Tipi dhe numri i aktit  
Data e aktit Nga:    Deri:   
Numri i fletores zyrtare Nga:     Deri:    
 
   

✖Mbyll
Detajet e Aktit
Titulli: Vendim i Gjykates Kushtetuese Nr. 44, datë 19.7.2016
Tipi i Aktit: Vendim i GJK
Numri i Aktit: 44
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 19.07.2016
Data e aprovimit te Aktit: 19.07.2016
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 144
Data e fletores zyrtare: 02.08.2016
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Gjykata Kushtetuese
Pershkrimi i Aktit: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 00- 2015-3077 (368), datë 16.9.2015 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.
Tivari Studio
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:
VENDIM
Nr. 44, datë 19.7.2016
NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
 
Gjykata Kushtetuese e Republikës së
Shqipërisë, e përbërë nga:
Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Sokol Berberi anëtar i “ “
Vitore Tusha anëtare e “ “
Fatmir Hoxha anëtar i “ “
Gani Dizdari anëtar i “ “
Besnik Imeraj anëtar i “ “
Fatos Lulo anëtar i “ “
Vladimir Kristo anëtar i “ “
me sekretare Brunilda Bara, në datën 2.6.2016, mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, çështjen nr. 25 Akti, që i përket:
KËRKUES: Frensis Qazolli
SUBJEKTE TË INTERESUAR: Shoqëria e Sigurimeve “Atlantik” sh.a., në mungesë.
OBJEKTI: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr. 00-2015-3077 (368), datë 16.9.2015 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.
BAZA LIGJORE:Nenet 42, 131/f dhe 134/1/g të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 27 e vijues të ligjit nr. 8577, datë
10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”; neni 6 dhe 13 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
 
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes Vladimir Kristo, mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit, që është shprehur për pranimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
 
VËREN:
I
1. Kërkuesi në datën 19.6.2010, gjatë drejtimit të
mjetit tip “Audi” me targë TR8609P, është
përfshirë në një aksident automobilistik në Tiranë.
Sipas procesverbalit të Policisë Rrugore rezulton se
shkaku i aksidentit ka qenë mosrespektimi i nenit
139/2 të Kodit Rrugor, sepse ka humbur kontrollin
e mjetit dhe ka goditur bordurën e urës, duke e
dëmtuar rëndë atë dhe duke përfunduar në kanal.
2. Mjeti tip “Audi” me targë TR8609P ka
qenë i siguruar me kontratë sigurimi kasko nr.
010865, datë 19.5.2010. Për këtë arsye kërkuesi i
është drejtuar subjektit të interesuar, shoqërisë së
sigurimeve “Atlantik” sh.a., me kërkesë për dëmshpërblim.
Kjo e fundit ka refuzuar dëmshpërblimin,
pasi, sipas saj, shkaku i aksidentit i
përcaktuar nga Policia Rrugore lidhej me nenin
139 të Kodit Rrugor, që parashikon shpejtësinë
gjatë drejtimit të mjetit dhe aksidentet e
ndodhura për këtë shkak nuk mbulohen nga
shoqëria e sigurimit sipas rubrikës “Përjashtime”
të kontratës së sigurimit.
3. Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesëpadi me
objekt shpërblimin e plotë të dëmit sipas
kontratës së sigurimit kasko nr. 010865 për
mjetin tip “Audi” me targë TR8609P të dëmtuar
si pasojë e aksidentit automobilistik të datës
19.6.2010, si dhe kamatat e arrira të shumës së
paakorduar në kohë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor
Tiranë, me vendimin nr. 7047, datë 19.9.2011, ka
vendosur pranimin e padisë dhe detyrimin e të
paditurit “Atlantik” sh.a. që t’i paguajë paditësit
Frensis Qazolli shumën prej 19.200 eurosh si
detyrim kontraktor të papaguar që rrjedh nga
polica e sigurimit kasko nr. 010865, datë
19.5.2010.
4. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.
1963, datë 19.7.2012, ka vendosur lënien në fuqi
të vendimit nr. 7047, datë 19.9.2011 të Gjykatës
së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
5. Kundër vendimit nr. 1963, datë 19.7.2012,
të Gjykatës së Apelit Tiranë ka ushtruar rekurs
subjekti i interesuar, shoqëria “Atlantik” sh.a..
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.
00-2015-3077 (368), datë 16.9.2015, ka vendosur
ndryshimin e vendimit nr. 7047, datë 19.9.2011
të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të
vendimit nr. 1963, datë 19.7.2012 të Gjykatës së
Apelit Tiranë, duke vendosur rrëzimin e
kërkesëpadisë së paditësit Frensis Qazolli.
 
II
6. Kërkuesi Frensis Qazolli i është drejtuar
Gjykatës për shfuqizimin e vendimit nr. 00-2015-
3077 (368), datë 16.9.2015 të Kolegjit Civil të
Gjykatës së Lartë. Ai pretendon se i është cenuar
e drejta për një proces të rregullt ligjor duke
parashtruar në mënyrë të përmbledhur se:
6.1 Është cenuar parimi i gjykimit nga një gjykatë
e caktuar me ligj. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, 
duke bërë interpretim të ndryshëm të provave
dhe fakteve të administruara dhe vlerësuara nga
gjykatat më të ulëta, ka vepruar tej kompetencave
të tij. Arsyetimi i vendimit nga Kolegji Civil i
Gjykatës së Lartë bie ndesh me provat e
administruara dhe të vlerësuara nga Gjykata e
Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Apelit
Tiranë.
6.2 Vendimi i Gjykatës së Lartë është marrë
në kundërshtim me ligjin material, pasi interpretimi
që ajo ka bërë lidhur me nenin 139/2 të
Kodit Rrugor, kontratën e sigurimit kasko dhe
nenet 1113 e vijues të Kodit Civil (KC) është i
gabuar. Gjykata e ka shqyrtuar procesverbalin e
konstatimit të shkeljes duke iu referuar nenit 139
të Kodit Rrugor.
6.3 Gjykata e Lartë me vendimin e saj ka
vlerësuar e zbatuar gabim nenin 472 të Kodit të
Procedurës Civile (KPC), sepse rekursi nuk
përmban asnjë nga rastet e parashikuara në ligj
për shqyrtimin gjyqësor të tij.
6.4 Gjykata e Lartë nuk ka respektuar nenet
12, 29 dhe 309 të KPC-së. Kjo ka sjellë humbjen
e besimit në objektivitetin dhe paanshmërinë e
dhënies së vendimit të drejtë.
 
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Për legjitimimin e kërkuesit
7. Gjykata çmon se kërkuesi legjitimohet
ratione personae në lidhje me pretendimet e
paraqitura në kërkesë, në kuptim të neneve 131/f
dhe 134/1/g të Kushtetutës dhe ratione temporis,
pasi kërkesa është paraqitur në Gjykatën
Kushtetuese brenda afatit të parashikuar nga neni
30 i ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin
dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese
të Republikës së Shqipërisë”.
8. Gjithashtu, Gjykata vlerëson se kërkuesi,
prima facie, legjitimohet edhe ratione materiae, pasi
pretendimet e ngritura prej tij hyjnë në juridiksionin
kushtetues. Këto pretendime janë shqyrtuar
në vijim në këndvështrim të standardeve që
imponon procesi i rregullt ligjor në kuptimin
kushtetues.
B. Për themelin e çështjes
B.1 Për pretendimin e cenimit të parimit të gjykatës së
caktuar me ligj
9. Kërkuesi ka pretenduar se është cenuar
parimi i gjykatës së caktuar me ligj, pasi Kolegji
Civil i Gjykatës së Lartë e ka shqyrtuar çështjen
në themel, ka rivlerësuar provat e marra nga
gjykatat e shkallëve më të ulëta, duke mbajtur një
qëndrim të ndryshëm nga ato dhe duke tejkaluar
kufijtë e shqyrtimit të çështjes.
10. Në jurisprudencën e saj Gjykata ka theksuar
se një nga elementet e procesit të rregullt ligjor,
sipas nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të
KEDNJ-së, është dhe shqyrtimi i çështjes nga një
“gjykatë e caktuar me ligj”. Ky element karakterizohet,
në kuptimin material, nga funksioni i saj gjyqësor,
që ka të bëjë me zgjidhjen e çështjeve nga organe të
ngarkuara me ligj për të dhënë drejtësi. Përveç këtij
kushti, këto organe duhet të shqyrtojnë dhe të
vendosin mbi çështje që janë në kompetencë të tyre
gjatë një procesi të zhvilluar mbi një procedurë
ligjërisht të përcaktuar dhe në pajtim me rendin
juridik. E drejta e çdo pale për t’u dëgjuar në seancë
përpara një gjykate kompetente dhe të caktuar me
ligj nënkupton që gjykata të ketë juridiksion për të
gjykuar çështjen dhe që kompetenca për të
vendosur për të t’i jetë njohur nëpërmjet ligjit (shih
vendimin nr. 11, datë 3.3.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
11. Në kuptim të funksionit rishikues të
Gjykatës së Lartë, të sanksionuar në nenin 141 të
Kushtetutës, Gjykata ka vlerësuar se kompetenca e
saj për shqyrtimin e çështjeve nuk bazohet mbi të
njëjtat dispozita procedurale të cilave u referohen
gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit. Në
nocionin kushtetues të rishikimit futet, në radhë të
parë, shqyrtimi i rekurseve për pretendimet e
shkeljes të ligjit material ose procedural, gjë që
përbën funksionin kryesor të Gjykatës së Lartë.
Procesi konsiderohet i rregullt, në kuptim të nenit
42 të Kushtetutës, kur Gjykata e Lartë mbi të
njëjtat prova e fakte të vlerësuara në gjykimet e
mëparshme vendos të prishë vendimet dhe ta
zgjidhë vetë çështjen për shkak të zbatimit të
gabuar të ligjit (shih vendimin nr. 11, datë 3.3.2016 të
Gjykatës Kushtetuese).
12. Bazuar në jurisprudencën kushtetuese
rezulton se në ushtrimin e funksionit të saj si
gjykatë e ligjit, Gjykata e Lartë mund të vendosë
për themelin e çështjes vetëm nëse mosmarrëveshja
mund të zgjidhet në bazë të të njëjtave fakte dhe
prova të vlerësuara nga gjyqtari i faktit dhe që
përbëjnë bazën e vendimit në të cilin është bërë një
interpretim i gabuar i ligjit. Kontrolli i saj duhet të
fokusohet vetëm në drejtim të ligjshmërisë dhe
bazueshmërisë së vendimeve të ankimuara, pra mbi 
mënyrën e zbatimit të ligjit nga gjykatat më të ulëta.
Gjykata thekson se kusht për dhënien nga Gjykata
e Lartë të një vendimi mbi themelin e çështjes, në
kuptim të nenit 485 të KPC-së, është që jo vetëm
të mos nevojitet administrimi i provave të reja, por
edhe që provat e administruara të jenë shqyrtuar
dhe vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme nga
gjyqtari i faktit (shih vendimin nr. 11, datë 3.3.2016 të
Gjykatës Kushtetuese).
13. Në rastin në shqyrtim, nga aktet bashkë-
lidhur kërkesës, Gjykata vëren se në arsyetimin e saj
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është shprehur
se “Gjykata çmon se në kontratën e sigurimit kasko është
parashikuar si rast përjashtimor që i humbet të drejtën të
siguruarit, tejkalimi nga ana e këtij të fundit (përdoruesit të
mjetit) të normave të shpejtësisë. Nga ana tjetër, dispozita e
cituar nga policia rrugore si shkak i aksidentit është neni
139/2 i Kodit Rrugor, i cili ndonëse përfshihet te një nen që
titullohet “Shpejtësia”, gjithsesi parashikon se “2. Drejtuesi
i mjetit duhet të ruajë gjithmonë kontrollin e mjetit dhe të jetë
në gjendje të kryejë të gjitha manovrat e nevojshme në kushte
të sigurta, veçanërisht frenimin e menjëhershëm të mjetit
brenda kufijve të fushëpamjes dhe përpara çdo pengese të
mundshme.”.
Nga procesverbali i policisë rrugore nuk rezulton të jetë
përcaktuar shpejtësia me të cilën ka qenë mjeti në momentin
e humbjes së kontrollit nga drejtuesi i saj. Kësisoj, nuk mund
të konkludohet nëse shkaku i ndodhjes së aksidentit ka
qenë tejkalimi i normave të shpejtësisë nga drejtuesi i mjetit
tip “Audi”, por duhet pranuar versioni i thënë në procesverbalin
e konstatimit të shkeljes (akt zyrtar me fuqi të plotë
provuese) se aksidenti ka ndodhur si rrjedhojë e humbjes së
kontrollit mbi mjetin nga drejtuesi i tij, pa u lidhur ky fakt
me tejkalimin e shpejtësisë. Humbja e drejtimit të mjetit
mund të ndodhë për shumë shkaqe dhe tejkalimi i shpejtësisë
mund të jetë vetëm njëri prej tyre. Për sa kohë që nuk
përcaktohet dot ky parashikim kontraktor, atëherë mbi
palën e paditur rëndon detyrimi i pagimit të shumës sipas
policës së sigurimit kasko.”.
14. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.
1963, datë 19.7.2012, ka vendosur lënien në fuqi të
vendimit nr. 7047, datë 19.9.2011 të Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Tiranë me arsyetimin: “Në kushtet
kur pala e paditur në gjykim nuk ka arritur të provojë
rastin përjashtimor të mbulimit të kontratës së sigurimit dhe
për sa kohë nuk përcaktohet dot ky parashikim kontraktor,
por vetëm mbetet në kuadrin e prapësimeve, atëherë drejt
Gjykata e Rrethit ka arritur në përfundimin se mbi palën e
paditur rëndon detyrimi i pagimit të shumës sipas policës së
sigurimit kasko. Në këto rrethana, ndryshe sa pretendohet
në ankim se gjykata ka zbatuar gabim ligjin material, me
provat e paraqitura në gjykim ka rezultuar se padia e
paditësit Frensis Qazolli të jetë e mbështetur në ligj, nenet
419, 420 etj. 1137 të Kodit Civil, prandaj vendimi i
Gjykatës së Rrethit nuk ka vend që të bëhet i cenueshëm.”.
15. Ndërsa Gjykata e Lartë ka arsyetuar se “duke
qenë se paditësi Frensis Qazolli ka kryer një kundërvajtje
administrative (shkelje me faj e dispozitave ligjore ose
nënligjore, të kryera me veprim ose mosveprim), e cila është
parashikuar shprehimisht në nenin 139§2 të Kodit Rrugor,
i cili titullohet “Shpejtësia” dhe për këtë shkelje paditësi është
ndëshkuar me gjobë në masën dy mijë lekë (neni 139§10 i
Kodit Rrugor), atëherë ngjarja e ndodhur nuk përfshihet në
rastet e sigurimit të parashikuara nga ana e palëve
ndërgjyqëse në Kontratën e Sigurimit Kasko, pasi në këtë
kontratë, në rubrikën “Përjashtime” të Kushteve të
Përgjithshme, është përcaktuar shprehimisht se siguruesi nuk
mbulon “dëmet si rezultat i tejkalimit të normave të
shpejtësisë ... dhe/ose për shkak dhe neglizhencë të rëndë të të
siguruarit.”.
16. Gjykata Kushtetuese është shprehur se
nxjerrja e konkluzionit për provat në të kundërt me
vlerësimin e dy gjykatave të shkallëve më të ulëta
nuk pajtohet me natyrën e gjykimit në Gjykatën e
Lartë. Gjykata e Lartë nuk mund të konkludojë a
priori nëse është vërtetuar apo jo një fakt i caktuar,
ndërkohë që nga përmbajtja e vendimeve të të dyja
gjykatave më të ulëta rezulton e provuar e
kundërta. Nëse Gjykata e Lartë vlerëson se provat
e administruara nuk janë të mjaftueshme për
arritjen e një konkluzioni apo se nevojitet kryerja e
vlerësimeve të mëtejshme të tyre, ajo nuk mund të
marrë kompetencat e gjykatës të faktit, por duhet ta
kthejë çështjen për rishqyrtim, me qëllim
plotësimin e këtyre të metave të vendimit, por në
asnjë rast nuk mund ta zgjidhë vetë çështjen në
themel duke rivlerësuar ndryshe faktet dhe provat e
marra gjatë gjykimit në shkallët më të ulëta
gjyqësore. Një veprim i tillë bie ndesh me parimin e
gjykatës së caktuar me ligj, i trajtuar nga
jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese (shih vendimin
nr. 36, datë 30.6.2014 të Gjykatës Kushtetuese).
17. Edhe në rastin konkret, Gjykata vlerëson se
Kolegji Civil ka rivlerësuar provat e administruara e
të vlerësuara nga gjykatat e faktit, duke arritur në
një përfundim të ndryshëm nga Gjykata e Rrethit
Tiranë dhe Gjykata e Apelit Tiranë. Kolegji Civil ka
arsyetuar se shkak i aksidentit ka qenë tejkalimi i
shpejtësisë, pavarësisht se kjo nuk provohet në
vendimet e gjykatave më të ulëta të bazuara në një 
akt zyrtar, procesverbalin e mbajtur nga Policia
Rrugore. Gjykata e Lartë edhe pse nuk ka vënë në
dyshim vlerën e këtij akti zyrtar, ka bërë një
vlerësim të ndryshëm të faktit dhe për rrjedhojë të
provave, duke ndryshuar në themel vendimet e
gjykatave më të ulëta.
18. Në këtë këndvështrim, Gjykata çmon se
nëse Gjykata e Lartë do të kishte dyshime për
shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor si pasojë
e shpejtësisë së madhe, duhet të kthente çështjen
për rishqyrtim në gjykatat e faktit duke dhënë
udhëzimet përkatëse në mënyrë që ato të arrinin në
një konkluzion duke ia nënshtruar provat hetimit të
plotë gjyqësor. Për pasojë, Gjykata vlerëson se
Gjykata e Lartë ka cenuar parimin e gjykimit nga
një gjykatë e caktuar me ligj1
.
B.2 Në lidhje me pretendimet e tjera
19. Kërkuesi ka pretenduar, gjithashtu, se
vendimi i Gjykatës së Lartë është marrë në
kundërshtim me ligjin material, pasi interpretimi që
ka bërë ajo gjykatë lidhur me nenin 139/2 të Kodit
Rrugor dhe nenet 1113 e vijues të Kodit Civil është
i gabuar. Gjithashtu, sipas kërkuesit, Kolegji Civil
ka kryer shkelje procedurale, sepse ka zbatuar
gabim nenet 12, 29, 309 dhe 472 të KPC-së, çka ka
sjellë humbjen e besimit në objektivitetin e dhënies
së një vendimi të drejtë.
20. Referuar natyrës ligjore të këtyre
pretendimeve, Gjykata vlerëson se çështjet e
pretenduara nga kërkuesi i takojnë juridiksionit të
zakonshëm dhe jo kategorisë së çështjeve që
përfshihen në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.
Vlerësimi i fakteve dhe rrethanave të çështjes, si
dhe interpretimi i ligjit janë kompetenca të
gjykatave të sistemit gjyqësor të zakonshëm dhe, si
të tilla nuk mund të jenë objekt i gjykimit
kushtetues. Gjykata ka në kompetencën e saj
vlerësimin nëse gjykatat e sistemit gjyqësor kanë
respektuar të drejtat e palëve në gjykim për një
proces të rregullt ligjor dhe nëse ato u kanë dhënë
kuptimin e duhur të drejtave kushtetuese që duhen
respektuar në procesin e shqyrtimit të çështjes (shih
vendimin nr. 2, datë 26.1.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
21. Si përfundim, Gjykata çmon se në rastin
 
1 Gjyqtarët V. Kristo dhe G. Dizdari votuan për cenimin e
parimit të gjykatës së caktuar me ligj dhe për shkak se
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i ka atribuuar
vetes kompetenca të pa autorizuara nga ligjvënësi sipas
qëndrimit të shprehur në mendimin paralel të vendimit nr.
35, datë 27.6.2016 të Gjykatës Kushtetuese.
konkret Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka cenuar
parimin e gjykatës së caktuar me ligj, si element i së
drejtës për një proces të rregullt ligjor. Për
rrjedhojë, ky pretendim i kërkuesit është i bazuar
dhe duhet pranuar.
 
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131/f dhe 134/1/g të Kushtetutës, si dhe të neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,
 
VENDOSI:
- Pranimin e kërkesës.
- Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 00- 2015-3077 (368), datë 16.9.2015 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.
- Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
 
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
 
Anëtarë pro: Bashkim Dedja (kryetar), Vitore Tusha, Sokol Berberi, Gani Dizdari, Fatmir Hoxha, Vladimir Kristo
Anëtarë kundër: Besnik Imeraj, Fatos Lulo

Shfleto artikuj te tjere per: GJYKATA KUSHTETUESE VENDIM
Postuar nga: khoxha
ikub #:
1608050147