ebuy.al
Alexa Alexa
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: PËR SIGURIMIN SHOQËROR SUPLEMENTAR TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË GARDËS SË REPUBLIKËS, TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, TË POLICISË SË BURGJEVE, TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE TË SHPËTI
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 10142
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 15.05.2009
Data e aprovimit te Aktit: 12.06.2009
Numri i neneve: 32
Numri i fletores zyrtare: 87
Data e fletores zyrtare: 12.06.2009
Aktiviteti: Sigurim Shoqëror Suplementar
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Qëllimi i këtij ligji është t'u garantojë përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr.4171, datë 13.9.1966 "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë" dhe në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar,
Amendamente
1 Per Garden e Republikes se Shqiperise.
Akte te ngjashem
1 PËR RRITJEN E PENSIONEVE SUPLEMENTARE TË USHTARAKËVE, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT DHE TË TRAJTIMEVE TË VEÇANTA FINANCIARE
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

LIGJ

Nr.10 142, datë 15.5.2009



PËR SIGURIMIN SHOQËROR SUPLEMENTAR TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË GARDËS SË REPUBLIKËS, TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, TË POLICISË SË BURGJEVE, TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE TË SHPËTIMIT E TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË



Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,



KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË



VENDOSI:



KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME



Neni 1

Qëllimi



Qëllimi i këtij ligji është t'u garantojë përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr.4171, datë 13.9.1966 "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë" dhe në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë se Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm e anëtarëve të familjeve të tyre, kur ata e ndërpresin karrierën, sipas përcaktimeve në ligjet nr.9171, datë 22.1.2004 "Për gradat dhe karrierën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë", nr.9749, datë 4.6.2007 "Për Policinë e Shtetit", nr.8869, datë 22.5.2003 "Për Gardën e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, nr.9357, datë 17.3.2005 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit", nr. 10 032, datë 11.12.2008 "Për Policinë e Burgjeve", nr.8766, datë 5.4.2001 "Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin" dhe nr.10 002, datë 6.10.2008 "Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme".



Neni 2

Përfituesit



Përfitues, sipas këtij ligji, janë:

1. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë: oficerë, nënoficerë, studentë ushtarakë dhe kursantë për nënoficerë, ushtarë me pagesë/profesionistë, ushtar i shërbimit të detyrueshëm, ushtarak në rezervë/lirim/pension pleqërie.

2. Punonjësit e Policisë së Shtetit kur janë aktivë, me pagesë kalimtare, në pension pleqërie, studentë kursantë dhe ushtarë (ndihmës agjentë).

3. Punonjësit e Gardës, që gjenden në karrierë, punonjësit me status si kursantë, studentët dhe ushtarët, ish-punonjësit e Gardës, që janë në dispozicion, në pritje për riemërim në detyrë dhe ish-punonjësit e Gardës, që kanë dalë në rezervë ose në lirim pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.8869, datë 25.3.2003 "Për Gardën e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, të cilët trajtohen me pagesë kalimtare apo që kanë dalë në pension.

4. Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, në marrëdhënie pune me këtë shërbim, ata në lirim, me pagesë kalimtare, në pension, si dhe kursantët.

5. Punonjësit e Policisë së Burgjeve, kur janë aktivë, me pagesë kalimtare, në pension pleqërie, studentë kursantë dhe ushtarë (ndihmës agjentë).

6. Punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit.

7. Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

8. Anëtaret e familjeve të personave të përmendur në pikat 1-7 të këtij neni.



Neni 3

Vjetërsia në shërbim



1. Vjetërsia në shërbim, sipas kategorive të përfituesve, është ajo e përcaktuar në ligjet nr.9210, datë 23.3.2004 "Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", nr.9749, datë 4.6.2007 "Për Policinë e Shtetit", nr.8869, datë 22.5.2003 "Për Gardën e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, nr.9357, datë 17.3.2005 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit", nr.10 032 datë 11.12.2008 "Për Policinë e Burgjeve", nr.8766, datë 5.4.2001 "Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin" dhe nr.10 002, datë 6.10.2008 "Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme".

2. Për efekt të zbatimit të këtij ligji, vjetërsia e shërbimit, e njohur sipas ligjeve të sipërpërmendura, bashkohet.

3. Për efekt të përllogaritjes së përfitimeve, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë.

4. Në vjetërsinë në shërbim përfshihen edhe:

a) koha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një urdhri apo vendimi të padrejtë, të deklaruar me vendim gjykate;

b) koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim ose internim, për motive politike, pas titullimit në karrierë, nga personat, që kanë shërbyer në strukturat e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë përfituar sipas ligjit nr.7514, datë 30.9.1991 "Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë".

5. Për efekt të llogaritjes së vjetërsisë në shërbim, koha e shërbimit në disa funksione organike, me specifikë të veçantë vështirësie, llogaritet me 1,5-fishin. Për përmbajtjen e kësaj dispozite shprehen strukturat respektive, me shkrim, se cilat do të jenë funksionet e veçanta organike, që do të rivlerësohen me 1,5-fishin. Këto funksione organike miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 4

Paga referuese



1. Përfitimet, që jepen nga ky ligj, ll ogariten në bazë të pagës referuese.

2. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi.

Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.

Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Për studentët e shkollave të larta, që përgatiten si ushtarakë, si punonjës të Policisë së Shtetit, si punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë, si punonjës të Policisë së Burgjeve e të tjerë, apo kursantët, që përgatiten si punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, paga referuese, për efekt përfitimi, është paga e gradës apo funksionit më të ulët të oficerit ose e inspektorit të SHISH-it, ndërsa për kursantët për nënoficerë, paga referuese është paga më e ulët e gradës apo funksionit të nënoficerit ose ndihmës-inspektorit të SHISH-it të nivelit përkatës.

4. Kur funksioni ose grada, që kishte përfituesi, nuk ekziston më, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Brendshëm (Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Komandanti i Gardës), Ministri i Drejtësisë dhe Drejtori i SHISH-it, me urdhër, bëjnë njësimin e tyre me ato funksione apo grada, që janë në fuqi në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim.



Neni 5

Financimi



1. Përfitimet nga ky ligj financohen nga Buxheti i Shtetit dhe nga kontributet suplementare. Mënyra e llogaritjes, procedurat e financimit dhe të pagesës së përfitimeve, shpenzimet e administrimit dhe të financimit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Llogaritja dhe pagimi i përfitimeve, që rrjedhin nga ky ligj, me përjashtim të atyre të përcaktuara në nenet 9, 10, 11, 12 e 22, bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

3. Personat e përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji, gjatë kohës që janë aktivë, paguajnë kontribut shtesë në masën 2 për qind të pagës referuese.

4. Kontributet shtesë llogariten mbi pagën referuese mujore, në përputhje me të njëjtat rregulla, procedura afatpagese dhe kontribute, si për sigurimin shoqëror të detyrueshëm.



Neni 6

Përjashtimi nga tatimet



Përfitimet nga ky ligj nuk tatohen.



KREU II

FUSHA E MBROJTJES



Neni 7

Llojet e përfitimeve suplementare dhe kushtet e përfitimit



Personave të përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji apo familjeve të tyre u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, për:

a) paaftësi të përkohshme në punë e shërbim;

b) parandalim për sëmundje;

c) rehabilitim shëndetësor;

ç) shpërblim i menjëhershëm dhe pagesë kalimtare, kur nxirren në lirim/rezervë;

d) pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi;

dh) pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë;

e) pension suplementar invaliditeti;

ë) pension suplementar familjar;

f) pension suplementar familjar, kur, për shkak të detyrës, humbasin jetën;

g) pagesa suplementare për shpenzime varrimi.



KREU III

PËRFITIMET SUPLEMENTARE



Neni 8

Kushtet e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë



Ushtaraku i shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës, i Shërbimit Informativ të Shtetit, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për kohën që, për arsye shëndetësore, bëhen të paaftë për punë, paaftësi e cila vërtetohet me raport mjekësor, marrin përfitime suplementare.



Neni 9

Masa e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë



Masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë llogaritet:

a) 100 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë;

b) 20 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim;

c) 10 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit për periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim.



Neni 10

Parandalimi për sëmundje



Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në varësi të situatave operacionale, sipas përcaktimit të bërë nga komisioni mjekësor ushtarak, pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak, gëzojnë të drejtën e parandalimit për sëmundje.

Ministri i Mbrojtjes, me udhëzim, përcakton rastet, procedurat dhe kriteret përkatëse për zbatimin e këtij neni.



Neni 11

Rehabilitimi shëndetësor



Shpenzimet për trajtimin shëndetësor dhe ritrajtimin e ushtarakut të Forcave të Armatosura, të punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës, të SHISH-it, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, punonjësit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, për rikthimin e aftësive në punë, nga një sëmundje apo dëmtim trupor, të ndodhur për shkak të detyrës dhe të vërtetuar nga komisioni mjekësor ushtarak, pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak, përballohen nga Buxheti i Shtetit.

Kriteret dhe masa e trajtimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 12

Shpërblimi i menjëhershëm dhe pagesa kalimtare



1. Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm i Forcave të Armatosura, i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nxirren në rezervë apo lirim, marrin një shpërblim të menjëhershëm, në masën e dy pagave referuese mujore dhe pas këtij fillon trajtimi financiar me pagesë kalimtare.

2. Pagesë kalimtare jepet kur përfituesi ka jo më pak se 3 muaj shërbim. Pagesa kalimtare llogaritet në masën 50 për qind të pagës referuese mujore dhe fillon në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim.

3. Trajtimi financiar me shpërblimin e menjëhershëm dhe me pagesë kalimtare, për të dyja llojet e përfitimeve së bashku, zgjat për aq muaj sa përfituesi ka vjetërsi shërbimi, por jo më shumë se 24 muaj.

4. Personat e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni nuk përfitojnë shpërblim të menjëhershëm dhe pagesë kalimtare, në rastet kur:

a) kryejnë vepra penale ose shkelje, që dënohen me masën disiplinore përjashtim nga Forcat e Armatosura, nga Policia e Shtetit, Garda e Republikës, SHISH-i, Policia e Burgjeve;

b) largohen me kërkesën e vet për të filluar një veprimtari tjetër ekonomike ose për t'u punësuar në një sektor tjetër;

c) dërgohen me një detyrë shtetërore më të lartë ose paralele, me pagë mujore jo më të vogël se paga që merrnin.

5. Në rastet kur përfituesi punësohet, mund të përfitojë pagesë kalimtare për aq kohë sa është përcaktuar në pikën 3 të këtij neni, por deri në atë masë, sa paga e re plus pagesën kalimtare të mos e kalojnë pagën referuese mujore, në bazë të së cilës është llogaritur pagesa kalimtare.



Neni 13

Kushtet e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi



Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, fitojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, kur:

a) plotësojnë vjetërsinë në shërbim, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt;

b) kanë mbushur moshën 42 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt.



Neni 14

Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi



1. Pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese.

2. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës 1 të këtij neni, në çastin që lind e drejta për përfitim:

a) për personat, që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar;

b) për personat, që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës.

3. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi rikthehet në shërbimin aktiv.

4. Kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

5. Në rastet kur karriera është ndërprerë, për shkaqet e përcaktuara në pikën 4 të nenit 12 të këtij ligji, e drejta për pension të parakohshëm për vj etërsi shërbimi, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara për këtë përfitim, fillon pas 24 muajve.



Neni 15

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar të pleqërisë



Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, të SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që përfitojnë pension pleqërie, sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966 "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë" dhe nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, gëzojnë të drejtën e një pensioni suplementar pleqërie.



Neni 16

Masa e përfitimit të pensionit suplementar të pleqërisë



Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pension suplementar.



Neni 17

Kushtet e përftimit të pensionit suplementar të invaliditetit



Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm përfitojnë të drejtën për pension invaliditeti suplementar në rastet kur janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë" ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.



Neni 18

Masa e përfitimit të pensionit suplementar të invaliditetit



1. Pensioni suplementar i invaliditetit llogaritet 1 për qind për çdo vit shërbimi mbi pagën mesatare referuese mujore, por jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit, që përfitohet sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë" ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

2. Kur personat e sipërpërmendur bëhen invalidë në krye të detyrës apo për shkak të saj, masa e pensionit suplementar të invaliditetit është 20 për qind e pagës referuese.



Neni 19

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar familjar



Pjesëtarët e familjes, në ngarkim të personave të përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji, kur përfitojnë pension familjar, sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë" ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, përfitojnë edhe pension suplementar familjar.



Neni 20

Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar



Pensioni suplementar familjar llogaritet në bazë të pensionit suplementar mujor, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera dhe është 50 për qind për bashkëshortin/bashkëshorten e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind ose pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim.

Kufiri maksimal i këtij përfitimi nuk duhet të jetë më i lartë se shuma e plotë e pensionit suplementar, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera, sipas këtij ligji.



Neni 21

Pensioni suplementar familjar për personat që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj



Pjesëtarët e familjes në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, të punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të SHISH-it, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj, përveçse përfitojnë pension familjar, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, përfitojnë edhe pension suplementar familjar sa diferenca ndërmjet pagës referuese të të ndjerit/së ndjerës, në çastin e humbjes së jetës dhe pensionit familjar, që përfitonte, sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.



Neni 22

Pagesa për shpenzime varrimi



Pjesëtarëve të familjes së ushtarakut të Forcave të Armatosura, të punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të detyrës, u jepet ndihmë e menjëhershme dhe u kompensohen shpenzimet e varrimit. Kriteret dhe masa e ndihmës së menjëhershme e të kompensimit të shpenzimeve të varrimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



KREU IV

PERIUDHAT E SIGURIMIT



Neni 23

Periudha e sigurimit dhe kontributet



l. Periudha e trajtimit me pagesë kalimtare apo me pe nsion të parakohshëm për vjetërsi shërbimi njihet si periudhë sigurimi, për efekt përfitimi pensioni pleqërie, invaliditeti e familjar, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar. Kontributi për këto periudha përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe derdhet në bazë të pagës referuese, sipas së cilës është llogaritur përfitimi mujor, e indeksuar çdo vit me koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësuar, por, në çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të caktuar nga Këshilli i Ministrave, për efekt të pagesës së kontributeve të detyrueshme.

Në rastet kur përfituesi i pagesës kalimtare apo i një pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi punësohet, kontributi nga Buxheti i Shtetit derdhet në nivelin minimal.

2. Për të gjithë ushtarakët, që kanë dalë në rezervë apo në lirim, periudha e trajtimit financiar, sipas vendimeve nr.225, datë 29.5.1992 dhe nr.7, datë 10.1.1996 të Këshillit të Ministrave, njihet si periudhë sigurimi, për efekt përfitimi të pensionit të pleqërisë, të invaliditetit e familjar, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar. Kontributet llogariten në bazë të pagës referuese, sipas së cilës është llogaritur trajtimi financiar, e indeksuar me koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar për të gjithë periudhën.

Për këtë periudhë, fondet për pagesën e kontributeve jepen nga Buxheti i Shtetit, në varësi të numrit të personave që përfitojnë pension.

Paga, sipas së cilës është llogaritur trajtimi financiar, kur zgjidhet nga ushtaraku, merret edhe si pagë bruto, për efekt të ri-llogaritjes së pensionit të pleqërisë dhe të pensionit suplementar.

3. Procedurat e llogaritjes dhe të pagesës së kontributeve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE



Neni 24

Indeksimi



1. Përfitimet suplementare, sipas neneve 14, 16, 18, 20, 21 e 26 të këtij ligji, llogariten në bazë të pagës mesatare referuese mujore në çastin e lindjes së të drejtës dhe më pas nuk janë objekt i ndonjë ndryshimi, me përjashtim të indeksimit. Ato indeksohen sa herë indeksohen edhe pensionet e caktuara sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar. Indeksi dhe koha e zbatimit të tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Përfitimet që jepen në përputhje me nenin 21 të këtij ligji vendosen në vlerën 100 për qind të pagës, sa herë që paga, sipas së cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon.



Neni 25

Mospërjashtimi nga përfitimet e përcaktuara nga ligje të tjera



Personat e përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji apo familjarët e tyre, kur plotësojnë kushtet për përfitim, sipas këtij ligji dhe, njëkohësisht, u lind e drejta të përfitojnë nga ligjet nr.9128, datë 29.7.2003 "Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension" të ndryshuar, nr.9361, datë 24.3.2005 "Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare në pension", nr.8455, datë 4.2.1999 "Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit", të ndryshuar dhe nr.8097, datë 21.3.1996 "Për pensionet shtetërore suplementare të personave, që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit", të ndryshuar, kanë të drejtë të zgjedhin përfitimin më të favorshëm.

E drejta e zgjedhjes së përfitimit më të favorshëm ushtrohet edhe në rastet kur personit i lind më shumë se një e drejtë, e parashikuar në këtë ligj.



Neni 26

Pensioni suplementar për ushtarakët në pension



Ushtaraku, që ka ndërprerë karrierën para hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, datë 3.7.1991 "Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura", të ndryshuar dhe e ka përfituar pensionin sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë" apo sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, përfiton pension suplementar.

Kushtet e përfitimit dhe masa e pensionit suplementar janë sipas këtij ligji dhe të njëjta me ato të përcaktuara edhe për ushtarakët, që e kanë ndërprerë karrierën pas kësaj date. Kategoritë e përfituesve dhe mënyra e llogaritjes së pagës referuese caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 27

Përjashtimi nga përfitimi



Nga ky ligj nuk përfitojnë ushtarakët e nxjerrë në lirim, për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje.



Neni 28

E drejta e përfitimeve



1. E drejta e përfitimeve nga ky ligj nuk parashkruhet. Personi, që kërkon përfitimet jo më vonë se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejtë, përfitimi i paguhet nga data e lindjes së të drejtës. Në raste të tjera, përfitimi paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim.

2. Përfitimet e njohura, por të patë rhequra nga personi, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.

3. Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo për më shumë se për një vit.

4. Personi, që ka përfituar pension ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore suplementare, në mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, e cila i mbahet çdo muaj, në masën 50 për qind të këstit mujor të përfitimit, si dhe dënohet me gjobë, në masën katërfish të shumës së përfituar në kundërshtim me ligjin, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.

Për rastet kur përfitimi është llogaritur gabim, masa e ndalesës është 20 për qind e këstit mujor.



Neni 29

Rillogaritja e të drejtave të njohura



1. Dispozitat e ligjeve nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit" zbatohen deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

2. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave, nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar.

3. Pensionet për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kriteret e nenit 11 të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar dhe kur e drejta për përfitim ka lindur në harkun kohor l. 1.1999 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, por nuk është caktuar, llogariten sipas kritereve të këtij ligji.



Neni 30

Nxjerrja e akteve nënligjore



Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë akte nënligjore në zbatim të neneve 3, 4, 5 pika 1, 11, 22, 23 pika 3, 24 pika 1, 26 e 29 të këtij ligji.



Neni 31

Shfuqizimet



Shfuqizohen:

Ligji nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit", të ndryshuar;

Ligji nr.9418, datë 20.5.2005 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar;

Dekreti nr.758, datë 1.2.1994 "Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut";

Ligji nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit";

Pikat 1 e 2 të nenit 35 të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004 "Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë";

Neni 89 i ligjit nr.9749, datë 4.6.2007 "Për Policinë e Shtetit";

Pikat 1 e 2 të nenit 39 të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003 "Për Gardën e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar;

Nenet 24, 25 pika 1, 42 pika 4 dhe 43 të ligjit nr.9357, datë 17.3.2005 "Për statusin e punonjësit të SHISH-it".



Neni 32

Hyrja në fuqi



Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.



Shpallur me dekretin nr.6200, datë 5.6.2009 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

 



Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0  1.905 905150038





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


Kerkoni Gjeni Prona









| Shto tek te Preferuarat




Spitali Amerikan