0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT
Tipi i Aktit: Vendim i KM
Numri i Aktit: 1081
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 21.10.2009
Data e aprovimit te Aktit: 03.12.2009
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 164
Data e fletores zyrtare: 03.12.2009
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: AKU-ja drejtohet nga drejtori i përgjithshëm dhe mbikëqyret nga bordi i këtij autoriteti, i cili është përgjegjës për të siguruar që AKU-ja të kryejë misionin dhe të përmbushë detyrat e ngarkuara nga legjislacioni përkatës.
Akte te ngjashem
1 PËR USHQIMIN
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

VENDIM  


Nr.1081, datë 21.10.2009  


 


PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AUTORITETIT  KOMBËTAR TË USHQIMIT  


 


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 61 pika 7, 64 pikat 2 e 5, e 65 pika 3 të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, dhe të nenit 10 të ligjit nr.9000, datë 31.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave,


 


VENDOSI:


 


I. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONET E AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT (AKU)  


1. AKU-ja drejtohet nga drejtori i përgjithshëm dhe mbikëqyret nga bordi i këtij autoriteti, i cili është përgjegjës për të siguruar që AKU-ja të kryejë misionin dhe të përmbushë detyrat e ngarkuara nga legjislacioni përkatës.  


2. AKU-ja organizohet në Drejtorinë e Përgjithshme, në nivel qendror, dhe drejtoritë rajonale, në çdo qark të vendit.  


3. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme funksionojnë komiteti shkencor dhe panelet shkencore.


4. Drejtoria e Përgjithshme ka këto funksione:


a) Planifikon dhe bashkërendon kontrollin zyrtar të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, të mbrojtjes së bimëve dhe mbrojtjes së shëndetit të kafshëve;  


b) Siguron unifikimin e praktikave të kontrollit të sigurisë së ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, të mbrojtjes së bimëve dhe mbrojtjes së shëndetit të kafshëve, në shkallë vendi;  


c) Bashkërendon veprimtarinë e laboratorëve të autorizuar të sistemit të kontrollit zyrtar të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe mbrojtjes së shëndetit të kafshëve;  


ç) Siguron kryerjen e analizave nga laboratorë të tjerë të akredituar, në rastin e pamundësisë së kryerjes së tyre nga laboratorët e autorizuar të kontrollit zyrtar të ushqimit;  


d) Drejton procesin e vlerësimit të riskut në fushën e ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe mbrojtjes së shëndetit të kafshëve;  


dh) Kryen studime shkencore të nevojshme për vlerësimin e riskut në fushën e sigurisë së ushqimit dhe ushqimit për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe mbrojtjes së shëndetit të kafshëve;  


e) Përgatit mendimin shkencor paraprak për nxjerrjen në treg të OMGJ-ve dhe/ose ushqimeve të reja;  


ë) Informon publikun për fushën e sigurisë së ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe mbrojtjes së shëndetit të kafshëve;  


f) Jep mbështetje teknike, administrative dhe shkencore, për të siguruar veprimtarinë e komitetit shkencor dhe të paneleve shkencore;  


g) Përgatit raportin vjetor për vlerësimin e funksionimit të AKU-së;  


gj) Përgatit planin e punës e buxhetin afatshkurtër dhe afatmesëm të AKU-së, që miratohet nga bordi.  


5. Drejtoritë rajonale të AKU-së drejtohen nga drejtori rajonal dhe kryejnë këto funksione:  


a) Kryejnë kontrollet paraprake për të vërtetuar nëse janë plotësuar kërkesat tekniko-teknologjike, higjieno-sanitare, fitosanitare dhe veterinare, verifikimin e dokumentacionit të nevojshëm për regjistrimin dhe licencimin e operatorëve të biznesit ushqimor, ushqimit për kafshë, shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së bimëve;  


b) Kryejnë kontrollin zyrtar të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, si dhe në fushën e mbrojtjes së bimëve dhe të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve në territorin e qarkut përkatës;


c) Kryejnë kontrollin zyrtar të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe mbrojtjes së shëndetit të kafshëve në njësitë e inspektimit kufitar;  


ç) Kryejnë mbledhjen e informacionit në fushën e sigurisë së ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe përcjelljen e tij në Drejtorinë e Përgjithshme;  


d) Ndalojnë, përkohësisht ose në mënyrë të përhershme, veprimtarinë e operatorëve të biznesit të ushqimit dhe të atij të ushqimit për kafshë në fazat e prodhimit, përpunimit, shpërndarjes dhe tregtimit të ushqimit apo ushqimit për kafshë, kur vërtetohet se ushqimi a ushqimi për kafshë dhe operatorët përkatës të biznesit nuk plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;  


dh) Përgatisin raportin vjetor për vlerësimin e funksionimit të drejtorisë rajonale të AKU-së.  


6. Pikat e inspektimit kufitar janë pjesë administrative e drejtorive rajonale përkatëse të AKU-së dhe kryejnë kontrollin e ngarkesave të kafshëve të gjalla, bimëve dhe produkteve, që origjinojnë prej tyre, të cilat hyjnë, dalin ose tranzitojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.  


7. Laboratorët rajonalë janë pjesë administrative e drejtorive rajonale përkatëse të AKU-së. Në to kryhet analizimi laboratorik për kontrollin zyrtar të ushqimit, ushqimit për kafshë, shëndetit të kafshëve dhe bimëve.  


8. Drejtoritë rajonale ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e qarkut përkatës. Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, punonjës të drejtorisë rajonale mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në territorin e një qarku tjetër, në bashkëpunim me drejtorinë rajonale përkatëse, që mbulon territorin e atij qarku.  


II. KRITERET E EMËRIMIT, TË SHKARKIMIT TË ANËTARËVE  TË BORDIT TË AKU-SË, SI DHE TË DREJTAT, DETYRAT DHE  FUNKSIONIMI I BORDIT  


1. Përbërja e bordit dhe zgjedhja e kryetarit përcaktohen në përputhje me nenin 64 të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”.  


2. Anëtar i bordit zgjidhet shtetasi shqiptar, që plotëson kriteret e mëposhtme:


a) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;  


b) Të ketë arsim të lartë në drejtësi, ekonomi ose në shkencat teknike, që lidhen me fushat, ku gjen zbatim ligji i ushqimit;  


c) Përfaqësuesit e ministrive të linjës të kenë përvojë pune në administratën shtetërore, të paktën 5 vjet, ndërsa përfaqësuesit, që emërohen sipas shkronjave “dh”, “ë”, “f’ dhe “g”, të nenit 64 të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, të jenë personalitete të shquara të fushave, ku ata veprojnë;  


ç) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor, të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale;  


d) Të mos jetë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore;  


dh) Të mos jetë në konflikt interesi me detyrat, funksionet apo veprimtarinë e vet shtetërore apo private.  


3. Bordi i AKU-së mbikëqyr veprimtarinë e këtij autoriteti dhe i raporton Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.  


4. Bordi, nëpërmjet anëtarëve të tij, ndihmon, gjithashtu, në bashkërendimin e punës me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera, të përfaqësuara në bord.  


5. Bordi ka këto të drejta dhe detyra:  


a) Miraton rregulloren e brendshme të funksionimit të AKU-së;  


b) Miraton objektivat strategjike dhe planet e punës të AKU-së;  


c) Miraton projektbuxhetin e AKU-së, që i paraqitet Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;  


ç) Miraton raportin vjetor të vlerësimit të veprimtarisë së AKU-së;  


d) Miraton kërkesat e posaçme të vendeve të punës për rekrutimin e punonjësve të AKU-së;  


dh) Miraton projektplanin e menaxhimit të krizave, të propozuar nga AKU-ja.  


6. Anëtarët e bordit, përfaqësues të ministrive, duhet të jenë punonjës në ministrinë përkatëse dhe emrat e tyre i propozohen Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit nga ministri përkatës. Emrat e anëtarëve të bordit sipas shkronjave “dh”, “e”, “f” dhe “g”, të nenit 64 të ligjit, caktohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në bazë të kandidaturave të paraqitura, përkatësisht, nga organet përkatëse, të cilat, për çdo anëtar, paraqesin një listë me jo më pak se dy kandidatë.


7. Anëtarët e bordit shkarkohen nga kjo detyrë dhe mandati i tyre përfundon, kur Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit vëren se:  


a) anëtari i bordit, përfaqësues i një ministrie linje, nuk është më në marrëdhënie pune me këtë ministri;  


b) anëtari i bordit, sipas shkronjës “ë” të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, nuk është më në marrëdhënie pune me universitetin përkatës;  


c) detyra si anëtar i bordit është në konflikt interesi me detyrën, veprimtarinë apo funksionin që ky anëtar ka në sektorin shtetëror apo privat;


ç) ai i shmanget përgjegjësisë së funksionit si anëtar i bordit.  


8. Mandati i anëtarëve, i caktuar sipas pikës “e” të nenit 64 të ligjit, përfundon para kohe, vetëm në rast zëvendësimi të kryetarit të shoqatës së bashkive. Në këtë rast, anëtar bëhet automatikisht kryetari i ri.  


9. Përveç sa parashikohet më sipër, Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ua ndërpret mandatin anëtarëve të bordit, nëse këta të fundit nuk marrin pjesë në asnjë nga mbledhjet e bordit për një periudhë vijuese 6-mujore. Organet propozuese propozojnë një anëtar të ri, sipas procedurave të sipërpërmendura.  


10. Bordi i AKU-së mblidhet të paktën 1 herë në 3 muaj, dhe, në raste të veçanta, me kërkesë të drejtorit të përgjithshëm të AKU-së.  


11. Anëtarët e bordit shpërblehen në masën 5000 (pesë mijë) lekë për çdo mbledhje, ku marrin pjesë. Shpërblimi për anëtarët e bordit përballohet nga buxheti i AKU-së.  


12. Bordi i AKU-së organizohet dhe funksionon sipas dispozitave të ligjit nr.8480, datë 27.5.1999 “Për organizimin dhe funksionimin e organeve kolegjiale të administratës publike”.  


III. EMËRIMI, SHKARKIMI DHE KOMPETENCAT E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM  


1. Drejtori i përgjithshëm i AKU-së emërohet, lirohet ose shkarkohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, sipas procedurave të parashikuara në vendimin nr.173, datë 7.3.2003 të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose të ministrit”.  


2. Drejtor i përgjithshëm zgjidhet shtetasi shqiptar, që plotëson kriteret e mëposhtme:


a) Të ketë arsimin e lartë në drejtësi, ekonomi ose shkenca teknike, që lidhen me fushat, ku gjen zbatim ligji i ushqimit.  


b) Të ketë përvojë pune në administratën shtetërore, të paktën 5 vjet.  


c) Të shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale.  


ç) Të mos jetë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore.  


d) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor, të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale.  


3. Drejtori i përgjithshëm i AKU-së është përgjegjës për veprimtarinë e këtij autoriteti dhe, përveç sa parashikohet në ligj, ka këto kompetenca:  


a) I raporton bordit dhe Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për veprimtarinë e AKU-së;  


b) I propozon bordit objektivat strategjikë, planin e punës dhe buxhetin afatshkurtër dhe afatmesëm të AKU-së;  


c) Drejton procesin e planifikimit buxhetor dhe të raportit vjetor të punës, të cilat ia paraqet për vlerësim bordit;  


ç) Përcakton objektivat e përgjithshëm të AKU-së, në përputhje me objektivat strategjikë, të miratuara nga bordi, dhe harton planin vjetor të punës së këtij autoriteti;  


d) I propozon bordit rregulloren e brendshme të AKU-së dhe ndryshimet në të;  


dh) Administron burimet pasurore, financiare dhe njerëzore të AKU-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi;


e) Përgatit kërkesat e veçanta të vendit të punës për rekrutimin e punonjësve të AKU-së, të cilat ia paraqet për miratim bordit;  


ë) Merret me trajnimin e punonjësve të AKU-së;


 f) Autorizon shpërndarjen e informacionit për publikun.  


4. Drejtori i përgjithshëm i AKU-së, për realizimin e kompetencave të mësipërme, ka këto të drejta dhe detyra:


a) Nxjerr akte të brendshme, të detyrueshme për menaxhimin administrativ, financiar dhe të burimeve njerëzore të institucionit;  


b) Nxjerr akte të detyrueshme për punonjësit e AKU-së për realizimin e funksioneve të institucionit;  


c) Nxjerr akte të brendshme individuale, për rregullimin e marrëdhënieve të punës së punonjësve dhe të punonjësve të AKU-së;


 ç) Nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet e tjera publike shqiptare apo të huaja, pas miratimit paraprak të bordit;  


d) Kërkon thirrjen e mbledhjeve të bordit sipas pikës 10 të kreut II të këtij vendimi, dhe merr pjesë në to;  


dh) Autorizon me shkrim një nga drejtorët për ta zëvendësuar për problemet administrative, në rast të mungesës së tij;  


e) Shqyrton ankimet ndaj vendimeve të inspektorëve të kontrollit zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së bimëve, për të cilat kthen përgjigje brenda afateve të parashikuara në legjislacionin përkatës në fuqi.  


IV. MARRËDHËNIET E PUNËS TË PUNONJËSVE TË AKU-SË  


1. Struktura dhe organika e AKU-së në qendër dhe në qark miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.  


2. Rekrutimi i punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme dhe të drejtorive rajonale të AKU-së bëhet sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.  


3. Marrëdheniet e punës të punonjësve të AKU-së rregullohen sipas ligjit nr.7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”.


 V. STEMA DHE VULA ZYRTARE E AKU-SË  


1. AKU-ja identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.


2. Stema e AKU-së përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet:“Republika e Shqipërisë, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit”.


 3. Vulat e AKU-së kanë formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2 të vendimit nr.390, datë 6.8.1993 të Këshillit të Ministrave “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e Drejtorisë së Përgjithshme përmban shënimin identifikues “Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme”, ndërsa vulat e drejtorive rajonale përmbajnë shënimin identifikues: “Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, drejtoria rajonale e qarkut: (emri përkatës i qarkut)”.  


VI. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT  


1. Organizimi i AKU-së, deri në funksionimin e plotë të tij, të kryhet me faza. Procesi i organizimit fillon me emërimin e drejtorit të përgjithshëm.  


2. Faza e parë përfshin një periudhë katërmujore, gjatë së cilës kryhet emërimi i drejtorit të përgjithshëm dhe bordit, si dhe rekrutimi i punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së. Gjithashtu, në këtë fazë përgatitet plani i veprimit dhe krijimi i kushteve për ngritjen dhe funksionimin e drejtorive rajonale të AKU-së.  


3. Faza e dytë përfshin periudhën nga muaji i pestë deri në muajin e dymbëdhjetë, gjatë së cilës emërohen drejtorët e drejtorive rajonale të AKU-së, rekrutohen punonjësit e tyre, si dhe sigurohen mjediset e nevojshme të punës. Deri në përfundim të kësaj faze, të gjitha drejtoritë rajonale përgatiten për fillimin e veprimtarisë së tyre në fushën e kontrollit të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.  


4. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit,  nëpërmjet strukturave përkatëse, krahas detyrave të saj të përhershme  për përgatitjen e legjislacionit, hartimin e politikave dhe menaxhimin e  riskut, do të vazhdojë të ushtrojë, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Brendshme, të gjitha funksionet në fushën e sigurisë ushqimore, përfshirë edhe inspektimet, deri në plotësimin e masave të parashikuara për fazën e parë dhe të dytë.  


5. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me urdhër, njofton fillimin e veprimtarisë së AKU-së, në nivel qendror dhe rajonal, në fushën e kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë. Pas këtij njoftimi, funksionet në fushën e kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, të kryera nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të Ministrisë së Brendshme (bashki dhe komuna), i transferohen AKU-së.  


6. Faza e tretë përfshin një periudhë njëvjeçare nga muaji i trembëdhjetë deri në muajin e njëzet e katërt. Gjatë kësaj faze ndërmerren të gjitha veprimet përgatitore dhe kryhet transferimi i funksioneve në fushën e kontrollit të shëndetit të kafshëve dhe të mbrojtjes së bimëve, nga strukturat ekzistuese të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, tek AKU-ja.  


7. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, nëpërmjet strukturave përkatëse, krahas detyrave të saj të përhershme për përgatitjen e legjislacionit, hartimin e politikave dhe menaxhimin e riskut, do të vazhdojë të ushtrojë të gjitha funksionet në fushën e kontrollit të shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së bimëve, deri në plotësimin e masave të parashikuara për fazën e tretë.  


8. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me urdhër, njofton fillimin e veprimtarisë së AKU-së në nivel qendror dhe rajonal, në fushën e kontrollit të shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së bimëve. Pas këtij njoftimi, funksionet në fushën e kontrollit të shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së bimeve, të kryera nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, i transferohen AKU-së.  


9. Të gjitha mjediset, pajisjet dhe pajisjet laboratorike në drejtoritë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatonit, të cilat përdoren nga Inspektorati i Sigurisë Ushqimore, i Mbrojtjes së Bimëve dhe i Mbrojtjes së Shëndetit të Kafshëve transferohen në administrim të AKU-së, në përputhje me fazat e mësipërme.


10. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe AKU-ja për zbatimin e këtij vendimi.


Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.  


 


KRYEMINISTRI


Sali Berisha




Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0
 2.186 910210054





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


acdurres

spitaliamerikan