marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: PËR AVOKATURËN E SHTETIT
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 10018
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 13.11.2008
Data e aprovimit te Aktit: 26.11.2008
Numri i neneve: 38
Numri i fletores zyrtare: 176
Data e fletores zyrtare: 26.11.2008
Aktiviteti: Avokaturë e Shtetit
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Avokaturës së Shtetit.
Amendamente
1 Për Avokaturën e Shtetit.
Akte te ngjashem
1 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES "PËR MARRËDHËNIET E AVOKATURËS SË SHTETIT ME INSTITUCIONET SHTETËRORE DHE ENTET PUBLIKE, ROLIN E AVOKATËVE TË SHTETIT NË GJYKIM, SI DHE NORMAT E POSAÇME PROCEDURALE"
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

 



LIGJ

Nr.10 018, datë 13.11.2008

 

PËR AVOKATURËN E SHTETIT

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti

 

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Avokaturës së Shtetit.

 

Neni 2

Avokatura e Shtetit

 

1. Avokatura e Shtetit është person juridik publik, në varësi të Ministrit të Drejtësisë, me seli në Tiranë.

2. Avokatura e Shtetit është institucion qendror i administratës publike, i ngarkuar ekskluzivisht për dhënien e asistencës juridike për institucionet shtetërore dhe entet publike. Asistenca juridike përfshin shërbimin këshillimor dhe të përfaqësimit. Për institucionet dhe për çështjet juridike të përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji, asistenca juridike e Avokaturës së Shtetit është e detyrueshme. Në Avokaturën e Shtetit, funksioni i këshillimit juridik kryhet ekskluzivisht nga avokatët e shtetit.

3. Avokatura e Shtetit organizohet dhe e ushtron veprimtarinë sipas përcaktimeve të këtij ligji.

4. Buxheti i Avokaturës së Shtetit është zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.

 

Neni 3

Parimet e veprimtarisë së Avokaturës së Shtetit

 

Avokatura e Shtetit e ushtron veprimtarinë në bazë të parimeve të profesionalizmit, të efiçencës, të unitetit të doktrinës, të përgjegjësisë dhe korrektësisë në zbatimin e legjislacionit në fuqi.

 

KREU II

ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AVOKATURËS SË SHTETIT

 

Neni 4

Organizimi i Avokaturës së Shtetit

 

1. Avokatura e Shtetit drejtohet nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe organizohet në dy nivele, në nivel qendror dhe vendor.

2. Avokatura e Shtetit në nivel qendror përbëhet nga:

a) zyra e përfaqësimit ligjor në gjykatat kombëtare;

b) zyra e këshillimit dhe koordinimit ndërministror;

c) zyra e përfaqësimit në gjykatat e huaja, ndërkombëtare dhe në arbitrazhin ndërkombëtar;

ç) zyra e inspektimit.

3. Avokatura e Shtetit në nivel vendor përbëhet nga:

a) zyrat vendore, të cilat veprojnë pranë çdo gjykate apeli, ku ushtrojnë dhe kompetencën tokësore;

b) avokatët e shtetit pranë ministrive.

4. Avokatura e Shtetit ka në përbërjen e saj edhe administratën mbështetëse. Marrëdhëniet juridike të punës së punonjësve të administratës mbështetëse rregullohen sipas legjislacionit në fuqi për marrëdhëniet e punës.

5. Struktura dhe organika e Avokaturës së Shtetit miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë.

6. Mënyra e organizimit dhe bashkërendimit të punës, ndërmjet niveleve dhe zyrave në Avokaturën e Shtetit, përcaktohet në rregulloren e brendshme të funksionimit të Avokaturës së Shtetit, të propozuar nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe të miratuar nga Ministri i Drejtësisë.

7. Marrëdhëniet ndërmjet Avokaturës së Shtetit, institucioneve shtetërore dhe enteve publike, roli i avokatëve të shtetit në gjykim, si edhe normat procedurale të posaçme përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Këshilli i Ministrave.

 

Neni 5

Funksionet e Avokaturës së Shtetit

 

1. Avokatura e Shtetit kryen funksionet e mëposhtme:

a) ofron shërbim këshillimor për veprimtarinë juridike të organeve të administratës shtetërore qendrore dhe të enteve publike, veçanërisht për lidhjen e kontratave, të cilat parashikojnë efekte financiare për shtetin;

b) përfaqëson dhe mbron interesat pasurorë të shtetit shqiptar pranë gjykatave kombëtare, ndërkombëtare dhe të huaja, pa autorizim të posaçëm të të përfaqësuarit në çështjet gjyqësore, në të cilat një organ i administratës shtetërore ose Republika e Shqipërisë është palë. Në çështje të veçanta, sipas kritereve lëndore dhe sasiore, të përcaktuara në rregulloren e miratuar nga Këshilli i Ministrave, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit mund t’ia delegojë të drejtën e përfaqësimit dhe të mbrojtjes organit të interesuar të administratës;

c) u ofron asistencë juridike njësive të qeverisjes vendore, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në ligj ose në marrëveshje të posaçme, të lidhura për këtë qëllim, ndërmjet Avokaturës së Shtetit dhe organeve të qeverisjes vendore;

ç) bashkërendon punën me prokurorinë për mbrojtjen, në gjykim, të interesave të shtetit për çështjet civile, zgjidhja e të cilave bëhet gjatë një procesi penal;

d) përcakton rregulla për unifikimin e praktikave dhe formulimin e kritereve të përgjithshme të asistencës juridike të shtetit;

dh) ndërmjetëson për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjeve ndërmjet organeve qendrore të administratës publike dhe enteve publike;

e) ka të drejtën e nisjes së veprimeve ligjore, me qëllim për të shfuqizuar aktet juridike dhe kontratat administrative, si edhe për rishikimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, në pajtim me kushtet dhe kriteret e parashikuara në ligjin procedural dhe në këtë ligj, me autorizim paraprak të organit administrativ të interesuar, me përjashtim të rasteve të urgjencës;

ë) ka të drejtë të ngrejë padi, me objekt shpërblimin e dëmit të shkaktuar interesave pasurorë të shtetit, me autorizimin e organit shtetëror përkatës, me përjashtim të rasteve të urgjencës.

2. Avokatura e Shtetit nuk jep asistencë juridike:

a) në çështjet gjyqësore ndërmjet organeve qëndrore të administratës publike;

b) në çështjet gjyqësore ndërmjet organeve të qeverisjes vendore, për ato raste kur asistenca juridike ofrohet në përputhje me shkronjën “c” të pikës 1 të këtij neni;

c) në çështjet gjyqësore ndërmjet organeve qendrore të administratës publike dhe organeve të qeverisjes vendore, për organet e qeverisjes vendore, pavarësisht nga marrëveshja e lidhur sipas shkronjës “c” të pikës 1 të këtij neni.

 

Neni 6

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit

 

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit ushtron këto kompetenca:

a) drejton, organizon dhe mbikëqyr veprimtarinë e institucionit dhe është përgjegjës për mirëfunksionimin e tij;

b) përfaqëson institucionin në marrëdhëniet me të tretët;

c) përcakton ndarjen e çështjeve gjyqësore dhe të kërkesave për dhënie mendimi me shkrim në të dyja nivelet;

ç) jep udhëzime të brendshme për trajtimin e çështjeve gjyqësore apo të këshillimeve ligjore;

d) miraton rregulla të posaçme për unifikimin e praktikave të këshillimit, përfaqësimit dhe ndërmjetësimit, të ndjekura nga avokatët e shtetit;

dh) shqyrton dhe vendos për kërkesat e avokatëve të shtetit në të dyja nivelet, për ushtrimin e funksioneve të tyre ligjore;

e) urdhëron kryerjen e inspektimeve në të dyja nivelet e Avokaturës së Shtetit;

ë) i raporton Ministrit të Drejtësisë, jo më pak se një herë në muaj, për veprimtarinë e kryer nga Avokatura e Shtetit, duke vënë në dukje mangësitë e mundshme ligjore dhe nevojat për ndryshime përkatëse;

f) i paraqet një raport vjetor Ministrit të Drejtësisë dhe nëpërmjet tij Këshillit të Ministrave për dëmin e shkaktuar ndaj interesave publikë nga veprimet e organeve të administratës publike, të konstatuara gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij;

g) i raporton Ministrit të Drejtësisë, me kërkesë të këtij të fundit ose me nismën e vet, për çështje të veçanta, për të cilat ka marrë dijeni para dhe gjatë përfaqësimit të mbrojtjes së interesave shtetërorë;

gj) i propozon Ministrit të Drejtësisë ndërmarrjen e nismave ligjore për plotësimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor në fuqi;

h) i propozon për miratim Ministrit të Drejtësisë kandidaturat për drejtuesit e strukturave, nga radhët e avokatëve të shtetit, në nivel qendror dhe vendor;

i) në raste të veçanta, përfaqëson vetë institucionin para gjykatave kombëtare dhe ndërkombëtare;

j) planifikon dhe administron buxhetin vjetor të Avokaturës së Shtetit.

 

KREU III

AVOKATURA E SHTETIT NË NIVEL QENDROR

 

Neni 7

Zyra e përfaqësimit ligjor në gjykatat kombëtare

 

1. Zyra e përfaqësimit ligjor në gjykatat kombëtare është struktura në nivel qendror, përgjegjëse për përfaqësimin e interesave pasurorë të shtetit pranë Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Në raste të veçanta, me urdhër të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, avokatët e shtetit të këtij sektori kryejnë përfaqësimin edhe pranë gjykatave të tjera kombëtare.

2. Zyra e përfaqësimit ligjor në gjykatat kombëtare përbëhet nga avokatë të shtetit dhe drejtohet nga njëri prej tyre, i emëruar sipas parashikimeve të nenit 21 të këtij ligji.

3. Detyrat e kësaj zyre, në ushtrimin e kompetencave që i jep ligji, si dhe mënyra e kryerjes së tyre, përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të Avokaturës së Shtetit.

 

Neni 8

Zyra e këshillimit dhe koordinimit ndërministror

 

1. Zyra e këshillimit dhe koordinimit ndërministror është struktura përgjegjëse për ushtrimin e funksionit këshillimor të Avokaturës së Shtetit për bashkërendimin e punës dhe mbikëqyrjen e avokatëve të shtetit pranë ministrive, për funksionet e tyre këshillimore.

2. Zyra e këshillimit dhe koordinimit ndërministror përbëhet nga avokatë të shtetit dhe drejtohet nga njëri prej tyre, i emëruar sipas parashikimeve të nenit 21 të këtij ligji.

3. Detyrat e kësaj zyre, në ushtrimin e kompetencave që i jep ligji, si dhe mënyra e kryerjes së tyre, përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të Avokaturës së Shtetit.

 

Neni 9

Zyra e përfaqësimit në gjykatat e huaja, ndërkombëtare dhe në arbitrazhin ndërkombëtar

 

1. Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të shtetit shqiptar pranë gjykatave të huaja dhe organizmave ndërkombëtarë, me karakter gjyqësor apo mbikëqyrës, kryhen nga Avokatura e Shtetit, nëpërmjet zyrës së përfaqësimit në gjykatat e huaja, ndërkombëtare dhe në arbitrazhin ndërkombëtar.

2. Kjo zyrë përbëhet nga avokatë të shtetit dhe drejtohet nga njëri prej tyre, i emëruar sipas parashikimeve të nenit 21 të këtij ligji. Njëri prej avokatëve të shtetit të kësaj zyre, me propozimin e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, caktohet nga Ministri i Drejtësisë si përfaqësuesi ligjor i Republikës së Shqipërisë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

3. Përfaqësuesi ligjor i Republikës së Shqipërisë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, në ushtrimin e kompetencave të tij, sipas këtij ligji, ndihmohet nga juristë.

4. Pranë misionit të përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Europës, me propozimin e përfaqësuesit ligjor dhe miratimin e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, caktohet një nga juristët, si përfaqësues i përhershëm pranë Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i cili vepron në emër të përfaqësuesit ligjor.

5. Juristët, të cilët veprojnë pranë kësaj zyre, gëzojnë statusin e nëpunësit civil dhe emërohen në detyrë nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil.

6. Detyrat e kësaj zyre, në ushtrimin e kompetencave që i jep ligji, si dhe mënyra e kryerjes së tyre përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të Avokaturës së Shtetit.

 

Neni 10

Zyra e inspektimit

 

1. Zyra e inspektimit është struktura në nivel qendror, përgjegjëse për kryerjen e kontrollit të veprimtarisë së avokatëve të shtetit, në të dyja nivelet e organizimit, si dhe kryerjen e funksioneve mbështetëse, në rastet kur vihen re pamjaftueshmëri në burime, materiale dhe njerëzore, për ushtrimin me efektivitet të funksioneve të institucionit.

2. Zyra e inspektimit përbëhet nga avokatë të shtetit dhe drejtohet nga njëri prej tyre, i emëruar sipas parashikimeve të nenit 21 të këtij ligji.

3. Detyrat e kësaj zyre, në ushtrimin e kompetencave që i jep ligji, si dhe mënyra e kryerjes së tyre përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të Avokaturës së Shtetit.

 

KREU IV

AVOKATURA E SHTETIT NË NIVEL VENDOR

 

Neni 11

Zyrat vendore, të cilat veprojnë pranë çdo gjykate apeli

 

1. Zyrat vendore pranë gjykatave të apelit janë strukturat përgjegjëse, në nivel vendor, për dhënien e asistencës juridike institucioneve shtetërore dhe enteve publike të njësisë territoriale, nën juridiksionin e saj.

2. Zyrat vendore pranë gjykatave të apelit përbëhen nga avokatë të shtetit dhe drejtohen nga njëri prej tyre, i emëruar sipas parashikimeve të nenit 21 të këtij ligji.

3. Funksioni i drejtuesit të zyrës vendore, e cila ka në organikën e saj vetëm një avokat shteti, kryhet nga ky avokat.

4. Rastet e konfliktit të kompetencave territoriale ndërmjet zyrave vendore zgjidhen nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit.

5. Detyrat e kësaj zyre, në ushtrimin e kompetencave që i jep ligji, si dhe mënyra e kryerjes së tyre përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të Avokaturës së Shtetit.

6. Ministri i Drejtësisë siguron dhe garanton mirëfunksionimin e zyrave vendore në mjedise shtetërore.

Neni 12

Avokatët e shtetit pranë ministrive

 

1. Pranë çdo ministrie emërohen avokatë të shtetit, të cilët ushtrojnë funksione këshillimore, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

2. Funksioni i përfaqësimit dhe mbrojtjes në gjyq të interesave të institucioneve, pranë të cilave veprojnë avokatët e shtetit, ushtrohet prej tyre në rastet dhe çështjet e përcaktuara në rregulloren e miratuar nga Këshilli i Ministrave.

3. Avokatët e shtetit pranë ministrive kanë varësi të dyfishtë nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe nga titullari i institucionit, pranë të cilit veprojnë.

4. Në realizimin e funksioneve këshillimore, në mbrojtje të interesave të shtetit, sipas objektit të veprimtarisë së këtij ligji, avokatët e shtetit pranë ministrive kanë varësi funksionale nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe varësi administrative nga titullari i institucionit, pranë të cilit veprojnë.

5. Funksioni këshillimor i avokatit të shtetit pranë ministrive realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë të tij në hartimin e akteve juridike të institucionit, pranë të cilit ai vepron dhe të institucioneve të varësisë, që sjellin pasoja juridike me karakter financiar për shtetin.

6. Mënyra e bashkërendimit të punës së avokatëve të shtetit pranë ministrive me strukturat juridiko-profesionale të këtyre institucioneve dhe raportet ndërmjet Avokaturës së Shtetit, Ministrit të Drejtësisë dhe titullarëve të ministrive përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Këshilli i Ministrave.

7. Trajtimi financiar i avokatëve të shtetit pranë ministrive, sipas niveleve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat në Avokaturën e Shtetit, mbulohet nga buxheti i Avokaturës së Shtetit.

 

KREU V

VEPRIMTARIA E AVOKATURËS SË SHTETIT DHE MARRËDHËNIET NDËRINSTITUCIONALE

 

Neni 13

Fillimi i gjykimit për pavlefshmëri të veprimeve juridike ose të kontratave administrative

 

1. Avokatura e Shtetit, sipas kërkesës së motivuar të organit përgjegjës të institucionit të interesuar, ka të drejtë të fillojë procedurat për ngritjen e padisë, me objekt për pavlefshmëri të veprimit juridik, që tjetërson ose disponon pasurinë shtetërore, në favor të të tretëve, ose për pavlefshmëri të kontratave administrative, të lidhura me të tretë.

2. Avokatura e Shtetit, përpara se të depozitojë padinë në gjykatë, i paraqet organit të interesuar një raport të hollësishëm për gjendjen e fakteve dhe të ligjit, kostot e pritshme të gjykimit, si dhe për çdo shpenzim të zakonshëm/të jashtëzakonshëm apo çdo dëmshpërblim pasuror/jopasuror, që pala tjetër mund të pretendojë ose të fitojë gjatë apo pas përfundimit të gjykimit për shpalljen e pavlefshme të kontratës ose të veprimit juridik. Në këtë raport, Avokatura e Shtetit është e detyruar të shprehë qëndrimin për ngritjen ose jo të padisë.

3. Organi i interesuar, pasi njihet me raportin e Avokaturës së Shtetit, të hartuar sipas pikës 2 të këtij neni, jep pëlqimin për ngritjen ose jo të padisë.

 

Neni 14

Mbrojtja e interesave pasurorë të shtetit në gjykimin penal

 

1. Drejtuesi i prokurorisë së rrethit gjyqësor njofton Avokaturën e Shtetit brenda 7 ditëve nga data e regjistrimit të procedimit penal për vepra penale, nga të cilat ka dyshime se janë cenuar interesat pasurorë të institucioneve shtetërore ose të personave juridikë publikë.

2. Avokatura e Shtetit ngre padi civile në procesin penal për kërkimin e pasurisë ose shpërblimin e dëmit, që u është shkaktuar interesave të shtetit nga kryerja e veprës penale.

3. Avokatura e Shtetit mund t'ia delegojë të drejtën e parashikuar në pikën 2 të këtij neni organit qendror ose vendor të administratës, që ka interes të drejtpërdrejtë, ose organit epror të personit juridik publik, në rast se vlera e dëmit është më pak se 1 milion lekë. Delegimi është i vlefshëm për gjykimin në shkallë të parë dhe në gjykatën e apelit.

Neni 15

Këshillimi

 

1. Avokatura e Shtetit, në mbrojtje të të drejtave dhe të interesave të shtetit, u jep mendim me shkrim organeve të administratës publike, kur kjo i kërkohet prej tyre, në veçanti, për të vënë në lëvizje, për të kundërshtuar ose për të tërhequr çështje në gjykim.

2. Funksioni këshillimor i Avokaturës së Shtetit ka karakter këshillues për institucionet kërkuese dhe ka të bëjë me dhënien e mendimeve, të formuluara në bazë të një analize të mirëfilltë juridike të çështjes, objekt këshillimi dhe të pasojave juridike, që ato mund të sjellin. Në asnjë rast, këshillimi nuk mund të jetë vlerësim mbi qëllimin e nxjerrjes së aktit juridik.

3. Avokatura e Shtetit, kur i kërkohet, jep paraprakisht mendim për projektet e kontratave të organeve të administratës publike, enteve publike dhe subjekteve, ku shteti është pronar i vetëm ose bashkëpronar, si dhe mund t'u përgatisë këtyre kontrata të rëndësishme.

4. Për hartimin dhe nënshkrimin e kontratave administrative, të parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative, këshillimi i organit përkatës të administratës publike me Avokaturën e Shtetit është i detyrueshëm. Në këto raste, këshillimi i organeve të administratës publike me Avokaturën e Shtetit zgjat deri në përmbushjen e detyrimeve të kontratave nga palët nënshkruese.

5. Këshillimi i dhënë nga Avokatura e Shtetit institucioneve shtetërore dhe enteve publike, sipas këtij neni, nuk ka karakter detyrues për to, përveç rasteve kur parashikohet si i tillë me ligj.

6. Avokatura e Shtetit bën sugjerime për procedimet administrative, me natyrë konfliktuale, të cilat mund të bëhen shkak për lindjen e konflikteve gjyqësore.

7. Ministri i Drejtësisë mund ta ngarkojë Avokaturën e Shtetit të japë mendim për projektaktet, që lidhen me veprimtarinë e organeve të administratës publike.

8. Asnjë organ i administratës publike apo ent publik nuk mund të kërkojë drejtpërdrejt ndihmë juridike nga avokatë në profesion të lirë, me përjashtim të rasteve të veçanta, sipas rregullave që do të vendosen nga Këshilli i Ministrave.

9. Mendimi këshillimor, i dhënë nga Avokatura e Shtetit, sipas dispozitave të këtij ligji, jepet në çdo rast me shkrim dhe është pjesë përbërëse e praktikës, për të cilën kërkohet këshillimi.



Neni 16

Marrëdhëniet e Avokaturës së Shtetit me institucionet shtetërore

 

1. Organet e administratës publike detyrohen t’i japin Avokaturës së Shtetit të gjitha sqarimet, informacionet dhe dokumentet e nevojshme, që lidhen me procesin gjyqësor apo këshillimor, brenda 5 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës pranë këtyre institucioneve.

2. Marrëdhëniet ndërmjet Avokaturës së Shtetit dhe ministrive realizohen nëpërmjet avokatëve të shtetit, të emëruar pranë këtyre ministrive, sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara në dispozitat e këtij ligji.

3. Në rast se nga organet e administratës publike nuk respektohet parashikimi i mësipërm, Avokatura e Shtetit njofton Kryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë.

4. Gjatë ushtrimit të funksioneve të parashikuara me ligj, Avokatura e Shtetit merr parasysh udhëzimet e dhëna, në çdo rast me shkrim, nga organi apo enti i interesuar, përveç rasteve kur ato bien ndesh me legjislacionin në fuqi ose interesin publik.

 

Neni 17

Ndërmjetësimi dhe pajtimi

 

1. Avokatura e Shtetit ndërmjetëson për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjeve ndërmjet organeve qendrore të administratës publike dhe enteve publike. Zgjidhja, për të cilën është rënë dakord nga palët, u përcillet për miratim, nga Avokatura e Shtetit, Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave. Miratimi i dhënë prej tyre materializohet në një urdhër të përbashkët dhe, vetëm pas kësaj, bëhet i detyrueshëm për palët në mosmarrëveshje.

2. Avokatura e Shtetit rekomandon zgjidhje me pajtim për mosmarrëveshjet ndërmjet një organi qendror ose vendor të administratës publike dhe një organi tjetër qendror ose vendor, kur ata e kërkojnë këtë zgjidhje. Nuk mund të jepen rekomandime për çështje të mosmarrëveshjeve për kompetencat.

Neni 18

Kontraktimi i shërbimeve të përfaqësimit dhe të konsulencës

 

1. Në çështje të rëndësishme për interesat e shtetit, ose kur natyra e çështjes kërkon juristë të specializuar në fusha të veçanta, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, me miratimin e Ministrit të Drejtësisë, kontrakton avokatë ose zyra avokatie, vendase ose të huaja, në përfaqësim dhe mbrojtje të interesave të shtetit shqiptar, sipas një procedure konkurrimi.

2. Procedurat dhe kriteret për kontraktimin e avokatëve/zyrave të avokatisë, si dhe për pagesën e tyre përcaktohen me rregullore, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.

 

Neni 19

Përjashtimi nga tarifat

 

Avokatura e Shtetit përjashtohet nga detyrimi për pagimin e tarifave gjyqësore dhe për veprimet e shërbimet, që kryhen nga administrata gjyqësore, prokuroria dhe përmbaruesi gjyqësor.

 

KREU VI

EMËRIMI DHE LARGIMI NGA DETYRA

 

Neni 20

Kushtet për t’u emëruar avokat i shtetit

 

1. Avokat i shtetit mund të emërohet çdo shtetas shqiptar, që plotëson kushtet e mëposhtme:

a) të ketë përfunduar studimet e larta për drejtësi;

b) të ketë një përvojë pune në praktikën gjyqësore ose administrative prej të paktën 5 vitesh;

c) të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale, ose të mos jetë larguar nga shërbimi civil apo çdo funksion tjetër publik për shkelje ose paaftësi në kryerjen e detyrave;

ç) të mos jetë në kushtet e konfliktit të interesit, sipas dispozitave të këtij ligji;

d) të kalojë me sukses procesin përzgjedhës përkatës për pozicionin e Avokatit të Shtetit.

2. Në rastin e shtetasit shqiptar, të diplomuar për drejtësi, me rezultate të larta, në universitete të njohura të huaja, apo të diplomuar në shkolla pasuniversitare, ekuivalente me Shkollën e Magjistraturës, kushti i përvojës në punë, i përcaktuar në shkronjën “b” të pikës 1 të këtij neni, është të paktën 3 vjet.

3. Të diplomuarit në Shkollën e Magjistraturës përjashtohen nga kushti i përvojës në punë, të përcaktuar në shkronjën “b” të pikës 1 të këtij neni.

 

Neni 21

Emërimi

 

1. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit emërohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, nga radhët e juristëve, që plotësojnë kushtet për të qenë avokat i shtetit dhe që kanë, të paktën, 10 vjet përvojë në profesion.

2. Avokati i shtetit emërohet nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit pas një konkurrimi të hapur publik.

3. Procedurat e konkurrimit zhvillohen sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil. Procesi i përzgjedhjes konsiston në kapërcimin e disa fazave dhe përfshin: fazën hyrëse, fazën e formimit të posaçëm, sipas specialiteteve dhe fazën e provimit përfundimtar.

Rregulla më të hollësishme për zhvillimin e këtij procesi përcaktohen në rregulloren e brendshme të institucionit, të parashikuar në nenin 4 pika 6 të këtij ligji.

4. Drejtuesit e strukturave të Avokaturës së Shtetit, në të dyja nivelet, emërohen nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, sipas nenit 6 të këtij ligji.

5. Shkarkimi nga detyra i drejtuesit të strukturave të Avokaturës së Shtetit, në të dyja nivelet, bëhet nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit.

 

Neni 22

Zëvendësimi

 

1. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit zëvendësohet në detyrë, në mungesë dhe me porosi të tij, nga njëri prej drejtuesve të zyrave në Avokaturën e Shtetit në nivel qendror.

2. Në rastet kur vendi i Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit mbetet vakant, me urdhër të Kryeministrit dhe me propozim të Ministrit të Drejtësisë, mund të emërohet, përkohësisht, deri në emërimin e Avokatit të ri të Përgjithshëm të Shtetit, njëri prej avokatëve të shtetit në detyrë pranë Avokaturës së Shtetit në nivel qendror.

 

Neni 23

Papajtueshmëria

 

Avokati i Shtetit nuk mund të kryejë funksione të tjera, publike apo private, të cilat bien ndesh me detyrat funksionale, të përcaktuara në këtë ligj.

 

Neni 24

Konflikti i interesave

 

1. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, si dhe çdo avokat i shtetit nuk mund të përfaqësojnë shtetin, në rast se ka interesa, të njohura ose jo publikisht, për çështjen në gjykim, sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative dhe legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

2. Avokati i shtetit nuk mund të ushtrojë detyrën pranë zyrës vendore, nën juridiksionin e së cilës ushtrojnë profesionin e gjyqtarit, prokurorit ose të avokatit, bashkëshorti/bashkëshortja, fëmijët, vëllai, motra ose prindërit.

 

Neni 25

Vlerësimi i aftësive profesionale

 

1. Avokatët e shtetit, në përfundim të çdo viti kalendarik, i nënshtrohen një procedure vlerësimi të aftësive profesionale nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, duke pasur parasysh edhe rezultatet e arritura në proceset gjyqësore, që kanë përfaqësuar gjatë periudhës së vlerësimit.

2. Kriteret, rregullat dhe procedurat e vlerësimit përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të Avokaturës së Shtetit.

3. Vlerësimi për paaftësi profesionale përbën shkak për fillimin e procedurës për shkarkimin nga detyra të avokatit të shtetit.

 

Neni 26

Lirimi dhe shkarkimi nga detyra

 

1. Avokatët e shtetit lirohen nga detyra kur:

a) japin dorëheqjen;

b) mbushin moshën e pensionit;

c) mungojnë në detyrë për një periudhë kohore më të gjatë se 3 muaj;

ç) u është hequr zotësia për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë.

2. Avokatët e shtetit shkarkohen nga detyra vetëm në rastet kur:

a) vërtetohet paaftësia profesionale;

b) merret ndaj tyre masa disiplinore e shkarkimit nga detyra, sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara në nenin 31 të këtij ligji;

c) dënohen me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

3. Akti i lirimit/shkarkimit nga detyra të avokatit të shtetit nënshkruhet nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit.

4. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozim të Ministrit të Drejtësisë.

KREU VII

PAGA DHE SHPËRBLIMI

 

Neni 27

 

Paga e avokatit të shtetit, e juristëve dhe e punonjësve të administratës mbështetëse rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi.

 

Neni 28

Shpërblimi i posaçëm

 

Për çështje gjyqësore të vështira dhe me interes të madh ekonomik e financiar për Republikën e Shqipërisë, avokatit të shtetit i jepet shpërblim i posaçëm. Kriteret dhe procedurat për përfitimin e këtij shpërblimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

KREU VIII

PËRGJEGJËSIA DHE MASAT DISIPLINORE

 

Neni 29

Përgjegjësia disiplinore

 

1. Avokati i shtetit i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore, sipas parashikimeve të këtij ligji.

2. Avokati i shtetit ka përgjegjësi disiplinore për shkelje të ligjit dhe për kryerjen e akteve e të sjelljeve, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e tij, në përputhje me parashikimet e nenit 30 të këtij ligji.

 

Neni 30

Shkeljet disiplinore

 

1. Shkeljet disiplinore ndahen në:

a) të lehta;

b) të rënda;

c) shumë të rënda.

2. Janë shkelje të lehta aktet dhe sjelljet si më poshtë:

a) veprimet dhe mosveprimet e avokatit të shtetit, të cilat passjellin zvarritje të proceseve gjyqësore;

b) mungesa e pajustifikuar në punë deri në 3 ditë;

c) akte dhe sjellje të tjera, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e avokatit të shtetit.

3. Janë shkelje të rënda aktet dhe sjelljet si më poshtë:

a) zvarritja e pajustifikuar dhe e përsëritur e veprimeve të avokatit të shtetit, gjatë ushtrimit të funksioneve të parashikuara me ligj, kur ajo ka passjellë ose mund të sillte pasoja për interesat pasurorë të shtetit;

b) braktisja e punës ose mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për më shumë se 3 ditë, në rastet kur ky veprim ka sjellë ose mund të sillte pasoja të rënda për interesat pasurorë të shtetit;

c) bërja publike e akteve ose e dokumenteve zyrtare, e të dhënave apo regjistrimeve me karakter sekret ose konfidencial;

ç) pengimi i inspektimeve të kryera sipas dispozitave ligjore dhe nënligjore në fuqi;

d) thyerja e disiplinës në punë, në mënyrë të përsëritur dhe pas paralajmërimit të dhënë me shkrim nga eprori;

dh) humbja e çështjes gjyqësore, si rezultat i nivelit të dobët të përfaqësimit në proces.

4. Janë shkelje shumë të rënda aktet dhe sjelljet si më poshtë:

a) rastet, kur provohet se avokati i shtetit ka përdorur funksionin e tij në shërbim të interesave vetjakë apo të personave, me të cilët ka lidhje familjare;

b) rastet kur provohet se avokati i shtetit, me veprimet ose mosveprimet e tij, ka krijuar favore për persona të tjerë, në dëm të interesave të shtetit;

c) rastet kur avokati i shtetit shkel dispozitat e këtij ligji dhe të kodit të etikës, të miratuar nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit;

ç) rastet kur avokati i shtetit ka këshilluar në kundërshtim me interesat e institucionit qendror, që ka kërkuar konsulencën;

d) rastet kur provohet se ka shkelur urdhrat dhe udhëzimet e nxjerra nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit;

dh) rastet kur avokati i shtetit kryen vepra penale, që lidhen me ushtrimin e detyrës;

e) akte dhe sjellje të tjera, që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e avokatit të shtetit.

 

Neni 31

Masat disiplinore

 

1. Masat disiplinore për avokatët e shtetit, në të dyja nivelet, jepen nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, sipas një procedure disiplinore, e cila garanton të drejtën për t'u informuar, për t'u dëgjuar, për t'u mbrojtur dhe për t'u ankuar.

2. Për çdo shkelje jepet vetëm një masë disiplinore. Masa disiplinore jepet në përputhje të drejtë me shkeljen e kryer.

3. Llojet e masave disiplinore janë:

a) vërejtje me shkrim;

b) vërejtje me paralajmërim;

c) shkarkim nga detyra.

4. Kur provohet, sipas dispozitave të këtij ligji, se avokati i shtetit ka kryer të paktën njërën nga shkeljet e parashikuara në pikën 4 të nenit 30 të këtij ligji, jepet masa disiplinore e parashikuar në shkronjën “c” të pikës 3 të këtij neni.

5. Masat e mësipërme disiplinore mund të shlyhen nëse, brenda 1 viti nga data e dhënies së masës “vërejtje me shkrim” dhe brenda 2 vjetëve nga data e dhënies së masës “vërejtje me paralajmërim”, ndaj avokatit të shtetit nuk është marrë ndonjë masë tjetër disiplinore. Masat disiplinore të shlyera hiqen nga dosja vetjake.

 

Neni 32

Procedimi disiplinor

 

1. Të drejtën për nisjen e procedimit disiplinor ndaj avokatit të shtetit e ka Avokati i Përgjithshëm i Shtetit.

2. Fillimi i procedimit disiplinor mund të bëhet jo më vonë se 1 vit nga data e konstatimit të shkeljes, por jo më vonë se 5 vjet nga data e kryerjes së saj.

 

Neni 33

Ankimi ndaj masave disiplinore

 

Ndaj masës disiplinore të dhënë, avokati i shtetit ka të drejtë të ankohet drejtpërdrejt në gjykatë, sipas legjislacionit në fuqi, për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.

 

 

 

 

 

KREU IX

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 34

Regjimi kalimtar

 

1. Të gjitha praktikat dhe proceset në trajtim nga Avokatura e Shtetit, të nisura përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, trajtohen sipas dispozitave të ligjit në fuqi, në kohën e nisjes së tyre.

2. Deri në miratimin e rregullores së brendshme të funksionimit të Avokaturës së Shtetit, zyrat në nivel qendror dhe vendor të Avokaturës së Shtetit ushtrojnë të gjitha kompetencat e parashikuara në dispozitat e ligjit nr.8551, datë 18.11.1999 “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar.

 

3. Struktura dhe organika e përfaqësuesit ligjor, e cila funksionon sipas dispozitave të ligjit nr.8456, datë 11.2.1999 “Për funksionet e përfaqësuesit ligjor pranë organizmave ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut” pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe fondet buxhetore të dhëna për të integrohen në institucionin e Avokaturës së Shtetit, duke filluar nga data 1 janar 2009.

4. Të gjithë avokatët e shtetit në detyrë do t’i nënshtrohen një provimi teorik. Përjashtohen nga ky detyrim të gjithë avokatët e shtetit, të cilët aktualisht gëzojnë statusin e magjistratit, gjyqtarit, prokurorit, si dhe kanë titull shkencor. Personat që nuk e kalojnë me sukses procesin përzgjedhës të posaçëm, do të qëndrojnë përkohësisht në funksionet e tyre, derisa të zëvendësohen nga një avokat i shtetit. Këtyre personave nuk u mohohet e drejta për të marrë pjesë në proceset e zakonshme të përzgjedhjes së Avokatëve të Shtetit, sipas nenit 21 të këtij ligji.

5. Rregullat për organizimin e provimit të parashikuar në pikën 4 të këtij neni përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të Avokaturës së Shtetit, sipas në nenit 4 pika 6 të këtij ligji.

 

Neni 35

Sanksione

 

1. Kur detyrimi për njoftim, sipas nenit 16 të këtij ligji, nuk është bërë në kohë, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit njofton titullarin e organit apo të entit publik, që i përket ky detyrim.

2. Kur njoftimi, sipas nenit 16 të këtij ligji, nuk është bërë dhe nga ky veprim kanë ardhur pasoja, personi i ngarkuar për kryerjen e njoftimit përgjigjet sipas legjislacionit në fuqi për përgjegjësinë civile. Në këto raste, organi i administratës publike apo ai i entit publik kanë të drejtë të ngrenë padi regresi në gjykatë.

 

Neni 36

Aktet nënligjore

 

 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 4 pika 7, nenit 18 pika 2, nenit 27 dhe nenit 28 të këtij ligji.

 2. Ngarkohet Ministri i Drejtësisë të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 4 pika 6 dhe nenit 7 pika 3 të këtij ligji.

 3. Ngarkohet Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të nxjerrë aktet e nevojshme në zbatim të nenit 30 pika 4 shkronja “c” të këtij ligji.

 

Neni 37

Shfuqizime

 

Ligjet nr.8551, datë 18.11.1999 “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar dhe nr.8456, datë 11.2.1999 “Për funksionin e përfaqësuesit ligjor pranë organizmave ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut”, si dhe çdo dispozitë tjetër ligjore, që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, shfuqizohen.

 

Neni 38

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi më 1 janar 2009.

 

Shpallur me dekretin nr.5951, datë 24.11.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi



Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
ikub #:
 0
811130001





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

as
spitaliamerikan