Tipi dhe numri i aktit  
Data e aktit Nga:    Deri:   
Numri i fletores zyrtare Nga:     Deri:    
 
   

✖Mbyll
Detajet e Aktit
Titulli: Vendim i Gjykates Kushtetuese Nr. 46, datë 19.7.2016
Tipi i Aktit: Vendim i GJK
Numri i Aktit: 46
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 19.07.2016
Data e aprovimit te Aktit: 19.07.2016
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 144
Data e fletores zyrtare: 02.08.2016
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Gjykata Kushtetuese
Pershkrimi i Aktit: Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2015-2565,datë 16.7.2015 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë (dhomë këshillimi). Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Tivari Studio
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:
VENDIM
Nr. 46, datë 19.7.2016
NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
 
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipë-
risë, e përbërë nga:
Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Vladimir Kristo anëtar i “ “
Sokol Berberi anëtar i “ “
Vitore Tusha anëtare e “ “
Altina Xhoxhaj anëtare e “ “
Gani Dizdari anëtar i “ “
Besnik Imeraj anëtar i “ “
Fatos Lulo anëtar i “ “
Fatmir Hoxha anëtar i “ “
me sekretare Edmira Babaj, në datën 3.3.2016
mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë
dokumentesh, çështjen me nr. 76/30 Akti, që u
përket palëve:
 
KËRKUES: Vath Çekrezi
Subjekte të interesuara: Tarik Llagami, Ferit
Llagami, Rudina Llagami, Ardian Llagami, Idajet
Farka, Argjend Tafaj, Fatri Tafaj, Myhyrije
Verzivolli (Llagami), Adnan Llagami, Sadete
Llagami, Adela Llagami, Mirnie Llagami,
Aleksandra Llagami, Rezarta Bana, Fatbardha
Pema (Bana), Demisha Bana, Naim Llagami,
Zyhra Dibra, Nusret Llagami, Liliana Llagami,
Mimoza Basha, Altin Llagami, Nezahet Hoxha,
Razije Manehasa, Bukurije Gjonaj, Letfije
Llagami, Indrin Llagami, Andri Llagami, Emine
Themeli, Enver Llagami, Ismail Farka, Marlind
Farka, Idit Farka, Miriam Jaupi, Perihan Kalenja,
Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës
Publike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik,
Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
OBJEKTI: Shfuqizimi si të papajtueshme me
Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimeve
nr. 12828, datë 20.12.2013 të Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Tiranë; nr. 3980, datë
18.12.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë; nr. 00-
2015-2565, datë 16.7.2015 të Kolegjit Civil të
Gjykatës së Lartë (dhomë këshillimi).
BAZA LIGJORE: Nenet 41, 42/1/2, 131/f,
134/1/g dhe 142/1/3 të Kushtetutës së Republikës
së Shqipërisë; nenet 6 dhe 41 të Konventës
Evropiane për të Drejtat e Njeriut; nenet 27 dhe
28 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin
dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese
të Republikës së Shqipërisë”.
 
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes Fatmir Hoxha, shqyrtoi pretendimet e kërkuesit, që kërkoi pranimin e kërkesës dhe pretendimet e subjekteve të interesuara, që kërkuan rrëzimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
 
VËREN:
I
1. Nga materialet bashkëlidhur kërkesës
rezulton se në vitin 1999 kërkuesi Vath Çekrezi
është shpallur fitues i ankandit për privatizimin e
objektit “Magazinë” në administrimin e Ndërmarrjes
së Furnizim Komunikacioneve (NFK)
Durrës. Me kontratën e shitjes të datës 9.2.1999
kërkuesi ka blerë objektin nga NFK-ja Durrës
dhe Agjencia Kombëtare e Privatizimit (AKP)
me çmim 4.077.820 lekë. Objekti përbëhej nga
katër pjesë të numërtuara 1, 2, 3 dhe 4. Kontrata
midis palëve për objektin në tërësi është lidhur
para noterit në datën 26.9.1999 me nr. 1093 rep.,
nr. 269 kol.
2. Pas blerjes së objektit të mësipërm, me anë
të kontratës së shitjes nr. 946 rep., nr. 224 kol.,
datë 9.4.1999, NFK-ja Durrës i ka shitur
kërkuesit një sipërfaqe trualli 241 m2
, pronë e
Parkut të Kamionëve, Tiranë. Me kontratën nr.
2898 rep., nr. 641 kol., datë 5.9.2001, AKP-ja i ka
shitur kërkuesit edhe një sipërfaqe tjetër trualli
379 m2, si edhe i ka dhënë me qira një sipërfaqetruall 44 m2
. 3. Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të
Pronave Tiranë (KKKP-ja), me vendimin nr.
585, datë 29.7.1994, ka miratuar kërkesën e
subjekteve të interesuara, trashëgimtarë të ishpronarit
Myhedin Llagami, për kthimin dhe
kompensimin e pronës që përbëhet nga një truall
i zënë me ndërtime shtetërore, si Ndërmarrja e
Spedicionit S1, me sipërfaqe 450 m2
, Parku
Automobilistik i Mallrave S2, me sipërfaqe 3428m2
, në të cilën përfshihen disa objekte, si dhe
Ofiçina e Ministrisë së Rendit Publik me
sipërfaqe 5456 m2
, në të cilën përfshihen 12
objekte. Në bazë të këtij vendimi trashëgimtarëve
të ish-pronarit Myhedin Llagami u është njohur
dhe e drejta e parablerjes për truallin me përmasa
60x84 dhe sipërfaqe 5000 m2
, si dhe për truallin e
zënë me ndërtime të përhershme me sipërfaqe
28.302 m2
. Vendimi është saktësuar me vendimin
nr. 26, datë 17.5.1995 të KKKP-së Tiranë, duke
iu kthyer fizikisht 2300 m2
brenda sipërfaqes së
njohur sipas vendimit nr. 585, datë 29.7.1994 të
KKKP-së Tiranë.
4. KKKP-ja Tiranë, me vendimin nr. 321,
datë 16.9.2000, ka vendosur t’i kthejë pronësinë
trashëgimtarëve Llagami për truallin me sipërfaqe
prej 8093 m2
, si dhe t’i njohë dhe t’i kthejë
pronësinë për truallin dhe sheshin me sipërfaqe
prej 27.613 m2 me zbatimin e planit urbanistik të
miratuar nga KRRT-ja Tiranë. Të gjitha sipërfaqet
ndodhen brenda sipërfaqes prej 43. 302 m2
të njohur me vendimin nr. 585, datë 29.7.1994 të
KKKP-së Tiranë.
5. Vendimi nr. 585, datë 29.7.1994 i KKKPsë,
i plotësuar me vendimin nr. 321, datë
16.9.2000 të KKKP-së, është bërë objekt i
shqyrtimit administrativ. Me vendimin nr. 200,
datë 4.9.2007, drejtori i AKKP-së ka vendosur
shfuqizimin e pikave 1 dhe 2 të vendimit nr. 321,
datë 16.9.2000 të KKKP-së, që parashikonin
kompensimin fizik të subjekteve të interesuara
me një sipërfaqe tjetër trualli dhe ndryshimin e
vendimit nr. 585, datë 29.7.1994 të KKKP-së,
duke u njohur për këto sipërfaqe trualli të drejtën
e kompensimit në një nga mënyrat e parashikuara
në ligj.
6. Mbi ankimin e subjekteve të interesuara Tarik
Llagami, Ferit Llagami etj.; Gjykata e Rrethit
Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 364, datë
24.1.2008, ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë,
anulimin tërësisht të aktit administrativ, vendimi nr.
200, datë 4.9.2007 të drejtorit të përgjithshëm të
Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
Tiranë. Pasi vendimi ka marrë formë të prerë,
kërkuesi i është drejtuar Gjykatës së Lartë me
kërkesë për rishikimin e vendimit. Kolegjit Civil i
Gjykatës së Lartë (dhomë këshillimi), me vendimin
nr. 00-2012-2700, datë 20.12.2012, ka vendosur
mospranimin e kërkesës për rishikimin e vendimit.
7. Kundër këtij vendimi kërkuesi ka paraqitur
kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila me
vendimin nr. 15, datë 17.1.2014, ka vendosur
moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë
plenare.
8. Subjektet e interesuara në gjykimin kushtetues,
në cilësinë e trashëgimtarëve të ish-pronarit, i
janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
me padi me objekt konstatimin e pavlefshmërisë
absolute të kontratave sipërcituara të lidhura
ndërmjet kërkuesit, NFK-së dhe AKP-së.
9. Me vendimin nr. 12828, datë 20.12.2013,
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur
pranimin e kërkesëpadisë: Konstatimin e pavlefshmërisë
absolute të kontratës së shitjes të datës
9.2.1999 e lidhur midis NFK- së Durrës, në cilësinë
e shitësit dhe kërkuesit Vath Çekrezi në cilësinë e
blerësit, për shitjen e objektit “Magazinë”, me
sipërfaqe 423.4 m2
të ndodhur në Rrugën e
Kavajës, Tiranë, si dhe kthimin e palëve në
gjendjen e mëparshme. Konstatimin e pavlefshmerisë
absolute të kontratës së shitblerjes nr.
1093/269 kol, datë 26.2.1999 të lidhur midis NFKsë
Durrës, në cilësinë e shitësit dhe kërkuesit, në
cilësinë e blerësit, për shitjen e objektit “Magazinë”,
të ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë, si dhe
kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme.
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të
kontratës së shitjes nr. 946/224, datë 9.4.1999 të
lidhur midis NFK-së Durrës, në cilësinë e shitësit
dhe të paditurit Vath Çekrezi, në cilësinë e
blerësit, për shitjen e truallit prej 241 m2, të
ndodhur në Rrugën e Kavajës Tiranë dhe 
Fletorja Zyrtare Viti 2016 – Numri 144
Faqe|11389
kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme.
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës
së shitjes nr. 2898/641, datë 5.9.2002 lidhur
midis palës së paditur, AKP–së, në cilësinë e
shitësit dhe të paditurit Vath Çekrezi, në cilësinë
e blerësit, për shitjen e truallit me sipërfaqe 379m2 dhe dhënien me qira të truallit prej 44 m2 , të
ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë, si dhe
kthimin e palëve ne gjendjen e mëparshme.
Çregjistrimin nga regjistri hipotekor nr. 485, datë
15.3.1999 të pasurive të paluajtshme nr. 6/61 dhe
6/62 të ndodhur në Zonën Kadastrale nr. 8250,
nga emri i të paditurit Vath Çekrezi.”
10. Me vendimin nr. 3980, datë 18.12.2014,
Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur lënien në
fuqi të vendimit të mësipërm. Kundër këtij
vendimi kërkuesi ka paraqitur rekurs në Gjykatën
e Lartë.
11. Me vendimin nr. 00-2015-2565, datë
16.7.2015, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
(dhomë këshillimi) ka vendosur mospranimin e
rekursit të paraqitur nga kërkuesi Vath Çekrezi.
 
II
12. Kërkuesi Vath Çekrezi i është drejtuar
me kërkesë Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) për
shfuqizimin e vendimeve objekt kërkese, duke
parashtruar në mënyrë të përmbledhur si vijon:
12.1. Është cenuar parimi i paanësisë në
gjykim. Gjyqtarët Z.P. dhe Z.S., të cilët kanë
shqyrtuar çështjen në apel, kanë marrë pjesë edhe
në gjykime të tjera të lidhura me çështjen objekt
gjykimi. Konkretisht, gjyqtari Z.P. ka qenë pjesë
e trupit gjykues në gjykimin e çështjes civile me
paditës kërkuesin dhe të paditur Bashkinë e
Tiranës, që i përket vendimit nr. 2019, datë
4.11.2010. Ndërsa gjyqtarja Z.S. ka marrë pjesë
në gjykimin e çështjes penale që i përket vendimit
nr. 122, datë 10.2.2014. Këto procese kanë lidhje
të drejtpërdrejtë me çështjen në shqyrtim.
Gjyqtarët edhe pse kishin dijeni për këto fakte,
nuk kanë dhënë dorëheqjen nga gjykimi i
çështjes.
12.2. Parimi i paanësisë nuk është respektuar
as në gjykimin në Gjykatën e Lartë, pasi gjyqtari
A.B., i cili ka qenë relator i çështjes, ka marrë
pjesë më parë në gjykimin e një çështjeje tjetër
me të njëjtët paditës për shfuqizimin e vendimit
nr. 321, datë 16.9.2000 të KKKP-së, gjykim që
ka përfunduar në favor të këtyre subjekteve me
vendimin nr. 364, datë 24.1.2008 të Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Tiranë.
12.3. Gjatë procesit gjyqësor nga gjykatat janë
lejuar shkelje të rënda procedurale që lidhen me
mënyrën e hartimit dhe të paraqitjes së kërkesë-
padisë, parregullsi të njoftimeve, si edhe parregullsi
në krijimin e ndërgjyqësisë. Në dosje ka
munguar dëshmia e trashëgimisë ligjore për
trashëgimlënësin M.Ll. Edhe pse dëshmia është
paraqitur për herë të parë në gjykim nga kërkuesi,
duke kërkuar riçeljen e hetimit gjyqësor, gjykata e
ka anashkaluar këtë fakt. Po ashtu, gjykata nuk ka
respektuar dispozitat procedurale që rregullojnë
zëvendësimin procedural të palëve.
12.4. Gjykatat nuk kanë respektuar nenin 79/a
të KPC-së, duke mos thirrur në gjykim Avokaturën
e Shtetit për të përfaqësuar dhe mbrojtur
interesat e ish-pronarit shtet, i cili me ankand të
rregullt ia ka shitur këtë pronë kërkuesit.
12.5 Gjykatat nuk kanë zhvilluar një hetim të
plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, në përputhje
me nenin 14 të KPC-së, duke mos bërë një
cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që
lidhen me mosmarrëveshjen objekt gjykimi. Ato
nuk kanë vlerësuar në mënyrë objektive
vendimet e KKKP-së të dhëna në favor të palës
tjetër, gjë që ka çuar në cenimin e së drejtës së
pronësisë së kërkuesit.
12.6 Gjykata e Lartë në dhomën e këshillimit
nuk rezulton të ketë marrë në shqyrtim rekursin
e paraqitur nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës
Publike në Ministrinë e Financave, por vetëm atë
të paraqitur nga kërkuesi, veprime këto që janë
bërë pa praninë e palëve dhe në një kohë tepër të
shkurtër, 2 muaj.
12.7 Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (dhomë
këshillimi), me vendimin nr. 00-2015-2565, datë
16.7.2015, ka cenuar parimin e arsyetimit të
vendimit, pasi nuk ka marrë në shqyrtim pretë-
ndimet e parashtruara në rekurs. Gjithashtu, në
vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
dhe të Gjykatës së Apelit Tiranë mungon
argumentimi i plotë ligjor për pavlefshmërinë
absolute të secilën kontratë shitblerjeje të pronës.
13. Subjektet e interesuara Tarik Llagami,
Ferit LLagami, Rudina Llagami, Ardian
Llagami, Idajet Farka, Argjent Tafaj, Fatri
Tafaj, Adnan Llagami, Sadete Llagami,
Adela Llagami, Mirnie Llagami, Aleksandra
Llagami, Rezarta Bana, Fatbardha Pema 
(Bana), Demisha Bana, Naim Llagami,
Lumturije Llagami, Shpëtim Llagami,
Sabina Llagami, Zyhra Dibra, Nusret
Llagami, Liliana Llagami, Mimoza Basha,
Altin Llagami, Nezahet Hoxha, Razije
Manehasa, Bukurije Gjonaj, Letfije Llagami,
Indrin Llagami, Andri Llagami, Emine
Themeli, Enver Llagami, Ismail Farka,
Marlind Farka, Idit Farka, Miriam Jaupi dhe
Perihan Kalenja, kanë parashtruar me shkrim
duke argumentuar si vijon:
13.1 Pretendimi për cenimin e parimit të
paanësisë nga gjyqtarët Z.P. dhe Z.S. është i
pabazuar. Këta gjyqtarë kanë marrë pjesë në
gjykime të mëparshme, por në këto gjykime nuk
kanë marrë në shqyrtim dhe nuk kanë vlerësuar
fakte që kanë lidhje me thelbin dhe shkakun e
çështjes civile objekt gjykimi.
13.2 I njëjti argumentim qëndron dhe për
gjyqtarin A.B., i cili ka gjykuar çështjen në
Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjatë këtij
gjykimi ky gjyqtar nuk është shprehur në lidhje
me vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e vendimit
nr. 321/2000 të KKKP-së. Pjesëmarrja e
gjyqtarit në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë
(dhomë këshillimi) nuk ndikon në paanshmërinë
e tij për vlerësimin e pretendimeve të parashtruara
në rekurs. Vlerësimi në dhomë këshillimi ka
lidhje vetëm me verifikimin e shkaqeve të
ngritura nga ana formale.
13.3 Pretendimi se nuk është marrë në
shqyrtim rekursi i paraqitur nga Drejtoria e
Drejtimit të Pronës Publike në Ministrinë e
Financave është i pabazuar. Fakti se ky subjekt ka
paraqitur rekurs është pasqyruar edhe në
vendimin e Gjykatës së Lartë.
13.4 Pretendimi për mosthirrjen e Avokaturës
së Shtetit në gjykim është i pabazuar.
Njoftimi i këtij institucioni nga gjykata është bërë
rregullisht dhe nuk është paraqitur nuk u
zhvilluar gjykimi në mungesë. Në këtë formë ka
shprehur qëndrimin e tij.
14. Subjekti i interesuar, Ministria e Zhvillimit
Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe
Sipërmarrjes, nuk ka paraqitur parashtrime me
shkrim.
15. Subjekti i interesuar, Drejtoria e Administrimit
dhe Shitjes së Pronës Publike, nuk ka paraqitur
parashtrime me shkrim.
 
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Lidhur me legjitimimin e kërkuesit
16. Kërkuesi legjitimohet ratione personae, në
kuptim të neneve 131/f dhe 134/1/g të Kushtetutës
dhe ratione temporis, pasi kërkesa është paraqitur
brenda afatit ligjor 2-vjeçar të parashikuar
në nenin 30/2 të ligjit nr. 8577/2000, “Për
organizimin dhe funksionimin e Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
17. Në lidhje me legjitimimin ratione materiae,
kërkuesi ka pretenduar se gjykatat nuk kanë
zhvilluar një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të
çështjes, se gjatë gjykimit ka pasur parregullsi që
lidhen me mënyrën e hartimit dhe paraqitjes së
kërkesëpadisë, parregullsi të njoftimeve dhe
parregullsi në krijimin e ndërgjyqësisë, për shkak
të mosrespektimit të dispozitave procedurale që
rregullojnë zëvendësimin procedural të palëve, si
edhe për shkak të mosthirrjes në gjykim të
Avokaturës së Shtetit. Kërkuesi ka pretenduar
cenimin e parimit të arsyetimit të vendimit dhe të
parimit të paanshmërisë gjatë gjykimit nga gjykatat
e zakonshme dhe nga Kolegji Civil i Gjykatës
së Lartë (dhomë këshillimi).
18. Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkuesit
që lidhet me zhvillimin e hetimit gjyqësor të plotë
dhe të gjithanshëm ka të bëjë me zbatimin e ligjit
dhe vlerësimin e fakteve nga gjykatat e
zakonshme, e si i tillë nuk hyn në juridiksionin
kushtetues. Lidhur me pretendimet për parregullsitë
në formimin e ndërgjyqësish dhe mosrespektimin
e dispozitave procedurale që rregullojnë
zëvendësimin procedural të palëve, Gjykata
vlerëson se në kuptim të nenit 134/2 të
Kushtetutës kërkuesi, si subjekt i kushtëzuar, i
parashikuar në pikën 1/g të po këtij neni mund
të bëjë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me
interesat e tij të drejtpërdrejta, si edhe duhet të
provojë se në ç’mënyrë ai është cenuar në të
drejtën e tij për një proces të rregullt ligjor.
19. Për sa më sipër, Gjykata vëren se për sa
kohë që kërkuesi parashtron pretendime që nuk
lidhen me cenimin e drejtpërdrejt të së drejtës së
tij për një proces të rregullt ligjor, ai nuk
legjitimohet, pasi i mungon interesi vetjak për të
ngritur këto pretendime.
20. Gjykata vlerëson se kërkesa e kërkuesit
Vath Çekrezi duhet të shqyrtohet vetëm për 
pretendimin e cenimit të parimit të paanësisë
gjatë gjykimit. Në vijim, Gjykata merr në
shqyrtim pretendimin e kërkuesit.
B. Për themelin e çështjes, për pretendimin e cenimit të
parimit të paanësisë në gjykim
21. Kërkuesi ka pretenduar se është cenuar
parimi i paanësisë në gjykim. Sipas kërkuesit,
gjyqtarët Z.P. dhe Z.S., të cilët kanë shqyrtuar
çështjen në apel, kanë marrë pjesë edhe në
gjykime të tjera që lidhen me çështjen objekt
shqyrtimi. Konkretisht, gjyqtari Z.P. ka qenë
pjesë e trupit gjykues edhe në gjykimin e çështjes
civile me paditës kërkuesin dhe të paditur
Bashkinë Tiranë, që i përket vendimit nr. 2019,
datë 4.11.2010 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Ndërsa gjyqtarja Z.S. ka marrë pjesë në gjykimin
e çështjes penale që i përket vendimit nr. 122,
datë 10.2.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë. Sipas
tij, këto procese kanë lidhje të drejtpërdrejtë me
çështjen në shqyrtim. Gjyqtarët edhe pse kishin
dijeni për këto fakte nuk kanë dhënë dorëheqjen
nga gjykimi i çështjes.
22. Gjithashtu, kërkuesi ka pretenduar ceni-min
e parimit paanësisë edhe gjatë gjykimit në Gjykatën
e Lartë. Sipas tij, gjyqtari A.B., anëtar i Kolegjit
Civil, që ka shqyrtuar çështjen në dhomën e
këshillimit, ka gjykuar një çështje tjetër civile me
palë paditëse subjektet e interesuara në gjykimin
kushtetues dhe të paditur AKKP-në Tiranë, me
objekt shfuqizimin e vendimit nr. 200, datë
4.9.2007 të drejtorit të përgjithshëm të AKKP-së.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Rrethit
Gjyqësor Tiranë, me trup gjykues të përbërë prej
gjyqtarit A.B., me vendimin nr. 364, datë 24.1.2008,
ka vendosur pranimin e kërkesë-padisë.
23. Një nga elementet e rëndësishme të procesit
të rregullt ligjor, garantuar nga neni 42 i
Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Evropiane për
të Drejtat e Njeriut, është gjykimi i çështjes nga një
gjykatë e paanshme. Gjykata në jurispru-dencën e
saj lidhur me standardet e parimit të paanësisë ka
vlerësuar se fakti i pjesëmarrjes së të njëjtit gjyqtar
në dy gjykime të iniciuara nuk sjell apriori cenim të
parimit të paanshmërisë, pasi çdokush mund të
iniciojë të njëjtën gjykatë dhe të njëjtët gjyqtarë për
çështje të ndryshme, por i ndryshëm është
qëndrimi kur i njëjti gjyqtar ose gjykatë gjykon të
njëjtën çështje gjyqësore (shih vendimin e nr. 21, datë
29.4.2010 të Gjykatës Kushtetuese).
24. Në rastin në shqyrtim, rezulton se gjyqtari
Z.P. ka qenë pjesë e trupit gjykues në gjykimin në
apel të çështjes civile me paditës kërkuesin dhe të
paditur Bashkinë Tiranë me objekt detyrimin e
kësaj të fundit për shpërblimin e dëmit, si pasojë
e prishjes së një pjese të magazinës në pronësi të
kërkuesit, për efekt të rikonstruksionit të
infrastrukturës së Rrugës së Kavajës. Gjykata e
Apelit Tiranë, me vendimin nr. 2019, datë
4.11.2010, ka vendosur pranimin pjesërisht të
kërkesëpadisë lidhur me vlerën e shpërblimit.
25. Për sa i takon pretendimit për paanshmërinë
e gjyqtares Z.S., gjatë gjykimit në apel,
rezulton se ka qenë pjesë e trupit gjykues për
gjykimin e çështjes lidhur me pushimin e çështjes
penale të regjistruar në bazë të kallëzimit të
kërkuesit kundër trashëgimtarëve Llagami për
kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”,
konkretisht për falsifikimin e vendimit nr.
321, datë 16.9.2000 të KKKP-së. Gjykata e
Apelit Tiranë, me vendimin nr. 122, datë
10.2.2014, ka vendosur prishjen e vendimit të
datës 15.11.2012, “Për pushimin e çështjes
penale nr. 3809, viti 2012” të Prokurorisë së
Rrethit Gjyqësor Tiranë.
26. Gjykata konstaton se çështjet ku kanë
marrë pjesë gjyqtarët Z.S. dhe Z.P. janë çështje
me palë, objekt e shkak ligjor të ndryshëm nga
çështja objekt shqyrtimi në gjykimin kushtetues.
Konkretisht, çështja ku ka marrë pjesë gjyqtari
Z.P. ka si palë paditëse kërkuesin dhe të paditur
Bashkinë Tiranë, objekt detyrimin e kësaj të
fundit për shpërblimin e dëmit, si pasojë e
prishjes së një pjese të magazinës në pronësi të
kërkuesit, për efekt të rikonstruksionit të infrastrukturës
së Rrugës së Kavajës. Vlerësimet që
gjyqtari ka bërë në shqyrtimin e çështjes për
shpërblimin e dëmit nuk janë të njëjta me ato të
bëra në shqyrtimin e çështjes për konstatimin e
pavlefshmërisë së kontratave të kërkuesit.
Çështja ku marrë pjesë gjyqtarja Z.S. lidhet me
pushimin e çështjes penale të regjistruar në bazë
të kallëzimit të kërkuesit kundër trashëgimtarëve
Llagami për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i
dokumenteve”, çështje me natyrë të ndryshme
nga çështja konkrete. Si rrjedhim, Gjykata
vlerëson se pretendimi i kërkuesit për cenimin e
parimit të paanësisë nga gjyqtarët Z.P. dhe Z.S.
është i pabazuar.
27. Për pretendimin e kërkuesit për cenimin e
parimit të paanësisë gjatë gjykimit në Gjykatën e
Lartë, Gjykata konstaton se bazuar në dosjen
gjyqësore rezulton se gjyqtari A.B. ka gjykuar në
Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, edhe
çështjen civile me palë paditëse subjektet e
interesuara dhe të paditur Agjencinë e Kthimit
dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, me objekt
shfuqizimin e vendimit nr. 200, datë 4.9.2007 të
drejtorit të përgjithshëm të AKKP-së, Tiranë. Në
përfundim të tij, me vendimin nr. 364, datë
24.1.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka
vendosur pranimin e kërkesëpadisë duke shfuqizuar
pikat 1 dhe 2 të vendimit nr. 321, datë
16.9.2000 të KKKP-së Tiranë. Duke iu referuar
përmbajtjes së vendimit nr. 364, datë 24.1.2008
të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, rezulton
se çështja u përket të njëjtave prona objekt
konflikti në çështjen në shqyrtim.
28. Në jurisprudencën e saj Gjykata ka theksuar
se parimi i paanshmërisë ka në vetvete elementin e
vet subjektiv, i cili lidhet ngushtë me bindjen e
brendshme që krijon gjyqtari për zgjidhjen e
çështjes në gjykim, si dhe elementin objektiv, me të
cilin kuptohet dhënia e garancive të nevojshme për
gjykim të paanshëm nga vetë gjykata, përmes
mënjanimit nga vetë ajo të çdo dyshimi të përligjur
në këtë drejtim. Ndër të tjera, gjykata merr parasysh
veçanërisht problemin e përbërjes së trupit gjykues,
në mënyrë që të mënjanohen nga gjykimi i çështjes
gjyqtarët që nuk kanë garancitë e kërkuara për
paanshmëri në kuptimin objektiv. Gjykata çmon se
paragjykimi eventual për paanësinë e gjyqtarit
mund të ngrihet në hipotezën se gjyqtari është
shprehur në një procedim tjetër me një vlerësim që
ka të bëjë me përmbajtjen e të njëjtit fakt, në lidhje
me të njëjtin subjekt. Në shtetin e së drejtës kërkesa
për një gjykim të paanshëm merr rëndësi të veçantë
në funksion të besimit në dhënien e drejtësisë, që
në shoqëritë demokratike duhet ta krijojnë në çdo
rast jo vetëm palët në gjykim, por dhe çdo qytetar i
thjeshtë (shih vendimet nr. 21, datë 29.4.2010; nr. 12,
datë 13.4.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
29. Jurisprudenca e Gjykatës ka evidentuar se
parimi i paanshmërisë në gjykim, në këndvë-
shtrim të përbërjes së trupit gjykues, duhet të
respektohet në çdo shkallë të gjykimit, duke mos
përjashtuar as shqyrtimin e çështjes në dhomën e
këshillimit të Gjykatës së Lartë. Për Gjykatën
është konsideruar gjykatë e njëanshme trupi
gjykues në përbërje të të cilit ka qenë i pranishëm
qoftë edhe vetëm një gjyqtar i cili, në kënd-vështrimin
objektiv nuk jepte garanci për një gjykim
të paanshëm. Gjykata ka theksuar se “...thjesht
dhe vetëm pjesëmarrja e një apo më shumë gjyqtarëve
në një procedim të mëparshëm, pavarë-
sisht nga ndikimi i prezencës dhe i mendimit të
tyre në të gjithë trupin gjykues, është një arsye e
mjaftueshme dhe njëkohësisht një garanci më
pak për kërkuesin, tek i cili është krijuar dyshimi i
bazuar, se gjykata nuk ka qenë e paanshme në
shqyrtimin e kësaj çështjeje” (shih vendimin nr.
48, datë 30.7.1999 të Gjykatës Kushtetuese).
30. Gjykata konstaton se në çështjen konkrete
vendimet gjyqësore objekt i gjykimit kushtetues
kanë si objekt konstatimin e pavlefshmërisë
absolute të kontratave të shitjes të lidhura mes
kërkuesit, ish-NFK-së, Durrës dhe ish-AKP-së.
Padia e subjekteve të interesuara është bazuar
edhe në vendimin nr. 321, datë 16.9.2000 të
KKKP-së Tiranë, i cili ka plotësuar vendimin nr.
585, datë 29.7.1994 të KKKP-së, vendime që iu
njihnin të drejtën e parablerjes edhe për objekte
të blera më parë prej kërkuesit. Me vendimin nr.
200, datë 4.9.2007 drejtori i AKKP-së ka
vendosur shfuqizimin e pikave 1 dhe 2 të
vendimit nr. 321, datë 16.9.2000 të KKKP-së, që
parashikonin kompensimin fizik të subjekteve të
interesuara me një sipërfaqe tjetër trualli dhe
ndryshimin e vendimit nr. 585, datë 29.7.1994 të
KKKP-së duke u njohur për këto sipërfaqe
trualli të drejtën e kompensimit në një nga
mënyrat e parashikuara në ligj.
31. Gjykata konstaton se gjyqtari A.B. ka
gjykuar në themel çështjen lidhur me shfuqizimin
e vendimi nr. 200, datë 4.9.2007 të drejtorit të
përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit
të Pronave, duke vendosur shfuqizimin
e këtij vendimi e për rrjedhojë konfirmimin e
ligjshmërisë së vendimit nr. 321, datë 16.9.2000
të KKKP-së Tiranë.
32. Gjykata, gjithashtu, konstaton se bazuar në
materialet e dosjes subjektet e interesuara Ferik
Llagami etj. i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me
kërkesë për gjykimin e çështjes me procedurë të
përshpejtuar për shkak se zvarritja e mëtejshme e
çështjes do të sillte dëm ekonomik. Në vijim të
kësaj shkrese gjyqtari relator A.B., me shkresë
drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë, është
shprehur se “çështja përfshihet në ato raste për t’u gjykuar 
me procedurë të përshpejtuar, për faktin se paditësi është
njohur pronar mbi sipërfaqen objekt konflikti dhe për më
tepër i është dhënë dhe e drejta e parablerjes së këtyre
objekteve dhe zgjatja e mëtejshme e gjykimit do të bënte që
subjektet e interesuara të humbasin të drejtat e fituara me
vendim të KKKP-së”.
33. Gjykata, bazuar në rrethanat e mësipërme të
çështjes konkrete dhe në standardet e përcaktuara
në jurisprudencën kushtetuese për parimin e
paanësisë, vlerëson se pjesëmarrja e gjyqtarit A.B.
në dhënien e vendimit nr. 364, datë 24.1.2008 të
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe në
dhënien e vendimit nr. 00-2015-2565, datë
16.7.2015 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë
(dhomë këshillimi), nuk ka garantuar respektimin e
parimit të paanësisë dhe ka krijuar dyshime në
këndvështrimin e testit objektiv të këtij parimi.
34. Në përfundim, Gjykata vlerëson se
pretendimi i kërkuesit Vath Çekrezi se Gjykata e
Lartë gjatë gjykimit ka cenuar të drejtën për një
proces të rregullt, e parashikuar nga neni 42 i
Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ, në aspektin e
parimit të paanësisë është i bazuar dhe se kërkesa duhet të pranohet.
 
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 131/f dhe nenit 134/1/g, të Kushtetutës, si dhe të neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,
 
VENDOSI:
- Pranimin pjesërisht të kërkesës2.
- Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2015-2565,datë 16.7.2015 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë (dhomë këshillimi).
Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
 
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
 
Anëtarë pro: Bashkim Dedja (kryetar), Sokol Berberi, Vladimir Kristo, Fatmir Hoxha, Fatos Lulo
2 Gjyqtari Fatmir Hoxha ka qenë edhe për pranimin e pretendimit të cenimit të parimit të paanësisë nga gjyqtarja Z.S. gjatë gjykimit nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Anëtarë kundër: Gani Dizdari, Altina Xhoxhaj, Vitore Tusha, Besnik Imeraj
 
MENDIM PAKICE
1. Për arsye se nuk ndajmë të njëjtin mendim
me shumicën për pranimin pjesërisht të kërkesës
së paraqitur nga kërkuesi Vath Çekrezi dhe, për
rrjedhojë, shfuqizimin e vendimit nr. 00-2015-
2565, datë 16.7.2015 të Kolegjit Civil të Gjykatës
së Lartë (dhomë këshillimi), vlerësojmë të paraqesim
shkurtimisht argumentet për qëndrimin
tonë në pakicë.
2. Sipas shumicës, Gjykata e Lartë ka cenuar
parimin e gjykimit nga një gjykatë e paanshme
për shkak të pjesëmarrjes në Kolegjin Civil, që ka
vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur
nga kërkuesi, të gjyqtarit A.B., i cili ka gjykuar më
parë si gjyqtar i vetëm një padi të paraqitur nga
pala paditëse në proces me objekt shfuqizimin e
vendimit nr. 200, datë 4.9.2007 të drejtorit të
AKP-së (vendimi nr. 364, datë 24.1.2008 i
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë).
3. Gjykata ka theksuar se gjykimi nga një
gjykatë e paanshme është një nga elementet e
rëndësishme të procesit të rregullt ligjor, i
garantuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i
KEDNJ-së. Një gjykatë duhet të jetë e paanshme
jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë të
shprehur. E drejta për t’u gjykuar përpara një
gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme,
të caktuar me ligj, kërkon që drejtësia jo vetëm
duhet të bëhet, por ajo, gjithashtu, duhet të
shikohet që bëhet (shih vendimin nr. 25, datë
11.6.2013 të Gjykatës Kushtetuese). Në kuptim të
nenit 42/2 të Kushtetutës, respektimi i këtij
parimi duhet të verifikohet duke zbatuar dy teste,
testin subjektiv, i cili në thelb kërkon të provuarit
e faktit që bindja personale ose interesi i një
gjyqtari kanë ndikuar në vendimin e gjykatës dhe,
gjithashtu, testin objektiv, i cili kërkon të
provuarit nëse gjyqtari ka ofruar garanci të
mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim të
arsyeshëm në këtë drejtim. Në kuptim të testit
subjektiv, paanshmëria e gjyqtarëve duhet të
prezumohet derisa të provohet e kundërta. Për sa
i përket testit objektiv, ai nënkupton se veç
sjelljes personale të çdo anëtari të trupit gjykues,
duhet të provohet nëse ka fakte bindëse, të cilat
vënë në dyshim paanshmërinë. Në këtë kuadër
edhe dukja e jashtme mund të ketë një farë 
rëndësie (shih vendimin nr. 6, datë 16.2.2015 të
Gjykatës Kushtetuese).
4. Gjykata ka vlerësuar se fakti i pjesëmarrjes
së të njëjtit gjyqtar në dy gjykime të iniciuara nga
kërkuesi nuk sjell a priori cenim të parimit të
paanshmërisë, pasi çdokush mund të iniciojë të
njëjtën gjykatë dhe të njëjtët gjyqtarë për çështje
të ndryshme, por i ndryshëm është qëndrimi kur
i njëjti gjyqtar ose gjykatë gjykon të njëjtën
çështje gjyqësore (shih vendimin e Gjykatës
Kushtetuese nr. 21, datë 29.4.2010). Bazuar në nenin
72/4 të KPC-së, një nga rastet për përjashtimin e
gjyqtarit nga gjykimi është kur ai ka marrë pjesë
në gjykimin e çështjes në një shkallë tjetër të
procesit. Kjo dispozitë kërkon përjashtimin e
gjyqtarit që ndodhet në situatën kur i duhet të
përshkojë të njëjtin itinerar logjik që ka ndjekur
tashmë në një gjykim të mëparshëm për të
njëjtën çështje gjyqësore. Dyshimi i mundshëm
për paanshmërinë e gjyqtarit mund të ngrihet në
hipotezën se gjyqtari është shprehur në një
procedim tjetër me një vlerësim që ka të bëjë me
përmbajtjen e të njëjtit fakt, në lidhje me të
njëjtin subjekt, pra në rastin kur gjyqtari ka
manifestuar bindjen e tij në një shkallë tjetër të
procesit.
5. Në këndvështrim të standardeve të
mësipërme vlerësojmë se në rastin konkret nuk
është cenuar parimi i paanshmërisë në gjykim. Nga
aktet e çështjes rezulton se në vendimin nr. 364,
datë 24.1.2008, gjyqtari A.B. është ndalur në
mënyrën e interpretimit dhe të zbatimit të ligjit për
kthimin dhe kompensimin e pronës, si edhe në
elementet formale të aktit të kundërshtuar. Ai nuk
ka bërë vlerësime që lidhen me konfliktin gjyqësor
në fjalë apo me vlefshmërinë e titujve të
kundërshtuar në procesin në fjalë. Me tej, bazuar në
dispozitat procedurale që rregullojnë procedurat e
shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, në
dhomën e këshillimit verifikohet vetëm legjitimiteti
i kërkuesit, bazueshmëria në ligj e rekursit, si dhe
prania e kritereve ligjore për kalimin e çështjes në
seancë gjyqësore, ndërsa në shqyrtimin e çështjes
në seancë gjyqësore shqyrtohet bazueshmëria e
vendimeve gjyqësore të kundërshtuara, pra themeli
i çështjes. Gjyqtarit që ka shqyrtuar në dhomë
këshillimi nëse rekursi i paraqitur plotëson ose jo
kriteret ligjore, nuk i duhet të përshkojë të njëjtin
itinerar logjik të ndjekur më parë prej tij gjatë
shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.
6. Në këtë kuptim, edhe pse çështjet konkrete
ku ka marrë pjesë ky gjyqtar i referohen të njëjtës
pronë dhe të njëjtave subjekte, vlerësimet që ai ka
bërë në shqyrtimin e tyre nuk janë të njëjta.
Gjykata, edhe pse ka theksuar se ajo e vlerëson
respektimin e standardeve të së drejtës për një
proces të rregullt ligjor rast pas rasti, duke pasur
parasysh rrethanat e çështjes konkrete, në rastin në
fjalë ajo ka vlerësuar a priori cenimin e këtij parimi,
duke mbajtur një qëndrim formalist dhe pa
mundur të argumentojë se cilat janë ato vlerësime
të gjyqtarit të cilat shprehin qëndrimin e tij në lidhje
me zgjidhjen e çështjes në fjalë dhe që e bëjnë atë
të duket i njëanshëm në sytë e palëve në gjykim, pra
se cilat janë ato veprime e sjellje konkrete të
gjyqtarit që vënë në dyshim paanshmërinë e tij në
gjykimin në fjalë.
7. Për të gjitha argumentet e mësipërme,
vlerësojmë se kërkesa e paraqitur nga Vath Çekrezi
është e pabazuar, për rrjedhojë Gjykata duhej të
vendoste rrëzimin e saj.
Anëtarë: Besnik Imeraj, Gani Dizdari, Altina Xhoxhaj

Shfleto artikuj te tjere per: GJYKATA KUSHTETUESE VENDIM
Postuar nga: khoxha
ikub #:
1608050151