Tipi dhe numri i aktit  
Data e aktit Nga:    Deri:   
Numri i fletores zyrtare Nga:     Deri:    
 
   

✖Mbyll
Detajet e Aktit
Titulli: PËR VLERËSIMIN E NXËNËSVE PËR KURRIKULËN ME KOMPETENCA, NË ARSIMIN BAZË
Tipi i Aktit: Udhëzim
Numri i Aktit: 34
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 11.09.2015
Data e aprovimit te Aktit: 11.09.2015
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 176
Data e fletores zyrtare: 09.10.2015
Aktiviteti: Arsim
Propozuar nga: Ministria e Arsimit dhe Sportit
Pershkrimi i Aktit: Qëllimi kryesor i vlerësimit është të mbështesë të nxënit dhe përparimin e nxënësit
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:
UDHËZIM
Nr. 34, datë 11.9.2015
PËR VLERËSIMIN E NXËNËSVE PËR KURRIKULËN ME KOMPETENCA, NË ARSIMIN BAZË
 
Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, nenit 48 të ligjit nr. 69, datë 21.06.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar,
 
UDHËZOJ:
Neni 1
Qëllimi i vlerësimit të nxënësit
Qëllimi kryesor i vlerësimit është të mbështesë të nxënit dhe përparimin e nxënësit. Ky qëllim përmbushet nga kombinimi i vlerësimit për të nxënë dhe i vlerësimit të të nxënit, duke u mbështetur në Kornizën e Vlerësimit të nxënësit në arsimin parauniversitar miratuar më datë 23.07.2015, nga Ministri i Arsimit dhe Sportit.
 
Neni 2
Vlerësimi për të nxënë i nxënësit
Vlerësimi për të nxënë i nxënësit kryhet nëpërmjet:
a) Vlerësimit të vazhduar;
b) Vlerësimit me test/detyre përmbledhëse;
c) Vlerësimit të portofolit të nxënësit.
 
Neni 3
Vlerësimi i vazhduar
1. Vlerësimi i vazhduar për të nxënë është pjesë e mësimdhënies dhe motivon përparimin e nxënësve në të gjitha aspektet e të nxënit, në situata të ndryshme të njohura dhe të panjohura.
2. Vlerësimi i vazhduar bazohet në vëzhgimet dhe gjykimet e mësuesit mbi përgjigjet me gojë ose me shkrim, punët në grup, diskutimet e mësuesit me nxënësit, vetëvlerësimin e nxënësit, vlerësimin e nxënësit nga nxënësi, pjesëmarrjen ne aktivitete dhe
debatet në klasë, vlerësimin e detyrave të shtëpisë apo të klasës etj.
3. Për vlerësimin e vazhduar, mësuesi mban shënime në evidenca për çdo nxënës, lidhur me arritjen e rezultateve të të nxënit.
4. Mësuesi është i lirë të përshtatë formatin e evidencës (modeli bashkëlidhur), në varësi të specifikave të lëndës. Shënimet në evidencë mund të mbahen me notë, simbole, komente referuar niveleve të arritjes.
 
Neni 4
Vlerësimi me test/detyrë përmbledhëse
Vlerësimi me test/detyrë përmbledhëse ka për qëllim të matë nivelin e arritjeve të nxënësit për një grup të caktuar rezultatesh të nxëni, në përfundim të tremujorit. Ky vlerësim e orienton mësuesin për të përmirësuar procesin e të nxënit.
 
Neni 5
Vlerësimi me portofol
1. Vlerësimi i nxënësit bazuar në portofol ka për qëllim vëzhgimin dhe vlerësimin e nxënësit në një kontekst të gjerë, duke përfshirë dokumentimin e kontributeve dhe arritjeve të tij për fushën, lëndën, për kompetencat kyçe, për punën individuale dhe
në grup, krijimtarinë, talentin, si dhe për aspekte të gjykimit dhe reflektimit të nxënësit për veten dhe të tjerët.
2. Portofoli i nxënësit përmban:
a) punë dhe detyra të pavarura, të kryera në klasë dhe jashtë saj;
b) projekte individuale ose në grup;
c) detyra dhe kontribute të nxënësit, të cilat janë dëshmi e talentit, e hulumtimeve praktike,
e punëve tematike (me shkrim, audio-vizuale etj.);
d) vetëvlerësimet e nxënësit;
e) reflektime të prindit ndaj ecurisë së fëmijës.
 
Neni 6
Vlerësimi i të nxënit të nxënësit
Vlerësimi i të nxënit të nxënësit kryhet nëpërmjet:
a) Vlerësimit periodik;
b) Vlerësimit përfundimtar.
 
Neni 7
Vlerësimi i nxënësit në klasat I- III
Vlerësimi i nxënësit në klasat I-III bëhet me përshkrim. Ai përbëhet nga vlerësimi i vazhduar,
vlerësimi i punimeve dhe i produkteve, si dhe vlerësimi i testimeve dhe detyrave të kontrollit.
1. Vlerësimi i nxënësit për arritjen e kompetencave të fushave të të nxënit realizohet me përshkrim në periudha periodike tremujore. Ai realizohet me 5 shkallë vlerësimi si më poshtë:
a) Shkalla 1. “Arritje të pakënaqshme”, kur nxënësi nuk përmbush kërkesat bazë të të nxënit.
b) Shkalla 2. “Arritje që kanë nevojë për përmirësim”, kur nxënësi ka arritur vetëm pak nga kërkesat bazë të të nxënit dhe kërkohet mbështetje dhe punë e vazhdueshme nga ana e tij dhe e mësuesit.
c) Shkalla 3. “Arritje të kënaqshme”, kur nxënësi ka përmbushur kërkesat bazë të të nxënit dhe, kur me mbështetjen e mësuesit, arrin të përparojë .
d) Shkalla 4. “Arritje shumë të kënaqshme”, kur nxënësi ka përmbushur pjesën më të madhe të kërkesave të të nxënit.
e) Shkalla 5. “Arritje të shkëlqyera”, kur nxënësi përmbush plotësisht dhe me cilësi kërkesat e të nxënit të programit lëndor.
2. Vlerësimi përfundimtar kryhet sipas ndarjes më poshtë:
a) Vlerësimi i vazhduar përbën 45% të vlerësimit përfundimtar. Ky vlerësim mbështetet në përgatitjen e nxënësit dhe detyrat që ai bën në shtëpi (15% ), si dhe në punët me shkrim që kryen nxënësi në klasë dhe përgjigjet që jep me gojë (30% ).
b) Vlerësimi i punimeve dhe i produkteve përbën 25% të vlerësimit përfundimtar dhe vlerëson punën e pavarur, bashkëpunimin me nxënësit e tjerë, pjesëmarrjen në projekte dhe veprimtari të tjera që zhvillohen në klasë, si dhe nismat e tij individuale.
c) Vlerësimi i rezultateve në testime dhe në detyra kontrolli përbën 30% të vlerësimit përfundimtar.
3. Në fund të vitit, pas realizimit të vlerësimit të tretë përshkrues, mësuesi përmbledh përparimin vjetor të nxënësit për kompetencat e fushave të të nxënit.
4. Vlerësimi përfundimtar i nxënësit për secilën lëndë, bëhet në fund të vitit shkollor.
 
Neni 8
Vlerësimi periodik për klasat IV - IX
1. Vlerësimi periodik kryhet në fund të një periudhe tremujore, për të evidentuar përparimin dhe arritjet e nxënësve me qëllim monitorimin dhe raportimin e tyre.
2. Vlerësimi periodik tremujor jepet nëpërmjet 3 (tri) notave të veçanta për:
a) Vlerësimin e vazhduar me notë, që përmbledh shënimet e mësuesit të mbajtura në evidencat për periudhën tremujore.
b) Vlerësimin me notë nëpërmjet testit ose detyrës përmbledhëse në përfundim të periudhës tremujore.
c) Vlerësimin me notë të portofolit të nxënësit për periudhën tremujore.
3. Këto vlerësime me notë shënohen në regjistër në kolonat përkatëse në përfundim të çdo tremujori.
 
Neni 9
Vlerësimi përfundimtar për klasat IV - IX
1. Vlerësimi përfundimtar kryhet në përfundim të vitit shkollor me notë dhe me përshkrim referuar niveleve të arritjes.
2. Nota përfundimtare përfshin notat vjetore si më poshtë:
a) Notën vjetore të vlerësimit të vazhduar për tri periudha tremujore.
b) Notën vjetore të vlerësimit me test/detyrë përmbledhëse për tri periudha tremujore. 
c) Notën vjetore të vlerësimit të portofolit të nxënësit për tri periudha tremujore.
 
Neni 10
Raportimi i arritjeve dhe përparimit të nxënësve
1. Raportimi i arritjeve të të nxënit bëhet nga mësuesi një herë në tre muaj dhe i jepet me shkrim prindit.
2. Raportimi i arritjeve dhe përparimit të nxënësve ka dy qëllime kryesore:
a) Së pari siguron informacion të plotë dhe të vazhdueshëm rreth të nxënit të nxënësve dhe përparimit të tyre, duke shërbyer si bazë për të krahasuar arritjet me rezultatet e pritshme të të nxënit.
b) Së dyti krijon një platformë, e cila u shërben mësuesve dhe prindërve të mbështesin nxënësit në hapat e mëtejshëm të të nxënit, si dhe vetë nxënësve të zhvillohen në këtë proces.
3. Raportimi i arritjeve dhe i përparimit të nxënësve bazohet në evidencat e vlerësimit të vazhduar, testet/detyrat përmbledhëse, si dhe portofoli i nxënësit
.
Neni 11
Dispozita të fundit
1. Evidencat testet/detyrat përmbledhëse dhe portofoli i nxënësit ruhen në shkollë për një vit shkollor dhe janë objekt monitorimi.
2. Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në MAS, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, Agjencia Kombëtare e Provimeve, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, njësitë arsimore vendore (drejtoritë arsimore rajonale/zyrat arsimore) dhe shkollat.
 
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT
Lindita Nikolla
Shfleto artikuj te tjere per: ARSIM BAZE NXENES VLERESIM
Postuar nga: khoxha
ikub #:
1512030175