Tipi dhe numri i aktit  
Data e aktit Nga:    Deri:   
Numri i fletores zyrtare Nga:     Deri:    
 
   

✖Mbyll
Detajet e Aktit
Titulli: Vendim i Gjykates Kushtetuese Nr. 45, datë 19.7.2016
Tipi i Aktit: Vendim i GJK
Numri i Aktit: 45
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 19.07.2016
Data e aprovimit te Aktit: 19.07.2016
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 144
Data e fletores zyrtare: 02.08.2016
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Gjykata Kushtetuese
Pershkrimi i Aktit: Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor si pasojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 937, datë 25.2.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Tivari Studio
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:
VENDIM
Nr. 45, datë 19.7.2016
NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipë-
risë, e përbërë nga:
Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Sokol Berberi anëtar i “ “
Vitore Tusha anëtare e “ “
Gani Dizdari anëtar i “ “
Besnik Imeraj anëtar i “ “
Fatos Lulo anëtar i “ “
Vladimir Kristo anëtar i “ “
me sekretare Edmira Babaj, në datën 14.6.2016 mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, çështjen nr. 35 Akti, që i përket:
KËRKUES: Vehab Aliu
SUBJEKTE TË INTERESUARA: Bashkia
Tiranë, Shoqëria Përmbarimore “JUS” sh.p.k.
OBJEKTI: Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor si rrjedhojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 937, datë 25.2.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
BAZA LIGJORE: Nenet 42, 131/f dhe
134/1/g të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 28, 29 dhe 30 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ).
 
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes Vladimir Kristo, mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit, që është shprehur për pranimin e kërkesës, prapësimet me shkrim të subjektit të interesuar, Bashkia Tiranë, që ka kërkuar rrëzimin e kërkesës, parashtrimet me shkrim të subjektit të interesuar, shoqëria përmbarimore “Jus” sh.p.k., si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
 
VËREN:
I
1. Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës
Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me
kërkesëpadi me objekt detyrimin e Bashkisë
Tiranë të vijojë procedurat për regjistrimin e
objektit dhe të truallit funksional në posedim të
tij, që shtrihet në pasuritë e paluajtshme nr. 5/17
dhe nr. 5/603, me sipërfaqe totale 270 m2
dhe
ndërtesë 101.5 m2
, të ndodhur në zonën
kadastrale nr. 8360, në Zyrën Vendore të
Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.
2. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë
Tiranë, me vendimin nr. 937, datë 25.2.2015, ka
vendosur pranimin e kërkesëpadisë, detyrimin e
subjektit të interesuar, Bashkisë Tiranë, të vijojë
procedurat për regjistrimin e objektit dhe të
truallit funksional në posedim të kërkuesit, si dhe
të përmbushë detyrimet ndaj tij, duke përfshirë
shpenzimet gjyqësore, të cilat përfshijnë
shpenzimet e procedurës së ekzekutimit dhe
tarifën për vënien në ekzekutim.
3. Vendimi i Gjykatës Administrative të
Shkallës së Parë Tiranë nr. 937, datë 25.2.2015 ka
marrë formë të prerë në datën 12.3.2015, pasi
nuk është ankimuar nga subjekti i interesuar
Bashkia Tiranë.
4. Me shkresën e datës 2.4.2015, kërkuesi i
është drejtuar Bashkisë Tiranë për ekzekutimin
vullnetar të këtij vendimi.
5. Duke qenë se Bashkia Tiranë nuk ka marrë
asnjë masë për ekzekutimin e vendimit të formës
së prerë të lartpërmendur, në datën 8.5.2015
kërkuesi i është drejtuar shoqërisë përmbarimore
“Jus” sh.p.k. për vënien në ekzekutim të tij.
6. Me shkresën nr. 761/1 prot., datë 12.5.2015
shoqëria përmbarimore “Jus” sh.p.k. i ka kërkuar
subjektit të interesuar, Bashkisë Tiranë,
ekzekutimin vullnetar të vendimit gjyqësor të
formës së prerë nr. 937, datë 25.2.2015, ndërsa
me shkresën nr. 761/2 prot., datë 25.5.2015,
ekzekutimin e detyrueshëm të vendimit de quo.
7. Subjekti i interesuar, Bashkia Tiranë, me
shkresën nr. 6907/1 prot., datë 10.6.2015, në
përgjigje të shkresave të sipërcituara, në zbatim të
VKM-së nr. 608, datë 5.9.2012, “Për përcaktimin
e procedurës së kalimit të pronësisë së pasurive
të paluajtshme, të ndërtuara deri në 10.8.1991, e
të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen
akte fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e
tyre”, i ka bërë me dije kërkuesit se për të vënë
në ekzekutim kërkesën e tij, ky i fundit duhet të
depozitonte pranë saj (Bashkisë) dokumentacionin
që provon plotësimin e kushteve të
kërkuara nga VKM-ja.
8. Duke qenë se subjekti i interesuar Bashkia
Tiranë nuk ka vijuar me ekzekutimin e
detyrueshëm të vendimit gjyqësor, me shkresën
nr. 761/3 prot., datë 29.10.2015, shoqëria përmbarimore
“Jus” sh.p.k., në zbatim të neneve
519, 523, 527 dhe 589 të KPC-së, i ka rikujtuar
Bashkisë Tiranë ekzekutimin e detyrueshëm të
vendimit gjyqësor të formës së prerë.
9. Pavarësisht shkresave të lartpërmendura,
subjekti i interesuar, Bashkia Tiranë, nuk e ka
ekzekutuar vendimin e formës së prerë.
 
II
10. Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës
Kushtetuese (Gjykata) duke pretenduar cenimin
e së drejtës për një proces të rregullt ligjor si
rrjedhojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor
të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm 
nga autoritetet e ngarkuara nga ligji, në kuptim të
nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të
KEDNJ-së.
11. Subjekti i interesuar, Bashkia Tiranë, ka
prapësuar me shkrim në mënyrë të përmbledhur si
më poshtë vijon:
11.1. Kryetari i Bashkisë Tiranë, bazuar në
VKM-në nr. 608, datë 5.9.2012, “Për përcaktimin e
procedurës së kalimit të pronësisë së pasurive të
paluajtshme, të ndërtuara deri në 10.8.1991, e të
truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte
fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e tyre”, me
urdhrin nr. 271, datë 25.2.2013 dhe urdhrin nr.
6301, datë 29.4.2014, ka vendosur ngritjen e
grupeve të punës për zbatimin e VKM-së nr. 608,
datë 5.9.2012. Këto grupe pune kanë për qëllim
shqyrtimin e kërkesave dhe të dokumentacionit të
depozituar nga individët sipas procedurës së
përcaktuar në VKM-në e lartpërmendur.
11.2. Bashkia Tiranë nuk e ka ekzekutuar
vendimin e formës së prerë sepse vetë kërkuesi ka
qenë pengesë në zbatimin e tij, pasi nuk ka
depozituar dokumentacionin e kërkuar për vijimin
e procedurave, sikurse i është bërë me dije edhe
shoqërisë përmbarimore me shkresën nr. 6907/1
prot., datë 10.6.2015.
12. Subjekti i interesuar, shoqëria përmbarimore
“JUS” sh.p.k., në prapësimet me shkrim të
depozituara ka paraqitur një kronologji të veprimeve
përmbarimore e konkretisht:
12.1. Me shkresën nr. 761/1 prot., datë
12.5.2015, shoqëria përmbarimore “Jus” sh.p.k. i ka
kërkuar subjektit të interesuar, Bashkisë Tiranë,
ekzekutimin vullnetar të vendimit gjyqësor të
formës së prerë nr. 937, datë 25.2.2015; me
shkresën nr. 761/2 prot., datë 25.5.2015 i ka
kërkuar ekzekutimin e detyrueshëm të vendimit
gjyqësor të formës së prerë; me shkresën nr. 761/3
prot., datë 29.10.2015, në zbatim të neneve 519,
523, 527 dhe 589 të KPC-së, i ka rikujtuar subjektit
të interesuar, Bashkisë Tiranë, ekzekutimin e
detyrueshëm të vendimit.
 
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Për legjitimimin e kërkuesit
13. Gjykata ka vlerësuar vazhdimisht se çështja
e legjitimimit të kërkuesit lidhet drejtpërdrejt me
inicimin e një procesi kushtetues. Individi, në
kuptim të neneve 131/f, 134/1/g dhe 134/2 të
Kushtetutës, mund të vërë në lëvizje këtë
Gjykatë për çështje që lidhen me interesat e tij,
kur pretendon se i janë cenuar të drejtat
kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi
të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike, çka
nënkupton se ankuesi duhet të shfrytëzojë në
rrugë normale mjetet juridike, të cilat janë të
përshtatshme, të disponueshme dhe efikase për
një çështje konkrete (shih vendimin nr. 17, datë
15.3.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
14. Po ashtu, ekzekutimi brenda një afati të
arsyeshëm i një vendimi të formës së prerë të
gjykatës, në jurisprudencën kushtetuese është
konsideruar tashmë si pjesë përbërëse e së drejtës
për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të
nenit 42 Kushtetutës dhe nenit 6/1 të KEDNJsë.
Për pasojë, Gjykata vlerëson se çështja objekt
shqyrtimi përfshihet në rrethin e çështjeve të
juridiksionit kushtetues.
15. Në rastin në shqyrtim, për ekzekutimin e
vendimit gjyqësor të formës së prerë, kërkuesi i
është drejtuar debitorit për ekzekutimin vullnetar
të detyrimit, si edhe shërbimit përmbarimor për
fillimin e procedurave për ekzekutimin e
detyrueshëm. Për sa më sipër, Gjykata arrin në
përfundimin se kërkuesi legjitimohet për t’iu
drejtuar kësaj Gjykate për konstatimin e cenimit
të së drejtës për një proces të rregullt ligjor si
pasojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të
formës së prerë, pasi ai ka përdorur të gjitha
mjetet ligjore në dispozicion dhe nuk ka mjet
tjetër për rivendosjen e së drejtës të cenuar.
B. Për pretendimin për mosekzekutimin e vendimit
gjyqësor të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm
16. Gjykata ka theksuar se ekzekutimi i
vendimit përbën një element thelbësor të shtetit
të së drejtës e të vetë nocionit të gjykimit të
drejtë. Asnjë organ shtetëror nuk mund të vërë
në diskutim drejtësinë e vendimeve gjyqësore të
formës së prerë dhe për rrjedhojë detyrohet të
marrë masat përkatëse për zbatimin e tyre. Pa
dyshim që një vonesë në ekzekutimin e një
vendimi mund të justifikohet në rrethana të
veçanta, por vonesa nuk mund të jetë deri në atë
shkallë sa të dëmtojë thelbin e së drejtës (shih
vendimin nr. 28, datë 19.5.2016 të Gjykatës
Kushtetuese).
17. Gjithashtu, Gjykata ka rikonfirmuar qëndrimin
se në një çështje që përfshin përcaktimin e
një të drejte civile kohëzgjatja e procedurave 
normalisht llogaritet nga momenti i fillimit të
procedurës gjyqësore, deri në momentin kur
jepet vendimi dhe ekzekutohet ai. Faza ekzekutive
konsiderohet si fazë e mëtejshme e të njëjtit
proces. Gjithashtu, Gjykata, duke u mbështetur
edhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për
të Drejtat e Njeriut, është shprehur se kohë-
zgjatja e arsyeshme e procesit gjyqësor, përfshirë
edhe fazën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të
formës së prerë, duhet të vlerësohet nën dritën e
rrethanave të çështjes dhe duke marrë në
konsideratë kompleksitetin e çështjes, sjelljen dhe
interesin e kërkuesit, si dhe të autoriteteve
përkatëse. Për vlerësimin e kompleksitetit të
çështjes duhet të kenë rëndësi të gjitha aspektet e
çështjes, përfshi objektin e çështjes, faktet e
kundërshtuara dhe volumin e provave shkresore
(shih vendimin nr. 1, datë 21.1.2016 të Gjykatës
Kushtetuese.)
18. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se për të
arritur në përfundimin nëse në rastin konkret jemi
përpara cenimit të së drejtës për një proces të
rregullt ligjor, duhen analizuar të gjitha elementet e
sipërcituar.
i) Periudha që duhet marrë në konsideratë
19. Lidhur me periudhën e kohës që duhet marrë në
konsideratë, në rastin në shqyrtim Gjykata konstaton
se nga data kur vendimi gjyqësor ka marrë formë të
prerë (12.3.2015) deri në paraqitjen e kërkesës para
kësaj Gjykate ka kaluar një periudhë 1-vjeçare.
Gjykata çmon se një periudhë e tillë për ekzekutimin
e një vendimi gjyqësor (apo fillimin e
procedurave për ekzekutimin e vendimit) konsiderohet
si një afat i paarsyeshëm.
ii) Kompleksiteti i çështjes
20. Gjykata ka theksuar se për vlerësimin e
kompleksitetit të procedimeve duhet të kenë
rëndësi të gjitha aspektet e çështjes, përfshi objektin
e çështjes, faktet e kundërshtuara dhe volumin e
provave shkresore. Kompleksiteti i çështjes, në
balancë me parimin e sigurimit të administrimit të
përshtatshëm të drejtësisë, mund të justifikojë
kohëzgjatje kohore të konsiderueshme (shih
vendimin nr. 9, datë 14.2.2014 të Gjykatës Kushtetuese).
21. Kërkesa në shqyrtim ka për objekt ekzekutimin
e një vendimi gjyqësor nga Bashkia e Tiranës,
e cila konsiston në vijimin e procedurave për
regjistrimin e një objekti dhe të truallit funksional
në posedim të kërkuesit. Bashkia e Tiranës, me
shkresën nr. 6907/1 prot., datë 10.6.2015, ka
argumentuar se për vijimin e procedurave duhet të
plotësohen kriteret kualifikuese të parashikuara në
VKM-në nr. 608, datë 5.9.2012. Sipas Bashkisë
Tiranë, bazuar në VKM-në e lartpërmendur, procedurat
e regjistrimit mund të ndiqen vetëm për trojet
funksionale që rezultojnë në pronësi të shtetit dhe
jo ato me “pronar të pavërtetuar”, si në rastin e
kërkuesit. Gjithashtu, në prapësimet me shkrim të
paraqitura nga subjekti i interesuar, Bashkia Tiranë,
rezulton se me urdhrin nr. 271, datë 25.2.2013 dhe
urdhrin nr. 6301, datë 29.4.2014 është vendosur
ngritja e grupeve të punës për zbatimin e VKM-së
nr. 608, datë 5.9.2012, të cilat kanë si qëllim
shqyrtimin e kërkesës dhe të dokumentacionit të
depozituar nga individët sipas procedurës së
përcaktuar në VKM-në e lartpërmendur. Në këtë
drejtim, sipas Bashkisë Tiranë vetë kërkuesi ka qenë
pengesë në zbatimin e vendimit të formës së prerë,
pasi nuk ka depozituar dokumentacionin e kërkuar
për vijimin e procedurave.
22. Gjykata vlerëson se këto argumente të
subjektit të interesuar kanë qenë objekt i gjykimit të
themelit dhe rezultojnë të jenë analizuar dhe
zgjidhur tashmë nga një vendim gjyqësor, i cili nuk
është ankimuar nga subjekti i interesuar. Për pasojë,
Gjykata çmon se çështja nuk paraqitet komplekse,
duke qenë se zgjidhja e problemit faktik, që lidhet
me fillimin e procedurave për regjistrimin e objektit
dhe të truallit funksional nga ana e Bashkisë Tiranë,
nuk e bën çështjen komplekse në atë shkallë saqë të
përbëjë shkak për mosekzekutimin e vendimit
gjyqësor.
23. Përderisa çështja konkrete nuk paraqet
rrethana të veçanta apo kompleksitet që mund të
justifikojnë një vonesë në ekzekutimin e vendimit,
Gjykata vëren se vlerësimi i sjelljes së kërkuesit dhe
i autoriteteve publike është me rëndësi në këtë
kontekst.
iii) Sjellja e kërkuesit
24. Gjykata është shprehur se kohëzgjatja tej
afateve të arsyeshme për të ekzekutuar vendimet
gjyqësore të formës së prerë lidhet edhe me
veprimet ose mosveprimet e kërkuesit, të cilat
mund të kenë çuar në mosekzekutimin e vendimit
gjyqësor të formës së prerë nga autoritetet e
caktuara nga ligji.
25. Në çështjen konkrete, Gjykata konstaton se
kërkuesi nuk është bërë pengesë për realizimin e
procesit të ekzekutimit të vendimit gjyqësor të
formës së prerë. Ai ka ndjekur rigorozisht të 
gjitha veprimet e nevojshme juridike për të
finalizuar të drejtën e tij të fituar gjyqësisht, duke
iu drejtuar fillimisht vetë Bashkisë së Tiranës e
pastaj përmbaruesit gjyqësor. Për rrjedhojë,
Gjykata çmon se kërkuesi ka vepruar në
përputhje me të drejtat e tij procedurale, duke
shteruar mjetet ligjore në dispozicion të tij për
rivendosjen e së drejtës së cenuar dhe duke
shfaqur interes të vazhdueshëm për ekzekutimin
e vendimit gjyqësor të formës së prerë.
iv) Sjellja e autoriteteve
26. Për të përcaktuar sjelljen e autoriteteve në
këtë çështje është e nevojshme të vlerësohet nëse
shoqëria përmbarimore dhe Bashkia Tiranë kanë
marrë masat e nevojshme për të ekzekutuar
vendimin gjyqësor të formës së prerë.
27. Gjykata ka theksuar se shteti duhet të
marrë përsipër vazhdimisht detyrimin për të
siguruar palët pjesëmarrëse në proces se do të
kenë mundësi reale të ekzekutojnë vendimin
gjyqësor të formës së prerë dhe se e drejta për të
pasur akses në gjykatë do të ishte iluzion nëse
sistemi ligjor ose zbatimi i tij në praktikë do të
bëhej shkak që një vendim gjyqësor i formës së
prerë të mbetej inefektiv dhe i pazbatueshëm për
një kohë tepër të gjatë. Një vonesë në
ekzekutimin e një vendimi mund të justifikohet
në rrethana të veçanta, por vonesa nuk mund të
jetë në atë shkallë sa të dëmtojë thelbin e së
drejtës (shih vendimin nr. 1, datë 21.1.2016 të
Gjykatës Kushtetuese).
28. Gjykata në jurisprudencën e saj është
shprehur se i takon debitorit të gjejë një mundësi
zgjidhjeje sa më të përshtatshme, me qëllim
vënien në vend të së drejtës së kreditorit.
Autoritetet shtetërore nuk mund të justifikohen
me pamundësinë për të mos respektuar një
detyrim që vjen nga një vendim gjyqësor, por
duhet të përpiqen me të gjitha mjetet dhe
mundësitë që kanë në dispozicion për ta zbatuar
atë (shih vendimin nr. 1, datë 21.1.2016 të Gjykatës
Kushtetuese).
29. Për sa i përket sjelljes së autoriteteve,
Gjykata ka theksuar se përballë detyrimit për
zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së
prerë, të gjitha subjektet, private apo publike,
duhet të përgjigjen njëlloj. Gjithashtu, Gjykata ka
vlerësuar se edhe në ato sisteme ligjore, të cilat
zbatojnë parimin se iniciativat procedurale u
takojnë palëve, përsëri gjykatat kanë detyrimin
për të siguruar progresin e gjykimeve me
shpejtësi të mjaftueshme (shih vendimin nr. 1, datë
21.1.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
30. Duke iu kthyer rastit në shqyrtim, Gjykata
çmon se përmbaruesi gjyqësor privat, si subjekt
procedural në fushën e ekzekutimit, ka shfrytë-
zuar disa prej mjeteve procedurale që mundë-
sojnë ekzekutimin e titullit ekzekutiv, pasi pas
lajmërimeve për ekzekutimin vullnetar dhe të
detyrueshëm nuk ka kryer asnjë veprim tjetër (të
tilla si vendosje gjobe etj.). Këto veprime të
përmbaruesit, gjithsesi, kanë rezultuar të
pasuksesshme.
31. Për sa u përket veprimeve të palës
debitore, Bashkisë Tiranë, ajo ka refuzuar të
fillojë procedurat për regjistrimin e objektit dhe
të truallit funksional në posedim të kërkuesit, që
burojnë nga vendimi gjyqësor, me argumentin se
kërkuesi nuk ka depozituar dokumentacionin e
kërkuar për vijimin e procedurave, i cili provon
plotësimin e kushteve të kërkuara nga VKM-ja
nr. 608, datë 5.9.2012. Pavarësisht këtij argumenti,
Bashkia e Tiranës jo vetëm nuk ka
kundërshtuar në rrugë gjyqësore vendimin që
kërkohet të ekzekutohet, por as veprimet
përmbarimore. Për më tepër, sikurse u përmend
më lart, kriteret e parashikuara nga VKM-ja në
fjalë janë marrë në shqyrtim nga Gjykata
Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka
arritur në përfundimin se është vetë subjekti i
interesuar që ka shkelur përcaktimet e pikës 6/ç
të VKM-së, pasi nuk ka përgatitur relacionin
teknik, i cili përmban përshkrimin e hollësishëm
për verifikimin e kryer dhe përgjigjen e specifikuar
për çdo kush të përcaktuar në pikën 4 të
VKM-së. Sipas gjykatës së shkallës së parë,
punonjësit e Bashkisë Tiranë nuk kanë kryer
asnjë verifikim në terren, por kanë konkluduar
për mosplotësim të kushteve nga ana e kërkuesit
pa përfunduar kryerjen e veprimeve që VKM-ja i
ngarkon institucionit të autorizuar (Bashkisë).
32. Për sa më sipër, Gjykata çmon se Bashkia
Tiranë duhet të merrte të gjitha masat, si dhe të
gjente mjetet e duhura për ekzekutimin e
vendimit të formës së prerë dhe jo të paraqiste
arsye për ta penguar atë.
33. Si përfundim, Gjykata vlerëson se pretë-
ndimi i kërkuesit për cenimin e së drejtës për një
proces të rregullt ligjor, si rezultat i mosekzekutimit
të vendimit gjyqësor të formës së prerë 
brenda një afati të arsyeshëm, është i bazuar dhe
duhet pranuar.
 
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipë- risë, në mbështetje të neneve 131/f dhe 134/1/g të Kushtetutës, si dhe të neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, njëzëri,
 
VENDOSI:
- Pranimin e kërkesës.
- Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor si pasojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 937, datë 25.2.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Anëtarë: Bashkim Dedja (kryetar), Vitore Tusha, Sokol Berberi, Besnik Imeraj, Gani Dizdari, Vladimir Kristo, Fatos Lulo
 

Shfleto artikuj te tjere per: GJYKATA KUSHTETUESE VENDIM
Postuar nga: khoxha
ikub #:
1608050148