marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN “PËR NJOHJEN DHE ZBATIMIN E VENDIMEVE TË HUAJA NË FUSHËN CIVILE DHE TREGTARE”
Tipi i Aktit: Ligj
Numri i Aktit: 10194
Statusi i Aktit: Ne fuqi
Data e Aktit: 10.12.2009
Data e aprovimit te Aktit: 30.12.2009
Numri i neneve: 33
Numri i fletores zyrtare: 184
Data e fletores zyrtare: 30.12.2009
Aktiviteti: Aderim
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
Pershkrimi i Aktit: Republika e Shqipërisë aderon në konventën “Për njohjen dhe zbatimin e vendimeve të huaja në fushën civile dhe tregtare”, bërë në Hagë më 1 shkurt 1971 dhe që ka hyrë në fuqi më 20 gusht 1979, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

LIGJ


Nr.10 194, datë 10.12.2009


 


PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN


“PËR NJOHJEN DHE ZBATIMIN E VENDIMEVE TË HUAJA


NË FUSHËN CIVILE DHE TREGTARE”


 


Në mbështetje të neneve  78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,   


 


KUVENDI


I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË


 


VENDOSI:


 


Neni 1


 


Republika e Shqipërisë aderon në konventën “Për njohjen dhe zbatimin e vendimeve të huaja në fushën civile dhe tregtare”, bërë në Hagë më 1 shkurt 1971 dhe që ka hyrë në fuqi më 20 gusht 1979, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.


 


Neni 2


 


Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


 


Shpallur me dekretin nr.6364, datë 29.12.2009 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi


 


 


KONVENTA


PËR NJOHJEN DHE ZBATIMIN E VENDIMEVE TË HUAJA


NË FUSHËN CIVILE DHE TREGTARE


(përfunduar më 1 shkurt 1971


& hyrë në fuqi më 20 gusht 1979)


 


Shtetet palë në këtë Konventë,


duke dëshiruar të krijojnë dispozita të përbashkëta, në lidhje me njohjen dhe zbatimin e ndërsjellë të vendimeve gjyqësore të dhëna në vendet e tyre respektive,


vendosën të përfundojnë këtë Konventë dhe të merren vesh përsa u përket dispozitave të mëposhtme:


 


KAPITULLI I


FUSHA E VEPRIMIT TE KONVENTËS


 


Neni 1


 


Kjo Konventë do të zbatohet për vendimet e dhëna në çështjet civile ose tregtare nga gjykatat e shteteve kontraktuese.


Ajo nuk do të zbatohet për vendimet, objekti kryesor i të cilave është të vendosin:


1. Statusin ose kapacitetin e personave apo çështjeve të së drejtës familjare, duke përfshirë të drejtat personale ose financiare dhe detyrimet midis prindërve dhe fëmijëve apo midis bashkëshortëve;


2. Ekzistencën ose përbërjen e personave juridikë apo kompetencave të punonjësve të tyre;


3. Detyrimet e pensionit ushqimor, për sa kohë që nuk janë përfshirë në nënparagrafin (1) të këtij neni;


4. Çështje të trashëgimisë;


5. Çështje të falimentimit, marrëveshjeve ose procedimeve të ngjashme, duke përfshirë vendime që mund të rrjedhin nga kjo dhe që kanë lidhje me vlefshmërinë e akteve të debitorit;


6. Çështje të sigurimit shoqëror;


7. Çështje që kanë lidhje me dëmin në çështje familjare.


Kjo Konventë nuk zbatohet për vendimet në lidhje me pagesën e ndonjë takse doganore, tatimi ose gjobe.


 


Neni 2


 


Kjo Konventë do të zbatohet për të gjitha vendimet e dhëna nga gjykatat e një shteti kontraktues, pavarësisht nga emërtimi i dhënë nga ai shtet procedimeve që mundësuan vendimin ose të emërtimit të dhënë vetë vendimit si vendim gjyqësor, urdhër ose urdhër ekzekutimi.


Megjithatë, ajo nuk do të zbatohet as për vendimet që urdhërojnë masa të përkohshme ose mbrojtëse dhe as për vendimet e dhëna nga gjykatat administrative.


 


Neni 3


 


Kjo Konventë do të zbatohet pavarësisht nga kombësia e palëve.


 


KAPITULLI II


KUSHTET E NJOHJES DHE ZBATIMIT


 


Neni 4


 


Një vendim i dhënë në një prej shteteve kontraktuese do të ketë të drejtën e njohjes dhe zbatimit në një shtet tjetër kontraktues sipas kushteve të kësaj Konvente:


 1. Nëse vendimi është dhënë nga një gjykatë që cilësohet të ketë juridiksion brenda kuptimit të kësaj Konvente, dhe


 2. Nëse nuk është më objekt i formave të zakonshme të rishikimit në shtetin e origjinës.


 


Neni 5


 


Megjithatë, njohja ose zbatimi i një vendimi mund të refuzohet në ndonjë prej rasteve të mëposhtme:


1. Nëse njohja ose zbatimi i vendimit është në mospërputhje të hapur me politikën publike të shtetit dërgues ose nëse vendimi ka dalë nga procedime në mospërputhje me kërkesat e procesit të përshtatshëm ligjor ose nëse, në rrethana të caktuara, asnjë palë nuk ka pasur mundësi të mjaftueshme për të paraqitur çështjen e saj;


2. Nëse vendimi është  marrë me anë të mashtrimit në kuptimin procedural;


3. Nëse procedimet midis palëve të njëjta, bazuar në të njëjtat fakte dhe duke pasur të njëjtin qëllim:


a) janë duke u shqyrtuar para një gjykate të shtetit dërgues dhe ato procedime kanë qenë të parat për t’u ndërmarrë, ose


b) kanë dalë në një vendim nga një gjykatë e shtetit dërgues, ose


c) kanë dalë në një vendim nga një gjykatë e një shteti tjetër, i cili do të kishte të drejtën e njohjes dhe zbatimit sipas ligjit të shtetit dërgues.


 


Neni 6


 


Pa cenuar dispozitat e nenit 5, një vendim i dhënë në mungesë nuk do të njihet apo zbatohet për sa kohë që pala në mungesë të ketë marrë njoftim për fillimin e procedimeve në përputhje me ligjin e shtetit të origjinës në kohë të mjaftueshme për t’i mundësuar atij mbrojtjen e procedimeve.


 


Neni 7


 


Njohja ose zbatimi mund të mos refuzohet për arsyen e vetme se gjykata e shtetit të origjinës ka zbatuar një ligj të ndryshëm nga ai që do të kishte qenë i zbatueshëm sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare private të shtetit dërgues.


Megjithatë, njohja ose zbatimi mund të refuzohet nëse, për të arritur vendimin e saj, gjykata e shtetit të origjinës duhet të vendoste një çështje që kishte lidhje me statusin ose kapacitetin e një pale ose të drejtat e tij në çështje të tjera të përjashtuara nga kjo Konventë nga nënparagrafët (1)-(4) të paragrafit të dytë të nenit 1 dhe ka arritur një rezultat të ndryshëm nga ai që do të ishte ndjekur nga zbatimi i asaj çështjeje të rregullave të së drejtës ndërkombëtare private të shtetit dërgues.


 


Neni 8


 


Pa cenuar këtë rishikim siç kërkohet nga kushtet e neneve paraardhëse, nuk do të ketë rishikim të themelit të vendimit të dhënë nga gjykata e origjinës.


 


Neni 9


 


Në çështjet që kanë lidhje me juridiksionin e gjykatës së shtetit të origjinës, autoriteti dërgues do të jetë i detyruar nga rezultatet e arsyetimit nga provat mbi të cilat ajo gjykatë ka bazuar juridiksionin e saj, për sa kohë që vendimi është dhënë në mungesë.


 


Neni 10


 


Gjykata e shtetit të origjinës do të cilësohet të ketë juridiksion për qëllime të kësaj Konvente:


1. Nëse i pandehuri, në kohën kur kanë filluar procedimet, kishte banesën e tij të përhershme në shtetin e origjinës ose, nëse i pandehuri nuk është person fizik, kishte pasur rezidencën e tij, vendin e tij të korporatës ose vendin e tij kryesor të biznesit në atë shtet;


 2. Nëse i pandehuri, në kohën kur kanë filluar procedimet, kishte në shtetin e origjinës një firmë tregtare, industriale ose ndonjë biznes tjetër apo një zyrë lokale dhe ishte thirrur aty në procedimet që kanë lindur nga biznesi i kryer nga kjo firmë ose zyrë lokale;


3. Nëse padia  kishte si objekt të saj vendosjen e një çështjeje në lidhje me pasurinë e paluajtshme të ndodhur në shtetin e origjinës;


4. Në rastin e dëmeve ndaj personit ose ndaj pasurisë së luajtshme, nëse faktet që shkaktuan dëmin kanë ndodhur në territorin e shtetit të origjinës dhe nëse autori i dëmit të shkaktuar ishte i pranishëm në atë territor në kohën kur kanë ndodhur ato fakte;


5.  Nëse me anë të një marrëveshjeje me shkrim ose me anë të një marrëveshjeje verbale të konfirmuar me shkrim brenda një kohe të arsyeshme, palët kanë rënë dakord për t’i paraqitur juridiksionit të gjykatës së origjinës mosmarrëveshjet që kanë lindur ose që mund të lindin në lidhje me një marrëdhënie specifike të ligjshme, për sa kohë që ligji i shtetit të adresuar nuk do të lejonte këtë marrëveshje për shkak të thelbit të mosmarrëveshjes;


 6. Megjithatë, nëse i pandehuri ka argumentuar themelin, pa sfiduar juridiksionin e gjykatës ose duke bërë rezerva në lidhje me të; ky juridiksion nuk do të njihet nëse i pandehuri ka argumentuar themelin me qëllim që të rezistojë ndaj konfiskimit të pasurisë ose të sigurojë lirimin e tij apo nëse njohja e këtij juridiksioni do të ishte në kundërshtim me ligjin e shtetit dërgues për shkak të thelbit të mosmarrëveshjes;


7. Nëse personi kundër të cilit kërkohet njohja ose zbatimi, ishte palë paditëse në procedimet në gjykatën e origjinës dhe nuk kishte sukses në ato procedime, përveçse kur njohja e këtij juridiksioni do të ishte në kundërshtim me ligjin e shtetit të adresuar për shkak  thelbit të mosmarrëveshjes.


 


Neni 11


 


Gjykata e shtetit të origjinës do të cilësohet të ketë juridiksion për qëllime të kësaj Konvente për të gjykuar një kundërpadi:


 1. Nëse ajo gjykatë do të kishte pasur juridiksion për të gjykuar padinë, si një padi kryesore sipas nënparagrafëve (1)-(6) të nenit 10 ose


2. Nëse ajo gjykatë ka pasur juridiksion sipas nenit 10 për të gjykuar padinë kryesore dhe nëse kundërpadia ka lindur jashtë kontratës ose jashtë provave mbi të cilat ishte bazuar padia kryesore.


 


Neni 12


 


Juridiksioni i gjykatës së shtetit të origjinës nuk ka nevojë të njihet nga autoriteti dërgues në rastet e mëposhtme:


 1. Nëse ligji i shtetit dërgues u jep gjykatave të tij juridiksion të posaçëm, për shkak të lëndës së padisë ose në bazë të një marrëveshjeje midis palëve për vendosjen e padisë që ka mundësuar vendimin e huaj;


 2. Nëse ligji i shtetit dërgues njeh një juridiksion të posaçëm të ndryshëm për shkak të lëndës së padisë ose nëse autoriteti dërgues  e konsideron veten të detyruar sipas ligjit ta njohë këtë juridiksion të posaçëm për shkak të një marrëveshjeje midis palëve;


 3. Nëse autoriteti dërgues e konsideron veten të detyruar, sipas ligjit të njohë një marrëveshje me anë të së cilës u jepet juridiksion i posaçëm gjyqtarëve të arbitrazhit.


 


KAPITULLI III


PROCEDURAT E NJOHJES DHE ZBATIMIT


 


Neni 13


 


Pala që kërkon njohje ose aplikim për zbatim do të sigurojë:


1. një kopje të plotë dhe origjinale të vendimit;


2. nëse vendimi është dhënë në mungesë, kopjet origjinale ose të njehsuara me origjinalin të dokumenteve të kërkuara, për të vërtetuar se thirrja gjyqësore i është dhënë palës në mungesë ashtu siç duhet;


3. gjitha dokumentet e kërkuara për të vërtetuar që vendimi përmbush kushtet e nënparagrafit (2) të paragrafit të parë të nenit 4 dhe sipas nevojës, të paragrafit të dytë të nenit 4;


4. për sa kohë që autoriteti dërgues nuk kërkon ndryshe, përkthimet e dokumenteve të referuara më sipër, të certifikuara si të sakta nga një agjent diplomatik ose konsullor ose nga një përkthyes i licencuar apo nga ndonjë person tjetër i autorizuar për këtë në secilin shtet.


Nëse kushtet e vendimit nuk e lejojnë autoritetin dërgues të verifikojë nëse kushtet e kësaj Konvente janë përmbushur, ai  autoritet mund të kërkojë riprodhimin e çdo dokumenti tjetër të nevojshëm.


Nuk mund të kërkohet asnjë legalizim apo ndonjë formalitet tjetër i ngjashëm.


 


Neni 14


 


Procedura për njohjen ose zbatimin e vendimeve të huaja udhëhiqet nga ligji i shtetit dërgues, përveç rasteve kur kjo Konventë nuk parashikon ndryshe.


 


Nëse vendimi përmban dispozita që mund të ndahen, ndonjëra ose më shumë prej tyre mund të njihen apo zbatohen të ndara nga njëra-tjetra.


 


Neni 15


 


Njohja ose zbatimi i një vendimi arbitrazhi në lidhje me kostot ose shpenzimet gjyqësore mund të jepet në bazë të kësaj Konvente, vetëm nëse kjo Konventë është e zbatueshme për vendimin në themel.


Kjo Konventë do të zbatohet për vendime që kanë lidhje me kostot ose shpenzimet gjyqësore, edhe nëse këto vendime nuk procedohen nga një gjykatë, me kusht që ato të rrjedhin nga një vendim që mund të njihet ose zbatohet sipas kësaj Konvente dhe se vendimi në lidhje me kostot ose shpenzimet mund të kishte qenë objekt i rishikimit gjyqësor.


 


Neni 16


 


Një vendim për kostot ose shpenzimet, i dhënë në lidhje me dhënien ose refuzimin e njohjes ose zbatimit të një vendimi, mund të zbatohet sipas kësaj Konvente, vetëm nëse aplikanti në procedimet për njohje ose zbatim është mbështetur në këtë Konventë.


 


Neni 17


 


Megjithatë, asnjë siguracion, obligacion ose depozitë të emërtuara sipas ligjit të shtetit dërgues, nuk do të kërkohet në bazë të kombësisë ose vendbanimit të aplikantit për të garantuar pagesën e kostove ose shpenzimeve gjyqësore nëse aplikanti, duke qenë një person fizik, ka banesën e tij të përhershme në të ose duke mos qenë person fizik ka një qendër biznesi në një shtet, i cili ka lidhur një marrëveshje shtesë me shtetin dërgues, në përputhje me nenin 21.


 


Neni 18


 


Një pale që i është dhënë ndihmë ligjore në shtetin e origjinës do t’i jepet kjo ndihmë në përputhje me ligjin e shtetit dërgues në çdo procedim për njohje ose për zbatimin e një vendimi të huaj.


 


Neni 19


 


Marrëveshjet e bëra në gjykatë gjatë një procedimi në shqyrtim që mund të jetë zbatuar në shtetin e origjinës, do të jetë i zbatueshëm në shtetin dërgues sipas të njëjtave kushte si vendimet që hyjnë brenda fushës së veprimit të kësaj Konvente, për sa kohë që ato kushte zbatohen për marrëveshjet.


 


KAPITULLI IV


PADI TË NJëKOHSHME


 


Neni 20


 


Nëse dy shtete kanë lidhur një marrëveshje shtesë sipas nenit 21, autoritetet gjyqësore të secilit shtet mund të refuzojnë një padi të paraqitur para tyre ose mund ta shtyjnë këtë padi, kur procedime të tjera midis të njëjtave palë, bazuar në të njëjtat fakte dhe duke pasur të njëjtin qëllim, janë duke u shqyrtuar në një gjykatë të një shteti tjetër dhe këto procedime mund të rezultojnë në një vendim,  të cilin autoritetet e shtetit në të cilin është paraqitur padia e përmendur për herë të parë,  do ta njihnin sipas ligjit, në përputhje me kushtet e kësaj Konvente.


Megjithatë, autoritetet e këtyre shteteve mund të urdhërojnë masa të përkohshme ose mbrojtëse, pavarësisht procedimeve në një vend tjetër.


KAPITULLI V


MARRëVESHJE PLOTëSUESE


 


Neni 21


 


Vendimet e dhëna në një shtet kontraktues nuk do të njihen ose zbatohen në një shtet tjetër kontraktues në përputhje me dispozitat e neneve paraardhëse, përveç rasteve kur të dy shtetet, duke qenë palë në këtë Konventë, kanë lidhur një marrëveshje plotësuese për këtë qëllim.


 


Neni 22


 


Kjo Konventë nuk do të zbatohet për vendimet e dhëna para hyrjes në fuqi të marrëveshjes plotësuese të parashikuar në nenin 21, përveçse kur marrëveshja parashikon ndryshe.


Marrëveshja plotësuese do të vazhdojë të jetë e zbatueshme për vendime në lidhje me të cilat kanë filluar procedimet e njohjes ose zbatimit, para se një denoncim i asaj Marrëveshjeje të hyjë në fuqi.


 


Neni 23


 


Në marrëveshjet plotësuese të referuara në nenin 21, shtetet kontraktuese mund të bien dakord:


1. për të qartësuar kuptimin e shprehjes “çështje civile dhe tregtare”, për të vendosur gjykatat, vendimet e të cilave do të njihen dhe zbatohen sipas kësaj Konvente, për të përcaktuar shprehjen “sigurime shoqërore” dhe për të përcaktuar shprehjen “vendbanim i përhershëm”;


 2. për të qartësuar kuptimin e termit “ligj” në shtetet me më shumë se një sistem ligjor;


 3. për të përfshirë brenda fushës së veprimit të kësaj Konvente  probleme që kanë lidhje me dëmin në çështje familjare;


4. për ta zbatuar këtë Konventë për vendimet që urdhërojnë masa të përkohshme ose mbrojtëse;


5. për të mos zbatuar këtë Konventë për vendime të dhëna gjatë procedimeve penale;


6. për të specifikuar rastet sipas të cilave një vendim nuk është më objekt i formave të zakonshme të rishikimit;


7.për të njohur dhe zbatuar vendimet për të cilat do të sigurohej zbatimi në shtetin e origjinës edhe nëse këto vendime janë ende objekt i formave të zakonshme të rishikimit dhe në këtë rast, për të përcaktuar kushtet, sipas të cilave është e mundur një shtyrje e procedimeve për njohje ose zbatim;


8. për të mos zbatuar nenin 6, nëse vendimi i dhënë në mungesë i është njoftuar palës në mungesë dhe kjo e fundit ka pasur mundësinë të bënte një apel në kohë kundër këtij vendimi;


8 bis që autoriteti dërgues nuk do të jetë i detyruar nga rezultatet e arsyetimit, nga provat mbi të cilat gjykata e shtetit të origjinës ka bazuar juridiksionin e saj;


9. për të konsideruar gjykatat e shtetit në të cilin i pandehuri ka pasur “vendbanimin” e tij me juridiksion në përputhje me nenin 10:


10. se gjykata e origjinës do të konsiderohet të kishte juridiksion sipas kushteve të kësaj Konvente, në rastet kur juridiksioni i saj është pranuar nga një Konventë tjetër në fuqi midis shtetit të origjinës dhe shtetit dërgues nëse Konventa tjetër nuk përmban rregulla specifike në lidhje me njohjen ose zbatimin e  vendimeve të huaja;


11. se gjykata e origjinës do të konsiderohet të kishte juridiksion sipas kushteve të kësaj Konvente ose kur juridiksioni i saj është pranuar nga ligji i shtetit dërgues në lidhje me njohjen ose zbatimin e  vendimeve të huaja ose për arsye të tjera, përveç atyre të parashtruara në nenin 10;


12. për të përcaktuar, për qëllime të zbatimit të nenit 12, bazat e juridiksionit të cilat janë të posaçme për shkak  të lëndës së padisë;


13. për të përjashtuar, në rastet kur juridiksioni është bazuar në një marrëveshje midis palëve, zbatimin e  nënparagrafit (1) të nenit 12, si dhe për të përjashtuar atë të nënparagrafit (3) të nenit 12;


14. për të rregulluar procedurën për sigurimin e njohjes ose zbatimit;


15. për të rregulluar zbatimin e vendimeve të tjera nga ato që urdhërojnë pagesën e një shume parash;


16. se zbatimi i një vendimi të huaj mund të refuzohet kur ka kaluar një periudhë e specifikuar nga data e saj;


17. për të fiksuar përqindjen e interesit të pagueshëm nga data e vendimit në shtetin e origjinës;


18. për të adaptuar në kërkesat e sistemeve të tyre ligjore listën e dokumenteve të kërkuara nga neni 13, por me objektin e vetëm për t’i mundësuar autoritetit dërgues të verifikojë nëse janë përmbushur kushtet e kësaj Konvente;


19. për të paraqitur dokumentet e referuara në nenin 13 për legalizim ose për një formalitet të ngjashëm;


20. për të devijuar nga dispozitat e nenit 17 dhe për të devijuar nga dispozitat e nenit 18;


21. për t’i bërë të detyrueshme dispozitat e paragrafit të parë të nenit 20;


22. për të përfshirë brenda fushës së veprimit të kësaj Konvente “actes authentiques”, duke përfshirë dokumente në lidhje me të cilat mund të sigurohet zbatimi i menjëhershëm dhe për t’i specifikuar ato dokumente.


 


KAPITULLI VI


DISPOZITA Të FUNDIT


 


Neni 24


 


Kjo Konventë nuk do të cenojë konventat e tjera që kanë lidhje me njohjen dhe zbatimin e vendimeve në të cilat shtetet kontraktuese janë tashmë palë, për sa kohë që ato shtete nuk kanë lidhur një marrëveshje plotësuese sipas kushteve të nenit 21.


Për sa kohë që nuk është rënë dakord ndryshe, dispozitat e një marrëveshjeje plotësuese të lidhura sipas nenit 21 do të dominojnë mbi kushtet e ndonjë konvente të mëparshme në fuqi midis palëve, të cilat kanë të bëjnë me njohjen dhe zbatimin e vendimeve në shkallën që kushtet e tyre të jenë reciprokisht të mospërputhshme.


 


Neni 25


 


Me ose pa lidhjen e një marrëveshjeje plotësuese sipas nenit 21, shtetet kontraktuese nuk do të lidhin konventa të tjera midis tyre mbi njohjen dhe zbatimin e vendimeve brenda fushës së veprimit të kësaj Konvente, për sa kohë që ato nuk e çmojnë të nevojshme, në veçanti, për shkak të lidhjeve ekonomike ose për aspekte specifike të sistemeve të tyre ligjore.


 


Neni  26


 


Pavarësisht nga dispozitat e neneve 24 dhe 25, kjo Konventë dhe  marrëveshjet plotësuese të lidhura në përputhje me nenin 21 nuk do të kenë përparësi mbi konventat e tjera në të cilat shtetet kontraktuese janë ose mund të bëhen  palë në fusha të veçanta dhe të cilat përmbajnë dispozita për njohjen dhe zbatimin e vendimeve.


 


Neni  27


 


Kjo Konventë është e hapur për t’u firmosur nga shtetet anëtare të përfaqësuara gjatë sesionit të dhjetë të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private, si dhe për Qipron, Islandën dhe Maltën.


Kjo Konventë do të ratifikohet dhe instrumentet e ratifikimit do të depozitohen në Ministrinë e Punëvë të Jashtme të Vendeve të Ulëta.


 


Neni 28


 


Kjo Konventë do të hyjë në fuqi në ditën e gjashtëdhjetë pas depozitimit të instrumentit të dytë të ratifikimit.


Konventa do të hyjë në fuqi për çdo shtet palë që e ratifikon në një datë të mëvonshme, në ditën e gjashtëdhjetë pas depozitimit të instrumentit përkatës të ratifikimit.


 


Neni 29


 


Çdo shtet që nuk përfshihet në dispozitat e paragrafit të parë të nenit 27 mund të aderojë në këtë Konventë pas hyrjes në fuqi të kësaj Konvente, në përputhje me nenin 28, paragrafi i parë. Instrumenti i aderimit do të depozitohet pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta.


Konventa do të hyjë në fuqi për këtë shtet, nëse asnjë nga shtetet, të cilat e kanë ratifikuar atë përpara depozitimit të instrumentit të aderimit, nuk paraqesin ndonjë kundërshtim pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta në lidhje me këtë aderim brenda gjashtë muajve nga data e njoftimit të tyre prej kësaj ministrie për këtë aderim. 


Në mungesë të një kundërshtimi të tillë, Konventa do të hyjë në fuqi për këtë shtet aderues në ditën e parë të muajit që pason mbarimin e periudhës më të fundit të përmendur në paragrafin e mësipërm.


 


Neni 30


 


Në momentin e nënshkrimit, ratifikimit ose aderimit, çdo shtet mund të deklarojë shtrirjen e efekteve të kësaj Konvente, në të gjithë territorin që ai përfaqëson në nivel ndërkombëtar, apo në një ose disa prej tyre. Kjo deklaratë do të hyjë në fuqi në momentin e hyrjes në fuqi të Konventës në atë shtet.


Në vazhdimësi, për çdo shtrirje të kësaj natyre do të njoftohet Ministria e Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta.


Konventa do të hyjë në fuqi për territoret e përmendura në këtë zgjerim në ditën e gjashtëdhjetë pas njoftimit   përmendur në paragrafin e mësipërm.


Palët në një marrëveshje plotësuese të lidhur në përputhje me nenin 21 do të vendosin vetë për zbatimin territorial të saj.


 


Neni  31


 


Kjo Konventë do të mbetet në fuqi për një periudhë 5-vjeçare nga dita e hyrjes në fuqi në përputhje me nenin 28, paragrafi i parë edhe  përsa u përket shteteve që e kanë ratifikuar ose kanë aderuar në të në një datë të mëvonshme.


Në rast se nuk ka pasur asnjë denoncim, Konventa do të rinovohet  mënyrë të heshtur çdo pesë vjet 


Çdo denoncim do të njoftohet të paktën  6 muaj përpara  mbarimit të periudhës pesëvjeçare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta. 


Denoncimi mund të jetë i kufizuar për një territor ose territore të caktuara në të cilat zbatohet Konventa.


Denoncimi do të ketë efekt vetëm përsa i përket shtetit i cili e ka bërë atë. Konventa do të qëndrojë në fuqi për shtetet e tjera palë.


 


Neni 32


 


Çdo marrëveshje plotësuese e lidhur në përputhje me nenin 21 do të fillojë të ketë  pasoja nga data e përcaktuar në këtë Marrëveshje; një përkthim ose një kopje në gjuhën angleze ose frënge të kësaj marrëveshjeje plotësuese do t’i komunikohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Vendeve te Ulëta.


Çdo shtet kontraktues, pa denoncuar Konventën, mundet të denoncojë një marrëveshje plotësuese ose në përputhje me një dispozitë për këtë gjë në vetë atë marrëveshje ose, nëse kjo marrëveshje nuk e parashikon një gjë të tillë, duke i dërguar një njoftim me shkrim  shtetit tjetër për një periudhë gjashtëmujore. Çdo shtet kontraktues që denoncon një marrëveshje plotësuese do t’ia komunikojë këtë edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta.


Pavarësisht nga denoncimi i kësaj Konvente, ai do të vazhdojë të ketë pasoja ndërmjet shtetit denoncues dhe çdo shteti tjetër me të cilin kjo e fundit ka lidhur një marrëveshje plotësuese në përputhje me nenin 21, për sa kohë që kjo Marrëveshje nuk parashikon të kundërtën.


 


Neni 33


 


Ministria e Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta u njofton shteteve palë të përmenduara në nenin 27, si dhe shteteve që kanë aderuar në përputhje me nenin 29, sa më poshtë:


a) çdo nënshkrim dhe ratifikim të përmendur në nenin 27;


b) datën në të cilën kjo Konventë hyn në fuqi në përputhje me nenin 28, paragrafi i parë;


c) çdo aderim të përmendur në nenin 29 dhe datën në të cilën hyn në fuqi;


d) çdo zgjerim të parashikuar në nenin 30 dhe datën në të cilën hyn në fuqi;


e) një përkthim ose një kopje në gjuhën angleze ose frënge të marrëveshjeve plotësuese të lidhura në përputhje me nenin 21;


f) çdo denoncim të parashikuar në nenin 31, paragrafi i tretë dhe në nenin 32, paragrafi i dytë.


Në dëshmi të sa më sipër, nënshkruesit, të autorizuar posaçërisht nënshkruajnë këtë Konventë.


Bërë në Hagë, më 1 shkurt 1971 në dy gjuhë, anglisht dhe frëngjisht, të dy tekstet njësoj autentike të lidhura në një kopje të vetme, e cila depozitohet në arkivat e qeverisë së Vendeve të Ulëta, prej së cilës një kopje e vërtetuar i dërgohet nëpërmjet kanaleve diplomatike çdo shteti të përfaqësuar në sesionin e dhjetë të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private, si dhe Qipros, Islandës dhe Maltës.




Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: admin
Lexuar: ikub #:
 0
ZBATIMI
 768 912100029





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet



as