marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: PËR Policinë e Burgjeve
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 10032
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 11.12.2008
Data e aprovimit te Aktit: 31.12.2008
Numri i neneve: 48
Numri i fletores zyrtare: 190
Data e fletores zyrtare: 31.12.2008
Aktiviteti: Policia Burgjeve
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Policisë së Burgjeve dhe sistemin e gradave.
Amendamente
1 Për policinë e burgjeve
Akte te ngjashem
1 PËR PËRCAKTIMIN E NGJYRËS, TË UNIFORMËS DHE TË SHENJAVE, NË MJETET E POLICISË SË BURGJEVE
2 PËR MIRATIMIN E LLOJEVE TË ARMËVE DHE TË MËNYRËS SË PËRDORIMIT TË TYRE NGA POLICIA E BURGJEVE
3 Për miratimin e rregullores “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për marrëdhënien e punës, trajnimin, ecurinë në karrierë dhe dhënien e masave disiplinore për punonjësit e policisë së burgjeve”
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

 



LIGJ

Nr.10 032, datë 11.12.2008

 

PËR Policinë e Burgjeve

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

KREU I



Neni 1

Objekti

 

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Policisë së Burgjeve dhe sistemin e gradave.


Përkufizime


Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “IEVP” janë institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, ku përfshihen institucionet e paraburgimit dhe ato të vuajtjes së dënimit me burgim.

 2. “Regjim i brendshëm” janë dhomat e fjetjes së të burgosurve, dhomat e punës, mjediset e veprimtarive profesionale e kulturore dhe ato të përbashkëta.

 

Neni 3

Statusi i Policisë së Burgjeve

 

1. Misioni i Policisë se Burgjeve është ruajtja e rendit dhe e sigurisë në IEVP gjatë transferimeve e shoqërimeve të të dënuarve ose të paraburgosurve në gjykata e institucione të tjera, në përputhje me ligjin, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

2. Policia e Burgjeve i kryen detyrat e veta, në mbështetje të këtij ligji dhe të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë e saj.

3. Rregulla të hollësishme për sjelljen e punonjësve të sistemit të paraburgimit dhe të burgjeve miratohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 4

Simbolet e Policisë së Burgjeve

 

1. Policia e Burgjeve ka flamurin dhe stemën e vet, të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

2. Ngjyra, uniforma dhe shenjat në mjetet e Policisë së Burgjeve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 5

Armët

 

1. Personeli i burgut, përveç rasteve të ngjarjeve të jashtëzakonshme, nuk mban armë vdekjeprurëse brenda regjimit të brendshëm të burgut.

2. Mbajtja e armëve të tjera, përfshirë shkopinjtë e gomës, nga personat që kanë kontakt me të burgosurit, ndalohet brenda perimetrit të burgut, me përjashtim të rasteve, kur ato nevojiten për sigurinë dhe sigurimin në burg.

3. Llojet e armëve dhe mënyra e përdorimit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 6

 Pjesëmarrja në sindikata

 

1. Punonjësit e Policisë së Burgjeve, me përjashtim të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, mund të jenë anëtarë të sindikatës.

2. Gjatë veprimtarive sindikaliste, punonjësve të Policisë së Burgjeve u ndalohet të mbajnë uniformën e policisë dhe armë, apo të përdorin ndonjë mjet policie.

 

Neni 7

Ndalimi i së drejtës së grevës

 

Punonjësve të Policisë së Burgjeve u ndalohet e drejta e grevës.

 




KREU II

ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI

 

Neni 8

Organizimi i Policisë së Burgjeve

 

1. Policia e Burgjeve e ushtron veprimtarinë, nëpërmjet Drejtorisë së Policisë së Burgjeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

2. Policia e Burgjeve drejtohet nga Drejtori i Policisë së Burgjeve dhe organizohet sipas sektorëve të mëposhtëm:

a) paraburgimet dhe burgjet;

b) shoqërimi;

c) armatim-municioni;

ç)   ndërlidhja;

d) informacioni.

3. Pranë çdo IEVP-je, si pjesë e Drejtorisë së Policisë së Burgjeve, organizohet dhe funksionon shërbimi i ruajtjes dhe i sigurisë.

 

Neni 9

Raportet hierarkike dhe funksionale

 

1. Punonjësit e Policisë së Burgjeve janë të detyruar të zbatojnë urdhrat e dhëna nga eprorët, sipas shkallës funksionale dhe, në raporte të barabarta, sipas hierarkisë së gradës. Urdhrat duhet të jepen në përputhje me detyrën funksionale, si dhe të mos jenë në kundërshtim me ligjin dhe me dinjitetin e personit, të cilit i drejtohen.

2. Në mungesë të eprorit të drejtpërdrejtë, në raste urgjente dhe kur nuk ka mundësi të komunikohet me eprorë më të lartë, funksionari me gradë më të lartë ka të drejtën e urdhrit ndaj funksionarëve të barabartë ose më të ulët.

 

Neni 10

Mënyra e zbatimit të urdhrit

 

1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve duhet të zbatojë të gjithë urdhrat, që i jepen nga eprorët, me përjashtim të rastit kur urdhri është në kundërshtim me ligjin, në çdo rast, të mbështetur në ligj dhe në prova.

2. Në rast se punonjësi i Policisë së Burgjeve e vlerëson urdhrin verbal të paligjshëm ai vë në dijeni menjëherë eprorin dhe kërkon që urdhri të jepet edhe me shkrim.

3. Kur nga komunikimi i urdhrit, deri në dhënien me shkrim të tij, sipas pikës 2 të këtij neni, rrezikohet jeta e një personi tjetër, punonjësi i Policisë së Burgjeve duhet ta zbatojë atë.

4. Në rast se punonjësi i Policisë së Burgjeve, edhe pas zbatimit të procedurave sipas pikave 2 e 3 të këtij neni vazhdon të ketë arsye për të dyshuar se urdhri është i paligjshëm, ai e kundërshton atë dhe vë menjëherë në dijeni eprorin e punonjësit që ka dhënë urdhrin, si dhe për masat e marra prej tij.

5. Për urdhrin e dhënë mban përgjegjësi, në çdo rast, punonjësi që ka dhënë urdhrin dhe punonjësi që zbaton urdhrin, kur ky i fundit nuk ka vepruar në përputhje me parashikimet e këtij neni. Këto raste përbëjnë shkak për fillimin e procedimit disiplinor ndaj tyre.

 

Neni 11

Detyrat e Policisë së Burgjeve

 

Policia e Burgjeve në ushtrimin e veprimtarisë së saj kryen këto detyra:

1. Siguron ruajtjen perimetrike, zbaton rregullat e hyrjes dhe të daljes në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

2. Siguron zbatimin e rregullave të sigurisë brenda këtyre institucioneve.

3. Garanton ruajtjen dhe sigurinë në realizimin e veprimtarive të të burgosurve.

4. Merr masa për shoqërimin dhe sigurimin e ruajtjes fizike të të paraburgosurve, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale penale, si dhe shoqëron personat e burgosur gjatë transferimeve, lëvizjeve jashtë institucionit, si dhe në rastet kur ata kanë leje për lëvizje jashtë institucionit.

5. Siguron ruajtjen e personave të burgosur në spitale ose qendra të tjera mjekësore.

6. Në raste të jashtëzakonshme, të fatkeqësive e të fenomeneve natyrore merr masa për sigurimin e jetës dhe të shëndetit të personave të burgosur dhe për parandalimin e dëmeve materiale.

7. Kontrollon për sende të ndaluara, mjediset e brendshme dhe të jashtme, si dhe personat, që hyjnë në regjimin e burgut.

8. Policia e Burgjeve, në përputhje me urdhrat dhe udhëzimet e nxjerra nga Ministri i Drejtësisë, kryen edhe detyra të tjera për garantimin e rendit, për paprekshmërinë e objekteve dhe regjimin e lëvizjeve në institucionet, në varësi të Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 12

Drejtori i Policisë së Burgjeve

 

1. Drejtori i Policisë së Burgjeve është funksionari më i lartë i Policisë së Burgjeve, i cili drejton dhe kontrollon veprimtarinë e kësaj strukture, sipas sektorëve përkatës.

2. Drejtori i Policisë së Burgjeve ndjek, kontrollon dhe përgjigjet për gjendjen e sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

 


MARRËDHËNIET E PUNËS, PRANIMI NË POLICINË E BURGJEVE

dhe TRAJTIMI I PERSONELIT

 

Neni 13

Marrëdhëniet e punës


1. Marrëdhëniet e punës në Policinë e Burgjeve për çështje, të cilat nuk parashikohen në këtë ligj, rregullohen në përputhje me dispozitat e ligjit nr.7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

2. Pas daljes së aktit të emërimit në detyrë të punonjësit të Policisë së Burgjeve, lidhet, me shkrim, kontrata individuale e punës.

3. Punonjësi i Policisë së Burgjeve i nënshtrohet një sistemi vlerësimi vjetor, për mbarëvajtjen e tij në punë.

4. Rregullat dhe procedurat për marrëdhëniet e punës, trajnimin, ecurinë në karrierë dhe dhënien e masave disiplinore përcaktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 14

Koha e punës dhe e pushimit

 

1. Koha e punës dhe e pushimit për punonjësit e Policisë së Burgjeve njësohet me atë të punonjësve të tjerë të administratës publike, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.

2. Pushimi vjetor i pagueshëm për punonjësit e Policisë së Burgjeve është 30 deri në 45 ditë kalendarike dhe jepet i shkallëzuar, sipas roleve dhe gradave.

3. Kur, për arsye pune e shërbimi, pushimi vjetor nuk mund të jepet brenda vitit, ai duhet të jepet jo më vonë se muaji mars i vitit pasardhës, në të kundërt bëhet kompensimi në lekë. Kompensimi në lekë bëhet edhe për orët shtesë të punës dhe të shërbimit.

4. Në rast fatkeqësie familjare, martese apo në raste të tjera të veçanta, punonjësit të Policisë së Burgjeve i jepet deri në 7 ditë leje e pagueshme ose deri në 1 muaj leje pa të drejtë page. Periudha e lejes pa të drejtë page nuk llogaritet në vjetërsi pune e shërbimi dhe as për efekte të ecurisë në karrierë.

Neni 15

Rregullimi i pagave

 

1. Paga e punonjësit të Policisë së Burgjeve caktohet sipas gradës dhe funksionit.

2. Paga mujore e punonjësit të Policisë së Burgjeve përbëhet nga paga bazë, që është paga për gradë dhe nga shtesat mbi pagën bazë, për kushte të tjera të veçanta të vendit të punës e të shërbimit.

3. Punonjësit e Policisë së Burgjeve përfitojnë çdo vit, në fund të vitit financiar, sipas vlerësimit të punës, një shpërblim, deri në një pagë mujore. Ky shpërblim jepet në bazë të një shkalle përpjestueshmërie, që pasqyron kohën e punës së kryer nga punonjësi gjatë vitit financiar.

4. regullat për funksionimin e skemës së pagave të punonjësve të Policisë së Burgjeve miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 16

Përparësia për rikthim në shërbim

 

Punonjësi i Policisë së Burgjeve, që gjendet në pagesë kalimtare dhe që plotëson kushtet e kriteret për të vazhduar karrierën policore, nëse ajo është ndërprerë, në çdo rast ka përparësi për t’u rikthyer në shërbim, brenda një viti nga çasti, që ka fituar pagesën kalimtare, në raport me kandidaturat e tjera, që mund të paraqiten për një funksion të caktuar sipas gradës që mban apo që i takon.

 

Neni 17

Kriteret e përgjithshme për t’u pranuar në Policinë e Burgjeve

 

1. Ka të drejtë të konkurrojë për t’u pranuar në Policinë e Burgjeve çdo person, që plotëson kriteret e mëposhtme:

a) është shtetas shqiptar;

b) ka zotësi të plotë për të vepruar;

c) është në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht, për të kryer detyrën;

ç) ka mbaruar arsimin përkatës;

d) nuk është dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë.

2. Përcaktimi i detajuar i arsimit përkatës, sipas roleve, bëhet me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 18

Emërimi dhe lirimi i Drejtorit të Policisë së Burgjeve

 

Drejtori i Policisë së Burgjeve emërohet dhe lirohet nga ministri, në bazë të propozimit të paraqitur nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

 

Neni 19

Kriteret e veçanta për emërimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve

 

Drejtor i Policisë së Burgjeve mund të emërohet personi, që plotëson këto kritere:

a) të ketë arsimin e lartë;

b) të ketë shërbyer në Policinë e Burgjeve ose në Policinë e Shtetit për një periudhë, të paktën 3-vjeçare, gjatë së cilës ka mbajtur gradë të lartë.

 




Neni 20

Emërimi dhe lirimi i punonjësve të Drejtorisë së Policisë së Burgjeve

 

1. Përgjegjësi i sektorit në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve emërohet dhe lirohet nga ministri, në bazë të propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

2. Specialisti në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve, përgjegjësi i sektorit, specialisti i policisë dhe punonjësi i rolit bazë, që mbulojnë shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë në IEVP-të, emërohen dhe lirohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, sipas propozimit të Drejtorit të Policisë së Burgjeve.

 

Neni 21

Transferimi

 

1. Transferimi i punonjësit të Policisë së Burgjeve mund të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, me propozimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, vetëm për nevoja dhe në interes të punës.

2. Transferimi, si rregull, bëhet me pëlqimin e punonjësit.

3. Punonjësi, që nuk pranon të transferohet, mund të ankohet te Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, i cili, brenda 30 ditëve, shqyrton ankesën dhe shprehet përfundimisht.

 

Neni 22

Komandimi

 

1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve mund të komandohet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, për mbarëvajtjen ose për përballimin e mbingarkesës së punës në sistemin e burgjeve. Periudha e komandimit nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

2. Gjatë kohës së komandimit, punonjësit i ruhet vendi i punës, ku merr edhe pagën.

3. Në rastet kur fjetja, transporti dhe ushqimi nuk i sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, punonjësi i komanduar përfiton dieta, sipas legjislacionit në fuqi.


Lirimi nga Policia e Burgjeve

 

1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve lirohet nga detyra kur:

a) jep dorëheqjen;

b) mbush moshën e pensionit;

c) humbet aftësinë për të kryer detyrën shtetërore për shkak të gjendjes shëndetësore;

ç) shkurtohet funksioni për arsye të ristrukturimit;

d) dënohet me burgim, me vendim gjykate të formës së prerë;

dh) ndaj tij merret masa disiplinore e largimit nga Policia e Burgjeve.

2. Kur punonjësi lirohet nga detyra, sipas shkronjës “ç” të pikës 1 të këtij neni, nëse krijohen vende të reja pune, ai gëzon të drejtën e kërkesës dhe të trajtimit me përparësi për t’u punësuar, në bazë të formimit, kualifikimit dhe vjetërsisë, që kishte në shërbim në Policinë e Burgjeve, përpara lirimit nga detyra.

 

KREU IV

GRADAT NË POLICINË E BURGJEVE


Neni 24

Sistemi i gradave

 

Sistemi i gradave përcakton hierarkinë, rolet e administrimit, si dhe pasqyron marrëdhëniet ndërmjet funksioneve në Policinë e Burgjeve.

Neni 25

Rolet

 

1. Rolet pasqyrojnë nivelin e organizimit, të drejtimit, kontrollit dhe kryerjes së detyrave, si dhe tregojnë pozitën e punonjësve të Policisë së Burgjeve.

2. Emërtimet e roleve në Policinë e Burgjeve, sipas hierarkisë, janë:

a) punonjës i rolit bazë, që përfaqëson rolin bazë të veprimit policor;

b) punonjës i rolit të mesëm, që përfaqëson drejtimin;

c) punonjës i rolit të lartë drejtues, që përfaqëson drejtimin qendror dhe atë të institucioneve të varësisë.

 

Neni 26

Gradat

 

1. Gradat shprehin pozitën, që ka punonjësi në strukturën hierarkike të Policisë së Burgjeve.

2. Emërtimet e gradave, sipas roleve dhe ecurisë në karrierë, janë:

a) për punonjësit e rolit bazë:

i) nëninspektor;

ii) inspektor;

iii) kryeinspektor;

b) për punonjësit e rolit të mesëm:

i) nënkomisar;

ii) komisar;

iii) kryekomisar;

c) për punonjësit e rolit të lartë:

i) drejtues;

ii) drejtues i parë.

3. Njëra nga gradat merret nga punonjësi i policisë në çastin e emërimit në detyrë si drejtor, përgjegjës sektori në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve, specialist në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve dhe përgjegjës shërbimi i ruajtjes dhe sigurisë në IEVP dhe lihet me largimin nga detyra.

 

Neni 27

Hierarkia e roleve dhe e gradave

 

1. Hierarkia ndërmjet punonjësve të policisë në role përcaktohet, sipas kësaj renditjeje: drejtues, komisar, inspektor.

2. Brenda të njëjtit rol, hierarkia e punonjësve të policisë përcaktohet nga grada.

3. Hierarkia e punonjësve të policisë me të njëjtën gradë përcaktohet nga funksioni, ndërsa për funksione të njëjta përcaktohet nga vjetërsia në gradë.

 

Neni 28

Paraqitja e gradave

 

Paraqitja, forma dhe ndërtimi i gradave miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, pas zhvillimit të një procesi konkurrimi për dizenjimin e tyre.

 

Neni 29

Ngritja në gradë

 

1. Ngritjet në gradë nga “Inspektor” deri në “Drejtues i parë” bëhen nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues, ku përfshihen raportet e vlerësimit të punës dhe një provim, nëpërmjet të cilit testohen aftësitë e aplikantëve, për të marrë gradën pasardhëse.

 

2. Grada “Nëninspektor” i jepet punonjësit të rolit bazë që në çastin e fillimit të punës, pas përfundimit me sukses të periudhës së kursit bazë në qendrën e trajnimit.

3. Punonjësit e policisë, të cilët konkurrojnë dhe hyjnë në qendrën e trajnimit, mbajnë gradën dhe pagën e tyre ekzistuese si gjatë kursit, ashtu edhe pas përfundimit të tij.

4. Ngritja në gradën “Inspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, pas së cilës ndiqet një kurs formimi në qendrën e trajnimit.

5. Ngritja në gradën “Kryeinspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, pas së cilës ndiqet një kurs formimi në qendrën e trajnimit.

6. Punonjësit të policisë i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas plotësimit të kohës së qëndrimit në gradë, sipas afateve të mëposhtme:

a) nga “Inspektor” në “Kryeinspektor”                                    2 vjet;

b) nga “Kryeinspektor në “Nënkomisar”                                 2 vjet;

c) nga “Nënkomisar në “Komisar”                                          3 vjet;

ç) nga “Komisar në “Kryekomisar”                                        3 vjet;

d) nga “Kryekomisar në “Drejtues”                                        3 vjet;

dh) nga “Drejtues në “Drejtues i parë”                                    4 vjet.

7. Punonjësit e policisë, që kanë përfunduar një shkollë të lartë, të njohur nga shteti dhe që kanë plotësuar, së paku, dy të tretat e minimumit të kohës që kërkohet për qëndrimin në gradë, mund të konkurrojnë në procesin e përzgjedhjes për ngritjen në gradë nga “Kryeinspektor” në “Nënkomisar”.

8.Në vjetërsinë, për efekt grade, llogaritet edhe koha endërprerjes së karrierëspër shkak të:

a) paaftësisë së përkohshme shëndetësore, si pasojë e sëmundjes apo dëmtimit, për shkak të punës;

b) paaftësisë shëndetësore, e cila nuk ka ardhur si pasojë e punës, deri në 6 muaj;

c) pezullimit apo largimit për shkaqe disiplinore, si rezultat i një urdhri ose vendimi të paligjshëm;

ç) pezullimit, deri në përfundimin e hetimit të një kallëzimi ose një ankese, për sjellje në kundërshtim me rregullat e disiplinës, derisa autoriteti kompetent të marrë vendimin përfundimtar për çështjen.

9. Në vjetërsinë, për efekt grade, nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:

a) lejes së përfituar pa të drejtë page;

b) pezullimeve për shkaqe disiplinore.

 

Neni 30

Fitimi i gradës

 

1. Ngritja në gradë e punonjësit të policisë nënkupton ngritjen e tij në detyrë, sipas tabelës së funksioneve korresponduese për çdo gradë. Ngritjet në gradë bëhen vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë. Në urdhrin për ngritje në gradë, komisioni i dhënies së gradave përcakton, gjithashtu, funksionin përkatës të punonjësit të policisë.

2. Punonjësit e policisë mund të ngrihen në gradë, vetëm pasi të kenë përfunduar me sukses kursin e trajnimit përkatës për atë gradë.

3. Punonjësit e policisë zgjidhen për të ndjekur kursin e trajnimit, duke u bazuar në listën emërore të së drejtës për gradë, të hartuar pas procesit konkurrues.

4. Pas përfundimit me sukses të trajnimit, përzgjedhja për ngritje në gradë bëhet sipas listës emërore të së drejtës për gradë. 

5. Ngritja deri në gradën “Kryeinspektor” kryhet me urdhër të Drejtorit të Policisë të Burgjeve.

6. Ngritja deri në gradën “Komisar” bëhet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, me propozimin e komisionit përkatës për dhënien e gradave.

7. Ngritja në gradën e rolit të lartë bëhet nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e komisionit përkatës për dhënien e gradave.

8. Numri i përllogaritur për vendet e lira njoftohet brenda datës 31 mars të çdo viti.

Neni 31

Komisionet për dhënien e gradave

 

1. Komisionet për dhënien e gradave për rolin e mesëm dhe rolin e lartë propozojnë dhënien e gradave përkatëse, në bazë të vlerësimit të kritereve të parashikuara në këtë ligj për fitimin e gradës.

2. Përbërja dhe funksionimi i komisionit për dhënien e gradave për rolin e mesëm përcaktohen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

3. Përbërja dhe funksionimi i komisionit për dhënien e gradave për rolin e lartë përcaktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 32

Heqja dorë nga grada

 

 1. Punonjësi i policisë ka të drejtë të kërkojë heqjen dorë nga grada që mban, për të kaluar në një gradë më të ulët.

 2. Heqja dorë nga grada, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të kërkohet vetëm për një gradë paraardhëse.

 3. Vendimi për kërkesën e punonjësit të policisë për heqje dorë nga grada merret nga autoriteti përkatës.

 4. Punonjësi i policisë, i cili më parë ka hequr dorë, me kërkesën e vet, nga një gradë, ka të drejtë të kërkojë ngritje në gradë, vetëm pas certifikimit nga komisioni i dhënies së gradave.

 

Neni 33

Ulja në gradë

 

1. Me përjashtim të rolit bazë, kur, për shkak të ndryshimeve në strukturën organizative të policisë, shkurtohet numri i funksioneve organike për gradë, punonjësi i policisë, që mban gradën, për të cilën do të kërkohet ulja, mund të kërkojë, në mënyrë vullnetare, uljen një gradë më poshtë, kur ka vende të lira.

2. Me krijimin e vendeve të lira për gradë, punonjësi i policisë, që ka kërkuar uljen në gradë, rimerr brenda 2 vjetëve gradën e mëparshme, sipas të njëjtit kriter, të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.


Neni 34

Përcaktimi i gradave për funksion

 

1. Emërtimet e gradave, sipas roleve dhe ecurisë në karrierë, janë:

a) nëninspektor, për policët e rolit bazë, në detyra të thjeshta shërbimi;

b) inspektor, për përgjegjësit e shërbimit;

c) kryeinspektor, për ndihmësit e specialistëve dhe përgjegjësit e grupeve të shoqërimit.

2. Punonjësi i rolit të mesëm mban gradën:

a) nënkomisar, kur është specialist i trupës;

b) nënkomisar, komisar, kur kryen funksionin e shefit të regjimeve dhe kur është specialist i informacionit;

c) komisar, kryekomisar, kur është specialist në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve dhe kur kryen detyrën përgjegjësit të sigurisë.

3. Punonjësi i rolit të lartë mban gradën:

a) kryekomisar, drejtues, kur kryen detyrën e përgjegjësit të sektorit në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve;

b) drejtues, drejtues i parë, kur kryen funksionin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve.

 

 

Neni 35

E drejta e ankimit

 

1. Në rastet kur punonjësi i rolit bazë dhe të mesëm vërejnë shkelje të rregullave për ngritjen dhe uljen në gradë, ai ka të drejtë të ankohet te Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.

2. Në rastet kur punonjësi i rolit të lartë vëren shkelje të rregullave për ngritjen dhe uljen në gradë, ai ka të drejtë të ankohet te Ministri i Drejtësisë, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.

 

KREU V

PROCEDURAT DISIPLINORE

 

Neni 36

Masat disiplinore


1. Kur punonjësi i Policisë së Burgjeve nuk zbaton detyrat e shërbimit ose shkel rregullat e parashikuara në këtë ligj dhe në aktet e tjera, ligjore dhe nënligjore, që lidhen me detyrën dhe këto veprime nuk përbëjnë vepra penale, ndaj tij mund të jepet njëra nga këto masa disiplinore:

a) vërejtje me shkrim;

b) vërejtje me paralajmërim;

c) pezullim pa të drejtë page nga një deri në tre muaj;

ç) ulje në gradë ose funksion;

d) largim nga detyra.

2. Masa disiplinore duhet të jetë në përputhje me shkeljen e kryer dhe pasojat e ardhura prej saj.

3. Efektet e masës disiplinore fillojnë pasi të ketë përfunduar procesi disiplinor, ku përfshihen procedurat përkatëse të apelimit dhe pasi të jetë dhënë vendimi përfundimtar.


Neni 37

Procesi disiplinor

 

1. Dhënia e masave disiplinore dhe shqyrtimi i tyre bëhen sipas një procedure, e cila garanton të drejtën për t'u vënë në dijeni, për t'u dëgjuar dhe për t'u mbrojtur.

2. Për çdo shkelje jepet vetëm një masë disiplinore. Për vendimin për marrjen e masës disiplinore njoftohet me shkrim i interesuari, për të cilin bëhet shënimi përkatës në dosjen vetjake.

 

Neni 38

Autoritetet për dhënien e masave disiplinore

 

Autoritetet për dhënien e masave disiplinore janë:

a) në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kryesisht ose me propozimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, ndërsa në IEVP drejtori i IEVP-së kryesisht ose me propozimin e përgjegjësit të shërbimit të ruajtjes dhe të sigurisë, për masat disiplinore “Vërejtje me shkrim” dhe “Vërejtje me paralajmërim”;

b) në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kryesisht ose me propozimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, ndërsa në IEVP Drejtori i Policisë së Burgjeve kryesisht ose me propozimin e Drejtorit të IEVP-së, për masën disiplinore “Pezullim pa të drejtë page nga një deri në tre muaj”.

c) ministri, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, për punonjësit e rolit të lartë, ndërsa Drejtori i Policisë së Burgjeve, kryesisht ose me propozimin e Drejtorit të IEVP-së, për punonjësit e rolit bazë dhe të mesëm, për masën disiplinore “Ulje në gradë ose funksion”;

 

ç) Ministri i Drejtësisë kryesisht ose me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, për drejtorin dhe përgjegjësit e sektorëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për masën disiplinore “Largim nga detyra”;

d) Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kryesisht ose në bazë të propozimit të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, për punonjësit e rolit bazë dhe të mesëm, për masën disiplinore “Largim nga detyra”.

 

Neni 39

Ankimi

 

1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, ndaj të cilit merret një masë disiplinore, sipas shkronjave “a” e “b” të pikës 1 të nenit 36 të këtij ligji, ka të drejtë të ankohet tek eprori i punonjësit të policisë, që ka dhënë masën ndaj tij, brenda 5 ditëve nga data e marrjes dijeni për dhënien e masës disiplinore.

2. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, ndaj të cilit merret një masë disiplinore, sipas shkronjave “c”, “ç” e “d” të pikës 1 të nenit 36 të këtij ligji, ka të drejtë të ankohet me shkrim në komisionin e apelimit të masave disiplinore në Ministrinë e Drejtësisë, brenda 10 ditëve nga çasti i marrjes dijeni me shkrim, për dhënien e asaj mase.

 

Neni 40

Komisioni i apelimit të masave disiplinore

 

1. Komisioni i apelimit të masave disiplinore krijohet dhe funksionon pranë Ministrisë së Drejtësisë.

 2. Komisioni i apelimit të masave disiplinore ka kompetencë për të lënë në fuqi masën disiplinore, kur e gjen të bazuar, ose propozon rishikimin e saj nga autoriteti që ka dhënë masën.

 3. Përbërja dhe funksionimi i komisionit caktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 41

Afatet e shuarjes së masës disiplinore

 

1. Masat disiplinore “Vërejtje me shkrim” dhe “Vërejtje me paralajmërim” qëndrojnë në dosjen personale të punonjësit të Policisë së Burgjeve për një periudhë prej 6 muajsh, periudhë pas së cilës shuhen.

2. Masat disiplinore “Pezullim pa të drejtë page nga një deri në tre muaj” dhe “Ulje në gradë ose funksion” qëndrojnë në dosjen personale të punonjësit të Policisë së Burgjeve për një periudhë prej një viti, nga data e përfundimit të ekzekutimit të masës, periudhë pas së cilës shuhen.

3. Pas kalimit të periudhave të përcaktuara në pikat 1 e 2 të këtij neni, i gjithë dokumentacioni, që lidhet me masat disiplinore, të përcaktuara në shkronjat “c” e “ç” të pikës 1 të nenit 36 të këtij ligji, ruhet në dosjen personale të punonjësit gjatë të gjithë kohës së punës. Këto të dhëna nuk mund t’i bëhen të ditura asnjë institucioni apo strukture pa lejen me shkrim të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

4. Masa disiplinore “Largim nga detyra” qëndron përgjithmonë në dosjen personale të ish-punonjësit të Policisë së Burgjeve.

 


Procedimi penal

 

Në rastet kur punonjësi i Policisë së Burgjeve merret në përgjegjësi penale për një krim, pezullohet nga funksioni deri në përfundim të procesit.

 




KREU VI

MASAT PËR RUAJTJEN E RENDIT DHE TË SIGURISË nË ievP


Neni 43

Kontrolli

 

1. Punonjësit e Policisë së Burgjeve ushtrojnë kontroll në mjedise dhe ndaj çdo personi, që hyn në regjim, i burgosur ose vizitor.

2. Kontrollet kryhen nga punonjës policie të së njëjtës gjini me personin e kontrolluar. Për kontrollin e të miturve kërkohet edhe prania e prindit ose e kujdestarit.

3. Në të gjitha rastet e hyrjeve dhe të kontrolleve në mjedise, punonjësi i policisë harton një raport, ku jepen arsyet e hyrjes, të kryerjes së kontrollit dhe rezultatet e tij.

 

Neni 44

Përdorimi i forcës

 

1. Personeli i burgut nuk përdor forcë kundër të burgosurve, me përjashtim të rasteve kur ky veprim është i nevojshëm për vetëmbrojtje ose në rast të tentativave për arratisje, rezistencë aktive ose pasive ndaj një urdhri të ligjshëm. Edhe në këto raste, forca përdoret si mjet i fundit.

2. Masa e forcës së përdorur është minimumi i mundshëm dhe përdoret në kohën më të shkurtër të mundshme.

3. Personeli, që merret drejtpërdrejt me të burgosurit, trajnohet për teknikat, që e bëjnë të mundur përdorimin minimal të forcës, për të kthyer vetëkontrollin tek të burgosurit agresivë.

4. Në raste të veçanta, kur cenohet siguria dhe veprimtaria në sistemin e burgjeve, Policia e Burgjeve bashkëpunon me strukturat e tjera, që veprojnë në fushën e rendit dhe të sigurisë.

5. Mënyrat, teknikat dhe masa e përdorimit të forcës përcaktohen në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve.

6. Për rastet kur punonjësit e strukturave, që veprojnë në fushën e rendit dhe të sigurisë hyjnë në burg për të trajtuar konflikte, lidhet marrëveshje ndërmjet Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Brendshëm. Në marrëveshje parashikohen kushtet dhe masa e të drejtave, që kanë punonjësit e këtyre strukturave, llojet e ndryshme të forcës, rrethanat kur përdoret çdo lloj force, niveli i nevojshëm i kompetencave përpara se të përdoret forca dhe raportet, që duhet të përgatiten pas përdorimit të forcës.

 

Neni 45

Mjetet kufizuese

 

1. Ndalohet përdorimi i zinxhirëve dhe i hekurave.

2. Prangat e duarve, xhaketat e forcës dhe mjete të tilla të rënda trupore kufizuese nuk përdoren, me përjashtim të rasteve kur dhe për aq sa:

a) ato janë të nevojshme për të parandaluar arratisjen gjatë një transferimi, me kusht që ato të hiqen kur i burgosuri del përpara një organi gjyqësor ose administrativ, me përjashtim të rasteve kur organet vendosin ndryshe;

b) jep urdhër drejtori, nëse mënyra të tjera kontrolli dështojnë, në mënyrë që të mbrohet i burgosuri nga vetëdëmtimi, dëmtime të të tjerëve ose për të parandaluar dëmtime serioze ndaj pronës. Në këto raste, drejtori informon mjekun e burgut menjëherë dhe i raporton Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

3. Mënyra e përdorimit të instrumenteve kufizuese përcaktohet në rregulloren e përgjithshme të burgjeve.

 

 

 

 

KREU VIII

DISPOZITA TË FUNDIT

 

Neni 46

Aktet nënligjore

 

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 4, 5, 15, 28 dhe 29 të këtij ligji.

2. Ngarkohet Ministri i Drejtësisë të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 3, 13, 31 e 40 të këtij ligji.

3. Ngarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të nxjerrë aktet e nevojshme në zbatim të nenit 31 të këtij ligji.

 

Neni 47

Shfuqizime

 

Ligji nr.8321, datë 2.4.1998 “Për Policinë e Burgjeve”, të ndryshuar, shfuqizohet.

 

Neni 48

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.5983, datë 29.12.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Bamir Topi



Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0
POLICIA
 725 812110024





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


acdurres

spitaliamerikan

dga