhënave e për kontrollin e kësaj veprimtarie informative përcaktohen me udhëzim të ministrit.



Neni 26

Hetimi i shkeljeve



1. Nëse nga verifikimi për një shkelje disiplinore dyshohet se një punonjës i Policisë së Shtetit ka kryer një shkelje, që përbën vepër penale, të gjitha materialet e çështjes i dërgohen Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, i cili procedon me hetimin e çështjes, sipas Kodit të Procedurës Penale.

2. Nëse nga hetimi i çështjes nga SHKB-ja nuk rezulton se punonjësi i policisë ka kryer vepër penale, materialet, së bashku me një relacion shpjegues, i kthehen Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, brenda dy ditëve pune nga marrja e këtij vendimi. Në këtë rast, Policia e Shtetit mund të vazhdojë me procedimin disiplinor.



Neni 27

Përpunimi i të dhënave personale



1. Mbledhja, ruajtja, përdorimi dhe komunikimi i të dhënave personale, për qëllime ligjore të SHKB-së, kufizohet vetëm me nevojat operacionale, kur janë të nevojshme për parandalimin e rrezikut real ose parandalimin e një vepre penale. Gjatë përpunimit të të dhënave respektohen parimet dhe rregullat e përcaktuara nga Këshilli i Evropës në konventën "Për mbrojtjen e individëve për përpunimin automatik të të dhënave personale" e datës 28 janar 1981, ratifikuar me ligjin nr.9288, datë 7.10.2004 "Për ratifikimin e konventës "Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale"", me ligjin nr.9887, datë 10.3.2008 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" dhe me ligjin nr.8792, datë 10.10.2001 "Për krijimin e qendrës së përpunimit të të dhënave".

2. Të dhënat mund t'u komunikohen agjencive të huaja homologe vetëm në bazë të një marrëveshjeje bashkëpunimi, sipas së cilës struktura, që i kërkon këto të dhëna, merr përsipër detyrimin e trajtimit e të ruajtjes së tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke siguruar një shkallë të caktuar të mbrojtjes së të dhënave, të barabartë ose në nivel më të lartë se ajo që garantohet në ligjet e mësipërme.



KREU II

KOMPETENCAT INSPEKTUESE



Neni 28

Inspektimi



1. SHKB-ja, në përputhje me ligjin, ushtron inspektime.

2. Inspektimi nënkupton vlerësimin e mënyrës së kryerjes së detyrave në Policinë e Shtetit, duke siguruar arritjen e qëllimeve, në përputhje me legjislacionin dhe standardet e kërkuara.



Neni 29

Llojet e inspektimeve



SHKB-ja kryen dy lloj inspektimesh:

a) "Inspektim të zakonshëm", që nënkupton vlerësimin e efektshmërisë dhe të efikasitetit të strukturave të Policisë së Shtetit;

b) "Inspektim të jashtëzakonshëm", që nënkupton vlerësimin e strukturës apo të departamentit të Policisë së Shtetit, për shkak të krijimit të një situate apo ngjarjeje të papritur.



Neni 30

Urdhri për kryerjen e inspektimeve



1. Drejtori i SHKB-së autorizon me shkrim kryerjen e inspektimeve të zakonshme dhe të jashtëzakonshme në Policinë e Shtetit.

2. Drejtori i SHKB-së mund të fillojë një inspektim të jashtëzakonshëm në Policinë e Shtetit vetë ose me urdhër të Ministrit të Brendshëm. Urdhri i ministrit shoqërohet me autorizim, i cili jepet me shkrim ose me gojë në raste urgjente. Në raste urgjente, kur autorizimi është dhënë me gojë, ministri duhet ta lëshojë atë me shkrim sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga dhënia e urdhrit.

3. Autorizimi me shkrim për të kryer inspektim të zakonshëm ka afat njëvjeçar dhe skadon në fund të vitit kalendarik.

4. Në autorizim duhet të jepen arsyeja dhe qëllimi i inspektimit.

5. Inspektimi i jashtëzakonshëm duhet të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 3 ditë pune nga data e lëshimit të autorizimit.



Neni 31

Inspektime të zakonshme



1. Para fillimit të çdo viti kalendarik, drejtori i SHKB-së miraton planin e inspektimeve të zakonshme për çdo departament apo strukturë të Policisë së Shtetit. Për këto lloj inspektimesh nuk ka nevojë për autorizim të posaçëm.

2. Drejtori i SHKB-së miraton protokollet, që përdoren nga nëpunësit e inspektimit gjatë kryerjes së inspektimeve të zakonshme, sipas fushave të mëposhtme të përmbushjes së detyrave të Policisë së Shtetit:

a) menaxhimin e ndërtesave, të buxhetit, financave, prokurimeve, parkut të automjeteve dhe pajisjeve;

b) menaxhimin e burimeve njerëzore;

c) menaxhimin e armëve të zjarrit, të municionit, pajisjeve dhe armëve të tjera;

ç) menaxhimin e shoqërimit, të ndalimit dhe arrestimit;

d) menaxhimin e patrullave të trafikut dhe të sigurisë në rrugë;

dh) menaxhimin e zbulimit dhe të hetimit të krimit;

e) menaxhimin e ruajtjes dhe të kontrollit të kufirit e migracionit;

ë) menaxhimin e ankesave kundër policisë dhe hetimin e shkeljes disiplinore;

f) menaxhimin e planeve vendore të policimit, të sigurisë në komunitet dhe nismat e policimit në komunitet;

g) menaxhimin e përpunimit të të dhënave personale dhe pajtueshmërinë me ligjin në zbatim.

3. Ministri, nëse e sheh të arsyeshme dhe të nevojshme, mund të përfshijë në këtë listë edhe fusha tjera të menaxhimit të Policisë së Shtetit.



Neni 32

Inspektime të jashtëzakonshme



Drejtori i SHKB-së miraton procedurat standarde të punës gjatë inspektimeve të jashtëzakonshme.



Neni 33

Mënyrat për mbledhjen e të dhënave gjatë inspektimeve



1. SHKB-ja, për mbledhjen e të dhënave në funksion të inspektimeve të zakonshme dhe të jashtëzakonshme:

a) kryen kontrollin e gjendjes së ndërtesave, automjeteve dhe pajisjeve;

b) kryen kontrollin e regjistrave dhe të dosjeve, qoftë me përmbledhje dokumentesh apo në mënyrë elektronike ose në formën e regjistrimeve audio/video;

c) interviston të punësuarit dhe shtetasit;

ç) interviston personat e shoqëruar dhe të arrestuar;

d) përdor pyetësorët, që janë plotësuar nga të punësuarit ose shtetasit.

2. Punonjësit e inspektimit të SHKB-së, gjatë një inspektimi të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm, mund të marrin dokumente ose kopje të tyre, qofshin ato të shkruara apo elektronike dhe të regjistrimeve audio e video, nëse kjo është e nevojshme, për të hartuar raportet e inspektimit.

3. Punonjësit e inspektimit të SHKB-së zbatojnë të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore, të nxjerra në zbatim të tyre, për ruajtjen e sekretit dhe të të dhënave.

4. Me marrjen e autorizimit me shkrim, titullari i strukturës, ku bëhet inspektimi, ndihmon me të gjitha mjediset e institucionit që drejton dhe udhëzon personelin të japë ndihmesë të plotë për punonjësit e inspektimit të SHKB-së.

5. Kur drejtuesi i strukturës, ku do të bëhet inspektimi, sjell pengesa, pa pasur një shkak të ligjshëm, punonjësit e inspektimit të SHKB-së i raportojnë drejtorit të SHKB-së, i cili vendos nëse çështja i dërgohet ministrit ose Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për marrjen e masave disiplinore.

6. Ministri nxjerr udhëzime për procedurat e kryerjes së inspektimeve.



PJESA E KATËRT

STATUSI I PUNONJËSIT TË SHKB-SË



KREU I

TË PËRGJITHSHME



Neni 34

Pranimi në SHKB



1. Ka të drejtë të konkurrojë, për t'u pranuar si punonjës i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, çdo person, që plotëson kriteret e mëposhtme:

a) është shtetas i Republikës së Shqipërisë;

b) ka zotësi të plotë juridike për të vepruar;

c) përmbush kërkesat për nivelin arsimor, sipas vendit të punës;

ç) është në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht, për të kryer detyrën;

d) jep informacionin e kërkuar për punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër, që lidhet me pranimin e tij në shërbim;

dh) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje. Në rast se personi është dënuar për një vepër penale të kryer nga pakujdesia, duhet të vlerësohen pasojat dhe rrethanat e kryerjes.

2. Pranimi në SHKB bëhet me konkurrim të hapur, në bazë të vendeve të lira të punës. Shpallja e vendit të lirë të punës botohet në dy gazeta kombëtare me tirazh të madh. Pranimi kalon në fazat e shqyrtimit dhe të verifikimit paraprak të dokumentacionit, të testimit me shkrim, të intervistës me gojë dhe të verifikimit të figurës.

3. Personat, që punësohen në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, krahas kërkesave të përgjithshme, duhet të plotësojnë kushtet për t'u pajisur me certifikatë sigurie, për njohjen e informacionit të klasifikuar "Sekret shtetëror" dhe disa kërkesa për punë të veçantë.

4. Pranimi në shërbim mund të kryhet me urdhër të ministrit, pa konkurrim, në raste të veçanta dhe për profesione specifike, pas plotësimit të kërkesave të përcaktuara në pikat 1 e 3 të këtij neni. Në urdhër duhet të jepen edhe arsyet e pranimit pa konkurrim.



5. Marrja në punë dhe caktimi në detyrë i punonjësit të shërbimit bëhet nga drejtori i SHKB-së, sipas propozimeve të sjella nga njësia e personelit.

6. Personi, që pranohet në SHKB, nënshkruan, ditën e parë të punës, një kontratë, në përmbajtjen e së cilës ekzistojnë sanksione në rastet e refuzimit, për të shkuar në vendin ku është caktuar të shërbejë.

7. Kriteret e veçanta për pranimin në punë, përbërja e komisionit të testimit, procedura e zhvillimit të konkursit dhe rastet e zhvillimit të procedurave të pranimit, pa konkurrim, përcaktohen në rregulloren e personelit.



Neni 35

Trajnimi dhe kualifikimi



1. Kandidati, i cili përzgjidhet për t'u pranuar si punonjës i SHKB-së, duhet:

a) të kryejë trajnimin përkatës, sipas vendit të punës;

b) të vihet në periudhë prove për dy vjet nga data e emërimit.

2. Punonjësi, i punësuar në SHKB para hyrjes në fuqi të këtij ligji, që nuk ka kryer trajnimin përkatës në një institucion të shkollimit policor apo me natyrë të ngjashme, duhet ta kryejë atë brenda dy viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.

3. Kriteret për trajnimin e punonjësve të SHKB-së përcaktohen në rregulloren e personelit.



Neni 36

Shkollimi dhe kualifikimet jashtë shtetit



1. Njohja dhe ekuivalentimi i shkollimeve të kryera jashtë shtetit bëhen në përputhje me ligjin për arsimin e lartë.

2. Njohja dhe ekuivalentimi i trajnimeve policore të kryera jashtë shtetit bëhen me urdhër të Ministrit të Brendshëm.

3. Një person, i emëruar në SHKB, në përputhje me dispozitat e këtij neni, duhet të kryejë trajnim për legjislacionin shqiptar.



Neni 37

Periudha e provës



1. Punonjësi, që punësohet në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, i nënshtrohet një periudhe prove, që zgjat 2 vjet nga data e emërimit. Gjatë kësaj periudhe ai është nën kujdesin e një punonjësi me stazh në punë dhe vlerësohet nga eprori më i afërt i tij. Kërkesat për kryerjen e detyrës gjatë periudhës së provës përcaktohen nga drejtori.

2. Në fund të periudhës së provës, me propozimin e eprorit direkt, drejtori i SHKB-së vendos:

a) konfirmimin si punonjës i SHKB-së, kur personi vlerësohet i aftë për të marrë përsipër realizimin e detyrës;

b) lirimin si punonjës i SHKB-së, kur personi vlerësohet i paaftë për të marrë përsipër e për të realizuar detyrën. Paaftësia duhet të konfirmohet nga njësia që ka kryer kontrollin dhe inspektimin e punës së këtij personi.

3. Vlerësimi i punës për punonjësit në periudhë prove bëhet një herë në gjashtë muaj. Vlerësimi përfundimtar bëhet në përfundim të periudhës së provës.



Neni 38

Caktimi i detyrave dhe transferimi i punonjësve



1. Personit të emëruar në SHKB i caktohen detyra, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

2. Personi i emëruar në SHKB, në përputhje me gradën që ka, mund të caktohet me shërbim kudo, brenda territorit të vendit.

3. Transferimi bëhet gjithmonë për pozicione, të cilat janë brenda drejtimit të punës së tyre dhe me kusht që, në këtë rast, pozicionet të kërkojnë të njëjtën gradë.



Neni 39

Vlerësimi i punës



1. Vlerësimi i rezultateve individuale të punës së punonjësit të SHKB-së bëhet një herë në vit, si dhe në rastet e përfundimit të periudhës së provës, transferimit dhe përjashtimit nga ky shërbim.

2. Procedurat dhe kriteret e vlerësimit të punës përcaktohen në rregulloren e personelit.



Neni 40

Komandimi



1. Punonjësi i SHKB-së, për nevoja pune, mund të komandohet, me urdhër të drejtorit të SHKB-së, për një periudhë jo më tepër se gjashtë muaj ose deri në përfundimin e çështjes.

2. Gjatë kohës së komandimit, punonjësit i ruhet vendi i punës, ku merr edhe pagën.

3. Në rastet e komandimit jashtë vendbanimit, punonjësi i komanduar përfiton dietë, sipas legjislacionit në fuqi.



Neni 41

Lirimi dhe përjashtimi nga SHKB-ja



1. Një punonjës i SHKB-së lirohet ose përjashtohet nga ky shërbim, në përputhje me kushtet e këtij neni dhe kur është dhënë autorizimi i nevojshëm, sikurse përcaktohet në pikën 4 të po këtij neni.

2. Një punonjës i SHKB-së lirohet nëse:

a) deklarohet i paaftë nga ana shëndetësore, me vendim të komisionit mjeko-ligjor;

b) i shkurtohet funksioni organik dhe nuk mund të sistemohet në një funksion tjetër për të njëjtën gradë brenda këtij shërbimi, si dhe nuk pranon uljen në gradë, kur ka mundësi sistemimi;

c) punësohet në struktura të tjera të administratës publike;

ç) mbush moshën për pension të plotë pleqërie;

d) mbush moshën për pension të parakohshëm dhe kërkon të largohet nga ky shërbim;

dh) vlerësohet i paaftë për realizimin e detyrës së ngarkuar, të paktën pas dy vlerësimeve të njëpasnjëshme të rezultateve në punë;

e) kërkon vetë të lirohet.

3. Një punonjës i SHKB-së largohet nga puna nëse dënohet me burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë, për një vepër penale të kryer me dashje, shkel detyrimet e përcaktuara në nenin 46 të këtij ligji, si dhe kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga SHKB-ja. Në rast se personi është dënuar për një vepër penale të kryer nga pakujdesia, vlerësohen pasojat dhe rrethanat e kryerjes së veprës.

4. Lirimi dhe përjashtimi i punonjësit të SHKB-së bëhen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të SHKB-së.



Neni 42

Ripranimi në SHKB



Një punonjës i SHKB-së, i liruar sipas shkronjës "b" të pikës 2 të nenit 41 të këtij ligji, mund të ripranohet në SHKB kur krijohen vende të lira në pozicionin për të cilin ai ka kualifikimin e duhur. Nëse ripranimi bëhet brenda 12 muajve të pandërprerë, ai rifiton gradën e mëparshme. Nëse ripranimi bëhet në një periudhë nga 12 muaj deri në 36 muaj pas lirimit, punonjësi ka të drejtë të ripranohet në një pozicion, që i përgjigjet gradës, që vjen menjëherë më poshtë asaj, që ai mbante çastin e lirimit. Nëse personi kërkon të ripranohet pas 36 muajve nga data e lirimit, ai duhet t'i nënshtrohet procesit të konkurrimit për pranim në SHKB nga fillimi.



KREU II

DETYRIMET KRYESORE TË PUNONJËSVE TË SHKB-SË



Neni 43

Detyrat e përgjithshme



Punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ka për detyrë:

a) të njohë dhe të veprojë në përputhje me ligjet dhe aktet e tjera nënligjore në fuqi;

b) të veprojë me profesionalizëm, paanshmëri dhe në përputhje me kodin e etikës;

c) t'i trajtojë personat në mënyrë të barabartë dhe t'i kryejë detyrat pa diskriminim, në përputhje me ligjin dhe standardet e kërkuara;

ç) të respektojë dinjitetin dhe integritetin fizik të çdo punonjësi tjetër të shërbimit;

d) të zbatojë urdhrat e bazuar në ligj;

dh) të njoftojë eprorin se heq dorë nga kryerja e detyrës, për shkak të konfliktit të interesit.



Neni 44

Detyrimi për të zbatuar urdhra të bazuar në ligj



1. Çdo punonjës i SHKB-së duhet të zbatojë të gjithë urdhrat e ligjshëm, që i jepen nga një person më i lartë në funksion ose në gradë.

2. Kur një punonjës i SHKB-së ka shkaqe të mjaftueshme të dyshojë se urdhri i dhënë nga eprori i tij është i paligjshëm, ai duhet, pa vonesë, t'ia bëjë të ditur eprorit dhe të kërkojë që urdhri të jepet me shkrim.

3. Punonjësi epror i SHKB-së ka detyrimin të japë urdhrin me shkrim, nëse i kërkohet, sipas pikës 2 të këtij neni.

4. Në rastet kur moszbatimi i urdhrit deri në dhënien me shkrim të tij, sipas pikës 3 të këtij neni, rrezikon jetën e një personi tjetër, punonjësi i SHKB-së duhet të zbatojë urdhrin.

5. Kur një punonjës i SHKB-së, edhe pas zbatimit të procedurave, sipas pikave 2 e 3 të këtij neni, vazhdon të ketë arsye për të dyshuar se urdhri është i paligjshëm, ai:

a) kundërshton urdhrin, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 4 të këtij neni;

b) vë menjëherë në dijeni titullarin, i cili është drejtpërdrejt mbi eprorin që ka dhënë urdhrin, të cilit i njofton edhe masat e marra prej tij, në përputhje me dispozitat e këtij neni.



Neni 45

Detyrime gjatë ushtrimit të kompetencave policore



Punonjësi i SHKB-së, gjatë ushtrimit të kompetencave policore, duhet:

a) të marrë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar arratisjen e një personi, në rastet e shoqërimit, të ndalimit apo të arrestimit;

b) të kërkojë ndihmë mjekësore dhe të marrë masat e nevojshme, realisht të zbatueshme, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e personit të shoqëruar, të ndaluar apo të arrestuar, për të cilin ka shkaqe të arsyeshme për kujdes mjekësor;

c) t'i vijë në ndihmë një punonjësi tjetër të SHKB-së gjatë ushtrimit të detyrës, kur ka shkaqe të arsyeshme për ndihmë, e cila është më parësore se kryerja e detyrës, me përjashtim të rasteve kur kjo ndihmë refuzohet;

ç) të përdorë shenjat dhe simbolet e miratuara për SHKB-në vetëm gjatë kryerjes së detyrës.



Neni 46

Depolitizimi



1. Punonjësi i SHKB-së nuk duhet të manifestojë sjellje dhe të mbajë qëndrime, që cenojnë natyrën e depolitizuar të institucionit. Ai nuk mund të mbështesë fushatën e një partie, të një organizate politike, të një anëtari të një partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht apo financiarisht. Atij i ndalohet anëtarësimi dhe pjesëmarrja në veprimtaritë e partive apo të shoqatave politike, si dhe të bëjë propagandë në favor ose kundër partive, shoqatave politike apo kundër kandidatëve në zgjedhje.

2. Punonjësi i SHKB-së ka për detyrë të ushtrojë funksionet në mënyrë të paanshme dhe pavarësisht bindjeve politike.

3. Ndalohet punësimi në bazë të përkatësive dhe bindjeve politike.



Neni 47

Kufizimi i së drejtës së grevës



Punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm nuk ka të drejtën e grevës.



Neni 48

Detyrimi për të mos dhënë informacione të klasifikuara dhe përjashtimi nga publikimi



1. Punonjësi i SHKB-së nuk duhet të japë informacione të klasifikuara në asnjë lloj rrethane.

2. Pika 1 e këtij neni përbën detyrim për zbatim edhe për punonjësit e SHKB-së të liruar ose të përjashtuar nga ky shërbim.

3. SHKB-ja përjashtohet nga detyrimi për publikimin e dokumenteve dhe të të dhënave të klasifikuara "Sekret shtetëror".



Neni 49

Detyrimi për të raportuar ankesat dhe shkeljet



Punonjësi i SHKB-së i raporton eprorit përkatës ose, në mungesë të tij, eprorit të eprorit çdo ankesë për sjelljen e një punonjësi të SHKB-së apo shkelje nga ana e tij.



Neni 50

Kufizimi për veprimtari të dyta



1. Punonjësi i SHKB-së nuk mund të punësohet ose të kryejë veprimtari private, të cilat pengojnë plotësimin e kërkesave të detyrës.

2. Në rastet e dypunësimit, punonjësi i SHKB-së merr miratimin me shkrim të drejtorit.

3. Punonjësi i SHKB-së ka detyrimin të njoftojë, paraprakisht, drejtorin nëse ndërmerr një veprimtari apo drejton një biznes, që mund ta çojë në konflikt interesi me kompetencat dhe detyrën e tij.



KREU III

TË DREJTAT E PERSONELIT



Neni 51

E drejta e pagës dhe e shpërblimit



1. Për shkak të natyrës së veçantë të punës, punonjësi i SHKB-së ka përparësi në trajtimin me pagë.

2. Paga e punonjësit të SHKB-së me kompetenca hetimore caktohet sipas gradës dhe funksionit që punonjësi ka fituar. Paga mujore e tyre përbëhet nga paga bazë, që është paga për gradë dhe nga shtesat mbi pagën bazë (në përqindje ose në shumë absolute) për kushte dhe natyrë të veçantë të vendit të punës e të shërbimit, përfshirë profesionin, kualifikimin dhe kohën e qëndrimit në gradë, për kompensim të privacioneve e humbjeve, që i shkaktohen atij, për shkak të punës e të shërbimit.

3. Paga e punonjësit inspektues dhe mbështetës të SHKB-së njësohet me pagën e punonjësve të tjerë të administratës publike, duke marrë parasysh edhe natyrën e veçantë të punës.

4. Punonjësi i SHKB-së përfiton të gjitha shtesat e tjera të veçanta mbi pagë, që përfitojnë punonjësit e tjerë të administratës publike.

5. Punonjësit e SHKB-së përfitojnë çdo vit, në fund të vitit financiar, një shpërblim deri në një pagë mujore, të njëjtë me atë të përfituar nga punonjësit civilë dhe punonjësit e tjerë të administratës shtetërore. Ky shpërblim jepet në bazë të një shkalle përpjesëtueshmërie, që pasqyron kohën e punës së kryer nga punonjësi gjatë vitit financiar. Punonjësit, që nuk mungojnë në punë, për çfarëdo arsye, përveç kohës së pushimit, kanë të drejtën e shpërblimit të plotë. Kjo pagë nuk përfitohet në rastet kur punonjësi është ndëshkuar me masën e përjashtimit.

6. Rregullimi i pagës, shpërblimit dhe ndihmës ekonomike, kriteret dhe përgjegjësitë për dhënien e tyre miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 52

Koha e punës dhe e pushimit



1. Koha e punës dhe e pushimit për punonjësit e SHKB-së njësohet me atë të punonjësve të tjerë të administratës publike, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.

2. Pushimi vjetor i pagueshëm për punonjësit e shërbimit është 30 deri në 45 ditë kalendarike dhe jepet i shkallëzuar, sipas niveleve e gradave.

3. Periudha e lejes pa të drejtë pagese nuk llogaritet në vjetërsi pune e shërbimi dhe as për efekt të ecurisë në karrierë.

4. Kriteret dhe masat e përfitimeve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 53

Dhënia e pensionit dhe përfitimeve suplementare



1. Punonjësi i SHKB-së, përveç përfitimeve, që rrjedhin nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, barazohet me punonjësit e Policisë së Shtetit dhe gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera shtesë, sipas kushteve e kritereve të përcaktuara në ligjin nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit".

2. Për efekt të përfitimeve nga ligji nr. 8661, datë 18.9.2000, koha e shërbimit si punonjës i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, nga e cila buron e drejta e përfitimeve suplementare, përfshin kohën:

a) e studimit në shkollat e larta ushtarake, të Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit apo në shkolla të larta, me natyrë të ngjashme me to;

b) kur është njohur si punonjës i SHKB-së;

c) kur është njohur si ushtarak i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si punonjës i Policisë së Shtetit e i Gardës së Republikës, si punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit, si punonjës i Shërbimit Informativ Ushtarak ose si punonjës në çdo vend të administratës shtetërore, për periudhën që ka ushtruar kompetencat e hetimit të veprave penale;

ç) e ndërprerjes së karrierës në shërbim, për shkak të një vendimi të padrejtë, të cilësuar si të tillë nga gjykata;

d) e trajtimit me pagesë kalimtare;

dh) e njohur si pension i parakohshëm për vjetërsi shërbimi;

e) gjysm ën e kohës si punonjës në sektorët joushtarakë, para pranimit si punonjës i SHKB-së;

ë) e qëndrimit në dispozicion, për shkak të pritjes për sistemim në një funksion tjetër, në përputhje me gradën;

f) e shërbimit, që njihet një herë e gjysmë, për funksione të veçanta, me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në çdo rast, periudha gjashtë muaj e një ditë quhet vit i plotë.

3. Punonjësit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm i jepen shpërblime për punë cilësore, për nevoja kulturore, për raste fatkeqësish dhe raste të tjera të kësaj natyre, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 54

Trajtimi me veshmbathje dhe uniformë



1. Punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm trajtohet me veshmbathje në vlerë, një herë në vit, në masën e një page mujore të vendit të punës.

2. Njësi të veçanta të shërbimit pajisen me uniformë, të cilën e përdorin vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, kur kërkohet përdorimi i saj. Uniforma dhe mbajtja e saj përcaktohen me urdhër të Ministrit të Brendshëm.



Neni 55

Ndihma financiare



1. Kur bashkëshortja/bashkëshorti humbet vendin e punës, për shkak të emërimit ose transferimit në detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm të punonjësit, këtij të fundit i jepet një shtesë page, në masën dhe sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave. Paga e papunësisë jepet në emër të bashkëshortes/bashkëshortit.

2. Koha e qëndrimit pa punë të bashkëshortes/bashkëshortit të punonjësit, për një periudhë deri në 7 vjet, njihet si vjetërsi sigurimi, për efekt përfitimi pensioni pleqërie. Kontributi për këtë periudhë përballohet nga Buxheti i Shtetit. Kriteret dhe masa përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Personat, që e kanë përfituar këtë të drejtë para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë ta përfitojnë këtë pagesë edhe për periudhën e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, por jo më shumë se 15 vjet.

4. Bashkëshortja/bashkëshorti i punonjësit e përfiton pagën e papunësisë edhe për periudhën kur punonjësi nxirret në lirim, për arsye ristrukturimi, ose vdes, por jo më shumë se periudha e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.



Neni 56

E drejta për sigurim banese



1. Punonjësve të SHKB-së, që kanë nevojë për strehim ose për sipërfaqe më të madhe banimi, u jepet kredi, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Punonjësi i shërbimit, i trajtuar sipas këtij neni, kur del në lirim, për arsye ristrukturimi dhe nuk i ka shlyer detyrimet përkatëse, vazhdon t'i shlyejë ato si punonjësit në detyrë.

3. Nuk përfitojnë, sipas këtij neni, punonjësit e përjashtuar nga SHKB-ja.



Neni 57

Baza e të dhënave të shenjave të gishtave dhe ADN-së së punonjësve të SHKB-së



1. Shenjat e gishtave dhe mostra e ADN-së e të gjithë punonjësve të SHKB-së ruhen në një bazë të dhënash në laboratorin e policisë shkencore, për të përjashtuar të dhënat e tyre nga ato të proceseve. Ruajtja e të dhënave i shërben procesit të rekrutimit për ata që aplikojnë për t'u pranuar në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe këto të dhëna u merren të gjithë punonjësve në shërbim, nëse nuk u janë marrë në çastin e marrjes në punë.

2. Shenjat e gishtave dhe mostra e ADN-së, të marra për të krijuar këtë bazë të dhënash, shkatërrohen, qoftë në letër apo në formë elektronike, sapo një punonjës del në pension, lirohet apo përjashtohet nga SHKB-ja.

3. Nëse një punonjës i SHKB-së rikthehet, shenjat e gishtave dhe mostra e ADN-së rimerren.



KREU IV

PROCESI DISIPLINOR



Neni 58

Masa disiplinore



1. Çdo veprim ose mosveprim, kur nuk përbën vepër penale, që bie në kundërshtim me rregulloren e disiplinës, vlerësohet shkelje disiplinore e punonjësit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

2. Masat për shkeljet disiplinore jepen sipas një procedure administrative, e cila garanton të drejtën për t'u vënë në dijeni, për t'u dëgjuar, për t'u mbrojtur dhe për t'u ankuar.

3. Rregullorja e disiplinës miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 59

Llojet e masave disiplinore



1. Shkeljet ligjore dhe mospërmbushja e rregullt e detyrës ndëshkohen deri në përjashtim nga SHKB-ja. Përveç shkeljeve më të rënda, dhënia e masave disiplinore duhet të jetë e përshkallëzuar.

2. Llojet e masave disiplinore, veç masave paraprake, të shprehura në rregulloren e disiplinës, janë:

a) vërejtje me shkrim;

b) gjobë, në masën sa paga e punonjësit nga pesë deri në pesëmbëdhjetë ditë pune;

c) shtyrje e afatit të gradimit edhe për 12 muaj;

ç) ulje në gradë, pa të drejtë konkurrimi për ngritje në gradën e mëparshme, për 2 vjet;

d) përjashtim nga ky shërbim.

3. Masa disiplinore e dhënë duhet të jetë në përputhje me shkeljen e kryer dhe me pasojat e ardhura prej saj.

4. Ankimimi në gjykatë nuk pezullon ekzekutimin e masës disiplinore.



Neni 60

Dhënia e masës disiplinore



1. Autoriteti, që jep masën disiplinore, përcaktohet në rregulloren e disiplinës.

2. Masa disiplinore i komunikohet me shkrim vetë punonjësit, brenda 3 ditëve pun e nga data e marrjes së vendimit, duke e njoftuar për të drejtën që ka për të apeluar.

3. Punonjësi i SHKB-së, i ndëshkuar me një masë disiplinore, ka të drejtë të marrë pjesë në procesin disiplinor dhe të ndihmohet nga një punonjës i SHKB-së, i zgjedhur prej tij, me të njëjtën gradë ose me gradë më të lartë.



Neni 61

E drejta për ankim



1. Punonjësi i SHKB-së, ndaj të cilit merret një masë disiplinore, ka të drejtë të ankohet me shkrim pranë strukturës së personelit, brenda 5 ditëve nga data, kur vihet në dijeni për dhënien e masës disiplinore. Për shqyrtimin e ankimit, krijohet një komision, funksionimi i të cilit përcaktohet në rregulloren e disiplinës.

2. Procedura e shqyrtimit të masave disiplinore përcaktohet në rregulloren e disiplinës. Punonjësit të ndëshkuar i garantohen të drejtat për t'u mbrojtur, për t'u njohur me materialet e çështjes dhe për t'u njoftuar brenda një afati të arsyeshëm. Mosparaqitja pa shkaqe të arsyeshme e punonjësit të këtij shërbimi nuk e pengon shqyrtimin e çështjes.

3. Masa disiplinore nuk mund të jepet, nëse nuk i komunikohet me shkrim punonjësit brenda 30 ditëve nga data konstatimit të shkeljes apo nëse nuk është zbuluar brenda 2 vjetëve nga koha e kryerjes së saj.

4. Afati 30-ditor i komunikimit të masës mund të shtyhet nga drejtori i SHKB-së, për shkaqe që lidhen me ecurinë e hetimit të shkeljes. Në këto raste, shtyrja e afatit bazohet në një raport me shkrim, që i dërgohet drejtorit të SHKB-së çdo 30 ditë.

5. Punonjësi i SHKB-së, ndaj të cilit merret një masë disiplinore, ka të drejtë të ankohet, sipas Kodit të Procedurave Administrative.

6. Mosrespektimi i afateve nga SHKB-ja është shkak për pushimin e procesit disiplinor.



Neni 62

Shuarja e masës disiplinore



1. Masat disiplinore shuhen nga një deri në pesë vjet, sipas afateve të përcaktuara në rregulloren e disiplinës. Masa e uljes në gradë shuhet në çastin e rifitimit, pas konkurrimit, të gradës së mëparshme. Masa e "përjashtimit nga shërbimi" nuk shuhet dhe qëndron përgjithmonë në dosjen personale të ish-punonjësit.

2. Pas kalimit të periudhave të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, i gjithë dokumentacioni, që lidhet me masat disiplinore, vendoset në qendrën e të dhënave të njësisë së personelit dhe ruhet gjatë të gjithë kohës së punës të punonjësit.



Neni 63

Rregullorja e disiplinës



Kategoritë dhe llojet e shkeljeve disiplinore, kriteret, rregullat, procedurat dhe dokumentacioni për dhënien e masave disiplinore, si dhe përbërja, mënyra e organizimit dhe e funksionimit të komisionit të apelimit të punonjësve të SHKB-së përcaktohen në rregulloren e disiplinës.



Neni 64

Hetimi i pavarur i sjelljes së punonjësit të SHKB-së



1. Procedurat për hetimin e ankesave ndaj punonjësve të SHKB-së parashikohen në rregulloren e disiplinës.

2. Kur shkelja përbën vepër penale, hetohet nga zyra e prokurorisë që e ka në juridiksion.



Neni 65

Pezullimi nga SHKB-ja



1. Pezullimi është ndërprerja e përkohshme e marrëdhënieve të punës për periudhën sa zgjat arsyeja e ndërprerjes. Në mbarim të kësaj periudhe, punonjësi rimerr vendin e punës në këtë shërbim ose përjashtohet prej tij.

2. Punonjësi i SHKB-së pezullohet, me urdhër të drejtorit, kur:

a) ndaj tij fillon ndjekja penale, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë;

b) ndaj tij fillon një hetim, i brendshëm ose i jashtëm dhe qenia e tij në detyrë cenon objektivitetin e hetimit. Në këtë rast, afati i pezullimit dhe shtyrja e afatit përcaktohen nga drejtori i SHKB-së.

3. Në rastet e pushimit të çështjes ose marrjes së pafajësisë, punonjësi duhet t'i nënshtrohet procedimit disiplinor, sipas nenit 59 e në vijim të këtij ligji. Gjatë periudhës së pezullimit punonjësi trajtohet me pagën bazë.

4. Në rast se pas shqyrtimit të çështjes rezulton se punonjësi nuk ka bërë shkelje penale ose disiplinore, ai rifiton të gjitha të drejtat.

5. Në rast se pas shqyrtimit të çështjes rezulton se punonjësi ka bërë shkelje penale ose disiplinore, periudha e kohës së pezullimit nga detyra njihet si vjetërsi shërbimi vetëm për efekt të sigurimeve shoqërore.



KREU V

GRADAT NË SHËRBIMIN E KONTROLLIT TË BRENDSHËM



Neni 66

Kuptimi i gradave, sistemi i tyre dhe karriera



1. Sistemi i gradave përcakton hierarkinë e punonjësit hetues në strukturën e SHKB-së, nivelet e administrimit dhe pasqyron marrëdhëniet ndërmjet funksioneve.

2. Karriera, e shprehur me hierarkinë e gradave dhe të funksioneve, është rendi i përgjegjësive të punonjësit gjatë kohës që shërben në SHKB, sipas arsimit, kualifikimit, aftësive drejtuese e profesionale dhe vjetërsisë së shërbimit.



Neni 67

Nivelet



1. Nivelet pasqyrojnë nivelin e organizimit, të drejtimit, kontrollit dhe kryerjes së detyrave në SHKB, si dhe tregojnë pozitën e punonjësve në strukturën e administratës së këtij shërbimi.

2. Emërtimet e niveleve të SHKB-së, sipas hierarkisë, janë:

a) punonjës i nivelit zbatues, që përfaqëson nivelin bazë të veprimit;

b) punonjës i nivelit të parë drejtues, që përfaqë son drejtimin dhe veprimin operacional;

c) punonjës i nivelit të mesëm drejtues, që përfaqëson drejtimin ekzekutiv, qendror dhe/ose vendor;

ç) punonjës i nivelit të lartë drejtues, që përfaqëson drejtimin strategjik.



Neni 68

Gradat për personelin hetues



1. Emërtimet e gradave në SHKB, sipas niveleve dhe ecurisë në karrierë, janë:

a) Punonjës i nivelit zbatues:

i) asistent;

ii) agjent;

iii) agjent i parë;

iv) hetues.

b) Punonjës i nivelit të parë drejtues:

i) hetues i parë.

c) Punonjës i nivelit të mesëm drejtues:

i) drejtues i SHKB-së;

ii) drejtues i parë i SHKB-së.

ç) Punonjës i nivelit të lartë drejtues:

i) Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i SHKB-së;

ii) Drejtor i Përgjithshëm i SHKB-së.

2. Tabela e funksioneve, që i përgjigjet çdo grade, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 69

Ngritja në gradë



1. Ngritja në gradë në SHKB bëhet me konkurrim, që nënkupton, krahas raportit të vlerësimit të punës, edhe një provim, ku testohen aftësitë e aplikantëve për gradën pasardhëse.

2. Grada "Asistent" i jepet kursantit me arsim të mesëm pas përfundimit me sukses të periudhës së kryerjes së shkollimit apo kursit përkatës, sipas vendit të punës. Kjo gradë mbahet nga punonjësi i SHKB-së gjatë periudhës së provës, të përcaktuar në nenin 37. Ngritja në gradën "Agjent" bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës së kursit dhe periudhës së provës.

3. Grada "Hetues" i jepet punonjësit me arsim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se tri vite në sektorë të policisë, të shërbimeve informative dhe të hetimit, pas përfundimit me sukses të periudhës së kryerjes së kursit përkatës, sipas vendit të punës. Kjo gradë mbahet nga punonjësi i SHKB-së gjatë periudhës së provës. Ngritja në gradën "Hetues i parë" bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës së kursit dhe periudhës së provës.

4. Punonjësit të SHKB-së i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas plotësimit të kohës së qëndrimit në gradë, sipas afateve të mëposhtme:

a) nga "Agjent" në "Agjent i parë" 3 vjet;

b) nga "Hetues" në "Hetues i parë" 3 vjet;

c) nga "Hetues i parë" në "Drejtues i SHKB-së" 3 vjet;

ç) nga "Drejtues i SHKB-së" në "Drejtues i parë i SHKB-së" 3 vjet;

d) nga "Drejtues i parë i SHKB-së" në "Zëvendësdrejtor i SHKB-së" 3 vjet;

dh) nga "Zëvendësdrejtor i SHKB-së" në "Drejtor i SHKB-së" pa afat kohor.

5. Në vjetërsinë për efekt gradimi llogaritet edhe koha:

a) e ndërprerjes së karrierës, për shkak të paaftësisë së përkohshme shëndetësore;

b) e paaftësisë shëndetësore, e cila nuk ka ardhur si pasojë e punës, deri në 6 muaj brenda afatit 12-mujor;

c) e pezullimit apo e përjashtimit për shkaqe disiplinore, si rezultat i një urdhri ose vendimi të paligjshëm dhe/ose të padrejtë;

ç) e pezullimit me pagesë deri në përfundimin e hetimit të një kallëzimi ose një ankese për sjellje në kundërshtim me rregulloren e disiplinës, derisa autoriteti përgjegjës të marrë vendimin përfundimtar për çështjen;

d) kur është njohur si ushtarak i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si punonjës i Policisë së Shtetit, si punonjës i Gardës së Republikës, si punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit, si punonjës i Shërbimit Informativ Ushtarak ose si punonjës në çdo vend të administratës shtetërore, për periudhën që ka ushtruar kompetencat e hetimit të veprave penale;

dh) në një të dytën e saj si punonjës në sektorët joushtarakë, para pranimit si punonjës i SHKB-së;

e) e qëndrimit në dispozicion, në pritje për sistemimin në një funksion tjetër, në përputhje me gradën.

Në çdo rast, periudha gjashtë muaj e një ditë quhet vit i plotë.

6. Në vjetërsinë për efekt gradimi nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:

a) lejes së përfituar pa të drejtë pagese;

b) pezullimeve për shkaqe disiplinore.

7. Punonjësi i SHKB-së ka të drejtë të ankohet te drejtori i SHKB-së, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, në rastet kur vëren shkelje të rregullave të ngritjes në gradë, të përcaktuara në këtë nen dhe në rregulloren e personelit.

8. Procedurat për kryerjen e provimeve të ngritjes në gradë përcaktohen në rregulloren e personelit dhe përfshijnë:

a) përbërjen e komisioneve të testimit;

b) procedurat e aplikimit;

c) kriteret për të aplikuar;

ç) strukturën e provimeve, për ngritje në gradë;

d) përcaktimin dhe kohëzgjatjen e listës emërore, sipas radhës, të personave që kanë të drejtë të ndjekin kursin për këtë qëllim.



Neni 70

Fitimi i gradës



1. Ngritja në gradë e punonjësit të SHKB-së nënkupton ngritjen e tij në detyrë, sipas tabelës së funksioneve, që i përgjigjet çdo grade, sipas nenit 69 të këtij ligji. Ngritja në gradë bëhet vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë. Në urdhrin për ngritje në gradë, autoriteti përgjegjës përcakton edhe funksionin përkatës të punonjësit.

2. Procedurat e fitimit të gradës përcaktohen në rregulloren e personelit, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 71

Heqja dorë nga grada



1. Punonjësi i SHKB-së ka të drejtë të kërkojë të heqë dorë nga grada që mban, për të kaluar në një gradë më të ulët.

2. Heqja dorë nga grada, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të kërkohet vetëm për një gradë paraardhëse dhe jo më shumë se në dy raste gjatë karrierës si punonjës i SHKB-së.

3. Vendimi për kërkesën e punonjësit për heqje dorë nga grada merret nga autoriteti përkatës, që e ka dhënë atë.

4. Punonjësi i SHKB-së, i cili më parë ka hequr dorë, me kërkesën e vet, nga një gradë, ka të drejtë të kërkojë ngritje në gradë vetëm pas certifikimit nga komisioni i testimit dhe sipas procedurave të përcaktuara për ngritjen e fitimin e gradës.



Neni 72

Ulja në gradë



1. Me përjashtim të nivelit zbatues, kur, për shkak të ndryshimeve në strukturën organizative të SHKB-së, shkurtohet numri i funksioneve organike për gradë, punonjësi i SHKB-së, që mban gradën ku do të kërkohet ulja, mund të kërkojë, në mënyrë vullnetare, uljen një gradë më poshtë, kur ka vende të lira.

2. Me krijimin e vendeve të lira për gradë, punonjësi i SHKB-së, që ka kërkuar uljen në gradë, rimerr, brenda 2 vjetëve, gradën e mëparshme, sipas të njëjtit kusht, të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.



Neni 73

Ruajtja e gradës



Punonjësi i SHKB-së, që punësohet në struktura të tjera të administratës publike apo në një organizatë ndërkombëtare, në funksione që kanë objekt të punës çështje me natyrë të ngjashme me ato në SHKB-së, rikthehet në të njëjtën gradë, që mbante në çastin e lirimit dhe kjo periudhë i llogaritet vjetërsi, për efekt gradimi.



Neni 74

Klasifikimi i personelit inspektues dhe mbështetës të SHKB-së



1. Personeli inspektues dhe mbështetës i SHKB-së ndahet në këto klasa:

a) punonjës të nivelit të lartë drejtues;

b) punonjës të nivelit të mesëm drejtues;

c) punonjës të nivelit bazë drejtues;

ç) punonjës të nivelit bazë zbatues.

2. Klasifikimi i niveleve, sipas funksioneve, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.



PJESA E PESTË

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT



Neni 75

Dispozita kalimtare dhe nxjerrja e akteve nënligjore



1. Marrëdhëniet e punës dhe trajtimi ekonomiko-financiar i punonjësve të SHKB-së në karrierë edhe pas ndërprerjes së saj, deri në miratimin e akteve nënligjore përkatëse, të parashikuara në këtë ligj, bëhet sipas dispozitave në fuqi.

2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave dhe Ministri i Brendshëm të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të neneve 7, 8, 11, 12, 13, 17, 20, 22, 23, 24, 25, 33, 51, 52, 53, 54, 55, 56, 58, 68, 70 dhe 74 të këtij ligji, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij.



Neni 76



1. Ligji nr.8749, datë 1.3.2001 "Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik" dhe dispozitat nënligjore, që bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

2. Aktet e tjera nënligjore, të nxjerra në zbatim të ligjit nr.8749, datë 1.3.2001 "Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik", shfuqizohen brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.



Neni 77

Hyrja në fuqi



Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.



Shpallur me dekretin nr.5916, datë 22.10.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

 



Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 1
810060002





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.
Arben
Para 7 muajsh  
  
kam mbaruar institutin e policis dhe fakultetin e drejtesis kam punuar dhe disa koh ne policin e shtetit ' me mbas jam larguar me deshiren time per te vazhduar fajultetin e Drejtesis . c'far procedurash duhet te ndjek per te konkuruar per vendet bosh ne SHKB .
+1     


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

as
spitaliamerikan