Tipi dhe numri i aktit  
Data e aktit Nga:    Deri:   
Numri i fletores zyrtare Nga:     Deri:    
 
   

✖Mbyll
Detajet e Aktit
Titulli: Vendim i Gjykates Kushtetuese Nr. 47, datë 22.7.2016
Tipi i Aktit: Vendim i GJK
Numri i Aktit: 47
Statusi i Aktit: I ndryshuar
Data e Aktit: 22.07.2016
Data e aprovimit te Aktit: 22.07.2016
Numri i neneve: --
Numri i fletores zyrtare: 144
Data e fletores zyrtare: 02.08.2016
Aktiviteti: --
Propozuar nga: Gjykata Kushtetuese
Pershkrimi i Aktit: Refuzimin e kërkesës.
Tivari Studio
Permbajtja e Aktit 
  
Permbajtja:
VENDIM
Nr. 47, datë 22.7.2016
NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga:
Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Vladimir Kristo anëtar i “ “
Sokol Berberi anëtar i “ “
Vitore Tusha anëtare e “ “
Fatmir Hoxha anëtar i “ “
Gani Dizdari anëtar i “ “
Fatos Lulo anëtar i “ “
Besnik Imeraj anëtar i “ “
me sekretare Brunilda Bara, në datën 3.6.2016
mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë
dokumentesh, çështjen me nr. 27 Akti, që i përket:
KËRKUES: Neritan Tabaku
SUBJEKT I INTERESUAR: Këshilli i Lartë i Drejtësisë
OBJEKTI: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr. 5, datë 12.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
BAZA LIGJORE: Nenet 7, 30, 42, 131/f,
134/1/g, 134/2 dhe 147/6 të Kushtetutës së  Republikës së Shqipërisë; neni 6/1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; ligji nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
 
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes Besnik Imeraj,
shqyrtoi parashtrimet me shkrim të kërkuesit, i
cili kërkoi pranimin e kërkesës, parashtrimet me
shkrim të subjektit të interesuar, Këshillit të Lartë
të Drejtësisë, i cili kërkoi rrëzimin e kërkesës, si
dhe pasi diskutoi çështjen në tërësi,
 
VËREN:
I
1. Nga aktet e administruara në gjykim
rezulton se në fund të vitit 2009 Inspektorati i
Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) ka kryer
kontroll në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës
për periudhën kohore 1.1.2009 dhe në vazhdim.
2. Në datën 8.3.2010 i është paraqitur KLD-së
relacioni përkatës i inspektimit, sipas të cilit është
konsideruar shkelje e disiplinës në punë mosdorëzimi
i 60 dosjeve gjyqësore për shkak të mosarsyetimit
në kohë të vendimeve gjyqësore, midis
të cilave dhe dosja që i përkiste të gjykuarit I.
Xh., relator i së cilës ishte gjyqtari Neritan
Tabaku (kërkuesi).
3. Në datën 13.9.2012, në vendin e quajtur
Katund i Ri, u vra shtetasi A.T. dhe personi i
akuzuar për këtë vepër ishte shtetasi I.Xh. Në
datën 19.9.2012 inspektorë të KLD-ja, pas
verifikimeve të kryera, hartuan relacionin
përkatës, duke rekomanduar fillimin e procedimit
disiplinor për kërkuesin.
4. Me vendimin nr. 295/1, datë 5.10.2012
KLD-ja ka vendosur: “Miratimin e ndjekjes
penale të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Durrës Neritan Tabaku. Pezullimin e tij
nga detyra e gjyqtarit derisa vendimi të marrë
formë të prerë.”.
5. Me kërkesën nr. 6127/16, datë 26.10.2012,
ministri i Drejtësisë ka kërkuar fillimin e
procedimit disiplinor dhe marrjen e masës
disiplinore “Shkarkim nga detyra të gjyqtarit
Neritan Tabaku”.
6. Me vendimin nr. 301/2, datë 7.12.2012
KLD-ja ka vendosur: “Shkarkimin nga detyra të
gjyqtarit Neritan Tabaku për sjellje që diskreditojnë
pozitën dhe figurën e gjyqtarit, si dhe
cenojnë në përgjithësi prestigjin dhe autoritetin e
pushtetit gjyqësor.”.
7. Kundër këtij vendimi kërkuesi ka paraqitur
ankim në Gjykatën e Lartë, në mbështetje të
nenit 147/6 të Kushtetutës.
8. Me vendimin nr. 5, datë 12.12.2013,
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë
rrëzuar ankimin e kërkuesit Neritan Tabaku.
 
II
9. Kërkuesi Neritan Tabaku i është drejtuar
Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar shfuqizimin
e vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të
Gjykatës së Lartë për këto shkaqe:
9.1 Është cenuar e drejta e mbrojtjes dhe
parimi i barazisë së armëve e kontradiktoritetit në
procedimin disiplinor. Procedimi disiplinor është
zhvilluar në mungesë të kërkuesit, edhe pse në
mbledhjen e datës 7.12.2012 mbrojtësi i caktuar
prej tij ka kërkuar shtyrjen, pasi kërkuesi ishte në
pamundësi të paraqitej personalisht, sepse ishte i
sëmurë, i shtruar në urgjencën e spitalit dhe ai
nuk kishte tagra përfaqësimi për shqyrtimin e
kërkesës për procedim disiplinor. Ishte detyrë e
KLD-së të evidentonte dhe argumentonte
shkakun e mosparaqitjes së kërkuesit dhe për sa
kohë që ai ishte i ligjshëm dhe i arsyeshëm, nuk
mund të zhvillonte seancën dhe të merrte masën
e shkarkimit pa i krijuar mundësinë për t’u
dëgjuar dhe për të zbatuar rregullat e kontradiktoritetit
në gjykim. Kjo shkelje nuk u riparua
as nga Gjykata e Lartë, së cilës edhe pse iu
paraqit si provë një vërtetim i datës 3.12.2013 se
kërkuesi ka qenë i shtruar pranë Urgjencës së
Spitalit Rajonal Durrës, nuk e mori atë parasysh.
9.2 Është cenuar parimi i sigurisë juridike për
shkak të parashkrimit të procedimit disiplinor.
Për sa kohë që për të gjitha shkeljet e konstatuara
në relacionin e datës 8.3.2010 nuk ishte ndërmarrë
asnjë veprim, qartazi ato nuk mund të
bëheshin më objekt kontrolli. KLD-ja në tejkalim
të kompetencave të saj ka marrë në shqyrtim dhe
ka konsideruar si shkelje veprime që ishin
parashkruar dhe për të cilat nuk mund të vihej
më në lëvizje procedimi disiplinor. Në respekt të
parimit të sigurisë juridike ligji ka parashikuar
disa afate me qëllim mbrojtjen e gjyqtarit dhe
mosabuzimin me të nga organet e veshura me
pushtet shtetëror. Procedimi i kërkuesit për 
shkelje të kryera në një periudhë prej më shumë
se 2 vjetësh është në kundërshtim me nenin 34 të
ligjit nr. 9877/2008 dhe bie ndesh me parimet e
shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike.
9.3 Është cenuar parimi i prezumimit të
pafajësisë në procedimin disiplinor, pasi kjo
çështje është paragjykuar. Gjykimi administrativ
jo vetëm është bërë në mungesë të subjektit në
procedim apo të përfaqësuesit të tij (qoftë edhe
të një përfaqësuesi të caktuar kryesisht), pa
shkaqe të përligjura, por konkluzionin përfundimtar
për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit
KLD-ja e ka arritur duke u bazuar në fakte dhe
rrethana që lidheshin me çështje e shkelje të
pretenduara, të cilat nuk mund të merreshin më
në shqyrtim për shkak të parashkrimit të tyre dhe
nuk është bazuar në vlerësimin e rrethanave
konkrete të rezultuara nga gjykimi.
9.4 Është cenuar parimi i pavarësisë, paprekshmërisë
dhe palëvizshmërisë së gjyqtarit, i sanksionuar
në nenin 145 të Kushtetutës, pasi gjatë
procedimit disiplinor nuk është verifikuar asnjë akt
ose sjellje që diskrediton pozitën dhe figurën e
gjyqtarit apo cenon në përgjithësi prestigjin dhe
autoritetin e pushtetit gjyqësor. Kërkesa për
procedim dhe vetë vendimi i KLD-së janë haptazi
të pabazuara në ligj dhe në fakt. Vonesa për shkaqe
të jashtme, të arsyeshme, në arsyetim apo në
dorëzimin e një apo disa dosjeve, përjashton
dukshëm, qoftë dhe në formën e pretendimeve,
elemente të kërkuara për përgjegjësinë disiplinore.
Asnjëherë nuk është pretenduar që këto “vonesa”
të kenë qenë të qëllimshme dhe asnjëherë nuk
është vërtetuar që ato të kenë cenuar të drejta
kushtetuese të shtetasve apo palëve në proces. Po
ashtu, në kërkesën për procedim dhe relacionet që
e shoqërojnë nuk janë pretenduar shkelje në lidhje
me realizimin e drejtësisë, si detyrë themelore
funksionale e kërkuesit.
9.5 Është cenuar standardi i arsyetimit të
vendimit gjyqësor. Gjykata e Lartë nuk u ka
dhënë përgjigje pretendimeve të kërkuesit dhe
nuk ka korrigjuar shkeljet e kryera nga KLD-ja
gjatë procedimit administrativ. Vendimi i Gjykatës
së Lartë është jologjik dhe ka kundërthënie të
hapura. Nëse lexohet vendimi në tërësinë e tij
Gjykata e Lartë herë konfirmon dhe herë rrëzon
fakte të caktuara, shkelje të cilat janë referuar në
çdo pretendim tjetër për cenimin e procesit të
rregullt. Gjykata e Lartë arrin në përfundime të
cilat nuk janë bazuar në provat e administruara
në gjykim dhe që nuk janë rrjedhë logjike e
argumenteve të përdorura prej saj.
10. Subjekti i interesuar, Këshilli i Lartë i
Drejtësisë, në prapësimet me shkrim drejtuar
Gjykatës, ka parashtruar:
10.1 Në lidhje me pretendimin për cenimin e
së drejtës së mbrojtjes rezulton se KLD-ja ka
caktuar 3 mbledhje për shqyrtimin e kësaj
kërkese, konkretisht në datat 15.11.2012,
30.11.2012 dhe 7.12.2012. Dy mbledhjet e para
kanë dështuar dhe janë shtyrë për shkak të
paraqitjes së raporteve shëndetësore nga gjyqtari
Nertitan Tabaku. Në mbledhjen e datës
7.12.2012 është paraqitur mbrojtësi i zgjedhur
me prokurë të posaçme, i cili ka paraqitur
kërkesë për pezullimin e procedimit administrativ
deri në përfundimin e procedimit penal të
gjyqtarit Neritan Tabaku. Kjo kërkesë është
rrëzuar nga KLD-ja dhe pas kësaj ai është larguar
duke deklaruar se nuk ka tagra përfaqësimi për të
vijuar mbrojtjen për themelin e procedimit
disiplinor. Në këto rrethana KLD-ja ka vijuar
procedimin administrativ dhe pas marrjes së
vendimit, ai i është njoftuar gjyqtarit me aktin nr.
2435, datë 28.12.2012.
10.2 Gjyqtari Neritan Tabaku ka marrë
njoftim rregullisht mbi të gjitha momentet kyçe
të procedimit administrativ disiplinor. Ai është
njoftuar me aktin e datës 17.9.2012, nënshkruar
personalisht prej tij në prani të dy inspektorëve.
Me aktet nr. 6026/2 prot., datë 25.9.2012, nr.
6127/1 prot., datë 4.10.2012 dhe nr. 6026/4
prot., datë 8.10.2012 të Ministrisë së Drejtësisë
atij i janë përcjellë rezultatet e verifikimit të
Inspektoratit të KLD-së për të dyja procedurat e
verifikimit, atë të vitit 2010 dhe atë të vitit 2012.
Marrja e njoftimit të rregullt prej tij konfirmohet
jo vetëm me aktet e mësipërme, por edhe me
kërkesën me shkrim të paraqitur nga vetë gjyqtari
dhe të regjistruar në KLD me nr. 2136 prot., datë
30.11.2012, si dhe me dy raportet mjekësore të
datave 5.11.2012 dhe 27.11.2012. Gjyqtari
Neritan Tabaku është njoftuar rregullisht me
vendimin nr. 301/2, datë 7.12.2012 për dhënien
e masës disiplinore ndaj tij. Nga sa më sipër
rezulton se gjyqtari Neritan Tabaku ka marrë
dijeni për procedimin disiplinor dhe me vullnetin
e tij të lirë ka zgjedhur të mos marrë pjesë në të,
të mos paraqesë prova mbi faktet dhe të mos 
dëgjohet personalisht nga KLD-ja. Për pasojë,
pretendimi i tij për cenimin e procesit të rregullt
ligjor në aspektet e njoftimit, të marrjes pjesë në
procedim, të së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u
mbrojtur, janë haptazi të pabazuara.
10.3 Procedimi disiplinor i zhvilluar nga
KLD-ja nuk pengohet apo nuk pengon procedimin
penal në ngarkim të këtij shtetasi dhe as
kushtëzohet nga vazhdimësia ose jo e tij apo
konkluzionet që mund të dalin nga ky hetim
penal. Duke qenë një procedim disiplinor, ku
janë marrë në shqyrtim shkeljet administrative të
gjyqtarit (dhe jo fajësia e tij për një vepër penale
të caktuar, e cila është atribut vetëm e procesit
gjyqësor penal), ai është plotësisht në përputhje
me Kushtetutën, ligjin organik të KLD-së dhe
atë për organizimin e pushtetit gjyqësor. Për
pasojë, pretendimi për cenimin e parimit të
prezumimit të pafajësisë është haptazi i pabazuar.
10.4 Nga analiza e vendimit nr. 301/2, datë
7.12.2012 të KLD-së konstatohet lehtësisht se ai
ka përmbushur të gjitha elementet e nevojshme
formale të një vendimi të arsyetuar. Ai jep
informacion mbi faktet që qëndrojnë në themel
të procedimit, mbi procedurën e ndjekur, bën
analizën e këtyre fakteve, duke i ballafaquar me
legjislacionin e zbatuar, si dhe nxjerr konkluzione,
duke u bazuar në dokumentacionin shkresor
të marrë në shqyrtim nga KLD-ja. Për pasojë,
edhe ky pretendim është i pabazuar.
 
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Për legjitimimin e kërkuesit
11. Gjykata vlerëson se kërkuesi legjitimohet
ratione personae, në kuptim të neneve 131/f dhe
134/1/g të Kushtetutës dhe ratione temporis, pasi
kërkesa është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese
brenda afatit të parashikuar nga neni 30 i ligjit nr.
8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe
funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës
së Shqipërisë”. Po ashtu, kërkuesi legjitimohet
ratione materiae, pasi pretendimet e ngritura
prej tij në kërkesë janë të tilla që bëjnë pjesë në
juridiksionin kushtetues.
B. Për themelin e pretendimeve të ngritura në kërkesë
12. Gjykata vëren se kërkuesi ka kundërshtuar
para saj si procesin administrativ të zhvilluar nga
KLD-ja, ashtu edhe atë të zhvilluar nga Gjykata e
Lartë. Sipas tij, në procedimin disiplinor është
cenuar e drejta e mbrojtjes dhe parimi i barazisë së
armëve, për shkak të zhvillimit të procedimit në
mungesë të tij, parimi i sigurisë juridike, për shkak
të parashkrimit të procedimit disiplinor, parimi i
prezumimit të pafajësisë, pasi kjo çështje është
paragjykuar, parimi i pavarësisë, paprek-shmërisë
dhe palëvizshmërisë së gjyqtarit, i sanksionuar në
nenin 145 të Kushtetutës, për shkak se gjatë
procedimit disiplinor nuk është verifikuar asnjë akt
ose sjellje që diskrediton pozitën dhe figurën e
gjyqtarit apo cenon në përgjithësi prestigjin dhe
autoritetin e pushtetit gjyqësor, si edhe standardi i
arsyetimit të vendimit gjyqësor të vendimit të
Gjykatës së Lartë, i cili nuk u ka dhënë përgjigje
pretë-ndimeve të ngritura prej tij dhe nuk ka
korrigjuar shkeljet e kryera nga KLD-ja gjatë
procedimit administrativ.
13. Gjykata, gjatë votimit të çështjes për këto
pretendime, për arsye se votat u ndanë në mënyrë
të barabartë3
, nuk arriti shumicën e të gjithë
anëtarëve të saj të kërkuar nga neni 133/2 i
Kushtetutës dhe neni 72/2 i ligjit nr. 8577, datë
10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e
Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipë-
risë”. Në këto kushte, Gjykata, në bazë të nenit 74
të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organi-zimin
dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të
Republikës së Shqipërisë”, vendosi refuzimin e
kërkesës.
 
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipë- risë, në mbështetje të neneve 131/f, 134/1/g dhe 133/2 të Kushtetutës, si dhe të neneve 72/2 dhe 74 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
 
VENDOSI:
- Refuzimin e kërkesës.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Anëtarë: Bashkim Dedja (kryetar), Sokol Berberi, Vladimir Kristo, Gani Dizdari, Fatmir Hoxha, Vitore Tusha, Besnik Imeraj, Fatos Lulo
 
3 Votuan për pranimin gjyqtarët: B. Dedja, G. Dizdari, B.
Imeraj dhe F. Lulo. Votuan për rrëzimin gjyqtarët: V.
Kristo, S. Berberi, V. Tusha dhe F. Hoxha. 

Shfleto artikuj te tjere per: GJYKATA KUSHTETUESE VENDIM
Postuar nga: khoxha
ikub #:
1608050152