marketkonekt
0 0
0
 
Detajet e Aktit
Titulli: Vendim i Gjyklates se Larte Nr. 3, datë 8.7.2013
Tipi i Aktit: Vendim i GJL
Numri i Aktit: 3
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 08.07.2013
Data e aprovimit te Aktit: 08.07.2013
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 163
Data e fletores zyrtare: 11.10.2013
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Gjykata e Larte
Pershkrimi i Aktit: Prishjen e vendimit nr. 232, datë 25.7.2012 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 13 akti, datë 13.6.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:

VENDIM
Nr. 3, datë 8.7.2013
NË EMËR TË REPUBLIKËS


Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të përbëra nga:
Ardian Dvorani kryesues
Ardian Nuni anëtar
Arjana Fullani anëtare
Evelina Qirjako anëtare
Majlinda Andrea anëtare
Guxim Zenelaj anëtar
Mirela Fana anëtare
Aleksandër Muskaj anëtar
Andi Çeliku anëtar
Medi Bici anëtar
Shkëlzen Selimi anëtar
Artan Zeneli anëtar
Artan Broci anëtar
Tom Ndreca anëtar
në seancën gjyqësore publike të datës 8.7.2013 morën në shqyrtim çështjen penale nr. 3 akti që u përket palëve:
KËRKUES: Ylli Çelhaka
OBJEKTI:

Kundërshtimin e urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë me nr. 43, datë 2.4.2012, për ekzekutimin e vendimit penal nr. 19, datë 24.3.2000 (nr. 36, datë 23.4.2007) të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.
BAZA LIGJORE: Neni 463/1, 463/2, 464, 467, 470 e 471 të K. Pr. Penale.
Ligji nr. 8331, datë 21.4.1998, neni 55.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin e ndërmjetëm të datës 13.6.2012, ka vendosur:
“- Rrëzimin e kërkesës.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit brenda afateve ligjore”.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr. 232, datë 25.7.2012, ka vendosur:
“- Ndryshimin e vendimit të ndërmjetëm nr. 13 akti, datë 13.6.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë si më poshtë:
- Pranimin e kërkesës së të pandehurit Ylli Çelhaka, me objekt kundërshtimin e urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë me nr. 43, datë 2.4.2012 “Për ekzekutimin e vendimit penal nr. 19, datë 24.3.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe anulimin e këtij urdhri për ekzekutimin e vendimit penal, si të pabazuar në ligj.
- Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë.”.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës ka paraqitur rekurs prokurori i Prokurorisë së Apelit Durrës, i cili ka kërkuar prishjen e tij dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, duke parashtruar këto shkaqe:
- Me vendimin e gjykatës së apelit nuk jemi dakord, pasi është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit procedural, është haptazi i paligjshëm, pasi pas prishjes së vendimit të formës së prerë nga Gjykata e Lartë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim, i dënuari kthehet në pozitat e të paraburgosurit, bie në kundërshtim me përmbajtjen e dispozitës përkatëse procedurale por dhe me arsyetimin e vendimit nr. 19 (00-2012-279), datë 19.1.2012 të Gjykatës së Lartë.
- Mendojmë se në gjykimin e çështjes konkrete me objekt rishikimin e vendimit penal, jemi para kushteve ekstra procedurale, prandaj dhe dispozitat që lidhen me afatet e paraburgimit dhe procedurën e shqyrtimit të çështjes në tërësi, duhet t’u përshtaten këtyre kushteve, ku në rastin tonë konkret pyetjes se çfarë statusi merr personi pas prishjes së vendimit të formës së prerë e ka dhënë Gjykata e Lartë në vendimin e sipërcituar, për më tepër që pezullimi i vuajtjes së dënimit mund të bëhet ose nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë gjatë gjykimit të rishikimit ose nga trupi gjykues që gjykon çështjen konkrete.
- Me të drejtë gjykata e shkallës së parë konstaton se në rastin tonë konkret kërkuesi Ylli Çelhaka ka qenë në kushtet duke vuajtur dënimin me burgim, pas ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe prishja e këtij vendimi nga Gjykata e Lartë me qëllim rishikimin e tij nuk e ndalon vuajtjen e dënimit të kërkuesit, pra shqyrtimi i çështjes me objekt rishikim vendimi do të vazhdojë në kushtet e vuajtjes së dënimit dhe jo në pozitat e paraburgimit.
- Në kuptim të dispozitës së nenit 454/1 të K. Pr. Penale, por edhe të vendimit të Gjykatës së Lartë, vuajtja e dënimit do të ndërpritej nëse do të kishim një vendim për pezullimin e ekzekutimit të vendimit, ndërsa në rastin tonë konkret nuk kemi urdhër të tillë as nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, dhe as nga gjykata e caktuar për rigjykimin e çështjeve (Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë), prandaj bazuar në këto dispozita procedurale dhe në vendimin nr. 279/19, datë 19.1.2012, arrihet në konkluzionin se pas pranimit të kërkesës për rishikim i gjykuari do të vazhdojë të vuajë dënimin, pasi vendimi i dënimit të tij është ende i ekzekutueshëm për aq kohë sa nuk është vendosur pezullimi i tij.


KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË,
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Shkëlzen Selimi dhe Mirela Fana; prokurorin Bujar Sheshi, i cili kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit; mbrojtësin e kërkuesit Ylli Çelhaka, av. Julian Kola, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit; dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,

VËREN:
I. Rrethanat e faktit
Nga shqyrtimi gjyqësor në të dy shkallët e gjykimit rezultojnë të provuara këto rrethana fakti:
1. I gjykuari Ylli Çelhaka është akuzuar nga organi i ndjekjes penale, Prokuroria, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim” dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, të parashikuara nga nenet 78 dhe 278/2 të Kodit Penal. Kjo akuzë është ngritur pasi në datë 28.10.1997 ka qëlluar me armë zjarri duke vrarë viktimën Ardian Hima.
2. Procesi ndaj këtij të gjykuari është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjykimit duke rezultuar me disa vendime fajësie kundër tij.
3. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin nr. 19, datë 24.3.2000, pasi ka shqyrtuar në themel kërkimin e organit të akuzës, ka vendosur: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Ylli Çelhaka për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i K.Penal dhe dënimin e tij me 20 vjet burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ylli Çelhaka për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga neni 278/2 i K. Penal dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim.
Në bashkim të dënimeve, në aplikim të nenit 55 të K. Pr. Penale, dënimin përfundimisht të të pandehurit Ylli Çelhaka me 20 vjet burgim …”.
4. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin penal nr. 141, datë 26.6.2000, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 19, datë 24.3.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë …”.
5. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 471, datë 12.12.2000, ka vendosur: “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga i pandehuri Ylli Çelhaka dhe prokurori si të pabazuar në prova e në ligj”.
6. Në të tilla rrethana rezulton se vendimi penal nr. 19, datë 24.3.2000 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë ka marrë formë të prerë.
7. Për ekzekutimin e këtij vendimi në datë 16.10.2006 është lëshuar urdhri i ekzekutimit nr. 096 nga Prokurori i Rrethit Gjyqësor Kavajë. Ky vendim rezulton të jetë ekzekutuar në datë 17.10.2006, kohë në të cilën ka filluar llogaritja e vuajtjes së dënimit për të gjykuarin Ylli Çelhaka.
8. I dënuari Ylli Çelhaka ka paraqitur kërkesë për rishikim kundër vendimit të formës së prerë nr. 19, datë 24.3.2000 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, me pretendimin se pas përfundimit të gjykimit janë zbuluar prova të reja, të cilat tregojnë se vendimi i dhënë është i gabuar.
9. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 558, datë 2.6.2010, ka vendosur:
“Pranimin e kërkesës për rishikim të vendimit të të dënuarit Ylli Çelhaka.
Prishjen e vendimit nr. 471, datë 12.12.2000 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të vendimit nr. 141, datë 26.6.2000 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe vendimit nr. 19, datë 24.3.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë për rigjykim, me tjetër trup gjykues”.
10. Pasi është regjistruar çështja dhe ka filluar rigjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë Kavajë, në seancën e datës 20.7.2011, i pandehuri (kërkuesi) Ylli Çelhaka i është drejtuar gjykatës me kërkesë me objekt: “Shuarje e masës së sigurimit, si rezultat i humbjes së fuqisë së paraburgimit. Heqjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktimin si masë sigurimi atë të “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, bazuar në nenet 261, 260/4, dhe 260/2 të Kodit të Procedurës Penale.
11. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin penal nr. 13 akti, datë 20.7.2011, ka vendosur:
“Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për të pandehurin Ylli Alush Çelhaka.
Caktimin për të pandehurin Ylli Çelhaka të masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale.

I pandehuri Ylli Alush Çelhaka duhet të qëndrojë në banesën e babait të tij Alush Çelhaka me adresë lagjja nr. 5, rruga “Emigranti”, shtëpi private, Kavajë.
Urdhërohet Policia Gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i shtetasit Ylli Alush Çelhaka, i biri i Alushit dhe i Verës, i datëlindjes 3.1.1974, nëse nuk mbahet i arrestuar për ndonjë vepër tjetër penale ...”.
12. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr. 179, datë 9.8.2011, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr. 13 akti, datë 20.7.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë”.
13. Gjykata e Lartë, me vendimin nr. 19, datë 19.1.2012, ka vendosur:
“Prishjen e vendimit nr. 179, datë 9.8.2011 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe vendimin nr. 13, datë 20.7.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë dhe pushimin e gjykimit në lidhje e masën e sigurimit”.
14. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë, gjatë kohës që çështja është duke u rigjykuar ndaj këtij të gjykuari, ka lëshuar urdhrin me nr. 043, datë 2.4.2012 për ekzekutimin e vendimit penal nr. 19, datë 24.3.2000 (nr. 36, datë 23.4.2007) të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.
15. Kundër lëshimit të urdhrit të ekzekutimit ka bërë ankim i gjykuari, i cili ka kërkuar pavlefshmërinë e tij duke pretenduar se urdhri i ekzekutimit është i paligjshëm, pasi nuk ka vendim gjykate të formës së prerë apo vendim mase për të realizuar.


II. Procedurat gjyqësore
16. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin e ndërmjetëm të datës 13.6.2012, ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesës.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit brenda afateve ligjore.”
17. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr. 232, datë 25.7.2012, ka vendosur:
“Ndryshimin e vendimit të ndërmjetëm nr. 13 akti, datë 13.6.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë si më poshtë:
Pranimin e kërkesës së të pandehurit Ylli Çelhaka me objekt kundërshtimin e urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë me nr. 43, datë 2.4.2012 “Për ekzekutimin e vendimit penal nr. 19, datë 24.3.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe anulimin e këtij urdhri për ekzekutimin e vendimit penal, si të pabazuar në ligj”.
Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë.”.
18. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës ka paraqitur rekurs prokurori i Prokurorisë së Apelit Durrës, i cili ka kërkuar prishjen e tij dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të vendimit.


III. Arsyetimi i vendimit të ankimuar.
19. Gjykata e Apelit Durrës e ka gjetur të pabazuar në ligjin procedural vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, duke arsyetuar: “...Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë, në interpretim të gabuar të ligjit ka konsideruar vendim penal dënimin me burgim të formës së prerë për të pandehurin Ylli Çelhaka, vendimin nr. 19, datë 24.3.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, vendim i cili rezulton të jetë prishur me vendimin penal nr. 00-2010-1084 (558), datë 2.6.2010 të Gjykatës së Lartë, duke e kthyer çështjen në ngarkim të të pandehurit Ylli Çelhaka për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Më tej gjykata vazhdon: “...bazuar në N. 443 Gjykata e Lartë nuk ka disponuar në dispozitivin e saj se çështja duhet të prishet pjesërisht, atëherë konkludohet se vendimi është prishur në tërësi; ..në rastin në shqyrtim m.q.s. çështja rezulton të jetë kthyer për rigjykim, duke prishur vendimet penale nr. 471, datë 12.12.2000 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të vendimit nr. 141, datë 26.6.2000 të Gjykatës së Apelit Durrës, dhe vendimit nr. 19, datë 24.3.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin nr. 00-2010-1084 (558), datë 2.6.2010 të Gjykatës së Lartë, atëherë i dënuari Ylli Çelhaka ka rimarrë cilësinë e të pandehurit....

Kjo gjykatë konkludon se i njëjti person nuk mund të marrë njëkohësisht dy cilësi si subjekt procedural penal në të njëjtin procedim penal dhe për të njëjtin fakt penal. Nga gjykata e shkallës së parë është njohur, cilësuar dhe proceduar shtetasi Ylli Çelhaka, si “i pandehur” dhe në vendimin e ndërmjetëm të datës 13.6.2012 e cilëson atë si “të dënuar”, me vendimin penal nr. 19, datë 24.3.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për të njëjtin fakt juridik penal...”
20. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, nisur nga fakti se ka interpretime jo të njëjta në lidhje me pozicionin e të gjykuarit mbasi kërkesa për rishikim pranohet, vendosi që për njehsimin e praktikës gjyqësore, në këtë drejtim, çështjen penale që i përket kërkuesit Ylli Çelhaka ta kalojë në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
IV. Çështjet që shtrohen për t’u zgjidhur përpara Kolegjeve të Bashkuara dhe qëndrimi i Kolegjeve të Bashkuara
21. Çështjet që shtrohen për t’u zgjidhur përpara Kolegjeve të Bashkuara me qëllim unifikimin e praktikës gjyqësore vlerësohen të jenë:
a) Në rast se kërkesa për rishikim të vendimit të dënimit pranohet sipas nenit 453/3 të Kodit të Procedurës Penale2, cila do të jetë pozita procedurale e të gjykuarit në fazën e rigjykimit të çështjes?
b) Në rast se vendimi i fajësisë pas rigjykimit të çështjes ndryshohet, ose i gjykuari shpallet i pafajshëm, cila do të jetë pozita procedurale nëse vazhdon procesi gjyqësor kundër tij?
22. Qëndrimi i palëve në proces në lidhje me çështjet që duhet të unifikohen për efekt të njehsimit të praktikës dhe të pasojës që ka në lidhje me zgjidhjen e çështjes:
Prokurori mbajti qëndrimin se: “statusi i kërkuesit për rishikim të vendimit të dënimit, pas prishjes së vendimeve, mbetet po ai i të dënuarit dhe në kushtet kur dispozitat e kreut IV të K. Pr. Penale, në nenet 449 deri 460 të tij, nuk parashikojnë shprehimisht marrjen e masave të sigurimit personal (ndryshe nga disa legjislacione të ngjashme të disa vendeve të tjera që zbatojnë institutin e rishikimit), atëherë mbetet të bëhet interpretimi i këtyre dispozitave për të përcaktuar se në çfarë regjimi sigurimi do të mbetet i gjykuari deri në pritjen e vendimit përfundimtar.”.
Mbrojtësi i të gjykuarit Ylli Çelhaka mbajti qëndrimin se: “nga momenti që Gjykata e Lartë ka vendosur rishikimin e vendimit penal dhe çështja është dërguar për t’u rigjykuar, i pandehuri ka marrë cilësinë e të pandehurit në bazë të N.34/3 të K.Penal, i cili parashikon se: Cilësia e të pandehurit rimerret kur prishet vendimi i pushimit ose kur vendoset rishqyrtimi i procesit. Ç’ka do të thotë se nga data 2.6.2010 mbi Ylli Çelhakën nuk ka rënduar një dënim penal me një vendim të formës së prerë dhe kësisoj në mungesë edhe të një mase sigurimi a mundet që ky i pandehur të qëndrojë në paraburgim për efekt të dënimit të mëparshëm”.
23. Kolegjet e Bashkuara e gjejnë me vend që paraprakisht është e nevojshme që, për t’i dhënë përgjigje çështjeve të shtruara për unifikim, të trajtojë paraprakisht institutin e rishikimit i cili gjen rregullim në titullin VIII, kreun IV të K. Pr. Penale.
24. Rishikimi është mjet ankimi i jashtëzakonshëm dhe përjashtimor kundër një vendimi gjyqësor penal të formës së prerë, i cili nuk mund të kundërshtohet nëpërmjet mjeteve të zakonshme të ankimit (apeli dhe rekursi).
Në këto kushte, kur janë shterur mjetet e zakonshme të ankimit, vendimi është i formës së prerë dhe çështja konsiderohet e mbyllur në bazë të parimit të gjësë së gjykuar (res judicata). Në nenin 449 të K. Pr. Penale3 përcaktohet se cilët vendime mund të jenë objekt rishikimi.
2 Neni 453/3 “Shqyrtimi i kërkesës nga Gjykata e Lartë”.
Kur kërkesa pranohet, Kolegji Penal vendos prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim nga një tjetër trup gjykues në gjykatën e shkallës së parë që ka dhënë vendimin ose në gjykatën e apelit, kur kërkesa është bërë vetëm kundër vendimit të saj. Vendimi është i formës së prerë.
3 Nr. 449 i K. Pr. Penale “Vendimet që mund të rishikohen”
1. Në rastet e caktuara me ligj lejohet në çdo kohë rishikimi i vendimeve që kanë marrë formën e prerë, edhe kur dënimi është ekzekutuar ose është shuar.
25. Në nenin 34 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është parashikuar se: “Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj”.
26. Në këtë normë kushtetuese janë parashikuar tri nga parimet më të rëndësishme të procedurës penale: i) parimi i mosgjykimit dy herë për të njëjtën vepër penale (ne bis in idem); ii) parimi i sigurisë ligjore (res judicata); dhe iii) mundësia e rihapjes së çështjes penale si mundësi shmangie nga parimi i sigurisë ligjore.
27. Në lidhje me parimin e tretë mundësia e rihapjes së çështjes penale përcaktohet se ai mund të lejohet sipas rregullave të parashikuara në ligj dhe konkretisht në Kodin e Procedurës Penale. Në kapitullin e VIII-të “Ankimet”, kreun IV, është parashikuar “Rishikimi” si mjet i jashtëzakonshëm për të goditur një vendim përfundimtar, d.m.th. të cilit i kanë shteruar të gjitha mjetet e ankimit.
28. Shmangia nga parimi i sigurisë ligjore nëpërmjet rishikimit në kushtet e parashikuara nga ligji ka si qëllim ndreqjen e gabimit gjyqësor në dhënien e drejtësisë. Në lidhje me këtë çështje GJEDNJ-ja në disa çështje 4,5 është shprehur se: “Gjykata vlerëson se kërkesat e sigurisë ligjore nuk janë absolute. Largimi nga parimi justifikohet vetëm nëse një gjë e tillë bëhet e nevojshme nga rrethanat dhe nga karakteri substancial detyrues, ose kur ka arsye serioze legjitime që janë më me peshë se siguria juridike”.
29. Rishikimi, si mjet ankimi i jashtëzakonshëm, është përfshirë në kreun IV ku janë parashikuar vendimet që mund të rishikohen, rastet e rishikimit, subjektet e legjitimuara, forma e paraqitjes, gjykimi dhe disponimi i Gjykatës së Lartë si gjykatë kompetente e caktuar me ligj për shqyrtimin e kërkesës për rishikim.
30. Karakteri “extra ordiner” i rishikimit del qartë nga vendosja e tij si mjet ankimi jashtë dhe përtej procesit të zakonshëm penal. Ndërkohë ankimi dhe rekursi si mjete ankimi në K. Pr. Penale, ndryshe nga rishikimi, janë përfshirë në fazat e procesit penal të gjykimit si mjete shteruese që çojnë në dhënien e një vendimi gjyqësor përfundimtar me pasojë zgjidhjen e çështjes.
31. Rishikimi si mjet i jashtëzakonshëm ankimi, sipas nenit 451 të K. Pr. Penale6, mund të jetë: i) extra ordinem pro reo; ose ii) contra reum.
32. Në rastin e parë pro reo rishikimi bëhet me kërkesë të të dënuarit me qëllimin për të provokuar një rivlerësim të së vërtetës në drejtimin e kundërshtimit të vendimit të fajësisë dhe të mundësisë që rihapja e procesit sjell potencialisht mundësinë e dhënies së një vendimi pafajësie. Në themel të rishikimit qëndron parimi se drejtësia duhet të jetë e vërtetë duke thyer kornizat procedurale të mbylljes përfundimtare të gjykimit.
33. Karakteri i jashtëzakonshëm i rishikimit si mjet ankimi del edhe nga fakti se ligjvënësi nuk e ka kufizuar brenda një afati kohor, ndërkohë që mjetet e zakonshme të ankimit duhet të paraqiten brenda afateve strikte kohore me pasojë papranueshmërinë e tyre.
34. Në rastin e rishikimit me kërkesë të prokurorit contra reum ka për objekt një vendim të gabuar pafajësie, i cili në këtë rast i shërben dhënies së drejtësisë me qëllimin e ndëshkueshmërisë së autorëve që kryejnë krime dhe për faj të sistemit gjyqësor ngelen të pandëshkuar. Në këtë rast qëllimi është që personat e deklaruar të pafajshëm me pa të drejtë të rigjykohen dhe të dënohen për krimet e kryera, për pasojë procesi i ri i gjykimit mund të sjellë rëndimin in pejus të dënimit.
2. Vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, por me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit.
4 Ryabykh kundër Rusisë nr. 52854/99, f. 52, ECHR 2003-IX).
5 Bratyakin kundër Rusisë nr. 53203/99, f. 63-68, 15 dhjetor 2005,
6 N.451 i K. Pr. Penale “Kërkesa e rishikimit”
1. Mund të kërkojnë rishikimin: a) i dënuari ose kujdestari i tij, dhe kur ai ka vdekur, trashëgimtari ose një i afërm i tij; b) prokurori pranë gjykatës që ka dhënë vendimin.
Ndryshe nga rasti i rishikimit që bëhet nga i dënuari, ligjvënësi e ka kufizuar në kohë kërkesën e prokurorit për të rishikuar një vendim pafajësie në një afat kohor prej 5 vjetësh, duke filluar ky afat nga dita e dhënies së këtij vendimi (neni 449/2 i K. Pr. Penale).
35. Shkaqet për të cilat mund të kërkohet rishikimi i një vendimi përfundimtar janë në funksion të qëllimit (ratio), i cili është dhënia fund pasojave të një vendimi të padrejtë i cili është përfundimtar.
36. Gjykimi i iniciuar nëpërmjet një kërkese rishikimi në mënyrën se si është rregulluar në K. Pr. Penale në fuqi, ky institut kalon në dy faza procedurale, të cilat në varësi të faktit nëse kërkesa do të pranohet ose jo zhvillohen si faza të të njëjtit proces: e para është vlerësuese dhe e dyta gjykuese.
37. Faza vlerësuese zhvillohet në Gjykatën e Lartë e cila investohet mbi bazën e kërkesës së të gjykuarit (si edhe të personave të lidhur me të) ose të prokurorit, në të cilën vlerësohet nëse kërkesa për rishikim ka shkaqe nga ato të parashikuara nga neni 450 të K. Pr. Penale7.
38. Kërkesa për t’u marrë në shqyrtim duhet të jetë e arsyetuar plotësisht mbi bazën e shkakut ligjor mbi të cilin ka lindur rishikimi i vendimit, e shoqëruar domosdoshmërish me dokumentet provues, të cilat mbështesin pretendimin. Në këtë fazë të procesit rishikues Kolegji Penal në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, bën një vlerësim paraprak të karakterit formal dhe të ndikueshmërisë thelbësore që këto akte mund të kenë nëse shqyrtohen si prova nëse i hapet rrugë gjykimit rishikues.
39. Mandej kur kërkesa deklarohet e pranueshme, shqyrtimi i pranueshmërisë së kërkesës me qëllimin për t’i hapur rrugë rishikimit bëhet në prani të palëve, të cilët lejohen të debatojnë vetëm mbi shkaqet e rishikimit dhe jo mbi drejtësinë e vendimit që do të rishikohet.
40. Kjo fazë është thelbësore pasi përbën gjykimin e rishikimit në mënyrën strictu sensu.
Nëpërmjet debatit të palëve dhe vlerësimit të shkaqeve ligjore të përcaktuara në mënyrë të qartë, si dhe të dokumenteve provues në këtë fazë vlerësohet se këto akte vetëm ose të interpretuara bashkërisht janë në gjendje të japin një rezultat të ndryshëm të fajësisë apo të pafajësisë nga vendimi i cili rishikohet. Nëse kërkesa gjendet e bazuar në ligj, atëherë me vendim Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i hap rrugë rishikimit të vendimit të formës së prerë.
41. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vlerësojnë se pavarësisht se në nenin 453/3 të K. Pr. Penale është përcaktuar se: “3. Kur kërkesa pranohet, Kolegji Penal vendos prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim….” në interpretimin integral të dispozitave të K. Pr. Penale, si dhe të funksionit të institutit të rishikimit termi “prishje e vendimit” nuk ka të bëjë me aspektin rishikues dhe atë kontrollues të gjykatave më të ulëta siç ndodh gjatë iterit të zakonshëm dhe të parashikuar në kapitullin e Gjykimit në Gjykatën e Lartë, por ka të bëjë me hapjen rrugë të procesit rishikues të një vendimi të formës së prerë. Për rrjedhojë, përfshi edhe pasojat juridike që prodhon, vendimi që do të rishikohet mbas pranimit të kërkesës për rishikim vazhdon të jetë në fuqi për të dënuarin. Ky përcaktim mbështet nga neni 454 të K. Pr. Penale, në të cilin parashikohet se: “1. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe gjykata e caktuar për rigjykimin e çështjeve mund të urdhërojë pezullimin e ekzekutimit të vendimit”.
42. Në bazë të këtij rregullimi të pasojave juridike që vijnë nga vendimi i pranimit të kërkesës për rishikim, pranimi i kërkesës për rishikim dhe hapja rrugë e procesit të rishikimit mund të sjellë eventualisht edhe pasoja të menjëhershme në mënyrë incidentale për të dënuarin in vinculis, në lidhje me pezullimin e mëtejshëm të pasojave që vijnë nga ekzekutimi i mëtejshëm i vendimit,
7 N. 450 i K. Pr. Penale “Rastet e rishikimit”
1. Rishikimi mund të kërkohet: a) kur faktet e vëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë; b) kur vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës civile, i cili është revokuar më pas; c) kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar; ç) kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale.
përfshi edhe vuajtjen e mëtejshme të dënimit me burgim.
43. Çështja e status libertatis në interpretim të përcaktimit që i jep ligji në rastin kur kërkesa për rishikim pranohet si një mundësi dhe jo si detyrim për gjykatën për të vendosur në favor të pezullimit të dënimit, e bën atë një kërkesë e cila mund të jetë autonome për të cilën mund të shprehet Kolegji Penal në fazën e pranimit të kërkesës dhe nga gjykata përkatëse në varësi të gjykatës që po zhvillon gjykimin rishikues dhe të fazës së këtij gjykimi me pasojë ekzekutimin e menjëhershëm dhe pa të drejtë ankimi.
44. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në përgjigje të çështjeve të shtruara për diskutim me qëllimin unifikimin e praktikës gjyqësore, arrijnë në qëndrimin unifikues se: Në rastin kur kërkesa e të dënuarit pranohet dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në bazë të kompetencës rishikuese që ka sipas nenit 453 të K. Pr. Penale i hap rrugë procesit gjyqësor të rishikimit, i gjykuari do të vazhdojë të ketë statusin procedural të të dënuarit. Pranimi i kërkesës për rishikim nuk pas sjell në vetvete revokimin e dënimit as edhe lirimin e të dënuarit, por vetëm rihapjen e procesit gjyqësor për efekt të sqarimit të rrethanave të reja me qëllim që vendimi gjyqësor t’i përgjigjet të vërtetës. Ky fakt do të ndodhë vetëm nëse në zbatim të nenit 454 të K.Pr.Penale Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, ose gjykata kompetente e cila do të gjykojë çështjen në rishikim, e çmon të nevojshëm pezullimin e ekzekutimit të vendimit kur nga ecuria e procesit penal vazhdimi i mëtejshëm i vuajtjes së dënimit me burgim do të vinin pasoja të rënda të pariparueshme.
Pranimi i kërkesës për rishikim nuk e ndryshon pozitën procedurale nga ajo e të dënuarit në atë të të pandehurit.
Në rast se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i hap rrugë rishikimit dhe në gjykimin rishikues në gjykatën e shkallës së parë i gjykuari deklarohet i pafajshëm pozicioni procedural i subjektit nuk është më ai i të dënuarit, por i të pandehurit. Kjo gjendje (statusi i të pandehurit) do të vazhdojë derisa vendimi i ri i pafajësisë i dhënë mbas rishikimit të marrë formë të prerë.
45. Gjykimi rishikues, mbasi i hapet rrugë kërkesës së rishikimit nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, zhvillohet në gjykatën e shkallës së parë që ka dhënë vendimin ose në gjykatën e apelit kur kërkesa bëhet vetëm kundër këtij vendimi (neni 453/3 i K. Pr. Penale).
46. Shqyrtimi i ri gjyqësor rishikues si rregull zhvillohet në gjykatën e shkallës së parë në një gjykim publik. Rregullat procedurale që ndiqen janë ato të parashikuara në kapitullin e gjykimit të shkallës së parë, duke mbajtur parasysh veçoritë e gjykimit rishikues.
47. Rishikimi i vendimit, duke qenë mjet i jashtëzakonshëm ankimi i një vendimi të formës së prerë, nuk pas sjell pavlefshmërinë e provave të marra dhe të përdorura në vendimin që do të rishikohet. Veçoria e këtij gjykimi qëndron në marrjen e atyre provave të cilat kanë shërbyer si shkak për pranimin e rishikimit.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë çmojnë se gjykata që rishikon çështjen është e detyruar të marrë në rivlerësim provat të cilat kanë shërbyer në dhënien e vendimit pa ju futur edhe një herë shqyrtimit të tyre dhe duke e përqendruar hetimin gjyqësor vetëm në ato prova të cilat kanë shërbyer si objekt i kërkesës për rishikim e që janë përdorur si shkak për pranimin e rishikimit.
Në këtë proces rishikues vlerësimi i provave të reja do të jetë në tërësi së bashku me provat e tjera të shqyrtuara më parë me qëllimin që provat e reja së bashku ose në mënyrë të veçantë të çojnë gjykatën në konfirmimin e vendimit të parë që rishikohet, ose në një vendimmarrje të ndryshme.
48. Në rastin kur vendimi i rishikuar prishet atëherë vendimi i ri i pafajësisë në rast se kërkesa e rishikimit bëhet nga i dënuari pas sjell efektet juridike të cilat çojnë edhe në ndryshimin e statusit të të gjykuarit në atë të pandehurit, duke e futur procesin në iter të zakonshëm duke i dhënë të drejtën e ankimit dhe të kontrollit gjyqësor nëpërmjet mjeteve të zakonshme të ankimit. Në rast se kërkesa për rishikim rrëzohet dhe konfirmohet dënimi për të gjykuarin dhe është disponuar pezullimi
i ekzekutimit, atëherë ky vendim i humbet fuqitë dhe do të procedohet me vazhdimin e vuajtjes së dënimit me burgim.
49. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, duke iu kthyer zgjidhjes së çështjes objekt gjykimi në bazë të qëndrimit unifikues, konstatojnë se vendimi i gjykatës së apelit në lidhje me anulimin e urdhrit të prokurorit për ekzekutimin e dënimit me burgim të caktuar me vendimin nr. 19, datë 24.3.2000 është marrë në kuptim dhe zbatim të gabuar të ligjit procedural penal në lidhje me pozitën procedurale të të gjykuarit Ylli Çelhaka, mbasi vendimi penal i dënimit është bërë objekt rishikimi.
50. Në bazë të akteve të fashikullit të gjykimit, rezulton se i gjykuari Ylli Çelhaka është deklaruar fajtor me vendimin penal të formës së prerë për veprën penale të vrasjes me dashje dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, të parashikuar nga neni 78 dhe 278/2 të Kodit Penal. Ky vendim është bërë objekt rishikimi mbi bazën e kërkesës së të dënuarit, kërkesë e cila është pranuar nga Kolegji Penal, i cili ka vendosur t’i prishë vendimet duke i hapur rrugë rishikimit dhe dërgimit të çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë Kavajë si gjykata kompetente. Nuk rezulton që as Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe as gjykata e cila po gjykon çështjen mbas rishikimit të ketë disponuar me vendimin për pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim.
51. Gjatë gjykimit rishikues në shkallë të parë, i dënuari Ylli Çelhaka ka ngritur pretendimin se vendimi i dënimit me burgim është prishur dhe vuajtja e dënimit nuk duhet të vazhdojë. Për këtë shkak ka kërkuar shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe caktimin e masës së sigurimit detyrim paraqitje. Kjo kërkesë, e cila është paraqitur gjatë rishikimit të vendimit, është pranuar nga të dy gjykatat e faktit duke i caktuar si masë sigurimi “arrest në shtëpi” me arsyetimin se statusi i tij ka ndryshuar nga “i dënuar” në “i pandehur” dhe për shkak të plotësimit të afatit tërësor të paraburgimit.
52. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbi rekursin e prokurorit, e ka marrë në shqyrtim çështjen duke vendosur pushimin e gjykimit të kërkesës për shkak të interpretimit të gabuar që gjykatat i kanë bërë statusit procedural të të dënuarit. Më pas i gjykuari ka kundërshtuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të lëshuar nga prokurori, duke pretenduar se vendimi për të cilin kërkohet ekzekutimi pas hapjes së procedurës së rishikimit nuk është më i ekzekutueshëm.
53. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në vazhdim të qëndrimit unifikues të përmendur më sipër, çmojnë se vendimi i gjykatës së apelit është i gabuar dhe jo në interpretim të drejtë të ligjit dhe për pasojë duhet të prishet duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
54. Ky vendim ka ardhur si rezultat i moskuptimit të drejtë të pozicionit procedural të të dënuarit Ylli Çelhaka mbasi është pranuar kërkesa për rishikim. Konstatohet nga aktet se megjithëse Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka pranuar kërkesën për rishikim të Ylli Çelhakës nuk ka disponuar në vendim për pezullimin e ekzekutimit të mëtejshëm të dënimit. Po ashtu edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë gjatë rishikimit të çështjes nuk ka disponuar me vendim pezullimi; fakte këto që nuk i ndërpresin pasojat që vijnë nga vendimi nr. 19, datë 24.3.2000 dhe vendimit nr. 141, datë 26.6.2000 që kërkohet të rishikohen, përfshi edhe vuajtjen e dënimit me burgim.
55. Megjithëse pozicioni procedural i të gjykuarit Ylli Çelhaka si i dënuar është sqaruar nga Kolegji Penal në vendimin e rrëzimit të kërkesës për masë sigurimi, përsëri nga Gjykata e Apelit Durrës në kërkesën për rrëzimin e kërkesës është arsyetuar në drejtim të humbjes së fuqisë ekzekutive të vendimit për shkak të rishikimit të tij. Ky vlerësim është i gabuar, pasi, ashtu siç arsyetohet më lart, i gjykuari Çelhaka vazhdon të ketë statusin e të dënuarit edhe në fazën e vlerësimit të kërkesës së tij për rishikim dhe për aq kohë sa në bazë të nenit 454/1 të K. Pr. Penale nuk është urdhëruar pezullimi i ekzekutimit të vendimit, ai do të vazhdojë të vuajë dënimin me burgim.
56. Urdhri i ekzekutimit të vendimit të dënimit është akt procedural, të cilin ligji ia jep prokurorit si subjekt procedural i cili ndjek dhe zbaton ekzekutimet e vendimeve gjyqësore. Lëshimi i tij bëhet në rastet e parashikuara nga neni 462 i K. Pr. Penale8, ku një ndër to është edhe ekzekutimi i vendimit të formës së prerë. Siç rezulton nga aktet në lidhje me ekzekutimin e vendimit nr. 19, datë 24.3.2000 të Gjykatës së Rrethit Kavajë, prokurori rezulton të ketë lëshuar urdhrin e ekzekutimit të vendimit datë 16.10.2006. Ky vendim rezulton të jetë ekzekutuar në datë 17.10.2006, kohë në të cilën ka filluar llogaritja e vuajtjes së dënimit për të gjykuarin Ylli Çelhaka. Mbas lirimit të të gjykuarit, me vendimin gjyqësor nr. 13, datë 10.2.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, i cili është vendim me ekzekutim të menjëhershëm, i gjykuari Ylli Çelhaka ka fituar lirinë e përkohshme. Vendimi është konsideruar i padrejtë dhe është rrëzuar kërkesa nga Kolegji Penal për kalimin e tij nga vuajtje dënim për efekt të vendimit të formës së prerë në masë sigurimi. Në rregullim të pasojave që sjell ky vendim prokurori ka lëshuar urdhrin e ri të ekzekutimit për vazhdimin e vuajtjes së dënimit.
57. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vlerësojnë se Gjykata e Apelit të Durrësit ka gabuar në interpretimin e nenit 454 të K. Pr. Penale në lidhje me statusin e kërkuesit Ylli Çelhaka gjatë rishikimit duke e konsideruar si të pandehur. Ashtu siç është përmendur më lart, prishja e vendimit dhe dërgimi i çështjes për rigjykim, duke qenë se rishikimi është mjet i jashtëzakonshëm i cili jep mundësinë e vlerësimit të vendimit gjyqësor dhe jo të procesit gjyqësor, ka të bëjë vetëm me efektet e pranimit të kërkesës për rishikim dhe të drejtën që ka gjykata kompetente për të vlerësuar drejtësinë procedurale me qëllimin që të korrigjohet gabimi që ka ardhur duke arritur në një konkluzion që i përgjigjet të vërtetës.
58. Gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka përcaktuar pozicionin procedural të kërkuesit si i dënuar në lidhje me kërkesën e tij dhe në kushtet kur nuk kishte një vendim të posaçëm në lidhje me pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim ka rrëzuar kërkesën e tij për anulimin e urdhrit të ekzekutimit. Arsyetimi ligjor i kësaj gjykate mbështetet në të drejtën që ka prokurori që, në varësi të statusit procedural që ka i gjykuari, në efektet e vendimit gjyqësor të procedojë në ekzekutimin e tij nëpërmjet lëshimit të urdhrit të ekzekutimit.
V. Në lidhje me zgjidhjen e çështjes
59. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë arritën në konkluzionin se vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural penal dhe si i tillë do të prishet duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, si vendim i drejtë dhe i bazuar në ligj


PËR KËTO ARSYE,
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 438/2 e 444/1, germa “d” të Kodit të Procedurës Penale,


VENDOSI:
- Prishjen e vendimit nr. 232, datë 25.7.2012 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 13 akti, datë 13.6.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.
- Ky vendim është unifikues dhe njehson praktikën gjyqësore për çështjet objekt shqyrtimi në Kolegjet e Bashkuara dhe dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.
8 Nr. 462 /1 K. Pr. Penale “Vendimet e ekzekutueshme”.
1. Vendimi penal i gjykatës vihet në ekzekutim menjëherë pasi të ketë marrë formë të prerë.
Anëtarë pro: Ardian Dvorani (kryesues), Guxim Zenelaj, Ardian Nuni, Arjana Fullani, Evelina Qirjako, Aleksandër Muskaj, Mirela Fana, Andi Çeliku, Shkëlzen Selimi, Artan Zeneli, Artan Broci, Tom Ndreca.
Anëtarë pjesërisht kundër: Majlinda Andrea, Medi Bici.


MENDIM PAKICE
Ne, gjyqtarët Majlinda Andrea dhe Medi Bici, jemi pjesërisht kundër vendimit nr. 3, datë 8.7.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, për sa i përket pozitës procedurale që merr i dënuari pas prishjeve të vendimeve të gjykatave si pasojë e pranimit të kërkesës së rishikimit nga Gjykata e Lartë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë, prandaj, në përputhje me nenin 112/5 të K. Pr. Penale, përpilojmë këtë procesverbal përmbledhës me motivet e kundërshtimit të vendimit.
Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes ka rezultuar si më poshtë:
Kërkuesi Ylli Çelhaka është akuzuar nga organi i prokurorisë për veprat penale të vrasjes me paramendim dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, të parashikuara nga nenet 78 dhe 278/2 të Kodit Penal për ngjarjen e ndodhur më datë 28.10.1997 në Rrethin e Kavajës, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri viktima Ardian Hima.
Me vendimin nr. 19, datë 24.3.2000 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë e ka deklaruar fajtor të pandehurin Ylli Çelhaka për veprat penale për të cilat akuzohej, duke e dënuar atë përfundimisht me 20 vjet burgim, vendim i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Durrës dhe është vendosur mospranimi i ankimit në Gjykatën e Lartë.
Në datën 16.10.2006 Prokuroria pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit për vendimin e formës së prerë, i cili është ekzekutuar nga organet kompetente me datë 17.10.2006, kohë kur ka filluar edhe llogaritja e dënimit për kërkuesin Ylli Çelhaka.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 558, datë 2.6.2010 ka vendosur pranimin e kërkesës për rishikim të paraqitur nga i dënuari Ylli Çelhaka, duke prishur vendimet e gjykatave dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Gjatë rigjykimit në shkallë të parë, kërkuesi ka kërkuar shuarjen e masës së sigurimit të arrestit në burg me pretendimin se ajo e ka humbur fuqinë për shkak të kalimit të afatit të përgjithshëm të paraburgimit, të parashikuar nga neni 261 e vijues i K. Pr. Penale.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin nr. 13 akti, datë 20.7.2011, ka vendosur konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, duke caktuar ndaj kërkuesit masën e sigurimit të arrestit në shtëpi, vendim i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Durrës.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 19, datë 19.1.2012 ka vendosur prishjen e vendimeve të mësipërme dhe pushimin e gjykimit të çështjes në lidhje me masën e sigurimit të arrestit në burg.
Në zbatim të vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit që është ankuar nga kërkuesi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë, e cila në përfundim të gjykimit ka vendosur rrëzimin e kërkesës, vendim që është ndryshuar nga Gjykata e Apelit Durrës, e cila ka pranuar kërkesën e kërkuesit, duke anuluar urdhrin e ekzekutimit të lëshuar nga prokuroria me datë 2.4.2012, me të cilin kërkohej që të ekzekutohej edhe një herë vendimi nr. 19, datë 24.3.2000 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Pakica ndan të njëjtin mendim me shumicën në lidhje me unifikimin e praktikës gjyqësore, por nuk është e të njëjtit mendim me të për sa i përket pozitës procedurale që merr personi që ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë, i cili është prishur më pas nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë si pasojë e pranimit të kërkesës për rishikim.
Është e vërtetë që rishikimi i vendimit është një mjet ankimi i jashtëzakonshëm, me anë të cilit i dënuari mund të mbrohet ndaj vendimeve penale të formës së prerë, por ndryshimi ndërmjet tij dhe rekursit ndaj vendimit të formës së prerë nuk është ai që arsyetojnë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ku sipas tyre rishikimi ndaj vendimeve të formës së prerë, i parashikuar nga neni 432 i K. Pr. Penale, i prish në “substancë” vendimet e gjykatave, ndërsa instituti i rishikimit nuk e ka një fuqi të tillë.
Pakica vlerëson se rishikimi, ashtu edhe rekursi ndaj vendimeve të formës së prerë, i parashikuar nga neni 432 i K. Pr. Penale, janë mjete ankimi që mund të përdorin palët ndaj vendimeve të formës së prerë, prandaj në këtë kuptim ato nuk kanë ndonjë ndryshim nga njëri-tjetri.
Sipas vlerësimit të pakicës ndryshimi ndërmjet tyre qëndron në faktin se rekursi ndaj vendimit të formës së prerë, i parashikuar nga neni 432 i K. Pr. Penale, paraqitet vetëm ndaj vendimeve të formës së prerë të dhëna nga gjykata e apelit, ndërsa rishikimi, i parashikuar nga neni 449 e vijues i K. Pr. Penale, mund të kërkohet ndaj vendimeve të formës së prerë të dhëna nga të gjitha gjykatat.
Ndryshimi tjetër ndërmjet tyre qëndron në faktin se ato paraqiten për shkaqe të ndryshme nga njëri-tjetri, sepse rekursi ndaj vendimit të formës së prerë paraqitet për shkaqet e parashikuara nga neni 432 i K. Pr. Penale, ndërsa kërkesa për rishikim paraqitet vetëm për shkaqet e parashikuara nga neni 450 i K. Pr. Penale, por duhet theksuar se në rastin e pranimit të tyre rezultati është gjithmonë i njëjtë, që është prishja e vendimeve të formës së prerë nga ana e Gjykatës së Lartë.
Pakica vlerëson se arsyetimi që bën shumica bie në kundërshtim me kreun IV të K. Pr. Penale (neni 449 e vijues i K. Pr. Penale), pasi sipas ligjit tonë procedural penal, Gjykata e Lartë gjatë shqyrtimit të kërkesës për rishikim nuk vendos vetëm për pranimin ose jo të kërkesës për rishikim dhe disponimin mbi vendimin e themelit ua delegon gjykatave më të ulëta, përkundrazi, ajo, pasi pranon kërkesën për rishikim, prish vendimet e dhëna nga të gjitha gjykatat e të tria niveleve dhe më pas e dërgon çështjen për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë.
Nëse Gjykata e Lartë do të vendoste vetëm pranimin e kërkesës për rishikim, pa disponuar mbi vendimet e marra nga gjykatat, atëherë pakica do të pajtohej plotësisht me vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, por kështu siç është formuluar kreu IV në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë nuk lihet asnjë hapësirë për të bërë interpretimin që ka bërë shumica, sepse pas pranimit të kërkesës për rishikim dhe prishjes së vendimeve nga Gjykata e Lartë nuk ekziston më asnjë vendim dënimi, prandaj personi ndaj të cilit vazhdon procedimi penal, menjëherë pas pranimit të kërkesës për rishikim dhe prishjes së vendimeve nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, merr automatikisht cilësinë e të pandehurit dhe gëzon të gjitha të drejtat e tij gjatë proceseve të mëpasshme gjyqësore.
Me këtë vendim Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë unifikuar praktikën gjyqësore në lidhje me zgjidhjen e çështjeve të ngjashme, por ato nuk e kanë sqaruar gjykatën e rishqyrtimit të çështjes se si do ta konsiderojë ajo kërkuesin Ylli Çelhaka gjatë rishqyrtimit të çështjes në shkallë të parë (të pandehur, të gjykuar apo të dënuar), në një kohë që ndaj tij nuk ekziston asnjë lloj vendimi dënimi.
Nga ana tjetër, shumica nuk arsyeton në vendim se si do të jetë pjesa hyrëse e vendimit përfundimtar që do të japë gjykata e shkallës së parë pas rishqyrtimit të çështjes (si do të quhet kërkuesi: i dënuar, i gjykuar apo i pandehur) dhe nuk shpjegon se si do të jetë dispozitivi i vendimit të gjykatës së shkallës së parë, në një kohë kur në arsyetimin e vendimit thuhet se: kur gjykata e shkallës së parë prish vendimet dhe jep pafajësi masa e sigurimit shuhet.
Pakica vlerëson se qëndrimi që mban shumica është i pabazuar në ligj, sepse gjatë rishqyrtimit të çështjes në shkallë të parë kërkuesi duhet të mbajë cilësinë e të pandehurit, gjykata e shkallës së parë në përfundim të gjykimit nuk mund të shprehet për prishjen e vendimeve, pasi ato i ka prishur më parë Gjykata e Lartë, por ajo duhet t’i hyjë shqyrtimit në themel të çështjes, duke marrë edhe provat e reja të pretenduara nga palët gjatë rishikimit dhe në përfundim duhet të dalë me vendim fajësie, pafajësie ose kur janë rastet e parashikuara nga nenet 387 dhe 328 të K. Pr. Penale vendos pushimin e çështjes penale.
Arsyetimi i mësipërm e çon pakicën në përfundimin se rishikimi i vendimit si mjet i jashtëzakonshëm ankimi ndaj vendimeve të formës së prerë duhet të shqyrtohet me shumë kujdes, duke mos e kthyer atë në një mjet të zakonshëm mbrojtjeje, sepse në rast pranimi të kërkesës për rishikim sipas ligjit tonë procedural penal të gjitha vendimet e dënimit të dhëna nga gjykatat nuk ekzistojnë më, prandaj rezultati i tij është i njëjtë si në rastin e pranimit të rekursit ndaj vendimeve të formës së prerë, të parashikuara nga neni 432 i K. Pr. Penale ku personi i dënuar pas prishjes së vendimit të formës së prerë merr cilësinë e të pandehurit.
Në raste të tilla gjykata e rishqyrtimit të çështjes, edhe kryesisht, është e detyruar që të verifikojë shuarjen e masës së sigurimit të arrestit në burg, të parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale dhe, nëse konstaton ndonjërin prej rasteve të parashikuara nga neni 261 i K. Pr. Penale, ajo është e detyruar që të vendosë shuarjen e masës së sigurimit të arrestit në burg, sepse në të kundërt shkelet neni 27/1 i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe neni 5 i Konventës së të Drejtave të Njeriut, të cilat parashikojnë se askush nuk mund të mbahet në burg pa pasur një vendim dënimi të dhënë nga gjykata, në një kohë që masa e sigurimit e vendosur nga gjykata për veprat penale që akuzohet i dënuari është shuar në përputhje të plotë me nenin 261 të K. Pr. Penale.
Për të gjitha këto u thanë më sipër, pakica është plotësisht e bindur se vendimi nr. 3, datë 8.7.2011 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë në pjesën që unifikon praktikën gjyqësore në lidhje me cilësinë që merr personi i dënuar pas pranimit të kërkesës së tij për rishikimin e vendimeve dhe prishjes së tyre nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë është i pabazuar në ligj, prandaj vota jonë është pjesërisht kundër tij


Gjyqtarë: Medi Bici, Majlinda Andrea



Komente: Shfleto artikuj te tjere per:
Postuar nga: khoxha
Lexuar: ikub #:
 0  559 1312090095





   
 
  *Nese nuk e lexoni kodin atehere ringarkoni faqen per nje kod te ri.


| Shto tek te Preferuarat
Argetohu Gjej
Jeta e perditshme Te nevojshme


alpet

spitaliamerikan

dga