Tipi dhe numri i aktit  
Data e aktit Nga:    Deri:   
Numri i fletores zyrtare Nga:     Deri:    
 
   

✖Mbyll
Detajet e Aktit
Titulli: PËR MIRATIMIN E DISPOZITAVE NORMATIVE PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR
Tipi i Aktit: Urdhër
Numri i Aktit: 343
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 19.08.2013
Data e aprovimit te Aktit: 19.08.2013
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 158
Data e fletores zyrtare: 26.09.2013
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Ministri i Arsimit dhe Shkencës
Pershkrimi i Aktit: Miratimin e dispozitave normative për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij urdhri.
Tivari Studio
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

URDHËR
Nr. 343, datë 19.8.2013
PËR MIRATIMIN E DISPOZITAVE NORMATIVE PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR


Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të nenit 73 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”,


URDHËROJ:
1. Miratimin e dispozitave normative për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij urdhri.
2. Ngarkohet Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe njësitë arsimore vendore për zbatimin e këtij urdhri.


Ky urdhër hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I ARSIMIT DHE SHKENCËS
Myqerem Tafaj


DISPOZITAT NORMATIVE PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR TIRANË, 2013


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Objekti, baza ligjore dhe fusha e zbatimit të dispozitave normative
1. Objekti i dispozitave normative është përcaktimi i funksioneve dhe i detyrave të institucioneve arsimore dhe të punonjësve të tyre në sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë.
2. Dispozitat normative janë bazuar te Kushtetuta e Republikës të Shqipërisë, ligji nr. 69/2012, datë 21.6.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, vendimet e Këshillit të Ministrave, aktmarrëveshjet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me ministri të tjera dhe akteve nënligjore të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës (më tutje “ministri”).
3. Dispozitat normative zbatohen në institucionet arsimore në Republikën e Shqipërisë.
4. Veprimtaria e institucioneve arsimore është në përputhje me legjislacionin shqiptar.


Neni 2
Përkufizime
Në këto dispozita normative termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Arsimi bazë” përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët.
2. “Arsimi fillor” përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë.
3. “Arsimi i mesëm” përbëhet nga arsimi i mesëm i ulët dhe arsimi i mesëm i lartë.
4. “Arsimi i mesëm i ulët” përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë.
5. “Arsimi i mesëm i lartë” përfshin gjimnazin, arsimin profesional dhe arsimin e mesëm të lartë të orientuar.
6. “Arritje të nxënësve” do të thotë zotërimi i njohurive, formimi i aftësive, kultivimi i qëndrimeve dhe i vlerave të nxënësve nëpërmjet veprimtarive të institucioneve arsimore.
7. “Drejtues i institucionit arsimor” do të thotë drejtor ose nëndrejtor.
8. “Institucion arsimor” do të thotë kopsht ose shkollë.
9. “Nivele të arsimit parauniversitar” janë niveli parashkollor, fillor, i mesëm i ulët dhe i mesëm i lartë.
10. “Njësia bazë e qeverisjes vendore” do të thotë bashkia dhe komuna.
11. “Njësia vendore arsimore” do të thotë Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR) dhe Zyra Arsimore (ZA).
12. “Punonjësit arsimorë të institucioneve arsimore” janë drejtori, nëndrejtori, mësuesi, mësuesi ndihmës dhe instruktori.
13. “Shkolla të arsimit të orientuar” janë shkollat artistike, shkollat sportive, shkollat për gjuhët e huaja dhe shkollat për fusha të tjera të të nxënit.
14. “Titullari i DAR/ZA-së” është drejtori i DAR-it/përgjegjësi i ZA-së.
15. “Viti mësimor” është periudha nga data e fillimit të mësimeve deri në datën e përfundimit të provimeve të sesionit të parë.
16. “Viti shkollor” është periudha nga data e fillimit të mësimeve deri në datën e mbarimit të provimeve të sesionit të dytë (të vjeshtës).
17. “Zona e një gjimnazi” përbëhet nga shkollat e arsimit bazë, nxënësit e të cilave u takon të regjistrohen në atë gjimnaz.
18. “Zona e një kopshti/shkolle të arsimit bazë” është territori i banesave ku banojnë nxënësit, që gjenden më afër nga ky kopsht/kjo shkollë e arsimit bazë sesa nga kopshtet/shkollat e tjera të arsimit bazë.
Sqarime:
1. Kur në dispozitat normative është shkruar “DAR/ZA”, përgjegjësia e DAR-it është vetëm për institucionet arsimore në juridiksionin e saj, por pa përfshirë ZA-të përkatëse.
2. Kur në DN përmendet thjesht “institucion arsimor” është fjala për institucionet arsimore publike dhe ato private.
3. Detyrat e individëve, si: drejtori i institucionit arsimor, mësuesi dhe të organizmave, si: këshilli i mësuesve, bordi i institucionit arsimor, Drejtoria Arsimore Rajonale, përshkruhen: a) në kapituj të posaçëm të dispozitave normative dhe në nene të kapitujve të tjerë të saj; b) në dispozitat normative dhe në aktet nënligjore, aktmarrëveshjet dhe vendimet e Këshillit të Ministrave që citohen në dispozitat normative.
4. Dispozitat normative nuk përfshijnë pagesat, shpërblimet dhe ngarkesën mësimore të mësuesve.


Neni 3
Shkurtime
AKAFPK Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve
AKP Agjencia Kombëtare e Provimeve
DAR Drejtoria Arsimore Rajonale
DN Dispozitat Normative
ISHA Inspektorati Shtetëror i Arsimit
IZHA Instituti i Zhvillimeve Arsimore
LAPU Ligji për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë
MASH Ministria e Arsimit dhe Shkencës
OJF Organizatë Jofitimprurëse
VKM Vendim i Këshillit të Ministrave
ZA Zyra Arsimore

Neni 4
Himni dhe flamuri kombëtar
1. Himni kombëtar këndohet në institucionet arsimore në Republikën e Shqipërisë çdo të hënë, para fillimit të mësimit.
2. Flamuri Kombëtar i Republikës së Shqipërisë vendoset në çdo institucion arsimor.


KREU II
ARSIMI PARASHKOLLOR
Neni 5
Organizimi i kopshteve publike. Ndjekja e arsimit parashkollor. Procedurat e regjistrimit të fëmijës në kopshtin publik
1. Kopshtet: a) janë me ushqim ose pa ushqim; b) kanë grupin e parë, të dytë dhe të tretë (klasa përgatitore); c) funksionojnë gjatë gjithë vitit kalendarik.
2. Fëmija, që ditën e fillimit të vitit shkollor, mbush moshën 3, 4 ose 5 vjeç, ka të drejtë të regjistrohet përkatësisht në grupin e parë, të dytë, të tretë.
Fëmija regjistrohet në grupin që i përket moshës së tij.
3. Fëmija 6 vjeç ka të drejtë të qëndrojë në kopsht deri një ditë para fillimit të klasës së parë.
4. Grupi i tretë (klasa përgatitore) ngrihet në kopsht ose në shkolla të arsimit bazë.
5. Regjistrimi i fëmijëve në kopshtet publike nis në datën e fillimit të regjistrimit në shkollën e arsimit bazë.
6. Regjistrimi i fëmijës në kopsht bëhet me këto dokumente: a) certifikata e lindjes së fëmijës; b) vërtetimi i vaksinimeve nga qendra shëndetësore. Për kopshtet pa ushqim jepet adresa e fëmijës. Për kopshtet me ushqim jepen: adresa e fëmijës dhe vërtetimi i marrëdhënies së punës së njërit prind.
7. Raste të veçanta:
a) Kur prindi nuk ka certifikatën e lindjes së fëmijës, drejtoresha e kopshtit lejon që fëmija të ndjekë grupin, sipas moshës së pretenduar nga prindi dhe i cakton prindit, sipas rrethanave, një afat për paraqitjen e certifikatës.
b) Kur prindi nuk ka vërtetimin e vaksinimeve të fëmijës, drejtoresha e kopshtit i kërkon prindit t’i drejtohet qendrës përkatëse shëndetësore dhe pas marrjes së vërtetimit, e regjistron fëmijën.


Neni 6
Kurrikula
1. Kurrikula e kopshtit bazohet në këto dokumente: a) Standardet e përmbajtjes; b) Standardet e arritjeve; c) Programet e arsimit parashkollor për çdo grup.
2. Programet e miratuara nga ministri zbatohen në kopsht për periudhën e vitit mësimor. Gjatë verës, veprimtaria e kopshtit planifikohet nga mësueset dhe miratohet nga drejtoresha e kopshtit.
3. Mësuesja e kopshtit harton, në bashkëpunim me prindërit e fëmijëve, planin vjetor të veprimtarive të grupit, i cili miratohet nga drejtoresha e kopshtit.
4. Mësuesja e kopshtit vlerëson fëmijët një herë në tre muaj, sipas fushave të zhvillimit.
5. Mësueset e kopshtit bashkëpunojnë me prindërit, me qëllim që veprimtaritë që zhvillohen në kopsht dhe në shtëpi, të plotësojnë dhe të përforcojnë njëra-tjetrën.

KREU III
ASPEKTE TË ORGANIZIMIT TË KURRIKULËS PËRZGJEDHJA E TEKSTEVE SHKOLLORE


Neni 7
Kurrikula në institucionet arsimore
Mësuesit realizojnë procesin mësimor, drejtuesit, specialistët e njësive arsimore vendore dhe inspektorët ndihmojnë mësuesit të përmirësojnë këtë proces, mbi bazën e këtyre dokumenteve kryesore: a) ligji nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”; b) korniza kurrikulare; c) standardet e të nxënit; ç) programet lëndore; d) standardet e mësuesit; dh) udhëzimet e MASH-it; e) udhëzuesit e IZHA-së, ISHA-së dhe AKAFPK-së.


Neni 8
Ekipi kurrikular i shkollës. Marrja e vendimit për kurrikulën me zgjedhje të ofruar nga shkolla. Kurrikula me zgjedhje të lirë
1. Ekipi kurrikular i shkollës kryesohet nga drejtori i shkollës dhe përbëhet nga nëndrejtorët dhe kryetarët e ekipeve lëndore.
2. Ekipi kurrikular harton një listë paraprake të lëndëve me zgjedhje të detyruara që shkolla do t’u ofrojë nxënësve.
3. Ekipi kurrikular shqyrton dhe miraton projektet ndërlëndore/lëndore: a) në të cilat marrin pjesë dy a më shumë mësues; b) kërkojnë shpenzime.
4. Ekipi kurrikular përzgjedh projektet më të mira të një viti shkollor.
5. Vendimi për listën e lëndëve/moduleve me zgjedhje, që shkolla u ofron nxënësve, merret pas një takimi të zgjeruar të drejtorisë së shkollës me ekipin kurrikular, qeverinë e nxënësve, këshillin e prindërve dhe bordin e shkollës.
6. Kurrikula me zgjedhje të lirë hartohet mbi bazën e pëlqimeve të nxënësve.
7. Modulet me zgjedhje të lirë shqyrtohen nga ekipi kurrikular i shkollës dhe mund të realizohen vetëm pas miratimit me shkrim nga DAR/ZA-ja.
8. Në kurrikulën me zgjedhje të lirë, përfshihen edhe “përforcimi” për nxënësit me vështirësi të përkohshme në të nxënë, shërbimi komunitar dhe modulet profesionale (shihni përshkrimin e tyre në shtojcat 1, 2 dhe 3).


Neni 9
Veprimtaritë plotësuese
1. Veprimtaritë plotësuese planifikohen nga drejtoria e institucionit arsimor në bashkëpunim me këshillin e mësuesve.
2. Veprimtaritë plotësuese përfshijnë: a) veprimtari kulturore-artistike, sportive, letrare, shkencore, mjedisore; b) ekskursione, vizita dhe konkurse që plotësojnë e thellojnë kurrikulën; c) festime të ditëve të shënuara.
3. Veprimtaritë plotësuese, që zhvillohen në nivel institucioni arsimor, pasqyrohen në një dokument në të cilin tregohet synimi i veprimtarisë, pjesëmarrja dhe përshkruhet përmbledhtas ecuria e saj.
Dokumenti ruhet në zyrën e drejtorit të institucionit për 2 vjet.
4. Veprimtaritë plotësuese dhe veprimtari të tjera, si olimpiadat, konkurset, nuk cenojnë orët mësimore të parashikuara në programet lëndore.

Neni 10
Ekskursionet
1. Ekskursionet me nxënësit duhet të kenë të garantuar kushtet e sigurisë dhe të ruajtjes së shëndetit të nxënësve dhe punonjësve arsimorë.
2. Drejtori i institucionit arsimor paraqet pranë DAR/ZA-së, jo më vonë se dy javë para datës së ekskursionit, këto të dhëna: a) qëllimi i ekskursionit; b) përshkrimi përmbledhës i etapave të ekskursionit; c) miratimi me shkrim i prindërve të nxënësve; ç) dokumentet e agjencisë për transportin e nxënësve (licenca e shoferëve, dokumenti i gjendjes teknike të automjeteve); d) të dhënat për ushqimin; dh) kushte e fjetjes; e) shpenzimet dhe burimet e financimit.
3. Titullari i DAR/ZA-së miraton me shkrim kryerjen e ekskursionit.
4. Shpenzimet nga prindërit për ekskursionin (nëse ka) miratohen nga bordi i institucionit dhe qeveria e nxënësve.
5. Ndalohen ekskursione të punonjësve arsimorë me burime financiare nga prindër të nxënësve të institucionit arsimor ose nga fonde të siguruara nga institucioni nëpërmjet shërbimeve për të tretët ose sponsorizimeve për institucionin.


Neni 11
Procedurat e përzgjedhjes së teksteve shkollore. Kompensimi i çmimit të teksteve shkollore
1. Procedurat e përzgjedhjes së teksteve shkollore përshkruhen në dokumentin “Altertekst”.
2. Shkolla ka dokumentet e mëposhtme, që i sigurohen nga DAR/ZA-ja: Paketa “Altertekst”, Katalogu i Teksteve Shkollore, udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Financave për subvencionimin e teksteve shkollore.
3. Tekstet shkollore përzgjidhen në prani të prindërve, të cilët caktohen nga këshilli i prindërve. Prindërit mbikëqyrin procedurat e përzgjedhjes dhe nuk marrin pjesë në vlerësimin e teksteve.
4. Drejtori i shkollës ngre komisionet e përzgjedhjes së teksteve shkollore, të cilat, në përgjithësi, përputhen me ekipet lëndore të shkollës.
5. Përzgjedhja e teksteve shkollore përfundon në muajin prill. Në muajin maj afishohet në mjedise të shkollës lista e teksteve të përzgjedhura për çdo klasë.
6. Drejtori i shkollës ka përgjegjësinë për: a) zbatimin korrekt të procedurave të përzgjedhjes së teksteve shkollore; b) sigurimin e formateve që do të plotësohen nga çdo komision; c) përvetësimin e procedurave të përzgjedhjes së teksteve nga anëtarët e komisioneve; ç) informimin e prindërve dhe të nxënësve për tekstet e vitit të ri shkollor.
7. Dokumentacioni i përzgjedhjes së teksteve ruhet në arkivin e shkollës për 2 vjet dhe është objekt i inspektimit nga ISHA-ja.
8. Titullari i DAR/ZA-së, çdo punonjës i saj dhe drejtori i shkollës e kanë të ndaluar të ndikojnë tek anëtarët e komisioneve në përzgjedhjen e teksteve.
9. Drejtori i shkollës publike të arsimit bazë ose nëndrejtori i ngarkuar prej tij, në bashkëpunim me mësuesit kujdestarë: a) organizojnë njohjen e prindërve me procedurat e përfitimit të kompensimit të çmimit të teksteve; b) hartojnë listën e nxënësve që përfitojnë tekste falas dhe kompensime të tjera të çmimit të teksteve.


KREU IV
ARSIMI BAZË


Neni 12
Detyrimi shkollor. Identifikimi i fëmijëve të moshës së klasës së parë
1. Fëmija, që ka mbushur moshën 6 vjeç përfshihet në detyrimin shkollor.
2. Nxënësi që, sipas vërtetimit nga organet e njësisë bazë të qeverisjes vendore, do të qëndrojë jashtë shtetit, nuk përfshihet në detyrimin shkollor për aq kohë sa është jashtë shtetit.
3. Kur prindi nuk i paraqet vërtetimin drejtorit të shkollës publike që nxënësi/fëmija duhet të ndjekë, drejtori e kërkon zyrtarisht vërtetimin te njësia bazë e qeverisjes vendore. Largimi nga shkolla e nxënësit shënohet në amzën e shkollës.
Shihni marrëveshjen e bashkëpunimit “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor”.
4. DAR/ZA-ja harton një listë të vetme emërore të fëmijëve, që duhet të fillojnë klasën e parë në vitin e ardhshëm shkollor, duke ballafaquar të dyja listat e ardhura në muajin prill nga zyra e gjendjes civile dhe qendra shëndetësore.
DAR/ZA-ja ua dërgojnë këtë listë të gjitha shkollave në juridiksion (publike, private) brenda muajit maj.
5. Në fund të periudhës së regjistrimit në shkollat publike, drejtorët e shkollave bazë publike dhe ato private i dërgojnë DAR/ZA-së listat emërore të fëmijëve të regjistruar në shkollat e tyre.
6. DAR/ZA-ja harton listën e re të fëmijëve që nuk janë regjistruar në shkollat bazë publike dhe ato private në juridiksionin e tyre dhe, brenda muajit shtator, ia dërgon këtë listë kryeplakut përkatës të zonës dhe inspektorit të policisë së zonës.
7. Kryeplaku dhe inspektori i policisë gjen në listën e fëmijëve ende të paregjistruar, që i dërgohet nga DAR/ZA-ja, fëmijët që i përkasin zonës që mbulon dhe duhet të regjistrohen në klasën e parë në një shkollë të DAR/ZA-së. Emrat e fëmijëve shoqërohen me vendndodhjet e tyre.
8. DAR/ZA-ja, deri më 15 tetor, u dërgon shkollave publike të dhënat e kryepleqve dhe të inspektorëve të policisë së zonës.
9. Shkollat publike identifikojnë fëmijët, që i përkasin zonës së tyre dhe, deri në fund të muajit tetor të vitit të ri mësimor marrin përsipër regjistrimet e nxënësve dhe informojnë zyrtarisht DAR/ZA-në përkatëse.
10. DAR/ZA-të dhe shkollat bashkëpunojnë me OJF-të, që veprojnë në fushën e arsimit për zbatimin e LAPU për detyrimin shkollor.


Neni 13
Procedurat e regjistrimit të fëmijëve në klasën e parë
1. Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë të shkollave publike bëhet në dy javët e fundit të muajit qershor.
2. Në gjashtë ditët e para kanë të drejtë të regjistrohen në klasën e parë të një shkolle publike vetëm nxënësit që i përkasin zonës së shkollës. Kur largesa e banesës së fëmijës nga dy shkolla publike është e diskutueshme, prindi zgjedh njërin nga të dyja shkollat.
Në katër ditët pasuese kanë të drejtë të regjistrohen edhe nxënës që u përkasin shkollave të zonave të tjera.
Regjistrime të veçanta pranohen deri ditën para fillimit të vitit shkollor.
3. Regjistrimi i fëmijës në klasën e parë bëhet me këto dokumente: a) certifikata e lindjes e fëmijës; b) vërtetimi i vaksinimeve nga qendra shëndetësore; c) raporti nga okulisti; ç) adresa e fëmijës; d) vërtetimi i ndjekjes së kopshtit sipas grupeve, i firmosur nga drejtoresha e kopshtit (nëse ka).
4. Në raste të veçanta, kur prindi dëshiron të regjistrojë fëmijën në klasën e parë, por nuk disponon certifikatën e lindjes ose/dhe vërtetimin e vaksinimeve veprohet si në rastet analoge me kopshtet.


Neni 14
Klasat mbi normë në shkollat e arsimit parauniversitar
1. Drejtori i shkollës nuk regjistron nxënës nga zonat që nuk i përkasin shkollës, kur: a) krijohen klasa me numër nxënësish mbi normën e përcaktuar në udhëzimin e ministrit; b) nuk ka mësues të mjaftueshëm për hapjen e klasave të reja.
2. Drejtori i shkollës publike njofton me shkrim titullarin e DAR/ZA-së kur, me nxënës të zonës së shkollës, mund të krijohen klasa mbi normë ose kur nevojiten mësues të tjerë.
3. Kur një shkollë publike ka vende për nxënës të zonës të shkollave të tjera, këta nxënës regjistrohen sipas radhës së paraqitjes për regjistrim.


Neni 15
Klasat I-III: Përkujdesja e posaçme nga mësuesit dhe drejtoria. Vlerësimi i nxënësit. Përsëritja e klasës
1. Mësuesi në klasat I-III, në bashkëpunim me prindërit, përcakton për nxënësin në vështirësi në të nxënë mënyrat e posaçme të ndihmës për të, si: përforcimi, hartimi dhe zbatimi i programeve individuale, ndihma konkrete e prindërve.
2. Drejtori, në bashkëpunim me mësuesit, organizon forma plotësuese për mbarëvajtjen e nxënësve të klasave I-III, si: prindër vullnetarë në rolin e mësuesit ndihmës, mësues ndihmës, ndihmesa e qeverisë së nxënësve.
3. Drejtoria e shkollës: a) zhvillon mbledhje mujore të posaçme me mësuesit e klasave I-III;
b) teston, të paktën tri herë gjatë vitit mësimor, ecurinë e nxënësve të klasave I-III në lëndët: gjuhë shqipe dhe matematikë.
DAR/ZA-ja kryen teste të tilla një herë në vit.
4. Plani i veprimtarive të drejtorisë për të përmirësuar arritjet e të gjithë nxënësve të klasave I-III dhe testet janë objekt inspektimi nga ISHA-ja dhe shqyrtimi nga specialistët e DAR/ZA-ve për përhapjen e përvojave të suksesshme.
5. Mësuesi vlerëson nxënësit me përshkrim: gjatë vitit mësimor, në përfundim të disa periudhave të vitit mësimor dhe në fund të vitit mësimor, për: a) qëndrimin dhe aftësitë e përgjithshme të fëmijës si nxënës; b) për objektivat kryesorë në fushat e të nxënit. Periudhat caktohen nga ministri.
Mësuesi kryen vlerësimet sipas formatit që hartohet nga IZHA-ja dhe miratohet nga ministri.
6. Kur prindërit dëshirojnë përsëritjen e klasës për fëmijën e tyre, i paraqesin drejtorit të shkollës kërkesën me shkrim. Kërkesa i bashkëngjitet amzës dhe ruhet në arkivin e shkollës derisa nxënësi ndjek atë shkollë.


Neni 16
Mënyra të tjera të ndjekjes së arsimit bazë
Shihni aktet përkatëse nënligjore.
a) Procedurat e ndjekjes së arsimit bazë me kohë të pjesshme.
b) Procedurat e ndjekjes së arsimit bazë për nxënësit që nuk kanë ndjekur të paktën dy klasa të arsimit bazë.
c) Procedurat për arsimimin e fëmijëve të ngujuar.
d) Marrëveshja me Ministrinë e Drejtësisë “Për arsimimin e individëve në institucionet e paraburgimit/të vuajtjes së dënimit në Republikën e Shqipërisë” dhe udhëzimi përkatës i ministrit.
e) Arsimimi i individëve të moshës shkollore në institucionet e përkujdesjes shoqërore.


KREU V
VLERËSIMI I NXËNËSVE PAS KLASËS III
Shënim. Më tutje, “lënda” është përbërës i planit mësimor të një klase që vlerësohet me notë vjetore.

Neni 17
Vlerësimi i nxënësit pas klasës së tretë
1. Nxënësi nuk vlerësohet me notë në: a) përforcim dhe shërbim komunitar; b) veprimtaritë e kurrikulës me zgjedhje të lirë, në klasat IV-IX; c) projektet kurrikulare në nivel shkolle ose të disa klasave, në gjimnaz.
2. Nxënësi vlerësohet me notë: a) në të gjitha lëndët, për klasat IV-VI; b) në lëndët e kurrikulës bërthamë dhe ato me zgjedhje, për klasat VII deri në fund të arsimit parauniversitar.
3. Në arsimin bazë pas klasës III, në gjimnaz dhe në lëndët e kulturës së përgjithshme të shkollave profesionale dhe ato të orientuara, nxënësi vlerësohet për: a) një ose disa tema mësimore të sapozhvilluara; b) një ose disa kapituj të tekstit të nxënësit; c) projekte ndërlëndore/lëndore.
4. Nxënësi vlerësohet në çdo lëndë të paktën një herë gjatë vitit shkollor për projekt ndërkurrikular/kurrikular. Orët mësimore për projektet u takojnë orëve të parashikuara në programin lëndor për përpunimin e njohurive.
5. Mësuesi lëndor, sipas lëndës:
a) cakton cilat vlerësime u takojnë pikave 3/a dhe 3/b;
b) ndan afërsisht barabar të dyja llojet e vlerësimeve (3/a dhe 3/b).
6. Nxënësi, që ka munguar në vlerësimin e një ose disa kapitujve të tekstit të nxënësit, është i detyruar t’i nënshtrohet këtij vlerësimi, përndryshe vlerësohet me notën “katër”.
7. Nxënësi, që me raport mjekësor, kufizohet nga veprimtaritë fizike ose përkohësisht ka kufizime të tilla, merr pjesë në lëndën e edukimit fizik dhe të sporteve sipas një programi lëndor të hartuar nga mësuesi. Nxënësi vlerësohet për programin e reduktuar.
8. Mësuesi vendos vetë, nëse do të zhvillojë një vlerësim përmbledhës të lëndës për një vit mësimor. Ky vlerësim përfshihet në notat e provimeve për një ose disa kapituj të tekstit.
9. Në arsimin e mesëm të ulët, në gjimnaz dhe në lëndët e kulturës së përgjithshme në shkollat profesionale dhe ato të orientuara, nota vjetore lëndore e nxënësit përllogaritet nga mësuesi i lëndës me formulën:
Nota vjetore lëndore = 0,4 x M1 + 0,5 x M2 + 0,1 x M3, ku M1, M2, M3 janë përkatësisht mesataret aritmetike të vlerësimeve për pikat 3/a, 3/b dhe 3/c të pikës 3 të këtij neni të rrumbullakosura me një shifër pas presjes.
10. Provimet me shkrim të nxënësve ruhen nga mësuesi për 1 (një) vit shkollor dhe janë objekt i inspektimit nga ISHA-ja, që shqyrton përputhjen me programin lëndor dhe objektivitetin e vlerësimit.
11. Vlerësimet e shkurtra (minitestet), nga fundi i orës mësimore, për rendimentin e orës mësimore ose të një kapitulli, nuk vlerësohen me notë.
12. Notat që nxënësit marrin në testime, të cilat nuk kryhen nga mësuesit lëndorë, nuk hidhen në regjistër.
13. Mësuesi i ciklit fillor ose mësuesi kujdestar (më tutje “mësuesi kujdestar”) njehsojnë mesataren e notave vjetore të të gjitha lëndëve të çdo nxënësi.
Mesatarja vjetore njehsohet me një shifër pas presjes.
Neni 18
Vlerësimet vjetore me short
1. Nga fundi i vitit mësimor, drejtoria e shkollës organizon provimet vjetore me short për të gjitha lëndët ose fushat e të nxënit dhe të gjitha klasat, me përjashtim të klasës së nëntë dhe të klasës së fundit të arsimit të mesëm të lartë.
Në arsimin profesional dhe atë të orientuar përfshihen vetëm lëndët e kulturës së përgjithshme dhe ato teorike-profesionale.
2. Procedurat e shortit dhe numri i provimeve caktohen nga drejtoria e shkollës pas këshillimit me këshillin e mësuesve.
3. Notat e nxënësve në provimet me short përfshihen në vlerësimin për një ose disa kapituj të tekstit të nxënësit.
4. Përgjigjet e nxënësve ruhen në arkivin e shkollës për 2 vjet dhe janë objekt i inspektimit nga ISHA-ja.
5. Provime vjetore, si në pikën 1 të këtij neni, zhvillohen nga DAR/ZA-ja. Analiza e rezultateve të provimeve u dërgohet të gjitha shkollave.


Neni 19
Vlerësimi i sjelljes së nxënësit pas klasës së tretë
1. Sjellja e nxënësit vlerësohet me këto shkallë: a) “Shumë mirë”; b) “Mirë”; c) “Mjaftueshëm”; ç) “Dobët”.
2. Nxënësi vlerësohet me: a) “Shumë mirë”, kur nuk ndëshkohet gjatë vitit shkollor me ndonjë masë disiplinore; b) “Mirë”, kur e përfundon vitin shkollor me masë disiplinore të shlyer ose masa disiplinore e pashlyer, nuk është ulje e notës në sjellje; c) “Mjaftueshëm”, kur e përfundon vitin shkollor me ulje të notës në sjellje; ç) “Dobët”, kur vendos këshilli i disiplinës.
3. Vlerësimi i sjelljes së nxënësve vendoset në regjistrin e klasës, dëftesën e klasës dhe amzë.


Neni 20
Sesioni i dytë (i vjeshtës)
1. Nxënësi vlerësohet në sesionin e vjeshtës, kur është pakalues në një ose dy lëndët bërthamë dhe ato që ka përzgjedhur.
2. Mësuesi i jep nxënësit për sesionin e vjeshtës detyra konkrete për t’i zhvilluar gjatë verës.
3. Komisioni, i përbërë nga mësues të shkollës, i ngritur nga drejtori i saj: a) shqyrton kryerjen e detyrave nga nxënësi gjatë verës; b) vlerëson me notë përgatitjen e nxënësit.
Dokumenti i vlerësimit të nxënësit ruhet në arkivin e shkollës për 2 vjet.
4. Kur nxënësi nuk paraqitet në provim për arsye që drejtori e justifikon, drejtori cakton një datë tjetër brenda sesionit të vjeshtës.


Neni 21
Mbetja në një lëndë, mbetja në klasë, përsëritja e klasës
1. Vendimin për mbetjen e nxënësit në një lëndë e merr mësuesi lëndor.
2. Nxënësi mbetet në klasë, kur: a) është pakalues në të paktën tri lëndë bërthamë ose lëndë që ka përzgjedhur; b) është pakalues në një lëndë në sesionin e vjeshtës; c) ka sjelljen “Dobët” në përfundim të vitit shkollor.
3. Nxënësi mbetës në një klasë, mundet ta përsërisë klasën në vitin pasues shkollor kur është brenda moshës së përcaktuar te LAPU.


KREU VI
GJIMNAZI
Neni 22


Procedurat e regjistrimit për herë të parë në klasën e dhjetë të gjimnazit
1. Regjistrimi paraprak i nxënësve në klasën e dhjetë të gjimnazit bëhet në dy javët e fundit të muajit maj.
2. Në gjashtë ditët e para kanë të drejtë të regjistrohen në klasën e dhjetë të një gjimnazi publik vetëm nxënësit që u përkasin shkollave të arsimit bazë të zonës së gjimnazit. Në katër ditët pasuese kanë të drejtë të regjistrohen edhe nxënës që u përkasin shkollave të zonave të tjera. Regjistrime të veçanta pranohen deri në 1 një (ditë) para fillimit të vitit shkollor.
3. Regjistrimi paraprak i nxënësit në klasën e dhjetë bëhet me këto dokumente: a) certifikata e lindjes së nxënësit; b) formularët e plotësuar për lëndët me zgjedhje.
4. Gjatë 5 ditëve, duke filluar dy javë para fillimit të vitit shkollor, nxënësit regjistrohen përfundimisht në klasën e dhjetë me dëftesën e lirimit.


Neni 23
Procedurat për kurrikulën me zgjedhje
1. Drejtori i gjimnazit publik i dërgon drejtorit të çdo shkolle të arsimit bazë të zonës së vet, në javën e fundit të muajit prill: a) listën e lëndëve me zgjedhje që gjimnazi ofron për klasën e dhjetë;
b) modelin e formularëve për t’u plotësuar nga nxënësit e klasës së nëntë.
2. Drejtori i shkollës së arsimit bazë dhe mësuesit kujdestarë informojnë nxënësit e klasave të nënta dhe prindërit e tyre për plotësimin e formularëve.
3. Formularët e lëndëve me zgjedhje për klasat e tjera të gjimnazit plotësohen nga nxënësit brenda muajit maj.
4. Drejtori i shkollës ka të gatshëm, brenda muajit gusht, planin e kurrikulës me zgjedhje për çdo lëndë/modul me zgjedhje dhe mësuesit që do t’i zhvillojnë.


Neni 24
Niveli i thelluar
1. Lënda bërthamë dhe niveli i saj i thelluar janë dy lëndë të veçanta dhe mund të jepen nga mësues të ndryshëm.
2. Nuk pranohet të përzgjedhë një lëndë të thelluar, nxënësi që në lëndën përkatëse bërthamë të klasës paraardhëse e ka notën vjetore më të vogël se 8 (tetë).


Neni 25
Ndërrimi i lëndës me zgjedhje
(Brenda shkollës ose kur transferohet në një shkollë tjetër)
1. Nuk lejohet që nxënësi ta ndërrojë lëndën me zgjedhje gjatë vitit shkollor.
2. Kur një nxënës përzgjedh për herë të parë në një klasë një lëndë, që zhvillohet edhe në klasën paraardhëse, i nënshtrohet provimit të asaj lënde për klasën paraardhëse, para një komisioni të ngritur nga drejtori i shkollës.
Provimi është pa notë. Kur nxënësi mbetet në provim, nuk e fiton të drejtën të ndjekë atë lëndë.
3. Nxënësi mund të heqë dorë në klasën e 12-të nga një lëndë me zgjedhje, të cilën e ka mësuar në dy vitet paraardhëse, por nuk mundet të përzgjedhë një lëndë që është zhvilluar në dy klasat paraardhëse.


Neni 26
Ndjekja e gjimnazit me kohë të pjesshme
Shihni aktin përkatës nënligjor.


KREU VII
SHKOLLAT PROFESIONALE, ARTISTIKE, SPORTIVE, E GJUHËVE TË HUAJA DHE SEKSIONET DYGJUHËSHE
Neni 27
Pranimet
1. Shkollat e arsimit profesional, shkollat e arsimit të orientuar (artistike, sportive, gjimnazet gjuhësore) dhe seksionet dygjuhëshe (më tutje “shkollat”) afishojnë në një vend të dukshëm të shkollës dhe publikojnë në faqen e tyre të internetit, një muaj para datës së regjistrimit: a) kuotat e pranimeve të reja; b) afatet e aplikimit; c) datat e regjistrimit.
2. DAR/ZA-ja publikon në faqen e saj zyrtare të internetit të dhënat e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, për ato shkolla që janë në juridiksionin e saj.
3. Shkollat pranojnë nxënës edhe nga DAR/ZA-të e tjera që nuk kanë shkolla të profileve të sipërpërmendura.
4. Dokumentet për aplikim janë: a) kërkesa për regjistrim; b) kopje e noterizuar, e njehsuar me origjinalin e dëftesës së lirimit të nxënësit; c) Kopje e kartës së identitetit të nxënësit. (Në shkollat sportive edhe raporti mjekësor i nxënësit.)
5. Nxënësi fitues në shkollat pa konkurs ose me konkurs, që nuk paraqitet në shkollë në fillim të vitit shkollor, njofton drejtorin e saj para fillimit të këtij viti shkollor.
Kur një nxënës fitues nuk paraqitet në shkollë brenda 15 ditëve nga fillimi i vitit shkollor, nxënësi tjetër, sipas radhës në listë, gëzon të drejtën e pranimit në shkollë.


Neni 28
Pranimet në shkollat pa konkurs
1. Pranohen pa konkurs nxënësit në shkollat profesionale, gjimnazet gjuhësore dhe seksionet dygjuhëshe.
2. DAR/ZA-të, në bashkëpunim me shkollat profesionale, organizojnë: a) takime të drejtuesve të shkollave profesionale me drejtues të shkollave nëntëvjeçare; b) biseda të drejtuesve dhe mësuesve të shkollave profesionale me nxënës të klasës së nëntë dhe me prindër të tyre.
3. Kur në shkollat profesionale, gjimnazet gjuhësore dhe seksionet dygjuhëshe ka kërkesa më të mëdha se numri i nxënësve të planifikuar, nxënësit përzgjidhen sipas mesatares së notave të provimeve të lirimit, të rrumbullakosur me një shifër pas presjes.
4. Kur numri i aplikantëve për një shkollë profesionale është më i madh se kapaciteti i shkollës, drejtori i saj dërgon në MASH, njësinë bazë të qeverisjes vendore dhe DAR/ZA-në përkatëse, kërkesën me shkrim për shtimin në të ardhmen të kapaciteteve të shkollës.


Neni 29
Pranimet në shkollat me konkurs
1. Në shkollat artistike dhe ato sportive nxënësit pranohen me konkurs.
2. Shkollat artistike dhe ato sportive afishojnë në një vend të dukshëm të shkollës dhe publikojnë në faqen e tyre të internetit datat e konkursit një muaj para fillimit të konkursit.
3. Komisioni afishon në shkollë dhe në faqen e saj të internetit listën e fituesve. Lista firmoset nga të gjithë anëtarët e komisionit.
4. Nxënësi, fitues i konkursit, quhet i regjistruar në shkollën përkatëse.
5. Procesverbalet e komisioneve dhe çdo material i konkursit ruhen në arkivin e shkollës për 2 vjet dhe janë objekt i inspektimit nga ISHA-ja.


Neni 30
Normativa për arsimin profesional
1. Veprimtaria mësimore në shkollat profesionale mbështetet në skeletkurrikulat e kualifikimeve profesionale, të cilat miratohen nga MASH-i.
2. Shkollat profesionale, bazuar në skeletkurrikulat e kualifikimeve profesionale, hartojnë kurrikulat shkollore, të cilat miratohen nga drejtori i shkollës, pas pëlqimit nga ekipi lëndor përkatës.
3. Kurrikula shkollore e çdo kualifikimi profesional ka këtë përbërje: a) “Plani mësimor operativ”, i cili hartohet bazuar te “Plani mësimor” që jepet në skeletkurrikulën e kualifikimit profesional përkatës; b) “Planet e mësimdhënies së lëndëve teorike profesionale”, të cilat hartohen bazuar në “Programet e përgjithshme të lëndëve profesionale” përkatëse; c) “Planet e mësimdhënies së moduleve praktike profesionale”, të cilat hartohen bazuar në “Përshkruesit e moduleve profesionale” përkatëse.
4. Skeletkurrikula e një kualifikimi profesional ofron një listë me “module me zgjedhje të detyruar”. Përzgjedhja e tyre bëhet nga vetë shkolla duke konsideruar: a) kërkesat e tregut të punës; b) pëlqimet e nxënësve; c) mundësitë e shkollës.
5. “Plani mësimor shkollor” përshtat planin mësimor të skeletkurrikulës (kombëtar) sipas kushteve dhe mundësive të shkollës dhe merr parasysh numrin e klasave e të mësuesve dhe ndarjen e teorisë me praktikën, duke përcaktuar grafikun e realizimit të moduleve praktike profesionale, si dhe vendin e realizimit të tyre.
6. Modulet e praktikës profesionale mund të realizohen të grupuara (në bllok, me kohëzgjatje 1, 2 ose disajavore) ose të shpërndara përgjatë javëve të vitit mësimor. Ato mund të realizohen në mjediset e praktikave të shkollës ose shkollave të tjera profesionale, gjithashtu, në ato të ndërmarrjeve/bizneseve.


Shfleto artikuj te tjere per: ARSIM NORMA SISTEM
Postuar nga: khoxha
ikub #:
1312040071